Albspirit

Media/News/Publishing

Odise Kote: DRUVARI

Tregim

 

Jeronim Bushaka është burrë fshati. Ka duar të mëdha e të ashpra. Duar toke. Mban dhe një nishan të madh në hundë. Shtojcë mishtore. Është i gjatë, kaba, duart varen e tunden si dy degë peme. Ecën në nxit. Hapat janë të mëdhenj. Ngjitet rrëpirave, skërkave, gur mbi gur pa iu marrë fryma. Ferrat, gëmushat i shtyn, i hap me duar. Në shpatull varet motoshara dhe një thes me plaçkë, ndërsa në rrypin e mesit tundet sopata me teh të hollë. Nino, siç e thërrasin, bën dru në mal. E ka zanat të trashëguar. Pret dru, vë furka të forta anash, i stivos katrorë e katrorë dhe shkruan ca shenja që vetëm ai di t’i shpjegojë. Në qiell ka një rreth të vogël diell dhe druvari bën merak të mbërrijë sa më parë në anën tjetër të faqes së malit. Ato gërxhe mali ku shkel tani kanë bukuri unike dhe të mahnisin. Të shtangin. Të bëjnë për vete. Është një cirk akullnajor thepash me gëlqerorët e kretës, me gjatësi si nja tremijë këmbë deri matanë, në pllajën e fshehur me bredha e dushk të thatë. Matanë, Nino ka kasolle me dru të lartë dhe mbulesa llamarine sipër. Një rrëkezë uji dëbore rrëshket nga përbrenda gurëve dhe nuk shter asnjëherë. Ca më tutje saj, po me dru të fortë, lidhur me litarë e fije lini ka strehën e vet ariu. Nino ka zënë rob një ari ngjyrë murmë, me dy pllanga të kuqërremta, xhufka me lesh mbi turinj. E përgjoi ariun çdo minutë, i ndjeu frymën dhe hapat, e ndoqi këmba këmbës njëzet ditë rresht. Ngriti leqe, gropa e prita ledhesh dhe pastaj nga lart, prej pemës ku kishte hypur fshehur, i hodhi rrjetën prej teli përmbi. Streha, ose kafazi i ariut ishte nja pesë këmbë e gjatë dhe tre këmbë e gjerë. Kishte vuajtur, qe ligur, deri sa e kishte futur ariun brenda. Si kalit varvat ia hodhi litarin e mëndafshit mbi nyjë të këmbës, e tërhoqi sa i hanin shpatullat duke e gënjyer me copa mishi. Nuk i dilte marazi ndaj ariut dypllangësh. Pesë muaj më parë, m’u në perëndim të diellit dypllangëshi i kishte bërë gjëmën. Një herë të vetme që e mori në mal, e humbi Anën. Ajo ishte grua me sy të ndritshëm. Grua e re, brishtake, mes – hollë. Sytë i kishte qiell. Kristal. “Syqiella ime – e përkëdhelte Ninua”. Fjalët për Anën i ka të përhershme. Të pandryshueshme. Ai e donte gruan e tij. Donte trupin e saj. E  nderonte me të gjithë fuqinë e tij mashkullore. Ditëve që rrinte në mal, kur mendonte shtëpinë poshtë në Lugare ku priste ajo, mendonte si për një vend ku lumturia ishte e pafundme. Po ndonjëherë e vërteta nuk mjafton. Atë ditë, shumë muaj më parë, m’u në perëndim të diellit … ngjau e pangjara. Qe ajo ditë që e mori me vete Anën dhe deshi t’i mblidhte manaferra pylli. Ajo ditē nuk shkulej nga truri. Ariu dypllangësh sikur ia kishte lexuar prej kohësh mëndjen, qënkish fshehur e përgjonte diku dhe se si doli. Nuhati mbase erën e saj trendafil, u nemit prej bukurisë a syve qiell. Nuk dihet. U afrua ngadalë. Ana mbeti pagojë. U tërhoq. Deshi të vrapojë. Po nuk ia doli. Dypllangëshi e goditi me putrën e rëndë në gjoks e në bark. E çau. Mëlçia u shqye. Gjaku plasi. Nino ia behu më shpejt se era. E ngriti hopa. Po nuk mundi ta shpëtojë. Zbriti turravrap për Lugare. E mbajti në duar si foshnjë e vrapoi prozhmeve si i marrë. Gjaku ka mbetur akoma patharë mbi gurë e drurë.

Si nuk e mbrojti dot Anën e tij?

Si nuk arriti dot ta bindte kohën të ngadalësonte?

Të ngadalësonte që të mund t’ia niste përsëri nga e para. Kur zoti të bën dhuratë, ti gëzohu e përdore si duhet atë. Po Jeronim Bushaka ç’bëri?

Vdekja e gruas kishte mënyrën e vet për t’i treguar njeriut se përse prej atij çasti s’ishte më i sigurt për asgjë. Atij çasti dhe u betua. Ariun dypllangësh e kapi dhe e burgosi. Ia morri lirinë. Dy herë në javë i çonte ushqim; mish dhe fruta, sidomos mollë. Fillimisht nuk e shikonte në sy. Hidhte racionet në mes të strehës dhe ikte. Sytë e tij ishin ende të errësuar prej zemëratës. Ditë më pas, nuk kuptoi përse diçka ndryshoi. U thye përbrenda, krrak. Dypllangëshi lëshonte hungërimë që s’ngjante me të mëparshmet. As me hungërimat e arinjve të pyllit. S’ishin hungërrima. Ishin tinguj. Tingujt që vinin në veshin e tij tani ngjanin se ishin ndryshe. Lutës. Pendues. Sikur kërkonin…  Çfarë? Apo i bënin veshët? Mos po zbutej disi zemra e tij? Jeronim Bushaka nxitonte me ëh. Donte të mbërrinte shpejt. Nuk e duronte, nuk e shikonte dot perëndimin e diellit. Çdo perëndim dielli sillte kujtim të keq. Kishte zgjedhur të rronte midis dashurisë dhe respektit për Anën. Bota paska ndryshuar kaq shumë, i sillej ndërmend kjo thile. Nuk gjen asnjë të pagënjyer. Kujtonte Anën si e humbi. Çdo shikim është një histori. Nëse s’është histori nuk meriton të jetë as shikim. Hënën po. Hënën e donte. Ajo e bënte për vete por ishte e pakapshme. Dilte në shkrep e fliste me hënën. I rrëfente dashurinë e Anës. E pyeste mos e kishte takuar diku në qiell. Mos rrinte fshehur pas reve. Fliste dhe me trumbën e yjeve që sikur e prekte me dorë. Hëna ishte si puls kujtimesh. “Bukuri hënore më udhëhiq. Ti ngre erën peshë dhe u këndon ninulla fushave. M’i bëj të fala Anës, syqiellës time”. Ndonjëherë shihte grimca drite që më pas veniteshin.

Është e dielë dhe Jeronim Bushaka atyre orëve duhej të ishte në kishë. Të dëgjonte kambana dhe lutje. Po është në mal. Ndë udhë. “Kam sekrete, – mërmëriste. Jam duke fluturuar mbi pemë, si zjarr”. Një natë para, kishte parë ëndërr sikur kishte hypur në majë të një muri të lartë, të gjerë e të thellë. Qëndronte sipër tij dhe i ngjante se nga momenti në moment do të binte. Poshtë ishte gremina. Gjyshi i tij, Jeronimi i vjetër, kur ishte fëmijë i thoshte: Shiko në ëndërr një kastor mor zullap! Ai të flet butë e të këshillon!

S’kishte dëgjuar kurrë se ëndrrat nuk dalin. Frikej prej tyre.

A besonte në zot?

Besonte në të bërit mirë. Në të shërbyerit për njeriun.

La të shkuarin në kishë dhe u ngjit në mal. “Të guxosh do të thotë të humbësh ekuilibrin, të mos guxosh do të thotë të humbësh vetveten” nuk shqitej nga mendja kjo fjalë e thënë prej mëmës së tij, Maros së ndjerë.

Jeronim Bushaka ka shenja në trup, por ka shenja edhe në mendje. Shpirti i tij ka dhembje. Si të mos ketë gjersa jeton në një vend ku të gjithë sëmuren nga shpirti?

Mbërriti para perëndimit të diellit në kasollen e malit. Lëshoi përdhe thesin dhe motosharrën. Nxorri copat e mishit dhe frutat e për herë të parë pas dyzet e tre ditësh burgimi, hapi lesën. Dypllangëshi lëshoi sërish tinguj të butë. Ngriti putrën e majtë sipër, sikur do të përshëndeste dhe u afrua kokëulur tek ushqimi. Përtypej ngeshëm. Ninos as i kishte shkuar ndonjëherë ndërmend se në këtë botë jo çdo gjë mund të  zevëndësohej. Dypllangëshi përtypej, ndërsa Nino gjykonte: Në fund të fundit ai bëri atë që bëjnë të gjithë arinjtë kur gjenden në rrezik. Frika i shtyn në vetmbrojte. Ndaj e godasin keq njeriun. Po ishte Ana rrezik për të? Mos e trembi? Apo i dha frikë me bukurinë e saj? Meriton më të jetë i burgosur në kafaz?

U ngrit. Kapi sëpatën e brezit dhe këputi litarin e lidhur në këmbën e dypllangëshit. Thirri sa oshëtinë grykat e maleve: Ik! Ik! Ik more…

A u bëhet vonë të vdekurve për jetën tonë? – sikur erërat thurrnin jehona dhe i dërgonin larg.

A do të na i falni mëkatet?

Kush bën paqe me veten, bën paqe dhe me të tjerët.

Please follow and like us: