Cikël poetik nga Odise Kote
Të dashuruar me vetë dashurinë…
Në jetë ka gjëra që vetëm i mendojmë,
siç ka dhe të tjera që vetëm i themi.
Unë dhe ti – është një histori që flet,
Feja e dashurisë jemi.
Unë dhe ti – është një histori që flet,
Libërth, bashkë momentet e vogla – bekim.
Aventura nuk është gjithnjë e gabuar,
Më të mençur u kthyem nga çdo udhëtim.
Kujtimet e mira harrohen më shpejt,
Si sy fëmije, shikimi bëhet prekës.
Në këtë botë mësuam është e rëndësishme,
të përgatisësh sa më mirë, atë tjetrën.
Në jetë ka gjëra që vetëm i mendojmë,
të tjerat përjetësisht humbën në humbinë.
Mbase e çuditshme po Unë dhe Ti,
qenkëshim dashuruar me vetë dashurinë.
Legjenda
Mbi çatitë e rrëfenjave ranë shira të butë,
miti dhe guri u çanë mespërmes në thelb,
duke u rrokullisur mbi degë imagjinate.
Retë i tërhoqën zharg hiperbolat,
rrugëve me foleza të ngrohta fabulash,
si gardelinat dhe pëllumbat e egër.
Të qarat e foshnjës thërmuan shkëmbin,
gurguj tufa-tufa, s’kanë të numëruar,
asosacione lulesh dhe kurora.
Princesha Argjiro me mantel metafore,
ikën, shumfishohet në versione të reja,
vizatohet nëpër mjegullina jargavanësh…
Bien shira të butë mbi çatitë e rrëfenjave…
V.O – Pesë shekuj më parë, Princesha Argjiro u hodh nga kështjella me foshnjën në gji për të mos rënë në duart e pushtuesve otomanë.
Kapriçio
Kuaz ngjyrë e gurit dhe dritë gjelbërimi
buçet në sokakë,
M’u kujtua fytyra e pianistit
nga një partiturë e vjetër.
Asosacionet që bredhin nëpër shi,
flirtojnē me melodi fishkëllimash.
Mos iu kërko mendim poetëve.
Metafora ruhuni prej tyre!
Nuk keni lënë një vend – takimi?
Telajo me pllanga alle (jo gjaku)
rri e varur në qiell.
Duket si midis reve.
Gurët, kasaforta që ruajnë thelb:
Mit dhe rrëfenjë.
Si një kurm që po digjet, iluzion dhe penel,
të ftojnë të kuptosh sensin e ëndrrës
që u shfaq në ag.
Dashuria e vërtetë në të gjithë format e saj,
të heq frikën prej vdekjes.
E kam thënë gjithmonë:
Gjirokastra i fsheh idetë pas mjergullës…