Albspirit

Media/News/Publishing

Mihal Hanxhari: ELEGJI PËR KOSOVËN

 

Zot nëse njerëzit s’dinë të shohin sot

Dhe nesër askush s’do ketë më sy

Shpëto o Zot vetëm sytë e fëmijve të Kosovës

O Zot shpëto ata sy të kaltërt të peshqëve blu

Që flenë në shi dhe ëndërrojnë engjëjt e tu

 

Zot nëse zërat e çmendur s’do pushojnë

Dhe tamtamet do përplasen në kupën e qiellit

Dhe klithmat e marra do qeshin e do thërrasin

Zot shpëto ato heshtje të pleqve të Kosovës

Që flasin me brazdat e baltës plot ujë të vjetër

Ujë nga shiu i parë i botës që njomi këtë dhe

 

Zot nëse s’do ketë më vend në botë ku të lindin nënat

Oh lere o zot atë rrugë të gjatë ku nuset e Kosovës

Po lindin yjet e Yllnajës së Mjellmës

O Zot ato janë foshnjat e tua

 

Dhe në s’do ketë shenjë delyzhi ku pirgu do bëhet

Gropë dhe gropa kodër mbill nëpër rrugët e Kosovës

Dyqind qiparisa, dy mijë qiparisa, dyqind mijë qiparisa

Dhe dy millionë rrape o Zot.

Dhe ai do jetë pylli i parë i Lirisë në botë.

Please follow and like us: