Albspirit

Media/News/Publishing

Odise Kote: Pak dritë në udhëkryqe…

 

 

A dini ndonjë gjë që është e përsosur?

Me thurimë ëndjesh kthehem

tek shiu, trendafilat, tortat e nxehta.

Për të gjetur brenda gurit të pragut

vijën ndarëse me harrimin,

që të jem njeri jetëgjatë që pendohet…

 

 

Kam në sy rrugë të populluara me emigrantë, shkulur,

që tërheqin karroca në kërkim të ushqimit e karburantit.

Pa gurin – kambanë që të kujton se je ende gjallë,

duke kënduar heshturazi të paktën një psalm.

 

 

Si më gjete? – më pyeti një muranë zënkash mbuluar nga ferrat.

Ndoqa thërrimet e bukës,

që të dalloja lajmin e vërtetë nga dokrrat.

Gëzimi bëhet më i nxehtë kur prek fytyrën e lutjeve,

si një harpë që shumëzon tingujt dhe përunjësinë…

 

 

Më thanë: Kjo tokë është plot me puse të tharë,

në vreshta e dashur mos shko asnjëherë vetëm!

Mëngjezeve hahet përshesh me verë të kuqe,

se vijnë nga qindra kilometra larg pelikanët,

me sytë e gjelbërt të barit, marajit, koprës, lëpjetës.

 

 

A dini ndonjë gjë që është e përsosur…?

Please follow and like us: