50 vjetori i Revoltës së Spaçit, Begaj vizitoi sot ish-burgun
Kreu i Shtetit i shoqëruar edhe nga Zonja e Parë, Armanda Begaj, u bënë pjesë e aktiviteteve të organizuara me këtë rast nga Dioqeza Rrëshen dhe Bashkia Mirditë, në bashkëpunim me institucionet dhe organizatat që angazhohen në fushën e edukimit dhe ruajtjes së kujtesës historike.
Në fjalën e tij, Presidenti Begaj u ndal tek respekti ndaj të gjithë atyre që sakrifikuan për liri.
Presidenti Begaj vazhdoi më tej duke thënë se: “Le të ndërtojmë ura mirëkuptimi, dhembshurie dhe ndjeshmërie, duke e ditur se nëpërmjet këtyre lidhjeve shpirtërore ne mund të krijojmë një të ardhme më të ndritshme për brezat që do të vijnë. Por ta fillojmë këtë duke u bërë të vetëdijshëm për të shkuarën tonë e duke ndarë moralisht të mirën nga e keqja. Çka është më e rendësishme të ndërtojmë të ardhmen, duke kërkuar falje për gabimet e të shkuarës, e duke u shkëptur tërësisht nga hija e periudhës më të errët të kombit tonë.”
“Dua të shpreh respektin dhe mirënjohjen e thellë për të gjithë martirët e kësaj revolte. Në këtë ditë të shënjuar historike, të mbijetuarit e Revoltës së Spaçit janë shembulli më i mirë se, pavarësisht gjithë vuajtjes që kanë përjetuar, ata përçojnë tolerancë, mençuri, shpresë dhe mirësi. Për këtë, e për gjithë betejat tuaja, shoqëria jonë ju ka një borxh të madh”, mbylli fjalën e tij Presidenti.