Albspirit

Media/News/Publishing

Fadil Maloku: Turqia vendos, kah perëndimi apo kah lindja?

1. Sa isha anëtar i KQZ- të Kosovës (2007-2013) me ka rastis të njihem me mirë me sistemin zgjedhor turk. Ajo që më fascinonte atëbotë ishte prirja e shpejt dhe e saktë e “vjeljes” së rezultateve zgjedhore! Bile, njëherit anëtarëve tanë me t’u kthyer nga Turqia u pata propozuar që edhe ne do duhej në mënyrë identike të provojmë të nxjerrim rezultatet zgjedhore. Por, si tani edhe atëbotë idetë e tilla funksionale dhe të shquara me perfeksionimet juridiko politike po edhe ato praktike e pragmatike u refuzuan (shkaku i interesave klanore e grupore) nga liderët dhe ca partiti tona politike!
Ajo çfarë i karakterizon zakonisht zgjedhjet në Turqi (ku 64 milionë kanë të drejtë vote!) është se; edhe pse pjesëmarrja e qytetarëve është shumë e kufizuar kur bëhet fjalë për çështjet politike, madje edhe në nivel lokal, pjesëmarrja e votuesve nuk bie kurrë nën 80 për qind!? Meqë, zgjedhjet janë mjeti kryesor për qytetarët për të shprehur pikëpamjet e tyre politike e ideologjike po edhe për të kërkuar llogari nga zyrtarët e zgjedhur, atëherë, këto zgjedhje bëhen interesante edhe për shkakun se Turqia e sotme është e mbërthyer me krize ekonomike (devalvimi i lirës është në kufijtë e mbijetimit), krizë identitare politike (dilema; midis autoritarizmit populist dhe ushtrimit të demokracisë neooliberale) po edhe me dyshime e orientime gjeostrategjike (kah perëndimi apo kah lindja) dhe asaj i duhet një “udhërrëfyes” e daljes nga kjo gjendje.

2. Por çka e karakterizon dhe si funksionon sistemi zgjedhor turk; Çdo qytetari i ndahet një kuti zgjedhore dhe listat zgjedhore shpallen nga Bordi i Lartë Zgjedhor (YSK) shumë përpara zgjedhjeve. YSK i ndan këto lista zgjedhore me të gjitha partitë politike konkurruese. Për çdo kuti votimi është caktuar një këshill zgjedhor, i cili është përgjegjës për mbarëvajtjen e sigurt të zgjedhjeve dhe numërimin e votave. Kreu i bordit është një nëpunës civil i emëruar nga qeveria dhe ka të emëruar nga pesë partitë kryesore politike që renditen sipas përqindjes së votave në zgjedhjet e mëparshme. Edhe parti të tjera më të vogla mund të kenë vëzhgues në qendrat e votimit, por ato nuk kanë asnjë rol zyrtar. Çdo qytetar mund të votojë vetëm në qendrën e votimit të caktuar dhe duhet të paraqesë një letërnjoftim zyrtar përpara se të votojë. Anëtarët e këshillit zgjedhor kontrollojnë nëse ID-ja përputhet me emrin në listën zgjedhore për të parandaluar votimin e dyfishtë dhe gjithashtu për të siguruar që votat të hidhen në mënyrë private. Numërimi i votave vihet në dispozicion të publikut dhe qytetarët zakonisht janë të pranishëm për këtë. Pas numërimit të votave, përpilohet një raport për rezultatet dhe nënshkruhet nga të gjithë anëtarët e këshillit zgjedhor. Çdo përfaqësues i partisë politike në bord merr një kopje dhe një kopje përfundimtare vendoset në derën e qendrës së votimit. Çdo qytetar mund të fotografojë këtë kopje. Është dokumenti zyrtar më i rëndësishëm dhe mbi të bazohen llogaritjet e mbetura të numërimit të votave.

3. Çfarë ndodh më pastaj? Gjitha këto raporte zyrtare mblidhen në qendrat e votimit të qarkut dhe krahinave dhe kombinohen në një raport të vetëm, i cili i dërgohet YSK-së për tabelimin përfundimtar dhe shpalljen e rezultateve të zgjedhjeve. Bordet zgjedhore prej gjashtë anëtarësh në nivel qarku dhe krahine marrin përsipër procesin e kombinimit të dokumenteve. Bordi përbëhet nga një gjyqtar, një zyrtar i dytë publik dhe katër përfaqësues të katër partive kryesore politike, të përcaktuara sipas rezultateve të zgjedhjeve të fundit. Në përgjithësi, mund të them që sistemi është shumë transparent për shqyrtim publik në të gjitha nivelet. Është po ashtu i zhvilluar edhe një sistem i bazuar në letër që kufizon çështjet në lidhje me sigurinë kibernetike. Ka gjithashtu dënime të rënda për përpjekjet për të ndikuar në rezultatet e zgjedhjeve. Për shembull, dënimi për falsifikimin e një regjistri zgjedhor, sa mbaj në mend është tetë vjet burg! Kështu, që për mendimin tim kushdo që humb apo fiton në zgjedhjet e 14 Majit, realisht nuk do të mund të ngrejë “alibi” të paqena; as për kontestim, as për akuza e as për bojkot. Uroj që populli turk (një”melting pot”; social, politik, etnik, racor, qytetërues e kulturor) të dijë të gjykoj e votoj drejtë si për detyrimet ashtu edhe për interesat e veta shtetërore, e kombëtare. Sepse, një Turqi e fortë ekonomikisht dhe ushtarakisht, padyshim që është edhe në funksion të interesave tona shtetërore e kombëtare. Ndërkaq, dilema kah lindja apo kah hpërëndimi, ndërlidhet kryesisht me luftën e Ukrainës, ku ajo si fuqi rajonale aktualisht po kalkulon me “peshore ari” për një primat e dominancë kontinentale, të cilin ajo vetëm me perëndimin (e asesi, me Rusinë përmes BRIKS-it) mund ta materializoj. Natyrisht, si thuhet gjeopolitika “shkon e vjen”, por, gjeostrategjia vështirë qē mund ndryshoj shkaku i ca interesave meskine periferike…
Urojmë që këto zgjedhje të jenë demokratike, e parasëgjithash fer e transparente.

14 maj 2023.

Post Scriptum:

Në Turqi, kreu i Bordit të Lartë të Zgjedhjeve konfirmoi se zgjedhjet presidenciale do të shkojnë në balotazh, pasi as Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan dhe as rivali i tij kryesor opozitar, Kemal Kiliçdaroglu nuk morën më shumë se 50 për qind të votave të nevojshme për t’u shpallur fitues. Raundi i dytë i votimeve do të mbahen pas dy javësh, më 28 majPas numërimit të 99.4 për qind të votave brenda vendit dhe 84 për qind të votave nga jashtë, Presidenti Erdogan kryeson me 49.4 për qind të votave. Rivali i tij opozitar Kiliçdaroglu mori 44.9 për qind, ndërsa kandidati i tretë për president, politikani nacionalist Sinan Ogan mori 5.2 për qind.

 

Please follow and like us: