Niko Mihali: Me Sazet e Përmetit në Festivalin Ballkan Trafik, Bruksel 2023
Reportazh
Festivali ndërkombëtar Ballkan Trafik që promovon diversitetin kulturor të vendeve të Ballkanit, para disa ditësh shënoi edicionin e 17-të dhe mes grupeve pjesëmarrëse një vend i veçantë u sigurohet edhe grupeve muzikore nga Kosova dhe Shqipëria. Dhe kjo diçka jo e rastësishme, por lidhet pikërisht me Kosovën, ku drejtori dhe producenti i këtij Festivali Nicolas Wieérs, që këtu e mori nismën dhe frymëzimin per t’i sjellë këtë larmi kulturash nënjë edicion ndërkombëtar, për t’i treguar Brukselit, metropolit europian që çdo ditë gëlon nga turistët, por edhe institucione të Bashkimit Europian se Ballkani, nuk është vetëm vend trafiqesh, armësh apo trafikantësh e drogash të ndryshme, por është edhe një territor që zotëron një diveristet kulturor shumë cilësor dhe meriton më shumë vëmendje nga autoritetet e deputetet e Parlamentit Europian, që janë të alokuara në këtë qytet të bukur të Belgjikës
Nëditët e këtij festivali takon me dhjetra e dhjetra artistë të zhanreve të ndryshme që vijnë sa nga Kosova e Serbia, Bosnja e Turqia, Moldavia e Rumania, nga Greqia e Shqipëria, të cilët kanë pasuritë e tyre muzikore te cilat i shpalosin në netët e gjata të prillit në sheshet e sallat e hapura të koncerteve si dhe në Grand Place, qendrën që rrethohet me një arkitekturë të veçantë te shekullit të 17 e më tej. Tani ky festival është bërë shumë popullor dhe organizatori mundohet të sigurojë kushtet e duhura për pjesëmarrësit që nga biletat e transportit ajror, akomodimin dhe ushqimin në lokale të ndryshme… Në historinë e tij festivali shënon edhe disa koncerte unikalë me këngëtarët e mëdhenj të Ballkanit sikundër ka qënë Esma Rrexhepova, këngëtarja Rome nga Shkupi i Maqedonisë apo koncertet e Bregoviçit që i mbushin sallat plot gjer në orët e para të mëngjesit.
Shqipëria në Ballkan Trafik
Janë me dhjetra grupe e ansamble nga Shqipëria që kanë qënë pjesë e këtij festivali, kane ndezur sheshet e skenat e koncerteve me vallet e bukura shqiptare, me kostumet plot ngjyra dhe daullet e famshme që grumbullonin genin shqiptar nga dhjetra qytete të Belgjikës e pse jo edhe nga Franca e Gjermania. Ansambli Kombëtar i Këngëve e Valleve Popullore ka qenë dy herë në vite të ndryshme e bashkë me të nuk ka munguar edhe ansambli “Shota” nga Prishtina që me kostumet e tyre me ngjyrën e flamurit kombëtar ka mbushur plot e ka ndezur vallen në Grand Place. Ka shkuar grupi polifonik “Jonianët” i Sarandës, ansambli i Dropullit dhe i Lunxhërisë, një grup sazesh nga qyteti i Beratit, grupi muzikor i Eda Zarit dhe Elina Dunit, ndërsa Sazet e Përmetit e kishin për herë të dytë këtë pjesëmarrje, nisur edhe nga emri i mirë që kishin krijuar vite më parë, në prillin e vitit 2010, kur dhanë koncert edhe në mjediset e Parlamentit Europian dhe sikundër shkruanin mediat e atyre viteve Top-Chanel e Klan: Sazet e Përmetit bënë që PE të kërcente valle shqiptare.
Koncerti u improvizua në katin e fundit të godinës qendrore te Parlamentit Europian ku shoqëruesi ynë ishte punonjësi i ambasadës shqiptare në Bruksel Stefan Haxhiu dhe mbi dhjetra diplomatë nga vende të ndryshme të befasuar nga ajo që po ndodhte, ndërprenë punën dhe u bashkuan me artistët, ndërsa gazetaret respektive të dy kanaleve kryesore të Shqipërisë Arta Tozaj dhe Erisa Zykaj mundoheshin të kuronin çdo detaj në atë mjedis zyrtar. As vetë Nicolasi që ishte kuratori i këtij takimi nuk e kish menduar se sazet tona do të bënin sensacion me këngët e kabatë e tyre që vinin nga një qytet i vogël i Shqipërisë Jugore që ende ishin të privuar për lëvizjen e lirë në hapësirën Shengen. Tani na duket e largët ajo ditë, por në rendin e ditës të zyrtarëve europianë ishte mbi tavolinë ky liberalizim si për ne, por edhe për Bosnjë&Hercegovinën. Ndaj ishte vendosur në axhendën e festivalit që këto grupe si ai i Shqipërisë dhe ai i Bosnjë&Hercegovinës, të shkonin në Parlamentin Europian. Atje u takuan së pari me eurodeputeten sllovene Tanja Fanon për të sensibilizuar këtë komunitet politikanësh për liberalizimin e vizave për dy vendet tona, për të krijuar më shumë mundësi që kjo pasuri kulturore ballkanase të gjente hapësirën e vet edhe në skenat europiane më shumë e më denjësisht. Edhe pse kanë kaluar mbi 10 vjet, çdokush nga anëtarët e grupit e ruan si një gjë të veçantë e të bukur takimin me eurodeputeten, fotot e shkrepura me të në mjediset e godinës qendrore të PE si dhe prekjen nga afër të sallës qendrore ku uleshin eurodeputetët. Dy vjet më vonë do ishte grupi polifonik i Jonianëve të Sarandës ku mes tyre këngëtari Vullnet Silfaj dhe Irini Kulo do këndonin plot emocion e nerv këngën polifonike “Hape derën moj Europë“, një këngë ku ishte shprehur dëshira e madhe e një populli të vogël që i lutej Europas, në kryeqytetin e saj, që të dëgjonte me shumë e me bindshëm zërin e shqiptarëve që aderojnë lëvizjen e lirë dhe janë europianë prej vitesh e shekujsh. Thirrjet e këngës ‘Hape hape’… ishin një lejtmotiv që sensibilizonte e ndërgjegjësonte ndaj rreth grupit polifonik në hollin e pallatit “Bozar“ u mblodhën me qindra e qindra shikues e dëgjues që dolën nga sallat e koncerteve dhe po shijonin live këto këngë plot shpresë e optimizëm. Edhe sot kur e takoj Vullnetin që është një punonjës i nderuar i Policisë së Shtetit në Tiranë, më thotë: ”Hë Niko, kur do vemë prapë atje në Bruksel ta ndezim edhe njëherë…”.
Drejtori i Festivalit kontaktet e para me artin folklorik shqiptar dhe ne veçanti me Polifoninë i preku në njërin nga festivalet e Gjirokastrës të viteve 2005-2009 dhe u shpreh entuziast se këtë pasuri unikale dëshironte ta shikonte në Bruksel. Ai kishte informacion për grupe e artistë unikalë me një karrierë të shkëlqyer artistike dhe dëshironte që këta individë të ishin të parët që të preknin skenat e Brukselit, qytetit ku veç mijëra turistëve nga gjithë bota, ka edhe një komunitet jo të vogël shqiptarësh në qytete të ndryshme të Belgjikës, me të cilët mban lidhje të rregullta, i bën pjesë të aktiviteteve të ndryshme gjatë ditëve të festivalit, krijon atmosferë festive në rrugët e sheshet e qytetit.
Në e-mailet e para që shkëmbeva me Nicolas, në vjeshtën e vitit 2009, për këtë festival, më kërkoi të siguroja e të shoqëroja për atje Sazet e Laver Bariut, i cili për fat jo të mirë, ato vite ishte tërhequr nga jeta aktive artistike, ishte i thyer në moshë dhe nuk mund të udhëtonte. Këtë gjë ma përsëriti edhe disa vite të tjera që pasuan me dëshirën e madhe “ma sill njëherë, pa vetëm sa të ngjitet në skenë, ta njohin dhe më tej…”, por kjo nuk u realizua , se pak vjet më vonë usta Laveri, gjenerali i klarinetës shqiptare u largua nga jeta. Duke qenë dashamirës i muzikës me saze të usta Laverit, ai më kërkoi të shkonte atje një që afronte më shumë me Laverin. Dhe unë i dërgova dhjetra kaseta e CD me këtë lloj muzike nga sazet e Korçës, Kolonjës, Beratit dhe nga të Përmetit. Përfundimisht ai nga gjithë këta klarinetistë përzgjodhi një nga nxënësit më të mirë të ustait, Josif Shukallarin, të cilin jo vetëm që e pëlqeu, por edhe e bëri pjesë të disa edicioneve të këtij festivali, nga 2010 deri në 2023, e vlerëson si një nga klarinetistët më të mirë të hapësirës ballkanike dhe në ditët e festivalit veç grupit të sazeve, e bën pjesë edhe të koncerteve të tjera me muzikantë belgë, apo europianë ku mes tyre ështe edhe Gjovalini nga Lezha që ka vite që punon e jeton me muzikë në këtë qytet. Josifi bashkë me zërin e Adrianës dhe Evgjenisë nuk mungoi edhe në ditët e virusit me nga një falenderim dhe interpretim live të një kabaje e shoqërimin e dy këngëve, sa për të thënë që kënga e muzika e sfidon edhe kohën e virusit e karantinës.
Dhe kur në muajin tetor të vitit të kaluar po punonim për sigurimin e grupeve, ai na dërgon kërkesën që në këtë edicion të festivalit dua Josifin me një grup shumë të vogël polifonik., E gjykuam dhe krijuam një grup ca me saze e ca me polifoni nga Piluri, një grup prej 10 vetash të cilët në datën 27 prill u nisëm për në Bruksel me një fluturim të Air Austria. Ndërkohë kishim përfunduar kontratat e pjesëmarrjes dhe kishim në dosjet tona gjithë programin të detajuar për cdo ditë të festivalit. Për mua dhe Josifin ky ishte udhëtimi i pestë për në këtë qytet, i cili na kish hyrë në zemër për parqet, arkitekturën, guzhinën dhe njerëzit që vinin nga larg për t’u argëtuar me muzikën tonë , ku do të provonim e shijonim tre nga gjërat më të mira që ofron Belgjika: birrën e hapur, patatet e fërguara dhe çokollatat.
Në spitalin e fëmijëve
Këtu, në njërin nga spitalet e mëdha të fëmijëve të këtij qyteti ishte planifikuar koncerti i parë, një koncert humanitar, që u organizua për fëmijët e shtruar në atë spital së bashku me prindërit e tyre. Koncerti u zhvillua paradite, në dy pavione në katin e katërt e të pestë, ku spektatorët e vegjël bashkë me prindërit u mrekulluan me ngjyrat e kostumeve dhe me zërat e bukur të këngëve të Adrianës dhe Luljetës. Nje fragment kabaje nga muzika e filmit “Gjeneral gramafoni”, të interpretuar nga Josifi dhe grupi i sazeve i mrekulloi dëgjuesit e vegjël të cilët për ca caste harruan dhëmbjet e plagëve të tyre dhe humbën në botën e muzikës. Pastaj Ylli Muço filloi të këndojë bashkë me grupin disa nga këngët e bukura të fondit të fëmijëve, ku u pëlqye së tepërmi kënga “Qengji i vogël“ të cilën e shoqëruan edhe me durtrokitje të lehta. Mes tyre fare rastësisht takuam edhe një prind me orgjinë shqiptare nga Maqedonia, i cili ndodhej me fëmijën e tij në atë spital dhe na falenderoi për këtë mirazh muzikor që e ndamë së bashku dhëmbjen. U larguam nga mjediset e spitalit të vlerësuar e falenderuar jo vetëm nga fëmijët e prindërtit e tyre, por edhe nga kolektivi i mjekëve e infermjerëve të spitalit, të cilët si duket nuk e kishin për herë të parë këtë frekuentim, por ishte pjesë e një tradite që e kryenin rast pas rasti.
Workshopi për isopolifoninë
Ishte menduar të organizohej në mjediset e festivalit, i cili kishte ngritur vec dy skenave në dy skajet e sheshit edhe disa çadra me ekspozita e vende ku promovoheshin suvenire apo libra e revista të grupeve të ndryshme pjesëmarrëse. Cadra jonë ndodhej ngjitur me atë të Kosovës dhe kishte një dekor shumë të bukur plot ornamente popullore, ku mes tyre vendosëm një poster dhe zuri vend edhe grupi i sazeve dhe drejtuesit e work-shopit . Bashkë me përkthyesen Lola Kaciu, një mësuese frëngjishte e ardhur nga Tirana në këtë qytet e cila bën një jetë aktive si përkthyese por edhe si veprimtare shoqerore, përcollëm një informacion për këngën polifonike të cilën e ilustronim me vargje e këngë të kënduara nga grupi me dhe pa saze. U mblodhën me dhjetra e dhjetra shikues, kryesisht shqiptarë nga Kosova e Maqedonia e Veriut ku dua të veçoj angazhimin e njerit prej tyre, Urimit, Urim Shabanit nga Manastiri, i cili kishte gati dy dekada në këtë qytet dhe i ndiqte me shumë interes gjithë ditët e festivalit, koncertet e grupeve shqiptare. Urimi ishte një djalë shumë aktiv për promovimin e traditave tona, njihte e shoqëronte grupe të ndryshme muzikore apo turistike që vinin nga vendi i tyre në këtë qytet sa për turizëm por edhe për biznes. Qirjakua, drejtuesi i sazeve edhe pse me temperature e organizoi shumë bukur repertorin e kësaj mbasdite duke kombinuar këngët sa me iso edhe me orkestër, por edhe me valle ku u mbush gjithë sheshi dhe të ftuar të ndryshëm u bënë pjesë aktive e këtij eventi. Në këtë takim gjetëm rastin dhe i dorëzuam z Nicolas, drejtorit të fests
ivalit një falenderim në emër të Seksionit Shqiptar të CIOFF, për kontributin e dhënë për promovimin e polifonisë në këtë festival, gati cdo vit me nga një deri dy grupe pjesëmarrëse… Dhe kur kënga e vallja po e zgjeronte rrethin, më afrohet një qytetar sa hollandez e serbo-boshnjak e më thotë në frëngjisht se “unë në shtëpinë time mund të kem më shumë se 20 CD dhe kaseta me këngë popullore shqiptare, i kam siguruar në ato kohë kur ju ishit një vend i mbyllur, i dëgjoja me shumë kënaqësi e më pëlqenin shumë dhe ja si erdhi rasti që tani jam mes tyre dhe ndjehem shumë mirë..”. I ofrova një gotë të vogël raki sikundër edhe për shumë pjesëmarrës të tjerë dhe para se ta pinte më thotë : Aështë “raki dhome”, se nuk para pi raki… e kishte fjalën për raki shtëpie artisti i botës, se vetëm atë mund të pinte… U ndje mirë, më tha se do shikohemi përsëri dhe interesant qe se më dhuroi një album të përgatitur nga vetë ai, me piktura bashkëkohore ku mes piktorëve të pranishëm, në krye të albumit ishte fotografia dhe një pikturë e shqiptares Lumturi Blloshmi me një histori të shkurtër, ku ai e ruante si gjë të shtrënjtë, pasi e dinte historinë tragjike të piktores Blloshmi që familja e saj ishte ekzekutuar në diktaturë.
Koncerti në sheshin e festivalit
Ndodheshim në lagjen më të bukur të Brukselit, në Place de Brouchére. Sheshi i koncerteve ndodhej në një nga rrugët e sheshet më kryesore të qytetit, i rrethuar nga pallate të lartë shumëkatësh dhe hyrja bëhej me bileta që ishin prerë javë përpara. Në dy anët kryesore të sheshit ishin ngritur dy skena, njera më e madhe e më e lartë se tjetra, ku jepeshin koncerte nga grupe muzikore të rrokut e xhazit, ku mbizotëronin frymoret prej tunxhi të cilat ishin sa të fuqishme edhe shumë rritmike, çka i detyronte shikuesit e shumtë që të kërcenin në vend dhe t’i shoqëronin këngët me britma e thirrje gati histerike. Ishin kryesisht grupe me emra të veçantë si Dubioza Kolektiv, Subcarfpati &Baildisa, Boban i Markoviç orkestër, Dren Abazi &Zig Zag orkestra, Elektro Hafiz, Iskaz RS. Dzambvo Agusevi, që vinin nga Serbia, Moldavia, brigjet e Danubit, nga Maqedonia e Veriut dhe mes tyre edhe grupe me muzikantë të komunitetit rom, ishin grupe muzikore private që kishin një perfomancë unikale dhe që bashkëjetojnë me muzikën tradicionale në hapësirat e Ballkanit. Koncertet fillonin qysh në orën 16 të mbasdites dhe vijonin gjer vonë.
Grupi ynë i sazeve bashkë me grupin muzikor Dren Abazit & Zig Zag orkestra nga Kosova e disa të tjerë që sillnin muzikë më të qetë, pa britma e klithma, kishin skenën e dytë që ishte në anën e kundërt po rreth 500 -600 m larg. Koncerti ynë ishte lënë për në orën 22 e 30 të mbrëmjes dhe filloi pak më vonë, për arsye se grupi që performonte në skenën e madhe, e zgjati pak programin. Një shi i hollë i hollë zbriste mbi gratiçelat e parqet e qytetit, por edhe mbi shpinat e shikuesve të shumtë, të cilët sikur nuk e ndjenin fare atë, veç të shikonin, dëgjonin e shijonin muzikë ballkanase. Tani grupi i vogël i Përmetit ishte ngjitur në skenë dhe sapo prezantuesja me një frëngjishte të bukur prezantoi grupin tonë, klithi klarineta e Josifit dhe gjithë ajo masë njerëzish u kthye ndryshe dhe vrapoi pranë skenës së vogël, të mbulur, ku një foni speciale përcolli së pari zërin e Adrianës dhe Luljetës me këngën “Në mes të Përmetit, një oxhak i bardhë…”. Ishte një zë e muzikë e ëmbël, çka i bëri shikuesit të interesohen e mësojnë diçka më shumë për këtë grup, të cilin prezantuesja e kryente pjesë-pjesë. Zërat e këngëtarëve dhe muzika e instrumentave ishin në unison dhe Ylli me Qakon ishin tepër të vëmendshëm që të evitonin çdo rrëshqitje nëse do të kishte. Kabaja e Josifit i befasoi dhe për një çast të gjithë u shtangën. Shikoja Nicolas të cilin e kisha në krah, mos kish ndonjë sugjerim, ndërsa ai ngrinte gishtin e madh e më thosh: OK! OK! Josifi mirë, shumë mirë! Thank you Niko! Mes shikuesve pa dyshim kishte me dhjetra e qindra shqiptarë, studentë, emigrantë, biznesmenë, të cilët inkurajonin e shoqëronin këngët ritmike me motive dasme apo këngën më përfaqësuese “A kanë ujë ato burime…”. Shiu i butë si oriz zbuste veshjet e shikuesve të cilët tanimë janë zënë perdore dhe kërcejnë para skenës… ishte vërtet shumë pamje e bukur, ku vlonte dashuria e respekti për kombin e për muzikën tonë. Gjej rastin që mes kësaj turme shikuesish të kontaktoj me Nicolën, drejtorin e Festivalit dhe me mrs. Valerien, një muzikologe belge që kish përfunduar studimet për kanto në Universitetin e Bukureshtit dhe kishte goxha informacion për muzikën ballkanike, pasi pothuajse kishte vizituar, kontaktuar e kish kënduar me këto grupe që i kishin përzgjedhur për këtë event. Edhe ata ishin shumë entuziastë me koncertin në tërësi, por edhe me zëra të veçantë. Mes këtij entuziazmi Valeria më thotë me një krenari të çuditshme: Niko Mihali, në qershor do vij për pushime në Përmet, do jem bashkë me mamanë, kam prenontuar gjithçka. Do dëgjohemi e shikohemi – më tha,- do takohemi edhe me sazet… dhe unë gjej rastin dhe afroj Ylli Muçon dhe Josifin dhe I them: – Ja këtya të dy do ju presin në Përmet, pini nga një kafe dhe pastaj bashkë me Josifin do shkoni tek Ujërat Termale dhe do drekoni në shtëpinë e Josifit! Ajo ishte shumë entuziaste dhe e mirëpriti këtë ofertë kaq të këndëshme e miqësore dhe u ndamë me të shumë miqësisht duke marrë me vete imazhin e saj me atë floknajë të bukur ku si rubin shndërrisnin pikat e shiut nga reflekset e dritave të fuqishme… Ky nuk ishte një vendim i Valerias i marrë aty për aty. Kohë më parë ne kishim biseduar gjatë në rrjetet sociale dhe unë i kisha ofruar goxha informacion e resurset turistike që ofron Përmeti, që nga natyra, kishat mesjetare plot afreske e ikona unikale, bukuritë e Vjosës dhe mbi të gjitha mikpritjen dhe ushqimin e çdo dite. Po nuk ishte vetëm Valeria që do vinte në Shqipëri, Nicola me Ilir Sefen bashkëproducentë të festivalit bënin plane që të vinin për Festivalin e Gjirokastrës dhe shkëmbenim kordinatat si do shikoheshim, por ndërhyn Qako me Josifin dhe u thotë: Ne, sa na shikoni këtu, shto edhe disa të tjerë,do të jemi në Festival, jemi përzgjedhur nga komisioni dhe sigurisht do shikohemi në kala… dhe jo si rastësi një javë pasi isha larguar andej Nicola më dërgon mesazh e më thotë se në javën e dytë të gushtit do jem në Shqipëri me pushime familjarisht dhe interesohej në se do kishte ndonjë festival tjetër që mund ta shikonim. Nuk më tha për vendinm se ku, por me siguri në brigjet e Himarës do të jetë, ashtu si edhe gati 4- 5 vjet më parë që bujtëm në Vilën e Çipave në Pilur dhe këndoi me piluriotët labçe që ai i thotë polifoni… Dhe në këtë festival ai i ftoi me shumë kënaqësi, por disa rrethana bënë që dy ditë para nisjes, u ndodhi një fatkeqësi, çka i detyroi ta ndërpresin këtë udhëtim, edhe pse emri i tyre “polifoni nga Piluri“ mbeti në programet e Festivalit, fjalët e prezantuesve, në postera e listat e shoferave të shoqërimit.
Ndërsa njerëzit po shijonin vallet shqiptare, një klithmë trompash u dëgjua nga ana tjetër e sheshit dhe gjithë kjo masë njerëzish ndryshoi drejtim e u afrua pranë skenës tjetër. Këtu koncertet vijojnë gjer pas mesnate. Brukseli jo vetëm që është qytet imadh, por ka edhe shumë prurje turistike çdo ditë dhe jeta e natës është e veçantë e plot impresione e supriza. Ne nuk mund të qëndronin më, morëm instrumentat dhe u afruam tek autobuzi për të shkuar në hotel për të ardhur përsëri nesër nga mbasditja për të dëgjuar një koncert të Josifit bashkë me një grup muzikor belg, ku drejtues ishte lezhiani …Gjovalin Nonaj, I cili ka dhjetra vjet në këtë qytet e me fisarmonikën e tij është i kudondodhur në aktivitete të ndryshme. Ish-studenti I Universigtetit të Arteve Tiranë në vitet ‘80, pjesë e një familje muzikantësh ku shkelqen babai i tij, një lahutar I shkëlqyer, i cili veç disa festivaleve kombëtare të Gjirokastrës, ka edhe fotografinë ndër interpretuesit më të mirë të këtij festivali ballkanik para disa vitesh. Në ditën e dytë ndoqëm koncertin e Dren Abazit, i cili në formacionin e tij kishte edhe disa muzikantë nga Tirana dhe bëri një përfomancë shumë të mirë. Në këto mjedise u ritakova edhe me ish-punonjësiin e ambasadës sonë në Bruksel, gazetarin Jorgji Kote, i cili na ka shoqëruar disa herë në edicionet e para, punë që e bënte me kënaqësi, pasi edhe lidhjet e tij me Përmetin janë shumë të herëshme, por ai e pranon me kënaqësi e thotë: edhe unë jam përmetar. Ishim me fat që këtë natë veç shumë bashkëvendasve nga Mallakastra, që kishin ardhur nga qyteti i Namurit, u ritakuam edhe me gazetaren Arta Tozaj, e cila para 13 vjetësh bëri atë kronikë aq të bukur nga ky Festival dhe që Top-Chanel e transmetoi me okelion: Parlamenti Europian kërcen valle shqiptare me Sazet e Përmetit … Faleminderit Arta Tozaj, e kemi në zemër mikpritjen dhe shoqërimin tuaj në rrugën e parë që bëmë në Bruksel.
E shtuna e Brukselit
Guidën e parë në sheshin qendror të Brukselit dhe në disa nga pikat më të frekuentuara e bëmë ditën e parë me Urimin nga Manastiri dhe ishte ditë e premte. Dukej se qyteti në Grand Place e kishte rritur masën e lëvizjes, por ne mundëm që shijojmë edhe njëherë arkitekturën unikale të këtij qyteti. Grand Place është vendi më i famshëm, i vizituar dhe më i fotografuar në Bruksel. Me dhjetëra ndërtesat e saj të famshme ajo përfaqëson një nga ansamblet më të bukura arkitekturore në Europë, është zemra gjeografike, historike dhe tregtare e Brukselit, si dhe është një nga sheshet më të shquara në kontinent. Ky shesh plot gjallëri është pjesë e ansamblit arkitekturor më të bukur të Belgjikës të shekullit të 17-të. Në 1695, topat e ushtrisë franceze shkatërruan shumicën e ndërtesave në shesh dhe më pas u rindërtuan plotësisht, me përjashtim të Palazzo del Comune. Grand Place në Bruksel është pjesë e një kompleksi arkitekturor mbresëlënës, magjepsës për çdo vizitor që i goditur nga një bukuri e tillë, nuk di se ku ta drejtojë shikimin. Këto janë disa nga ndërtesat më të fotografuara në Bruksel, si në rëndësi ashtu edhe në shkëlqim: Pas Hotel de Ville, i vendosur në juglindje të sheshit, Bashkia është xhevahiri arkitekturor më i rëndësishëm dhe më i lashtë i sheshit. Nga ndërtesa, e datës 1459, kulla e saj 96 metra e lartë, e kapërcyer nga një statujë e San Michele dhe çatia e shpuar nga dhjetëra çatitë janë veçanërisht të habitshme. Maison du Roi, Shtëpia e Mbretit është ndërtuar në vitin 1536 dhe është rinovuar në vitin 1873. Për shumë vite ka qenë rezidenca e monarkëve, ndërsa sot aty ndodhet Muzeu i Qytetit (Musée de la Ville), ku janë objekte shekullore, janë ekspozuar, si piktura, qilima dhe rrobat e vogla të Manneken Pis. Midis numrave 26 dhe 27 të sheshit ndodhet Le Pigeon, shtëpia ku jetoi Viktor Hugo në 1852, gjatë mërgimit të tij në Belgjikë. Le Roy d´Espagne është bari më i famshëm në Grand Place sepse përveç birrës së saj të shkëlqyer, ofron pamje të shkëlqyer panoramike nga tarraca e saj. Në fasadën e saj gjendet busti i Karlit II të Spanjës, sundimtar i Belgjikës në shekullin e shtatëmbëdhjetë. Në të majtë të Palazzo del Comune, ndodhet një statujë bronzi, e cila thuhet se sjell fat duke i përkëdhelur krahun, ndërsa dikush tjetër thotë se përkëdhelja e tij të sjell përsëri në Bruksel. Mbase për mua kjo e dyta është më afër së vërtetës se që nga viti 2010 që zbrita për herë të parë në këtë shesh, kam ardhur gjer sot edhe katër herë të tjera, e prapë nuk ngopem pa marrë diçka nga ky shesh. Kjo është statuja e Everad’t Serclaes, një patriot i shekullit të 14-të që vdiq duke mbrojtur Brukselin. Grand Place është zemra e Brukselit dhe vendi më i ngarkuar në qytet. Shijimi i një birre belge të rrethuar nga kaq shumë histori dhe në mes të vajtjeve të vazhdueshme të turistëve dhe qytetarëve të kryeqytetit është padyshim një përvojë unike! Në çdo orë të ditës e natës nga metroja, tramvajet, autobuzët urbanë derdhen me mijëra e mijëra njerëz drejt kësaj qendre unikale.
Në fasadat e ndërtesave kryesore që rrethojnë këtë shesh krahas fasadave të gdhendura apo të derdhura me një stil gotik a ndoshta edhe tjetër, shikoje qartë e mirë edhe datat që fiksonin vitet e ndërtimit të tyre që varionin nga viti 1450-1690. Urimi, guida jonë, si më vendalli na thoshte: – E hajde besoje që ky art e kjo bukuri të jetë e këtyre viteve, të duket se këtu nuk ka funksionuar dora e njeriut , por mbase një fuqi e veçantë i ka vendosur si me dorë. Ndërtesa më e bukur, më e veçantë dhe më e lartë e këtij sheshi të qendrës është padyshim ajo që i përket Bashkisë dhe nuk funksionon si zyrë, por si vendi ku bëhen celebrimet e çifteve te reja dhe aty në çdo orë të ditës, do të shikosh nuse me fustan të bardhë që filmohen e celebrohen në mjediset e këtij sheshi unikal. Gjithë këto ndërtesa nuk kanë funskione utilitare, as banon njeri, por janë si pika muzeale ku njerëzit vërdallosen e bëjnë foto, foto, video, video pafund dhe tek të shikojnë me kostume popullore që kalon aty si rastësisht të afrohen, të pyesin se çfarë kombësije je, të ngjiten të bëjnë një foto me ty dhe të përshëndesin gjithë mirësi. Ndërsa unë mundohem të orientohem për të gjetur “Kafe Kafkën” për të shijuar një kafe mbresëlënëse, më rrëmben turma dhe Adriana më thotë të shkojmë e të shikojmë simbolin e qytetit… Të gjithë rreken e kërkojnë të shikojnë atë! Fëmijën që bën pipinë nga një lartësi e vogël dhe këtu fotot janë të shumta. Zor të gjesh një moment nga që është e shtunë, që të kesh mundësi të fotografohesh vetëm ose me një shok, se njerëzit kuriozë janë më të shumtë. Urimi na tregoi edhe njëherë legjendën e këtij fëmije që mban dorën tek ai sendi i pipisë, imazhi i të cilit mbizotëron në forma nga më të ndryshmet në suveniret e qytetit. E gjen me format të vogël, të mesëm, te madh e shumë të madh, si mbajtëse çelësash, hapës tapash shishesh, thikash, zilesh, etj, etj. Është imazhi më i glorifikuar në këtë qytet dhe thuhet se vite më parë, kur ushtria e huaj kish pushtuar qytetin dhe do e hidhte ne erë, u ndezën fitilat e barutit apo të minave dhe njerëzit prisnin hatanë. Pipija e rastësishme e kësaj fëmije u derdh mbi fitilin e zjarrit dhe u shua e qyteti shpëtoi, andaj ka një afeksion aq të madh. – Këtu bëhen festa të çuditshme –na thotë Urimi. -Edhe ne në ditën e festës sonë kombëtare e veshëm këtë djaloshin e vogël me rroba shqiptare dhe e fotografonin të gjithë. Ishte një kënaqësi për ne kur merrnin vesh se ai ishte një kostum shqiptar.
U larguam pak nga Grand Place dhe hymë në një qendër tregtare që i thoshin Galeria. Galeritë Saint Hubert, 206 m e gjatë. Një rrjet dyqanesh pafund që ishin një galeri e vërtetë arti dhe biznesi të ndriçuar bukur, me një dekor po aq të bukur plot ngjyra e drita dhe në të dy anët ishin dyqanet e firmave nga më të ndryshmet që shkëlqenin nga dekori dhe nga ato që kishin brenda. Dyqane pafund çokollatash që shiteshin në forma të ndryshme dhe me çmime sigurisht të kripura. Ky qytet si të veçantë e krenari të tij ka çokollatat, birrën e hapur dhe patatet e fërguara, që janë unikale në botë. Pothuajse të gjithë blemë çokollata me emra të ndryshëm, si për vete e për suvenire, por unë mora atë me emrin “Leonidha”, emër që më lidh me shumë kujtime dhe shitësja ma shoqëroi me një çantë shumë të bukur, të cilën e solla gjer në Tiranë.
Shtëpia e Shqipërisë
Ajo ndodhet në një cep të Grand Place dhe ka të shkruar bukur e pastër emrin Shtëpia e Shqipërisë, e mbi të një flamur kombëtar. Të duket për një çast se kjo do jetë pjesë e ndonjë institucioni shtetëror shqiptar që është vendosur në këtë qendër, ku tarifat e qerasë duhet të jenë jo të larta, por shumë e shumë të larta. E megjithatë ajo edhe pse ka diçka më shumë se gjysmë viti që është hapur, po i reziston dhe është një derë e hapur, një vend takimi, një vend çlodhje ku mund të pish edhe një kafe, të kryesh edhe disa nevoja utilitare, të shikosh vitrinat e mjediset e kësaj banese, të pish një gotë verë ose raki Përmeti apo Skrapari, një konjak me tre yje e të marrësh një karamele ‘Zana’, që i kemi harruar prej vitesh e vitesh. Kishim dëgjuar e lexuar, kisha ndjekur kronika e intervista nga ky kënd qytetarie shqiptare dhe nuk mund të shkonim pa e vizituar. E zonja e shtëpisë së Shqipërisë është zonja Ledia, Ledia Canaj, një ish-gazetare e mediave shqiptare, që një ditë të bukur iku nga Shqipëria se nuk e gjeti dot veten e saj këtu, kishte nevojë për më shumë liri e veprim, më shumë dashuri për profesionin dhe erdhi këtu në Bruksel, ku veç gazetares në një kanal të Radios, manaxhon edhe këtë shtëpi. Ledia, vlonjatja e shkathët, e bukur sa s’ka. Me një veshje shumë të këndëshme, sa të shikon, të rrëmben si magnet e të fton në këto mjedise. Ajo e dinte se ne do të vinim, kishim shkëmbyer mesazhe në rrjetet sociale, morëm me vete shumë të fala për të nga ish-kolegë të saj. Ajo kish shumë njohje e bashkëpunim me drejtorin e këtij festivali, sa një mbledhje të grupit të punës së festivalit e kishin bërë këtu, ku çdo gjë që servirej ishte shqiptare. Ishte e vështirë ta fshihje atë gëzim që shndërriti sytë e saj të bukur tek na pa në derë dhe tamam si ato nënat e mira thoshte: Uaaaa uaaa, kush më erdhi mua sot, kush ma zbukuroi shtëpinë kaq bukur, si t’iu falenderoj unë ju, sa më gëzuat… dhe çudi, si i buronin ato fjalë zemre e dashurie tamam si ujërat e Llogorasë e Dukatit nga ishte bijë. Me Ledian kaluam paraditen e së dielës, ndryshe e bukur nga çdo ditë e jona nëpër aktivitete të tilla. Të veshur me kostume popullore e instrumenta në duar ditën e diel hymë si në shtëpinë tonë, u ulëm e morëm nga një kafe apo një gotë raki e kënduam këngët tona e bashkë me ne edhe ajo por edhe mysafirë të tjerë, ku mes tyre na impresionoi një stërmbesa e Hafize Leskovikut që banonte aty. Në çantat tona ne kishim me vete edhe CD më të fundit të grupit me këngët e Hafizesë të kënduara nga Adriana, të cilën ia dhuruam me kënaqësi dhe ajo plot emocion nuk mund ta mbante dot me vete këtë suprizë, por u lidh me mamamë e saj që ishte mbesa e Hafizesë e jetonte në Tiranë dhe po i tregonte për këngët e Hafizesë dhe Adrianës e sazeve të Përmetit. Dhjetra turistë kalonin para derës së shtëpisë, dëgjonin muzikë, ndalonin, shikonin të befasuar, pëshpërisnin me vete, iknin, vinin të tjerë sa s’mund të rrinim më Brenda. Dolëm në shesh, bëmë foto me kostume popullore në Grand Place. Me dhjetra të huaj na afroheshin e bënim foto, pastaj… pastaj u afruam tek dera e Shtëpisë së Shqipërisë, Josifi ngriti klarinetën, Ylli fisarmonikën, Qakua llahutën dhe Andi dajren dhe filluan kabatë, këngët e vallet. Ishin tinguj aq të bukur sa menjëherë si me magji u mblodhën dhjetra shqiptarë e të huaj dhe sheshi u mbush me valltarë të rastit, me njerëz me ngjyra ngjyra, me raca të ndryshme, indokinezë e kinezë, afrikanë e latinoamerikanë etj. Adriana, Lulja, Ylli tanimë nuk kishin kufi, këngët nuk pushonin dhe vetëm vallzime popullore. Ajo e diel e fundprillit ishte ndryshe ne atë qendër muzeale belge. Gjej rastin t’iu falenderojmë edhe njëherë nga larg Ledia e dashur, të të falenderoj e vlerësoj për atë punë që bën në ndihmë të bashkëvendasve të tu që vijnë nga larg e gjejnë një copë Shqipëri aty mes atij qyteti metropol, që i ndihmon me informacione e kërkesa të shumta që kanë si për punë, për shkollë, për shëndet etj, që ua heq lodhjen si me magji, me fjalën tënde, më sjelljen tipike shqiptare, por edhe me bukurinë tënde . Mos na harro, por po erdhe këtu në Tiranë apo në Përmet, na kërko e na tako dhe ne e dimë tanimë se aty në Belgjikë e kemi një kishë apo xhami ku të falemi e te marrim fuqi për më tej. Me kaq sa thamë duket si përrallë, por Ledia e di se sa punë, sa mund, sa para kërkon mbajtja hapur e asaj shtëpije, se çdo muaj vjen fatura e qerasë që nuk është 2 apo 3 mijë euro, por më shumë dhe ajo çdo orë e çdo ditë mendon edhe për këtë. – Vijnë shumë njerëz këtu, vendas e të huaj – na thotë ajo, – jo vetëm publikë, por edhe zyrtarë, zëvendës ministra, drejtorë drejtorish, diplomatë, zyrtarë të lartë… bëhen ekspozita produktesh bujqësore, artizanale, ushqimore, pijesh, librash, dikush edhe dhuron diçka dhe sa janë këtu premtojnë që do ju ndihmojmë me fonde, me produkte, por sa ikin, harrojnë… dhe unë jam e detyruar të vras e shtrydh mendjen se si duhen përballuar këto shpenzime, por kur mendoj misionin, dashurinë për atdheun i harroj dhe projektoj e projektoj, takoj shokë e miq që kanë këto mend si unë dhe stresi sikur ngjit majat e shkon.
Waterloja
Po a mund të ikje nga Brukseli pa i hedhur qoftë edhe një shikim Waterlosë, Fushës së Waterlosë që ka mbetur me emër në historinë botërore të luftrave napoloniane?! Kisha ardhur katër herë në këtë qytet, kisha parë e vizituar shumë objekte unikale si kisha, Parlamentin Europian, përmendore, parqe pubilke (Brukseli ka shumë parqe e është një qytet me një gjelbërim të dendur ku anët e rrugëve janë të mbushur me pemë dekorative, lule e trëndafila), por Waterlonë, jo, nuk e kisha parë. Ishte Imeri, djali tiranas që jeton me familjen në këtë qytet, që u tregua shumë i gatshëm të më shoqëronte për në Fushën e Muzeun e Vaterlosë. Me Imerin dhe zonjën e tij, një ish-mësuese frëngjishte në shkollat e Tiranës, ishim njohur 10 vjet më përpara kur shoqëroja një grup të Sarandës. Ata janë akomoduar shumë mirë në këtë qytet dhe Lola Kaçiu, zonja e tij është shumë aktive si përkthyese dhe drejtuese e shoqërisë civile. Organizon ca takime shumë interesante, veçanërisht me gratë si ekspozita kulinarie me gatime shqiptare, promovime librash të autorëve shqiptarë e belgë, bëjnë koncerte për ditë të shënuara, ndërsa Imeri veç punës në hoteleri, ka edhe një grup muzikor ku promovon kryesisht muzikë shqiptare të viteve 60- 70 të shekullit të kaluar dhe me këtë grup gjejnë veten sa nëpër aktivitete kulturore, në mbrëmje vallzimi, nëpër dasma e jo vetëm me shqiptarë, por edhe me vendas dhe shtetas të tjerë. Dhe Imeri, atë të diel kur pjesëtarët e grupit të sazeve do të shkonin tek Ledia në Grand Place, unë mora rrugën për në Vaterlo. Një rrugë e bukur, rreth 30 km nga qendra e qytetit, që kalonte nëpër një pyll po aq të bukur e të porsa shpërthyer nga pranvera. Mundohesha të fiksoja çdo detaj të asaj rruge dhe meditoja e sillja ndërmend historinë e kësaj lufte. Por më shumë se historia e Napoleonit sipas veprës së Tarles, më vinte ndër mend një nga kapitujt e fundit të romanit “Lufta e Paqja” të Tolstoit, ku ai i ka dhënë një spjegim, përshkrim e dimension filozofik kësaj lufte në këtë fushë, e cila nuk zgjati shumë veç 7 orë, mes dy ushtrive gjigande . Nga njera anë ishte Napoleoni me batalionet e brigadat e tij dhe nga ana tjetëer e fushës ushtritë e aleancës ku futeshin Rusia, Anglia, Prusia etj. Ishte një luftë që brenda këtyre 7 orëve, mbetën të vrarë rreth 50 000 ushtarë dhe Napoloni humbi përfundimisht, u mbyll apo e mbyllën në ishullin e Shën Elenës dhe vdiq në 5 maj 1821.
Shumë kush shkon gjer tek porta e muzeumit, shikon atë kodrën e lartë ku duhet të ngjitësh mbi 300 shkallë që të vesh tek luani, apo shikon relievin e fushës pa anë e pafund që shtrihet para teje ku ndodhen ca çadra e ca topa të kohës dhe thotë: ja e pashë e pashë. Ndodh edhe kështu pasi edhe çmimi i biletës prej 31 eurosh të shikosh muzeun që ofron mrekullinë, nuk është pak. Imeri më ndihmoi sa preva biletën me një skonto pasi isha mbi 65 vjeç dhe rruga më nxorri nga ekspozitat e luftës, portretet e gjeneralëve e komandantëve të ushtrive me veshjet e tyre të veçanta, ngjita ca shkallë dhe u gjenda si papritur e kuptuar tek ajo pjesë e muzeut që emërtohet ‘Panorama’. Hipur në një lartësi jo të vogël, e mbuluar me një ombrellë gjigande të shfaqet fusha e betejës e mbushur me ushtri që qëndrojnë ballë për ballë, që hidhen në sulm… dëgjon urdhëra komandantësh, hingëllima kuajsh, rënkime ushtarësh që japin shpirt, kërcitje shpatash, gjëmime topash, tym e flakë e ç’nuk shikon. Është e pamundur që ta rrokësh me një shikim 360 gradësh këtë pamje sa tragjike po aq edhe të madhërishme. Para teje shfaqet tamam si një film me përmasa gjigande fusha e betejës e cila në horizont shtrihet e ndërthurur me fushën e betejës. Është një pamje që të befason por edhe të tremb. Aty shikon, dëgjon, përjeton luftën dhe mundohesh të gjesh ku ndahet fronti mes dy ushtrive, por vështirë ta gjesh, sa edhe vetë dy komandantët e ushtrive nuk e vunë re dhe kur mbaroi lufta, u mor vesh se kush kish fituar… Duke zbitur në dalje ndalova edhe pak tek maketi i kësaj lufte që ndodhet në hyrje, shikova edhe njëherë me shumë vëmendje gjeniun e kësaj lufte, Bonapartin dhe më bëhej se kisha ende mbi supe barrën e asaj drame, më ndiqnin nga pas gjëmimet e topave dhe rënkimet e ushtarëve që jepnin shpirt në atë fushë të përbaltur nga shiu që kish rënë një natë më përpara dhe balta e krijuar paskësh qenë një pengesë për lëvizjen e artilerisë franceze në vendin e duhur… por si gjithmonë dikush do bëhet sebep, kur dihet se kur dy gjela zihen, njeri do fitojë dhe Napoloni humbi. Humbi, por mbeti në histori dhe “çdo dy vjet – më thotë Imeri- këtu organizohet si një film i vërtetë kjo luftë. Mijëra të rinj e ushtarë të veshur me kostumet e luftes, me municione luftarake etj etj e organizojnë si prej vërteti këtë luftë, për të mos e harruar, por edhe për të kujtuar lavdinë e ushtrive të tyre”. Kur u ktheva nga ky muzeum, shokët i gjeta tek Shtëpia e Ledias, qëndruam dhe pak dhe pastaj u nisëm për suprizën e fundit, pasi e diela për ne ishte ditë pushimi e vizitash, se biletat e avionit me kompaninë ‘Lufthansa’, ishin prenotuar për datën 1 maj.
Në vend të epilogut
Rrugën nga Shtëpia e Shqipërisë gjer tek lokali ku do të drekonim e bëmë më këmbë dhe në këtë mënyrë shikonim gjëra të reja. Po, shkonim në një lokal që ndodhej afër institucioneve kryesore të shtetit belg, si godinat e Qeverisë, ministritë e mes tyre edhe Ministria e Kulturës. Ledia na tha që i zoti i lokalit ku po shkojmë është një miku im, një ish-gazetar si puna ime, që ka ikur nga Atdheu jo si unë, me dëshirë, por ka ikur me përdhunë, i detyruar se qeveritarët e donin kokën e tij në satër. Ai na priti me një dashuri e mikpritje që rrallë kush na e ka bërë por edhe mund ta bëjë pa asnjë interes. Na takonte sikur të na njihte prej vitesh pasi kishim shokë e miq të përbashkët dhe na u lut të ishim të qetë e të kërkonim çfarë të donim, pa asnjë ndrojtje. Lokali kishte emrin “Ana”, e cila ishte vajza e tij rreth 8-9 vjeç e cila i pëlqente kostumet e këngët tona. Në lokal hynin e dilnin edhe shqiptarë të tjerë, një pjesë e të cilëve na tregonin se kishin vizituar si turistë Përmetin, kujtonin lokalin e Arjanës me të cilën ishin bërë mikesha, shumë të kënaqura për ditët e impresionet nga qyteti ynë. U befasuam, kur i zoti na solli mbi tavolinë një kec të tërë të pjekur të shoqëruar me verë të cilësisë extra. Pastaj kënga rrodhi vetë me të gjithë sa ishim brenda dhe jo vetëm kaq, por dolëm edhe në rrugë ku shumëkush na përshëndeste që e zbukuruam edhe këtë lagje me këngët tona të Përmetit. Pritësi kish lënë gazetarinë në Shqipëri një ditë janari, kur në Bulevardin e Tiranës u shtrinë të gjakosur 4 viktima dhe kish gjetur strehë këtu në Bruksel, ku pas shumë strapacatjesh, i qe futur tregtisë e turizmit, u kish mësuar belgëve e të tjerëve se drekat e festat bëhen dhe me kec të pjekur. Ai nuk i kishte humbur lidhjetme Shqipërinë, bile çdo javë i vinte një makinë e furnizonte me birra e verë shqiptare, me ullinj e produkte të tjera, se e ndjente veten mirë që promovonte produkte shqiptare në këtë metropol të Europës. Folëm pak, por me aq sa na tha e ndjeje thellësisht se kjo nuk ishte dëshira e tij, e trishtonte vendi i tij që s’po gjente apo ishte i vonuar në dyert e Europës. “Sa herë herë them të kthehem e të shkoj atje në fshatin tim në Mallakastër e të humbas në atë gjelbërim me njerëzit e mi, por tani është vonë, se e shikon këtë, Anën, kjo duhet të rritet e te mësojë… dhe kjo më mban tani këtu”! Po Fatos Mahmutaj i dashur lexues, nuk është pjesë e asaj mërgate të pasluftës se Dytë Botërore që erdhën e u strehua këtu, jo, as emigranti ekonomik i pas viteve ’90. Fatosi është e mbetet shok e mik i shqiptarëve, luftëtari për demokraci që iku i plagosur e i gjakosur nga Shqipëria, dhe iku se pushtetarët “demokratë” të asaj kohe e pushuan nga puna, bile edhe e kërcënuan. Ishte Fatosi që me kronikat e tij tha të vërtetën që ndodhi në bulevard atë ditë janari kur 4 njerëz të pafajshëm gjakosën Bulevardin e Tiranës. Mbetesh i nderuar dhe njeri i fjalës së lirë, Fatos Mahmutaj. Ti na përcolli gjer në dalje të bulevardit dhe si ato nënat e fshatrave tona, na dha të gjithëve nga një shishe vere extra, si një relike për të të kujtuar e falenderua ! Kur arritëm në hotel kishte filluar të binte nata me një erë të ftohtë që zbriste nga detet e veriut dhe të nesërmen që ishte dita e 1 Majit morëm avionin për në Tiranë, me nje tranzit në Mynih. Festivali kishte mbaruar me sukses dhe ai ndodhej tanimë i fiksuar në faqet e Facebook dhe në kujtimet tona, me shpresë se do kthehemi përsëri!