Albspirit

Media/News/Publishing

Fritz Radovani: Një monument nën dhé (10)

S T U D E N T Ë T

 

“Lahuta mbet varë n’ tra,

Migja kalbët n’ dhé,

E, nipat s’dinë me i ra…”

Poet shqitar nga Kosova.

 

“Në Gjimnazin e Shkodrës vlon propaganda antikomuniste, na dërgoni sa më parë 100  (njëqint) konviktorë nga Jugu”.

(Arkivi M.M.Tiranë).

Me këto fjalë i drejtohet Ministrit të Mbrendshëm në vitin 1949, kryetari i Degës së Brendshme të Shkodrës, i porsa ardhuni krimineli i njohun Hilmi Seiti. I duheshin 100 “konviktorë”, 100 spijunë, 100 agjentë, 100 kriminelë, 100 komunistë, 100 kuadro të ardhëshme të Sigurimit! Pra, duheshin edhe 100 katilë të tjerë, përveç, atyne qindrave që ishin në çdo skutë e kand të qytetit.

Ishte viti 1922, kur rreshtat e djelmënisë shkodrane mbushnin klasët e Gjimnazit të Shkodrës. Pa kalue pak muej mbarë rinia shqiptare do të drejtonte sytë nga qendra e përhapjes së dritës së arësimit dhe kulturës për mbarë Shqipninë që ishte Shkodra. Nga nuk erdhën për me studjue në këtë qytet të lashtë që për shumë shekuj ishte selia dhe principati i të gjitha qytetëve tjera, thonte Barleci, e, ashtu, Ajo do të vazhdonte me kenë deri në pushtimin komunist të vendit.

Këshilli i Ministrave me vendim nr. 720 datë 11 gusht 1922, mbi propozimin e Ministrisë së Arsimit nr. 11878, datë 11 gusht 1922, vendosi: “… të hapet në Shkodër një shkollë Gjimnaz i Shtetit, për me mujtë me ndjekë aty mësimet një shumicë e studentëve shqiptarë që nuk kanë me u dërgue ma jashtë e sidoemos nxanësat e atij qarku …”

Kush nuk njihte emnat e nderuem të drejtorëve të këtij Gjimnazi, Profesorët: Luigj Shala, Xhevat Korça, Mirash Ivanaj, Anton Deda e Skënder Luarasi? Kush mund të harronte breznitë e njëmbasnjëshme të luftës për liri e përparim të Atdheut që u rritën dhe u edukuen në bankat e këtij Gjimnazi? Cili shqiptar mund të fliste për Shqipninë Etnike pa vue në Elterin e Kombit studentët e Gjimnazëve të Shkodrës? Kush ishte ai tradhëtarë që mund të guxonte me thanë se Liria e Atdheut mund të shkëputet nga gjaku i Dëshmorëve të Gjimnazëve të Shkodrës?

– Vetëm Enver Hoxha me klyshët e tij, ministrat e mbrendshëm Haxhi Lleshi, Koçi Xoxe, Mehmet Shehu, Kadri Hazbiu etj., apo me Zoi Themelët, Lilo Zenelët, Hilmi Seitët, Feqorr Shehët e Rexhep Kollët, me lakejtë Çiril Pistoli, Dhori Samsuri, Nesti Haviari, Fadil Hoxha e Skënder Villa me shokë. Këta janë “nderi” i formimit të “njeriut të rinj” të brezit komunist dhe, llomi e turpi i indeksit të Amzës së Gjimnazit të Shkodrës dhe mbarë arësimit e kulturës shqiptare. Dy vjet ndërpremje për arësye lufte… Vjen viti 1945. Dukej se lufta mbaroi!…  Pa fillue mirë viti më 5 mars 1945, pushkatohet oratori e publicisti Don Lazër Shantoja e fillë mbas tij, më 25 mars, Poeti i Ambëlsisë Don Ndre Zadeja. Më 15 gusht rinia shkodrane fillon ngritjen e monumentëve të luftës kundër komunizmit me Herojtë Ndue Pali e Caf Meta…

Pra, pa mbarue mirë Lufta e Dytë Botnore, fillon një luftë tjetër edhe ma e përgjakëshme dhe e pafund… Lufta për pushtimin komunist të mbarë Atdheut…me vrasje për murin përballë Bashkisë së qytetit. “Çlirimtarët” Qamil Gavoçi, Rexhep Haka, Sadik Bekteshi, Mark Ndoja, Çiril Pistoli, Frano Jakova, Xhemal Selimi e Asllan Lici me shokë lajnë me gjak rrugët e Shkodrës e marrin malët me zhburrnue malësorët e Alpëve deri larg në trojet kosovare, të cilët tradhëtisht e të preme në besë prej “vëllaut” i pushkatojnë e therin në bajonetë ndër brigje të Adriatikut, të Ilirisë së vjetër, aty ku malazezët e serbët tash një shekull vetëm e njomin me gjakun tonë. Këtë herë me dorën e të pabesëve komunistë anadollakë shqiptarë. Atëherë, shka do të vlojnë në damarët e gjakut të rinisë që asht ulë në bankat e Gjimnazit të Shkodrës? Cila propagandë veç asaj antishovinistës sllave e antikomunistës tradhëtare të aspiratave për të cilat kishte derdhë gjakun kjo rini, kundër okupacionëve të njëmbasnjëshme?  Shkodra e katër gjimnazeve në 1945 për pak muej në 1946, asht Shkodra e një Gjimnazi e 26 burgjeve ku, do të burgoset, torturohet, masakrohet, vritet e kalbet rinia e sajë heroike! Me datën 26 maji 1946 rinia shkodrane asht përballë Sigurimit të Shtetit totalitar komunist të Enver Hoxhës, dhe do t’i tregojnë atij se nuk i trembet syni. Shumë studentë të Gjimnazit hudhen nga dritarët me marrë pjesë në funeralin e Argjipeshkvit të Shkodrës, Imzot Gaspër Thaçit. Vlojnë rrugët e Shkodrës, mbushet Katedralia me qytetarët e të gjitha besimëve që kanë ardhë me i dhanë lamtumirën e fundit antikomunistit Imzot Thaçi. Ma shumë se funeral ajo ishte protesta e parë e hapun e rinisë shkodrane kundër zgjedhës komuniste.

Hakmarrja e komunistëve nuk do të vonojnë. Arrëstimet kishin fillue me kohë por tashti, jo ma vetëm, me ishushtarakë të regjimëve të maparëshme, ballistë e zogistë të thirrun “tradhëtarë”, po, me studentë e intelektualë dhe kryesisht ata që janë të “lidhun” me Klerin.

Udhëzimet i sjellë nga Tirana agjenti jugosllav Marian Zhagari, që drejtohej nga këshilltarët jugosllavë të qeverisë sonë kukull. Programet shkollore përjashtojnë At Fishtën e Zadejën me shokë. Fillojnë arrestimet e studentëve: Viktor Kujxhia, Gjon Kovaçi, Injac Serreqi dhe Çesk Hilgega. Vazhdohet me Tomë Sheldinë, Gjon Ljarën, Sulejman Qehanë, vëllaznit Xhevat e Remzi Quku, Ahmet Bushatin, Ernest Përdodën, Thabit Rusin dhe vajzat Terezina e Liza Pali, Ana Daja etj.

Pak kohë mbas vrasjes së Ndoc Jakovës, vritet edhe Asim Rusi, edhe ky ndër male kundër komunistëve. Arrestohen mësuesit: Lec Bruçaj, Mehmet Daiu, Viktore Kuka, Abdyl Rusi, Qemal Draçini, Ruzhdi Çoba, Pjetër P. Pali etj. Ndërsa, në burgjet e qyteteve të tjera martirizohën profesorët: Mirash Ivanaj, Gjergj Kokoshi, Sali Butka, Kol Prela, Simon Deda, Prenkë Kaçinari, Arshi Pipa, etj. Ndersa, në Kosovë arrëstohen e pushkatohen profesorët: Kol Margjini, Kol Parubi, Ymer Berisha e Gjergj Martini bashkë me heroinën Maria Shllaku. Në vitin 1946 nuk ka ma asnjë shkollë fetare në Shkodër. Edhe Instituti i njohun femnorë “Donika Kastrioti”, bashkohet me Gjimnazin e Shtetit. Pjesa ma e madhe e studentëve të këtyne shkollave vazhdoi mësimet në Liceun e Shtetit.

Bashkimi i të gjithë këtyne studentëve solli me vete atë që pritej. Të gjithë pothuej ishin te pakënaqun nga pushteti komunist. Një pjesë ishin të lidhun me ata që u pushkatuen e u arrestuen që në ditët e para. Një pjesë lidhej me të arratisunit mbrendë e jashta Atdheut. Një pjesë tjetër ishte shpartallue nga reformat e tatimet që iu vehëshin tregtarëve. Një pjesë ishin që nuk kishin simpatizue lëvizjen komuniste, e dëshronin fitorën e “Ballit Kombëtar” ose “Legalitetit”. Dikush pranonte ma mirë fashizmin se komunizmin. Kishte ma shumë se të gjithë këta që nuk shihnin me sy çdo ditë tue u pushkatue  atdhetarë e klerikë, që deri dje ishin kenë mësuesit e tyne dhe sot vriteshin si “tradhëtarë” të Atdheut.

Komunistët me Sigurimi i Shtetit kishte krijue bazat e veta që në ditët e para të hapjes së Gjimnazit. Agjentët Ferit Mandia, Vehbi Çanga, Bardhyl Dushi, Feço Mandia, Vladimir Misja, Hajredin Çeliku, Iljaz Fishta, Agim Bejleri, Haxhi Pela, Jonuz Tuli, Sadush Kumbaro, Satber Jubani, Ilir Gjylbegu, Adem Fishta, Qemal Jashari, Emil Mborja, Jani Çomo e deri tek Bep Jubani në vitin 1956, të gjithë ishin në shërbim të diktaturës shoviniste sllave titste-staliniste dhe enveriane, me shkatrrue Rininë Shkodrane për me përfitue një bursë jashtë shtetit dhe me kenë gjithë jetën zagarë e spijunë të Sigurimit të Shtetit komunist. Shoqnitë sportive të këtyne shkollave vazhduen me ruejtë lidhjet e tyne ndër fushat e vogla të lagjëve të qytetit si tek ajo e oborrit të Kishës së Madhe, Arës së Pashës në Ballabanë, fusha e Tigrit në Parrucë, etj., lamije që nuk mungonin ndër të gjitha anët. Ndër lagjet e vjetra të qytetit janë ndër ma të njohunat ato të Ndocajve dhe Dudasit që lidhën me Zdralej. Tue marrë për bazë shënimet e botueme të z. Xhevat Gjyrezit, i cili ishte kryetar i njenës prej këtyne shoqatave sportive, gjej vend me nxjerrë në pah cilësitë e mira dhe atdhetare të këtyne djelmëve që edhe vetësakrifikohen për një ideal të naltë, që asht lufta për Liri. Pikërisht njena prej këtyne shoqnive asht bërthama e një organizate antikomuniste e quejtun Organizata “PËRPJEKJA SHQIPTARE”.

Kjo organizatë formohet me studentët e Gjimnazit të Shtetit nga fillimi i vitit 1947, dhe Kryetar i saj zgjidhet Bardhosh Dani. Bardhoshi vinte nga një familje e vjetër shkodrane me tradita Atdhetare dhe kulturore. Një student i shkëlqyeshëm ndër mësime, aktivitete sportive dhe shoqnore. Nderohej për qëndrimin moral e qytetar. Ishte i rij ndër të 17-tat vjetë, por i pjekun para kohe. Fjalë pak dhe i vendosun, gja që e mbulonte guximin e madh që kishte për vepra burrnore. Ai rëspektohej edhe nga armiqtë që e rrethonin dhe e survejonin e që dita ditës po shtoheshin ndër bankat e shkollës. Dy spijunë ishin të parët që filluen ndjekjen e këtij grupi, Isa Miloti dhe Faik Zeneli. Mbas tyne Sigurimi organizoi një rrjetë shumë të gjanë dhe të specializuem për këtë qëllim. Edhe grupi filloi me shmangë rrezikun me grumbullime ma të rralla ndër sheshët sportive mbasi tashti veprimi antikomunist kishte marrë një rrugë ma aktive me mbledhje sekrete, trakte, parulla ndër mure dhe aktivizim të shumë studentave që u sakrifikonin për këtë organizatë padallim feje, qëllimi i së cilës, shfaqej në emnin e saj: “Përpjekja Shqiptare”.

Mbrenda vitit numri i anëtarëve arrinë mbi 70 vetë. Lidhjet mes anëtarëve ishin shumë sekrete dhe korrekte, gja që, e tregon jetëgjatësia e saj dhe puna që ajo ka zhvillue kundër komunizmit.

Në korrik të vitit 1948, gjurmimet e Sigurimit shtohen kryesisht në drejtim të Kryetarit të organizatës Bardhosh Danit. Nga gjysma e korrikut një person njofton Bardhoshin se shpejtë mund të arrëstohej, mbasi Sigurimi ka ra në dijeni për aktivitetin e tij. Ai menjëherë vëndosë me u arratisë por, jo vetëm, mbasi rreziku i arrëstimit kërcnonte edhe Mark Cacajn dhe Brahim Dërgutin, të dy shokë të tij të ngushtë dhe antarë të organizatës ndër ma besnikët e trimat. Kalimin e kufinit e zgjedhin nga Ana e Malit, në një kand ku lumi Buna ban një këthesë, vend i cekët e ma i ngushti për me kalue në tokën jugosllave.

Pika ku do të kalonin asht nga fundi i fshatit Samrish dhe quhet Samrishi i Poshtëm. Buna aty asht mjaft e maskueme me shelqe të nalta dhe të rrëzueme me degët e tyne në lum. Asht një vend me të vërtetë piktoresk, por shumë i kontrolluem nga forcat e armatosuna të Sigurimit, që per fat të keq ishin të shumta atë kohë, mbasi pak muej ma parë ishin prishë mardhanjet shtetnore me Jugosllavinë e druzhe Titos.

Atëherë jam kenë në Dajç të Bregut të Bunës, kur u bisedue se tre djelmë të rinjë prej Shkodrët i kanë vra në ujnat e bregut të Bunës, në përpjekje me u arratisë. U kanë kërkue me u dorëzue por ata nuk kanë pranue. Flitej se njenin uji e ka nxjerrë të vdekun nga toka e Jugosllavisë dhe, ata, trupin e pajetë e kanë dorëzue këndej. Buzë Bunës, nën degët e disa shelqëve rojet shqiptare kishin hapë një gropë dhe aty janë varrosë të tre Heronjtë. Dij, se mbas pak ditësh Don Kolec Prennushi, famullitar i atyne katundëve asht thirrë tek një i sëmurë në atë fshat dhe, kur u këthye në shtëpi, tregoi se kishte kalue andej dhe kishte bekue “Vorrin e Tyne”. Pak muej ma vonë, nga fundi i vitit 1948 aktiviteti i kësaj organizate do të rifillohet me disa mbledhje që bahën në shtëpi të studentave Alfons Radovani dhe Viktor Luka. Asht ajo kohë kur arratiset Lec Vasia, Fetah Myrtja, Zef Shllaku dhe Donat Rexha, të gjithë anëtarë grupi. Grupit të studentëve të arrëstuem maparë i shtohet edhe Xhevat Gjyrezi, Hilmi Hoxha dhe Mikel Muzhani, të cilët, tue mos pasë lidhje me ta dhe tue u ndodhë në kohën e “ndryshimëve” nga politika e Koçi Xoxës, përfitojnë dhe lirohën por, pa të drejtë me vazhdue shkollën.

Grupi vazhdon aktivitetin e tij si dhe rritjen e numurit të anëtarëve që arrinë në 120 vetë.

Një ndër studentët trima dhe guximtare asht kenë edhe Zef Kaça. Ishte i ri atëherë rreth 16 vjeç. Ky djalë vëpronte vetëm. Kishte shtëpinë pranë shkollës “Jordan Misja” (shtëpia e Jakovëjve) në Rus. Disa herë kishte hy nga oborri mbas shkollës dhe kishte thye fotografitë e diktatorëve ndër disa klasa, derisa kupton se Sigurimi filloi me e ruejtë shkollën edhe natën. Atëherë, kishte ndrrue drejtim, kishte hy në shkollën “24 Maji”, mu në mjedis të Fushës së Çelës. Edhe aty të njajtën punë. Mbas disa ditësh e përsëritë këtë veprim në shkollën “7 Nandori”, përballë Gjimnazit, ngjitë me furrat e Bejnlikut. Me kalimin e kohës asht nxanës në Gjimnazin e Shtetit, në klasën e dytë në vitin shkollor 1949-50. Dy herë gjenë mundësinë me hy natën në Gjimnaz, herën e parë në të gjitha klasat hjedhë trakte kundër diktatorit në pragun e ditëlindjës së tij, ndërsa, herën e dytë then xhamat e fotografive të diktatorëve që ishin në të gjitha klasat. Zhurma e xhamave ndigjohet jashtë, por Zefi shpëton për mbrekulli mbasi kur hapët dera e madhe e shkollës, ai asht i ikun nga dera tjetër e mbrapme që të nxjerrë nga kandi “Spartak”. Mbas pak ditësh dikush e sheh tue i dhanë një trakt një shokut të vet dhe porsa del në korridor e thërret drejtori, xhelati Skënder Villa në zyrën e tij.

Zefi qëndron aty për dy-tre minuta derisa Skënderi shkon në zyrën e sekretarit të rinisë komuniste, ngjitë me zyrën e tij për me e marrë si dëshmitar të ngjarjes. Këthehet vetë i dyti me një nga anëtarët e komitetit të rinisë të cilin e urdhnon me e kontrollue Zefin edhe në trup, mbasi asht i sigurt se ky ka trakte. E kontrollojnë të shkretin Zef deri ndër mbathje por nuk i gjejnë gja. Skënderi fillon me vërritë si kafsha, ashtu si dikur në vitin 1945 kur ai ishte kenë anëtar i komisioneve të hetuesisë pranë degës së mbrendshme të Korçës, por Zefi, nuk trembët dhe nuk pranon se ka pasë trakte. Të nesërmën nana e Zefit shkon në drejtori të shkollës dhe njofton se Zefi asht i sëmurë dhe gjatë natës asht kenë i tronditun, nuk kishte fjetë. Prej asaj ditë braktisë shkollën, familjen dhe Atdheun … Zefi arratiset. Në darkë forcat e Sigurimit kishin rrethue shtëpinë por Zefi ishte i ikun. Ai e dinte se cili do të ishte përfundimi mbasi në kohën kur Skënder Villa, kishte shkue në zyrën ngjitë të sekretariatit të rinisë, Zefi me shpejtësi 4-5 traktet që kishte pasë në xhep, i ka nxjerrë e i ka futë në xhepin e palltos bluh të Skënder Villës, i cili, me siguri i ka gjetë rreth orës 14.30 kur ka dalë nga zyra për me shkue në shtëpi…

U shkëputa pak, mbasi ky episod ngjanë pikërisht atëherë, kur në Gjimnazin e Shtetit “vlon propaganda antikomuniste”…

Pra, kishin mërrijtë edhe “100 spijunët nga Jugu”, të cilët, përveç librave të Historisë Partisë Komuniste (bolshevike) të Bashkimit Sovjetik, kishin dhe një dhomë nalt në katin e tretë të shkollës me arsenal armësh, përveç armëve përsonale që mbanin në brez për me i përdorë kundër “armiqve të popullit” 15-16 vjeçarë, që shumica ishin edhe të uritun dhe të paforcë për me përballue rrahjet, masakrat e goditjet shtazarake të atyne hamajve katilë e vagabondë nga Skrapari, Devolli e Mallakastra, që kishte sjellë Hilmi Seiti në Gjimnazin e Shkodrës…

Me datën 10 maji 1950 arrëstohen studentët maturantë: Alfons Radovani, Viktor Luka, Et-hem Bakalli, Njazi Uruçi, Mërgim Dani, Nexhip Osmani, Ferit Myftia, Pjerin Vata dhe Gjon Mark Ndoji.

Me datën 11 maji përjashtohen nga shkolla (mbas arrëstimit) në një mbledhje të të gjithë studënteve në palestrën e Gjimnazit. Me datën 12 maji vazhdon lista e përjashtimëve me 78 studentë të tjerë të klasave të ndryshme të Gjimnazit, me motivacionin: “Nxënësi… me nr. Amëze… Është përjashtuar përgjithmonë nga të gjitha shkollat e Shqipërisë, se nuk pajtohet me frymën revolucionare të shkollës sonë të re…”.

Drejtori: (Skënder Villa) d.v…

Fillojnë pushimet verore…

Një pusull e vogël ku shkruhej emni i A.R. nder sofratasat e ushqimeve të tij, aty nga fundi i majit në një sipërfaqe 2X1 cm. katrorë, shkruhej: “Thoni Bepit IK”, kjo, shpëton përjetësisht Bep Vilën, nga arrëstimi i sigurt. Bepi arratiset jashtë shtetit…

Grupi i studentëve fillon hetimet me datën 12 maji 1950, me kryetarin e Degës kriminelin Hilmi Seiti. Mbasi i merr në pyetje të gjithë një nga një i shpërndanë me hetuesit tjerë, Ali Xhunga, Kasëm Troshani, Xheudet Miloti, Hamdi Ulqinaku, etj. kasapë që rjepin lëkura studentësh për tre muej me radhë derisa, nga fillimi i shtatorit në një shtëpi në rrugën Sumej, gjyqtarët dhe prokurorët e Ministrisë së Mbrendshme, shoqnue nga një grup oficerësh “avoketën” terroristë, japin dënimet e “merituara” … tue lagë gojën me vilë rrushi të freskëta të tandës që ishte mbi hajatin e shkallave të asaj shtëpije. (Dosja 2452 Arkivi M.M.Tiranë).

Me këtë grup edhe pse ata kapen tue u arratisë, dënohen edhe studentët Ismail e Olimpi Baruti …  vëlla e motër, të cilët mbajnë qëndrim burrnor. Ismaili dënohet me vdekje por i falët jeta.

Në bazë të hetimëve të bame me datën 12 maji me Hilmi Seitin, grupi duket i paditun, prandej, edhe hetimet janë krejt formale mbasi, me datën 7 maji janë thirrë nga Kasëm Troshani, dy anëtarët e këtij grupi Njazi Uruçi dhe Pjerin Vata, të cilët kanë denoncue gjithshka. Ata mbas 24 orësh janë lirue për me u arrëstue prap me datën 10 maji. Kjo ishte vetëm një lojë për të mbulue spijunët e vet, gja e cila del gjatë hetimit. Pjerini vazhdon me kenë spijun i ndytë deri në vdekje, mbasi në vitin 1968, kur shkon në Tiranë, me u ballafaque me Don Mark Hasin, që ishte i arrëstuem me grupin e klerikëve të Tiranës, kërkon nga hetuesit e Ministrisë së Mbrendshme të asaj kohë, me të cilët njihej që në vitin 1950, nga Ali Xhunga dhe Elham Xhika: “…pushkatimin e këtij kleriku reaksionar…” dhe, ata i paguejnë shpënzimet e udhëtimit 113 lekë (të vjetra), bashkë me biletat e udhtimit që ruhën sot në dosjën nr. 2291.

Në fjalën e fundit të gjyqit të gjithë studentët kërkojnë “mëshirë”, gja që, tregon se ka luejtë dajaku, ndërsa studenti Et-hem Bakalli, thotë: “Kërkoj drejtësi komuniste dhe dashni atnore” (Dosja 2452).

  • Kjo shprehje më dha me kuptue kjartë se mbas vrasjes së Heroit Bardhosh Dani, në Gjimnazin e Shkodrës, ka vdekë edhe lufta kundër komunizmit… PËRGJITHMONË…

 

AT JOSIF PAPAMIHAJLI (1912 – 1948)

ISHTE VETEM 36 VJEÇ… KUR E MBULUEN ME DHÉ PËRSËGJALLI!…

Shqipnia ka një sipërfaqe prej 28.000 km. katrorë; një shtet i vogel mu në qendër të Europës, ku mbas Luftës së Dytë Botnore, kur edhe gjyqi i Nurembergut pothuej i kishte mbyllë proceset kryesore, në Shqipninë e një miljon banorëve të varfën kanë fillue me u krye krimet ma të shëmtueme ndaj Shqiptarëve nga vetë “Shqiptarët”. Pushtimi i Shqipnisë nga sllavo – komunistët në vitin 1944 solli në pushtet një grup anadollak fanatikësh, që kanë me kalue edhe sa kohë dhe vështirë se krimet e tyne antinjerzore kanë me mujtë me u harrue. Disa herë kam shkrue se mbas asaj që këta terroristë kanë krye ndaj Don Lazer Shantojës në hetuesi, tue i sharrue kambët e gangrenizueme me sharrë druevari, vjen mbytja barbare nga katilët e pangopun e Klerikut elbasanas At Josif Papamihajli, ose i njohun nga besimtarët e qyteteve ku ka sherbye me emnin Papa Sifi. Ka lé me 23 Shtator 1912, në vitin e Pavarsisë nga Osmanët, nё Elbasan, një qytet i vjetër dhe shumë të përmendun për brezni të tana intelektualësh Atdhetarë. Tue u interesue per lidhjet e klerit kristjan atje, mujta me gjetë edhe disa të dhana për At Papamihajlin, mbasi kishe ndeshë edhe ma perpara në emnin e Këtij Martiri të Madh të Popullit Shqiptar, atëherë kur pata fatin me njohtë afer edhe jetën e Imz. Jul Bonattit, me të cilin, At Josifin e ka lidhë puna e madhe e Tyne, që mbetёt një “Kujtesë e përjetëshme për Klerin e ardhshëm Shqiptar: Unifikimi i Besimeve tona Katolike e Ortodokse në frymen e Ungjillit të Shejtë”. At Papamihajli u shugurue meshtar me 1 dhjetor 1935, mbasi përfundoi studimet në Kolegjin Papnor Grek në Romë. Erdhi në Atdhé dhe filloi detyrën e vet në qytetin e Elbasanit, ku me një vullnet të veçantë të Klerikut Katolik të rritit bizantin, punon për afrimin e dashninë ndërmjet familjeve tradicionale elbasanase, aqsa edhe sot, atje kujtohet me dhimbje Emni i Tij. Fillon me përkushtim restaurimin e Kishave monumentale Ortodokse në Shqipni, tue krye edhe detyrat e Klerikut të pervujtë, që kultura e Tij universale e ban edhe ma të dashtun e ma të afruem me popullin e vet. Ai ka shërbye edhe në Korçë dhe në Berat. Një Figurë kaq e kompletueme me virtytet e një Shqiptari që kerkon “Dashninë e Atdhetarëve të Bashkuem nën hirin e Zotit”, nuk kishte si të shpëtonte nga thonjtë jo, vetem, të pergjakun të sigurimit komunist, por edhe fanatikë e anadollakë që e arrestojnë me 31 Tetor 1946, me akuza fallso dhe shpifje, që mbesin deri në fund të pa provueme nga qindresa heroike e Këtij vigani të brumoson me edukaten qytetare elbasanase. Të gjitha perpjekjet e sigurimit bahen me mujtë me e lidhë me klerikët Imzot Vinçenc Prennushi, Don Shtjefen Kurti, At Pjeter Meshkalla, Papa Isak, At Palë Dodaj e profesorët e njohun shkodranë Prekë Kaçinari dhe Nikollë Dakaj, me të cilët, pranon vetem “njohje” dhe asgja tjeter, që mund ti perfshinte të gjithë bashkë në nenet e kodit penal “antikatolik” të shtetit komunist shqiptar… Që “kodi penal” ishte i tillë, e verteton arrestimi i vllajt të vogel të At Papamihajlit, me emnin Kostaq, i datlindjes 1919, i pushkatuem në vitin 1952, vetem se “ky është vëlla i armikut të popullit, klerikut të poshtër At Josif Papamihalit” (Dosja 4802, Arkivi MPMbrendshme, Tiranё, 1998). At Josif Papamihajli “per mungesë provash” u dënue nga Gjykata Ushtarake e Korçës, me 5 gusht 1947, “5 vjet heqje lirije dhe punë të “detyruar”…”. Edhe pse torturat ishin ma të mnershmet, Ai mujti me i perballue tue mbetë një nga Martirët ma të paster e tё panjollosun nder dosjet e sigurimit barbar komunist.  Urrejtja e atyne organeve terroriste nuk do të mbyllej vetem deri këtu, po do të vazhdonte ashtu si me shumë tjerë ma parë!…

Dërgohet në kampin e “punës së detyruar” të Maliqit të Korçës, ose siç, e kanë quejtë Ata, që mujtën me mbijetue në atё vend zhdukje, “kampi i shfarosjes komuniste” …i tipit gulagëve të Stalinit, pa i lanё asgja mangut atyne. Atje kanë përballue tmerret e komunizmit gjakatarë vetem Ata, që mujtën mos me u ligshtue shpirtnisht e fizikisht, mbasi “dishprimi dhe vetvrasja” ishin të përditshme. Mundi, lodhja, urija, etja, pislleku i parazitëve dhe lidhja për shtyllë e rrahja ma barbare deri në vdekje ishin të papërshkrueshme nga ata që nuk i kanë pa e provue. Njerëzit e pranguem liheshin me dit e net të çveshun në piken e acarit të dimnit jashtë në akull, borë e shi pa asnjë mbuloje…të lidhun per trup, kambë e dorë… tek shtyllat e torturave; ka pasë njerëz që nuk u dhanë as ujë me pi derisa kanë mbetë fare pa ndjenja, ndërsa për supen e qelbun me ujë kënete as nuk bahet fjalë…me ditë të tana. Të gjitha këto unë i di nga i mbijetuemi i atij kampi Paulin P. Prennushi, për të cilin, ma vonë ka shkrue At Zef Pllumbi, mbasi kur e kanë sjellë gati të vdekun në Shkoder dhe kanë shkue në burgun e madh me e takue dy motrat dhe e shoqja… ato kanë pritë tek hekurat disa minuta kur po e sjellin Paulinin në takim… Ai kishte humbë zanin dhe këto nuk ju pergjegjëshin thirrjeve të mekta të tij, mbasi në ftyrë as nuk e njihnin edhe pse e kishin para syve të kapun per hekurat e vendit të takimit…në atë burg mizorë… Kështu i ngjau dhe At Josif Papamihajlit, që, edhe Ai një ditë vjeshte… nga mundi e lodhja u rrëzue në balten e asaj kënetë të Maliqit, prej ku nuk mujt me u çue ma!… Me daten 26 Tetor 1948, në moshen 36 vjeçare…At Papamihajli kishte ra perdhé. Policët urdhnuen me e mbulue me dhé… ndërsa, At Josifi, kuptohet, ishte endè gjallë…

E ndoshta, ashtu i gjallë…i ramë permbys në atë baltë mizore…

Ishte Shpirti i Tij… qё dëshmoi, se: “Ai mbet i Pavdekshem”!

INJAC BAQLI

Ka lé në Shkodër në vitin 1915. Ishte nëpunës në Bankën e Shtetit Shqiptar në Shkodër. Një burrë i madh dhe i shëndetshëm, kuqlosh, me flokë kaçurrela, gjithmonë i mbajtun dhe i kërpitun. Dukej edhe ma i pashëm se ishte mbasi gjithmonë shihej i buzëqeshun. I njohun ndër rrethe të ngushta për humor të hollë. Paraqitja tregonte një intelektual të mirfilltë. Nuk e kam njohtë afër, po dij, se, kishte miqësi të madhe me Prof. Gaspër Ugashin mbasi kishin edhe kumbari.

E shihshe shpesh nga Dugajtë e Reja mbasi andej kalonte me shkue në punë, në bankë. Më pat lanë një mbresë ndër ato ditë që nuk e pashë ma: Më kujtohej thanja e malësorve: “Mos me pasë shka me i ba as pushka!” por, kjo thanje ishte para se të njihej në Shqipni komunizmi.

Até që të ban komunizmi, nuk ta ban as pushka!

Injac Baqli me datën 22 dhetor 1952 arrëstohet nga Sigurimi i Shtetit. I kontrollohet shtëpia dhe në arkën e nanës gjindet një revolver.

E mjaftueshme me fillue ndjekja penale. Kur fillon hetimet, duket, sikur çështja rreh nga armbajtja pa leje, por nuk asht ashtu! Nana e Injacit merr përsipër se revolverin ia ka lanë me e ruejtë avokat Paulin Pali, para se të tentonte me u arratisë, mbasi ai ishte nipi i sajë. Hetimet fillojnë me 26 dhjetor 1952. Gjatë zhvillimit të proçesit çështja e revolverit sa vjen e ngatrrohet. Marko Markoja, ish kryetar i lagjës atëherë, deklaron: “Injaci ka pasë një revolver të bukur në kohën e Italisë që e mbante në brez dhe me sa kujtoj unë, ky revolver që asht këtu, nuk më duket se asht revolveri që ka pasë Injaci.” Krijohet mundësia e kenjes së një revolveri tjetër tek shtëpia e Injacit. Kontrollohet shtëpia së dyti por nuk gjindet gja. Injaci pranon se revolverin që kishte në kohën e Italisë e ka dorëzue kur janë dorëzue armët, prandej, ai që kujton Marko nuk asht në të vërtetë ky që asht këtu, mbasi ky nuk asht i emi. Hetuesi, nën/toger Fahri Kraja tue u ndodhë para një kokforti, fillon kërkimet në pistën e “agjitacionit e propagandës kundër Pushtetit”, pistë shumë e njohun ndër hetuesitë komunistë, me të lanë mbrendë edhe pa asnjë fakt.

Një listë rreth 80 vetësh janë përsonat me të cilët ka bisedue Injaci. Aty rreshtohën të gjithë banorët e lagjës simbas rënditjes së dyerve të oborrit, kryetari i lagjës, antarët e këshillit të lagjës, sekretari i patisë, shokët e punës, ish shokët e shkollës, plakat e mahallës që rrinin në darkë ndër stola tek dyert e oborrit etj.

Hetuesi ndigjon me vëmendje sësi po “zbërthehej” Injaci, por kur e pyet se shka janë gjithë këta emna, Injaci përgjigjet: “Ju më pyetët me kë ke folë, unë, ju tregova të gjithë njerëzit që përshëndes e flas me to përditë”. Ironia e Njacit zemron hetuesin…

Nuk ishte e thjeshtë puna në financë. Njëherë në fillim kur njerëzit fillonin punën dukej, sikur, këta përsona ishin të privilegjuem, por në fakt mungesat e mëdha të kuadrit patën lejue që disa përsona me hy në punë në mjaft ndërmarrje si financierë. Kur filluen me dalë disa kuadro që ishin ma të besueshëm se ata që u morën për nëvojat e tyne, atëherë, u mendue zëvendsimi i kuadrit të parë. Në shumë raste shkarkoheshin nga puna për shkelje ligji, sëpse ligjët ndryshonin përditë. Por, kur kishin të banin me njerëz të respektuem, atëherë, vëprohej ndryshe. Rastët në Shkodër nuk kanë kenë të pakta, p.sh. Kel Abati, edhe ai nëpunës në bankë, dihët se asht pushkatue vetëm nga ndonjë përson që donte eleminimin fizik të Kelit. Po kështu asht veprue me Zef Darragjatin e Çezar Shllakun, që mbasi janë dënue me pushkatim për “difiçit”, në fund të kërkesave për falje jete, shënohej: “… rrjedhë nga një familje që nuk e don Pushtetin, prandej t’i epët dënimi kapital … etj.” si, në rastin e Zef Darragjatit, që ruhët edhe sot shënimi i Aranit Çelës. Si duket, kjo po ndodhte edhe me Injac Baqlin, edhe ky ishte kushrini i avokat Paulin Palit, pak vite ma parë i mbytun në Sigurim. Ishte edhe kushrini i At Aleks Baqlit, i arrëstuem si Françeskan e i dënuem me shumë vite burg.

Me datën 4 mars 1953 mbas katër muejsh në hetuesi, hetuesi njofton kryetarin e Sigurimit të Shkodrës, kriminelin Hilmi Seiti:

“I pandehuri Injac Baqli nuk nënshkruan proçesin”. Me datën 22 maji 1953 Injaci shënon në fund të një proces-verbali: “Nuk jam dakord me përmbajtjen as si formë, mbasi nuk janë thanjet e mija. I pandehuri: Injac Baqli d.v.”. Gati mbas një viti në tortura, nga fundi i vitit 1953, asht Petraq Janko që nxjerr hetuesin nga situata, tue deklarue se në vitin 1952 Injaci, ka dashtë me u arratisë me Petraqin. Madje, kanë ba plane dhe pergatitje për këtë qëllim të dy bashkë.

Përveç arratisjes, Petraqi, ngarkon Injacin dhe me biseda politike, tue paraqitë Injacin si një person të paknaqun nga Pushteti etj. Akuzat sa vijnë e randojnë çështjen. Injaci vazhdon me qëndrue i vëndosun në mohimin e të gjitha thanjëve të Petraqit. Hetuesi organizon një ballafaqim me hjekë Injacin duarsh. Petraqi përsëritë akuzat përballë Injacit tue vërtetue me firmën e tij proçes-verbalin. Injaci deklaron: “Në kjoftë se del kush dhe provon tue me thanë ndër sy, se janë të vërteta thanjët e Petraq Jankos, pranoj pa asnji kundërshtim edhe dënimin kapital. Kjo asht arësyeja që nuk firmoj proçes-verbalët, mbasi nuk asht asgja e vërtetë për shka akuzohem”.

Injac Baqli d.v. (Dosja nr. 1989)

Hetuesi Fahri Kraja pergatitë akuzën: – Injac Baqli ka dorëzue armën e vet, ndërsa kjo që asht gjetë ka qenë e Paulin Palit, kushrinit të tij (i pushkatuar).

– Ka qenë spijun  në shërbim të fashizmit.

-Ka folë kundër Pushtetit Popullor, sëpse ka pikëpamje armiqësore.

Akuzat e sipërme vërtetohën edhe nga thanjet e dëshmitarëve: Zef Berdica, Pashko Shoshi, Ndoc Deda, Marko Marko, Petraq Janko.

Poshtë dokumentit shënohet:

Pëlqehet: N/kol. Hilmi Seiti d.v.

Pëlqehet: Kryetari Degës hetuesisë (N/kol. Nëvzat Haznëdari)d.v.

Pëlqehet: Komandant i Rep. 2111 (Dhimitër Gjoni) d.v.

Trupi Gjykues i Gjykatës Ushtarake Shkodër, i përbërë nga: Kryetar, Faik Spahija, antarë: Rexhep Haxhiu e Marko Dëmiri dhe prokuror Njazi Zjarri, japin vëndimin ndaj të pandehurit Injac Baqli, me 6 vjet heqje lirije.

Gjykata e Naltë Tiranë, vendos përsëritjen e gjyqit, mbasi proçes-verbalët nuk janë firmuar nga i pandehuri Injac Baqli. Përsëritet gjyqi me datën 18 koriik 1953, tue shënue: “… për krimin e armbajtjes (revolver gold amerikan, me 5 fishekë) deklarohet i pafajshëm. Akuzat tjera mbesin…

Me datën 29 janar 1954 Injaci ban këtë kërkesë: “Kërkoj prishje vëndimi dhe rikthim aktësh për rishqyrtim dhe rigjykim. Injac Baqli d.v.”.

Prej datës 22 dhjetor 1952 e deri më 29 janar 1954 vazhdonin proçes-verbalet tue u sjellë sa andej këndej ndër dosjet e Seksionit katolik në Degën e Mbrendshme të Shkodrës dhe, në podrumet e mëshefta të Ministrise së Mbrendshme në Tiranë.  Vazhdohej vetëm tue shënue “pëlqehet” nga kriminelët e pashoq Hilmi Seiti, Nevzat Haznëdari e Fahri Kraja me shokët e tyne. Mjaftonin çpifjet me torturue të pafajshmit dhe çështja vazhdonte pafund… Nga përdorimi i elektro-shokut Injaci, u keqsue me shëndet. Zemra nuk duronte ma. E dërgonin formalisht në podrumet e spitalit civil të Shkodrës, por përgjegja e mjekëve ishte: “Pse e sillni kot  përderisa ju vazhdoni punën tuaj”?

Infermjere Angjelina Martini më tregonte, së si njëditë, tue mos pasë jastekë me e mbështetë mbasi Injacit po i merrej fryma, u ula në shtratin e tij dhe e mbështeta për parzmin tim. Zemra e tij e shkatrrueme nga torturat donte me dalë nga kafazi i krahnorit, kur jepte ndonjë rrahje si shenjë jete. Ishte në agoni, vetëm më shtërngonte dorën me të cilën u mundoja me e qetsue tue i fërkue gjoksin. Ai fliste me një shok të tij Mikel Gulin, me të cilin i dukej se po lonin pokër. Dikur, ra në njëfarë qetësie dhe dha Shpirt. I bana Kryq e dola nga dhoma. Erdhën dy policë dhe ashtu të mbështjellun në batani e çuen në dhomën e të vdekunve.

Mora vesht se e kishin nisë për Tiranë.  Atje, e kishin dërgue në morg dhe simbas një dëshmisë Dr. A. D., që atëherë ishte student në fakultetin e mjeksisë dhe, tashti asht mjek në Shkodër, Injac Baqli asht coptue nga studentat për studim, mbasi ai e ka pa me sytë e tij kokën e Injacit, të cilin e njihte shumë mirë. Kështu, u mbyll edhe dosja nr. 1989, me shënimin “pëlqehet” Nën/kol. Hilmi Seiti d.v., një kriminel i regjun dhe i pangopun me gjak shkodranësh, viktimë e të cilit, asht edhe Martiri Injac Baqli.

TRIMI MARTIN SHELDIJA

Ish oficer me origjinë familjare nga Sheldija e Shkodrës. Në vitin 1915 ka krye tri vjet në gjimnazin e Jezuitve, mandej në 1917 ka krye një vit kurs ushtarak në Austri. Në vitin 1942 ka kenë në Çorovodë oficer me gradën toger në polici. Deri atëherë ishte mësues. Në prill e deri në korrik të vitit 1944 ishte Komandant i gazermave të Tiranës. Në muejn korrik vjen në Shkodër dhe punon me Mato Muratin, deri në nandor të atij viti. Me datën 20 nandor 1944 bashkë me policin Gjon Ganjolla shkojnë në Sheldi, mbasi “nuk do të vonojnë dhe do të zbarkojnë anglezët”.

Ishte vllai i Dr. Sheldisë, një mjek i zoti dhe burrë i nderuem në inteligjencën e njohun shkodrane. Në Sheldi takohet me Kol Ashikun dhe bashkë me Shuk Gjokën dalin në mal me vazhdue rezistencën kundër komunistëve. Disa ditë kalojnë në shtëpinë e Shuk Nushit e Simon Kolës. Prej aty bashkohën me Gjergj Vatën, Zef Mirashin, Don Alfons Trackin, Ndoc Jakovën, Zef Agostinin, Kol Mark Tomën (që asht kapë i gjallë pa ndjenja, nga plagët e marruna në një përpjekje), etj. gati 20 vetë që jetojnë në një shpellë në Stenë, nën Kishën e Shllakut. Fatin e keq të Kol Mark Tomës e ka pasë edhe Kol Ashiku, i cili në një përpjekje me Ndjekjën lufton derisa i mbarohen fishekët, në fund nxjerr nagantin dhe me katër fishekët e fundit tenton me vra vehtën. Mbeti pa ndjenja nga hemoragjia dhe kapet nga Ndjekja. Mbasi e mjekojnë e torturojnë si rrallë njeri dhe e pushkatojnë.

Ndër të pakët njerëz që kanë mbijetue nga ky grup heronjësh asht kenë edhe Loro Vata, i cili ka vdekë në vitin 1999. Ishte mjaft në moshë por me një kujtesë të mbrekullueshme. Kam pasë fatin me ndejë disa herë me té dhe me ndigjue shumë nga veprat heroike të atij brezi njerëzish që nuk ju tutej syni. Tregonte pak gjana për vëllain e tij Gjergjin dhe aspak për vedi. Një modesti pak ma shumë se duhej mbasi unë dishroja me dijtë edhe për Loron, që për fat të keq pothuej, nuk di asgja, mbasi thashë se fliste pak e aspak për vehte. Fliste me respekt për Palinën që u kishte çue bukë e duhan në shpellë dhe po me aq nderim kujtonte sakrificën e Lena Prendushit, nusja e nipit Palinës (nuk gabohem, emni i burrit të sajë ishte Gjon Puka). Kjo, tregonte Loro, na ka shpëtue jëten se kishte vërejtë se jemi të rrëthuem, e kishte thirrë: “Delni burra, se ju kapën”.

Martini bashkë me Gjergj Vatën (me pseudonimin “Cukali”), përpilojnë një letër të cilën e shkruen Tracki për mikun e tij Don Pjetër Tushën në Juban, ky me ia dërgue Imzot Vinçenc Prennushit në Tiranë, për misionet Perëndimore. Imzot Vinçenc Prennushi në proçesin e tij nuk pranon se e ka marrë këtë letër. Ndoshta kështu asht e vërteta, tham ndoshta, mbasi Imzot Prennushi me pranue se e ka marrë këtë letër do të implikohej me të arratisun, gja që do të randonte shumë akuzën kundër tij. Nëse Imzot Prennushi e ka çue deri në fund porosinë nuk kishte nevojë me ua tregue zorrët e barkut hetuesisë në Sigurim. Gjergji e Martini e përsërisin prap letrën më 4 janar 1946, por me ton ma të fortë. Këtë herë në drejtim të Don Shtjefën Kurtit, po në Tiranë, për misionet e hueja ku ndër tjera shkruajnë: “… tue mos dashtë me iu shtrue terrorit të Enver Hoxhës, kemi marrë malët. Na do të vazhdojmë përpjekjet për liri…. t’arratisunit e Veriut, të organizuem në çeta për t’i dhanë grushtat e fundit qeverisë terroriste që, si këtë nuk njofti historia”. Martini vazhdon rezistencën ndër male deri në vitin 1949. Me 12 mars 1949, mbas shpalljes së anmistisë “për faljën e jetës së atyne përsonave që dorëzohën”, dorëzohët dhe i shtrohet hetimëve. Ai deklaron: “Mbas vrasjës së Gjergj Vatës që e kishim si komandant, prej Prelë Nikës, edhe ky i arratisun dhe i ardhun diversant nga Jugosllavia për këtë qëllim, humba çdo shpresë për me vazhdue me qëndrue ndër male. Trathtia e vrasjës së Ludovik Saraçit më 11 janar 1948, tek Përroji i Gjadrit, më dha me kuptue se asnjë ndërhymje nga jashtë nuk ka ndër mend me u ba në Shqipni. Të gjithë ata që na premtuen, vetëm na rrejtën mbasi në një mënyrë apo në një tjetër, ata e lanë me u forcue rregjimin e Enver Hoxhës, tue vra e zhdukë të gjithë kundërshtarët që ishim ndër male. Kështu që e pashë se ishte kot me vazhdue…”, (Dosja 1417). “… Shaban Abdullahi e Zyber Hysejni nga Rragami, na kanë njoftue për Lëvizjen e Postribës. Ata ishin në Rragam e Kryethi, Tish Pashuku në Sheldi, Shuk Gjoka në Ganjollë, Spathar e Juban. Jemi mbledhë në Juban, kemi ra nga livadhet e Shaban Matit dhe jemi nisë me i ra Shkodrës bashkë me Pjetër Dedën, që ishte në mal bashkë me gruen e tij. Tek Ura e Kirit kemi shkrepë pushkët, e pamë së nuk asht gja dhe kemi ikë edhe njëherë andej…”. “…unë lajmin për me sulmue Shkodrën e kam marrë më 8 shtator 1946”. “Luftën e Postribës e ka fillue Seit Duli të fusha e aeroplanave…”. “Nuk mbaj mend ku jemi përpjekë me forcat e Ndjekjës, mbasi janë kenë të shumta, as nuk dij ke kemi vra mbasi shpesh përpjekjet baheshin natën. Mbasi prante pushka nuk rrinim me pa të vramit por çanim rrëthimin dhe ndrronim vend, mbasi Ndjekja shtonte forcat kundër nesh. Na kemi luftue kundër jush, mbasi për mue ju jeni shtet terrorist”. Kështu, deklaron Martin trimi në hetuesi. Më 4 tetor 1949, Gjykata e Naltë Ushtarake e Tiranës me kryetar nën/kol. Bilbil Klosin, aprovon vëndimin për Martin Sheldinë “me dënim të përjetëshëm në burg”. Ministri i Mbrendshëm Mehmet Shehu shënon: “…t’i jepet dënimi i përjetëshëm edhe pse nuk e parashikon neni 28. Të aplikohet tek 32, mbasi duhej me vdekje. Martin Sheldija ka rrezikshmëri shoqërore shumë të theksuar”. Tiranë, 29 qershor 1949, Ministri i Brendshëm  (Mehmet Shehu) d.v.

***

Ky motivacion i kriminelit Mehmet Shehu që nuk zbaton ligjin e anmistisë tue e dijtë mirë se neni 28 nuk e parashikonte këtë dënim, kërkon aplikimin e nenit 32, mbasi duhej me vdekje, e ndjekë fatkeqin Martin Sheldija gjithë jetën. Martin Sheldija dërgohet në burgun famkeq të Burrelit.  Atje ai kaloi gjithë dënimin mbasi dosja ka edhe datën e lirimit nga ai burg: Burrel, 14 shkurt 1966.   Dokumentat e Martinit janë pasqyrë e kjartë e pabesisë së katilit Mehmet Shehu. Pabesinë këta mizorë e kanë fillue ndër male tue vra shoqi-shoqin dhe tue i ba të nesërmen “dëshmorë”. Vepra e tij tradhëtare nuk asht varrosë me kufomën e tij të përdhunueme, ashtu si e ka meritue ai “komandanti legjendar i Brigadës I Sulmuese”, që atë shka i bani shqiptarëve për 50 vjet e gjeti nga “shokët e armëve”, ashtu si shumica e komunistëve dhe ua la trashigim “brezave të rinj” komunistë, të cilët, po i qëndrojnë besnikë idealeve të tyne … deri një ditë. Dosja e Martinit, e këtij martiri që mbijetoi për aq shumë vite në një ndër burgjet ma të mnershme të diktaturës komuniste asht shembull i qëndresës së patundun të këtij atdhetari, që për aq kohë të gjatë nuk bani asnjë lutje për lirim të parakohshëm. Qëndrimi burrnor i Martinit ishte shkaku kryesor që më shtyni me pa dokumentacionin dhe asgja tjetër. Asht e vërtetë se ka pasë shumë si Martin Sheldija, por ka pak e aspak nga ata, që duhet të kërkojnë me kujtue me nderim e respekt shokët e Martin Sheldisë.

***

  • Anglezi A. Glen, shkruan: “…Ato që i përcaktuan ngjarjet kanë qenë armët, të cilat iu dhanë Enver Hoxhës, e partizanëve… Ne bëmë shumë pak me u shpërblye besnikrinë miqve tanë (nacionalistëve e Abaz Kupit). Në vend të kësaj, pa qenë nevoja na lejuam që ata të mundëshin dhe disa të trathtoheshin”. (“Albania’s National Liberation Struggle” fq. 363).
  • Për mue ma i sinqerti asht Lokharti, i cili, po aty shkruan: “Shqipëria është në fund të listës për prioritetët tona në Evropë”, (faqe 68). Aty asht e shkrueme edhe një porosi e dhanun prej tyne në vitin 1943: “Shërbimi më i madh që mund t’i bëni armikut në vendi tuaj, është që të nisni… një luftë civile“. ●Edhe këtë e kemi ba!… Madje, asht e vetmja porosi, që jemi edhe sot… tue e vazhdue!

 

DON DEDË MALAJ

“E Premtja e Zezë në Shqipni ka fillue më 29 nandor 1944 dhe ka me vazhdue derisa, të mbarojë komunizmi”. (1959).

Rigonte pak shi.

Altoparlantët e rrugëve të Shkodrës ishin të lidhun me kinema “Republika”. Transmetohej gjyqi i “armikut të popullit” Don Dedë Malaj, me grupin e tij. Ishte data 24 prill 1959. Fillimi i gjyqit gati nuk merrej vesh prej duertrokitjesh dhe virrmave si në 1945-46, nga gjeneralët e oficerët e naltë të Ministrisë së Mbrendshme të ardhun nga Tirana për këtë gjyq, nga servilët dhe rrogtarët e komitetëve, si dhe nga një mori agjentësh në sallë e jashta sallës të shpërndamë në katër anët e Shkodrës, për me vërejtë si po reagon populli ndaj këtij gjyqi aq shumë të pritun.

Hymja në sallën e gjyqit e gjeneralit kriminel Hilmi Seitit bashkë me ambasatorin jugosllav u përshëndet nga të pranishmit si ngjarje me rëndësi të madhe, për mardhanjet “e mira” mes dy vendëve tona e, në mënyrë të veçantë, kur bahej fjalë për Klerin Katolik. Porsa, filloi gjyqi prokurori Rapi Mina, mbasi lexoi akt-akuzën e përgatitun me aq kujdes ju drejtue të parit kryetarit të grupit Don Dedës, me këtë pyetje: “Që, kur, je armik i komunizmit?”, në sallë ra një heshtje…

Don Deda iu përgjegj: – “Qysh se jam kenë 9 vjeç pikërisht, atëherë, kur kam shkue ndër bankat e shkollës së mësuesit tem Don Alfons Tracki, aty mora vesht prej tij këtë emën dhe prej asaj ditë nuk kam dashtë me ia ndigjue zanin kurrma komunizmit. Gjithë jetën e kam urrejtë dhe kam punue me të gjitha forcat e mija, aqsa më ka lejue Feja kundër tij.” (Dosja D.D.Malaj)

Ushtima dhe duhija e fjalës së Don Dedë Malaj, ra si një ortek në atë sallë gjyqi, me turr e gjamë, e rrebtë si rrëfeja që zbriste tue shkrepë shkëndia nga Selca e Kelmendit, nga gjiu i Bjeshkëve të Nêmuna, ku gurgullon qumështi me shkumbë e gjak përzi e, ku, nana Lulë, përkrah burrit të saj Keq Lucës (Malaj), që i vringëllonin armët ndër mote e që, më 16 nandor 1917 i kishin falë Shqipnisë një vigan drangue malesh.

Ndërsa, At Konrrad Gjolaj po të njajtës pyetja, i përgjegjet: “Qysh se fillova me marrë mend ndër bankat e shkollës së Don Alfonsit kam kuptue shka asht komunizmi dhe, prej asaj kohë nuk kam dashtë me ia ndigjue emnin. Kurrë nuk e kam dashtë atë ide”!

Nuk ishin vetëm këta dy burra po ishin një grup burrash që nuk u trembej syni e nuk i lonte çerpiku përballë kriminelëve, që nuk janë ngopë asnjëherë me gjak malësorësh e trimash të atyne visëve krenare. Ndër ato banka qëndronin me ballin nalt vëllaznit Lazër e Gjon Simon Parubaj, Vlash Zefi e Gjeto Luc Budashi. Ndërsa, në një qoshe strukej si langue Lulash Toma.  Në Shkodër nuk bisedohej tjetër veç për këtë gjyq, që kishte fillue e shumë vetë nuk besonin se janë tue ndigjue me veshë atë shka asnjë njeriu nuk i shkonte në mend se mund të flitej. Cili mujte më folë kundër Bashkimit Sovjetik? Kush mujte me tregue se shka ka ba Stalini për me formue kolkozët? Kush mund të fliste për hekrat e ndryshkun që sillnin sovjetikët në Shqipni, të bojatisun sipër  tue u krenue për “ndihmën e madhe”, që po i jepnin Shqipnisë? Kush, deri atëherë kishte mujtë me folë se ku shkojnë mineralet e metalet e nëntokës shqiptare, dhe kush e merr valutën e tyne? Cili ka mujtë me u thanë fshatarëve hyni ndër kooperativa se ky sistem të qet fare mos me iu bindë urdhnave dhe ligjve të tija? Kush ka mujte me folë për punën, mundin, djersën e fshatarit dhe të punëtorit e për shpërblimin që paguen shteti? Kush ka mujtë me i thanë Enver Hoxhës, e klyshve të tij se, ju, jeni shfrytëzuesit ma të egjër të mundit dhe djersës së popullit shqiptar që njeh historia? Kush ua ka përplase ndër sy terroristëve komunistë se, ju, kërkoni me më pushkatue vetëm e vetëm se jam Prift Katolik dhe asgja tjetër, mbasi unë as nuk jam trathtar i atdheut dhe as spiju i popullit tem?

Na dukej andërr, po ishte një e vërtetë! Fliste Don Dedë Malaj! Nuk i lente gja mangut as miku i tij At Konrrad Gjolaj… Me datën 27 prill 1959, Kryetari i gjyqit Mustafa Qilimi, dha vendimin:    Don Dedë Malaj, me vdekje, me pushkatim. At Konrrad Gjolaj, me 25 vjet burg. Lazër Simon Parubaj, me 20 vjet burg. Gjon Simon Parubaj, vëllau i Lazrit, me 10 vjet burg. Vlash Zefi me 15 vjet burg. Gjeto Luc Budashi me 10 vjet burg dhe Lulash Toma me 5 vjet burg.

Atë mbramje, kur doli nga gjyqi Don Deda, e hypën në një kamjon “zis”, një turmë policësh e ulën galuc. Ndërmjet dy rrypave të drrasës mbi spondë kujtoj, dy sytë e tij të bamë kuq. Nuk shihej as e bardha e as bebja e synit e kaltërt, vetëm dy njolla gjaku që asnjëherë nuk mund ti harroj …

Me datën 12 maji 1959, u ekzekutue vëndimi. Don Dedë Malaj u pushkatue në një fushë buzë liqenit të Shkodrës. Pra, 14 ditë para vizitës së Nikita S. Hrushovit në Shkodër!..

Për fat të keq nuk kam pasë mundësi me lexue fjalën e fundit para pushkatimit.

Me datën 10 tetor 1991, asht ba rivorrimi i eshtnave të tij në vorret e Sukave të Dajçit të Bregut të Bunës, të famullisë ku ka shërbye, me pjesmarrjen e mija e mija fshatarëve të atyne krahinave dhe të shumë qytetarëve të Shkodrës, që nuk e kishin harrue gjyqin e tij historik.

Fjalën e rastit me lot për faqe dhe me ndërpremje të shpeshta përmallimi e ka mbajtë shoku dhe miku i paharrueshëm i Tij, deri në ditën e fundit të jetës At Konrrad Gjolaj. Fjala e tij u mbyll kështu: “ …Ti ishe lajmëtar i fjalës së Krishtit! Armiqtë Tuej me britma e virrma që kanë me i ndjekë edhe përtej vorrit, kërkuen me mbulue vrasjën Tande të pafajshme, në atë breg liqeni…

Nuk pat kush me të mbulue atë gjoks të zgaqun dhe të shpuem me plumba prej dorës mizore të tyne, veç, atë nade, herët, ra si vesa avulli i gjakut Tand mbi Ty, o i bekuem! …”

Në vitin 1997, At Gjolaj, botoi librin “Çinarët”, vepër të cilën ia kushton: “Misionarit prej Breslaut, Mësuesit tonë në Velipojë, Don Alfons TRACKIT. Shokut e Mikut të përjetëshëm Don Dedë MALAJ”. Kur kam mbarue daktilografimin e këtij libri dhe ia dorëzova At Konrradi, më pyeti: “Po, parathanja ku asht?”, unë nuk kishe marrë parathanje me materialin që më kishte dorëzue. Ai, me buzë në gaz dhe me ton të premë më tha: “Parathanjën e due prej teje!”. Unë, kam hezitue pak çaste, mandej, pranova. Në vitin 1998 mbasi pata rasë me pa në arkiv dosjët jam takue me At Konrradin, dhe e kam përgëzue për saktësinë e fakteve që ka shkrue mbas aq shumë vitësh në librin e tij “Çinarët”.

Kjo asht arësyeja që në këtë material që kam shkrue unë nuk jam zgjatë në shpjegime të hollësishme, mbasi në librin e At Konrradit, asht gjithshka e plotë dhe e saktë, megjithse, At Konrradi nuk ka pasë në dorë asnjë material arkivor, përveç kujtesës së tij të mbrekullueshme, mendjës së hollë dhe dashnisë së pakufi për mësuesin dhe shokun e vet.    E vetmja gja që më ka ra në sy në shtjellimin e këtij proçesi asht kenë dëshira e madhe e Sigurimit të Shtetit me zhdukë këtë person. Pse u punue kaq shumë vite kundër Don Dedës e At Konrradit? Ku fillon mënia e shtetit kundër Don Dedës? Urrejtja e Sigurimit të Shtetit fillon në vitin 1950, me qëndrimin e tyne të vëndosun dhe kundërshtar ndaj kërkesës së vjetër të shtetit, për nënshkrimin e Statutit të Kishës Katolike Shqiptare. Lidhja e Don Dedë Malaj, At Konrrad Gjolaj, Don Ejëll Kovaçit, At Zef Saraçit, At Marin Sirdanit etj. me Don Kolec Prennushin, për mos me aprovue nënshkrimin e këtij Statuti dhe mënyra sësi këta e kanë kundërshtue haptas atë, ka hapë menjëherë dosjen konsultative të Sigurimit: “Çfarë dhe si duhet të veprojmë për t’i zhdukur këta klerikë”?  Mbas nënshkrimit të Statutit në vitin 1951, përveç tre të parëve që nuk kanë firmue, në konferencën e Paqës në Tiranë në vitin 1952, nga Sigurimi u përcaktuen edhe klerikët që ishin në kapërcyll, as andej as këndej. Ata që nuk u bashkuen me turmën as në këtë konferencë edhe pse kishin firmue Statutin mbetën armiqë, shumica e të cilëve përfundoi në burgje e kampe interrnimi.  Deri në vitin 1956 duket, sikur ka një qetësi!… E vërteta asht ndryshej! Nuk kishte sesi të dënohej kulti i Stalinit tue pushkatue Priftën! Mardhanjet me Bashkimin Sovjetik kishin marrë ngjyra të tjera mbas vdekjës së Stalinit. Hrushovi kërkonte mënyra tjera qeverisje. Ai punoi që diktaturën stalinjane me e zëvendsue me asfiksimin e armiqëve të tij. Nuk ishte për pushkatime por për vdekjen e natyrëshme të imponueme me mjete “paqësore”, me “izolime” ose… Edhe satelitët e sovjetikëve do të mbanin qëndrime të “moderueme” si padroni. Kuadri i rij që i nëvojitej klerit, tashti merrëj nga bankat e shkollave socialiste ku filozofia marksiste-leniniste kishte pushtue edhe mendjet e njerëzve në skutat ma të largëta të vendit. Dukej kohë zbutje, por në të vërtetë ishte kohë grumbullimi energjie për ofensivën përfundimtare, për atë që kmunistet e moderuem e quajtën “triumfi i plotë” i sistemit socialist.

Në vitin 1956, arrëstohet At Rrok Gurashi, një “dhelpën e vjetër” (siç e quen At Çiprian Nika) që në grupin e klerikëve në 1946, kur u ka dalë dëshmitar të gjithë shokëve të vet.  Tregohet si anekdotë, kur njëditë nade po veshej e rregullohej At Rroku, Don Ejëll  Deda, edhe ky në burg me të, i thotë: “A po bahësh gati me shkue me rrejtë edhe sot Padër Rrok?”… Kam lexue proçes-verbalin prej 67 faqesh që At Rroku, ban për disa ditë në hetuesi, këtë radhë me Xheudet Milotin. Xheudeti ishte shefi i Seksionit Katolik në Degën e Mbrendshme të Shkodrës. Ishte ndër specialistët e torturave çnjerëzore, katil i përgatitun për Klerin Katolik. Ka pasë dëshirë me tregue se urrej katolikët në përgjithësi. Këtë e ka tregue me hetimet që ka krye kundër tyne. Kujtohet nga shkodranët kur ka arrestue At Pjetër Meshkallën, dhe mënyrën si i ka ra shtjelm tue e shtye me e futë në gjipsin e Sigurimit në 1967. Mbas vrasjës së gjeneralit tij “të dashtun”u trasferue në Ministrinë e Mbrendshme në Tiranë dhe mbas vitit 1990, për këtë kontribut “të vyer” kundër Klerit Katolik, me ndërmjetësinë e Sofokli Lazrit e Spiro Dedës, edhe këta “miqë të klerit”, i gjejmë në shërbim të “Caritas-it”, në Romë!…

Proçesi i At Rrokut për mue ka një rëndësi të madhe mbasi aty asht folë nëpër gojën e At Rrok Gurashit, krejt projekti i vëprimëve të ardhëshme të shtetit komunist, si gjithmonë, me dorën e Sigurimit të Shtetit. Të duket fantazi në leximin e parë por kur vazhdon me kujtue ngjarjet e ndodhuna mbas atij proçesi, rrjedhëshmëninë e tyne, kohën dhe lidhjet e atyne ngjarjëve njena me tjetrën, përsonat e ngarkuem me ato shpifje e rrena tue u pushkatue, sa të tjerë, me vite të tana ndër kampe shfarosje, të bahët me mendue “mos jam në andërr”! Jo, jo, aspak në andërr, por zgjandërr, madje, edhe të zbatueme me përpikmëni ato trillime që ndoshta, kur i ka shprrallue At Rroku, asht kenë edhe me tas çaji e tue ndukë cigare. Shpesh, përsëritë: “… kam harrue me thanë dje!” dhe shton dishka të re që ia ka kujtue Xheudeti… ose fantazmat e Sigurimit me të cilët flente natën… Aty, gjenë emnat e të gjithë klerikëve që janë pushkatue mbas 1956 tue fillue nga Don Ejëll Kovaçi, Don Dedë Malaj e deri tek Don Zef Bici, Don Mark Dushi e Don Shtjefën Kurti. Pothuej, të gjithë janë arrëstue për motivet që shpreh atëherë At Rroku. Edhe Imzot Ernesto Çoba, asht në atë proçes me ato akuza për të cilat asht dënue 20 vjet mbrapa. Flitët për karakterin e këtyne klerikëve si, dhe, për mardhanjet e At Rrokut me ta.

Shpjegimet ma të hollësishme i jep për klerikët e Tiranës, vëprimet e tyne në kohën e Statutit dhe lojën dyfishe që kanë lujtë ata bashkë me At Rrokun. Për këtë arësye gjyqi i tij u zhvillue me dyer të mbylluna, mbasi kështu vëprohej me “agjentët” e Sigurimit, gjoja me ruejtë sekretet, ku At Rroku, u dënue 25 vjet burg dhe vdiq në kamp. Në bazë të thanjëve të At Rrokut asht dënue edhe Don Mikel Koliqi. Mbas tij në 1958, Don Ejëll Kovaçi. Don Ejëlli asht viktima ma e dhimbëshme mbasi ngarkohët me akuza aq të shumta, sa nga të gjitha çpifjet “ka mbetë dishka”, sa me errësue pafajsinë e vërtetë të tij. Projekti i Ministrisë së Mbrendshme aso kohe per zhdukjen e Don Ejëllit, u zbatue nga kolonel Mehdi Bylbyli, i cili ka shkue në Pukë, ka vra Markun buzë një përroni, pra kryetarin e këshillit popullor të fshatit Qelzë, ku shërbente Don Ejëlli, mandej, e ka çue në qelë të priftit tue e akuzue Don Ejëllin për dijeni të kësaj vrasje. Proçesin e vazhdon Hilmi Seiti, si kriminel i regjun anadollak që ishte dhe arrinë tek gjyqi tue mbajtë revolverin e tij në gojën e Don Ejëllit masakruem, për me pohue.  Kështu, pushkaton Don Ejëll Kovaçin e shkretë të pafajshëm. Hilmi Seiti mundohët me të njajtat metoda me veprue edhe me Don Dedë Malaj e At Konrrad Gjolaj, po atë vit tue i kalue ndër duert e kriminelëve të njoftun: Nevzat Haznedari, Ali Xhunga, Hamdi Ulqinaku, Shyqyri Qoku dhe tragjedia mbyllet me Xhevdet Milotin, që mban me cigare dhe ilaçe shkatërrimi të sistemit nervor të shkretin Don Dedë Malaj, deri që asht dhanë vendimi.  Plot 2 vjet mbasi Hilmia pushkatoi këta dy priftën, më 27 prill 1961, hangri plumbin kokës ai vetë nga shokët e tij. Ishte shpërblimi i Partisë për veprat e kryeme kunder klerit inteligjencës dhe shkodranëve të ndershëm. Vajtojcët e Teatrit “Migjeni” me vela të zezë e kjanë deri ndër vorre të “dëshmorëve”. Aty e lanë… me e kja ata që e vranë!

Viktimë e këtij katili asht edhe At Leonard Shajaku e At Marian Prela, të cilët u interrnuen menjëherë për mos tregim Rrëfimi.

  • Don Dedë Malaj me gjyqin e Tij hyni në vazhdën e lëgjendave të trojeve shqiptare që brezat e ardhëshëm do të këndojnë me “lahutën” e tyne, ndër vargje të pafund… Edhe pse kanë kalue ma shumë se 40 vjet nga vrasja mizore e DON DEDË MALAJ, Ai mbetët i pavdekëshëm në historinë e salvimit e martirizimit të KISHËS KATOLIKE SHQIPTARE. Don Dedë Malaj asht ndër klerikët ma të torturuem dhe të masakruem. Ai mbetët ndër ma të sakrifikuemit për triumfin e Idealit të Fesë së Krishtit në Shqipni. Ai vdiq për Kishën Katolike dhe Papën!

Tue vdekë për Fè e Atdhé,

DON DEDË MALAJ, U PËRJETËSUE NDËR  SHEKUJ!

6 SHKURT 1967

“Diskutimi i Hoxhës ngjanë me qenin të cilit, i japin bukë, kurse ai, kafshon dorën e atij që e ushqen…”, Dolores  Ibaruri, Moskë, 1962.

Më 6 Shkurt 1967, Fjalimi Programatik i Enver Hoxhës… asht surrati i vërtetë i tij por, edhe i idealeve të Partisë së Punës (Komuniste) dhe i Sigurimit të Shtetit komunist totalitar, që ai ka përfaqsue dhe ka drejtue për 40 vjet. Shprehja e tij asht e saktë dhe pa asnjë mangësi: “… pa frikë dhe me shkronja të mëdha… TË DJEGIM ME ZJARR…”.

Po, dhe vetëm, kështu, mund të realizohej ai qëllim i diktatorit që do të quhej “Revolucion Kultural”, nëpërmjet të cilit, me emnin ma të bukur të historisë REVOLUCION, do të kryej veprën ma të shëmtueme e ma të ndytën ndaj popullit të vet dhe kulturës kombëtare.  Pra, simbas zakonit të komunistëve ai do të vepronte si gjithmonë tue gënjye e mashtrue vetëm e vetëm per me përforcue pushtetin gjakatar përsonal bashkë me përkrahësit e tij, anëtarët e Partisë së Punës, të mbrojtun dhe të përkrahun si gjithënjë nga kriminelët e agjentët e Sigurimit të Shtetit, KUNDËR GJITHË POPULLIT SHQIPTAR. Ky, “Revolucion”, do të realizohej prej organeve terroriste të specializueme të Sigurimit të Shtetit, të drejtueme nga Partia. Na do të shohim me sytë tonë për fat të keq, sësi mburreshin këta autorë të kësaj vepre makabre të pashembull në historinë botnore, pikërisht, në Shqipninë e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, Mbrojtësit të Krishtënimit Evropian. Atdheu i Nanë Terezës, mishnimi i idealeve dhe i virtyteve të Nanës së gjithë Botës, do të shpallej me “Kushtetutën e Republikës Popullore të Shqipërisë – PA FE”. Në 1967, simbas dekretit nr. 4337, anulohet çdo pjesë e ligjës në lidhje me mardhanjet ndërmjet Shtetit dhe Kishës, tue shvlefsue çdo statut mbi besimet. Partia e Punës së Shqipërisë dhe Qeveria Shqiptare deklaruen me mburrje se, SHQIPNIA, asht “i pari Shtet me të vërtetë ateist në botë”. Harrohet me dashje se Kushtetuta, si gjithmonë vetëm me fjalë, kishte “garantue lirinë fetare”. Mbas këtij dekreti hapet rruga e pritëshme e vitit 1976, për “Kushtetutën e Re”, që proklamoi artikujt 37 dhe 55, ku “SHTETI NUK NJEH MË ASNJË FE”. Ajo ndalon çdo veprimtari fetare dhe inkurajon ateizmin si parim marksist-leninist. Artikulli 37: “Shteti nuk njeh asnjë fe dhe inkurajon zhvillimin e propagandës ateiste, për të krijuar ndër njerëzit një botëkuptim shkencor e materialist”.                 Artikulli 55: “Ndalohët formimi i çdo organizatë fashiste, antidemokratike, fetare e antisocialiste. Janë të ndaluara veprimtaritë e propaganda fashiste, fetare, luftënxitëse, antisocialiste, si dhe urrejtja ndërmjet njerëzve dhe racave”. Po, do të digjej me zjarr “Kanuni i Lekë Dukagjinit”, se kështu, përdhosej martirizimi i At Shtjefën Gjeçovit, i vramë tradhëtisht nga serbët, kështu, u shkelnin të drejtat zakonore të malësorëve të Veriut. Kështu, dhunohej Maja e Bratilës bashkë me vorrin e Ded Gjo’ Lulit. Vetëm kështu, do të përdhoseshin të drejtat dhe liritë thëmelore të njeriut se, kështu, Shqipnia izolohej nga kontinenti dhe, vetëm kështu, diktatori i përsëriste Evropës, se: “Ligjin këtu, e bëjë unë”. Metodat e Sigurimit të Shtetit do të ishin të “reja” dhe jo, ato të vjetrat. Tashti do të zbatohej eksperienca e marrun nga Kina e Madhe e Mao Ce Dunit. Njerëzit duhet të kuptonin dhe të bindeshin se çdo mospërputhje me idetë e këtij “Revolucioni”, ishte me pranue një torturë të re dhe të vazhdueshme: “Frikë dhe vetëm frikë” që secili, maparë pranonte me qejf vdekjen se këtë rrugë Kalvari të stërgjatun dhe shpesh pafund… ku, kryqëzimi, në fillimin e sajë ishte shpëtim i vërtetë, ndërsa pushkatimi në minutat e para të arrëstimit ishte si me lindë së dyti, sidomos, për ata, që i kishin provue me kohë torturat mizore psiqike dhe fizike në qelitë e Sigurimit të Shtetit komunist e anadollak shqiptar.

Jo, kurrë, nuk harrohej publicisti i njohtun Don Lazër Shantoja, me kambë të këputuna me sharrë druvari… Cili harronte Imzotët Gjinin, Volaj, Bonattin, V. Prennushin, Nikoll Dedën apo Ernesto Çobën të masakruem dhe të futun në thes. Po etnit: Mati Prennushi, Çiprian Nika, Donat Kurti, Pal Dodaj, Frano Kiri, Aleks Baqli, të varun ndër pemë me ditë të tana, apo Hafizët: Ali Tarin, Dërgutin, Najpin, Myftinë, tue u torturue me folë kundër klerit katolik. Nuk ishin mbyllë ende gropat e zeza të hetuesisë së Koplikut, ku kalbëshin martirët Sirdani e Çuni. Ndër kalldramet e shtëpive shkodrane të kthyeme në hetuesi, vlonte gjaku i Kolec Dedës, Simon Darragjatit, Muzafer Pipës, Paulin Palit, Qemal Draçinit, Kol Prelës, Ndue Palit e Caf Metës, Pal Thanit e Loro Vatës, Gjok Dodës e Zef Jakoviqit, Kol Kurtit e Ahmet Koplikut e sa, të tjerëve të mbetun në tortura e të tretun si coftina në Zallin e Kirit. Ende vajtonin shelqet e bregut të Bunës studentët Bardhosh Dani, Mark Cacaj e Brahim Dërguti. Vazhdonin me ushtue muret e kinema “Republikës” nga zani i paharrueshëm i trimit Don Dedë Malaj. Fusha e Çelës ishte ende me pështymët e pathame të Mark Ndojës e Gac Lecit, në fëtyrat e pastërta të Martirëve Fausti, Dajani, At Gjon Shllaku e Mark Çuni me shokë.

Nuk harrohej studentja burrneshë Drita, motra e Ibrahim Sokolit, tue ua përplasë në surrat agjentëve Çiril Pistoli me shokë: “Turp për ju, se, as në mesjetë nuk janë pështy të burgosunit rrugëve si tashti!…”. Anë e kand qytetit kishte vetëm kujtime të pashlyeshme mjerimi, vuajtjesh e vrasjesh në breznitë shkodrane.

Nuk duhet harrue me ju kujtue predikuesve të “emancipimit të grues”, vitët e mnerëshme të rinisë sonë, kur lidheshin ndër vargoj nga krimineli Ahmet Suji, vajzat e reja të Shkodrës: Maria Tuçi, Angjelina Marku, Terezina e Liza Pali, Ana Daja, Drita Kosturi, Agime Pipa, Viktore Kuka, Frida Sadedini, etj. atëherë, kur ndër prroje shkonte rrëkajë gjaku i Maria Shllakut e Maria Zojzit…Këneta, fusha, brigje, kodra, kanale e gjithkah vorre të humbuna me të interrnuem, pa shenj tek kryet…

Vetëm në një lagje të vogël si kjo e imja, rreth 4000 banorë, numëron: 29 vetë të pushkatuem, 97 vetë të burgosun, ma shumë se 49 vetë të interrnuem, të gjithë për motive politike.

Po, në gjithë qytetin e salvuem të Shkodrës?

Shifrat për ne janë tronditëse ndërsa për botën e qytetnueme janë të pabesueshme. E, pra, mbi të gjitha këto vorreza që mendohën rreth 45.000 vetë, të pushkatuem e të vdekun ndër burgje, kampe e intërrnime, asht ndërtue gërmadha që shihni endè ju sot, e që thirret “socializëm”, dhe për me shkatrrue edhe atë që mund të kishte mbetë si traditë, zakon e kulturë, ishte i domosdoshëm i ashtuqujtuni “Revolucion Kultural”, që do të përfshinte cilindo që ka lutë Zotin, kjoftë edhe njëherë gjithë jetën.

Do të përshkruej shkurt si u zhvillue ky “Revolucion”, në qytetin martir të Shkodrës:  Për çudi, njerëzit ato ditë nuk i ndiqte as hija e vet. Gjatë ditës drita ishte si e marrun mbasi i mungonin vezullimet e rrezëve të diellit. Qyteti dukej në pragun e një eklipsi me pamje të zymtë e të trishtueshme. Vransina e kohës kishte depërtue deri thellë në shpirt.  Në rrugët e lagështituna kishte pak lëvizje. Ndër rrugica as fëmijët nuk loznin si gjithmonë me topat e vegjël prej leckash. Dishka pritej… Ndonjë kalimtar i mbërthyem deri në fyt strukej nën pallton ose gazhupin e vet. Në kryet e krrusun ka ngjeshë një kasketë që kushedi ku e ka gjetë në ndonjë skutë të musandrës, dhe ecë pa shikue e përshëndetë njeri, veç tue mendue, si të gjithë të tjerët: “Ishalla, me mue nuk kanë punë…”. Të gjithë ndrrojnë hapat si me komandë 1-2, 1-2 … të vegjël e të shpejt si kinezët por me shumë kujdes që të mos u ngatrrohen mangjetat e shkyeme të pantollonave, që njerëzit veshin për mos me ra në sy për “modën”. Mbizotnon ngjyra grih e mbylltë ose kafe e murrme që përzihet lehtë me pluhun të rrugëve ose baltën mbas shiut. Kjo i jep qytetit edhe ma shumë pamjen e një zone të zymtë konviktorësh që veshen me urdhën nga eprorët e tyne dhe jo simbas qejfit. Aty-këtu shihët edhe ndonjë veshje grih e çelët që e ban edhe ma të trishtueshme kohën derisa mund të shkëputesh prej tij dhe, vetëm, kur i largohësh asaj siluete të frikëshme, qetësohesh për pak çaste sa me u mbushë me frymë, e atëherë, ke mujtë me thanë me vedi: “Si duket, nuk e paska pasë me mue!…”. Secili këte formulë mendonte rrugës… Në rrugët kryesore me shtëpi të jargituna nga rrëkajtë e ulluqëve të kalbuna e të palyeme që në vitin 1959, kur pat ardhë tek ne për vizitë Hrushovi, janë paksue njerëzit. Edhe ajo karakteristikë e yna, shëtitjet ndër pjaca nuk bahej pothuej fare, kudo mbizotnonte frika. Terrori zyrtar kundrejt disa “përsonave” të konsideruem “pakica”, por ku, përmblidhej gjithë populli, kishte hy për palc: “Tue më pa në pjacë, a thue po i kujtoj gja këtyne!?…” Sigurimi i Shtetit kriminal si “i mirë” i kudondodhun po, e realizonte detyrën kryesore që i kishte ngarkue Partia: “Pasiguria e përherëshme e popullit’ tue e mbajtë gjithnjë në kushte servilizmi dhe mjerimi, tue depërsonalizue mundësisht çdo njeri, për me e mbajtë të shtypun e gojëmbyllun”.

Gratë e pakrehuna dhe me shamia të mbështjelluna rreth kokës si mumjet e dikurshme e vazhdojnë punën e përditëshme tue u çue në orën 03.00 të mëngjezit, vrapojnë tue çue mahallën me krizmën e shisheve të qumështit ndër strajca, me zanë radhën e pafund me shpresë të ardhjës së furnizimit para orës 05.30, mbasi po erdhi ma vonë mbetën pa gja, nuk i pret koha se do t’i hypin biçikletave dhe me vrap u duhët me shkue në qendrat e punës me ba “gjimnastikën e mëgjezit”. Rrugës me shpejtësi hullin si zhele fëmijte e posa zgjuem në dyert e kopështeve, të mbështjellun ndër batanijat e leshta të kombinatit “Stalin” dhe të mbuluem me celofona, sikur, donë me i tretë të shkretit e vegjël “revolucionarët e ardhshëm”, të cilët edhe ata trajtohën e pritën tek dera e kopështit prej edukatorës simbas “biografisë”. Prej asaj moshe fillon plotësimi i “karakteristikave përsonale” ose ajo që quhet “dosje” e që, nuk do ti ndahët gjithë jetën… Burri që pret me u ba babë veç rrin e mendon si me përçudnue emnat e prindve të vet, si e si, me kombinue emni i bebës së vogël me listat e miratueme nga komitetët e Partisë në zyrat e gjëndjes civile. Për emnat jashta liste pritej vëndimi i kolektivit që do të vendosë: a me vazhdue punën ose jo… Diskutohej biografia e stërgjyshave dhe a kanë pasë “shfaqje të hueja”?… Pikësynimet i jepte organizata e vendit të punës, që këshillohej me organët e Partisë ma nalt por, pa asnjë mëdyshje ajo konsultohej me Sigurimin e Shtetit, që i tregonte rrugën si me vëprue me këtë përson. Me këtë problem merrej organizata e rinisë e shkollës 11 vjeçare “Jordan Misja”, e cilësueme, ndër ma të flaktat organizata “revolucionare” të qytetit, ku përsoneli i devoçëm i asaj shkollë zbatonte pikë për pikë porositë e Partisë dhe të Sigurimit, simbas parullës së “vijës së masave”: “Çka don populli bën Partia dhe ç’thotë Partia, bën populli”.

Të rinjtë shpejtonin me u mbledhë ndër shkolla, palestra, klasa, auditorë, koridore, podrume e kudo, për me lexue kolektivisht gazetat dhe me njoftue “shtabët” për kryemjen e detyrave. Kudo në buletine speciale dhe për përdorim “të mbrendshëm” partie, lajme radjoje dhe vesh në vesh flitëj për “Fjalimin Programatik”, kryesisht, si po vëprohej anë e kand vendit deri ndër skajët ma të largëta. Edhe atje mblidhej “paria e re” e fshatrave të kooperativizueme dhe merrte edhe ajo vëndimet e veta si me kthye Kishat e Xhamitë në “vatra kulture”, depo grumbullimi ushqimi për kafshët apo stalla. Pleqtë e disa fshatrave të “mërzitun” nga zakonet “prapanike” i drejtonin edhe një telegram “shokut” Enver, për gjithë ato “të mira” që u kishte sjellë në katund… Kishte familje fshatare me nga 3-4 fëmijë, që merrnin 150 gr. qumësht në ditë, nga kooperativa dhe i ushqenin fëmijët e tyne me “pikatore”…         Mbas mbledhjeve të mëshefta të Partisë që ato ditë në Shkodër i drejtonte nga Instituti i Lartë Pedagogjik Ramiz Alia, “shokët”: Xhemal Dini, Musa Kraja, Prenk Sokoli, Halit Isufi, Hilmi Habovija, Angjelin Kumrija, Jovan Vujoshi etj. etj., si këta agjentë besnikë të Sigurimit, vendimet ia përcillnin rinisë, mbasi tek “njeriu ynë i ri” ishte mbështetja e tyne. Në mbledhjet e rinisë ma të besueshmit u ngarkonin me detyrat e Partisë dhe vazhdohej me brohoritjet: “Parti, Enver, jemi gati kurdoherë!” … Fillonte aksioni i rinisë… me të padiskutueshmen fjalën “vigjilencë”, që në gjuhën shqipe ka disa kuptime, por për ne që jetuem atë kohë të mjerueshme, ajo fjalë ka vetëm kuptimin e agjenturës dhe spijunllëkut, me të cilin, u formue ajo “rini servile”, siç e ka cilësue At Pjeter Mëshkalla, “vepra më e shkëlqyer e Partisë së Punës”, ku prej kësaj rinie e deri tek ma plaku “të gjithë njerëzit janë të lidhun për kafshatën e gojës”, përkufizimi ma i saktë shkencor dhe i plotë, i fjalës mjerueshme “socializëm”. Ndokush mendon me të drejtë, a thue, me të vërtetë “vetëm” ky ishte “Revolucioni Kultural”?!…  – Jo, në asnjë mënyrë, jo!… “Revolucioni Kultural” në Shqipni nuk ka fillue në vitin 1967, ai ka fillue “kur kanë hi këta” pikërisht, atëherë, kur Qamil Gavoçi, me shokë shkrepnin armët e “fitorës” mbi kokat e “armiqve të popullit”, ato ishin sinjalët e para të terrorit komunist që u dhanë të nesërmen e asaj ditë ku shkelën “çlirimtarët”, e, që, do të vazhdonin për 50 vjet pandërpremje.  Komunistët shqiptarë, vegla anadollake të shovenistëve jugosllavë apo bolshevikëve rusë dhe, nga turli lloji internacionalistësh aventurierë, që vizitonin Shqipninë dhe mbushnin xhepat e tyne me pare të këtij populli fukara, do të gjenin skutën e fundit në vrimat e “Murit të Madh” të Kinës komuniste, ku, si mijtë e mbështjellun në thërmijat e libravë te kuq me të famshmet “Dacibao” e “Fletë- rrufe”, të stivuem në “veprat e klasikëve të rinjë” Mao Ce Dun dhe Enver Hoxha, lenin pa gjumë mija familje tue pritë çdo minut: “A po na gërset dera sonte!?”…

Shtabet e krijueme nga Partia për këtë qëllim punonin ditë e natë në çdo qoshe ku, nuk të shkonte mendja për me shpërnda “direktivat”e reja. Detyra kryesore e tyne ishte aktivizimi i “masave” të gjana ose ma mirë me thanë, angazhimi i shumë njerëzve “të rinjë” agjentë në organët e Sigurimit të Shtetit pra, njollosja e njerëzve në masë e mundësisht në çdo familje me emnin spijunllek i kudondodhun.

Organizatat e Frontit Demokratik, “levat e Partisë”, si gjithmonë të gatëshme me organizatat profesionale e deri tek “pensionistët” e zellshëm, spijunët e lagjëve ose siç njihëshin me emnin “kasketat”, që sot janë zëvendsue me “kapelat republikë të diellit”, nuk pushonin një minut por, në stolat e lulishtave e radhët e pafund të dyqanëve, tue mbledhë informata, tue rëmue ndër biografi dhe tue plotësue “dosje” shpifjesh, për mbledhjet e demaskimit të njerëzve, ku bahej edhe arrëstimi i tyne.

Në një buletin special sekret Enver Hoxha, jep këtë porosi për organizatat bazë të Partisë: “… Përsa u përket elementëve të përjashtuar nga Partia, duhët pasur parasyshë se shumica e tyre nuk janë armiqë por patriotë të mirë ose miqë të Partisë. Mjaft prej tyre janë përjashtuar pse janë futur para kohe në Parti ose pse kanë dobësi në punë. Me këta njerëz organizatat bazë të tregohën të kujdesëshëm, ti mbajnë afër dhe ti aktivizojnë, ndërsa ndaj të përjashtuarve për arsye politike organizatat e Partisë duhët të rritin vigjilencën” (E. Hoxha P.P.Sh. Dokumenta Kryesore V- fq. 238, 1974). Pra, llomi i llomit shoqnisë, hajdutët, imoralët, vagabondët, karrieristët, agjentët etj. të urdhnojnë e të vijnë edhe njëherë tek shokët e tyne të “armëve”, mbasi Partia, u tregue “zemërgjerë” ashtusi e porosiste tashti edhe udhëheqësi i sajë “i dashur”. Udhëheqja e naltë dha porosi për organizimin e “Frontit Demokratik” haptas antikatolik, ku, u aktivizuan edhe njëherë ata besnikë të Partisë në bazë, që deri atë ditë silleshin si lapera klubëve të ndërmarrjëve për një “kafe” qyl nga punëtorët, si: Ndoc Deda, Gjon Jaku, Loro Beltoja, Vat Deda, Fadil Ymeri, Zef Shoshi etj. drejtorë e brigadjerë me të cilët, Partia Komuniste maskonte  vëprimet e saja antikatolike.

Sinjalet e asaj kohë që po vinte ishin dhanë nga Kina komuniste. Lin Biao mbasi zhyti në ujë të lumit Mao Ce Dunin plak dhe ia “freskoi” trunin e marrakotun, filloi zhdukjen e “kuadrove të Partisë” atje, por të vërtetën e shfarosjëve në Tibet e vënde të tjera të humbuna të Azisë asht vështirë me e dijtë njeri, mbasi studentët shqiptarë që ishin atë kohë në Kinë, flasin për zhdukje masive të rinisë në vënde të padijtuna, të shumë intelektualëve, profesorëve, ingjenjerëve etj. Aso kohe janë kenë dërgue nga Shqipnia shumë grupe specialistësh të Sigurimit të Shtetit me marrë përvojën e re të torturave nga specialistët kinezë. Këta grupe i drejtonte katili Nevzat Haznedari me shokë. Qendra e hetimëve tashti u ba Tirana, ku, hetonin e torturonin kriminelë të zgjedhun si: Koço Josifi, Ali Xhunga, Elham Xhika, Dhimitër Andoni, Xheudet Miloti, Iljaz Haxhi, Ilo Papa, Shyqyri Qoku, Shkëlzen Bajraktari, Dhimitër Shkodrani, Jake Tefiku etj. të cilët, me “autorizim” të Lefter Gogës, Aranit Çelës, Shuajp Panaritit etj. mund të përdornin torturat ma shnjerëzore deri në vdekje të burgosunve, “pa asnjë përgjegjësi penale ndaj të pandehurve që mund të vdisnin në duart e tyre në hetuesi”. (Dosja 2291).

Pengesa e parë e këtij “Revolucioni” ashtu si dikur për edukimin marksist-leninist, reformën agrare dhe kolektivizimin e bujqësisë, punën “vullnetare”, aksionet në ditët e festave fetare etj., ishte tashma i dituni “Kleri Katolik”, prandej, aty u drejtuen shigjetat. Kjo politikë e drejtueme kundër Kishës si institucion me një autoritet të njohun u pat fillue me kohë dhe u vazhdue me shkatrrimin gradual të bazës së saj materiale dhe ekonomike, tue përfshi këtu, të gjithë njerëzit e pagëzuem kjoftë edhe mësheftas ndër katakombe ku jetonin klerikët. Dihet që Don Injac Gjoka flente i shtrimë ndër tulla mbrenda një furre…

U ndaluan kumbonët e Kishave mbasi nuk mund t’i ndigjonte një pjesë e mirë e qytetit!… Nga fundi i vitit 1965 u patën marrë nga shteti Kisha e Murgeshave dhe ajo e Jezuitëve. Me rastin e marrjes së Kishës së Jezuitëve, eshtnat e Don Ndre Mjedjës, gjoja si shkrimtar përparimtar u dërguen në vorrezat e dëshmorëve të Shkodres tek spitali, pranë mikut e bashkpunëtorit të tij, Luigj Gurakuqit. Kur u ndërtuan vorret e reja të dëshmorëve (ato që janë sot), Luigji u dërgue atje, ndërsa, Don Ndre Mjedja, u “harrue” aty dhe humbi si Pasi, Jungu, Xanoni etj. që u tretën në breg të Drinazit bashkë me Imz. Bernardin Shllakun.

Mbas “Fjalimit Programatik” të 6 shkurtit, qyteti i topitun dhe i friguem u mbush anë e kand me “Fletë-rrufe” që bijtën si kërpurdhat. Të dielën e parë ato u vëndosën në dyertë e Kishave, asaj të Fretënve në Gjuhadol dhe në Kishën e Shën’Kollit në Rus. Kjo stuhi filloi edhe ndër qytete tjera, në Xhaminë e Durrësit, në Lezhë, Milot, Laç etj. Instituti i Lartë Pedagogjik i Shkodrës, ku strehohej si hije anadollaku Ramiz Alia, filloi mbledhjet e demaskimit të klerikëve nën lëvozhgën “Organizata të Frontit” me klerikët e parë të 1945: At Gegë Lumën, At Frano Kirin, At Mark Harapin S.J. dhe At Gjergj Vatën S.J. Kjo nuk ishte rastësi por ishte shfletimi i rregjistrave të parë të Ministrisë së Mbrendshme mbasi pikërisht me At Gegën u pat fillue edhe në vitin 1945, dhe vazhdoi me ata klerikë që kishin mbetë pa u zhdukë nga burgjet, intërrnimet e vuajtjet në kampet e punës ose ma mirë me thanë të shfarosjes. Atë punë të mbetun përgjysëm atëherë, e ndihmonte edhe mosha e thyeme mbasi gjurmët e atyne vuajtjeve shnjerëzore nuk mund të zhdukeshin kurrma.

Kudo FRIKË! Të gjithë mendonin vetëm një gja: Me mëshefë!

Të gjithëve u dukej se errësina e natës asht ma e përshtatëshme për këtë punë, prandej, edhe dritat fikëshin herët. Fillonte ndër oxhakë tymi shllunga-shllunga në pikën e verës tue djegë revista, fotografi “me shokë reaksionarë”, korespondenca, dokumenta historike, libra, “Lahutën e Malcisë”, figure, etj. Secili mendonte vetëm mos me rrezikue jetën e vet dhe të fëmijëve që mund të lindin edhe mbas 10 vjetësh, se edhe atëherë, do t’i ndiqte “lufta e kllasave”.

Kjo luftë ka vazhdue pandërpremje ashtu si burgimet, interrnimet, pushkatimet apo shfarosjet e sa e sa përsonave e familjëve, që për 45 vjet nuk kanë kenë asnjëherë të lirë, si: Mark Temali, ishoficer; Prof. Guljelm Deda, Don Mikel Koliqi, që kur e kam pyetë se në cilat kampe ke kenë, më asht përgjegjë: “Nuk besoj se e dijnë edhe ata, që më kanë burgosë e interrnue! …” Këtu nuk po shkruej për familjet që e filluen martirizimin në vitin 1945, mbasi do të duhej një volum me ata që lindën, u martuen, u moshuen dhe vdiqën ndër kampe intërrnimi, apo me ata breza të tanë të sakrificës që vazhdojnë edhe sot ndër fshatra e qytete, ku u ka kalue jeta pa mujtë me krijue as familje, si Frida Sadedini e sa si Ajo, me të cilët, komunistët vazhdojnë me kenë të pangopun…

Mbas mbylljes së Katedralës 100 e sa vjeçare të Shkodrës më 4 mars 1967, me shpejtësi u veprue për mbylljen e të gjitha Kishave e Xhamijave, kështu, më 19 mars 1967 nuk kishte asnjë Kishë të hapun në Shkodër. Mbyllet me to edhe Kisha e Zojës tek Kalaja “Rozafat”. Çelsat e tyne me të vërtetë i mori “Organizata e Frontit” por, Komiteti i Partisë organizoi menjëherë komisionet e inventarizimëve (të plaçkitjeve) të objekteve të kultit. “Kryetar i Komisionit Përzgjedhjes Leteraturës Fetare Kishtare” u emnue agjenti Jup Kastrati, mbasi ia kishte marrë dorën me kohë. Për vlerat material ishte Nuri Çaushi. Nuk dij për antikatolikun e betuem, spijunin ordiner Sadik Rama, që ka pasë rrahë në Koplik Llesh Marashi dhe e ka pasë nisë për Shkodër të çveshun, në brekë.

Kur “Fletë-rrufetë” mbulonin dyert e Kishave dhe veglat servile e hipokrite thërrisnin për zhdukjen e Fesë dhe të klerit, ndër sytë e popullit ngrihëshin monumente të Atyne Martirëve, vazhdë e pashterrëshme e gurrës së HEROJVE TË KISHËS KATOLIKE  si: At Pjetër Meshkalla, At Gegë Luma, At Frano Kiri, At Mark Harapi, Imzot Ernesto Çoba, Don Ndue Soku, Don Injac Gjoka, Don Marin Shkurti, Don Mikel Beltoja, Don Frano Illija, Don Mark Hasi, Don Nikoll Mazrreku, Don Ndoc Ndoja, Don Pjetër Gruda, Don Nikoll Gjini, At Filip Mazrreku etj.

Me datën 7 prill 1967, arrestohet Don Mark Hasi. Vetëm në gjyq, përveç dëshmitarëve të akuzës spijunëve Fric Curani e Pjerin Vata, kanë folë këta diskutantë të flaktë: Gjyzepina Shutermea, Natale Dema, Shaban Brahimi, Rrexhina Marku, Elizabeta Miloti, Kristaq Belkovi, Zef Fistani, Nina Pici, Paulin Zadrima, Burhan Dizdari, Gjon Thani, Tonin Shiroka, Njac Bitaku (??), Pjerin Boriçi, Kolec Çerraxhija etj. (origjinali i diskutimëve gjindet në dosjen nr. 2291). Me datën 29 prill 1967, mbas një letre historike që i pat dërgue me dt. 5 prill kriminelit Mehmet Shehu, (tekstin e së cilës do ta lexoni të plotë në fund të materialit), arrëstohet At Meshkalla, po në Institutin Pedagogjik, ku kanë folë: Luigj Shala (i cili drejtonte mbledhjën), Jup Kastrati me diskutimin “Ardhja e Jezuitëve në Shqipëri dhe protesta e popullit kundër tyre”, Luçije Gera, Prenda Doda, mjeku Ramiz Hafizi, Lazër Sekuj, Jolanda Batalaku, Paulin Kraja, Angjelina Uli, Tonin Shiroka, Vasil Kafeja, Dedë Kulla etj.

Listat e diskutantëve në këto mbledhje janë të pafund, ashtu si turpi i tyne që asht i përjetëshëm. Don Injac Gjoka turpnon përjetësisht armiqtë e tërbuem të Fesë Katolike. Përballë Don Ndue Sokut, perëndon përgjithmonë Gjon Shllaku. Para duerve të bekueme të Imzot Ernesto Çobës, që puthnin fëmijët e vegjël të rrugicave të Shkodrës, nuk kanë ma forcë as prangat e Sigurimit të Shtetit, mbasi arrestimi bahët mbas disa vitësh (më 3 prill 1976), sëpse, në atë mbledhje shoferi trim Dedë Gjushi, deklaron: “Sot, njikëtu, nuk guxon kush me i vue prangat Imzot Çobës!”. Përballë Don Ndoc Ndojës, nuk gjejnë forca përkulje as shokët e vëllazënve të tij, mbasi Ideali i Fesë kishte triumfue me kohë, Ai ishte i palëkundun e trim! Nuk ka shembull në historinë e gjyqëve komuniste ashtu si ai që u zhvillue në Kishën e Murgeshave, ku prokurori Faik Minarolli pyet një të pandehur (A.R. Dosja 2291): “Ti a beson në Zotin”? dhe, i pandehuri përgjegjet: “PO, BESOJ” e dënohet me 10 vjet burg.  Në vitin 1971, Sigurimi kujtohet se ka “harrue” nga listat e vjetra “agjentin e ambasadave Perëndimore franceze dhe italiane”, “sabotuesin” 80 vjeçar Don Shtjefën Kurtin, i cili ka krye me të vërtetë “një krim”: KA PAGËZUE NJË FËMIJË… Ka shtue një Katolik, kur Partia, punonte me i qitë fare të gjithë sa ishin. Për këtë vepër Don Shtjefni u pushkatue, tue thirrë: “Jam i pafaj për shka më akuzoni. Unë, vetëm, kam pagëzue një fëmijë! Rrnofshin Katolikët! Rrnoftë Shqipnia”.

Heroizmat vazhdojnë!

Mbas dënimit me vdekje më 25 prill 1968, të Don Frano Illisë, “avokati” i tij, i caktuem nga përsoneli i Ministrisë së Mbrendshme, mbasi përpilon kërkesën për falje jete për Kuvendin Popullor, ia jep me vue firmën Don Franoja, i cili fshinë disa rreshta kundër Papës dhe Fesë e, shënon me dorën e vet në anën e fletës. pa ju tutë syni fare nga vdekja: “Përsa i përket besimit, unë jam e mbetëm besimtar!”(Dosja 2291).

Ky ishte qëndrimi heroik i Klerit Katolik Shqiptar para plumbit!

Mbas vitit 1944, kur në Shqipni nuk kishte ma opozitë, duhët thanë troç: Rolin e opozitës demokratike e ka luejtë Kleri Katolik Shqiptar, prandej, edhe asht luftue e zhdukë pamëshirë nga regjimi  anadollak e komunist i yni, i shitun tek të huajtë. Vetem nga Kleri Katolik u pushkatuen, mbyten nder hetuesi dhe u zhduken si pasojë ketij Gjenocidi, me emnin “Revolucion Kultural”: Imz. Ernesto Çoba, Don Zef Bici, Don Mark Dushi, Don Marin Shkurti, Don Shtjefen Kurti, Don Mikel Beltoja, Don Prekë Nikçi, Don Mark Hasi, Don Lazer Jubani, Don Lec Sahatçija, Don Pjeter Gruda dhe Don Lazer Sheldija, në 1988, me banim në Amerikë. Janë arrestue, torturue, dënue, janë internue dhe ridënue deri në zhdukjen e plotë nder kampet e shfarosjes së Republikës Socialiste të Shqipnisë, këta Klerit Katolik Shqiptar, vetem mbas vitit 1967: At Pjeter Mëshkalla, 25 vjetë burg. Don Mikel Koliqi, 38 vjetë burg e interrnim. Don Nikollë Mazrreku, 37 vjetë burg e interrnim. At Zef Pllumbi, 28 vjetë burg e interrnim. Don Simon Jubani, 26 vjetë burg. At Gegë Lumaj, 20 vjetë burg. At Gjergj Vata, ban mbi 10 vjetë burg…ashtusi pasusit Don Frano Illija. Don Ndoc Sahatçija. Don Nikollë Troshani. Don Zef Simoni. Don Kolec Toni. Don Ndré Krroqi. At Anton Luli. Don Ndoc Ndoja. Don Gjergj Simoni. Don Marjan Arta. Fratel Gasper Jubani. At Ferdinand Pali. At Aleks Baqli. At Leon Kabashi. Don Martin Trushi. Don Nikollë Pergjini interrnohet. U përdhunuen vorret në Katedrale, ku nëpunësit besnikë të Partisë provonin ndër gishta unazat e ipeshkvijve të vdekun për gratë e veta. Po kështu u vëprue edhe në Kishën e Zojës tek Kalaja dhe atë Françeskane ku, përveç, françeskanëve të tjerë u dhunue vorri i Poetit Kombëtar At Gjegj Fishta dhe Ai i Atdhetarit të flaktë Dedë Gjo’Luli, eshtnat e të cilëve u tretën. Vorret e Kamanës dhe ata të Rrëmajit, përfunduen në gërmadha. Atdhetari Gjon Kamsi i shpëtoi nga sheshimi i plotë. Shkatrrimi i Kishës së Zojës tek Kalaja, i Katedralës, i kumbonarëve historike, plaçkitjet e tyne deri tek sahatat në çdo skaj të qytetit, tregojnë pikësynimin e komunistëve në Shkodër: “Të bëjmë qytetin si fshatin!”. Këtij qëllimi do t’i shërbente edhe hudhja në erë me dinamit e Kishës monumentale të Vaut të Dejës, ku mendohej se asht kunorzue Heroi Kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu. Ajo Kishë u shkatërrue nga kandidati i Komitetit Qendror të P.P.Sh., Fadil Ymeri, (me porosi nga naltë), po Fadilit, nuk i mungonte dëshira për shkatërrim e plaçkitje të veprave monumentale. Kjo u provue në Xhaminë e Parrucës ku inventarizuesit (plaçkitësit) paisën shtëpitë e tyne me qylymat e lampadarët e veprave të kultit. Edhe sot gjenë në shtëpitë e këtyne spijunëve aventurirë shalldane të marrun në Kishat e Shkodrës e qylymat e vjedhun nder Xhamija. Ky ishte një nga shpërblimet e Partisë për veglat e Sigurimit. Për servilin Angjelin Kumrija, (agjent që në vitin 1953, me klubin sportiv “Puna” të Shkodrës, rekrutue nga katili Hilmi Seiti), kur ka kontrollue me shokët e tij Argjipeshkvinë, i ndjeri Don Mark Hasi, ka thanë: “Atë që na ka ba atëditë Angjelin Kumrija, nuk na e ka ba as Sigurimi i Shtetit”, se çfarë ka ba ai llom, me paturpsi, në dhomën e Imzot Çobës, kundrejt Ipeshkvit të nderuem besoj i kujtohët mirë!…

Mbas shkatërrimit të këtyne veprave që në Shqipni, numërohën ma shumë se 1800, ku kanë dhanë kontributin e tyne shumë atdhetarë në pikëpamje kulturore dhe artistike, ajo që i kushtoi ma shumë Veriut, ishte GJUHA AMËTARE, e cila, tue fillue prej Imzot Pal Engjullit, në vitin 1462 ishte ruejtë, shkrue, pasunue, përpunue me shekuj, tue u trashigue ndër gurë, male, vorre, shpella e fusha, kur shugurimi shoqnohej me rrahje gurit për gurë, mbasi kumbonët edhe atëherë nuk binin si sot.

Tue u martirizue e flijue u punue si e si me ruajtë truellin shqiptar, por edhe kjo gjuhë u masakrue me një “Kongres dhunues të Gjuhës së Njësuar”(1972), që zhduku përfundimisht jo vetëm Dialektin Gegnisht, por edhe krejt letërsinë e shkrimtarëve Veriorë, vetëm, pse “Lahuta e Malcisë” nuk i përshtatej “miqëve” të Partisë së Punës “Jugosllave” të Shqipërisë. Nuk kishte si të vazhdonte kjo gjuhë në bankat e shkollës së “revolucionarizueme”, mbasi Gegët nuk kishin ndihmue ardhjen e komunizmit në pushtet dhe asht fakt se këta, nuk e kanë dashtë kurrë atë … Për fat të keq me këtë rrokullisje të Veriut, u pajtue edhe inteligjenca kosovare e gënjyeme dhe e mashtrueme nga sërvilët, shërbëtorët e bashpuntorët e Enver Hoxhës e Titos, që bredhnin pa frikë në shkollat e Prishtinës e të Tiranës, kur çdo kosovar i ndershëm që vinte në Tokën Nanë, arrëstohej, burgosej, intërrnohej e zhdukej në kampet e shfarosjës së kudondodhuna në Atdheun e dishruem.

Ende nuk mërrijë me kuptue pse vazhdohët edhe sot kjo politikë, që për fat të keq kjo gjuhë e shëmtueme ka hy edhe në Ungjillin Shenjtë. Jam i sigurt se klerikët që e kanë ba këtë vëprim nuk dijnë se shka kanë humbë. Ka ndër këta klerikë edhe prej atyne, që kur jepej ndër gjyqe dënimi me vdekje për shokët e tyne, këta falnderonin organët e Sigurimit “për qëndrimin e mirë që kanë mbajtë hetuesit ndaj tyne”. Asht koha me lanë në një anë çdo mëkat dhe me punue për interesin kombëtar, për “Gjuhën e vërtetë të njësueme”, sa nuk asht vonë! Bazat shkencore për këtë qëllim janë vue e lanë nga shkenctarët: Eqrem Çabej, Martin Camaj, At Justin Rrota e At Danjel Gjeçaj me shokë, atëherë, shka pritët!?

“Revolucioni Kultural” nuk u mjaftue vetëm me fushatën kundër Klerit, por ai përlau dhe mjaft të tjerë, madje, edhe atje ku komunistët kishin çerdhët e tyne, për të cilat as nuk iu shkonte mendja, se do të prekëshin ndonjëherë. Inteligjenca që dinte gjuhë Perëndimore ishte e para në shenjë, mbasi ajo ndigjonte lajmët e hueja kur duhej ndigjue vetëm “Radio Tirana”.

U arrestuen përkthyes të njohun si: Profesorët Mark Dema e Nikoll Daka, vetëm, se nuk përkthenin marrinat e “klasikut” marksizmit shqiptar. “Vigjilenca” që kishte tregue rinia dhe organizatat e pionjerit me rastin e festave fetare ndër dyert e furrave të lagjëve, me vërejtë dhe me spijunue se kush ban ambëlcina, duhej vazhdue kundrejt mësuesve dhe profesorëve të tyne… që kanë “mbeturina të vjetra”.

Kudo “vigjilencë”, mbasi ka mjaft që nuk pëlqejnë muzikën labe dhe ndigjojnë muzikë klasike. Ka edhe nga ata që kanë mbarue shkollat jashtë në “ish-demokracitë popullore” ose në Bashkimin Sovjetik, dhe tashti  po infektojnë “masat” me frymën revizioniste. Për këtë arësye u arrestuan shumë artistë, shkrimtarë, muzikantë, piktorë etj., se, merrej me mend, se këtij apo atij i pëlqen ajo që nuk na pëlqen né. Në shembullin e “revolucionarëve” kinezë që arrëstuen dhe i këputën krahun e djathtë pjanistit ma të mirë të Kinës, se lonte në pjano muzikë nga Bet-hovën, u arrëstue kangëtari i madh Luk Kaçaj, vetëm se recitonte përmendësh veprën e mësuesit të vet “Lahuta e Malcisë”.

Çdo fushatë politike shoqnohej me pasoja e pllanëve ekonomike. Mendohej vorfnimi i popullit në mënyrë të tejskajshme si e si me e mbajtë nën zgjedhë gjithmonë me ankthin e frikës dhe të urisë, që kishin pushtue çdo sofër. Nuk mendohej tjetër veç, me kafshatën e fundit në gojë; “kjo iku po, për darkë shka do të hamë!?”… Mendja tek grazhdi i rrin vetëm kafshës, vetëm, ky ishte pikësynimi i këtij “Revolucioni” makabër. Njerëzve iu ndalue me ligjë çdo burim tjetër jetese, perveç “kafshatës së gojës” që jepte shteti, mbasi kështu, punohej vetëm për té dhe paguhej sa donte ai. Në çati të shtëpisë punëtori nuk të rregullonte një tjegull se shihëj nga rruga dhe të nesërmën pushohej nga puna, mbasi spijunët e kudondodhun, njoftonin ndërmarrjen se “dje kemi pa punëtorin tuej tue punue punë private”. Askush nuk kërkonte prova, mendimin e dënimit e jepte “klasa” ndërsa vëndimin e merrte “kllasa”, çpikëse e kësaj lufte, që nuk na u nda për një gjysëm shekulli… jo, pak!

Fshatari u tregue ma i mendshmi. Ai mendoi: “Pasuni nuk kam, tokën ma keni marrë me kohë, të holla nuk kam, mbasi gjithë familja punon për 30 lekë (të vjetra), merri Parti edhe pulat, sa me i mbajtë unë me parët e bukës së fëmijëve…!” dhe, sa errej nata e deri në të dalun të dritës… shkonte “me vjedhë” mundin e vet në arat, kotecat e magazinat e kooperativës. Ndryshej, si me jetue!?

Nën dyshemët e dhomave të shtëpive përdhese mbahëj një derr i dejun me raki për mos me iu ndigjue zani gjithë ditën. Në darkë edhe ai ngopej me misrin e zimë dhe të vjedhun, ashtusi të gjithë pjestarët e kooperativës, tue fillue nga sekretari i Partisë, që toçej në raki tek klubi, tue mbajtë fshatarët me premtime dhe gënjeshtra për ditët e “bardha” të socializmit që mbas pijës…po vinin…

Drekat e darkat nuk hapëshin ma me përshëndetjën e zakonëshme kur çohej gota e rakisë për ata që e kishin, por, thohej: “Të na rrojë Partia!”… Kështu, ndër sofra filloi “gjuha e njësuar”. Edhe na Gegët, që kemi pas thanë “na rrnoftë…”, për me kenë ma “në rregull” me Partinë, filluem me shkrepë gotën tue përshëndetë: “Na e rroftë… Partia”.

“Qarkullimi i kuadrit” ishte një çpikje e re për largimin dhe eleminimin e njerëzve të “pa sigurt”, për ato vepra e punë që i duheshin Partisë, jo, të bazueme ndër faje apo gabime, por në dyshime ose paragjykime të ndonjë spijuni “dashamirës” i Partisë; se, ky përson, ka “pikëpamje revizioniste” ose “nuk shprehët i kënaqur nga Revolucioni, por, heshtë…”. U larguen nga “qendra”, u dërguen në zonat e thella malore, u emnuen me detyra “të rëndësishme” ndër kooperativa etj.  Nëse edhe atje nuk jepte prova “përmirësimi” ose nuk tregohej “vigjilent”, Partia mbas gjithë asaj “zemërgjerësie” që kishte tregue me té, e çonte për “riedukim” për 7-8 vjetë në burg dhe, po qëndroi si maparë i përsëritej dënimi. Kështu, u eleminuen shumë ekonomistë, ingjenjerë, profesorë dhe u vazhdue në ushtri e ma vonë edhe në Sigurimin e Shtetit. Fillohej me ma të madhin “Anëtarin e Byrosë Politike” të parin, e mbas tij, deri ku i shkonte mendja e “ndritur” e Enver Hoxhës: “Se nga ki, nuk më vjen ndonjë e keqe për kolltukun tim!…”. U çpik parulla: “Kursim, kursim, përsëri kursim!” dhe anëtarët e thjeshtë që nuk kishin me shka me ndihmue Partinë materialisht, “i dhuruan” rrathët e martesës. Kjo bahej sëpse “shokët” e naltë të Partisë nuk kishin ndër mend me prekë rëzervat e majme që kishin ndër bankat e hueja, mbasi ata mendonin edhe për kohën e “sotme”, sidukët, i shkonte mendja se nuk ka me kenë gjithmonë “P.P.Sh. fanari ndriçues i marksizëm-leninizmit në botë”…  ia paska ndie zemra! Mandej shka ju donin rrathët ndër gishta, mos ishin të besës komunistët? Ata nuk e kishin për gja të keqe divorcin. Fëmijët e mbetun rrugëve i edukonte Partia në shtëpitë e fëmijës, ndër këto qendra “edukimi” prej ku, dilnin ma spijunë se baballarët e tyne.

Mbas arrëstimi e një dënimi të dhanë nga Partia, gjithnjë Sigurimi ushtronte presion tek bashkshorti për ndarje martesore. Këto divorce shteti i ndihmonte në rrugë të ndryshme tue i ruejtë vendin e punës, tue mos i largue në intërrnime etj, sidomos, ata që kishin gisht në arrëstimin e përsonit. Shkunorzimët nuk ishin problem mbasi i arrëstuemi nuk kishte asnjë të drejtë vetëmbrojtje, ai ishte i deklaruem “armik i popullit” pra, as grueja nuk kishte si ta donte ma edhe pse deri natën që ishte arrëstue ai, kjo kishte bashkëjetue me te. Heqja e “avokatit” edhe pse gjithmonë asht kenë formal, i ka hapë rrugë shtetit me vëprue haptas kundër fatkëqijve që përfundonin ndër pranga. Vetëm në kampin e Spaçit, në vitin 1975 kishte 900 të burgosun, të gjithë të ndamë nga gratë e tyne, përveç, tre përsonave pleq. Të gjithë kur janë lirue nga burgu janë bashkue me gratë e tyne “të divorcueme”, me përjashtime të pakta.

Shumë kuadro “me vlerë” qarkulluen në bazë tue marrë përsipër “edukimin” e brezit të rinj. Shumë oficerë të Sigurimit të Shtetit u banë “mësues të edukatës qytetare ”… ironia dhe fyemja ma e madhe që i asht ba shkollës… disa të tjerë forcuen pikat e dobëta të agjenturës si: Sadik Rama, Rustem Sykja, Pjetër Hasi, Jovan Vujoshi etj. Pra, kudo “Punë, vigjilencë, gatishmëri!” që e shprehun ma kjarte dhe shqip, domethanë: “Me punue si kafshë, me jetue si dhelpën dhe me ngordhë si qen”.

Në vitin 1959 Nikita S. Hrushovi, pat vizitue Shqipninë. Në kujtimët e tij, ai shkruen: “Shqipëria është vend i vogël por populli jeton në një pozitë të tillë gjeografike, ku ndërthurën kundërshtitë e Evropës dhe armiqtë i ka të shumtë … Kufiri nuk ishte ai që donin ata … Tito më ka thënë, se, në Jugosllavi, ka shqiptarë më shumë se në vetë Shqipërinë… Shumë, shumë të varfër dukeshin fshatarët. Varfëria dhe primitivizmi mbretëronin atje kudo…! Enver Hoxha, Mehmet Shehu dhe Beqir Balluku e quanin vetën me një autoritet të palëkundur. Unë them, se janë njerëz jo largpamës e të kufizuar. Ngatërruan politikën me aritmetikën. Ata kanë menduar se Kina është qendra e botës”.

Po, sikur, Hrushovi të shihte Shqipninë në vitet ’69, ’79, apo ’89, shka paska dashtë me shkrue për “kopështin e lulëzuar të socializmit”, kur, në dyqane shitëshin vetëm purrinjë të thatë nga mungesa e vaditjes?

Hafiz Ibrahim Dalliu në vitin 1946, afër të 80-tave, dënohët mbasi deklaron në hetuesinë e Tiranës: “… Kam dëgjuar ndër stacionet e Amerikës dhe të Londrës lajmet anglisht, mbasi dëshroja që ata të zbarkonin në Shqipëri…  Ne nuk kemi asnjë lidhje me Lindjën as të afërme dhe as të largët. Nga turqit ne kemi marrë vetëm besimin. Për tjera nuk ka çka na duhët Anadolli… Shqipëria është shtet që i përket vetëm Evropës. Me Evropën na lidhë pozita gjeografike, mardhanjet shtetrore, ato kulturore e të gjitha tjerat që vijnë pas, për një jetë më të mirë dhe të begatëshme të popullit tonë …”, (Dosja I. Dalliu).

Një shok (B.S.), mysliman besnik nga Tirana, më ka pasë pyetë miqësisht: “Të lutëm, më shpjego, pse ju katolikët e Shkodrës, nuk i doni sllavët e kryesisht Serbët e Rusët, tue pasë besimet e përafërta me ta”.

– Unë, u pata përgjegjë: “Fan S. Noli, tue kenë Peshkop Orthodoks ka kenë në Rusi dhe e ka pa me sy atë vend e, mandej, ka shkue me jetue dhe me vdekë në Amerikë … pa kenë shkodranë”.

Papa Gjon Pali II-të, më 25 prill 1993 në Shkodër, tha: “… Që të tre komunitetët fetare mbajnë një raport respekti reciprok të një bashkëpunimi të njerëzishëm. Qëndroni në këtë pikëpamje, vëllazën e motra, kështu, ju, mund të ndërtoni një bashkim kombëtar të urtë dhe të qëndrueshëm!”

Udhëheqësi i “Revolucionit Kultural” në Shkodër ishte i besueshmi “bilbili i Partisë” që shpesh kujtohej për shkodranë, skilja e boshnjake Ramiz Alia. Një shkodranë i vërtetë kurrë nuk ka punue për me përça popullin e Shkodrës me anën e Fesë. Do të jap dy fakte të kësaj përçamje që ka mbjellë e ka dashtë me kultivue në Shkodër, ky “bilbil”:

  1. Ndër të gjitha mbledhjet e organizueme si mbas porosisë së tij në Shkodër, gjatë “Revolucionit Kultural” për demaskimin e klerikëve janë kenë vetëm klerikët Katolikë, që janë arrestue, torturue, dënue, pushkatue dhe vuajtë me shumë vite burg ndër kampe pune e shfarosje. Gjatë kësaj kohë në Shkodër kur Ramiz Alia, ka drejtue këtë “Revolucion Kultural”, nuk asht arrëstue ose demaskue asnjë Hoxhë. Kjo asht një rrugë e vazhdueme prej kohësh nga komunistët, mbasi që nga viti 1944, dhe e tham me zemër: Shyqyr, që nuk u gjet asnjë Hoxhë në Shkodër me u pushkatue me akuza false, ashtu sikur janë zhdukë ma shumë se 130 Klerikë Katolikë. Kjo vërteton ma sëmiri se asht punue gjithnjë, ashtu si sot, për PËRÇARJE FETARE në qytetin e Shkodrës. Për me goditë për vdekje këtë qendër të katoliçizmit në Ballkan, “shoku” Ramiz, mu në zemër të sajë, vëndosi turpin e faqën e zezë vetëm të vetën që thirrej: “MUZEU ATEIST”, i vetmi në botë që për fat nuk e kam vizitue kurrë!
  2. Kur ka ngordhë mësuesi i tij (e, ndoshta, dishka ma shumë …), Enver Hoxha, Ramiz Alia, ka ardhë në Shkodër mbas 10-12 ditësh dhe ka ba një mbledhje me “novatorët” në klubin “Punëtori”, (tek Kisha e Fretënve). Në darkë, në një mbledhje “sekrete” në Komitetin e Partisë së Rrethit me 7 sekretarë Partie të ndërmarrjëve, ka porositë: “… Shoku Enver na la… duhet të jemi më vigjilentë se kurrë mbasi armiqtë e Partisë, do të punojnë të prishin unitetin tonë. Ata në këtë kohë, si gjithënjë, do të kërkojnë për të gjetur mundësinë për të realizuar qëllimet e tyre të këqija ndaj Partisë… Prandaj, të jemi shumë vigjilentë sidomos, me pjesën katolike, e cila nuk e ka dashur kurrë Partinë. Ata në këtë situatë kanë per të kërkuar për të përfituar për të përçarë këtë unitet të Partisë sonë … por, kudo që të vëreni një çfaqje të vogël, mos prisni por sinjalizoni Partinë, vini prangat dhe jipni plumbin ballit”. (Prill 1985).

Pa kalue 10 orë nga dhanja e kësaj porosije ajo, ra në veshin tim nga njeni prej të shtatëve, që ishte kenë në atë mbledhje. Pra, ky ishte Mysliman, po, sidukët, më donte mue ma shumë se Partinë dhe Ramizin! … Kishte harrue i shkreti Ramiz se në Shkodër, kishin lindë e vdekë bashkë: Ndue Pali e Caf Meta, Paulin Pali e Muzafer Pipa, Kol Prela e Qemal Draçini, Bardhosh Dani e Mark Cacaj e sa e sa SHKODRANË, vëllazën të vërtetë, që derdhën gjakun e Shejtë të Tyne bashkë, të lidhun duershë për truellin Shqiptar. Ramiz Alia mbetet vrasës i vëllazënve të vet, prej kosovarëve të zhdukun të Tivarit (1944) e deri tek Arbën Broci me shokët e vet (1991). Ai asht njeriu me dy fëtyra i gjithë periudhës së pushtimit komunist të Shqipnisë. Ai asht mashtrues dhe përçarës gënjeshtar i rinisë së vrame ndër kufijtë e Atdheut dhe mbetët NJË TRATHTAR I PËRJETËSHËM I QUMËSHTIT TË GJIUT TË ROZAFËS SË  SHKODRËS!

***

Me “REVOLUCIONIN KULTURAL” Enver Hoxha, ka plotësue portretin e vesëve ma të ndyta të tij tue shpallë Shqipninë “Shtet Ateist”, ndërsa, vegla besnike e tij eonuku i oborrit Ramiz Alia, ka dhanë prova në këtë “Revolucion Kultural” se asht i denjë me u ulë më 13 prill 1985, në kolltukun e flligtë të atij tirani gjakatar të Popullit Shqiptar.

Shka kje ky “Revolucion Kultural?” mu në zemër të Evropës?…

Për Popullin Shqiptar, ky kje një tmerr, stuhi mizore, zharitëse, rrënuese, shkatrrimtare, me vëllavrasje e gjakderdhje katili të pashpirtë!

  • Mbas vitit 1967 në Shqipni, nuk ka mbetë asnjë Kishë Katolike.
  • As ky terror e shfarosje…nuk quhet Gjenocid!?
  • Abraham Lincholn thotë: “Mbrojtja e jonë asht në ruejtjen e Shpirtit që vlerëson LIRINË, si trashigimi e të të gjithë njerëzve, të të gjithë njerëzve kudo që janë. Shkatrrojeni këtë Shpirt dhe ju, keni mbjellë farën e despotizmit me duert tueja”.
  • Shkodranë! Kurrë mos harroni, se, ajo që u ba më 13 dhetor 1991, mbi kokën e diktatorit, para Pallatit të Prefekturës së Shkodrës, e, ju lumtë ju, o vëllazen e motra!… Ajo asht vepra e vërtetë ma heroike e Rinisë Shkodrane!
Please follow and like us: