Albspirit

Media/News/Publishing

Niko Mihali: Në studion e Anesti Shurasë, ku “po fle” Laver Bariu

 

 

 

 

Sot në ditëlindjen e usta Laver Bariut, u mundova mos gjeja ndonjë imazh në qytetin e lindjes së tij, por për fat te kjeq, jo, nuk gjeta. Një mikrotabelë e pjekur në qeramikë, ndodhej në rrugicën ku ai ka jetuar dhe kaloi ditët e fundit të jetës dhe m’u kujtua ajo ditë maji e vitit 2014, kur organizuam Festivalin me emrin e tij dhe dhamë çmimin ‘Laver BARIU’, u mblodhëm në atë copë rrugë pas homazheve që bëmë në varrin e tij, përuruam portetin e tij dhe vendosëm shënimin “Këtu, në këtë shtëpi ka jetuar mjeshtri i madh i klarinetës shqiptare Laver Bariu”. Ishte pikërisht poeti Bardhyl Londo, që në ato vite ishte këshilltar i Ministrit të Kulturës, që zbulloi imazhin dhe tha mes të tjerash se ky portret kaq i dashur për një qytet të tërë e me shumë, shumë shpejt duhet të kthehet në Përmendore. Kështu tha poeti, artisti i fjalës dhe mjeshtëri i poezise lirike. I tha, po kujt ia tha?

Atëhere ishte viti i parë i vdekjes, kujtimi e dhëmbja për të ishte aq pranë, sa të gjithë besuam se autoritetet lokale e pse jo edhe ato kombëtare, diçka do të bënin për këtë  përjetësim. Por… vitet e ditët zbehin shumë gjëra në kohë normale, e jo më në kohë fushatash zgjedhore. Ai, instrumentisti i gjithë pëlqyer në gjithë hapësirën shqiptare, që për 50 vjet me rradhë krijoi e pasuroi si askush identitetin e këngës së vendlindjes, të asaj kënge që sot gjithkush e ka pagezuar “kënga përmetare”. Jam shumë i sigurt se edhe sot shumë mysafirë apo  turistë  ditorë që vizitojnë këtë qytet, një nga motivet e vizitës së tyre, është edhe kurioziteti të mësojnë diçka më shumë për jetën e tij, për atë madhështi të punës së tij që nuk u tund nga tabani, veë e pasuroi atë. Ata, autoritetet kur i takojnë të ardhurit apo kur shkojnë në konferenca apo takime të ndryshme e kanë si fjalë të parë etiketimet e këtij qyteti si qytet i luleve e këngeve, qyteti i Mentori Xhemalit e Laver Bariut.  I thonë këta emra  se jo se nuk ka të tjerë që janë e mbeten artistë të përjetshëm të popullit, artit e kulturës si Odise Paskali, Androkli Kostallari, Doa D’Istria, Solang d’Angely etj, por emri i Laverit është më i prekshëm nga shumëkush, sepse nuk ka mbetur njeri në këtë qytet që nuk e ka prekur këngën e tij, nuk ka një CD të tij, apo të mos e ndeshë këtë fjalë në bisedat e përditshme, edhe pse ai po mbush gati 10 vjet që ka ikur nga kjo jetë.

Dhe megjithëse qyteti me mjediset e tij plot lule e gjelbërim nuk ma ofroi këtë kënaqësi të takohesha me Ustanë, shkova për një vizitë ne studion e skulptorit përmetar Nesti Shuraja, në një klasë shkolle afër Liceut Artistik Tiranë ku ai jep mësim prej shumë vitesh e përgatit skulptorë të rinj në qeramikën artistike.  Thashë të shkoj nga Nesti se e di që ka më shumë njohje e afeksioin për artistët e qytetit të tij, diçka do kishte në planet e tij krijuese po e po, por mund të kishte edhe diçka konkrete. Dhe nuk gabova…

Para disa vitesh, kur sa filluam të organizonim festivalin ndërkombëtar ‘Përmeti Multikulturor’, një nga qytetaret e nderit të Përmetit, Artistja e Popullit Tefta Tasho,  erdhi në mjediset e Përmetit me një kokë të derdhur në bronx, që kishte për autor Nestin. Dhe vërtet, ai ishte dhe mbetet një portret shumë i bukur e përfaqësues që së fundi pas kaq e kaq vjetësh, u hoq nga  mikrosheshi prane zonës së marketeve dhe u vendos në parkun e qytetit  si një ogur i mirë për më tej. Është përfolur në vite të paktën që nga vitit 1996, që ky park apo lulishte në qendër të Përmetit, do të kthehej në një panteon të njerëzve të shquar të këtij qyteti, i cili për hir të së vërtetës në historinë e tij njëshekullore ka nxjerë dhjetra njerëz të nderuar në fushën e kulturës, artit si dhe shkencës. Diskutimet e zjarrta të atyre viteve plot emfazë e optimizëm të atyre që morën pjesë, u shuan shpejt, edhe pse qyteti në historinë e tij dy shekullore vërtet ka nxjerrë artistë, shkrimtarë, gjuhëtarë me emër dhe që kanë bërë historinë kombëtare… por për fat të keq asnjë prej tyre   nuk ka një simbol në vendlindjen e tij përjashtuar Tri Vëllezërve në Frashër, ndërsa Naimi vijon të qëndrojëi derdhur në beton, një vepër e O. Paskalit qysh në vitet ‘70 të shekullit të kaluar, kur me dhjetra qytete e kanë këtë portret të derdhur ne bronx. Qyteti, parqet dhe sheshet apo rrugicat e tij janë të zhveshura nga këto thesare dhe sigurisht brezi i ri që rritet as nuk i njeh as i shikon të vlerësuar. Ai park me këto dhjetra portrete do të ishte një shkollë në natyrë me vlera të larta edukimi, me nxitje nisiativash për talente të reja.

Por tek studjoja e Nestit ishte ndryshe. Sa hapje deren e studios, të përshendeste i ulur në një gur të rëndë të vendlindjes portreti i Ustait tonë të dashur. Bile jo një, por dy të tilla, të gatshme për t’u punuar me përmasa reale dhe derdhur në bronx, që pastaj të ishin pjesë e dekorit artistiktë qytetit . Ishin portrete mjaft të gjetura,  të bukur sikundër ka qënë dhe Ustai, plotësisht në karakter, një fytyrë e bukur me një shikim të këndshëm që dukej se të përshëndeste, sa e shikoje, pjesë e një dekori qytetar, aty mes njerëzve… Nesti Shuraja që punoi jo pak në Shtëpinë e Kulturës së qytetit, edhe pse nuk kishte lidhje direkte me ustanë, prapë fama e hija e tij e ngacmonin… ka portret të bukur, meditonte dhe në ëndërrat e tij flinte e zgjohej shpesh herë një mendim që Ustai duhet perjetesuar… dhe duhet përjetësuar jo me një bust, jo me një portret, por Ai, Mjeshtëri i Madh, nderi i artistëve të vendit të tij, e donte që patjetër të ishte në një përmendore… e ka vizatuar në dhjetra skica, e vizatonte në prova, në koncerte, në rrugë, në kohë e mosha të ndryshme.

“Unë u rrita me të, e takoja shpesh, pija kafe me të, ia shikoja me kujdes fytyrën, hundën, veshët, sytë, mustaqet, klarinetën edhe kur i binte edhe kur e merrte nën sqetull kur mbaronte provat e shkonte qetë-qetë me cigare ne gojë, gjithmonë me kostum apo edhe me atë pallton e zezë të markës ‘Gub’. E shikoja, e meditoja dhe shkoja në studio apo në shtëpi dhe hidhja në letër skica të ndryshme!… Oh, sa portret i bukur që ka qenë Unë mbase ndër të vetmit që e kam vizatuar portretin e tij drejtpërdrejt, askush tjetër nuk e ka bërë këtë gjë ndaj edhe nëse ndokush hyn në këtë valle sot, do kopjojë fotot e tij, pasi ai atë që kishte e dha, na tha ja ku jam. Dhe unë nuk kam qënë asnjëherë indiferent ndaj ustait. E kam menduar dhe vendin ku duhet vendosur, përmasat e tij dhe sigurisht duhet derdhur ne bronx… dhe për këtë kishte disa variante në vartësi edhe të kostos financiare.

E kush ishte ai piktor apo skulptor që nuk deshi e nuk do të donte e krenohej me portretin e tij. Së pari ishte piktori po përmetar Aleks Todhe që krijoi nje portret të bukur të ustait në bojë vaji, vizatoi plot skica e portrete me vaj ose laps. Edhe Josif Bushi e di që ka një portret të tij, portret me vlera realiste e jetësor… Se këtë punë  artistët e qytetit  e kanë patur dëshirë e pasion me kohë, por askush nuk i afronte. Askush nuk i ngacmonte apo t’i nxit për punë të tilla, se vendin e këtyre punëve  e ka mbuluar përgatitja e  panaireve, koleve, kuleçeve, gjiza e shakullit, lakrorët e gilikotë, por arti jo.

…Kam shumë kohë që punoj – thotë Nesti, – kam bërë dhjetra skicime në letër, e kam supozuar vendosjen e tij duke gjetur shikimin më të mirë, që ta rrah e ta shikojë dielli që ta ndriëojë me mirë fytyrën e tij, të jetë në bronx, apo i kombinuar edhe me punime guri e plot e plot variante e mënyra ekspozimi. Për sa e pamë, duke ruajtur sekretin profesional, ai kishte një predispozitë dhe frymëzim artistik për ta paraqitur ustanë sa më bukur. Ai nuk e tha, por unë, kur shikoja ustanë ashtu në maket mes dhjetra punimeëve të tjera të Nestit apo edhe qeramikave të ndryshme me të cilat zhvillonte mësim, unë prisja ta shikoja atë të derdhur në bronx, ashtu sikundër qëndron Lasgushi i Skulptorit të Popullit Muntas Dhrami, në lulishten e buzë liqerit, në Pogradec. Boll “fjeti” në atë studio, ai duhet në shesh, e kërkon qyteti, njerëzit e tij që janë mrekulluar me muzikën e tij…

Nesti Shuraja ka një angazhim e predispozicion unikal, që ta marrë përsipër dhe ta përfundojë në një kohë rekord këtë vepër, andaj pret dikë nga Bashkija e Përmetit që t’i shkojë në studio, ta shikojë dhe të lidhë kontratën e duhur, për të vijuar punën. Dhe në mënyrë konfidenciale më thotë:

– Në se autoritetet mendojnë ta bëjnë më konkurs këtë punë, unë tërhiqem, nuk do  të marr pjesë, se konkurset dihet se kush i fiton, ata do jenë artistë që  mund të jenë edhe qytetarë nderi të Përmetit, por nuk kanë asnjë impresion apo njohje e  lidhje as me  qytetin e as me  Usta Laverin, por kanë  shokë e miq të shkurtër e të gjatë që ua mirtatojnë shpejt  e shpejt, veç  AI s’do jetë ai Artisti që ne duam, por një copë gur i gdhendur që do i vënë një klarinetë në dorë dhe kaq.

Nestiu Shuraja ka dhënë prova që i do dhe i vlerëson artistët e qytetit të tij, i do t’i shikojë në bronx sa më të bukur, do që të shohë bashkëqytetarët e tij që kur t’i afrohen Ustait , t’i flasin me gojë e ta përshëndesin… Para se të ndahesha me të, e vlerësova për bocetet e krijuara, të cilat do i pëlqejnë kujtdo dhe ai më tha se së shpejti studion po e transferoj në Përmet, atje në ish-shtëpitë e mia që nuk i shes kurrë dhe kam planet e mia për këto punë. Po të duan që ta bëjnë këtë punë, atje do më kenë dhe unë shpresoj, dua të shpresoj se ndonjë autoritet lokal apo biznesmen do kalojë nga studjoja e tij dhe do i japë rrugë kësaj pune.

Dhe në se ndodh kështu ai shkrimi im “In memorie për Ustanë“ që shkrova para ca muajsh në përvjetorin e vdekjes së tij: “Në mos ardhsha të nëntin vit, të nëntin të taksurin, dije se dheu më  ka ngrënë…”, ka lëvizur diçka nga vendi. Sa do të desha që kjo vepër të ishte pjesë e programit një ose dy vjeçar të kandidates për Kryetare Bashkie të qytetit, e cila do e ridimesiononte punën e saj dhe do i shtonte  shumë pikë vehtes në aspektin human e social, se nuk kanë kurrë kaq vlerë gurët në kalldrëme e drurët nëpër parqe sa kanë njerëzit qoftë të gjallë, qoftë të vdekur, aq më tepër kur janë edhe personalitete si Usta Laver Bariu. Dhe nëse ndodh kjo, jam i sigurt se kontributi i komunitetit dhe biznesit nuk do mungojë…

Please follow and like us: