Albspirit

Media/News/Publishing

Fritz Radovani: Një monument nën dhé (1)

PJESA I

 

NUK DUE ME E BESUE!..

 

 

Nën rêtë e zymta si futa të shoh vetëm Ty! …Mbajtë me dy pyka që tokën e kanë plasë. Ujt’ e zi rrëkajë shkon n’për të thyemet e gollëve të saja.

Prej majës së malit, atjé në kupë të qiellit rrokullisën gurë e n’tëposhtë, nëpër kalldrame përplasën tue sjellë me vete gjamë, ushtim’ e rrënim, ashtu si lumi i rrëmbyeshëm e i harlisun që përmbytë pa mëshirë të pambrojtunit e shkretë…

As diell, as hanë nuk shoh, veç rrëfé që shkrèp padá e natën ditë ma bân…

… Sa me të pa Ty!..

… N’ dy druj tërthuer që më shndritë…

…Lavdi e thurun në ferra!…

Tèj për tèj ku eshtnat lidhën dy e dhimbja në Shpirt të piskatë

…Aty, të kanë mbërthye…

 

A THUE EDHE TY…

TË KANË GOZHDUE SHQIPTARËT!?

 

Padova, Tetor 1995.

 

Tiranë, 13 Tetor 1943,

Ora 13.13’…

 

SHTËPIA NR. 173, NË RRUGËN E KAVAJËS…

 

Edhe pse isha vetëm 3 vjeç, e kujtoj si tashti…

Një zhurmë e mnershme, shurdhuese, vinte si gjamë prej qiellit, e dukej se po na merr me vedi bashkë me pullaze, oxhakë, hatlla e trena, tue rrënue e prishë murët prej qerpiqësh bashkë me dyer e dritare.  Krizmat e xhamave të thyem përzihëshin me uturimat e avionëve anglezë, që pa pikë mëshire hidhnin bomba mbi krenat tonë, që nuk merrnim vesh asgja se shka po bahej mbi né e pranë nesh. Ashtu si ishim në atë sofër të asaj të zezë drekë, pa u çue mirë e me kafshatë të fundit në gojë, u drejtuem nga shkalla për me zbritë në podrum.

Ajo ishte pamja e vetme e fundit e babës së gjallë, kur u çue në kambë me një vile rrushi që kishte në dorë, më tërhoqi prej krahu…e nuk di gja ma gjatë….veç, për pak çaste, rá në fundin e shkallëve dhe, i shtrimë ndër pllaka të korridorit, përballë derës kryesore të hymjes, u mbulue me gjak. Pizhamat ngjyrë banane, me polseta e kolet të zi, i tërhiqja me sa forcë kisha n’atë lamë gjaku, tue thirrë: “BABË, ÇOU !”

Prej skeçes së një bombës, që ra në oborr dhe hyni nga dritarja në gjysmën e shkallave dhe preku anën e djathtë të ballit të tij, tue përshkue trunin e tue dalë mbas veshit të majtë (si më tregonte nana ma vonë), kishte marrë fund gjithshka.

Nana vërriste me një britëm kushtrimi: “Kuku, Kolë,…shka të gjeti…rrezikziu ti…!” E, nësa rrihte kryet me grushta, tue kja, thërriste: “Kolë…si më lé!”. Unë vetëm vështroja me trishtim e, pa kuptue asgja ma gjatë i strukun për fustan të nanës, isha tue pritë kur po pushonte zhurma, rrëbeshi e po kalonte drama.

Nuk di sesi u hap dera, veç kujtoj një prift me këmishë të bardhë dhe të shkurtë, që hyni mbrendë nëpër atë breshën bombash, me një gju në gjak, u ul pranë babës, përshpëriti dishka…! Unë mendova se po e çon babën prej atij pellgu gjaku,…por, kishte mbarue gjithshka. Prifti nuk iku për pak kohë derisa nanës i erdhi axha i saj At Mati Prennushi, i cili kishte marrë vesht fatkeqësinë e madhe që e kishte gjetë shtëpinë tonë, e kishte vrapue edhe Ai me kenë pranë nesh. Prifti doli me vazhdue vojimet ndër rrugët e Tiranës, të lame me gjak nga qindra të vramë e të coptuem. Rreth vitit 1962 pata marrë vesh prej nanës se prifti që i bani babës Shartët e Fundit, ishte kenë At Pjetër Meshkalla. Pikërisht atë vit u njoha afër me té mbasi pat dalë prej burgut, mbas 15 vjetëve të para që kishte kalue në burgun e Burrelit.

Natën që baba vdiq u nisëm për Shkodër bashkë me nanën, At Matinë, dajën Paulin dhe disa ushtarë që erdhën për siguri rruge nga plaçkitjet që baheshin tek ura e Zogut, (flitëj nga çeta të vogla partizanësh). Mërritëm vonë, aty nga ora 10.00 e natës. Kujtoj se të nesërmen, baba ishte i veshun ushtarak me tesha ngjyrë gri, në një shtrat të bardhë hekuri i rrëthuem me lule të bardha. Shumë vetë përrreth vajtonin. Vaji e gjamët me kishin topitë. Di se dikush më çoi hopa dhe unë i putha faqën. Ai ishte aq i ftohtë, sa nuk mund ta harroj kurrë atë akullinë që edhe sot ma përqeth trupin.

Babën, nuk e pashë, as nuk e putha dhe, as e pëqafova kurrma…!

Ai u varros në Rrëmaj, me një funeral madhështor, që drejtohej nga Don Mikel Koliqi, famullitar i Shkodrës, pothuej gjithë Kleri Katolik me murgesha e xhakoj, përsonalitete civile dhe ushtarake, gjithë qytetaria e Shkodrës dhe mbarë Shiroka, vendlindja e tij.

Ndonse vdiq shumë i ri, 40 vjeç (datlindja 5 fruer 1903 ), pak ditë para gradimit me gradën nënkolonel, një ushtarak i naltë gjerman i gjendërmarisë, ndër varreza ka thanë këto fjalë: “Sikur Shqipnia, të kishte 10 ushtarakë të përkushtuem dhe atdhetarë, si major Kolë Radovani, komunizmit nuk i kishte bijtë as fara tek ju!”. (Dëshmi gojore në vitin 1991, nga Don Ndoc Ndoja).

Nanën e kujtoj pothuej gjithmonë me tesha të zeza.

