KOLEGJI AAB MIRËPRET ME CEREMONI SPECIALE KËSHILLIN E AMBASADORËVE AMERIKANË DHE ANËTARË TË KËSHILLIT TË AMBASADORËVE SHQIPTARË
11 Maj 2023
Në një organizim tejet special në Teatrin AAB “Faruk Begolli” të Kolegjit AAB është mirëpritur Këshilli i Ambasadorëve Amerikanë dhe anëtarë nga Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë, me rastin e “101 vjetorit të Marrëdhënieve Diplomatike Shqipëri – SHBA dhe 15 vjetorit të Marrëdhënieve Diplomatike Kosovë – SHBA”.
Në fjalën hyrëse të këtij organizimi rektori i Kolegjit AAB Lulzim Tafa, shprehu mirënjohjen e thellë për këtë vizitë e cilësuar si nder për Kolegjin AAB dhe studentët pjesëmarrës. Ai shtoi se që nga themelimi i Kolegjit AAB figura të rëndësishme politike, të diplomacisë, artistë, sportistë të njohur kanë vizituar këtë institucion, andaj kjo është një ndër privilegjet më të mëdha që mund të jetë bërë ndër vite.
Pas rektorit Tafa, fjalën e pati Drejtori Ekzekutiv i Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë Genc Muçaj, duke shtuar se ndjehet mirënjohës që është në mesin e të rinjve, teksa shtoi se Kolegji AAB është një ndër institucionet më të mira jo vetëm në vend por edhe rajon. Tutje Muçaj tha se Kosova është në zemrën e çdo shqiptari, ndërsa vlerësoi kontributin e secilit që bëri të mundur këtë ngjarje duke përmendur profesorin Flamur Gashi dhe rektorin e Kolegjit AAB Lulzim Tafa.
Gjatë ceremonisë rektori i Kolegjit AAB Lulzim Tafa ndau Çmimin Ndërkombëtar për Demokraci dhe Integrim për Kryetarin e Këshillit të Ambasadorëve Amerikanë Timothy Chorba, për kontributin që SHBA-të dhe diplomacia amerikane kanë dhënë në shtetformim dhe demokraci të Kosovës.
Z.Chorba falënderoi rektorin për ndarjen e këtij çmimi, duke thënë se ka vizituar qindra vende të botës por askund nuk ka parë respektin dhe ngrohtësinë për SHBA-të siç e kishte parë gjatë qëndrimit në Kosovë. Ai gjithashtu pati edhe një mesazh për studentët e Kolegjit AAB, duke i motivuar se dituria e fituar do iu dhuroj sukses në vitet në vijim, e për këtë duhet të jenë çdoherë të gatshëm të mësojnë gjëra të reja.
Në këtë ceremoni si folëse kryesore ishte edhe ish ambasadorja e SHBA-ve në Danimarkë, Laurie S. Fulton, e cila tregoi për vizitën e saj para shtatë vitesh që kishte me ish sekretaren e shtetit Madeleine Albright, ndërsa shtoi se kishte “lënë një pjesë të zemrës së saj në Kosovë dhe tani kishte ardhur ta kërkonte atë”. Fulton theksoi qëndrimin e SHBA-ve pro zhvillimit të Kosovës dhe shtoi se mezi pret të vijë sërish.
Philip Hughes, nënkryetar i Këshillit të Ambasadorëve Amerikanë, tregoi se kjo është vizita e tij e parë në Kosovë nga e cila u impresionua jashtë mase derisa përmendi planet që kemi si shtet për të ardhmen, ambiciet dhe shumë synime tjera. Ai uroi prosperitet, demokraci, stabilitet dhe siguri për Kosovën dhe qytetarët e saj.
Edhe ambasadori i parë i Kosovës në SHBA Avni Spahiu ishte prezent gjatë kësaj ceremonie, ndërsa përmendi historikisht kontributin që SHBA-të kanë dhënë për Kosovën e Shqipërinë. Spahiu tregoi përvojën e tij si ambasador i parë në SHBA, duke thënë se ishte krenar për postin që mbante dhe forcimin e marrëdhënieve gjatë asaj kohe e deri tani mes SHBA-ve e Kosovës.
Përveç fjalimeve të të ftuarve special pati edhe dy pika artistike nga Elizabeta Qarri dhe soprano Arta Jashari, të cilat impresionuan publikun me performancat e tyre.