Albspirit

Media/News/Publishing

Ernest Koliqi: “Për hir të Atdheut… sakrifikoj reputacionin tim”

 

Saimir Z. Kadiu

ERNEST KOLIQI, 20 maj 1903 – 15 janar 1975.

Duke kujtuar gjeniun e letrave shqipe të viteve 30′ në 120-vjetorin e lindjes me një nga poezitë e tij plot mall për qytetin e lindjes të cilin nuk e pa për 30 vjet deri në vdekjen e tij… për arsyen se regjimi i kaluar e kishte konsideruar “kriminel lufte”.

“Krimi” i tij ishte misioni për hapjen e shkollave shqipe në Kosovë dhe trojet e tjera shqiptare në Maqedoni, Luginë të Preshevës dhe Mal të Zi në vitet 1941-1942 kur ishte Ministër i Arsimit në Shqipëri.

Në vitin shkollor 1941 – 1942, u hapën 173 shkolla fillore, 3 të mesme dhe disa gjimnaze të ulëta. Ndërsa në nëntor të vitit 1941, u hap Shkolla Normale në Prishtinë.

Në fillim, në këtë mision u angazhuan 80 mësues. Në mesin e këtyre mësuesve kishte edhe mjaft të rinj nga Kosova që ishin shkolluar në Shqipëri, por që nuk kishin mundur të ktheheshin më parë në Kosovë.

Ky numër më vonë arriti në 264, ndërsa në vitin shkollor 1943 – 1944, ky numër u rrit në 400. Po në këtë vit shkollor mësimet i vazhdonin mbi 25 mijë nxënës. Këto shkolla u bënë vatra të diturisë dhe atdhedashurisë.

Koliqi me inisiativën e tij zgjoi ndërgjegjen shqiptare në trojet shqiptare jashtë Shqipërisë “londineze”.

Nuk do kishte pavarësi të Kosovës pa shkollat shqip të hapura me inisiativën e shkodranit të madh Ernest Koliqi.

Ende eshtrat e tij nuk prehen në vendin e tij të dashur për të cilin ai sakrifikoi “reputacionin e tij”…

Zgjodhi  anijen e gabuar? Mundet…

( sigurisht  drejtimi ishte i  duhur).

Por duhet pranuar që anija që zgjodhën “fitimtarët”  rezultoi te ishte fatale…

“Shkodra në mëngjese”

Këndojnë bashkë në mengjese pesë kumbonare,

këndojnë në ajri mbi Shkoder ende fjetë:

mbi Maranaj qet vetllën kureshtare

agimi e hjedh në liqe synin e qetë.

Perhapë lajmin e zgjimit rrezja e parë

të parat përshëndetje dridhen në heshti të letë,

e shpejt në at lavdi dielli, qi e veshë fare

Shkodra kumbon me zane, zhurmë e jetë.

E ai diell prendvere i ri shprazet në shtepija

udha e lulishta tue ngjallë ngjyra e shkendija,

tue mbshtjellë gjithshka si nji tis ari, i hollë:

skaj në skaj si lum gzimi tue rreshqitë

në syt e vashave, qeshë, e mbush me dritë

kaçurrelat e tyne kur shkojnë në shkollë.

Please follow and like us: