Albspirit

Media/News/Publishing

Astrit Lulushi: Zjarr dhe kohë

Në vitin 334 pes, Aleksandri u nis për të pushtuar botën. Ai mori me vete historianë dhe gjeografë për të dokumentuar dhe përhapur fjalën për shoqëritë dhe kulturat e ndryshme që hasën, ndërsa luftonin në rrugën e tyre nga Maqedonia në perëndim, deri në Indi në lindje. Pas vdekjes së tij të parakohshme në vitin 323 pes, pushtimet e Aleksandrit ndihmuan në fillimin e një epoke të re në historinë e lashtë të quajtur Helenizëm. Helenizmi është rezultat i përzierjes së kulturës greko-maqedonase me shoqëritë e Afrikës së Veriut, Lindjes së Mesme, Azisë Qendrore dhe Indisë; përcaktohet nga shprehjet artistike të gjalla, horizonte të zgjeruara filozofike dhe një kërkim i vazhdueshëm për njohuri të reja. Asnjë institucion tjetër nuk e ilustron më mirë frymën e helenizmit sesa biblioteka e lashtë e Aleksandrisë.
Zjarri në bibliotekën e Aleksandrisë, Egjip, zgjati 6 muaj. Të gjithë librat, rreth 700 mijë, u dogjën. Mes historianëve, ka që thonë se ky është një mit i krijuar kohë më vonë nga një prift, i cili shkruante pa iu referuar dokumentave historikë. Edward Gibbon thotë se djegia e Bibliotekës është një mit i sajuar për të ngarkuar me faj myslimanët:
“…u dogj aksidentalisht nga trupat e Jul Cezarit; pushoi së ekzistuari në vitet 40 pes dhe u ringjall në epokën e Perandorisë romake, kur islamizmi ende s’kishte lindur”.
Ideja e një biblioteke universale në Aleksandri iu propozua Ptolemeut nga Demetrius i Falerimit, burrë shteti, i mërguar në Aleksandri. Demetrius ishte nga Himera, qytet-koloni e rëndësishëm në bregun verior të Siçilisë, pranë lumit me të njëjtin emër (Imera), në komunën Termini Imerese. Por punimet për ndërtimin e Bibliotekës nuk filluan deri në kohën e mbretërimit të Ptolemeut II rreth vitit 250 pes.
Pavarësisht besimit të shumicës se Biblioteka e Aleksandrisë u dogj dhe u shkatërrua në mënyrë kataklizmike, ky nuk është fakt; Biblioteka ra gradualisht gjatë disa shekujve, kryesisht për mungesë fondesh ose kur injorantët u bënë zyrtarë dhe interesi për librat nuk ishte i dukshëm. Kjo rënie filloi me spastrimin e intelektualëve gjatë mbretërimit të Ptolemeut VIII, që u karakterizua nga konflikte të ashpra politike e ushtarake mes vëllezërve dhe motrave për trashëgimin e fronit. Si rezultat i ndërhyrjes romake, Ptolemeut VIII iu dha kontrolli i Syrenës, pranë Qipros. Më 145 pes, ai u kthye në Egjipt, por trajtimi mizor që bënte i opozitës dhe vendimi i tij për t’u martuar me mbesën për t’u bërë faraon, çoi në luftë civile. Gjatë kësaj lufte, egjiptianët vendas u promovuan për herë të parë në nivelet më të larta të qeverisë. Ptolemeu VIII doli fitimtar dhe sundoi derisa vdiq në vitin 116 pes. Burimet e lashta flasin jashtëzakonisht keq për të, duke e quajtur mizor, fodull dhe të degjeneruar; historianët e cilësojnë si “një nga politikanët më brutalë të dinastisë 300 vjeçare ptolemiane”.
Gjithësesi, prodhimi i jashtëzakonshëm shkencor i Didymus rreth viteve 20 pes dëshmon se Biblioteka ekzistonte – nuk ishte rrënuar – pasi kishte akses në shumë prej burimeve të saj. Didymu njjihej në Aleksandri si autor i rreth 5 mijë librave dhe konsiderohej “Biblietekë lëvizëse”.
Gjatë shekujve të ardhëm, Biblioteka e Aleksandrisë u shkatërua e u rindërtua shumë herë. Por asnjë skroll nuk ka mbijetuar, megjithëse ka mundësi që disa të ekzistojnë. Koleksioni i bibliotekës, vendndodhjet e materialeve të humbura dhe institucionet e lidhura me të u dëmtuan qëllimisht disa herë, çka do të thotë se rrotullat do të jenë djegur, plaçkitur, përmbytur ose shpërndarë me kalimin e kohës. Forcat pagane, greke të krishtera dhe myslimane arabe kontribuan në këtë shkatërrim.
Ideja e ringjalljes së bibliotekës së vjetër daton në vitin 1974 kur një komitet i ngritur nga Universiteti i Aleksandrisë zgjodhi një parcelë toke për bibliotekën e re; puna e ndërtimit filloi në vitin 1995 dhe kompleksi u përurua zyrtarisht në tetor 2002. Në vitin 2009, biblioteka Bibliotheca Alexandrina (latinisht “Biblioteka e Aleksandrisë”), mori një donacion prej 500,000 librash nga Biblioteka Kombëtare e Francës (BnF). Kjo dhuratë e bën Bibliotheca Alexandrina, bibliotekën e gjashtë më të madhe frankofone në botë dhe biblotekën më të madhe dixhitare. B.A. ka rafte për të nxënë rreth 8 milionë libra, por me fondet e tanishme (kryesisht donacione) do të duhen 80 vjet për t’i mbushur.

Please follow and like us: