Izet Shehu: EDHE NDRITEM, EDHE VUAJ…
Kurmi im në zhar e flakë,
Syri im qiell i përmbysur.
Tigra zjarresh pak nga pak
Ndukin pyllin tim të ngrysur.
Shpirti im ngadalë përzhitet,
Dallgë drite në të shuar.
Ja, shikoni si po rritet
Një pyllnajë e praruar!
Dallgë drite, dritë dallge
Zgjohu rrotullamë e madhe!
Shenjti im i masakruar,
Dora që s’e putha kurrë,
Mal me zemra, pyll me duar
Kërcëllimë fajkoi mbi gur.
Shihni si po digjet flakë
Pikëllimi im farmak!
***
Tigrave s’u bëkam ballë,
Zjarret s’mundem dot t’i shuaj,
Bëhem dritë e bëhem dallgë
Edhe ndritem, edhe vuaj…
Dhe thërras: o njerëz, ju dua,
Lermëni pak vend dhe mua!
Please follow and like us: