Astrit Lulushi: Fjalë të shkuara
Sikur të kishim një makinë kohe dhe shumë kohë e vende për të vizituar ku fliteshin gjuhë që nuk i kuptonim.
Egjipti i lashtë, me hieroglite (gjuhë e hyut) do të na dukej i panjohur. Sa larg në kohë mund të kthehemi që të kuptohemi. Po të shkonim në Durrës në shekullin XV do të shihnin tregtarët që thërrisnin për të shitur mallrat e tyre. Mund të kishim hasur Arnold Ritter von Harffi, i cili në vitin 1496 qëndroi në portin e Durrësit dhe shkroi një fjalorth gjermanisht – shqip:
Boicke-Bukë
Oie-Ujë
Mische-Mish
Mirenestrasse-Mirëmëngjes
Meretzeën-Mirësevjen
Dieta-Dhjetë
Nijtgint-Njëqind
Nemijgo-Njëmijë
Kryepeshkopi Pal Engjelli më 1460 u mësonte besimtarëve sesi të pagëzonin fëmijët e tyre kur nuk kishte ndonjë prift përrreth.
“Unte paghesont premenit Atit et birit et spertit senit”.
Perikopeja e Ungjillit të Pashkës është një tjetër dokument shqip shkruar me shkronja greke, i gjetur brenda një kodiku greqisht të viteve 1300. Është dokumenti më i hershëm në shqip dhe u gjet në Bibliotekën Ambroziane të Milanos. Don Nilo Borgia, që më 1930 e botoi tekstin e plotë në fototip. Por sipas studjuesit Xhevat Lloshi datimi nuk mund të jetë para shek. XVI.
Në vitin 2002, studiuesi Musa Ahmeti tha se arkivi i Vatikanit kishte një shkrim shqip prej 96 faqesh me autor Theodor Shkodranin. Libri i botuar në vitin 1210 kishte karakter fetar, filozofik e kulturor. Shumë studiues e pranuan, disa e hodhën poshtë, Vatikani tha se.nuk kishte të regjistruar një shkrim të tillë. Enciklopedia Britanike e mori si të mirëqenë. Albanologu Robert Elsei shkroi mbi Theodor Shkodranin dhe dokumentin e lēnē prej tij. Çështja u mbyll ose u la në harresë dhe Meshari i Gjon Buzukut mbetet zyrtarisht libri i parë i gjuhës shqipe, 1555.
Një shembull i përmendur shpesh i një gjuhe që ka ndryshuar pak në një mijë vjet, është Islandishtja; ajo flitet në një ishull të izoluar në Atlantikun e Veriut. Një gjuhë që huazon shumë fjalë dhe fraza nga një gjuhë tjetër ndryshon më shpejt se një gjuhë me një normë të ulët huazimi. Islandishtja ka një nga normat më të ulëta të huamarrjes në botë.
Ndryshimi i gjuhës nuk ndodh rastësishëm dhe ndërtohet pak nga pak. Në shqipen e hershme mesjetare ndoshta ka pasur një kohë kur fjala ‘qind’ dëgjohej si një shqiptim dialektik i fjalës latine kentum. Kjo sekuencë ndërrimesh ra nën nivelin e vetëdijes dhe u përhap si një virus në të gjitha fjalët shqipe.
Latinisht cera ‘dyll’ në shqip solli [kqyrë], kur tregëtari i thoshte doganierit se i kishte qypat sincera, sinqerisht, pa vrima, pa dyllê. Latinisht costa në shqip u bë kusht, kushtim.
Gjuhësia historike u krijua si një disiplinë në shekullin e nëntëmbëdhjetë, kur studiuesit fillimisht ekspozuan dhe analizuan rregullat që ndjekim kur flasim dhe dëgjojmë. Ata u morën me rindërtim të fjalëve dhe fjalorin proto-indoevropian, i cili përdoret vetëm për studime historike të gjuhës dhe për kureshtarë.