Kam pas kujtue se koha asht kenë ma e shkurtë por isha gabue, mbasi plot 1 vit mbrapa më 29 nandor 1944, u vesh gjithë Shqipnia me të zeza, pikërisht atë ditë, kur “patën hi këta”

 

SHKAMBI I LATUEM

“Mbrojtja ma e madhe e nacionalizmit, ishin gjokset e shkodranëve”

GINO BERRI

“Rrethimi i Shkodrës”

Tetor 1912 – Prill 1913

 

Thonë kur plasë një shkamb, i ka plasë zemra njenit prej zotave…

Si vizë e hollë sa fija e flokut duket ajo plasë mjedis atyne Alpeve që thirren Bjeshkët  e Nêmuna, prej nga buron ai lumë që edhe emnin e ka të fshatit prej kah gurgullon. Asht Kiri, gurra e të cilit mjedis atyne krepave e gërxhave poshtë e përpjetë të kujton hova-hovet e xhubletës që ulën e çohen ndër ato shpate malesh, ku, gjithkund duken se marrin një përrue gjaku me vete. Rrjedha e tij gjarpnushë gjithmonë e trazueme nga shkëmbejtë shekullorë që shpesh e përpijnë në gollet, zgavrrat e gomnat e veta e bajnë me shkumzue si kali në vrap e, të bardhat  dallgë përzi me ngjyrë zafiri mëshehën nën trungjet e rrëzueme të pishave, të cilat dalin porsi krye gjarpni nga strofulla tue thye qafën tëposhtë e nëpër zallishta.

Malësorët shalgjatë porsi azgaj ndjekin rrjedhën e tij me ra në qytet. Aty-këtu për me i zbutë lodhjen vetës kalojnë prej shkambit në shkamb mbi një a dy trena çift, të latuem me spatën a këmesën e tyne shekullore. Këtyne trupave u kanë vu emnin ura ku kalohet si mbi një tra ekujlibri, veçse janë mësue se një rrëshqitje kambe të ban mos me u pa ma në këtë jetë… Rrugët mbi gurë bajnë punën e vet. Dikund, nën ndonjë pishë, gështenjë ose ah asht shenja e pushimit: Një Kryq që u përtrinë forcën e, sikur, u thotë: ”Qëndro, se mërritëm!”. Dredhet një cigare, ndërrohën kutitë e duhanit simbas zakonit, dikush ha një kafshate bukë kakini me shka ka falë Zoti i ulun mbi cung apo gurë të lmuet në atë fresk pranë zhumhurit të lumit, që në fund të shpërlanë edhe fytin. Si me komandë çohen e vazhdojnë rrugën. Bukuria e lëvizjes së çakçirve dhe e hedhjes së xhubletës prej flladit të erës, murrlanit ose veriut e bajnë shumë të ambël egërsinë e pejsazhit, ndërsa sfondet e përgjakuna nga ngjyra  e shqemës apo errësina e gjelbërimit plak, lidhen me qiellin gri me një brez të bardhë, janë majet e maleve që të largojnë frikën, tue ndejë mbi to bash si të ishin kësulë malësori të vumë nga vetë dora e Zotit.

Janë malet që u përkasin vetëm atyne, sëpse, siç thonte Fan S. Noli: “Mbetnë Katholikë vetëm Malësorët e Veriut me armë në dorë”.

Aqsa të shuejnë etjen e të kënaqin shpirtin me atë ujë të kulluem brilant e të freskët, të gjithë përrojet e lumejtë e atyne zonave të shtijnë mnerën në kohë pranvere e vjeshte me pabesinë e vërshimit tyne. Mbushen e shprazen për pak minuta tue rroposë shka u del përpara si bisha të tërbueme. Mjer ai që e provon zemrimin e këtij lumi që shkrep si rrëfeja kur përplaset për Stom të Golemit e zbret nëpër atë ultësinë në verilindje të Shkodrës, që ka emnin e tij: ZALLI I KIRIT e, që, kur shkapetët për pendë të duket si të kishte dreqnit mbrendë. Gurët e vumë njeni mbi tjetrin, shpesh të rrethuem me rrjeta teli janë vendosë për me i ba ballë rrëbeshit e me i pritë hovin përmbytjes së pamëshirëshme të tij. Penda e Kirit jo vetëm asht mburojë e Fushës së Rrëmajit por e krejt qytetit të Shkodrës, që, si për çudi, rrëthohet prej një patkoni ujnash që asnjëherë nuk e kanë rrënue. Kiri derdhët në Drinazë, Drinazi në dalje të Bunës i shtërnguem nga pesha e randë e Taraboshit që shpërthen Liqenin e Shkodrës. Shpesh, kur shtohen ujnat e Drinazit i zanë grykën liqenit tue përmbytë krejt bregun e Bunës deri në Velipojë prej ku shprazen në det. Pra, qyteti i Shkodrës, prej verilindjes e deri  në veriperëndim gjithkah rrethue me ujna, merr pamjen e një luani të shtrimë përtokë me kokë përpjetë, Kështjellën Rozafat, gjithmonë në vështrim. Rreth e rrotull asht me male të çveshuna, ranë e zallishtë e zbritun poshtë prej këtyne lumejve që shinat e shumtë shpesh i kanë mbushë shtretnit e tyne, tue përmbytë përrreth dhe tue u ndrrue  drejtim. Nga veriu Cukali e Maranaj deri ku nxjerr synin dielli në lindje, në mal të Sheldisë, venë cakun e Alpeve e poshtë, Taraboshi mburret: “Dielli flenë mbas meje”!

Ndonjëherë Kiri ka kërcënue qytetin, tue ba pré një pjesë të tij. Vërshimet e befasishme nga kallamat e Kol Xhuxhës, tue zbritë shka merr Arra e Madhe e Perashi bashkë me Pazarin e vjetër, për pak minuta janë gjetë të zhytuna nën ujë, pa harrue me lanë në kopshtije e hajate të shtëpive të kësaj zone nga një pëllambë lym e lagështinë të përhershme ndër thëmele. Dallgët e liqenit përplaseshin për kodrat e Tepës e deri në Luguçesme, tek vorri i Sheh Shamisë. Shtëpijat e dyqanet e vjetra të qytetit të dikurshëm dukeshin si plaçka të mbetuna mbi ujë.

Mjedis Pendes së Kirit dhe murit të vorreve ishin gjurmët e lumit të dikurshëm, një zonë me zall e kaçuba mrinash, murrizash e ferrash, ku nuk ndihej tjetër veç zane fëmijësh, gardalinash, babilash e trumcakësh. Trapola të vendosuna aty-këtu me kapakë të hapun, ndërsa djelmoçat e të gjitha moshave mësheheshin ndër kaçuba, në pritje të përplasjes së kapakëve prej zogjëve fatzez që mbyllin jetën e tyne ndër kafaza. Si duket, zogjët e rijë të kapun e të mbuluem me shamia për me ia largue dëshirën e përplasjes për me dalë prej kafazit, por, njëkohësisht, tue i ndalue lirinë dhe dritën e diellit, ndillshin dishka që nuk ishte fort larg…

Në mbramje binte qetësia. Shihej vetëm ndonjë çoban tue fishkullue mbas dy a tri delesh, ose ndonjë çobaneshë që bante rrugën e përnatëshme të saj e shoqnueme prej furkës tue tjerrë lesh për xhupat e dimnit të egër me akull e borë të pandame. Kalonin kah toka e Zef Sylës e shkonin në drejtim të lagjës “Skenderbeg”, të bame bardh prej pluhunit. Nata i xente ndër ato baraka të ngrata nën dritën e mekun të kandilit me voj-gurit. Kah e vona mbështetnin shpatullat për dyshekët e mbushun me sânë të shtruem përtokë.

Grupe-grupe njerëzish këthenin për të gjatë Zallit tue këndue:” Po vjen prendimi!”, ”Në liqe të Shkodrës”, ”Loredan, Loredan” ose ”Nëpër terr që lëshonte nata”… Ishin të gëzuem prej shëtitjes së asaj ditë në Bardhej, një fshat andej Kirit i mbuluem me pemë frutore, vneshta e ullinjë. Mendohej edhe për pleqtë tek shtëpia. Ushtorët ua mbushnin shportat plot e përplot me fiq e rrush, për me ua lagë gojën edhe të pamujtunve me shkue atje. Flladi i erës e hidhte zanin dikund atje larg por që vinte e ulej në shenj respekti, kur ata i afroheshin murit të vorreve. Në ditët e verës për djelmtë nuk mungonte edhe kënaqësia e ujit të freskët, garat e kërcimit nga stomi, stilet e notimit dhe në fund me gurë rrasikë baheshin “petulla” në ujë. Me të vërtetë një kënaqësi!….

Zalli i Kirit atëherë ishte i bardhë e vezullues gja që tregonte se mbretnonte pastërtia që sillte stina e vjeshtës dhe e dimnit që i lante ata gurë një nga një me kujdesin ma të madh e, që, në atë hapsinë të pafund  prej shkëlqimit të rrezeve të diellit dukeshin si badema nusjet.

Mbi stomin e Fushës së Rrëmajit ngrihën dy çinarë shekullorë. Madhështia e tyne frikën e vdekjes e ka kthye shpesh në përjetësi. Ishte i pari Don Gjon Gazulli, që provoi tmerin dhe madhshtinë e vdekjes nën ata dy çinarë në vitin 1927.

Nën degët e tyne, kufizohen vorret e Rrëmajit të popullatës katolike të qytetit, që zunë vend aty nga viti 1895. Pamja e tyne me ato selvi karakteristike ishte pasqyrë e kësaj popullsie që edhe pse e pakët në numër, punoi shumë e shumë me sjellë qytetnimin evropian në Shqipni.

Prof. Sami Repishti shkruen: ”Shqiptarët katolikë janë përpjekë për shekuj me radhë të sjellin në Shqipni frymën civilizuese të Evropës, mendjet e ndrituna të kontinentit, arritjet e pakrahasueshme në fushën e mendimit njerëzor, të krijimtarisë letrare artistike, të shkencës dhe të teknologjisë dhe të organizimit politik të shtetit modern, që siguron zhvillimin e përparimin e njeriut të lirë” (Përshëndetje në përurimin e Kishës shqiptare në Harstdale, New York, më 25 prill 1999).

Deri vonë mendohej nga komunistët me i shkatrrue ato vorre, mbasi kenja e Kryqave aty u dukej se i ka zanë rrugën e nisun.

Nga Kisha Katedrale drejt veriut asht rruga e Ballabanës. Kjo rrugë rrahët ma shumë se asnjëherë në fillimin e nandorit, javën e të Shuemëve, kur ajo merr pamjen e pjacave tona por me një ndryshim, se fëtyrat e kalimtarëve janë të vrajtuna dhe ndër duer kanë tuba lulesh ku janë ma të bukrat dhe ma të fresktat e oborreve të shtëpive shkodrane, që nuk u kanë mungue në asnjë stinë të vitit. Ato ditë secili mendon për një kunorë shemshirësh, të gërshetueme me lule korclla e drandofille. Uratët, lutjet e lotët, nuk prajnë pranë atyne që pushojnë në atë paqë të përjetshme, nën tingujt e përmortshëm të kumbonës që rrah në njëanë, tue na grishë: “Eni, eni e lutuni për né se, të gjithë për këtë rrugë jeni!”.

E tham me bindje se shka përfshin syni prej Majës së Zabelit e deri në Kep të Paganës e, ku ka gurë, dhé, zall e ranë të trojeve shqiptare, të tana janë të lame në gjak!

E, pse kështu?

Vetëm që Shkodra të zgjohej nga shprazjet e automatikëve e mitralozëve mbi gjokset e Atdhetarëve dhe ta merrte vesh njëherë e mirë, se, komunizmi nuk asht tjetër gja, veç kob, terror,  vëllavrasje e mjerim!

Shpesh, më kujtohet një Nanë e kapun për dru, me faqe mbështetë për kambë të përgjakuna, kah i plaste zemra.

Me duert e Saja lëmonte gozhdën e ftohtë si akulli…

Futa e zezë nuk më lente me ia pa Fëtyrën…

Ajo ishte NANA SHQIPNI, që edhe sot ecë e marrakotun.

Kot kërkon në tokën Arbnore të njomun me lot e tamth të birin, që, dikur, e pat fashue për djep me duert e Saja.

Me atë brez që e shtrëngonte Nana, asht edhe sot i lidhun brryl në brryl me tjerë Fatosa, ndër duer me dryj e vargoj, pa asnjë shenj tek kryet!..

Lotët e Sajë rrjedhin thellë në tokë, e mbushin dy zgavrra pa dritë atë botë. Ajo i fal dritën e syve të Saj nëpër gjurmët e lotëve që derdhen rrëkajë ndër gurë e ferra, pikërisht, aty, ku edhe sot Ajo ndigjon tik-takun e zemrës së shporueme, që vazhdon me rrahë ma fort se zemra e Sajë e thame, e zharitun dhe e plasun.

Kërkon nëpër zhavor e gjen dhé e baltë, kërkon nëpër dhé e baltë e gjen zhavor, ashtu si kërkova edhe unë me duert e mija e gjeta ZALLIN E KIRIT, të mbrujtun,.. të ngjeshun,.. të fortë e të  bamë SHKAMB.

AI SHKAMB SOT ASHT: NJË MONUMENT…

Ai asht nën dhé …

Ai, edhe pse sot asht nën dhé, njëditë do të ngrihët nalt!

Po, po, do të ngrihët shumë nalt… madje, edhe ma nalt se vendi prej ku Kiri solli zhavorin e guralecat e tij në këtë Zallë!..

Ai, do të ngrihët fort nalt, se Ai,.. asht i mbrujtun me gjakun e Martirëve të Kombit Shqiptar!

 

S H K O D R A   N Ë   1 9 4 6

“Shprehja ma e egër e dhunës ndaj popujve, asht me i vorfnue!”

Mohandas K. Gandhi

Flas për atë Shkodër që në fillim të vitit 1900 kishte 28 pjanoforta në shtëpitë katolike të qytetit. Ky ishte vetëm njeni prej treguesëve të qytetnimit evropian që kishte fillue me zanë vend në qytetin e lashtë brijë Rozafës. Kanga dhe muzika nuk janë cilësi të vorfnisë, ato u përkasin atyne njerëzve që u këndon zemra. Pra, këta janë shkodranët!

Deri tashti vonë një kuadrat çimentoje në lulishten e kafes rrumbullake përballë Kafës së Madhe ishte dëshmi e qëndrimit të bandës së Bashkisë së qytetit aty, që drejtohej prej Zef Kurtit, dhe shoqnonte shëtitjet e qytetarëve në mbasdrekët e së dielës. Shëtitja në Pjacë fillonte nga Dugajtë e Reja dhe vazhdonte lumi i njerëzve deri tek Foto Marubi, që dukeshin si një grumbull bletësh kur dalin nga zgjoni. Kjo thirrej Fusha e Çelës, sepse, dikur, tek sheshi qendror shtrihej një fushë ku ishte një qelë prifti, pikërisht, aty ku sot asht Xhamija.

Shëtitja vazhdonte deri në orët e vona të mbramjes në të gjitha stinët. As dielli i fortë i zhegut përvlues, as shiu që bie mjaft në stinët e vjeshtës dhe të dimnit, as bora që kur fillon nuk din me pushue, as morlani që pret Pjacën prej rrugës së Re e, as shiroku i fortë që të merr mendët e të shpupurishë flokët nuk e prishnin traditën…xhirot vazhdonin.

Në orën 11.00 paradreke të ditës së dielë në Kishën Françeskane të Gjuhadolit, thohej një meshë solemne që shoqnohej nga kori i xhakojve, ku, dikur, spikati basi Luk Kaçaj, nën drejtimin e At Martin Gjokës dhe ma vonë të At Filip Mazrekut. At Martini, përveç tjerash ka një meritë të madhe se krejt brezi i muzikantëve dhe i kompozitorëve prej Prenkë Jakovës e deri tek ma i riu, janë frut i veprës së tij. Ai ka vue thëmelin e muzikës moderne në Shqipni. Kisha mbushej plot e përplot me popull nga të gjitha moshat. Dikur zgjidhej edhe predikuesi që fliste në këtë meshë. Mbas meshës populli grumbullohej nën çinarin para Kishës. Grumbujt e qytetarëve përshëndeteshin dhe ndaheshin tue marrë drejtimin nga Pjaca. Aty-këtu, ndonjë sy tinzar vështronte për kohën e ardhshme.., sigurisht ndonjë vajzë që binte në sy kjoftë për thjeshtësinë e saj, kjoftë për modelin e flokëve, për buklehat apo bishtalecat e gjatë, ose për bukurinë që Zoti nuk e ka kursye kurrë për vajzat shkodrane. Djelmtë ma në za pushtonin Fushën e Çelës, si Alfred Ashiku, Prenkë Kaçinari e Qemal Draçini, apo Kol Kurti me shokë, të rrethuem nga zonjushat  bukuroshe që me profumet e tyne kundërmonin Pjacën e, që me “erën e tyne” sollën ma mirë me thanë një epokë, që për ata që e kujtojnë zor se përsëritet ma në qytetin plak.

Secila rrugë, Kishë apo shtëpi kishte bukurinë e saj artistike. Ndër to ishte dora e piktorit e arkitektit të pavdekshëm Kol Idromeno, të pasuem nga Ndoc Martini, Simon Rrota, Zef Kolombi e Vladimir Jani. Në vitin 1923 në Shkodër, hapet ekspozita e parë e pikturës ku merr pjesë edhe një zonjë e nderueme piktore, Lajde Muzhani. Prej derës së oborrit, fillonte kalldrami e deri tek shkallat e gurit ishte dalta, një mjeshtri e madhe dhe shumë e përhapun ndër të gjitha harqet e strehët e këtyne shtëpive. Pusi i famshëm i gurit të grishte për një gotë ujë të freskët mbas zhurmës së çekerkut që rrotullohej disa metra në thellësi. Aty afër ishte lugu i gurit ku gratë punëtore lanin rrobat e zbardhuna me fi ndër vozgat e drunit që në fund i mbushnin me ujë, për me ujitë lulët e bukra rreth oborrit në të katër anët. Në një anë shermasheku, në anën tjetër lule vilja, se leni karajfilat, lulemustakun e drandofillet, që të kënaqnin shpirtin me erën e kandshme të tyne. Çardaku, një mrekulli me ato trena të latuem nalt e poshtë deri ndër podrume. Rreth e rrotull çardakut rreshtoheshin parmakët e dyert edhe ato me drunin special të çamit, ku kornizat e mjediset e tyne të shtangnin me bukurinë e vizatimeve të daltueme. Dyshemët e verdha nga ngjyra që hidhej mbas lamjes të kënaqnin synin.

“Urdhno, mirëse të ka prue Zoti!”, hapej dera e njeriu asht vështirë me përshkrue bukurinë e dhomës së pritjes. Mjedis atij tavani artistik edhe ky i daltuem, një lampadar i madh i varun me qinda vite, pëshqesh i kumbarës së martesës së stërgjyshit. Për nder të mikut ndizej edhe poçi i fundit i porcelanit të kacavarun ndër vargojt e artë, që shkodranet e vjetra i lanin me farën e pjekun fort të mollatartave ose të pjepnave. Ato shkëlqenin bashkë me enët e bakrit të vëndosuna ndër serxhia. Në ballë të dhomës asht oxhaku i bardhë i derdhun në çimento speciale ose gjeso që përzihej me të bardhin e vezës para derdhjes, për me forcue landën e hollë e të bukur, ku mjeshtri kishte shkri talentin e tij.

Nuk mungonin anash armët e vjetra të varuna në mure me dorëza argjenti. Aty afër shkëlqente tangari i bakrit me prushin e mbuluem me hi e sipër masha në pritje të mikut.

Një dhomë aq madhe rreth 8×7 ml. ishte krejt e shtrueme me qylyma e anash me cerga të sjelluna nga Kosova, mbasi njihej mjeshtria e tyne për punimin e cergës me lesh dhije. Këto kanë pasë ngjyren kafe dhe rrethonin qylymin e kuq e të madh mjedis dhomës, tue formue një kornizë shumë të bukur rreth atij qylymi që dukej si një kuadër pikture i shtruem në dysheme. Në një kand ishte edhe arka e grues ma të vjetër që ruhej për bukurinë e njoftun të ngjyrave të vizatueme jashtë e mbrendë në kapakun që ndrynte pajën, me sofrabeza e mësalla që shtroheshin ndër sofrat e paharrueshme të këtyne shtëpive me raste festash. Të gjitha këto janë kenë të punueme me tezgjah gjatë kohës së vajznisë. Krejt afër murit ishin minderët e mbuluem me qarqafa të kuq dhe me jastekë të bukur të qendisun për mbështetje të trupit, si e si miku me e ndie vedin rahat gjatë vizitës. Nuk do të flas për pritjen e përcjelljen, mbasi atë Shkodra edhe pa bukë, ujë e dritë, nuk e harron,.. janë të sajat.

Arkitektura e shtëpive të fillimit të Pjacës, Dugajtë e Reja, Gjuhadoli, Serreqi i vjetër e shumë shtëpi të Parrucës e Zdralëjve që edhe sot janë ma të bukrat në qytet, janë vepra të Kol Idromenos. Njerëzit ecnin tue bisedue me za të ultë, me t’u dukë se po flasin vesh në vesh. Çdo bisedë me masë rreth artit, kulturës, muzikës, shkencës, sportit, etj. Flitej për idhujt e shkodranëve, si: At Fishta, Luigj Gurakuqi, At Anton Harapi, Don Ndre Mjedja, Don Lazër Shantoja, për mjekët, Saraqi, Shiroka, Radoja, Pogu, Prela e Dr. farmacistet Pjerin Bushati e Elez Troshani. Për muzikantët Palok Kurti, Kol Mati Tukja, Prenkë Jakova, Tonin Harapi etj. Për figurat e njohtuna Kel Marubi, Gjon Kamsi, Imzot Mjedja, Serreqi, Thaçi, Bumçi etj. Avokatët e njohtun Benussi, Kol Dhimitri, Tedeschini, Pipa, Paulin Pali, etj. Kishin vendin e vet Pjetër Gjini, Zef Hila, Kol Tivari, Filip Daija, që pasunonin pjacën me ndonjë të qeshun të fortë të grupeve rinore që përsërisnin humorin e pavdekshëm të këtyne njerëzve, që qeshnin se nuk kanë mujtë me ndejë tue kja, mbasi e shihnin mirë ku po shkonte puna…

Etnit Françeskanë pa asnjë përjashtim ishin epiqendra e asaj përiudhe historike për trimninë e tyne dhe atdhetarizmin e flaktë, që me plot gojën mund të konsiderohën jo vetëm për Shkodrën, por për të gjithë Shqipninë, NJË RILINDJE KOMBËTARE.

Aty, në atë Kuvend shtrohej sofra për bukë e rrinin me bujtë (me fjetë): Luigj Gurakuqi, Ismail Qemali, Çerçiz Topulli, Mustafa Qulli, Hasan Prishtina, Bajram Curri, Isa Boletini, Avni Rrustemi, Mehdi Frashëri, Kristo Floqi, Lef Nosi, dhe nën zhgunin e At Pal Dodës shpëtoi kokën Mbreti Ahmet Zogu. Deri vonë aty asht ruejtë dhoma ku flente miku i posaçëm i Kuvendit, Ded Gjo’ Luli, i vetmi njeri laik që asht varrosë në Kishën e tyne.

Nuk do të zgjatem me intelektualët e profesorët e Shkodrës, mbasi kenja e katër gjimnazëve dhe dy seminarëve teologjike, tregojnë ma së miri nivelin kulturor të këtyne banorëve, që janë edukue pa dallim Feje ndër ato banka të atyne shkollave. Ngjarjet që do të shtjellohën ma vonë do të tregojnë ma shumë se një listë emnore e tyne se kush jetonte, mësonte e punonte këtu.

Kjo ishte Shkodra!

Shteti, jeta, kultura, arti dhe sporti, zanafillën e tyne deri në ditët tona e kanë nga burimet dhe gurrat e pashterrëshme të Shkodrës.

Një Shpirt i pajisun me atë edukatë, kulturë e art, që merrej në gjimnazët fetare dhe laike të Shkodrës, përsonifikonte até që sot bota moderne e thrret vetëm me një emën: NJERI.

E thom me bindje të plotë se natyrën e shkodranit dhe të malësorit trim të Veriut nuk e ka njohtë  askush ma mirë se malazezët e serbët. Jo, kot, tash një shekull ata vazhdojnë me gjuejtë me TOP Katedralën e Shkodrës; jo, kot, ata mbyllën çerdhet e edukimit fetar e atdhetar; jo, kot, ata e dëbuen Fishtën nga vorri e bankat e shkollës; jo, kot, ata plaçkitën bibliotekat e muzeumet e tyne; jo, kot, ata të parët pushkatuen Prenkë Calin me shokë; jo, kot, ata dogjën male e shpella ku, strukej ndër shekuj Shqipja; jo, kot, ata vollën vnerë kundër Fishtës, Gjeçovit, Harapit, Shantojës, Prennushit, Palajt, Donat Kurtit, Konicës, Pipës e deri tek Qemal Draçini, që e mbytën në hu, vetëm, pse At Fishta, me gishtin shënues drejtue kah Ai, tha: “Qé, një talent i ri”.

Pse morën malët Gjelosh Luli me shokë? – Jo, kot, se ishte “Besëlidhja e Veriut, Rranxave dhe Postribës”, kockë në fytin e serbit.

Pse duhej zhdukë inteligjenca? – Jo, kot, por ajo nuk përulej dhe nuk e thente majën e penës para shërbëtorëve të Titos.

Pse u rrënuen Kishat e Xhamitë? – Jo, kot, por duhej shpallë “Shqipnia Socialiste Ateiste”.

Pse thonë “vrau vetën” Prenkë Jakova? – Jo kot, por ishte Prenka i birucës nr. 6, në Sigurimin e Shkodrës të vitit 1946, që jo vetëm ishte i vëllai i Ndocit, por ky ishte atdhetar, ishte artist antikomunist, ishte edhe katolik i mirë. Ai nuk e la asnjë çast Shkodrën; se, tue kalue nëpër Serreq frymëzohej; se, tue u zgjue nën tingujt e kumbonëve të Katedralës i vinte muza; se, tue përshëndetë gratë shkodrane me jepanxhe e degërmia, i kujtohej vuejtja dhe sakrifica e një populli, që deri dje i veshun në çakqirë e xhubletë me Ded Gjo’Lulin, Luigj Gurakuqin, Ismail Qemalin e Isa Boletinin, valvitën Shqipën dykrenare në qiellin shqiptar. Ishte pikërisht ai, që i thuri lavdi Gjergj Kastriotit – Skëndrbeut në operën e tij!

Përgjegja asht vetëm një: Kjo qendër antishoveniste sllave që thirret SHKODËR, duhej shue, duhej rrënue, duhej rrafshue, duhej qitë fare!… dhe, shihe sot si ka vojtë halli i saj!…

Shkodra, deri dje djepi i Fatosave të Atdheut duhej kthye në vorr të qytetnimit evropian!

Djelmtë shkodranë padallim Feje, studentë, intelektualë, artistë, politikanë e jopolitikanë, tregëtarë e zejtarë, puntorë e shegertë e vigaj për kah pamja, vetëm se u thonin “shkodranë” shumë shpejt mbas vitit 1944, do të boshatisnin pjacat, shkollat, rrugicat, shtëpitë, kinematë, fushat e sportit dhe do të mbushnin birucat e Sigurimit të Shtetit komunist. Bashkë me këta azgaj do të jenë edhe mjaft vajza ku ishin ma të mirat e familjeve atdhetare shkodrane për kah pamja e ndera.

Ministria e Punëve të Mbrendshme me Seksionet e Mbrojtjes së Popullit, në çdo skutë të krijueme që në qershor të vitit 1943, nga jugosllavët dhe të drejtueme gjithënjë prej tyne dhe veglave qorre e tradhëtare, kryesisht vëlleh (shif indeksin e drejtorëve të drejtorive të kësaj Ministrie), vëmendjen e kanë pasë gjithmonë në Shkodër. Fillon me Gjush Dedën e Ndrekë Nallbanin, Ali Qorrin (Bushatin), Cuf Lohën, Lilo Zenelin, Hysni Ndojën, Qamil Gavoçin, Jonuz Dinin, Kasëm Troshanin, Pjerin Kçirën, Ylvi Dibrën, Rasim Dedën, Filip Pemën, Pjetër Ballaten, Xheudet Milotin, Vehbi Fishtën, Hys Zajen dhe vazhdon me Zoi Themelin, Vaskë Kolecin, Kolec Ilinë, Hilmi Seitin, Feqorr Shehun, Rexhep Kollin etj. që, të gjithë së bashku i kanë shërbye një qëllimi: TRATHTARË E ANTISHQIPTARË.

Për këtë arësye këta kriminelë të pashpirtë, terroristë e gjakatarë, kanë krye në qytetin e Shkodrës veprat ma të shëmtueme tue torturue në mënyrën ma mizore atdhetarët, gja që, dokumentohet vetëm me kenjen e këtyne qendrave të torturave, spijunazhi, hetuesie, vrasjesh, zhdukje, burgje dhe shtëpi strehimi për të parainternuem që kishte qyteti i Shkodrës në vitin 1946:

  1. Seksioni i Mbrendshëm ose Dega e Punëve te Mbrendshme.
  2. Hetuesia (Shtëpia e Pjetër Çiurçisë).
  3. Burgu i Prefekturës (Kati përdhé).
  4. Konvikti “Malet tona”.
  5. Burgu i Madh pranë Prefekturës.
  6. Burgu i Kishës së Fretënve (Kuvendi) në Gjuhadol.
  7. Burgu i vjetër i Gestapos, pranë shtëpisë së Zef Shirokës.
  8. Shtëpia e Ulqinakut.
  9. Kuvendi i Motrave Servite.
  10. Kisha e Motrave Servite.
  11. Shkolla e Çelës.
  12. Podrumi i shtëpisë së Fasli Ademit, (nën farmaci).
  13. Burgu i Çekës (sot Instituti “Nanë Tereza”).
  14. Toga e Ndjekjes së Sigurimit (tek Sanatoriumi i sotëm).
  15. Burgu i Postës tek harku kundrejt Xhamisë së Kuqe në Perash.
  16. Shtëpia e Rrojëjve (pranë Maternitetit të vjetër).
  17. Shtëpia e Guljelm Lukës tek rruga e Jezuitëve (ku internonin).
  18. Shtëpia e Dr. Karamitrit.
  19. Shtëpia e Lec Shkrelit, tek Dugajtë e Reja.
  20. Hoteli i Bepit të Mishiqit (ishte përballë Institutit Pedagogjik).
  21. Shtëpia e Guljelm Sumës.
  22. Shtëpia e Sandër Saraçit.
  23. Shtëpia përdhese e Vuksanëve, mbas shtëpisë së Shkrelit.
  24. Spitali i burgut përballë Shtëpisë së Kulturës.
  25. Spitali i burgut tek Spitali Civil sot.
  26. Burgu i ushtrisë tek rekrutimi.

***

Gjyqet janë zhvillue në kinema “Rozafat”, kinema “Republika”, Teatri i Jezuitëve, në  shtëpi të Kadukut, Pogut, Dr. Prelës etj.

Gjyqet e mbylluna janë zhvillue kryesisht tek Burgu i Kishës ose Kuvendi i Fretënve në Gjuhadol (në mensë), ndër dhomat e Shtëpisë së Çiurçisë, ku shpesh, vriteshin, hudheshin nga dritarët dhe zhdukeshin kufomat me proces-verbale false të gjyqeve gjoja të zhvillueme aty.

Qendrat e masakrave ma të mëdha që nuk harrohen kurrë janë kenë: Shtëpia e Çiurçisë, Burgu i Kishës së Fretënve, Konvikti “Malet tona”, Dega e Punëve të Mbrendshme, Shtëpia e Lec Shkrelit, podrumi i shtëpisë së Fasli Ademit, shtëpia e Ulqinakut, etj.

Të vetmit dëshmitarë sikur të “flisnin” do të ishin: Pema e blinit në oborrin e Kuvendit të fretënve, ullinjtë e pemët e shtëpisë së Çiurçisë, pemët e konviktit “Malet tona”, etj. që, edhe sot ndër rrajtë e kalbuna të tyne ruajnë britmat e virrmat e njerëzve të lidhun dhe të varun, që kanë derdhë gjakun e Shenjtë e kanë dhanë Shpirtin  nën degët e tyne.

Po sa, ishte popullsia e këtij qyteti martir me 26 burgje e ndoshta, ma shumë që nuk i dij unë? – Kurrë, asnjëherë, nuk do të tregohet sa mijë vetë ishin ata që mendoheshin me u zhdukë!..

Ka me kalue një kohë e gjatë e ma e gjatë se ajo që kujtojmë na, për me dalë në dritë vepra terroriste e kriminale e Partisë Komuniste (së Punës dhe e asaj “Socialiste”) të Shqipnisë, e kryeme nga dora e Sigurimit të Shtetit gjakatar, shërbëtore besnike e Partisë Komuniste të Jugosllavisë që nga thëmelimi i saj.

Ndër krimet e shëmtueme kujtohen: Në shtëpinë e Çiurçisë: Simon Darragjati e Kolec Deda, mbasi u torturuen për një kohë të gjatë dhe nuk pranonin akuzat, u hodhën nga dritarët prej hetuesve Fadil Kapisyzi, Lilo Zeneli e Zoi Themeli. Pal Thanin e ka mbytë në torturë me duart e tija krimineli Fadil Kapisyzi.

***

Avokat Muzafer Pipën e kanë mbytë në torturë Zoi Themeli e Vaskë Koleci. Mbasi e kanë lidhë për karrigë të palëvizëshme me duer mbrapa, tue dashtë me i futë ndër muskujt e krahve një hekur të skuqun, i kanë prekë me hekur shtyllën kurrizore, tue i shkaktue vdekjen në çast. Mandej, kanë çue Elez Mesin me ble një pulë, e kanë therë pulën dhe kanë shpërnda gjakun e sajë nëpër oborr. Kanë fillue me shtijë me armë, gjoja se u vra Muzaferi tue dashtë me ikë nga hetuesia. Ma sakt e din Aranit Çela që i premtoi Muzaferit “gjysmën e lekut”, kur u takuen tek dera e Bar “Impero” (Kafja e Hardallit), kohë në të cilën Muzaferi, mbronte At Gjon Shllakun në gjyq.

Don Mark Hasit i ka mbërthye me thikë gjuhën për tavolinë hetuesi kriminel Nesti Kopali, derisa të japin shenjë se do të flasin. Kishte humbë ndjenjat nga hemoragjia. E kanë mjekue vetëm me krypë, tregonte fatziu Don Mark.

Në konviktin “Malet tona”, At Gjon Shllaku asht lanë deri në bel në ujë të qelbun në dhomën e mjedisit të ndërtesës, pa dritare dhe me zbritje 4-5 kambë shkallë, ku dikur, ruheshin të freskëta ushqimet.

Gjatë proçesit gjyqësor asht lanë aty për me thanë se kam formue Partinë Demokristjane në Shqipni. Asht pushkatue me plagë të hapuna, me mish të dërmishun e varrë që i kullonin qelb.

At Bernardin Palaj i ka mbetë në dorë në torturë Dul Rrjollit e Fadil Kapisyzit, nuk i besonin fjalës së tij se asht i sëmurë me zemër dhe e torturonin me rrymë elektrike, ashtusi Simon Kraja e sa të tjerë.

Pandi Kristo pohon në burg, se: “Ato Lleshrat e Prengrat i kemi vrarë faj e pafaj vetëm sëpse kanë qenë katolikë!…”.

Kur, në Shkodër Françeskani At Martin Gjoka, u fliste studentëve për muzikën e Bet-hovën, Moxart e Verdi, në Moskë, Lenini thonte:

“Britmat e të burgosunve nuk i ndrroj as me Sinfoninë IX-të Bet-hoven-it”…

 

O  SHQYPE, O ZOGJËT E MALEVET, KALLXONI!

“Kultura asht shpirti i qytetnimit”

Dy çinarë shekullor mbi një stom me emnin çinarët e Zef Zorbës, brij lumit Kir që vazhdon rrugën e tij derisa derdhet në Drinazë brijë Kalasë Rozafat, aty ku janë ledhet e qytetit të vjetër që pjesa ma e madhe janë nën shtratin e këtyne lumenjve, më kanë shtye me pyetë:

“Kush ishte Ai burrë, që vuni gurët e qytetnimit mbi këtë stom me emnin Rrëmaji?”….

Një fushë mbi këtë stom që ma shumë ishte zallishtë me ferra e mrina kishte tërhjekë prej kohësh djelmoçat e rinjë për me u argëtue, tue gjuejtë në shenj objektet e mbështetuna në trungjët e këtyne çinarëve. Këta dy trungje janë koleksionerët ma të vjetër të predhave që janë përdorë në armët e mbajtuna në brezat e qytetarëve të Shkodrës. Një predhë e kalueme andej Zallit të Kirit aty rreth vitin 1840, pat plagosë një ushtar turk i cili mbas pak ditësh pat vdekë. Gjuejtësi i shenjës nuk asht kenë djalë i fisit Ejllori ose Radovani prej Shiroke, por, kjo vrasje padashje i mbet se asht ba prej Pjetër Pal Ejllorit dhe i kushtoi aq shumë këtij fisi, sa prej asaj kohe pasunia, të hollat e tokët e pagueme si damshpërblim nuk u zëvendsuen kurrma në këtë shtëpi. Kjo ngjarje u pat ba shkak me u rrallue ky argëtim në atë vend. Në 10-vjeçarin e fundit të shekullit XIX-të, aty nga 1895, u vëndosën disa rrethime mbrenda të cilave ishte një faltore e vogël shumë e vjetër, rreth së cilës filluen me u varrosë qytetarët të cilët nuk kishin tokë ndër vorret e vjetra në fund të rrugës së Badrave, emni i së cilës ka mbetë nga kjo lule që rritët ndër vorre. Hapsina e atij vendi filloi me joshë dëshirën për vëndosje të vorreve të reja që janë edhe sot.

Mendja e një shkodrani me emnin Ludovik Zojzi, vëndosi përjetësisht mbi atë stom nën ata dy çinarë ato vepra arti që janë sot aty dhe, që thirrën Vorret e Rrëmajit. Kapela e atyne vorrezave u projektue dhe u zbatue nga vetë ky ingjenjer. Planimetria e bame prej tij ruhët edhe sot në familjën Zojzi.

Ludovik Zojzi ka lé në Shkodër, më 23 nandor 1910, në familjen e vjetër të Zojzakëve. Kjo shtëpi njihet për intelektualët e mirëfilltë që i ka dhanë qytetit. Keli ka përfundue shkollën tregetare dhe ishte një kangëtar i njoftun si tenor në grupet e muzikantëve të At Martin Gjokës. Zefi, ishte dr. avokat i lauruem në Itali. Rroku, ishte një ndër etnografët ma të mirë të Shqipnisë, për mos me thanë ma i miri dhe ma i zoti. Ludoviku, mbasi përfundoi Liceun “Illyricum”,  më 27 qershor 1928, dhe doli me rezultate të shkëlqyeshme spikati me sjelljen e tij shumë të mirë dhe bani për vedi përsonelin e shkollës Françeskane, i cili e dërgoi për studime në Padova, Itali. Atje, ai nderoi brezninë shqiptare për zellin dhe vullnetin me studjue. Më 10 nandor 1933, u laurue me doktoratën e ingjenjerit elektrik, pikërisht, atëherë, kur Shqipnia po bante hapat e para me dalë nga errësina shekullore. Erdhi në Shkodër si profesor në Liceun e Shtetit, deri më 1 tetor 1937. Në dy vitët e fundit të qëndrimit në vendlindje ishte edhe ingjenjer këshillues pranë Bashkisë së qytetit. Në vitin 1937, emnohet Drejtor teknik i Drejtorisë së Përgjitheshme të PTT në Tiranë, punë të cilën e vazhdoi deri më 15 shtator 1943, ditë në të cilën sapo delte nga shtëpia me shkue në punë, u vra pabesisht nga komunistët e Tiranës. Kuptohet thjeshtë arësyeja, një ingjenjer shkodran, katolik, i lauruem në Padova, familje intelektuale që nuk ishte pajtue me komunizmin, indiferente ndaj lëvizjes nacional-çlirimtare ashtu si pjesa ma e madhe e Shkodrës, që etiketohet shpejt nga grupet komuniste: “…agjent, fashist, bashkëpunëtor i okupatorit e i klerit, spijun e trathtar…”.

Këtë fat të zi pat edhe Dr. Ingj. Ludovik Zojzi, në moshën 33-vjeçare, i formuem dhe i paisun me kulturën e shëndoshtë bashkohore.

Ingj. Ndoc Naraçi, i cili e ka njohtë afër Ludovikun, mbasi ka punue me té në Tiranë, më tregonte aty nga viti 1989, se arsyeja e vërtetë e vrasjës së tij, asht kenë kërkesa e komunistëve që ai me bashkëpunue me ta, gja të cilën Ludoviku nuk e ka pranue.

PTT e Tiranës ishte një ndër qendrat ma aktive të grupëve komuniste, prandej ata që nuk ishin të lidhun me këta grupe, mendoheshin të rrezikshëm për punën e tyne, duheshin “çëruar”. Kjo dokumentohet nga gazeta “Zëri i Popullit”, datë 3 dhetor 1959, në artikullin e Qeverim Çelit, ish anëtar i grupit komunist të PTT-së, i cili shkruen: “…Suksesi që arritën grevistët e Drejtorisë së Përgjithëshme të PTT-së, bëri që edhe punonjësve të tjerë t’u shtohej besimi në Partinë Komuniste dhe në udhëheqjen e drejtë të saj. Nga radhët e këtyre grevistëve u organizuan më vonë guerilet, që përlanë spiunin dhe armikun e popullit Ludovik Zojzi”. Ma poshtë shënohën edhe autorët e këtyne veprave të “suksesëshme”, organizatorët dhe kriminelët gjakatarë.

Ja si vazhdon artikulli i tyne: “Në atë kohë në Drejtorinë e Përgjithëshme të PTT-së, punonin shokët: Adil Çarcani, Fiqrete Shehu, Nikolla Profi, Mustafa Qilimi, Ilo Panduku dhe të tjerët që ishin organizatorët…”. Cili nga këta kriminelë analfabetë mund të duronte mbi kokë një ingjenjer të lauruem në Padova të Italisë? Kush nga këta fanatikë mund të shihte me sy një ish student të gjimnazit të Fretënve, apo ish nxanësin e shkollës së Jezuitëve të Shkodrës, kur detyra e këtyne grupe vagabondësh ishte shkatrrimi e shqymja nga faqja e dheut e bazave të kulturës Evropiane? Çfarë menduan për 50 vjet kokat e mykuna me idetë marksiste-leniste e stalinjane, të edukuem antishqiptarë ndër çerdhët e imoralitetit të komunistëve jugosllavë që vetëm dinin me vra, dhe përshëndetëshin çdo mëngjez me parullat “plumbin ballit Atdhetarëve!?” Shka i sollën Shqipnisë përveç vorrezave këta kriminelë të drejtuem nga një masu i flligtë, i dalun prej katakombëve të kabareve të Parisit, siç ishte Enver Hoxha? Shka do të mësonin nga Mugosha e Popoviqi vëllavrasësit Fiqrete Shehu, Adil Çarçani, e Mustafa Qilimi me shokë? – Vetëm me vra trathtisht mbas shpine, si vranë edhe njeni-tjetrin!

Atentati i bamë kundër Ludovik Zojzit, ishte fillimi i terrorit komunist kundër inteligjencës shqiptare që ishte formue në shkollat Perëndimore, ishte atentat kundër Evropës së kulturueme, ishte zbatim detyre ndaj mësuesit jugosllav, ishte betim për trathtinë e madhe kombëtare që po bante Partia vëllavrasëse Komuniste e Shqipnisë, kundrejt Popullit të vet Shqiptar!

Kryqat e Vorrëve të Rrëmajit ishin ngacmues për nervat e fanatikëve antikatolikë komunistë. Shumë herë u projektuen plane e platforma mashtruese gjoja për ndërtime të reja, vetëm si me i shkatrrue ato vepra arti që kishte projektue dhe zbatue shkodrani Dr. Ingj. Ludovik Zojzi. Sa herë kalonin “shokë udhëheqësit” e Partisë së Punës andej pari përshpërisnin nën za: “Akoma, këta këtu?!”… Ishte gjoksi i atdhetarit Gjon Kamsi, ishte Gjikami, vëllai i gjakut të Luigj Gurakuqit që nuk i tutej syni para askujt, veç, shtërngonte nofullat e i thonte hasmit: “ JO! Nuk guxoni me prekë këtë tokë se asht e bekueme me gjakun e Atdhetarëve që kanë punue dhe vdekë për Shqipni! Nuk guxoni me luejtë eshtnat e lyeme me Bagmin Shenjtë të Filip Shirokës, Kol Idromenos, Simon Rrotës, Hil Mosit, Kel Marubit, Don Ndre Zadejës, Dr. Federik Shirokës, Dr. Gjon Saraçit, Prenkë Jakovës, të Kakarriqit, Muzhanit, Topallit, Serreqit, Dedejve, Prelejve, Prennushve etj. që janë kenë gurët e thëmeleve të qytetit!”.

E dogjën një natë at Kapelë vorrezash të mbetun shkret….

E dogjën një natë çatinë nën të cilën ishin Bekue sa e sa shqiptarë qyshë në rrethimin e Shkodrës, të vramë nga gjylet e malazezëve… me mauzerrët ruse…

E dogjën një natë bashkë me tavolinën ku dora e Bekueme e Meshtarëve freskonte Shpirtnat e sa vetëve që nuk vdisnin, por plasnin, se mbas atij muri rrethues të atyne vorrëve ata kishin të tretun nën pleh, pa një shenj tek kryet, Loçkat e zemrës të varruem nga plumbat e komunistëve gjaksorë!

E dogjën një natë, se, mendonin që nën atë çati ruhën vizaret e kulturës kombëtare!

E dogjën një natë, se, mendonin që ashtu bahët pluhun e hi fara e qytetnimit shqiptar!

E dogjën një natë, se, kujtuen që do të rrëzohën edhe shtyllat, simbol i martirizimit!…

E dogjën një natë, ashtu si librat e bibliotekave të Françeskanëve dhe të Jezuitëve!…

E dogjën një natë, ashtu si shkollën ku mësonte Fishta, Harapi, Zadêja, Prennushi, Kurti, Nika…

E dogjën një natë, se vrasësit kanë frikë vetëm nga vdekja!

E dogjën një natë, se shumë larg u dukej që nëpër zhuri të Zallit të Kirit, përplaseshin tingujt e një kumbone që binte në njëanë edhe nën dhé… e do të lajmëronte ringjalljen!

E dogjën një natë, por harruen se, thëmelet e Krishtënimit nuk prishen dhe as nuk digjen!

E dogjën një natë, por, harruen se mbi ato shtylla asht ende tymi i kemit, djegë në Lavdi të Zotit!

E dogjën një natë, por, harruen fjalët e Meshkallës, që ka dymijë vjetë që digjni Ungjillin!

E dogjën një natë, por, harruen se nën atë tokë vlon gjaku i Ded Gjo’ Lulit me shokë!

E dogjën një natë, por, harruen “me djegë” edhe Don Simon Jubanin!…

Please follow and like us: