Albspirit

Media/News/Publishing

TË SHPËTOSH HISTORINË E MASAKRUAR DHE PERSPEKTIVËN E SHQIPTARËVE

Nga Dr. Astrit Gjunkshi

 

Do të tmerrohej çdo shqiptar i vërtetë po të ndiqte emisionin “Gjurmë shqiptare”, të transmetuar të shtunën e kaluar në një kanal televiziv, perms të cilit autori Marin Mema sillte fakte ulëritëse mbi masakrimin e histories së shqiptarëve në tekstet shkollore që u serviren nxënësve sot në shkollat e Maqedonisë së Veriut. Krijon bindjen e trishtë se, nëse ka ndonjë komb në Ballkan që akuzohet, thuajse nga të gjithë popujt e tjerë të rajonit, për pretendime se kërkon të marrë nga historia shumë më tepër se sa i takon, këta janë shqiptarët. Dhe, në realitet, nëse ka ndonjë popullsi kombëtare që është diskriminuar dhe vijon t’i përçudnohet edhe sot historia e tij, kjo është sërish ajo shqiptar. Kjo nuk është për t’u çuditur. Siç thuhet në gjuhën popullore “goditet me gurë pema që kakokrra plot”! Lashtësia e kombit tonë, autoktonia e tij mijëravjeçare në trojet e gadishullit Ballkanin/Ilirik i ka trembur vazhdimisht fqinjët tanë të ardhur shumë më vonë. Strategjia e tyre ka qenë relativizimi i vazhdueshëm i kësaj lashtësie dhe autoktonie me pretendimin se shqiptarët janë të ardhurit më të rinj në Ballkan. I gjithë deformimi i histories shqiptare ka qenë aktiv, i ka paraprirë pushtimit dhe copëtimit të trojeve shqiptare dhe ka synuar të mbajë gjithnjë të dobët kombin shqiptar. Luftërat e shumta të fqinjëve kundër shqiptarëve, vetëm apo në koalicion, pushtimet e tyre kanë qenë thuajse permanente në historinë tonë, ndërprerë nga periudha të shkurtëra paqeje.

Kanë qenë një sere faktorësh historikë që e kanë mbajtur kombin tone të dobët e të diskriminuar, veçanërisht pas shpërbërjes së Perandorisë Osmane. I ndryshëm nga fqinjët slave apo ortodoksë, kombi shqiptar u gjet i vetëm përballë aleancave të tyre, mbështetur edhe nga fuqitë e kohës. Jemi me fat në periudhën që po jetojmë që kemi për here të pare mbështetjen e një aleati strategjik si SHBA, superfuqia e vetme e sotme në botë, si dhe jemi prej mbi 14 vitesh anëtarë të aleancës së NATO-s. Këto janë faktorë kyç që kanë rritur potencialisht fuqinë tone kombëtare dhe prestigjin e kombit shqiptar. Megjithatë ne mbetemi ende një komb me dobësi të theksuara që nuk kemi mundur të shfrytëzojmë shanset aktuale historike tepër të favorshme për të shfaqur potencialin tone të vërtetë njerëzor, ekonomik e kulturor, për të zënë në çdo aspect një vend më të përparuar mes kombeve të rajonit e më gjërë. Vazhdojmë të jemi ndër vendet e fundit në Evropë e rajon në zhvillimin ekonomik, por edhe në hartimin dhe në realizimin e axhendave më ambicioze për të vënë në vend padrejtësitë historike ndaj kombit tonë. Jemi vetë ne shqiptarët, klasa jonë politike, faktori kryesor i përpjekjeve të hallakatura për të luftuar dobësitë tona. Dhe kjo është e vërtetë për klasën politike në Shqipëri, në Kosovë dhe për klasën politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut.

Duket se e keqja më e madhe e shqiptarëve është mungesa e idealistëve në udhëheqjen e partive politike. Ata luftojnë më shumë për pushtet dhe për interesa të ngushta personale korruptive e klanore, se sa për progress kombëtar. Strategjia jonë kombëtare është minimaliste dhe e përgjithëshme, madje është shpesh naive. Janë lënë pas dore axhendat kombëtare në emër të fqinjësisë së mire dhe të ekzaltimit të përditshëm për arritjen e objektivit parësor strategjik për integrim evropian. Ky fare internacionalizmi është tipik vetëm te ne shqiptarët, pasi fqinjët tanë i përsosin dhe i thellojnë vazhdimisht axhendat e tyre kombëtare, bazuar në strategji e politika tepër të qarta. Ata nuk heqin dorë nga synimet e tyre për përfitime nacionaliste edhe perms nismashtë tilla në dukjepacifiste siç janë “Open Balkan”, e ndonjë tjetër.

Kështu, Serbia vijon shpopullimin e shqiptarëve nga trevat e tyre në Preshevë-Medvegjë e Bujanovc. Ndërsa faktori politik shqiptar në Shqipëri, në Kosovë e në Maqedoninë e Veriut hesht dhe përmend sukseset e bashkëpunimit rajonal dhe përmirësimin abstract të marrëdhënieve me Serbinë! Në Shkup varrosen zbulimet arkeologjike që mbështesin lashtësinë e pellazgo- iliro- shqiptare në mbarë Ballkanin dhe akademitë shqiptare të ahkencave e deri parlamentet shqiptare nuk prononcohen. Lotët dhe dhimbja e nxënësve shqiptarë të Shkupit se u privohet në tekstet shkollore mësimi i histories së paraardhësve të tyre, nuk arrijnë të prekin veçse pak zemra shqiptare, por jo ato tëpolitikës shqiptare në Tiranë, në Prishtinë apo në Shkup. Ata janë zënë me axhendat e garës politike me kundërshtarët që i përkasin races shqiptare dhe shtrëngojnë duart me kundërshtarët e vërtetë joshqiptarë që kanë axhenda e strategji tepër të qarta anti-shqiptare, edhe pse të sheqerosura me buzëqeshje dhe me elokuencë bashkëpunimi abstrakt e formal! Ndërkaq, opinion public jeton në delirin gjumëndjellës të Big Brother VIP dhe të programeve të tjera televizive limonadë, në vend që të demostrojë masivisht kundër rrënimit të pandërprerë të historisë dhe të kulturës sonë dhe për mungesën e një strategjie të qartë për forcimin e vërtetë historic të fuqisë sonë kombëtare, mbarëshqiptare!

 

Tiranë, më 08 maj 2023

Autori mban gradën Doktor i Shkencave për SiguriGlobale, Master i Shkencave për Sigurinë nga Universiteti Cranfield i Britanisë së Madhe, ka diplomë pasuniversitare nga Kolegji i Mbrojtjes i NATO-s në Romë, diplomë universitare dhe pasuniversitare në matematikë, është studjues dhe autor librash për sigurinë e integrimin, shkrimtar, poet dhe përkthyes. Ka shërbyersi diplomat-Ministër Këshilltar në Delegacionin e Përhershëm të Shqipërisë në NATO dhe më herët në sektorët e politikës së mbrojtjes dhe në atë të arsimit.

 

 

Please follow and like us: