Albspirit

Media/News/Publishing

NAIVITETI I PËRCJELLJES SË PËRJETËSISË NËPËRMJET LIBRIT

Rifat ISMAILI

Më tingëllon pak si absurde ajo shprehia e shumë poetëve kur shfajësohen me formula të tilla si; “ne do shkojmë nga kjo botë, po veprat tona do mbesin”.

Cilat vepra? Dhe ku do të mbesin? Në mendjet e një lexuesi imagjinar, të paqenë? Që s’e kemi as sot, mendo sa do jetë nesër. Se kur sot askush s’po lexon, librat kalojnë të pa vënë re, si do bëhet i mundur transportimi shpirtëror në brezat e ardhshëm?

Po ne, sa autorë mbajmë mend nga e kaluara? A i mbajmë mend të gjithë, emër për emër dhe të gjitha veprat që ata kanë shkruar? Sigurisht jo! Edhe ata që mbajmë mend, jane aq të paktē sa gishtat e dorës. Ngulitur në mendje, në të shumtēn e rasteve jo nga dashuria e madhe për letërsinë, por nga tekstet shkollore, që kishin atë efektin e pikës së ujit që bie pareshtur mbi tokë e hap gropë. Në këtë rast, mbi kokë, duke u mbledhur si një pus i vogël me memorie.

Pra, si do jetë e mundur që gjithë kjo armatë librash të mbetet e gjallë për lexuesin e ardhshëm? Që sigurisht do prodhojnë tonelatat e librave të tyre, me vlerë e pa vlerë. Do gjenden nëpër biblioteka dhe njerëzit sa herë të duan do shkojnë të shfletojnë?

Në rradhë të parë edhe vetë bibliotekat nuk kanë jetëgjatësi. Në kohën e trazirave ato digjen e plaçkiten si heretike. Pas përmbysjes së komunizmit qindra bibloteka u shkretuan dhe u sheshuan, librat përfunduan në lumë apo u kthyen në pleh organik. Ata pak libra që patën fat të mbijetojnë u shitën dhe vazhdojnë të shiten për pesë pare trotuareve të rrugëve të qyteteve a në ndonjë qoshe.

Kuriozët dhe të apasionuarit pas librit, edhe ata nuk shkojnë kuturu në kërkime e gjurmime librash e autorësh të vjetër, por shkojnë me referenca. Kur studimet e tyre i drejtojnë drejt atyre autorëve që vlen t’i lexosh dhe studiosh. Tek ata autorë që patën fat dhe mundësi të ndërtojnë një emër dhe një imazh. Po sa të tillë do vlejë t’i lexosh në të ardhmen? Kur nuk ia vlen ti lexosh as sot?

Sa njerëz do të lexojnë një libër që sot botohet me një tirazh aq të ulët, për të mos thënë qesharak dhe sa prej tyre do e kujtojnë atë pas disa kohëve, psh, pas disa muajve apo viteve?

Kjo puna e jetëgjatësisë së poetit, emrit të tij nëpërmjet librit, është me dyshim. Ka gjasa të mos ndodhë, por edhe po ndodhi do jetë vetëm për disa të privilegjuar. Për pjesën më të madhe të krijuesve veprat e tyre do jenë vetëm letër e nxirë nga shkronjat që prehen në një varrezë gjigande që quhet bibliotekë.

Për aq kohë sa të ketë biblioteka.

Savona maj 2023.

Please follow and like us: