Albspirit

Media/News/Publishing

Alma Hoxha, kryebashkiakja, që gëzon respektin e përmetarëve

Sejdo Harka & Albert Zholi

Alma Hoxha, kjo vajzë e thjeshtë përmetare, ka shumë vite që mban mbi supet e saj barrën e rëndë të disa prej detyrave më të rëndësishme të qeverisjes vendore të Përmetit. Ajo, kudo që punoi dhe drejtoi la pas emrin e mirë, mirkuptimin e plotë dhe dashurinë e respektin reciprok për të gjithë njerëzit. Udhëtimin e saj të gjatë e nisi si mësuese e gjuhës shqipe dhe letërsisë në fshatrat e largëta të Përmetit, por shpejt, me punën e mirë dhe kërkesat e saj ndaj vetes, tregon se meritonte më shumë. Pasi dha disa prova të suksesshme si drejtuese në disa shkolla dhe e Zyrës Arsimore të rrethit, ajo zgjidhet kryetare e Bashkisë së qytetit të Përmetit. Kësaj rruge të gjatë e të vështirë, thonë përmetarët, ajo ia doli vetëm me punë, vullnet e përgjegjësi të lartë. Alma e deshi Përmetin dhe përmetarët si shtëpinë dhe njerëzit e saj më të afërm. Deshi arsimin dhe kulturën, atraksionin dhe bukuritë e natyrës, ujërat e bollshme dhe malet e pyjet e këtyre anëve, rrugët dhe bulevardet e pastra që i kanë zili edhe të huajët, lulishtet e bukura shumëngjyrëshe që kundërmojnë erë trëndafilash e kajrafilash, këngën dhe vallen përmetare, që diukur mahniti edhe Dizhonin e Francës. Ruajti dhe zhvilloi më tej traditat më të mira të verës së kuqe dhe rakisë së fortë, mikpritjen e rrallë dhe kulinarinë e papërsëritshme, glikotë e shumllojshme e të ëmbëla si pika e mjaltit, që i jepin emër të veçantë Përmetit.

Alma, që në hapat e para si mësuese, tregojnë kolegët e saj, dukej se do bëhej një mjeshtëre e mësimdhënies. Me pasionin e saj, ajo u mësonte nxënësve jo vetëm si të merrnin dije të qëndrueshme, por dhe si t’i përdorin ato në jetën e përditshme. Dashuria e saj për profesionin dhe përgjegjësia për të kryer detyrën, tregonte, se ajo spikaste edhe për disa aftësi dretuese dhe organizative. Kjo e ndihmoi atë për ta pasur më të lehtë punën për drejtimin e shkollave dhe gjithë arsimit të rrethit të Përmetit. Puna për drejtimin e arsimit  do ta ndihmonte më von për qeverisjen dhe administrimin  e suksesshëm të bashkisë së Përmetit. Çelësi i suksesit të saj  në çdo punë drejtuese ka qënë trinomi: përgjegjësi, kompetencë, drejtësi. Këto u kërkon edhe vartësve të saj. Ja, kjo është një nga arësyet kryesore, thotë Muharrem Kamani, që Alma Hoxhën, në Përmet, e duan pothuajse të gjithë.

Po kush është me pak fjalë Alma Hoxha

Ajo u lind në Përmet, më 26 qershor të vitit 1972. Alma Hoxha ka mbaruar studimet e larta për Gjuhë Shqipe dhe Letërsi në Fakultetin e Shkencave Shoqërore të Universitetit “Eqerem Çabej”. Vitet e para punoi mësuese, ndërsa në 1997 emërohet nëndrejtoreshë në shkollën “Meleq Gosnishti”të Përmetit. Përvoja e saj në arsim do të vijonte më tej në pozicionin e inspektores në Drejtorinë Arsimore Rajonale (1999-2003) dhe si Përgjegjëse e Zyrës Arsimore Përmet (2013-2019). Ndërsa nga viti 2003 deri në vitin 2005, Hoxha ka qënë dhe nënprefekte e Gjirokastrës. Prej vitit 1996 deri në vitin 2015 është zgjedhur anëtare e Këshillit Bashkiak të Përmetit. Gjithashtu, nga viti 2000 deri në 2003 ka qënë Kryetare e Këshillit Bashkiak Përmetit. Ndërsa në periudhën 2003-2007 ka qënë anëtare e Kryesisë së Këshillit të Qarkut të Gjirokastërës.
Pas zgjedhjeve të 30 Qershorit 2019 është  zgjedhur Kryetare e Bashkisë Përmet. Përmeti është cilësuar ‘’perla’’ e turizmit shqiptar dhe vendi ideal për pushime dhe aventura familjare, pasi në kanionet e tij atraktive kombinohen bukur ecja dhe lundrimi me gomone apo kajak dhe climbing.Është kjo arsyeja që ajo,në punën e saj si administratore e qytetit i ka kushtuar një rëndësi të veçantë zhvillimit të turizmit.

 Ç’tregon Alma Hoxha për projektet kryesore të Bashkisë së Përmetit, disa prej të cilave kanë përfunduar, ndërsa disa të tjera janë në rrugën e përfundimit

Në një intervistë për ATSH-në, Alma Hoxha ka folur për një sërë projektesh infrastrukturore si në qytet edhe në zonat rurale, të cilat kanë përmirësuar jetën e banorëve të këtij qyteti, si dhe investimet për zhvillimin e mëtejshëm të turizmit, të jetës sociale dhe kulturore në Përmet.E pyetur për disa nga projektet kryesore dhe investimet publike në këtë qytet për vitin 2020, kryetarja Hoxha shprehet se ndër projektet parësore është rikonstruksioni i ujësjellësave rajonalë, bazuar në programin e investimeve për vitin 2020 të qeverisë shqiptare . Bashkia Përmet hartoi detyrat kryesore për realizimin e projektit “Rikonstruksioni i ujësjellësave rajonalë të fshatrave Kutal, Kosinë, Frasher (Vërçisht, Gostomickë, Koplarë), Gjinkar, Petran, Bodar e Rapckë. Qëllimi i këtij projekti ka qenë furnizimi i banorëve të këtyre anëve me ujë të pijshëm 24 orë në ditë”. Një ndër projektet kryesore të kësaj Bashkie ka qenë edhe rehabilitimi i kanalit vaditës të Stërmbecit  dhe kanalit vaditës  Bodar-Kutal. Me rehabilitimin e këtij kanali, vazhdon më poshtë A. Hoxha, kemi mundësuar ujitjen në këto fshatra, për një zhvillim sa më të mirë të bujqësisë dhe blegtorisë së kësaj  zone”. Një projekt tjetër social, në dobi të njerëzve, ka qënë dhe ‘’Nisiativa për përfshirjen sociale të moshës së tretë” nëpërmjet të vendosjes së një ambienti në  dispozicion të kësaj moshe, ku ata do konsumojnë kafen e mëngjesit, do të organizojnë lojrat argëtuese e shlodhëse dhe bisedat e ngrohta. Kjo bashki ka projektuar dhe zbatuar edhe projekte të tilla për argëtimin e moshave të reja si ai me emrin “Biçikletat dhe Rinia”, ku në qytet janë vendosur 15 biçikleta, të cilat përdoren nga të rinjtë dhe turistët për të vizituar pikat turistike. Ato mund të përdoren pa pagesë nga nxënësit e shkollave në aktivitete të ndryshme. Qëllimi i këtij projekti është ediukimi dhe krijimi i kushteve lehtësuese për të rinjtë që s’i kanë mundësitë të lëvizin për të shijuar bukuritë e resurseve tona natyrore e atraktive të Përmeëtit dhe për të ndihmuar vizitorët e shumtë (kundrejt pagesës), që vinë nga bota dhe nga të katëra anët e vendit. Në fushën e mirëqenies kulturore, thekson më poshtë A.Hoxha kemi nisur rivitalizimin e kinemasë së qytetit, e cila u projektua nga arkitekti i vjetër Ibrahim Emiri, i cili  ka lënë gjurmët e veta në aqitekturën karakteristike të Përmet të viteve 70-80.

 Nëpërmjet projektit të bashkisë Përmet dhe bashkëpunimt me Cesvi Albania, u mundësua financimi nga projekti  IADSA i qeverisë italiane. Ka kohë që ka filluar puna për rikonstruksionin dhe përtëritjen e kinemasë së Përmetit. Por, nuk mund të lihet pa përmendur edhe një ndër projektet madhore, siç është ai i “Rigjenerimit të Integruar Urban”, që synon  restaurimin e peizazhit urban historik të qendrës së vjetër, duke përfshirë unifikimin e fasadave, portave të vjetra dhe çezmave antike me impakt në përmirësimin e aksesit  të këmbësorëve dhe  për lidhjen më mirë të qendrës historike me qytetin modern. Sipas Alma Hoxhës, vëmendja e bashkisë është përqëndruar kryesisht në investimet dhe projektet, të cilët kanë qenë tepër të nevojshëm, që kishin të bënin me shërbimin ndaj komunitetit si: sigurimi i ujit për vaditje, ujit të pijshëm, etj.

Një vend të rëndësishëm në qytetin e Përmetit ka zënë dhe zë turizmi, si një mundësi e madhe argëtuese shlodhëse dhe vlera ekonomike. Sapo hap librin ‘’Përmeti ekoturistik’’ lexon me kënaqësi mirseardhjen e ngrohtë të kryebashkjakes Alma Hoxha, nëpërmjet të të cilit ajo u uron të gjithë vizitorëve mirëseardhjen nëpërmjet këtyre fjalëve: ’’Shihni ç’shkruan  Noli për qytetin tonë: ‘A do hash e të bësh qejf? Sofra shtruar si për mbret. Pastërti e për yzmet. Të tillë gjen veç në Përmet’. Do të ngjitesh mbi Gurin e Qytetit dhe në vështrimin tënd do të shfaqet e gjithë Lugina e Vjosës. Do të shijoni kënaqësinë e ujërave termale të Bënjës; bukurinë e rrallë të kanioneve të Vjosës; do të mrekulloheni nga freskia dhe magjia e Bredhit të Hotovës, nga sazet dhe këngët qytetare përmetare, nga ushqimet e freskëta dhe bio, të servirura nga amvisat përmetare; nga hotelet dhe bujtinat tipike përmetare dhe veprimtaritë e gjalla kulturore  dhe sportive’’. Përmetin e bukur e të pastër e vizitojnë mijëra e mijëra vizitorë e turistë, që vinë nga të katëra anët e vendit dhe të botës, të cilët janë shtuar më shumë sidomos vitet e fundit.  Pikat turistike që ata vizitojnë më shumë, nënvoizon Alma janë: Kisha e Shën Kollit, Kisha e Shën Premtes, Kishën e Shën Mërisë në Bënjë, Kisha e Kosinës, Kisha e Leusës, Ujërat Termale të Bënjës, Teqeja e Alipostivanit, Teqeja e Frashërit, etj.

Please follow and like us: