Dr. Vlora Obertinca: Kur rrugëtimi i jetës përfundon me dikë…
“Kur rrugëtimi i jetës përfundon me dikë dhe ndien shmangie nga ai njeri, lëre të shkojë, sepse kur i hap rrugë një njeriu, Zoti të hap rrugët e mrekullisë së jetës”, Dr. Vlora Obertinca.
Isha kthyer nga Vjena në Prishtinë, pas një dekadë e gjysmë jete, studime dhe pune atje. Jeta ime ishte në mes trekëndëshit: Vjenë-Shkup-Prishtinë. Edhe pse ish- burri im ishte vendosur me punë në Shkup, karriera e tij ishte në lëvizje gjithandej nëpër botë. Një pjesë e familjes së ngushtë mbeti në Vjenë dhe vazhdoi jetën atje, kurse pjesa tjetër, duke më përfshirë mua, u kthye në Prishtinë. Puna ime profesionale zuri vend në Prishtinë, në kryeqytetin e Kosovës, ku unë u linda dhe u rrita.
U riktheva në Prishtinën time të dashur për të bërë karrierë.
Unë isha krenare për punën e palodhshme që po bënte ish-burri im në atë kohë dhe i qëndrova afër në rrugëtimin e tij profesional, në postin e drejtorit të kompanisë “Siemens” në Vjenë, gjatë studimeve në London Business School (LBS), deri te posti i ministrit më të suksesshëm dhe politikanit më të shkolluar në Ballkan.
Një herë mbaj mend, gjatë studimeve në LBS, duhej që një semestër ta kalonte në Dubai, duke udhëtuar çdo dy javë për atje. Më mori në telefon, teksa po përgatiste provimin e matematikës financiare, një provim shumë i vështirë dhe më tha se ishte tejet i lodhur dhe i molisur, i rraskapitur dhe s’po mundej të vazhdonte më. S’do mend, lodhja dhe molisja ishte mbledhur ndër vite nga 300.000 milje udhëtimi në vit me aeroplan nëpër botë. Edhe pse, unë dhe djali ynë ishim lodhur nga mungesat e tij të vazhdueshme në gjirin familjar, nga ana tjetër e linjës telefonike i dhashë kurajë dhe i thashë: “Ashtu, si një aktor ka ëndërr të arrijë famën në Hollivud, për një politikan dhe biznesmen, ëndrra është të arrijë të kryejë studime në London Business School. Kujto se ndër shekuj, në historinë e London Busieness School, je politikani dhe shqiptari i parë që je pranuar në këtë institucion prestigjioz shkollimi, nga i cili do të dalësh i diplomuar. Ti nuk do të jesh vetëm krenaria ime dhe e Jonit, por do të jesh edhe krenari kombëtare”.
Visari u diplomua nga LBS-ja, u kthye në Maqedoni për të themeluar zonën e parë të tregtisë së lirë në Tetovë, e para në Maqedoni, Kosovë e Shqipëri. Aty solli shumë investime të huaja dhe u hapën shumë vende të reja pune, duke ndikuar drejtpërdrejt në uljen e papunësisë në Maqedoni.
Fragment nga libri i autores “Vera e shpirtit“.