Albspirit

Media/News/Publishing

Kristaq Balli: TINA TURNER NЁ ESENЁ FOTOGRAFIKE TЁ GJON MILIT

 

Para dy ditësh, më 24 Maj 2023, në Zyrih të Zvicër, ndërroi jetë artistja e famshme afroamerikane Tina Turner. Me emrin e saj nativ Anna Mae Bullock, ajo u lind më 26 Nëntor 1939 në Haywood County, Tennessee, SHBA.

Ishte një këngëtare, balerinë, aktore dhe autore. Ajo ka filluar karrierën e saj muzikore nga gjysma e viteve ’50 si një këngëtare shoqëruese me grupin “Kings of Rhythm”; (Mbretërit e Ritmit) të Ike Turner (zbuluesi i saj) me të cilin, më pas, edhe u martua. Paraqitja në publik me emrin Tina Turner fillon më 1960 si protagoniste e kompleksit “Ike & Tina Turner Revue”. Zëri i saj i egër e këlthitës tërhoqën vemendjen e kritikës muzikore dhe suksesi erdhi shumë shpejt me këngët ”A Fool in Love” (I çmendur në dashuri ), 1960.

Një tur i gjatë në Amerikë me kompleksin Kings & Rhythm të Ike Turner do ta cilësonte atë si “një nga më të nxehtat, më potentet e më të qëndrueshmet, më eksplozive e të gjitha komplekseve R & B (Ritëm dhe Bluz)”. Kështu do të fillonte historia e rrugës të saj artistike në muzikën Rock’n’Roll, një histori suksesi që do të vinte duke u zgjeruar e rritur në mënyrë eksponenciale jo vetëm në ShBA, por në të gjitha kontinenetet, në të gjithë botën sidomos në skenat e mëdha dhe stadiumet e Europës, ku ajo ndjehej më e vlerësuar. Këngët e viteve ’60-’70, si “River Deep – Mountain High” (Lumë i Thellësi Lumi – Lartësi Mali), 1966, “Proud Mary” (Maria Krenare), 1971, si dhe albumet e regjistruara gjatë kësaj periudhe, veçanërisht i pari album solo i Tinës “Tina Turns the Country On”, 1974 do ta afirmonin atë si një interpretuese unike për muzikën Rock & Roll. Por vlerësimet dhe renditja profesionale dhe e publikut ndaj këngëve të saj me bashkëshortin Ike Turner ishin nga më të lartat.

Në vitin 1978 ajo u divorcua nga Ike Turner dhe kështu filloi një erë e re e krijimtarisë së saj muzikore. Së pari në disa emisione show dhe kabare hollivudiane, më pas një turne në Australi dhe disa albume, midis të cilave “Love Explosion” (Shpërthim dashurie), 1978, pastaj një turne e dytë në SHBA “Wild Lady of Rock ’n’ Roll” (Zonja e Egër e Rock & Roll), emisioni televiziv “Hollyood Nights” (Netët e Hollivudit), 1979, albumi i dytë personal “What’s Love Got to Do with it”, i cili u shit në 5 milionë kopje në SHBA dhe 20 milion kopje në mbarë botën, konsoliduan famën e karrierës së saj dhe protagonizmin feminist të vlerësuar në shkallën më të lartë duke fituar, veç të tjerash, më 1985 katër çmime Grammy Award. Kontribuon për filantropi ndaj Afrikës me vokalin e saj në këngën “We Are the World” (Ne Jemi Bota).

Më 1986 boton kujtimet e saj “I, Tina” (Unë, Tina), libër, i cili u bë bestseller. Për arritjet e saj në jetë, iu dedikua një Yll në Hollywood Walk of Fame (Shëtitorja e Famës në Hollivud) dhe në St. Louis Walk of Fame (Shëtitoren e Famës në St. Luis). Në koncertin e madh në Brazil, në stadiumin Maracanȃ ajo fitoi Çmimin Botëror Guiness (Gines) për audience më të madhe direkte prej rreth 184.000 spektatorësh. Këngët e saj “The Best” dhe ”Steamy Windows” u bënë Maja e Hiteve 40.

Më 1991, Ike dhe Tina Tërner u vendosën në Rock and Roll Hall of Fame (Holli i Famës Rock & Roll). Me këngën “I Don’t Wanna Fight” (Nuk Dua të Luftoj) ajo u radhit e para në Top listën e 10 këngëve Hit. Pas shumë performancave e turneve të tjera, në vitin 2005 u nderua nga Kennedy Center Honors (Qendra e Nderit Kenedi). Presidenti George W. Bush e takoi Tina Tërner me komentin e tij “mjeshtëri natyrale, energji dhe sensualitet” dhe duke iu referuar këmbëve të saj si “më të famshmet në biznesin e show-t”. Artistja dhe pronarja e mediave Oprah Winfrey thotë: “Ne nuk duam tjetër hero. Ne na duhen më shumë heroina si ju. Tina, ju më bête krenare ta shqiptoj emrin tim g-r-u-a”. Turneu me rastin e 50-Vjetorit të krijimtarisë “Tina Live” (Tina direkt) më 2009 korri sukses të bujshëm. Tina konsiderohet si një prej 100 këngëtarëve më të mëdhenj të të gjitha kohrave (Nr. 17).

Ka regjistruar 11 CD, ka bërë 11 turne në të gjitha kontinentet, ka qenë aktore në 9 filma artistikë e dokumentarë, si dhe në shumë emisione televizive. Tipi i vokalit të Tinës është contralto dhe përfshin tre oktava. Zëri me një cilësi dhe kumbim grykor, “i ngjirur”, shumë unik, energjik dhe natyral, një zë koke i mprehtë, I kthjellët, i ndritshëm, i ndezur… ka një karakter lehtësisht të identifikueshëm. Kontrolli i jashtëzakonshëm i Tina Tërner nënkupton se ajo është e aftë për timbre dhe tone të ndryshueshme, të cilat i japin asaj shkathtësi të madhe që e lejojnë të adoptojë gjini, zhanre e stile të larmishme e të shumta të muzikës (Rock, Pop, Blues dhe kontemporane). Mjeshtëria e saj në diapazonet e ulta reflektohet në amplitudat e ndërthurura të zërit të saj. Por ajo arrin të ketë, padyshim, një regjistër të gjerë vocal deri në oktavën e pestë. Origjinale praqitet ajo edhe në pjesën interpretuese si balerinë e një cilësie me paraqitje të admirueshme, të paparashikueshme e improvizuese, si dhe me një komunikimin të zhdërvjellët e drejtpërdrejtë me publikun, që i shton vlerat e paraqitjeve të saj.

Jeta e saj artistike më se 50 vjeçare e karakterizuar nga talenti i rrallë muzikor, zëri vullkanik dhe performanca sensacionale, puna intensive dhe e palodhur në aktrim dhe balet, energjia shpërthyese fizike e shpirtërore, suksesi i padiskutueshëm I këngëve, koncerteve, turneve, por edhe tharmi i brishtë feminist e sensual që inspiron dhe inkurajon gjithë vajzat e gratë e botës, e kanë cilësuar atë si divën dhe ikonën muzikore, “feniksin e Rock & Roll-it”, “seks simbolin e rock-ut”, “superstarin e MTV”, “testamentin e dashurisë, dhimbjes dhe seksit” artisten femër më të suksesshme të Rock & Roll, një prej artistëve bestseller botërorë të të gjitha kohrave, me rreth 180 milionë disqe të shitur dhe i kanë atribuar kurorën e “Mbretëreshës së Rock and Roll”.

Të 15 fotot e panjohura të fotografit të shquar shqiptar Gjon Milit, në mënyrë shumë sintetike e paraqitin këtë virtuozitet shpërthyes të këngëtares gjatë një koncerti direkt. Në një publikim të Life.com thuhet se këngëtari i famshëm David Bowe që qëndronte pranë Tinës në koncertin e saj në Angli, është shprehur: “Duke qëndruar pranë saj të dukej se ishe në vendin më të nxehtë të universit”. Portali mendon se për fotot e Gjon Milit dihet vetëm viti (1970), por jo data e saktë vendi e lista e këngëve, sidoqoftë, sipas portalit theksohet se kur Tina Tërner ngjitej në skenë – nuk kish rëndësi sa e madhe ose e vogël ishte turma e spektatorëve – nuk mund të përmbahej joshja e saj shpirtërore dhe sensuale.

Por gjurmimet tona, duke qëmtuar në revistën LIFE , na çojnë në faqet e një numri të saj të vitit 1970, (Vol. 69, NO 25) ku ndeshemi me artikullin “Tina Turns On” (A solid soul hits it in a big way. Photographed by Gjon Mili – Një shpirt i fortë e zbulon atë në mënyrë bujare. Fotogafuar nga Gjon Mili) (foto 1). Në faqet e mëtejshme të saj janë botuar disa prej këtyre fotove, madje edhe me disa spjegime që qartësojnë detaje rreth fotoesesë fotografike të tij për Tina Turner. Me nëntitullin “Sukses i shkëlqyer i një këngëtareje me shpirt të fortë – Tina flakëron”, përbri fotos (Foto 2) shkruhet kjo diçturë: Në Las Vegas, Tina këndon një këngë të bashkëshortit të saj Ike Turner. Ai shkruan këngët, luan në kitarë dhe është drejtues i kompleksit “Ike & Tina Turner Revue”. Dhe më poshtë: Ajo ngjitet në skenë si një vrundull, si një pemë Krishtlindjesh e fryrë nga erëra të forta…”. Kurse fotoja 3 përmban këtë përshkrim: “Interpretimi joatletik I këngës “I’ve Been Loving You too Long” (Jam dashuruar me ty shumë gjatë) ndryshon nga stili i saj i zakonshëm, por konsiderohet më sensual”.

Në milionat e admiruesve të saj është edhe Gjon Mili, fotografitë “verbuese” të të cilit përfshijnë vitalitetin dhe lëvizjet pa pushim të Tinës në skenë. Për 65 minuta rresht, ajo nuk e ndalon kërcimin. Në këto foto ajo cilësohet nga kritikët si një “uragan” dhe “një revolucion seksual femëror”. Në vitin 1970 Tina ishte 31 vjeç dhe sapo kishte filluar dekadën e dytë të karrierës së saj artistike me një bagazh të sigurt suksesesh, bashkëme Ike Turner. Gjon Mili, dhe pse tashmë 66 vjeç, nuk i ishte ndarë pasionit dhe profesionit të tij dhe bashkëpunonte ende me revistën “Life”. Si dukej, performance ekstravagante dhe në lëvizje të përhershme e Tina Turnerit e kishin ngacmuar atë, veç të tjerash, për t’iu rikthyer realizimit të fotove në teknikën e hershme stroboskopike dhe të atyre “pa formë” (without shape). Fotot, të cilat përfshijnë portrete, torse, figura të plota, tablo të përgjithshme të kompleksit, etj., janë me ngjyra, ku dominojnë frekuenca bluje e violeti, por mbi të gjitha, ato kanë në thelb karakterin variabël të këngëtares kur ajo interpreton balada të trishtuara shpirtërore, apo këngë ritmike me atmosphere shpërhyese Rock & Roll-i. Edhe pse në një koncert direkt, Gjon Mili e ka shfrytëzuar potencialin e vet profesional e mjeshtëror në realizmin e fotove të mrekullueshme, që reflektojnë së pari botën emocionale artistike vullkanike të një prej yjeve të artit botëror dhe së dyti, dashurinë dhe lidhjen e tij të pashtershme krijuese ndaj botës e artit.

Kjo tufë fotosh është një vlerë e shtuar dhe e çmuar në opusin fotografik të Gjon Milit, si dhe një homazh nderimi, respekti e vlerësimi që Revista LIFE, por edhe audienca artdashëse shqiptare i dedikojnë kësaj ikone të muzikës së lehtë moderne.

Please follow and like us: