Albspirit

Media/News/Publishing

VEPRA LETRARE E DR. ASTRIT GJUNKSHIT NË TRI DIMENSIONE

Një vështrin analitik për librin “Trokitje të fjalës së bardhë”

 

 

 

Nga Halil RAMA – Mjeshtër i Madh

 

Në harkun kohor tëmë shumë se tri dekadave (1995-2023), Dr.Astrit Gjunkshi ka krijuar, botuar dhe promovuar disa vëllime me poezi, prozë dheEsse&refleksione. Kësisoj, ky autor, me korpusin e tij letrar, që përfshin 23 tituj librash, zë vend të veçantë në historinë e letërsisë shqipe.

Nga një vështrim i përgjithshëm, krijimtaria e tij mund të analizohet në tri dimensione: si poet, prozator dhe esseist. Dhe nëse para një viti, librin e tij të parafundit “Koha e dashurive të munguara” do ta vlerësoja gjatë promovimit, jo vetëm për titullin intrigues, por për lëndën që të tërheq që në fillim dhe të mbërthen në leximin e të gjitha poezive, për vetë formën e veçantë kompozicionale me katër kapitujt e tij, tek libri i tij “Trokitje të fjalës së bardhë”që sapo ka parë dritën e botimit”, dallojmë lehtësisht tri dimensionet e mësipërme.

POEZIA…

Pjesa e parë e këtij libri përbëhet nga tridhjetë poezi, ku mbizotëron tema e dashurisë, e sintetizuar kjo dhe në vetë titujt e disa poezive, si: “Afër dhe larg dashurisë”, “Ç’moshë ka dashuria”, “Datëlindja e dashurisë”, “T’i falesh dashurisë” dhe “Deti i dashurisë”. Poezi këto që përçojnë drejtpërdrejt konceptin e autorit për të bukurën dhe dashurinë njerëzore, ndërkohë që si askush tjetër A.Gjunkshi shpreh në vargje mbresëlënësë dashurinë për nënën, si tek pozitë: “Kafe me xhevzenë e nënës”dhe “Nënat”.

Le të ndalemi vetëm në njërën nga cikli i poezive për dashurinë për të kuptuar botën shpirtërore dhe fuqinë e vargut të këtij autori:

“AFËR DHE LARG DASHURISË”: “Rron dashuria në dy zemra/ Që rrahin në sinkron njëlloj/ Kur gëzon njëra, qesh dhe tjetra/ Flasin paprerë pa hapur gojë…”.Në këto vargje ndërthuret një lëndë letrare shumëngjyrëshe, plot shpirtëzime estetike që bulojnë nga brendia e përmbajtjes. Ashtu sikurse edhe te këto vargje të poezisë“Ç’MOSHË KA DASHURIA ?”:“Nuk ka errësirë në zemrat që duhen/ Njësh bëhen dy shpirtrat në çdo ditë të vitit/ Digjet flaka ime i saldon, i lidh dy zemrat/ Me fije ndjenjash magjike që s’mund të përshkruhen!”, ku poeti depërton thellë në botën e dy të dashuruarve.

Ndërkohë, mendimin e thellë filozofik të këtij gjeniu krijues për të shprehur dashurinë për nënat, e dallojmë qoftë dhe në vargjet: “Në çdo bisedë fjala e saj si mjaltë/ Në jetë veç urtësinë e dashurinë më mësonte/ Të rrija larg gënjeshtrës, të isha i sinqertë/ Nga zemra mirësia si krua të buronte”.

Në këtë libër të këtij autori ka dhe poezi, përmbajtja e të cilave rrok hapësira të gjera dhe përfshin gjithçka që ka të bëjë me jetën. Gjithkush që do të lexonte poezitë me tituj: “KRISTALET E FJALËS SË BARDHË”, “ETYD MËNGJEZOR”, “DYER DHE DYER…”, “MBRËMJET”, “PIJET MAGJIKE TË NATËS SË VITIT TË RI”, “DIELLI I SË DIELËS”etj, do të mrekullohej me poezinë e A.Gjunkshit që është poezi përqendrimesh dhe me karakteristika shumë të sakta, përsa i përket formës dhe kompozicionit. Këtë strukturë kompozicionale e shprehin fare qartë vargjet e pozisë “Ditët”: “Aq sa vazhdon/, Jeta e njeriut si një pallat/ Ngrihet ditë pas dite/ E zemra don/ Në qiell të arrinte/ Dhe është çdo ditë një gur/ Që e ngre lart/. Që jeta lart të ngrihet/, drejt Të jetë ndërtesë e fortë/ Që mos rrëzohet kurrë…”.

Në këtë vëllim nuk mungojnë edhe poezi që shprehin krenarinë kombëtare, siç mund të përmendim vargjet e poezisë “SHKËLQIMI DHE RRËNIMI I NJË POPULLI”: “Shkëlqen fort një popull/ Kur është zot i tokës/ Dhe i pasurive që atdheut i përket/ Kur krenarisht i flet botës/ Me gjuhën e pastër/ Të stërgjyshërve të vet,/ Ruan brez pas brezi zakone e tradita/ Por është mendjehapur, mban hapin e kohës…”

 PROZA…

Nëse në prozë, Astrit Gjunkshi ka bërë emër me romanin “Hirushja Pellazge” (2019)  dhe me vëllimin  me tregime e novela “Ishujt e vetevetes – Vallëzimi i katërt i dashurisë” (2021), sërish në këtë triptik ai sjell dy tregime ku shpaloset madhështia e fjalës së tij artistike.

Në tregimin “KRISTALI I RREMË”, autori është vetvetja. Ka në të përjetime dhe asosacione, ku ndërsa pretendohet tek një shoqëri e kristaltë mes tre shokëve: Ardit, Timit dhe Sardit, fundi është i dhimbshëm. Autori përshkruan takime mbresëlënëse mes tyre, ku flitet për fenomene jetësore, për ngjarje të moshës së tyre të rinisë, madje edhe për sekrete familjare, subjekt ky që tregon për një ndërtim kompozional që e bën tregimin mjaftë tërheqës. Për këtë le të perifrazojmë këtë fragment (fq.56): “Pinin çdo ditë në mëngjes kafe së bashku. U shijonte biseda, e cila zgjaste afro një orë e gjysëm.Qëllonte rrallë që bisedat e tyre të bëheshin thjesht të shtruara.Ata kishin pasion, batuta e të qeshura, ndonjëherë edhe përplasje, shpesh midis Timit dhe Sardit.i pari kishte temperament të gjallë e ishte pragmatik në pikëpamjet e tij. Vinte nga sektori i prodhimit dhe i biznesit.I dyti kishte argumentin, me pjekurinë e moshës dhe të karierës nëpër dikastere, si dhe humorin e hollë. Dy tema ishin veçanërisht thuajse të përhershme në ngacmimet miqësore midis këtyre të dyve: debati se cili nga qytetet e tyre, D apo S kishin më shumë kulturë e virtute, dhe debati nëse perspektiva e zhvillimit të vendit të tyre ishin monarkia apo republika parlamentare. Këta debate zgjasnin shumë por, jo rrallë, krijonin një ndjenjë nervozizmi..”

Është pikërisht kjo ndjenjë qëna çon tek “kristali i rremë”,kurnga një qejfmbetje e paqëllimshme e Ardit në fillim të piknikut në malin e Dajtit, zbulohet fytyra e vërtetë e Timit, ish-subjekt i organizimit të skemave piramidale. Megjithë këmbënguljen e Ardit që ata tëtakoheshin e ta harronin “njollën e verës në pantallonat e tij”, Timi e injoron këtë shoqëri që pretendohej të ishte e kristaltë.

Në këtë tregim motivohet plotësisht në art problemi i shkatërrimit të personalitetit të njeriut në kushtet e një shoqërie të rreme.Autori me gjuhë të pasur e mjete shprehëse interesante përçon idenë se kur jeta shpirtërore kushtëzohet nga jeta materiale, vlerat shpirtërore e morale shkatërrohen edhe në njëçast të vetëm.

Si njohës perfekt i shkencave ekzakte, A.Gjunkshi e përfshin artistikisht kristalin edhe nnë tregimin “BALTA NËN LËKURË”, ku që në fillim shkruan se “Zana i kishte dhënë porosi të birit Roni që, kur të kthehej nga takimi me shokët, të blinte një komplet tasash prej kristali te pazari i ri. Ai ishte student dhe, pas provimeve, po kalonte pushimet verore pranë familjes.Ishte ditë me shi, ndonëse ishte gusht.Roni kishte blerë kutinë me tasat prej kristali dhe po ecte me kujdes rrugës për në shtëpi.Por, në rrugicën kur po hynte në lagje, ai kishte rrëshqitur dhe ishte rrëzuar, amà kutinë me tasat e kishte mbajtur fort ndërsa kishte rënë mbi bërrylin e dorës që mbante kutinë. Por dora dhe kutia ishin zhytur në baltë, dhe këmisha e tij ishte ndotur keq. Dorën tjetër e kishte patur të zënë me çadrën që mbante. Nuk e shihte dot veten ashtu të ndotur dhe bërryli i dhimbte ca. Nuk e dinte edhe nëse ishin thyer tasat apo jo. Kur kishte arritur në shtëpi, e ëma u alarmua kur e pa në derë ashtu të ndotur…”.Dhe pasi Roni konstatoi se pjatat nuk ishin thyer, autori sërish flet për rrezatimin e kristalit cilësor të tyre.

Duke skalitur profilin e mësuesit e drejtorit të ardhëshëm, autori ia paraqet atë lexuesit si kuadrin vizionar që shihte tek nxënësit profesionistët e ardhshëm që do të punonin në sektorë të ndryshëm, por edhe qytetarët që duhet të kishin ndërgjegje dhe virtute njerëzore e që do të merrnin përsipër ndërtimin e një shoqërie të zhvilluar e të qytetëruar.

Brenda bagazhit të tij të pasur jetësor e profesional, ndërsa përshkruan me detaje tipa e karaktere të ndryshëm nxënësish, autori përçon mjeshtërisht mesazhin se “Një njeri që ka mirësi brenda shpirtit ka prirjen të mbështesë dikë që të tjerët e përbaltin”. Edhe në këtë tregim dallojmë mënyrën se si Astrit Gjunkshi e ndërton subjektin, si e organizon, si e përdor fjalën në funksion të idesë, si e ndërton frazën pa asnjë tepëri. Ai arrin me prozën e tij maksimumin e përcjelljes së mesazhit te lexuesit.

ESSE & REFLEKSIONE

Në librin me 200 faqe “Trokitje të fjalës së bardhë”, autori ka përfshirë edhe kapitullin “ESSE & REFLEKSIONE”, ku në 56 faqe, atë e shohim edhe si politologun e vëmendshëm që trajton me kompetencë e profesionalizëm tema që lidhen me dukuri e fenomene të ndryshme jetësore. Dhe jo vetëm kaq, por duke përdorur argumentin bindës A.Gjunkshi përçon koncepte të reja filozofike (të krijuara nga vetë ai). Më evidente këto tek “INSTITUCIONI I SFIDUAR I PATRIOTIZMIT”,  ku ndërsa shprehet se “Shumica e shqiptarëve ndjehen krenar për atdheun, sepse ai përfaqëson themelin e identitetit të tyre”, shpjegon edhe konkluzionin se “nuk mjafton atdhedashuria për t’u konsideruar patriot i vërtetë”. Dhe duke bërë një paralelizëm me spektrin e dritës, ai argumenton se “Në një farë mënyre, krenaria kombëtare përbën vetëm pjesën e fillimit të spekrit të patriotizmit”.Kjo sipas tij për faktin se “kombi shqiptar, ka aq shumë probleme, dhe jeta e shqiptarit ka aq shumë vështirësi, për të cilat nuk duhet të jemi krenar”.E në këtë aspskt ai rendit “emisione televizive, të cilat paraqesin shqetësimet e mëdha dhe vuajtjet e personave, familjeve, apo komuniteteve të ndryshme në Shqipëri, dhe në trojet shqiptare përgjithësisht. Shikon përditë kronika krimesh nga më të ndryshmet, që nga trafiku i drogës e deri te krimet brenda familjes. Kafenetë janë të mbushura plot nga të papunët dhe popullsia e atdheut pëson përditë hemoragji nga emigrimi i rinisë.Ndonëse varfëria nuk është e re për shqiptarin, shikon familje, afër dhe larg kryeqytetit, ku ajo është aq e skajshme sepse nuk ka asnjë burim të ardhurash për nevojat bazë, si ushqimi dhe ilaçet. Shikon fermerë të rrënuar, të cilët vuajnë jo nga dembelizmi, por sepse u kalbet prodhimi, për shkak të mungesës së pikave të grumbullimit…”.

Peshën e mendimit filozofik dhe të argumentit të Doktorit të Shkencave për Çështje të Sigurisë, Astrit Gjunkshi (doktoruar në vitin 2007, në vijim të Masterit Shkencor për Siguri Globale që fitoi në Universitetin e Cranfield të Britanisë së Madhe dhe të studimeve në Kolegjin e Mbrojtjes së NATO-s në Romë) e dallojmë edhe në essetë me tituj: “Nostalgjikët e lugës së drunjtë”,  “Rality Show i demokracisë amerikane dhe anomalia presidenciale”, “Përgjatë bulevardit të ri”, “Ëndërr e një mesdite pranvere”etj.

Mendimin filozofik të këtij dishepulli të dijes e ndeshim edhe në kapitullin e këtij libri “Fjalë të urta & aforizma krijuar nga autori”, ku gjejmë përkufizime gjeniale për atdheun, patriotizmin, lirinë; për vlerat morale dhe personalitetin; për filozofinë e jetës, dashurinë dhe ndjenjat; për folenë e familjes, shoqërinë dhe emancipimin e saj.

Nga tërësia e lëndës mund të konkludojmë se libri “Trokitje të fjalës së bardhë” bart dhe përçon vlera të përmasave shumëdiumensionale dhe si i tillë ja vlen të lexohet dhe të jetë në bibliotekat e çdo lexuesi.

 

Please follow and like us: