Albspirit

Media/News/Publishing

Fritz Radovani: Një monument nën dhé (11)

AT PJETËR MESHKALLA S.J.

“Pushtetin komunist e kam luftue në të gjitha predikimet e mija”.

Kam pasë frikë se nuk do të mërrijë me pasë në dorë këtë material që më mungonte në vitin 1993, kur përfundova së shkruemi dhe botova librin e parë “At Pjetër Meshkalla S.J.”. Ky, asht vetëm një shtojcë e librit mbasi aty nuk përfshihet asnjë material arkivor, madje as letra e Tij. Dosja 4191/1. (Në këtë dosje asht edhe materiali i arrëstimit të parë në vitin 1946, me Dosje nr. 1303). “Sot asht dita e Krishtit Mbret. Ka prej atyne që mendojnë se munden me ia hjekë Krishtit kunorën e Mbretnisë së qiellës e të tokës, por, gabojnë, gabojnë, gabojnë!…”. Me këto fjalë mbyllej pretku i asaj dite të diel, më 21 nandor 1946, në Kishën e Zemrës së Krishtit në Tiranë, më tregonte z. Pjetër Topalli aty nga viti 1994, mbasi kishte lexue librin tim. -“Atë natë, rreth orës 21.00, u arrëstue At Meshkalla dhe Don Shtjefën Kurti. Gjatë kohës së qëndrimit në hetuesi për At Meshkallën, asht interesue me i çue ushqim dhe ndërresa një besnik i tij, Fra Gjon Radovani”, – më tregonte ai.

Hetimet fillojnë të nesërmen e arrëstimit më 22 nandor ora 8.00, në Tiranë. Dosja ka disa nga deponimet e tija të cilat, unë po i shënoj ashtu si kam mujtë me i marrë: “… Pushtetin komunist e kam luftue në të gjitha predikimet e mija. Me rastin e vdekjes së Imzot Bumçit, i kam ba thirrje nanave të dëshmorëve që mos me kërkue gjak, mbasi kjo ngjallë vëllavrasje. Me luftën nacional-çlirimtare u bashkuen edhe komunistët e me që këta nuk njofin dhe respektojnë Fenë, unë nuk jam pajtue me komunistët … Kam mbyllë “Rrethin e Sh’Pjetrit”, pse këta djelmë po përziheshin në rryma politike si, me Ballin, Legalitetin dhe komunistat ….Aktivitetin propagandistik kundër P.K.Sh. e kam fillue nga viti 1943. Kjo parti atëherë drejtonte Luftën N.Çl., por, unë tue kenë kundër komunizmit kam luftue edhe punën e tyne. Këtë propagandë e kam ba edhe ndër familjet ku kam shkue për vizita e raste të tjera…

At Troshani ka kenë eprori i em. Ai nuk merrej me politikë edhe ai si unë, nuk e donte fashizmin. Në vitin 1945, lidhjet me Papën u ndërprenë. Unë kam dërgue një letër në Misionin Francez, ia kam dorëzue në dorë Briotit për me e dërgue në Vatikan. Këtë letër e kam shkrue bashkë me At Frano Kirin, ku, kam tregue ndalimin e lirisë së Fesë, fjalës dhe shtypit. Delegati Apostolik ishte e pa muejtun me u marrë me shtetin këtu, se konsiderohej fashist (deri diku kishte të drejtë), prandej, kërkova nga Papa një delegat tjetër. Një letër ia shkrova edhe Komandantit të Përgjithëshëm Enver Hoxhës, por nuk mora përgjegje…

Unë, bile, akuzohem fashist tue kërkue edhe heqjen e Delegatit Apostolik, këtë unë nuk e kuptoj!..Për lirinë e shtypit tonë unë kam kërkue me u takue me Nako Spiron por, ky, më ka çue njeri tjetër… Për votime nuk kam kenë dakord që mos me pasë secili mendimin e vet për partinë që don… Mendimi em ishte se në Shqipni, Pushtetin nuk duhët ta marrin komunistët, mbasi nuk do të na ndihmojnë shtetët e Evropës, mbasi atje ka vetëm Parti Demokristjane, gja që do të ishte e mirë me e pasë edhe na. Në muejn Maji të vitit 1946 kur ishim tek At Pashko Prela, Provinçiali At Mati Prennushi, më tha: “Në gjyqin që ishte zhvillue në Shkodër mbrojtjen ma të mirë e ka ba Padër Fausti, por ç’dobi kur nuk e lanë me folë, mandej, ma në fund na asht dashtë me kohë me organizue ndonji parti politike, nuk do të ishte ndonji krim!”. Imzot Frano Gjini më ka ngarkue me shkrue nji letër për Enver Hoxhën, ku bahej fjalë për përkrahjen që duhët me na dhanë shteti né dhe, për padrejtësitë që na bahëshin, ndalimin e shtypit etj… Me Don Shtjefën Kurtin kam pasë mosmarrveshje mbasi kam dënue miqësinë e tij me Musa Jukën dhe Jakomonin… Jam kënaqë kur një i ri nuk ka marrë tesëren e BRASH-it, se kjo organizatë udhëhiqet nga komunistët dhe i kam thanë: “brravo të kjoftë” dhe i kam shtërngue dorën. Raste të tilla si ky janë kenë të shumta… Mbas çlirimit e rihapa “Rrethin e Sh’Pjetrit” se mu lutën të rijtë dhe unë, e pashë të nëvojshme me e rihapë, mbasi rinia kishte fillue me u implikue me komunista.  Dëshmia e Parid Daranit bjen poshtë, se ky nuk ka qenë në “Rrethin e Sh’ Pjetrit”.

Deponimet e sipërme janë baza e akt-akuzës së prokurorit Petrit Hakani, për hapjen e gjyqit kundër At Pjetër Meshkallës, në Tiranë, me datën 14 prill 1947.

Në dokumentin e vëndimit të gjyqit shënohet me shkrim dore nga Kryetari, major Gjon Banushi: “15 vjet heqje lirie dhe punë të detyruar”. Tiranë, 17 prill 1947.

Avokati Vasil Xhai, në mbrojtjen e tij, me datën 16 prill 1947, shkruan: “…Kurdoherë kundërshtari respektohët për idetë e tija, që mbron me këmbëngulje dhe sinqeritet. Sinqeriteti i tij duhët të çmohet dhe të interpretohet në favorin e tij, si rrethanë lehtësuese”.

Vendimi mbeti i pa ndryshuem për 15 vjet… shumicën e të cilave, At Meshkalla e kaloi në burgun e Burrelit. Mbas lirimit nga burgu erdhi në Shkodër, mbasi atëherë kishte edhe nanën gjallë, e cila jetonte me kushrinën e tij Ganxhën, në rrugën Ballabane, në një shtëpi përdhese. Kush ka pasë rasë me shkue në atë shtëpi tek At Meshkalla besoj kujton mirë skamin dhe fukarallëkun e Tij, në të cilin ka jetue në ato vite të mnerëshme, gjithmonë i survejuem, por kurrë i friguem, mikpritës, i dashtun, i qeshun e bujar, me shka mujte me pasë në atë kolibe, përveç fjalës së ambël e joshëse, që nuk i ka mungue asnjëherë. Kur e ke pa sëparit të dukej aq i shkurtë e aq i madh ishte kur vinte koha me u nda me té sa, orët e tana të bisedës të dukeshin 5 minuta.

Asnjë njeri nuk ka mujtë me të shpjegue me fjalë madhështinë e tij, guximin, burrninë, inteligjencën, fetarin e përkushtuem dhe atë, që e bani të dashtun për gjithë njerëzit pa dallim Feje, luftëtarin e vëndosun kundër komunizmit. Në të gjithë burgjet e kampet e punës dhe të shfarosjes së komunizmit, në të gjithë anët e vendit dhe kudo që ke mujtë me zanë në gojë emnin e At Pjetër Meshkallës, asht kenë e pamujtun mos me pasë në tavolinë një njeri që menjëherë ka fillue me tregue për karakterin e tij të pathyeshëm para çdo bishe komuniste që e ka sjellë koha. Çdo shtëpi shkodrane tue fillue në lagjën Skënderbeg, e tue u përshkue nga Serreqi, Arra e Madhe, Perashi, Xhabijej, Parrucë, Zdralëj, Dudas e Kiras e ku të shkojnë mendja, nuk ka pasë prak shtëpie katolike e myslimane që nuk ka shkelë kamba e tij. Ishin vetëm 6 vjetë që ishte në Shkodër dhe njihej nga të rinjtë e pleqtë, sikur të kishte punue gjithmonë në atë qytet. Pra, asnjëherë nga viti 1938 ai nuk ka shërbye në Shkodër, madje, edhe mbas lirimit nga burgu i parë në vitin 1961 e deri në vitin 1967, kur asht arrëstue prap, populli i Shkodrës nuk e ka pa tue thanë meshë në asnjë Elterë të ndonjë Kishe dhe, as në ndonjë predikatore tue shpjegue Ungjillin.

Kisha e tij ishte dhoma ku flente dhe, predikatore, asht kenë çdo vatër shkodrane. Ai ishte Prifti ma i nderuem dhe ma i njohuni për gjithë Popullin Shqiptar! Kjo asht arësyeja e vërtetë e arrëstimit të dytë në vitin 1967, me “Revolucionin Kultural”.

Ishte plot 66 vjeç më 29 prill 1967, kur lajmërohet me kenë në një mbledhje të organizatës së Frontit, në orën 17.00 në Institutin Pedagogjik të Shkodrës. Survejuesit që kishin kontrollue hymjet e daljet në shtëpinë e tij, “lirohën nga detyra” aq e randë që kishin deri atë ditë. I duhej me njohtë gjysmën e Shkodrës për me njoftue në Sigurim kush shkon e vjen tek At Meshkalla. Kur doli nga shtëpia u përshëndet për të fundit herë me kushinjtë mbasi mendonte se nuk do të shihet ma me ta. Dy oficerë që prisnin tek dera, e pyesin: “Në mbledhje jé nisur?”, dhe ai ju ishte përgjegjë shkurt: “Po!”… Ecin në një drejtim, marrin këthesën tek rruga Badra, drejt nga Dugajt e Reja dhe në Institutin Pedagogjik.

Asht ora 17.00. Ai hyni në derën kryesore… dhe… ndigjohën në altoparlantët fjalët: …Qetësi, shokë, qetësi!… Mbas hapjes së fjalës kryesore, shtjellimëve “filozofike”, çpifjeve dhe trillimëve kundër Klerit Katolik dhe në veçansi kundër Jezuitëve, mbasi atij Urdhni (S.J. “Shoqnia Jezus”) i përkiste dhe At Meshkalla, kërkon fjalën edhe ai, që mbas pak orësh do të quhët “i pandehur”. Bie një qetësi vorri në sallë… Ka shumë që nuk e shohin tue ecë me hapat e vegjël e të shpejtë që drejtohet nga podi, ku flasin konferencierët, mbasi asht i shkurtë, por kur i afrohët mikrofonit dhe e rregullon për qejfin e tij, shikon krejt sallën e heshtun dhe i drejtohët me këto fjalë: “Unë jam Katolik dhe besoj në Zotin! Po më vjen mirë që po më nepët rasa me folë prej një vendi, ku kam mundësi me ju drejtue popullit tem që më ka nderue, më ka respektue, më ka ndigjue fjalën teme dhe më ka pritë e përcjellë në shtëpijat e veta me dashni të madhe. Qëllimi i em ka kenë gjithmonë i mirë… me predikue fjalën e Krishtit dhe dashninë ndërmjet të të gjithë njerëzve, të të gjithë njerëzve pa dallim Feje!… Këtë kam folë në të gjitha shtëpijat ku kam shkue ndër Katolikë dhe Myslimanë, mbasi jemi vëllazën dhe besojme në nji Zot, jemi të nji gjaku sëpse jemi të gjithë Shqiptarë… Ka shumë njerëz që kërkojnë me na shkatrrue, me na përça, me zhdukë traditën, me prishë besimin, me mohue Krijuesin tonë, me rritë nji rini sërvile e hipokrite që nesër, nuk do të ju durojnë ma, do të ju shporrin qafët e, njëditë, ka me ju hangër kryet…

Ka këtu në sallë që nuk lanë gja pa shpifë kundër nesh edhe pse me të gjitha forcat kemi punue për Shqipni… Unë e kuptoj mirë që ata sot ashtu do të flasin, mbasi ata mos me folë ashtu si ia kanë dhanë të shkrueme në letër, nesër pushohen nga puna, e në darkë nuk kanë shka me u vue fëmijëve para me hangër, sëpse të gjithë njerëzit janë të lidhun për kafshatën e bukës… Kjo, asht arësyeja për të cilën i kam shkrue edhe udhëheqësit të Shtetit… kjo më ka detyrue, mbasi Populli Shqiptar asht popull besimtar dhe nuk asht vullneti i tij me prishë atë që ka ndërtue ai vetë me ndërgjegjën e tij… Kurrë, nuk asht Populli shkatrrues i Kishës e Xhamisë, kurrë nuk ka nxjerrë populli priftin e hoxhën nga katundi… Ju, i përgjithësoni vëprimet, ju flitni për inkuizicionin e shekullit XV, por, ju, harroni se shka jeni tue ba vetë në Shekullin XX… Njerëzit i dinë të gjitha, por nuk guxojnë me folë se nuk ka liri fjale, e tashti, nuk ka as liri ndërgjegje, as Feje…

Unë po ju tham  këtu, Populli nuk asht dakord me shka jeni tue ba ju, ai ka besue dhe do të vazhdojnë me besue në Zotin edhe pa Kisha e Xhamija… Ky veprim që bani ju sot asht vetëm turp para Zotit e para Popullit, asht turpi i juej para gjithë vendëve të Evropës, mbasi kjo që bani ju sot bahët në pragun e 500 vjetorit të vdekjës së Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotit- Skënderbeut, Mbrojtësit të Krishtënimit! Vetëm këtë mendoni, shka do të thonë Evropa nesër për ju!

Ajo e njeh Popullin Shqiptar dhe e din se ka 2000 vjet që ndjekë Fenë e Krishtit”… I ndërpritet fjala. (Teksti asht marrë nga një proces-verbal i shkruem shpejt e keq i ruajtun nga N.M.).

Pa mbarue mirë fjalën, xhelati Xhevdet Miloti e kapë për krahu, i ven prangat, del nga salla dhe kur i afrohët gjipsit të Sigurimit, i bie me shtjelm dhe e shtynë për me e futë mbrendë… Me datën 30 prill 1967 kontrollohët shtëpia, simbas proçes-vërbalit nga oficerët e Sigurimit me praninë e oficer Dhimitër Shkodranit. Njëkohësisht, oficer Llambi Jegeni në orë 08.00, fillon hetimet ndaj të pandehurit At Pjetër Meshkalla. (Në proçes hetuesi shkruen: Pjetër Dom Meshkalla, (mbasi sidukët pa “DOM” nuk i dukej prift). Hetimet vazhdojnë me datat 12 maji, 10, 15, 20, 24, 26 qershor 1967. Me datën 28 qershor 1967 hetuesi Skënder Myftaraj, ban një ballafaqim të At Meshkallës me Dedë Martin Kullën, ku At Meshkalla, nuk pranon se ka bisedue probleme politike me spijunin e njoftun Dedë Kulla, i cili përsëritë edhe në gjyq po të njajtat thanje.

Kur asht pyetë At Meshkalla se me cilin njeri ke bisedue për letrën që i ke shkrue Kryeministrit, ai ka tregue  kushrinin e vet, Luigj Meshkallën, për të cilin thotë: “Të vetmit njeri që i kam thanë se i kam shkrue letër Mehmet Shehut asht kenë kushrini i em, Luigj Meshkalla, të cilit kur i tregova, më tha: “Paske luejtë mendësh, po a bahët ajo punë?”, – Unë, ju përgjegja: “Ka dy-tri vjet që e mendoj këtë veprim, tashti m’u mbush mendja se ka ardhë koha dhe i shkrova, por, shka e tek Luigji nuk e din”.(Dosja 4191/1) E bana me qëllim këtë shënim për të Ndjerin Luigj Meshkalla, mbasi ka pasë njerëz në Shkoder, që kanë kërkue me randue padrejtësisht ndërgjegjën e tij.

***

Mbi bazën e thanjëve të At Meshkallës në auditorin e Institutit Pedagogjik, si dhe të atyne në hetuesi, ku nuk i heq asnjë presje e pikë hetuesi Skënder Myftaraj, përpilon akt-akuzën, të cilën me aprovim të Faik Minarollit, Gjykata e Rrethit Shkodër, në gjyqin e zhvilluem me datën 19 korrik 1967 në orën 14.00, me Trupin Gjykues të përbamë prej: Kryetar, Muhamet Tyli, anëtarë Ferit Halluni e Gjovalin Jaku, prokuror, Kostaq Shandro e kryesekretar Ibrahim Stankaj, aty nga ora 15.45 (pa u mbushë as 2 orë), dha vëndimin e sajë, tue dënue At Pjetër Meshkallën me 10 vjet burg heqje lirie dhe konfiskim të pasurisë së tundëshme dhe të patundëshme (që nuk kishte asgja mbas shpirtit). Edhe lutja e avokatit Sandër Kraja nuk asht marrë parasyshë nga “E nderta” Gjykata e Lartë, me kryetar Sybi Dedëj, antarë, Neki Agolli e Hajri Shehu, që me shkresën nr.145, lanë në fuqi vëndimin e gjykatës së Shkodrës.

Me datën 7 mars 1977 At Meshkalla lirohët nga burgu, me shkresën nr. 4887: “Plotësoi afatin, qëndrimi i tij ishte indiferent”.

  • Fjala e fundit e At Meshkallës në gjyq ishte: “Po të shprehin mendimet e tyne (njerëzit), ky pushtet nuk ka për të zgjatë shumë. Ju, më dënoni sa të dueni mbasi mue nuk keni shka më bani. Unë, prap se prap do të dal sëpse, ju, shpejt keni me mbarue mbasi shoshojnë keni me hangër e aty asht fundi i juej!

Feja e Krishtit nuk mbaron kurrë”, (19 korrik 1967).

FSHATI BRIJË BUNËS

Fundi i qytetit të Shkodrës lidhej dikur me Pazarin e vjetër që shtrihej deri afër Kalasë Rozafat. Kjo qendër tregetare me gati 2500 dyqane ishte epiqendra e tregëtisë ma të rëndësishme që zhvillohej në krejtë Shqipninë Veriore dhe Malin e Zi. Mbas vitit 1944 e deri nga viti 1950, ky pazar kje rrafshue gati krejtë nga kolera komuniste. Numrohej ndër tre tregjët ma të vjetra të Ballkanit. Ndër të fundit ndërtesa ishte Bigjisteni që edhe ky në vitin 1967 u shkatërrue me kulm e thëmel. Krejt kjo zonë u këthye në një park, tue lanë në një anë shtëpijat e magjypëve që janë edhe sot. Një rrugë kalon brijë kodrave afër këtyne shtëpive, ndërsa, tjetra asht rruga e vjetër përbrijë liqenit. Pak pa mërrijtë tek banjot e vjetra, në krahun e djathtë asht Ura e Bunës. Nga krahu i majtë rruga vazhdon anës Kalasë ndërsa ecja mbi urë vazhdon derisa kamba e sajë e fundit mbështetet mbi shkambijtë e malit  të Taraboshit, që zhyten ndër ujnat e Bunës. Aty asht edhe fshati i Zusit. Pak mbi fabrikën e çimentos asht Kisha e Sh’Mërisë, ndër ma të vjetrat a asaj zonë.

Rruga vazhdon kah Oblika e deri tek pika që thirrët Lisi në Vorr, afro 9 km. dhe asht gjithkund afër lumit. Aty bahet kalimi me trap dhe rruga e bukur mjedis plepave dhe shelqëve nga e djathta të çon në fshatin Samrishë, ndërsa majtas, shkon në fshatin Dajç i Bregut të Bunës, që dallon nga Dajçi i Zadrimës. Krejtë këto fshatra janë të shtrime mbi fusha shumë pjellore mbasi përmbytjet e lumejve Bunë e Dri kanë lanë sipër aq lym sa toka gati-gati nuk ka nevojë me u plehnue. Janë vende të bukra mbasi pejsazhi nuk asht monoton. Thehët prej kodrave të ulta që edhe ata janë të veshuna me kullosa e pemë frutore gjithfarë llojesh në të gjitha stinët e vitit. Peshku i lumit Buna dhe ai që derdhët me ujnat e Drinazit në Dejlan, tue fillue nga qefulli, gjuca, kubla, krapi, ngjala etj. kanë një shije të veçantë dhe të pëlqyeshme. Lundrat e barkat e peshkatarëve e bajnë edhe ma të bukur natyrën. Lundrimi në dukje nuk asht i rrezikëshëm, por gomnat janë të shumta dhe shpesh vdekjepruese për ata, që nuk njohin zonat e lundrimit. Ndër fshatrat e kësaj zone banorët kanë veshje të bukra dhe kryesisht gratë. Burrat kanë këmisha me gjoksa të qëndisun, xhamadana të lehtë dhe brakesha të lirëshme e të bardha mbasi klima asht me ndryshime të dukëshme ndër stinët e sajë. Të bie në sy tek gratë gjoksi i këmishave të qëndisuna, pëlhurat e linjta të kombinueme me mëndafsh, xhamadani, zbukurimet e argjentit prej xherdanit, fudullave e hajmalive me sixhirët e varun e deri tek unazat ndër pesë gishtat e dorës, që formojnë një harmoni të mbrekullueshme ndërmjet tyne, edhe si materie edhe si ngjyra. Mbi të gjitha këto objekte asht koka e bukur e kësaj rracë që spikatë me sytë e mëdhej, formën e bukur të fëtyrës dhe të gojës. Mbi flokët e zez dhe gështejë të mbledhuna në zylyfët e krehun me mjeshtri asht riza e mëndafshit me ngjyrat e bardha e të verdha të mëndafshit natyral, që rritët me kujdes nga vetë fshatarët, e kombinueme me melezin ngjyrë qumësht, e fillueme dhe e mbarueme me dy pjesët e kokave që janë të qëndisuna me motive, që dallojnë krahinat njena nga tjetra. Mënyra e rrahjës së tezgjahut asht dishka mahnitëse, gjithkund e njëtrajtëshme. Në krejt Zadrimën ka 27 lloje rizash. Këtë mendim ma ka dhanë studjusi i madh, etnografi Rrok Zojzi. Riza asht një kryevepër e tekstilit shqiptar. Ajo asht origjinale dhe e papërsëritëshme në vendët tjera të Evropës. Ngjyrat dhe kombinimet e shumta të sajat tregojnë mendimin artistik të krijuesve shqiptarë. Ndoshta, një studim i plotë i kësaj veshje do të nxirte në pah edhe një vlerë tjetër të madhe të kostumit shqiptar, përveç, xhubletës së malësorëve të Veriut dhe jepanxhës së grave katolike të qytetit të Shkodrës. Këta objekte janë gurrat prej kah arti i veshjës buron përjetësisht tue i shpjegue me vepra mbarë botës së qytetnueme se shqiptarët, nuk janë bisha malësh, por janë pjesë e pandame e botës qytetnueme evropiane, e lanun me dashje në skam, vorfni e ngatrresa nga vetë Evropa. Kjo botë më rrëthonte kur isha i vogël pa mbushe 5 vjeç, tek daja Don Kolec në Dajç të Bregut të Bunës.

Shtëpijat janë përgjithësisht prej gurit.

U ka ardhë hakut përmbytja dhe tërmetet. Në vitin 1949 dhe 1979 pothuej, dy herë këta fshatra janë rrafshue me shumë viktima në njerzë. Kishat dhe shkollat janë në të gjitha katundet, madje, edhe të vjetra. Ma e vjetra asht Kisha e Shirqit, një fshat afër Dajçit. Në Dajç edhe fshatarët pleq njihnin shkrim e këndim. Fëmijët kanë ndjekë shkollën me qejfë edhe pse shumë shtëpi ishin ngushtë nga ana ekonomike. Dëshira për mos me mbetë çobaj ishte e madhe. Një rol të rëndësishëm në këtë drejtim ka luejtë kleri. Mbas vitit 1950 atje ishte Prift Don Dedë Malaj. Ky meshtar me një kulturë të mirë dhe të formueme në Romë, ra viktimë e qëndrimit burrnorë ndaj mospranimit të nënshkrimit të Statutit në vitin 1951, dhe në vitin 1959 u pushkatue. Ishte bashkëpunëtor e vazhdues i denjë i qëndrimit të Don Kolec Prennushit ndaj kësaj çështje. Mbas Don Dedës, pergatitët për meshtar nga Imzot Ernesto Çoba dhe shugurohet prej tij në dhetor të vitit 1961 fshatari nga Samrishi Don Marin Shkurti. Ishte i datëlindjës 1933.  Emnohet famullitar në Dajç, ku më 8 dhetor 1961 thotë meshën e parë. Shërben në Stajka deri në vitin 1967 me “Revolucionin Kultura”. Mbas vitit 1967, kryen vepra të ndalueme “antikushtetuese”, pagëzon fëmijë, kunorëzon të martuem, vojon të sëmurë. Fillon ndjekja dhe survejimi. Sinjalizohet për arrëstim dhe më 14 nandor 1968, arratiset me gjithë farë e fisin në Jugosllavi, tue pre Bunën përballë shtëpisë ku kishte lindë në Samrishë. UDB-ja jugosllave bie në marrëveshje si gjithmonë me Sigurimin e Shtetit Shqiptar dhe mbas tri ditësh që arratiset, priftin bashkë me të gjithë njerëzit e familjës e dorëzojnë në duert e katilëve të Sigurimit shqiptar, më 17 nandor 1968.

Torturohen mizorisht të gjithë. Dosja përmban edhe një proçes të gjatë ku Don Marini, kërkon me shfajsue një nuse të vëllaut të tij, e cila ishte shtatëzanë, së cilës nuk i kanë tregue se ku po shkojnë për mos me rrezikue jetën e sajë. Hetuesi nuk merr parasyshë asgja edhe pse një mjek i maternitetit lëshon raportë për mos ndjekje penale të kësaj grueje derisa të lindin. Ajo dënohet 10 vjet burg dhe lind fëmijën  aty.

Me datën 5 mars 1969, trupi gjykues i përbamë nga Kryetar Jorgo Dhroso; anëtarë, Xhemal Gramshi dhe Gita Baci; prokuror Kostaq Shandro, hapin gjyqin kundër “armikut të popullit, tradhëtarit të Atdheut” Don Marin Shkurti me familjen e tij prej 17 vetësh, dhe mbyllin dosjën me vëndimin, për Don Marin Shkurtin, me vdekje, me pushkatim.

Pjesa ma e madhe e familjës dënohet mbi 10 vjet burg. Mbi 20 vjetë dënohen të katër vëllaznit e tij. Vëndimi i dhanun për ekzekutimin e Don Marinit nuk u ndryshue as nga Gjykata e Lartë, as nga Kuvendi Popullor. Në fjalën e fundit Don Marini tregon se, arësyeja e arratisjes ishte pamundësia me shërbye në punën e tij shpirtnore si meshtar mbrenda Shqipnisë, dhe frika e arrëstimit për shërbimet fetare që kishte krye …Don Marin Shkurti nuk ka as veprimtari spijunazhi, as shërbim në favor të një shteti të huej. Në tri ditët e mbajtuna në Jugosllavi ai nuk asht pyetë dhe as nuk ka dhanë ndonjë informatë ushtarake në dam të Shqipnisë, atëherë, pse u pushkatue Don Marin Shkurti?

Ai deklaron: “… Kur isha fëmijë tue pa figurën e priftit tonë Don Kolecit, kur vdiq ai mue më thirri një za: Marin, katundet janë pa Prift! Shkova tek Don Deda dhe i tregova dëshirën por, dhe vëndimin që kisha marrë. Ai më tha: Edhe pse ndoshta mund të burgosin dhe të torturojnë si Don Kolecin dhe Meshtarët tjerë, mos u tremb! Forca e Krishtit asht ma e madhe se e djallit, të lumtë…! Unë vëndosa me u ba Prift dhe jam i lumtun që po vdes për Fenë e Krishtit! Mësimet që kam marrë nga Don Deda, për mue janë kenë aq të mëdhaja sa e tham pa frikë, Ai më ka mësue me vdekë si ka vdekë Ai vetë. Ju, mendoni se me këtë “Revolucion” do të fitoni mbi Fenë tonë katolike, por, mos harroni, se gjaku i jonë që derdhët tash dymijë vjet rrëkajë ndër thëmelët e Kishave, ai prap do ti rindërtojnë këto Kisha, që ju po prishni…”.

Don Marin Shkurti asht Martiri i Tretë i Kishës së Dajçit Bregut të Bunës…

Dy vjet ma i ri se Don Marini, ishte edhe Don Mikel Beltoja (Gjergji). Ky asht i katërti Martir i kësaj Kishë. Ka le më 17 prill 1935. Edhe ky u shugurue meshtar bashkë me Don Marinin, nga Imzot Ernesto Çoba në dhetor të vitit 1961. Ka shërbye në Dajç dhe ma vonë në Barbullush. Në njëkohë asht kenë edhe në malësitë e Shllakut, mbasi kam njohtë djalin e një komunisti, që Don Mikeli e ka pagëzue mësheftas.

Veprimi i tij fetar mbas mbylljes së Kishave, trimnia në predikimin e Ungjillit, forca e fjalës së tij në brezin e rinj, gjithmonë në ballin e luftës kundër ateizmit dhe komunizmit enverian, e rreshtojnë në vargun e Martirëve. Arrëstohet me datën 19 prill 1973 dhe mbas tre muejsh hetuesi dënohet me vdekje, me pushkatim, vetëm pse mbron Fenë dhe vë  gojë në diktatorin publikisht para gjyqit.

Për kohën që ishte i dënuem me vdekje, flet kjo letër:

  • “Kur isha ende pa u arrestue kisha ndigjue se një prift i rinj predikon pa frikë për Jezu Krishtin dhe ban shërbime fetare, edhe pse Feja ishte ndalue me ligj. Kur u zhvillue gjyqi ai u dënue për agjitacion e propagandë kundër pushtetit dhe për propagandë fetare, tue vue gojë në vëprimet e shëmtueme të Enver Hoxhës kundër Fesë.

Këta “faje” komunistët kërkonin me i la me gjakun e tij prandej edhe e dënuan me vdekje. Populli i Shkodrës u trondit shumë nga ky vëndim kundrejt një njeriu të pafajshëm që me qëndrimin e tij burrnor, ringjalli në opinionin publik edhë njëherë kujtimin e Martirëve të Fesë.

Isha 16 vjeç kur u arrëstova dhe shprehja e parë që ndigjova posa më futën në hetuesi ishte: Ç’ti bësh, po të ishte pak më e madhe në moshë do ta pushkatoja pamëshirë me priftin që sonte… dhe, më futën në një birucë aty afër tij.

Dua të tregoj si e torturonin njeriun e Zotit: Komandanti Basri Temja nga Lushnja i sillte gjellën Don Mikelit, që ishte i lidhun kambësh e duersh me sigjir në birucën e tij, ku prist vëndimin e Tiranës për pushkatim. Gjella si dukët ishte shumë e ngrohët mbasi nga djegëja e sajë ndigjohej virrma e Priftit që nuk mund të kapërdihej. Kur mbyllte gojën dëgjohej krizma e tasit të aluminit që rrokullisej nëpër çimento mbasi ia hidhte fëtyrës “supën” përvluese. Kjo ishte një torturë që përsëritej gati çdo ditë ose edhe dy herë në ditë. Një polic i birucave me emnin Shefik, vinte me çizmët e tija të randa, hapte birucën e Don Mikelit, veç, kur ndigjohej krizma e kockave të kupave të gjunjëve nga shqelmat që i binte të shkretit Prift. Goditjet ishin aq të forta sa që, betohëm, se kam ndigjue me veshët e mij kockat e Don Mikelit tue u thye…

Njëditë, përsonaliteti dhe vëndosmënia e tij e friksoi antikatolikun Shyqyri Qoku, i cili shfreu dufin e tij patologjik prej sadisti tue e torturue aq shumë fizikisht Don Mikelin, sa, kur, më mori mue fillë mbas tij në zyrën e hetuesisë, u tmerova dhe gati nxora zorrë e mushkni nga goja, kur pashë një bluzë të bardhë me të cilën na mbështillnin gjatë torturës, të lame me gjakun e pastër të Martirit dhe me njolla ngjyrë jeshile të bame nga vjelljet, prej shqelmave të tyne… E mbajta vedin, u kapërdiva dy-tre herë për mos me kënaqë xhelatin e përbashkët të tonin dhe komandantin që ishte aty me te. Kur i pashë fëtyrat e tyne të zverdhuna si fëtyra të vdekuni që zbulonte ndërgjegjën e tyne të randueme me krime e, që, shpesh edhe i kalonte në bisha të pavetëdijshme, m’u duk sikur, po analizonin pafajsinë e Don Mikelit dhe peshën e randë të “fajeve” të mija, që nuk isha aspak ma shumë se 16 vjeçe… mora zemër nga qëndrimi i mpimë i këtyne dy kafshëve të tërbueme e, u thashë: Shihni vehtën në pasqyrë!… Shihni si jeni ba!… Moralisht jeni të dy të mposhtun nga Don Mikeli, ju jeni si të vdekun para tij, Ai ka fitue mbi ju edhe pse fizikisht ndoshta, Ai asht i shkatrruem, ju jeni të shpartalluem në ndërgjegjën tuej mbasi nuk dini se për çka e torturoni. Kjo asht dëshmia ma e kjartë e fitorës së Jezu Krishtit përmes dyshepullit të tij Don Mikelit, i cili, ju ban ju, me pa me sy praninë e Jezusit në tokë, kenjën e fuqisë së Zotit këtu, që na jep ne forcë për me përballue torturat tueja…

Përgjegja e tyne kje vetëm kjo: Prandej asht tue ju ndihmue…

`Kur pashë gjunjëzimin e tyne mora edhe njëherë zemër dhe ju thashë: Pse, ndihmë e vogël ju dukët ju lutja e tij, ju e torturoni dhe Ai lutët për shpirtin tuej të kacafytun me djallin.

Ai i lutët Nanës së Jezusit për shpëtimin tuej nëpërmjet të Birit të saj dhe ju e gjakosni, ju i bini me shqelma e, Ai, vazhdon me ju tregue ju, se keni kohë me u pendue për çka jeni tue ba…

Pse, a ndihmë e vogël ju duket ju që unë një vajzë e re nuk frigohëm aspak para jush?… Hë… pse nuk keni forcë me na mposhtë?

Ku asht forca e atij kryexhelatit tuej?.,Veç, një virrëm qeni ndigjova: Dil jashtë… jashtë!… Aq shumë ishte torollosë sa kishte harrue se unë nuk kisha si me lëvizë, se isha e lidhun për karrigë. Kur u kujtue komandanti më zgjidhi, urdhnoi policin që ishte mbas dere me më çue në birucë. U shtrina përtokë si zakonisht por e kënaqun… fjeta pak…

Mbas pak kohe më doli gjumi nga zani i fuqishëm i predikonjësit të Ungjillit. Don Mikeli ishte zgjue para meje dhe po bante lutjen e përditëshme për shpëtimin e shpirtit të torturuesve të tij: Mos torturoni vëllaun tuej… Jam tue u lutë për shpëtimin tuej edhe pse ju më torturoni mue, kërkoni falje Jezusit, se Ai asht aq i mëshirëshëm sa ka me i falë gjynahet tueja… Mos kini turp me ju drejtue Nanës së Tij, Virgjinës Mari, Ajo asht Nana e gjithë njerëzimit, asht edhe Nana e juej prandej, pendohuni për çka keni ba sa nuk asht vonë… Zemra e Nanës Mari asht e hapun për të gjithë bijtë e sajë, asht e hapun edhe për ju, që keni humbë arësyen e jeni lidhë me djallin… Pendohuni! …Lypni falje!… Keni humbë logjikën, mos humbni shpirtin! Krishti do të ju mëshirojë… o  vëllaznit e mij… Ai ka mëshirue kryqëzuesit e vet… Ai do të ju falin edhe ju!…

Tregoni edhe Hoxhës e Shehut, se edhe ata që nuk kanë lanë gja pa ba mbi kristjanët dhe besimtarët e Zotit, edhe ata kanë dyert e hapuna tek Zemra e Nanës Mari, tregoni se ndëshkimi i Zotit asht aq i madh për krimet që kanë ba sa fundi i shekujve nuk ka me i shpëtue…

Tregoni atyne që me krimet që kanë ba kanë shkretnue familjet shqiptare dhe kanë vorfnue edhe kombin tonë… Hiqni dorë nga vrasjet e djelmëve, vëllazënve tuej, mos veshni  zi nanat, motrat e gratë shqiptare që tash sa vjet nuk i kanë hjekë rrobat e zisë… I thoni damave të tyne mos u kënaqni me vrasjet e gjakun e bijve e bijave të Shqipnisë! Keni harrue se jeni tue vra shqiptarë! Shkatrruet Atdheun!

Ndigjova se u hap biruca numur 3, ku ishin dy persona për çështje ordinere dhe u futën në birucën ku ishte tue predikue Don Mikeli. Filluan me i ra me shqelma mbasi torturat që i banin ata Priftit, ishin mjet lehtësues për vuejtjen e tyne. Shpesh ata i çonin në dhomën e tij për me e zgjue nga dremitja e agonia e vuejtjes së vazhdueshme.

Këta predikime filluan me kenë një mjet forcimi për të gjithë ne që ishim ndër ato biruca ku vuejtja ishte e përgjithëshme. Erdhi një kohë që zani i tij ndigjohej ma rrallë, filluen me i ba gjylpana për me e vue në gjum. Tashti e kuptoj se i banin gjylpana se, kur fillonte me ikë efekti, ndigjohëshin gjamët e dhimbjeve e si nëpërgjum fliste: Ah, moj nanë… nuk kam kockë të pathyeme…Ah, sa janë kah më dhambin eshtnat!

Mbas pak minutash që zgjohej hynin xhelatët e torturonin dhe prap nuk ndigjohej ma zani i Tij. Kishin kalue disa muej që Ai vuante pandërpremje e bashkë me te edhe unë, që ndigjojshe me veshë dhe, shpesh, nga një vrimë e vogël e derës e shihja tue e marrë rrëshqanë për me e çue në tortura, ose tue e këthye nga zyrat e tmerëshme të hetuesisë ku, vuejtjet ishin ma të mëdha se ata të fundit të ferrit.

Asnjëherë nuk e pashë atë njeri tue u këthye me kambët e veta në birucë…por gjithmonë zharg…Përballë birucës numur 1 ku isha unë, në ditët e caktueme vinte bërberi që shërbente në degë të mbrendshme.

Vërejta njëditë një burrë me trup mesatar, pak zeshkan, me sy të zezë, i parruem prej shumë kohe dhe me një ngjyrë të bardhë të fëtyrës së papame nga dielli. E shikova pak me kurreshtje mbasi bërberi që ishte një spiju i ndytë i Sigurimit, në fund i tha: Tashti, Prift, të kam ba gati për dhandërr! U sigurova se po shihja me sy Martirin e Fesë… I ngula sytë në atë vrimë të vogël të derës sime, që nuk kisha si me e ba ma të madhe e, me kapë e me e pré në fyt me briskun e tij atë bërber, që për dy pare të ndyta po tallej me një Predikonjës të pafajshëm, vetëm se ishte Prift.

Mbas pak ditësh, nuk mora vesh sësi isha zhytë në një gjum deke. Po shihja andrra të llahtarëshme, vuejtje, tortura, gjak, një tmer i vërtetë më kishte pushtue, u dridhësha si thupra në ujë nga frika, një frikë që nuk e kuptoja nga vjen. Isha mbushë me vajë, vajë frike apo dëshprimi nuk e kuptoja, një tmer i vërtetë….isha e lame në djersë… Disi u skapullova kur pashë se jam në birucë por, sidukët, ndër andrra kisha lëshue ndonjë thirrje, veç kur pashë sportelin e hapun të derës prej ku, shihej fëtyra e kriminelit Alush Bakalli, që me gisht vërtikal para gojës lëshoi një sh sh sh…t!!, shenjë me të cilin urdhnonte heshtje… Një lëvizje rojesh jo e zakonëshme në atë orë. Nuk dija çka ka ndodhë… Edhe zhurma që më zgjoj ndryshonte, mujta me dallue zanin e katilit Shyqyri Qoku, që i vërriste Don Mikelit: Pusho… pusho, po të tham… Këtë herë dallohej se nuk ishte vetëm. Në atë lamsh mendimësh përzi me zhurmën e vargojve ndigjova zanin e Don Mikelit, e zemra m’u mbush me vajë.

Ishte mjedis kafshëve të egra që donin ta shkynin, e thërriste: “O Jezu Krisht! Zoti em, më jep forcën e fundit, o Shenjtja Mari, Nana e eme e përjetëshme për të fundit herë po të kërkoj, fali vëllaznit e mijë, kij mëshirë për ta se nuk dinë shka bajnë! Fali o Krisht! O Zot ndihmoje Shqipninë me shpëtue nga këta kriminelë komunistë. Zoja e Bekueme, Nana e Krishtit dhe e gjithë Botës, lutju Birit tand Zotit tonë Jezu Krishtit, që të më pranojnë në Mbretninë Qiellore, në duert Tueja të Bekueme ardhët Shpirti em!… Rrnoftë Shqipnia, Rrnoftë Krishti!”

Zani i tij sa vinte e fikej derisa nuk u ndigjue ma… U mbyllën edhe shulat e dyerve…edhe dryjtë. Isha me sy nga dritaria tue vështrue nëse ndigjohet prap zani i tij por, kuptova ma vonë se isha ngritë kot për një kohë të gjatë, derisa, u kujtova se iku! Ai iku në Mbretni të Qiellës…

Jam kenë interesue se çka u ba me Don Mikelin, mbasi e morën atë natë, nga një roje që ndryshonte pak nga të tjerët me emnin Ndue. Ai më pat tregue se janë nisë për Tiranë dhe rrugës i kanë ba një ingjeksion dhe ka vdekë. E kanë çue të vdekun në Ministrinë e Mbrendshme dhe prej aty e kanë futë në një kasetë frigoriferike me nr. 7 (shtatë). Mendonte se ai asht coptue nga mjekët e besueshëm qeveritarë për studim, nga studentët e fakultetit të mjeksisë së Universitetit të Tiranës.

Atëherë, dhe sot, që ka kalue një çerek shekulli nga kjo ngjarje, i drejtoja dy pyetje vehtës për këtë njeri që torturohej aq mizorisht nga kriminelët komunistë: 1. Pse e torturonin ndryshej nga të tjerët dhe, 2. Ku i merrte forcat Don Mikeli për me përballue ato tmere vuejtjesh?

– Gjithmonë e njajta përgjegje: E para, vetëm pse ishte Prift Katolik dhe e dyta, Ai fliste me Jezu Krishtin çdo çast që goditej nga kriminelët… Vetëm Ai e forconte Até dhe mue…

Gjithmonë kam besue se Don Mikeli asht Shenjt i pashpallun në Mbretninë e Qiellit! Ai asht i përjetëshëm në kujtimet dhe lutjet e mija!

Shkodër, 15 shtator 2000, bashkëvuejtësja e tij, Laura  Keçi  d.v.

***

  • Shënim(FR): Letra asht kopjue nga origjinali që më ka dërgue Zonja Laura pa ndryshime. Janë hjekë ato pjesë që kanë karakter personal, si, përshëndetjet apo opinjonet e zonjës Laura, për torturuesit etj. Kam kopjue me kujdes ligjëratat e drejta dhe fjalët e Martirit për të cilat e falnderoj Zonjën Laura, që i ka rikujtue me saktësi në këtë kohë, kur shumica e bashkëvuejtësve të këtyne Heronjve nuk kujtohën ma për ta, ose ma keq, i kanë harrue…
  • Laura, nuk më shkruen asnjë rresht për vuejtjet e saja.

Na që kujtojmë kohën e arrestimit të Laurës, duhet të jemi ma të kujdesëshëm në shkrimet tona mbasi edhe 16 vjeçaria Laura, zë vend në vargun e vajzave të nderueme shkodrane që janë masakrue nga sigurimi i komunizmit gjakatar. Gjyqi i kësaj vajze trandi Shkodrën! Me këtë rasë edhe e falnderoj Zonjën që me letrën e sajë, më ka nderue tue pranue botimin e sajë prej meje dhe, njëkohësisht i kërkoj të falun që ndër ato 17 faqe letër të shkrueme me dorën e sajë, e kam ba me rikujtue atë kohë të mjerueshme që Ajo, ka kalue në birucat e Sigurimit komunist në Shkodër, kur ishte pa mbushë 16 vjet…

  • Nga shkrimi i z. Gjergj Kola, në librin “Martirizimi i Kishës Katolike Shqiptare”, kam shkëputë pak rreshta për me plotësue portretin e Martirit Don Mikel Beltoja, i cili asht arrestue pse ka thanë: “Dashnia e Zotit asht e përjetëshme, drejtësia e njerëzve asht e përkohëshme… Bashkë me bukën e përditëshme duhet t’i jepni fëmijëve edhe virtytin. Atdheu forcohet nga virtyti i bijve tuej. Dëvotshmënia ndaj Zotit asht dëvotshmëni ndaj Kombit.” Kjo ishte “agjitacioni e propaganda”, për të cilat dënohej 10 vjet…

U arrëstue në prani të fshatarëve të Beltojës ku, ka krye shërbimet fetare. Në momentin e arrëstimit ka zhdukë të gjithë dokumentat kishtare, si besnik i atyne besimtarëve që i kishin besue.

Kjo, u quejt: Kundërshtim me “dhunë” ndaj përfaqësuesve të “popullit” (duhet lexue: të shtetit komunist), që dënohej me 5 vjet burg.

“…në shtëpitë e shumëvuejtuna të Dajçit, Barbullushit, Shllakut e Beltojës, nëpër zemrat e hapuna të fshatarëve të dashtun, dërgoi Zanin e ambël të Jezu Krishtit… U pastroi sytë e nximë nga urrejtja vëllavrasëse dhe u dha Dritën e Zotit.” Këtë e quejtën “mashtrim”, mashumëse njëherë, prandej, ky “mashtrim” dënohej me 10 vjet të tjera, që tue u bashkue të gjitha “nenët e fajet” bashkë, kalojnë dënimin 25 vjet burg por, me kenë se edhe para popullit të Beltojës, si edhe para gjyqit ka deklarue se:“JAM  USHTAR  I  KRISHTIT  DHE,  I  KËTILLË  DO  TË JEM  DERI  NË  VDEKJE”!

U pushkatue më 10 shkurt 1974, tue u rreshtue me Martirët e Fesë dhe të Atdheut.

 

NJË DOSJE…

Një parim i sistemit socialist asht: “Në frontin ekonomik dhe kulturor njerëzit duhën mbajtë nën frê, tue punue për një kafshatë bukë dhe vetëm për sot. Në darkë, sejcili duhët të mendojë: Shka do të hamë nesër”?

Ky asht ai që quhet ankth!

Çthurja e mendjes së njeriut, zymtimi i intelektit, përçudnimi i normave morale dhe shkatërrimi i ndërgjegjës nën sundimin e frikës, mbizotnonin kudo në të gjitha vendët komuniste. Sadizmi i Sigurimit të Shtetit asht kenë aq i institucionalizuem dhe i përhapun sa ké përshtypjen se me të vërtetë ndër tre vetë një ishte spijun. E vetmja shfaqje e tij publike asht kenë “lufta e kllasave”, mjeti ma i njohun i terrorit dhe i dhunës në masë që sillte vetëm FRIKË.

Një moskovit, thonte në TV: “Në Bashkimin Sovjetik para vitëve ’90, vetëm në çmendi mund të  flitej lirisht”. Ai fliste për Rusinë, ndërsa, në Shqipni edhe në çmendi të kanë mbytë…

Më tregonte Prof. Gaspër Ugashi, sësi, njëherë sheh nga dritaria një radhë të pafund njerëzish që prisnin për me ble salam. Një grup djelmësh të rinjë po qeshnin me të madhe. Mjedis tyne ishte një i smurë psiqik, ai quhej Bep Shantoja. I ndjeri Bep ishte thirrë nga Sigurimi i Shtetit për me dëshmue për një shok të tij por nuk kishte pranue. Herën e fundit që e thërrasin e mbajnë tri ditë në hetuesi dhe Sabri Godo, që ishte hetuesi i tij e “liron”… Prej asaj kohë Bepi ishte i smurë dhe nuk u shërue kurrma nga sëmundja psiqike. Gasprit, tue e dijtë këtë gja, i vjen keq për Bepin dhe zbret nga shkallët e del tek dera e shkëputë Bepin nga turma, e fton për një kafe në shtëpinë e vet derisa të vijë furnizimi i dyqanit. Bepi e pranon ftesën dhe u ngjitët shkallëve bashkë me Gasprin. Hyjnë në dhomë dhe ulen për me pi kafet; Bepi i drejtohet Gasprit: “Profesor, mue më pëlqen me ndejë me këta djelmtë e rinj se qeshëm, këta kujtojnë se unë jam i marrë, unë nuk jam i marrë, mbasi ti më njeh me kohë dhe ti e din se, unë kam lujtë mendësh, për mue janë të marrë ata që nuk lozin mendësh në këtë kohë. Vetëm të marrët nuk çmendën nga ky sistem”.

Qeshej i shkreti Gaspër, shpesh përsëriste: “Ka thanë Bepi… të marrët…” Jam i sigurt se Prof. Gaspër Ugashi, asnjëherë nuk e ka dijtë se shka asht e shkrueme në dosjën e tij për té, se po ta dinte edhe ky, do të kishte një fund tragjik nga frika. Ai mund të kenë marrë me mend por me e dijtë gja, kurrë nuk ka dijtë për shka do të lexoni:

  • “Dosja e Gaspër Kol Ugashit:
  1. Gjendja shëndetësore e Gaspër Ugashit: Gjendja shëndetësore e tij asht e mirë.
  2. Sjellja morale e politike: Në kohë të okupacionit ka mbajtë qëndrim fashist. Asht kenë besnik i Ernest Koliqit. Qëndrimi i tij ka qenë kundërshtar i Lëvizjës. Në Elbasan, në Normale i ka dhanë rëndësi mësimit të kulturës fashiste dhe nuk ka mungue aprovimi i tij. Si në kohë të okupacionit ashtu edhe mbas Çlirimit ka pasë lidhje të ngushta me klerin e sidomos me françeskanët. Asht fanatik. Mban qëndrim të papajtueshëm me situatën e sotme. Tregohet shumë indiferent për reformat e Pushtetit dhe për ngjarjet aktuale të vendit tonë. Mban sjellje të mira kundrejt autoritetit të shkollës edhe me nxanës. Edhe me shokët profesorë ka sjellje të mira.
  3. Ndërgjegja dhe rendimenti në punë: Tregohet i kujdesshëm për punën që ka në ngarkim. Ka aftësi për ta krye detyrën. Asht i rregullt në detyrë. Punon sa për të marrë rrogën.
  4. Kush e ka rekomandue në punë: Asht emnue prej Ministrisë së Arësimit.

Viti 1946.                                                              Vërtetohet:

Kryetari i Zyrës së Personelit (Fadil Hoxha) d.v.

(Shënimi i em: Dosja nuk ka asnjë ndryshim as mungesë nga origjinali)

  • Fletë-karakteristikë:
  1. Gaspër Ugashi

a). Gjendja shëndetësore: Ka shëndet të mirë por vuen nga njëherë nga eshkët. Ka mundësi me krye detyrën.

b). Sjelljet morale e politike: Gjatë luftës mik i ngushtë i trathtarit Ernest Koliqi dhe simpatizues i flaktë i fashizmit, të cilin e ka përkrahë me çdo mënyrë. I lidhun ngusht me klerin katolik si gjatë luftës dhe mbas çlirimit. Luftën e popullit nuk e ka dashtë. Nuk ka besim ndaj Pushtetin dhe reformat e tij nuk i sheh me sy të mirë. Në shkollë sillet mirë si me nxanës ashtu dhe me përsonelin mësimor. Asht i lidhun ngusht me familjen e radhë herë shihët i shoqnuem me të tjerë. Sjelljet morale i ka të mira.

 

c). Ndërgjegja e rendimenti në punë: Ka ndërgjegje pune dhe preokupohet mjaft me punët e shkollës. Asht aktiv dhe përfiton nga puna që ban. Nuk neglizhon dhe asht i aftë me krye detyrën. E meriton punën që ka dhe ka përspektiva që ta zotnojë mirë. Sektori i punës ku mund të japi ma tepër asht arësimi. Tregohet me respekt kundrejt eprorëve të vet.

Nuk ban asnjë përpjekje për përmirësimin e kulturës së tij.

Shkodër, më 29 korrik 1947         Shefi i Seksionit të Personelit

(Shuajp Hafizi) d.v.

Fletë-karakteristike e Gaspër Ugashit:

Kjo flete-karaktëristike nuk ka asnjë ndryshim nga ajo e bame ma sipër.

Data mungon.   Referent i Përsonelit: Shkodër

(Nazmi Dibra) d.v.

  • Karakteristikë 6 mujore e arësimtarit Gaspër Ugashi:

Sjelljet morale dhe politike: I pandryshueshëm asht qëndrimi i tij politik, nuk ka pasë as ma të voglin ndryshim, nuk pajtohet me vijën e Pushtetit tonë dhe as që ka përspektivë përmirësimi. Por, gjatë kësaj kohe nuk asht ndie se ka hjedhë ndonjë parullë për kundra Pushtetit. Sjelljet morale si mbrenda ashtu dhe jashta shkollës i ka të mira. Rrethin shoqnor e ka të shtresës së naltë dhe anti Pushtet. Ndërgjegja dhe rëndimenti në punë: Deri diku ka njësoj ndërgjegje në punë, punon dhe tregon interes për punën, asht aktiv dhe përfiton nga puna, i gjithë ky interesim që ban asht vetëm për rrogën që merr. Punën që ka në ngarkim e meriton mbasi asht në gjendje të mirë për ta krye këtë punë dhe asht i vetmi sektor që ky mund të japin mjaft. Nuk ka pasë degradime dhe as gradime. Karshi eprorëve sillet mirë dhe ka respekt ndaj tyne. Nuk ban përpjekje për të përmirësue kulturën e tij. Gjendja shëndetësore: Nuk ka pasë ndonjë ndryshim në shëndetin e tij gjatë kësaj kohe.

Shkodër, më 28 qershor 1948, referent i Personelit, (Nazmi Dibra) d.v.

  • Karakteristikë e 6 mujorit të dytë 1948 e Gaspër Ugashit:
  1. Sjelljet morale dhe politike: Në qëndrimin politik të tij nuk ka pasë ndonjë ndryshim gjatë kësaj kohë, rrin shumë indiferent dhe nuk ka përspektiva përmirësimi, mban sjellje të mira morale si në shkollë ashtu dhe jashtë.
  2. Ndërgjegja dhe rendimenti në punë: Ka deri diku ndërgjegje në punë; asht teknik i mirë dhe punon me përfundim të mirë punën që ka në ngarkim; asht i aftë që ta kryejnë ma së miri. Si arësimtar ka mundësi të japin ma shumë por nuk preokupohet gjithaq sa duhet. Gjatë këtij gjashtë mujori asht shpërblye për rëndimentin e mirë që ka dhanë. Nuk ka pasë degradime, gradime dhe as vërejtje. Ndaj eprorëve asht i respektueshëm. Nuk ban përpjekje për të përmirësue kulturën e tij borgjeze.

III. Gjendja shëndetësore: Fizikisht asht mirë, nuk ka pasë ndonjë sëmundje.

Shkodër, 3 mars 1949, referent i Personelit, (Haki Kraja) d.v.

  • Karakteristikë e Profesor Gaspër Ugashit:

Profesori nuk bën ndonjë përpjekje të dukëshme për ngritjen e tij kulturale me përjashtim të lëndës së përditëshme që ka në ngarkim për të paraqitur në klasë. Gjithashtu dhe nga ana e ngritjes së tij ideollogjike nuk jep shenja që të bëjë ndonjë përpjekje. Është fetar, qëndron larg politikës, i mënjanuar, indiferent, nuk është në korrent të shtypit tonë dhe i eviton bisedimet politike. Rrethi i tij familjar dhe shoqëror është i pakënaqur dhe me qëndrim të keq politik. Nuk jep kurrfarë ndihme në Organizatën Sindikale ku merr pjesë. Është profesor i gjuhës shqipe në klasat e ulta; për një kohë ka shërbyer si arësimtar në Uniket dhe për nevoja kuadri është ngritur për shkollën e mesme bujqësore të Kamzës, prej nga në fund të tremujorit të parë u transferua pranë këtij gjimnazi. Në punën e tij është i rregullt dhe deri diku i aftë; i është vënë në dukje mungesa e dhënjes së edukatës nëpërmjet mësimit të cilën mundohet ta bëjë, por pa bindje përsonale. Sjelljet e tij morale i ka të mira; ka respekt të tëpruar ndaj eprorëvet të përzjerë me njëfarë mos besimi dhe frike, megjithë egoizmin dhe kryelartësinë e tij. Gëzon shëndet të plotë.

Shkodër 25 3-1950.Vula: Drejtoria e Gjimnazit “29 Nëntori” Shkodër.

  • Shënimi i em: (Shkresës i mungon emni i drejtorit të gjimnazit të asaj kohë, Skënder Villa.)
  • Karakteristikë e Profesor Gaspër Ugashit:

Profesori i shqipes për klasët e ulta paraqitet nga ana formale i rregullt në punën që i është besuar; punon me plan, organizon mirë orën e mësimit, kërkesave të Drejtorisë iu përgjigjët në kohën e caktuar dhe deri diku është i aftë për lëndën që jep. Si profesor i letërsisë nuk bën edhe aq përpjekje për një intërpretim dhe komentim të përshtatëshëm të pjesëve letrare nga ana e përmbajtjes dhe nga ajo artistike. Të metat i janë vënë në dukje, por nuk është parë ndonjë përmirësim i dukshëm sidomos nga ana edukative. Vetë qëndrimi i tij apatik kundrejt ngjarjëve, mos ndjekja e shtypit dhe e radios sonë, mungesa e një përpjekje nga ana e tij për ngritjen ideo-politike, mos aktivizimi si duhët dhe sa duhët në mbledhjet e këshillit pedagogjik, puna supërficiale që bën si profesor kujdestar klase, tregojnë qëndrimin e tij politik indiferent, që anon nga ana negative. Sjelljet e tij morale dhe shoqërore, si brenda ashtu dhe jashtë shkollës i ka të mira. Ka respekt dhe bindje kundrejt eprorëve por, jo besim sa duhët. Paraqitët pak egoist dhe kryelartë. Ka gëzuar shëndet të mirë, por kohët e fundit ka patur një rënje.

Shkodër 19 mars 1951, Vula, Drejtori: Skënder Villa d.v.

  • Fletë-karakteristika e Gaspër Ugashit:

Profesor në Gjimnazin “16 Shtatori” Durrës:

Ep lëndën e shqipës në klasët e dyta të ditës e të natës. Tregon interes për punën por konditat e jetesës i ka të vështira: familjen e ka në Shkodër dhe vetë prej tetë muajsh jeton në hotel, pse strehimi nuk i ka siguruar një dhomë, kështu që nuk ka mundur të punojë sa duhët. Megjithatë, përfundimet mund të themi se i ka pasë gadi të mira. Niveli shkencor i mësimit ka qenë i mesëm; në koment i ka thëlluar mjaft nxënësit. Ka zbatuar pak eksperiencën sovjetike në disa punë të veçanta që u ka dhënë nxënësve të dobët. Ka qëlluar që edhe të mungojë në rrethët e konsultimit. Jashtë klase ka punuar me nxënës edhe disa novela e një roman.  Merr pjesë në rrethin e mesëm politik, por nuk bën ndonjë përpjekje të posaçme për ngritjën ideologjike të tij. I kupton drejt problemet që shtron Partia e Pushteti, por rri më njëanë dhe i rëzervuar. Interesohët për studimin e librave letrarë, por jo për metodikat. Në kontrollin e pedagogjisë paraqitet disi i prëgatitur. Merr pjesë deri diku në këshillin pedagogjik dhe çfaqë ndonjë mendim për mbarëvajtjën e shkollës. Është i përpiktë në të kryerit e detyrës si kujdestar. Si në shkollë, jashtë sajë dhe me nxënës sillet mirë. Në janar 1952 i është tërhjekë vërejtja për mos respektimin e vëndimëve që ishin marrë nga këshilli pedagogjik në një mbledhje të mëparëshme. Fizikisht është i shëndoshtë.

Durrës, më 13 maji 1952, Drejtori i Gjimnazit:  (Sul Demiri) d.v.

  • Karakteristika e profesor Gaspër Ugashit:

Qëndrimi politik i tij është indiferent. Ndjekë me rregull seminarët politike dhe studjon lëndën, por mëgjithatë ato shumë pak influencojnë tek ai për të ndryshuar paragjykimet dhe botëkuptimet e vjetra, kështu profesori shkon në kishë, nuk lidhë  mësimin me aktualitetin etj.           Për këtë vit shkollor profesori ka zhvilluar mësimin e gjuhës shqipe dhe të letërsisë në klasët e dyta dhe një të tretë. Gjatë punës së tij ka patur raste të një intërpretimi jo të drejtë nga ana shkencore, sidomos i ka munguar aftësia për dhënjën e metodikës. Për sëmestrin e parë nuk ka punuar si duhet si profesor kujdestar klase për të cilën është kritikuar në këshillin pedagogjik, ndërsa për sëmestrin e dytë ka ndjekur më më kujdes dhe ka punuar mirë me klasën, ka punuar me nxënësit e dobët simbas Ososkovit, por nuk ka përdorur metodën e kontrollit frontal sa duhët. Merr pjesë aktive në këshillin pedagogjik por nuk punon me organizatat e masave. Nuk është i lidhur sa duhët me shtypin dhe nuk bënë përpjekje të mjafta për ngritjen tekniko profesionale. Mardhënjet me drejtorinë, kolegët dhe nxënësit i ka patur të mira. Gëzon shëndet të mirë.

Shkodër, më 5 maji 1953, Vula, Drejtori i Shkollës Pedagogjike “Shejnaz Juka”: (Evrinomi Panda) d.v.

  • Karakteristikat e profesor Gaspër Ugashit:

Mban qëndrim politik të mirë; është profesor i klasave të para e të dyta gjimnaz e pedagogjike. Punon vazhdimisht me plan, është i gatëshëm për të plotësuar kërkesat e drejtorisë; bën përpjekje që të lidhë nxënësit me lëndën e tij; lëndën e spjegon mirë nga ana metodike, racionalizon mirë orën e mësimit, jep vezhdimisht detyra për në shtëpi, të cilat ia ua kërkon dhe i kontrollon mirë. Në disa raste kur ka të bëjë me botëkuptimin fetar, profesori nguron që të bëjë një analizë të thellë botëkuptimit idealist, mëgjithse ka bërë përmirësime në këtë drejtim. Si profesor kujdestar klase, paraqitet i lidhur me nxënësit dhe prindët e tyre. Me nxënësit ka takt e qëndrim korekt. Nuk merrët me asnjë punë e aktivitet shoqëror. Gëzon shëndet të mirë.

Viti shkollor 1953-54, Vula, Drejtori: (Skënder Villa) d.v.

  • Karakteristikat e profesor Gaspër Ugashit (1954-55):

Mban qëndrim politik të mirë; është profesor i klasave të para e të dyta gjimnaz e pedagogjike në lëndën e shqipës. Është i rregullt në punën e tij dhe iu përgjigjët në kohën e duhur kërkesave të drejtorisë; lëndën e zotëron dhe vete i prëgatitur në mësim; përpiqet ta kryej mirë detyrën në paraqitje, por botëkuptimi i tij fetar bën që ay të mos e ngrejë mësimin në nivelin e duhur ideollogjik; është element që prekët shumë dhe në raste kritike qëndron i ndrydhur. Në mbledhjet e këshillit pedagogjik qëndron indiferent; si profesor kujdestar interesohët për disiplinën, frekuentimin dhe përparimin e nxënësve, por nuk jeton me nxënësit dhe nuk ndikon, mbasi në punën e tij prej edukatori lot rolin e një predikonjësi. Nuk është i aktivizuar në ndonjë punë shoqërore. Gëzon shëndet të mirë.

Shkodër, më 10 korrik 1955, Drejtori: (Skënder Villa) d.v.

  • Shënim: Dokumentacioni ka një shkëputje, mbasi dosjet në vitin 1965, për arësimtarët kanë kalue në zyret e kuadrit të komitetit të Partisë, gja e cila, për mue krijoi pamundësinë me sigurue materialin e plotë. Po vazhdoj vetëm me dokumentin e fundit që kam gjetë:
  • KARAKTERISTIKË E GASPËR KOL UGASHIT:

Ka lindë në Shkodër më 3 shkurt 1909. Rrjedhë nga origjinë shoqnore tregtar i vogël me gjendje shoqnore tani mësues në shkollën 11 vjeçare “Jordan Misja”. Qëndrimi politik i familjës dhe i tij gjatë luftës nacional-çlirimtare ka qenë indiferent, mbas çlirimit i mirë. Nuk ka njeri në burg as të arratisun jashtë shteti. Gaspri ka krye 3 vjet Universitet në Firencë (Itali). Ka fillue detyrën në arësim në vitin 1933. Ka shërbye në Korçë, Elbasan dhe që nga viti 1944, në Shkodër.    Mbas çlirimit gjatë vitit shkollor 1945-46, ka shërbye në Gjirokastër. Që nga viti 1947 e deri tani, ka shërbye në Shkodër, si mësues në shkollën Unike, në Gjimnazin “29 Nandori” dhe në shkollën Pedagogjike. Tani së fundi ka qenë mësues në shkollën 11 vjeçare “Jordan Misja”. Gjatë kohës së shërbimit të tij në arësim, ka punue mirë në drejtim të një pune kualitative. Ka përgatitje të mirë mëgjithse nuk ka arësimin e naltë, ka aftësi për të dhanë mësim në shkollat 11 vjeçare (landën e gjuhës). Ka autoritet, asht serioz në punë dhe ban punë sistematike. Propozojmë të transferohet në Teknikumin e Pyjeve, si mësues i gjuhës dhe i letërsisë.

Shkodër, më 9 gusht 1965.           P. Komitetin Ekzekutiv K.P. Rrethit

Vula.                      Kryetari (Bilal Parruca) d.v.

Të vëhet në dosjen e kuadrit

Vula,  Sekretar K.P. Rrethit   (Mantho Bala) d.v.

  • Kjo karakteristikë kopjohet pa asnjë ndryshim dhe kalohet në dosjën e kuadrit të Komitetit të Partisë së rrethit Shkodër, tue shtue në fund vetëm këta rreshta: Komiteti Ekz. K.P. Rrethit me vëndim nr.150 datë 2 gusht 1965, i propozon Byrosë së Kom. Partisë, që ta trasferojë si mësues i gjuhë-letërsisë në Tek. e Pyjeve. Ne jemi dakord me propozimin e Kom. Ekz. K.P. Rrethit. Sekretari i organizatës bazë të partisë asht dakord.

Instruktori i Partisë          P. Komitetin e Partisë së Rrethit

(Petro Kanani) d.v.          vula.     (Mantho Bala) d.v.

  • Në vitin 1968, transferohët në shkollën 8 vjeçare “7 Nandori”, prej ku me një karakteristikë shumë të mirë të bame nga drejtori i asaj shkollë Z. Bardhyl Shpuza, Prof. Gaspri del në pension, mbas një sëmundjes së randë, si pasojë e vdekjës së grues në vitin 1968.

Me datën 4 nandor 1985, vdes edhe vetë Gaspri.

(Datëlindja e saktë e tija asht 7 korrik 1909).

  • PROFESOR GASPËR UGASHI, ishte një ndër figurat ma të ndërueme të arësimtarëve që ka nxjerrë qyteti i Shkodrës. Ai njihej në gjithë Shqipninë si mësues model për aftësitë profesionale, moralin dhe karakterin e tij në mardhanje me familjën, të afërmit, nxanësit, shokët e punës dhe armiqtë, që e kanë ndjekë e survejue gjithë jetën. Nuk do të hyjë në komente rreth dokumentave mbasi të gjithë ata që kanë krye shkollat e françeskanëve ose të jezuitëve apo, gjimnazin e shtetit në Shkodër, pa përjashtim, duhët të kenë në dosjet e tyne pjesën ma të madhe të shpifjeve, trillimëve dhe mendimëve që dashakëqijtë, referentët, shefat e kuadrit apo, drejtorët e shkollave (ish agjentë të Sigirimit të Shtetit), kanë shkrue në karakteristikat e Gasprit.

Koha e shërbimit në Normalën e Elbasanit duhët shënue si koha ma e vështirë e punës së tij, mbasi ishte koha e luftës, por ma fatlumja, mbasi nxanësit e asaj shkollë, ruajtën përshtypjet ma të mira për te dhe i shpëtuan kokën, si, Bilal Parruca, Mëhill Doçi, Thoma Deljana, Sheuqet Peçi etj. të cilët, kanë dhanë edhe deklarata se në karakteristikat e Gasprit ka vetëm shpifje, për qëndrimin profashist të tij. Asht e vështirë me gjetë student të gjimnazit Françeskan, që nuk asht kenë atdhetar.

I asaj fidanishtë ishte edhe Profesor Gaspër Ugashi.

Me rastin e 70 vjetorit të Gjimnazit të Shkodrës në vitin 1992 Prof. Gaspër Ugashi, dhe shumë profesorë shokë të tij, u dekoruan (mbas vdekjës) me titullin “Mësues i Merituar” etj.

Me kohën shumë gjana kalojnë e ma vonë edhe harrohën. Jam i sigurt se do të vijë një kohë, kur njerëzit nuk do të kuptojnë shka ishte kjo “dosje”, ose kujt i nëvojitej kjo?

Porsa një nxanës mbaronte shkollën e mesme ose për arësye ekonomike nuk e vazhdonte shkollën e mesme, ai do të paraqitej në këshillin e lagjës për me ba kërkesën për punë, tue tregue arësyet pse nuk vazhdon shkollën e mesme. Shpesh shkollat e mesme ndiqëshin ndër ato shkolla ku të caktonte komiteti i rrethit dhe jo, ku donte nxanësi.

Kryetari i lagjës, një përson i besueshëm i Pushtetit, i Sigurimit dhe vetkuptohet i Partisë, jepte mendimin për punën që mendonte për përsonin e interesuem. Konsultohej me sekretarin e partisë së lagjës dhe operativin e Sigurimit e të tre bashkë vëndosnin. I interesuemi paraqitej në vendin e punës dhe këtu fillonte dosja. Shefi i kuadrit i atij vend pune kërkonte së pari një autobiografi. Mbasi konsultohej me sekretarin e partisë së ndërmarrjës, operativin dhe drejtorin, atëherë, kërkonte nga i interesuemi për punë plotësimin e “fletë-anketës”, ku duhej me ju përgjigjë rreth 25 pyetjeve, tue shkrue prejardhjen prej gjyshave dhe gjyshëve, me axha, halla, daja e teze, shka kanë punue, si kanë qëndrue gjatë luftës, ku kanë studjue, a janë dënue ndonjëherë, a asht kush prej tyne i arratisun, apo fëmijët e tyne, etj. deri ditën që plotësohej kjo “fletë-anketë”, e cila mbasi plotësohej do të vërtetohej nga një komunist i njohtun i tij, se të gjitha thanjet “janë të vërteta”. Edhe kjo dorëzohej në zyrën e kuadrit. Mbas disa ditësh njoftohej vëndimi i ndërmarrjes. Mbas fillimit të punës shefi i kuadrit vazhdonte mbushjen e karakteristikave për të cilat, nuk njoftohej kurrë përsoni rreth të cilit shkruhej në dosjen e tij.

Një kopjo e këtyne dokumentave dërgohej në Degën e Punëve të Mbrendshme, nje kopjo shkonte në zyrën e kuadrit në Komitetin Ekzekutiv dhe një kopjo për djelmtë, dërgohej në degën ushtarake.

Për çdo arrëstim, arratisje, pushkatim etj. thirrej kryetari i lagjës dhe shënonte në dosjet e të gjithë përsonave që kishin lidhje me të dënuemin tue firmue me përgjegjësi penale, kryesisht për mos kallxim, kur nuk shënohej informacioni në ndonjë dosje. Ka pasë rasë që asht shkarkue kryetari i lagjës që nuk ka plotësue dosjen e ndonjë përsoni padashje. Kur një përson ndrronte vend pune, drejtori plotësonte karakteristikën e vendit ku ka punue dhe nëpërmjet të zyrës kuadrit, dosja i shkonte vendit punës ku do të shkojë përsoni. Kështu, çdo përson ishte i kontrolluem ndër lëvizjet që bante mbrenda territorit të Republikës.

Dega e Punëve të Mbrendshme kishte një rrugë tjetër.

Edhe ajo plotësonte çdo të dhanë me kryetarët e lagjës, operativët e lagjës dhe të vend punimit, mbasandej, kontrollonte planin e arrëstimeve që vinte nga Ministria e Mbrendshme dhe shihte se, “kujt i përshtatët” motivacioni që ka dhanë Ministria. I jepte Ministrisë emnat e përsonave që mendohej me u arrëstue për atë motivacion që kërkonte vetë ajo, p.sh. “agjitacioni e propaganda kundër Pushtetit”.

Ministria i dërgonte Degës së Mbrendëshme një dosje që quhej “dosja konsultative”, ku, kryetari i Degës së rrethit i dërgonte ministrit me shkrim “arësyen” për të cilën mendonte arrëstimin e përsonit.

Mbas aprovimit nga ana e Ministrit të Mbrendshëm hapej “dosja operative”, ku kryetari i degës ose shefi i hetuesisë, ngarkonin hetuesin X me arrëstue përsonin dhe me fillue hetimet me te në pistën e paramendueme, tue parashikue edhe masën e dënimit. Hetuesi fillonte hetimet dhe hapej “dosja me proçes-verbalët e hetuesisë”, e cila mbyllte kapitullin. Bahej gjyqi dhe gjykata kishte dosjen e vet, ku, shënohej proçedura e gjyqit, dëshmitarët, avokati, vëndimi, bashkë me “mendimin” e gjykatësit ose të prokurorit, për vëndimin që do të jepët nga Gjykata e Lartë.

Ky mendim duhet të përputhej me “dosjen konsultative”, pra, me vëndimin që asht marrë prej konsultimit të Ministrit me Kryetarin e Degës së Mbrendshme, PARA ARRËSTIMIT. Kur dënimi ishte me vdekje të gjitha dosjet formalisht i dërgoheshin Kuvendit Popullor, i cili zakonisht, “nuk i binte ndesh” gjykatave! Edhe Kuvendi Popullor hapte dosjen e vet. Pra, një i dënuem kishte këto dosje: 1. Dosja e parë, “dosja konsultative” 2. Dosja  operative. 3. Dosja e hetimëve. 4. Dosja e gjyqit. 5. Dosja e Gjykatës së Lartë 6. Dosja e Kuvendit Popullor (për të dënuemit me vdekje) dhe 7. Dosja me shkresat e burgut ose kampit ku vuente dënimin i burgosuni. Kur fillonte punën mbas lirimit nga burgu, hapëshin prap dosjet e para të punës. Të gjitha këto dosje ishin në tri kopje: 1. Ministria e Mbrendshme, 2. Arkivi i Ministrisë së Mbrendshme dhe 3. Dega e Mbrendshme e Rrethit, ku banonte i dënuemi.

Këtu, në këta shpjegime nuk përfshihën dosjet e agjentëve të  sigurimit që ishin të kudondodhun e, që ishin të përhapun në katër anët e globit dhe as agjentët e huaj në shërbim të Sigurimit Shtetit Shqiptar, që paguheshin nga fondet speciale të shtetit shqiptar.

***

Mosha e rekrutimit agjent ishte kryesisht mosha e re. Kjo moshë zgjidhej në shkollat e mesme si p.sh. shumë i njohtuni Politeknikumi “7 Nandori” në Tiranë, shkollat bujqësore, ku fshatarët pranonin këtë punë vetëm me shpëtue nga kazma. Një vend shumë i rrezikëshëm për rekrutim ka kenë edhe periudha e shërbimit ushtarak.

Në këta vënde pikësynimi ishte tek elementi me prejardhje të “keqe” politike, mbasi ai mund të ishte ma afër njerëzve të deklasuem që ishin gjithmonë në shënjestër. Studentët që merrnin bursa të pëlqyeshme me vazhdue shkollat e nalta ose jashta shtetit, duhët thanë se për fatin e keq 95%, janë kenë shpërblim i shërbimeve të bame nga ata vetë ose nga baballarët e tyne, në favor të Sigurimit. Prova e besueshmënisë për me kenë “agjent”, ndër shkollat e mesme asht kenë pjesëmarrja në aktivitetët e organizatës së rinisë. Pjesëmarrja në komitetet e rinisë së shkollave të mesme ishte “dekorata” që i jepte qendra e spijunazhit këtyne aktivistëve të devoçëm. Komitetet e rinisë kontrolloheshin dhe drejtoheshin në dy drejtime: 1. Nga Partia, dhe 2. Nga Sigurimi. Në të dy drejtimet qëllimi ishte i njajtë: “Vigjilencë”. Ndër qendrat e punës një rol të rëndësishëm në angazhimin e njerëzve në spijunazh ka luejtë organizata profesionale. Organizimi i aksionëve, tue fillue nga rrugët Kukës-Peshkopi apo puna vullnetare ndër hekurudha, hapjet e tokave të reja, tarracat etj. janë kenë të gjitha vende rekrutimi dhe prove të besueshmënisë në detyrën e “lartë” të spijunit. Kur besueshmënia për këtë detyrë fitohej shpejtë, p.sh. në ushtri, nga komisarët e repartëve ose ndër aksione, atëherë, djali që kishte shkue me i shërbye Atdheut, pa i ra brisk fëtyrës për vigjilencën që kishte tregue atje, këthehej “anëtar i Partisë së Punës”, ky ishte “nderi më i madh” që Partia bante ndaj këtyne “agjentëve” të provuem.

Sigurisht, “triska e partisë” hapte prospektiva të reja për punën, ngritjen profesionale dhe ideologjike etj. Shpesh, kur nuk kishte “prirje” me ndjekë shkolla atëherë, dërgohej në shkollën e Partisë në Tiranë, ku për “tre muej”…“diplomohej” me dokumentin universitarit… dhe këthehej “kuadër i lartë” me drejtue arësimin, kulturën, ekonominë e, pse jo, edhe “Shtetin”. Rastët janë të njohtuna me disa nga anetarët e Byrose Politike të Komitetit Qendror të Partisë, Rinisë etj…

Qendra ma fatkeqe e rekrutimit janë kenë zyret e hetuesisë, ku torturat shnjerëzore kanë thye burra e përsonalitete të njohtun tue i këthye në plaçka të Sigurimit, në “spijun”. Këtu, nuk do të zgjatem mbasi jam tmerrue kur kam lexue me sytë e mijë fjalën e fundit të ndonjë burri, që jemi përulë me nderim para kujtimit të tij, i hypun mbi stomin e dheut prej kah do të rrokullisej në gropë nga plumbat e komunistëve gjakatarë, krejt i pafajshëm, e në pritje të shprazjës së armëve, thotë: “Po vdes për Atdhe, rroftë qeveria demokratike dhe komandanti i sajë Enver Hoxha!”.

***

  • Gabon, gabon randë ai që mendon se, Sigurimi i Shtetit, togat e ndjekjës, arrëstuesit, hetuesit, torturuesit, vrasësit, gjykatësit dhe prokurorët, sekretarët e daktilografistët e zyrave të spijunazhit, rojet e rritësit e zagarëve të Sigurimit, spijunët dhe veglat ma qorre të atij vendi…nuk kanë kenë në nivelin e kontrollin e saktë e të përgjithëshëm, të kudondodhun, mbasi ata gjithmonë janë kenë dhe, janë edhe sot, MAKINA DREJTUESE E PARTISË DHE E SHTETIT.
  • Shqipnia asht kenë dhe vazhdon me kenë një shtet i errësuem me dashje dhe pa asnjë prospektivë “drite” nga e mira, përderisa nuk nxjerrë në pah faktët historike, po qëndron e heshtun në parimin komunist: “Çkado që kemi ba ose mund të bajmë, na kemi të drejtë me e ba prap!”.
  • Fanatizmi dhe torturat sistematike të Sigurimit, ndryshojnë shumë nga njenitjetri, por të dy rastët i kanë shërbye një qëllimi: ●“Zhdukjes së intelektualëve dhe Atdhetarëve, që kanë punue për zgjimin e pavarësisë së mendimit njerëzor, shoqnor e politik të Shqiptarëve”. BOTA E QYTETNUEME KËTE E QUEN GJENOCID!
  • Thesari i çmueshëm i diktatorit janë kenë spijunët, agjentët e informatorët, mbasi me anën e tyne ka mbjellë përçamjen në popull ndërsa, me vrasësit dhe terroristët, ka ruejtë për 50 vjet sundimin tue i trashigue pasardhësve kolltukun me mjetët e frikës, vrasjës e të ankthit, të brumosuna në ndërgjegjën e njerëzve që, vështirë se mund të zhgulën edhe përsa dekada të tjera.
  • Komunizmi i ka shërbye vetëm mizorisë së njeriut ndaj njeriut tue frigësue një popull me metodat e mjetet ma terroriste, tue shkatrrue të ardhmën dhe lulëzimin e Atdheut, tue mbjellë e kultivue farën e ndytë të agjenturës dhe hakmarrjës, vetëm per një qellim, që diktatori dhe bashpunëtorët e tij të ngushtë, me sigurue karrigën përsonale dhe, të ardhmën e fëmijëve të tyne, dhe me mundin e djersën e një populli të konsideruem si “kafshë”, me u sigurue mbasardhësve të vet pasuni e mjete jetese përrallore.
  • Këta ishin dhe janë “Dosjet”, që as, nuk do të hapen kurrë!

 

PJESA V

M E T A M O R F O Z A

“Perestroika nuk lindi nga kriza ekonomike por nga fakti se u zbulue ana shpirtnore e njeriut”, M. Gorbaçov 1999.

Në fjalorin e gjuhës së sotme shqipe (botue në Tiranë, viti 1980) fjala metamorfozë, shpjegohët kështu: “ Ndryshim i rëndësishëm në trajtën e jashtme, në ndërtimin e organëve ose në mënyrën e jetesës që pësojnë disa lloje kafshësh gjatë zhvillimit historik, ose gjatë kohës së rritjes, deri në zhvillimin e tyre të plotë, duke kaluar shkallë shkallë nëpër disa faza…” (fq. 1120).

Dy-tre udhtime të bavarezit Shtraus nga Gjermania Perëndimore për në Shqipni, aty nga vitët 1984-85, kishin ngjallë diskutime e shpresë në çdo skutë e qoshe të vendit. Pritej dishka nga ardhjet dhe takimet e Shtrausit në sferat e nalta të shtetit shqiptar mbasi ai u takue edhe me Enver Hoxhën, kur ishte me pushime në Volorek të Pogradecit.

Një përkëthyes që po e shoqnonte në udhëtimin e tij të parë nga Hani i Hotit  për në Tiranë, ka tregue se mysafiri gjerman kur po kalonte në rrugën e Taravicës, ka pyetë: “Pse udhëtojmë në këto rrugë sekrete?” Interesi i Gjermanisë për Shqipninë asht i vjetër. Shtrausi nuk e di se çfarë interesash kishte për né por, dij, se na për Shtrausin kemi nevojë edhe sot. Ndër faqet e fundit të gazetave shqiptare filluan me dalë artikuj që shpjegonin për festat dhe kremtimet e tyne në kohën e vjeshtës atje. Shqiptarët nga dëshira që kishin, mendonin, se lidhjet me Gjermani rifilluan. U banë edhe disa ndryshime në kodin penal për dënimet e agjitacionit e propagandës si dhe për arratisjen. Arratisja gjoja dënohej me “gjobitje” por, në fakt Ramiz Alia e këthej në vrasje dhe pushkatime. Ata të rinjë që kapëshin ndër kufinjë pushkatoheshin pagjyqe dhe shëtiteshin ndër qytete të lidhun ndër kamjona me tela me ferra, për me shtue frikën dhe terrorin ndaj atyne që mendonin me shkelë kufinin për me ikë. Manush Myftiu mbas 50 vjetësh filloi me recitue Pashko Vasën: “Feja e shqiptarit asht shqiptaria”. Ardhja e papritun një delegacioni nga Gjermania Demokratike i kryesuem nga Ministri i Jashtëm, aty nga vjeshta e 1988, solli një mesazh të Onekerit për Ramiz Alinë, ku thohej se Gjermania Demokratike asht e gatëshme me ndihmue Partinë e Punës së Shqipnisë edhe me të holla, veç komunistët shqiptarë të qëndrojnë në kullën e mbyllun të socializmit totalitar dhe, nënkuptohej, shkëputja nga Gjermania Perëndimore. Si shenjë respekti për këtë dreq “delegacioni”, komunistët shqiptarë i dhuruan një sasi të mirë bizhuteri argjenti. Edhe në Gjermani Lindore si tek na, “kush kapej tue kalue murin vritej…”,

Komunistët shqiptarë iu përgjegjën pozitivisht kësaj kërkese dhe nuk vonuan e dërguan urgjent një delegacion në Gjermani Perëndimore, të kryesuem nga anëtari i Byrosë Politike, “profesori” i marksizëm-leninizmit Foto Çami, i shoqnuem nga prof. Dhimitër Dhora, nga Shkodra. Mbas shkumjes së tyne atje, mardhanjet u ftohën.  Na vazhduam rrugën e zgjedhun nga komunistët e Ramiz Alisë. Kur karvanët e gjermanëve filluan dyndjen tue ikë nga kufinjtë e Lindjës kryesisht në Çekosllovaki, Hungari dhe prej atje nga Austria për në Përëndim, boshti i vendëve të mbylluna komuniste u thye. Perdën e hekurt e mori ana, lakoi… Qentë e kufinit gjerman humbën nuhatjen! Me datën 9 Nandor 1989, MURI I BERLINIT RA! Plot mbas 28 vjetësh… Gjermania u bashkue! Në vitin 1961, pikërisht, tek ky mur mbasi u ndërtue, Presidenti Xhon Kenedi, ka thanë: “Kush mendon se asht i mirë komunizmi, të vijë e të shohin Berlinin. Unë sot jam qytetar berlinez”. Xhon Kenedi edhe sot asht aty me monumentin e tij madhështor! Edhe pse Muri i Berlinit ra, në Tiranë Stalini, Lenini dhe Enver Hoxha vazhdonin…mos me ra!…

Vetëm ngjarjet e Rumanisë, më 22 dhetor 1989, dhe pushkatimi i Çausheskut me gruen e tij në pragun e Krishtlindjëve, i dhanë një mësim Ramiz Alisë e Nexhmije Hoxhës, se njëditë mundet me iu gjetë edhe ju kjo nderë, nëse vazhdoni me qëndrue në mendimin oriental…”as Lindje, as Perëndim…”. Demostrata e heshtun e 14 Janarit 1990 në Shkodër, dhe arrëstimet e bame një natë para kësaj demostratë, ndaj atyne që kishin vëndosë me rrëzue monumentin e Stalinit në qendër të Shkodrës, trandën përfundimisht edhe thëmelet e kalbuna të komunizmit në Shqipni. Mesha e Parë, më 11 Nandor 1990, e thanun nga Don Simon Jubani, në varrezat e Rrëmajit në Shkodër, hapi vorrin e shumëpritun të komunizmit gjakatarë në Shqipni. Në vjeshtën e vitit 1986, në Katovicë, mori pjesë edhe një delegacion i Partisë së Punës së Shqipnisë, i kryesuem nga Sofokli Lazri, nëpunës i naltë i Komitetit Qendror të P.P.Sh. që me Enver Hoxhën. Aty u mbajt një fjalim i rëndësishëm nga Mihal Gorbaçov, ku, tha: “…Të krijohen parti politike të majta, të qendrës, të djathta, por ato të kontrollohen e drejtohen nga ne komunistët. Partia që do të marrë pushtetin politik do të shajë komunizmin me thëmel e çati; që të fitojmë simpatinë e Përëndimit. Të dënuarit e të përndjekurit politik të afrohën që të na përkrahin,  por pushtet nuk do t’ ju japim, sëpse ata do të kërkojnë të hakmerrën”. (Marrë nga teksti origjinal i botuem në RD. Tiranë, 1994). Me datën 16 prill 1990, në TV Shqiptar Ramiz Alia, President i Republikës së Shqipërisë, i ngarkuem edhe me detyrat e Sekretarit të Parë të K.Q. të P.P.Sh. që më 13 prill 1984, njëditë mbas vdekjes së diktatorit Enver Hoxha, në një mbledhje me “shokët” e Byrosë Politike, thotë: “… Edhe bar do të hajmë, edhe gjak do të derdhim, këtu e më tej nuk shkojmë, lirinë, pavarësinë dhe socializmin nuk e sakrifikojmë”.    Më 23 gusht 1990, po në TVSH, në mbledhjen e bame para ardhjes së Peres De Kuelar në Shqipni, Ramiz Alia, thotë: “…T’i japim idenë pa marrë angazhime… Nuk pranojmë pluralizëm. Kurrë nuk do të lejojmë tregun privat, sëpse, kjo do të thotë likujdim i socializmit”.      Kobra Nexhmije Hoxha, asht ma e “sinqerta”, ajo thotë: “Peres De Kuelar duhët që Shqipërinë ta pranojë kështu siç është…” (TVSh, Tiranë, 23 gusht 1990). Edhe Peres De Kuelar, ma në fund erdhi e mori dy aspra të kohës së Krishtit, prej Judës shqiptare… dhe iku… Fatos Nano, Kryetar i Partisë “Socialiste” të Shqipnisë, në një takim me shqiptarët e Zvicrrës, thotë: “Njeriu ka një babë… ai babë i mirë apo i keq… është baba…”.

  • At Anton Harapi, në gjyqin e zhvilluem kundër tij në vitin 1946, thotë: “Shqipnia u fitue me gjak; me gjak dhe po mbahet e robnueme. Do të vijë dita e me Paqë e Drejtësi do të fitohet”. Kjo profetësi mund të jetë e para në botë mbas Luftës së Dytë!
  • Një politikan amerikan, në TVSH thotë: “Kur njeriu paguan borxhin, ai nuk asht borxhli ma”.
  • Presidenti i Republikës së Shqipnisë Dr. Sali Berisha, me datën 7 shtator 1993 në një takim me një delegacion evropian, thotë: “Shqipëria ka pas trashigue 400-500 milionë dollarë amerikanë borgje, pare të cilat, udhëheqësit komunistë i kanë rezervuar në bankat Perëndimore”.
  • Kryetari i Kuvendit Popullor i Republikës së Shqipnisë, z. Pjetër Arbnori, thotë: “Në Shqipëri nuk do të bëhen gjyqe politike” (TVSh. Tiranë,1993) Mbas një viti, më 20 prill 1994 në TVSh, në lajmet e orës 20.00 thotë: “… E rëndësishme është se në mes të Shqipërisë dhe Kinës, tani ka marëdhënje të mira, të cilat nuk komandohën më nga ideologjia”.
  • Kryetari i Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipnisë, z. Aleksandër Meksi, ka thanë: “Korupsioni është fenomen i pandarë në strukturën e ekonomisë së tregut”.
  • Prof. Sami Repishti, thotë: “Në Shqipni dinastitë e kalbuna, nuk mërrijnë me kuptue elementët demokratike”.
  • Prof. Arshi Pipa, ka thanë në Institutin Pedagogjik të Shkodrës: “Ramiz Alia desht me imitue Gorbaçovin, por nuk pat as trunin e as b… e Gorbaçovit”.
  • DU BOIS-REYMOND ka shkrue: “Materializmi nuk ka me mujtë kurrë me zhvillue ndërgjegjen”.
  • Presidenti Çek Vasllav HAVEL, ka thanë në Tiranë, në vitin 1999: “Njerëzit ma të rrezikshëm për demokracinë, janë komunistët e konvertuem në demokratë”.
  • RICOLI në kopertinën fundit të librit të tij, botue në Lubjanka, në vitin 1996, shkruen: “Stalinizmi ende nuk e ka pasur Nürembergun e tij; asnjëri nuk ka pranuar të jetë përgjegjës ose bashkpunëtorë me këto tmerre; asnjëri nuk është i penduar”.

 

DON SIMON JUBANI NË 1990

“Kremlini në teori ia kishte pre kokën komunizmit, por në Shqipni i tundej bishti”,

Ata që kanë kenë të burgosun në burgun e Burrelit tregojnë, se një nga birucat asht quejt “biruca e Don Simonit”. Ishte vrima ku futej “prifti kokfortë”. Lidhej për një ganxhe hekuri që nuk e lejonte as, me u çue me trup drejtë dhe as, me u ulë, ose me u shtri. Lehej me ditë i çveshun, pa mbulojë e shtrojë në temperatura të ulta, ku të ftohtit mërrinte shumë gradë nën zero, pa ushqim, vetëm me pak bukë e ujë me masë, në një pisllëk të pashpjegueshëm mjedis parazitësh, derisa iu mbushte mendja një kapterri kriminel me e “çlodhë” tue e zgjidhë e tue lanë me fjetë në çimento. Këta rreshta lexohën për dy minuta por me kalue 26 vjet me këtë mënyrë jetese asht një gja e pakuptueshme për né që nuk e kemi provue. Shembulli i tij asht ma i kjarti me provue se torturat në Shqipni kundër Klerit Katolik kanë kenë sistematike.

Shpesh, ata, që nuk i pushkatonin i izolonin ndër burgje të mnershme, i përdoronin si forca pune deri në raskapitjen e plotë, tue i shfrytzue në maksimum derisa si pasojë e vuejtjes, urisë dhe sëmundjeve vinte vdekja. Kjo vdekje shpesh asht kenë ma e mnershme se pushkatimi ose mbetja në torturë në çastët e para të arrëstimit. Me vdekë se me vdekë por të paktën pa vuejtje të gjata e shpesh të pafund.

Don Simon Jubani ka lé në Shkodër, më 8 mars 1927. Ka vazhdue mësimet e para në shkollën e Jezuitëve në vendlindje deri në mbylljen e tyne nga komunistët, në vitin 1946. Ka shkue ushtar dhe asht këthye infermjer në Shkodër. Merrej me futboll dhe njihej ndër lojtarët ma të mirë të Shkodrës. Në vitin 1958 shugurohet meshtar dhe emnohët në Mirditë si famullitar ku, bie në sy zelli dhe përvujtnia në shërbim të Fesë, të shoqnueme me një vrull të posaçëm dhe të palodhun për me ndërtue Kisha e çela në atë krahinë. Pa kalue 5 vjet arrëstohet nga Sigurimi i Shtetit dhe dënohet… prap dënohet… ridënohet… me mendimin mos me dalë asnjëherë nga burgu, ky “Prift i pa marrun vesh”. Bani 26 vjet në burg: “Prift me rrezikëshmëri të madhe për shoqërinë socialiste…”.

Më 13 prill 1989 lirohet nga burgu në pragun e “metamorfozës” komuniste. Vjen në Shkodër, por nuk gjenë vëllaun e tij të nderuem Don Lazër Jubanin, edhe ky Prift shembull i një kleriku të pathyeshëm.

Kishte provue perpara vuejtjët e burgjëve, interrnimëve dhe ndjekjëve të vazhdueshme të Sigurimit, derisa, njëditë, me datën 29 korrik 1982… e helmatosën kur po hante bukë nëpërmjet të “shokut” Marleci, që i rrinte pranë ndër arat e fermës, një bashkëpunëtorë i Sigurimit të  Shtetit, që edhe e survejonte ashtusi të gjithë klerikët tjerë kudo që ishin. Vdekja e Don Lazrit ishte humbje e një dijetari të vërtetë në fushën e historisë shqiptare.  Pa kalue as dy vjet nga vdekja e At Meshkallës, Sigurimit i duhet me angazhue prap spijunët për survejimin e një tjetër “arre nyçe” në atë rrugë 4-5 dyer ma larg se At Meshkalla, Don Simon Jubanin, priftin belbacuk që do të bajnë një Epokë si belbacuku i 1924, Luigj Gurakuqi. Binte shi me rrëshekë si bie zakonisht në Shkodër në muejn e Purgatorëve. Nuk mungojnë njerëzit në të dielën e parë në vorret e Rrëmajit. Edhe pse pjesa ma e madhe ishin vorre të vjetra, mbasi në vitin 1970 u pat ndalue vorrimi i qytetarëve në këta vorre, siç e kam shpjegue me mendim rrafshimi, prap se prap kujdesi i qytetarëve në muejn nandor nuk ka mungue. Të paktën një tubë me lule secili e vente tek kryet e vorrit edhe pse pjesa ma e madhe tashti nuk kishin as Kryqa. Shumë ishin thye, shumë ishin kalbë, shumë ishin shkatrrue e, gjithshka, shkonte drejt shumjes në atë vend të bekuem… Një qytetar që banonte në një prej apartamentëve karrshi vorrëve i quejtun Mark Murana, sjell një tavolinë me mbulesë mushamaje mbi të cilën hante bukë në shtëpinë e tij dhe vrapon në shtëpinë e Don Simon Jubanit, e sjellë ndër vorre priftin e veshun si gjithmonë me kostum të zi, tue lajmërue njerëzit e lagun prej shiut: “Eni, se tashti do të shohim MESHË prej Don Simonit!” Jo, ma shumë se 300 vetë që nuk u besojnë as syve, as veshëve dhe as kambëve, drejtohën nga Kapela e djegun e pa çati dhe me të vërtetë aty asht edhe Don Simoni. Don Simoni ven Kryqin e mëshefun mbi tavolinë bashkë me pak gjana të ruajtuna ndër vite, pa i shkue mendja ndonjëherë kur ishte në “birucën e tij” në Burrel, se do të vijë kjo ditë dhe mbasi ban Kryq, u drejtohët të pranishëmve:

“Vëllazën e motra! Dizidenti Mark Murana sot ka shkrue një datë historike, që do të përmendët ndër analet e kronikat historike të qytetit tonë martir të Shkodrës së famëshme, që po vuen për liri e demokraci, por, që sot, po fillon për té dhe gjithë shqiptarët një Epokë e Re…” dhe  përfundon fjalën e tij: “Sot një javë, më 11 nandor 1990 kemi Meshën ora 12.00, këtu ndër vorre”!

Për pak minuta të pranishmit shpërndahën në katër anët e qytetit. Fjala merr dheun. Të gjithë vrapojnë me shpërnda lajmin “Në Shkodër ka ardhë Mesia”! Si dikur, ndër katakombe njerëzit nuk besojnë, shumica kujtojnë se janë në andërr. Ka shumë që nuk harrojnë fjalët e Shën Tomës: “Unë, pa e pa Don Simonin me sytë e mijë tue thanë Meshë, e pa vue dorën ndër plagët e tija, që i kanë hapë komunistët në trupin e tij, NUK BESOJ!” Të gjithëve u dukët se ndër dyer përgjohen nga xhullinjët e shekullit të elektronikës, të gjithë me lot ndër sy pranojnë: “Kjo asht mbrekullia!” Edhe pse shiu vazhdon me ra, rruga e Ballabanës edhe njëherë u këthye në pjacë. Turma, turma, të rijë, pleq, sakata e qorra që kanë lind mbas datës 19 mars 1967, ditë në të cilën në Shkodër nuk kishte ma asnjë Kishë të hapun dhe që, nuk kanë pa Dritën e Qillës tue shndritë në fëtyrat e tyne nëpërmjet fjalës së Ungjillit, drejtohen kah Rrëmaji dhe me të vërtetë të gjithë besojnë se: “GJAKU I MARTIRËVE TË FESË DHE T’ ATDHEUT ASHT FARA QË SOT KA BIJTË, KATOLIKË E MYSLIMANË, TË VRAMË SË BASHKU NË ZALLIN E KIRIT, TË LIDHUN DORADORËS, SOT THËRRASIN: BASHKOHUNI VËLLAZËN SHKODRANË, SI NA KËTU QË KEMI VDEKË  PËR LIRI DHE DEMOKRACI TË VËRTETË”!

Amanetin e mban toka, thonë shkodranët. Filloi rindërtimi i Kapelës. Ato selvia të vogla, fidanat që dikur mbillte Nikolin Muzhani, tashti u banë trupa me mbulue çatinë e djegun. Një kantjer i vogël ndërtimi që ruhej nga qindra të rinjë ditë e natë për mos me u përsëritë dhunimi. Futej ndonjë gjips me spijunët e Partisë, por përgjegja ishte vetëm një: “Na leni rahat të vazhdojmë punën tonë… !” Çakiçi rrahte pa pushue tue ngulë gozhda. Karroca me llaç e gëlqere shkarkoheshin në sheshin para Kapelës. Të gjithë muratorë, të gjithë hamaj padallim Feje, të gjithë elektricistë e bojaxhijë, për me zbukurue tempullin e rindërtuem nga RINIA. Vetëm ndër dy vende nuk fikej drita as ditë as natë, në Rrëmaji dhe në Komitetin e Partisë. Vetëm ndër dy vende ka roje të vazhdueshme, ndër vorre dhe në Sigurim, ndërsa, agjentët janë përhapë në gjithë qytetin: “Kush e gjenë ku asht Don Simoni?” por, askush nuk flet… dihet se nuk asht i arrëstuem po, ku asht nuk dihet!

Asht data 10 nandor, ora 19.00. Terr. Nata ka fillue por pak kush asht ndrye ndër shtëpia, gjithë Shkodra asht dyndë ndër vorre. Janë fikë dritat. Tre djelm të fortë janë tek kulmi i faqatës së Kapelës. Njeni duket si Krishti, ka në krah një Kryq jo druni, po hekuri, ashtu si e pat edhe Shqipnia për 50 vjet; tjetri të duket se po e gozhdon me një çakiç të randë në dorë; ndërsa, i treti mban një qiri në dorë, për dritë. Vëndoset edhe Kryqi. Kur, përfundon puna dhe asht derdhë edhe betoni një duertrokitje e fuqishme ushton në Rrëmaji nga mija vetë që janë aty, të gjitha dritarët e apartamentëve hapën për me vështrue se shka ndodhi: “KISHA ASHT GATI PËR NESËR!” ndigjohet një za i fortë mes brohoritjeve.

Në orën 23.55’ në zyrën e Sekretarit të Parë të Partisë, Xhemal Dymylia bie telefoni, asht zani i Presidentit të Republikës, tregonte dëzhurni që ndodhet aty tue pi një kafe me Xhemalin. “Si urdhëron, po, po, si urdhëron… Peres De Kuelar më foli… si urdhëron shoku Ramiz… qetësia duhet siguruar… po, shoku Ramiz… njofto Çapajevin… po, si urdhëron shoku… Forcat speciale… po, po, ndigjoj… tashti, shoku Ramiz, si urdhëron… deri në një urdhër të dytë… po, shoku Ramiz, këtu jam sonte…”. Gjithë natën lëvizje gjipsash, gjithë natën korrierët spijun e agjenta në qarkullim…në çdo qoshe të qytetit që dukej sikur po flenë.

Shkodra dukej se flenë por, jo; dukej se heshtë por, jo; dukej se zien, por, jo; asht çue dhe zor se flenë ma, asht çue e nuk besoj se heshtë ma; nuk zien por, vlon, vlon bashkë me gjakun e Martirëve e derdhët si lum në Zallin e Kirit, aty, aty, brijë çinarëve të Rrëmajit!

  • 11 NANDOR 1990, ora 11.00. Ka disa postbloqe por jo, të rëndësishme. Disa makina gaz të Sigurimit janë në disa këthesa rruge. Mbrenda tyne shihej edhe ndonjë surrat i njohtun spijuni por nuk do ta ndyjë këtë artikull me emnat e flligtë të tyne. Filmojnë dhe shënojnë emna… Karvani i fshatarëve me biçikleta asht i pafund. Të gjithë ecin në punën e vet. Të gjithë drejt vorrëve… të gjithë të zhytun ndër mendime… të gjithë të duket se, me vete thonë Punën e Pendimit, asnjeni nuk din a këthehët në shtëpi… të gjithë me fëmijë, gra e pleq për dore, të gjithë përshëndetën njeni me tjetrin, të gjithë janë SHQIPTARË, padallim Feje … Të gjithë drejt vendit të Ringjalljës së Përjetëshme…

Një grup i madh myslimanësh asht vendosë mburojë tek dera e vorrëve. Njeni më tregon se, na do të qëndrojmë këtu mbasi po kje se ndodhë gja, na do të përdorim armët që kemi në trup… Ju, rrini të qetë ashtu si jeni me fëmijë e familjet tueja!..Sot jemi ne këtu! Ndër katët e nalta të apartamentëve shihet ndonjë tytë automatiku e drejtueme nga ne. Në krahun e majtë të vorrëve janë disa vagona të mbushun me sambistë të ardhun me forcat speciale nga Tirana, që presin “urdhën”…

Në sheshet e vogla përbrijë apartamentëve sheh vetura me gjithfarë targash tue fillue nga trupat diplomatike, sigurisht, edhe nga Ministria e Mbrendshme e deri tek taksitë e Elbasanit, Durrësit e të Kavajës… të gjithë kanë ardhë me pa me sytë e tyne mbrekullinë, mbasi nuk u besojnë ma fjalëve…

Pritet ai burrë që do të këthejnë edhe një fletë tjetër të lavdishme në Historinë e Shqipnisë, ashtusi atë ditë në Deçiq, u prit Ded Gjo’ Luli me trimat e tij… e, Ismail Qemali në Vlonë,… atëditë!

Mërrini… Erdhi Don Simoni! … Shihe, shihe, ku asht i rrethuem me djelmë të rinjë… Dikush çohët në majë të gishtave me e pa, dikush hypë mbi ndonjë gurë vorri, dikush tjetër çon fëmijët hopa; të gjithë kanë sytë në një pikë: “Tek Prifti vigan, tek Ai sokol, që nuk e ban ma Nana Shqipni shokun e tij, asht vetëm një vijë e bardhë në fytin e tij që ndanë kokën nga trupi, asht shenja e Shugurimit Meshtar, asht pikërisht ajo shenjë, që kush e di sa herë diktatori ka matë shpatën e tij me gjak për atë fyt… Asht Don Simon Jubani… Meshtari i Shkodrës… i bardhë në fëtyrë, si Shpirti i tij…”.  Një gëzim që nuk përsëritët ma!

Erdhi… Ai ecë me shpejtësi si gjithnjë e gjujzohët para Elterit!

Një grup grashë të moshueme me shenjën “Bijat e Marisë” këndojnë me lot për faqe, nga mallëngjimi kangën e “Zojës së Shkodrës”, të shoqnueme nga populli i cili, nuk e ka harrue… Një za naltohët nga qielli tue u bashkue me cicërimat e zogjëve ndër selvia, drejt gjethëve të çinarëve që duertrokasin fitorën me hymnin “Ave Maria”… prej Gjok qorrit (Vata), të cilit sot i ka ardhë drita…

Asht ora 11.45’… Vetëm në Rrëmaji bie ora e Lirisë…

Rrahin kumbonët… Edhe ajo ka dalë prej dheut… asht Ringjallë. Largohën pak rê që kishin zanë shkëlqimin e diellit e bashkë me rrezët e tija lind njëditë e re. Para një Elteri të thjeshtë druni përkulet para Kryqit për të cilin asht salvue Ai bashkë me gjithë Popullin e Shkodrës, asht Don Simoni. Mbas 1-2 minutash heshtje ushton një za sipër rrasës vorrit 24 e sa vjeçar, vue në 1967, asht zani që shembë bashkë me “Revolucionin Kultural” edhe zanin e qyqës së Partisë, që vajton “bilbilin”e sajë… Asht zani i një Don Simoni që ndihët i vetëm në truellin e Arbërit, asht një gjamë mbi të pafetë që shkrep si rrëfeja e zharitë monumentët e bronxit mjedis të Shkodrës e Tiranës, asht dora në ballë që thotë: “Në emën të Atit…” e Mesha fillon… Mbas pak çastesh i drejtohët popullit me fjalën e tij të paharrueshme e historike:

  • “Vëllazën e motra!

Le t’i kujtojmë për një minut në heshtje të gjithë këta të vdekun, që kemi ndër këto vorreza, dhe të gjithë ata vëllazën e motra tona, që kanë ra për një Shqipni Europiane, gjatë këtyne 46 vjetëve të shkueme…”.

Mesha vazhdon… derisa ndigjohën fjalët: “Shkoni në Paqë, Mesha mbaroi”!

Duartrokitje, thirrje “Rrnoftë Don Simoni”, kangë e brohoritje për FITOREN! Gëzim e hare në atë vend ku dikur vetëm lotohej…

Si një kor i vetëm populli këndon kangën: “KRISHTI MBRET”!

  • MESHA E PARË, asht fitore e Lirisë së Fesë mbi Ferrin komunist!
  • MESHA E PARË, asht fitore e Lirisë së Atdheut, mbi robninë 50 vjeçare!
  • MESHA E PARË, asht fillimi i Lirisë dhe i Demokracisë në Shqipni!
  • PA FE NUK KA ATDHE, PA ATDHE NUK KA LIRI, PA LIRI NUK  KA  DEMOKRACI !..

DON MIKEL KOLIQI

“… Titullin e Kardinalit e ka marrë Shqipnia”

Ishte viti 1951. Ditë e dielë, aty rreth orës 8.30 të mëngjezit kur ishim tue u këthye në shtëpi bashkë me gjyshën nanën Nine, mbasi pamë meshë në Kishën e Fretënve të Gjuhadolit, dhe, porsa hymë në rrugën e Gurakuqit, në krahun e djathtë doli nga një derë e vogël bashkë me motër Luçin, një prift që menjëherë u drejtue nga gjyshja që në atë çast filloi me kja për dajën Don Kolec, dhe i tha: “Nine, mos kjaj aspak, Don Kolecin e paska dashtë Zoti ma fort se ne të tjerëve, ti me të vërtetë e dishron por ai vdiq me faqe të bardhë. Zoti e mori për mos me e lanë me ra në duert e këtyne, ndërsa halli i jonë nuk po dihet por, ishallah, edhe ne na ruen që mos të turpnohemi… Vullnesa e Tij u baftë!”. Kur u ndamë, gjyshja më tregoi se ky ishte Don Mikel Koliqi, një bashkëmoshatarë me dajën që porsa kishte dalë nga burgu. Ndërsa, Motër Luçin, e njihja se e kam pasë edukatore në shkollën e tyne të Çelës në vitin 1944, pak kohë para se të mbylleshin shkollat e murgeshave nga komunistët.

Mbas pak ditësh kur po shihja meshë në Kishën Katedrale, pikërisht, më 16 tetor ditën e Zojës së Shkodrës, në një prej Elterëve po thonte meshë Don Mikeli. Mbasi u suell nga populli dhe, tha: “Zoti kjoftë me ju” dhe, u këthye nga Elteri si mbas vëprimit me mënyrën e vjetër të meshës, u përkul mbi Elterë, dhe u duk sikur dishka kishte. Për pak çaste erdhi Don Ernesto Çoba, dishka biseduen bashkë por meshën me një fëtyre ma të zverdhun se zakonisht mujti me e çue  deri në fund. Kur i tregova në shtëpi për këtë ngjarje nana më shpjegoi se Don Mikeli, asht i sëmurë me stomak. Nuk kaloi shumë kohë dhe Don Mikeli u arrestue.

Mbas arrestimit të dytë nuk e pashë ma deri në vitin 1990. Ai u pat lirue nga burgu në vitin 1986 dhe banonte tek motra e vet Margerita, zonja e Salvator Kurtit, por takimi me té për né ishte i frikshëm. Asht e vërtetë që shtëpia nuk kishte derë oborri por kishte shumë dritare, mbasi aty kishte rreth 15-16 familje dhe nuk dihej kush mund të kontrollojë lëvizjet të cilat me siguri dikush i rregjistronte. Don Mikeli, edhe pse ishte i lirë në shtëpi nuk besoj se lehëj pa u survejue. Ajo shtëpi dikur banohej nga i ndjeri Cuk Simoni, përkthyesi i parë i librit “Pinoku”, për të cilin Prof. Gaspër Ugashi më ka thanë, se asht një ndër kryeveprat e përkthimëve që janë ba në gjuhën shqipe. Kur hapej ajo derë, si fëmijë kishim dëshirë me pa lulet e bukra që kishte në atë oborr, drandofillet kaçë si tanda hardhije ndersa, tashti, të shkretnuem si shumë shtëpi shkodrane. Mbas vitit 1990 filloi edhe njëherë gjallnia në atë vend. Shumë vetë vizitonin Don Mikelin. Kur u pata takue herën e parë me té dhe i kujtova vitët 1951, ai me saktësi fliste për ngjarjet e atëherëshme edhe pse ishte 88 vjeç. Më pat tregue shumë gjana që nuk i dija për Don Kolecin, Don Alfons Trackin, që e vlersonte si thëmelues të bazave mbi të cilat asht ndërtue shoqnia e parë e “Vëprimit Katolik” në Shkodër. Tregonte për rrethët që kishte hapë me zejët e ndryshme që mësonin të rinjtë prej atij misionari të pakrahasueshëm me të gjithë të tjerët që kanë shkelë tokën shqiptare. Vlersonte vullnetin e madh të tij dhe sakrificën si misionarë. “Si tashti, kam ndër veshë zanin e të shkretit Don Ndre Zadeja, i cili, kur po e torturonin u thonte: Mohni brè kështu, po a ban shqiptari mbi shqiptarin shka jeni tue ba ju në mue!?” dhe, mbyllej biseda me një ofshamje për mikun e tij. Don Mikeli ishte arrëstue ndër ato ditë me Don Ndreun, dhe thonte për te, se e kanë torturue shumë… ndërsa, për vehte nuk fliste…  Pra, Don Mikel Koliqi, e fillon Kalvarin e tij më 3 shkurt 1945 dhe e vazhdon gati 38 vjet… me burgje e interrnime, pa ndërpremje deri në vitin 1986, përveç vitit 1950-1954, që janë vetëm 3 vjet që ka jetue në shtëpi tek kushrini i tij Pjerin Koliqi, vëllai i Motër Luçit dhe dr. Jul Koliqit (kirurg i njohtun). Atë ditë ishte arrestue edhe At Gicomo Gardini e At Gjergj Vata (atëherë xhaku), ndërsa në burg ka gjetë At Gegë Lumën dhe At Dioniz Makën, të arrëstuem në gjysë të janarit 1945.

Një çudi! Mbas gati 9 muejsh Don Mikeli dënohet 2 vjet “me kusht”, nga Aranit Çela. Mbas 3 muejsh i lirë arrëstohet prap dhe në mars të 1946 dënohet 5 vjet burg, si “armik i popullit”. Nga  burgu i Shkodrës, në 1948 nisët ndër kampet e shfarosjës, në Beden të Kavajës. Në vitin 1949, në Orman  të Pojanit të Korçës, deri më 20 korrik 1950 që lirohet. Pa kalue tri vjet e gjysëm, në vitin 1954, arrëstohet dhe mbasi i çveshin veladonin e interrnojnë në Radostinë të Lushnjës, Kuç të Kurveleshit, Gradishtë, Gjazë, Ballsh etj. Në vitin 1977, arrëstohet prap si “armik i popullit dhe agjent i Vatikanit” dhe dënohet 15 vjet burg, tue u dërgue në kampe pune etj., derisa përfundon në burgun e Burrelit prej nga lirohet më 11 prill 1986, gjoja për arësye moshe e shëndeti. Ishte tue dalë nga burgu, kur bashkohet me shokët tjerë që edhe ata po liroheshin me këtë. Të gjithë sëbashku bajnë edhe një “fotografi”. Kur e tregonte këtë moment qeshëj dhe shtonte, “si dukët i duhej kjo fotografi me ia dërgue Shtrausit”… pritej përditë një rreze drite e lirisë së fesë, kufinjve dhe e të burgosunve politikë. Ishte koha kur bahëshin përpjekje për hapje të Shqipnisë nga gjermano-përëndimorët.

Ishte viti 1991. Bashkimi i Sindikatave të Pavaruna të Shqipnisë kishte një problem shumë delikat, të rëndësishëm dhe urgjent në lidhje me Vatikanin, madje, direkt me Papën. Për këtë punë vjen në Shkodër, sindikalisti z. Eqrem Kavaja, me u takue me një Prift, me të cilin kishte ndejë në burg. Unë ja ndryshova mendimin dhe i bisedova se do të ishte ma mirë me shkue tek Don Mikeli. Eqremi ngurroi pak vetëm për arësye të moshës së tij mbasi çështja kërkonte shpejtësi veprimi, duhej zgjidhë për dy ditë. Unë ngula kambë me shkue dhe Eqremi nuk ma kundërshtoi. Shkuem në shtëpinë e Don Mikelit dhe biseduem të tre problemin që kishim. Ai e vlerësoi mashumë se na të dy. Në fund tha: “Ma leni mue në dorë këtë punë dhe mos e bisedoni me tjetër kend, se mund të ju vijnë ju ndonjë e keqe…” Kur dolëm në rrugë, Eqremi po ecte si i habitun dhe vetëm më tha: “Çfarë kokash ka pasë Kleri Katilik, 90 vjeç asht ma i kjartë se né në trû…” Mbas 24 orësh çështja për të cilën shkueme asht kenë e kryeme. Si e tek e dinte vetëm ai në Shkodër dhe Papa në Romë.

Në vitin 1992, Don Mikelit i erdhi nga Selia e Shenjtë titulli “Monsinjor” pra, në moshën 90 vjeçare ai njihej Ipeshkëv në Shkodër.  Në vitin 1993 takohet me Papën Gjon Pali II dhe Nanë Terezën, po në Shkodër. Shtëpia e Imzot Mikel Koliqit tashti ishte ba qendër pelegrinazhi, sëpse, aty ishte një mbrekulli që prekëj me dorë, shihej me sy dhe fjala e tij ishte këshillë për këdo që kërkonte ndihmën e tij. Po këtë vit një grup qytetarësh shkodranë i kërkuam Presidentit të Republikës dekorimin e tij me titullin “Pishtar i Demokracisë”, kërkesë e cila na u plotësue me datën 29 shtator 1993, atë ditë që Imzot Koliqi mbushte 91 vjet. Ceremonia u ba në Teatër “Migjeni”, ku nuk kishte vend të hidhej kokrra e mollës. Dekorohej Famullitari i Shkodrës, Don Mikel Koliqi, që për një gjysëm shekulli vetëm nderohej nga i gjithë populli shqiptar që vuante ndër tela gjithkah rreth Shqipnisë, ashtusi të gjithë Atdhetarët e nderuem nën prangat e robnisë komuniste. Për këtë dekorim duhej një përshkrim i shkurtë i biografisë së tij, të cilin kam pasë rasë të mirë me e ba unë.  Për tri ditë nga dy-tre orë kam shkue me ndigjue prej gojës së tij “jetën”… po, cilën jetë?! Fillonte me shekullin e XX, më 29 shtator 1902, dhe vazhdonte… 9 vjeç ishe në Breshia bashkë me vëllaun Ernesto, prej aty më çoi daja në Monza afër Milanit. Mbasi mora maturën atje shkova me ndjekë universitetin “Politekniku” në Milano, student në fakultetin e ingjenjerisë. Mbas dy vjetësh i shkrova një letër Imzot Lazër Mjedjës, me të cilën, kërkova me ndryshue drejtimin e jetës dhe me më dhanë lejën për me ndjekë degën teologjike për Prift. Në vitin 1927, po në Milano, vazhdova seminarin… studjojshe përveç teologjisë, muzikë, art, gjuhë të hueja… dhe në fund mbyllej fraza: “Si të gjithë të tjerët…!”, një modesti shembullore. Më 30 maji 1931 vjen në Shkodër e shugurohet në Kishën e Jezuitëve Meshtar, ndërsa, më 31 maji çon meshën e Parë në Kathedralen e Shkodrës. Emnohët ndihmës famullitar i Shkodrës pranë Imzot Gaspër Thaçit. Ka bashpunëtorë Don Zef  Pukën dhe Don Tom Lacën. Dy vjetët e para jep mësim në shkollën “Skënderbeg” me drejtor Pjetër Troshanin, për të cilin ruante një respekt të posaçëm. Aty fillon zgjedhjen e fëmijëve për me formue korin e Kishës së Madhe. Mbas vdekjes së Imzot Mjedjës në 1935, në vendin e tij emnohet Imzot Gasper Thaçi dhe Don Mikeli bahët famullitar dhe Vicar i Dioçezit të Shkodrës. Në këtë vit thëmelon fletorën “Kumbona e së Diellës”, të cilën e drejton 7 vjet, deri në mbylljen e sajë nga komunistët. Kësaj reviste Don Mikeli i dha një drejtim popullor me qëllim që të kuptohët nga të gjithë. Bashkëpunëtorët e tij, Imzot Gjergj Volaj, Don Ernesto Çoba, Don Zef Shestani, Injac Zamputti etj. ruajtën vlerat e saja në lamin atdhetar, kombëtar, fetar, edukativ dhe kulturor, tue zanë vend në revistat ma në za të kohës.

Në vitin 1993 Don Mikeli prap vazhdonte me kenë Drejtor Nderi. Biseda për revistën mbyllej: “Unë, vetëm e hapa, me e mbajtë e kanë mbajtë të tjerët, … penat e mëdha që shkruenin aty, ata e mbanin, mundin e banin ata…” Ndër ngjarjët ma me rëndësi të jetës asht krijimi i “Vëprimit Katolik Shqiptar”, shoqni laike me parime Katolike në ndihmë të jerarkisë për çështje që nuk i përkasin klerit me organizmin e vet, në të cilin kanë dhanë kontributin e tyne: At Pjetër Meshkalla, Don Alfons Tracki, Don Lazër Shantoja, Don Frano Illija, Don Nikoll Gazulli, Andrea Skanjeti, Shuk Radoja, Engjull Ndocaj, Dr. Jul Koliqi etj. Asht shoqnia ku spikati figura e Ndoc Jakovës si kryetar i saj. Në fushën e muzikës duhëj nxjerrë fjala me grep…  Ndërhyja më ndonjë pyetje ma shumë me ditë të sigurt atë shka kisha ndigjue nga të tjerët, por ndërpritej: “E kanë rritë vlerën ma shumë… muzika e eme nuk ka ato vlera, unë kam punue se më detyroi Dom Ndreu, ai mi vuni mbi tavolinë tekstët dhe më kërkoi muzikën. Po mos të ishte Dom Ndreu nuk do të kishe kompozue ato gjana të vogla që jam mundue me ba…” Don Mikeli asht ndër njohësit ma të mirë të muzikës klasike edhe pse nuk ka vazhdue rregullisht asnjëherë konservatorin. Ai ka kompozue pjesë origjinale të muzikës kishtare dhe vlera e tij mbetët e pakrahasueshme me tre melodramet e shkrueme nga shkrimtari Don Ndre Zadeja, me të cilin, bashkëpunoi dhe vuni bazat e muzikës kombëtare shqiptare, me një nivel të naltë artistik tue i ba të pavdekëshme ato.

Mjeshtria e Koliqit në muzikë mbetë pjesë përbase me vlerat e vëprave të Don Ndre Zadejës. Ato nuk shkëputen nga njena tjetra, sikurse as “Rozafa” nga “Rrëthimi i Shkodrës” dhe, as ky nga “Ruba e Kuqe”. Merita e madhe qendron se Imz. Koliqi me muzikën e këtyne melodramëve vuni me sukses gurin e parë në muzikën skenike. Don Mikel Koliqi asht i pari muzikant shqiptar që, në muzikën skenike futi elementët e muzikës sonë kombëtare.

Don Mikel, e pyeta: “Në cilat kampe ke kalue, dhe shka të ka mbetë në mend nga hetuesit, vuejtjet e ato vite tmeri?!” Ai m’u përgjegj: “Kampët e burgjet nuk më kujtohen dhe nuk besoj se i dijnë edhe ata që më kanë burgosë e interrnue… janë shumë, janë gati 38 vjet, nuk më kujtohën se ishin të gjitha njësoj. Edhe hetuesit ishin të një kallëpi, të gjithë si të ishin të një nane, thomi na shkodranët. Nga gjithë jeta e burgut dhe interrnimit më ka mbetë në krye vetëm një përson (PT) … i cili, ishte në interrnim edhe ai me mue në Ballsh. Të lutem emnin e tij mos e shkruej asnjëherë se ishte nga një familje shumë e mirë myslimane, nga Tirana. Kam njohtë babën e tij dhe nuk due me ja njollosë emnin, se asht kenë burrë i mirë. I biri vuente me mue. Pat fillue me u disprue nga puna e randë në fermë. Unë, për mos me e lanë me shkue në disprim dhe mos me i ardhë gja e keqe fillova me e afrue me fjalë të mira me mujtë me i dhanë forcë e shpresa për jetën. Ndër ditët e diela shpesh vinte për drekë bashkë me dy-tre shokë të tjerë. U mundonim me harrue ku jemi. Unë kishe nje radio të vogël dore ku ndigjojshe lajmët dhe muzikë. Ajo ishte dritaria eme. I tregojshe ndonjë lajm shpresëdhanës tue ja shpjegue me gëzim se dishka mund të bahët… Ai ndigjonte dhe nuk fliste me njeri, mbasi kjo ishte e vetmja porosi e emja.

Njëditë më thirrën në komandën e të interrnuemve; më nisën për qytet, më nxorën në një gjyq formal vetëm sa me më dënue me burg.  U detyrova me pranue për shka kishe folë me këtë djalë mbasi të gjitha lajmet që i kishe tregue, ai i kishte denoncue në zyrën e operativit të Sigurimit të Shtetit… I vetmi rasë që kujtoj asht ky, mbasi përpjekja e eme ishte vetëm një, me evitue ndonjë përfundim të keq që mund t’i vinte atij djalë, ashtu si shumë të tjerëve që kanë mbyllë jetën ndër telat e rrëthimit të burgjëve e të kampëve. Unë ja kam falë por edhe Zoti ishalla ja falë! Vetëm këtë kujtoj shpesh nga ajo kohë”.  Për kohën e ardhshme ai shprehej kështu: “Optimist jam kenë edhe në vuejtje sëpse, besoj në Zotin, ndërsa tashti jam optimist pa kenë në vuejtje. Zoti ka me na ndihmue nëpërmjet Kombëve të mëdha që si po shihet edhe ata janë bashkue. Kam besim se ata do t’i detyrojnë edhe kombët e vogla me pranue të drejtat njerëzore. Do t’i gëzojnë ata që vinë mbas nesh”. Në fund i tregova se ndër ato ditë do të dekorohet edhe At Meshkalla. I erdhi shumë mirë dhe, më tha: “Keni ba mirë që e keni kërkue atë gja se, Ai e meriton, po për mue asht tepër… At Meshkalla, asht kenë një Martir i vërtetë mbasi Ai nuk asht arrestue kur i ka ra ndër mend atyne, por me punën e palodhun të tijën në drejtim të Fesë dhe të Atdheut, sidomos me rininë, ia ka shti Ai ndër mend atyne arrëstimin, gja të cilën na të tjerët nuk e kemi ba”. Shumë herë ka ngjarje që duken të paprituna… Pikërisht, kur në Shqipni, pothuej, nuk kishte mbetë asgja nga thëmelët e katoliçizmit prej rrëbeshit e shtërgates komuniste, ndodhë ajo që kishte fillue në vitin 1464, me Papën Piu II-të, kur mendonte me ba Kardinal Imzot Pal Engjullin, po, që nuk u realizue nga vdekja e Papës në Ankona. Në vitin 1994, plot mbas 530 vjetësh atë dëshirë që pat Papa Piu II-të, e realizoi Papa Gjon Pali II-të, dhe me datën 26 nandor 1994, Imzot Mikel Koliqi, asht Kardinali i Parë i Popullit Shqiptar.

Papa, Ju drejtue me këto fjalë të ngrohta:

“… Takimi i sotëm më përtrinë kujtimin e dashtun të vizitës së paharrueme që kam mujtë me ba në Shqipni, më 25 prill të vitit kaluem. Në përsonin tuej sot përshëndes përfaqësuesin e madh të Kishës Shqiptare, që i ka dhanë Krishtit një dëshmi të guximshme besnikrie, tue përballue vuejtje të tmershme gjatë përndjekjës së egër të regjimit totalitar… Tue u lutë për mbrojtjen qiellore të Zojës së Këshillit të Mirë që e kanë aq të dashtun shqiptarët, jap me gjithë zemër Bekimin Apostolik për Ju, dhe për të gjithë ata që sot Ju rrethojnë, si edhe për gjithë kombin e dashtun shqiptar”. Ndërsa Kardinal Mikel Koliqi shprehët kështu: “Papa më ka zgjedhë mue për Kardinal, se ishe ma i moshuemi, … titullin e Kardinalit e ka marrë Shqipnia”. Edhe titulli i Kardinalit “i përkiste të tjerëve”!  Me datën 28 janar 1997, në moshën 95 vjeçare Kardinal Mikel Koliqi, vdiq. Ai u përcjell me nderim nga gjithë populli i Shkodrës dhe i mbarë Atdheut… ashtu si Ai e meritonte.

AT GIACOMO GARDIN  S.J.

“Asht e vështirë me ia ndreqë kambët qenit!”(1993).

Asht i vetmi jezuit që u riatdhesue mbas vitit 1991. E tham me bindje se At Giacomo Gardin, Atdhe të dytë ka pasë Shqipninë. Një fjalë goje, në moshën 86 vjeçare vjen edhe njëherë tek na. Ai vjen pikërisht në kohën ma të nevojshme për ne, atëherë, kur na nuk kishim as Kisha, as kuvende, as qela, as shkolla fetare dhe mund të thomi gati as klerikë shqiptarë, mbasi aq pak kishin mbetë mbas fortunës gjysëm shekullore sa gati gati mund të kujtoheshim nga të huejt se, në Shqipni, nuk ka pasë kurrë klerikë shqiptarë. Të vjetrit numëroheshin me gishta. At Gardini, njihte vetëm dy: At Anton Lulin dhe At Gjergj Vatën nga jezuitët, madje, jezuiti At Gjergj Vata, ishte shugurue në vitin 1955 mbasi atëherë kur At Gardini ishte arrëstue në vitin 1945 bashkë me të, At Vata asht kenë xhaku. Pjesa tjetër nuk ishte ma. Po, kështu, edhe koha kishte ba punën e vet mbasi edhe nga jezuitët italianë që patën kenë largue nga Shqipnia në vitin 1946, as ata nuk jetonin ma.

At Petro Majone S.J. ishte i pari jezuit që shkeli në Shkodër në vitin 1991, nuk gaboj aty nga muej mars. Erdhi në hotel “Turizmi” dhe prej aty kemi shkue bashkë (unë, i ngarkuem nga Sindikata e Pavarun, B.S.P.Sh, me e shoqnue me kërkesën e tij) në një takim që bani me kryetarën e Komitetit Ekzekutiv të K.P. të Rrethit të Shkodrës, zonjën Tereza Marubi. Kërkonte vetëm një streh me futë kokën mbasi kuvend nuk kishte ende. Ndërtesa e parë që ju dorëzue kje Argjipeshkvia e cila u riparue nga vetë kleri me fondet e veta.

Ardhja e Nanë Terezës hapi mundësi të tjera. Shqipnia u mbush me klerikë e murgesha në të katër anët. U hapën edhe qendra të tjera dhe puna fetare pothuej u vue në rrugë të mbarë. Porsa përfundoi riparimi i Argjipeshkvisë mërrijti në Shqipni At Gardini. Në vitin 1992 u njoha afër me té, ma përpara nuk e kam pasë njohë. Pata kenë këshillue me té për dorëshkrimin e librit “At Pjetër Meshkalla S.J.”, mbasi kisha frikë se mos gaboj në ndonjë problem të Urdhnit tyne. Kujtoj mirë atë kënaqësi që pat kur i tregova se jam një mik i At Meshkallës. Ai jo, vetëm e kishte njohtë afër por mendimet dhe kujtimet që ruente për té ishin aq të mira dhe të dashtuna, sa kur i tregonte të dukej se koha kishte mbetë 50 vjet para.

E pëlqente punën e tij që ka ba me rininë shqiptare dhe kryesisht përqendrohëj në edukimin e sajë antifashist dhe antikomunist. At Gardini, përputhej me mendimet e At Meshkallës në problemin atdhetar dhe kritikonte shumë gabimet e fajet e disa jezuitëve të huej, që kishin ba kur ishin kenë këtu. Kishte ba mjaft nga këto biseda me klerikët e rinjë që po vinin tashti për mos me përsëritë gabimet e kohës së shkueme.

Njëditë, aty nga fillimi i vitit 1993 kur hyna në dhomë e pyeta, se, a kishte ndigjue lajmët dhe ai, më tha, se jo, i ishte prishë radio. Unë i tregova se mbramë radio “Tirana” ka njoftue që Shqipnia, ka hy në “Konferencën Islamike”, dhe se dokumentin e ka nënshkrue ministri i jashtëm i yni Dr. Alfred Serreqi. Ai nuk u habit aspak, vetëm më tha këto fjalë: “Ma në fund mbas 68 vjetësh, ja mërrijtën qëllimit”…. Kishte ardhë radha me u çuditë unë dhe, jo, ai. Unë i habitun nga shifra 68 vjet e pyeta: “Shka ka lidhje kjo shifër 68 vjet e, jo, as 70 e as 66… me lajmin e mbramshëm?”… Ai më shpjegoi: “Mbreti i Shqipnisë Ahmet Zogu ka pas thirrë Delegatin Apostolik, që atëherë, ishte në Shkodër dhe i ka pas kërkue se shka mendon Vatikani për lidhjet me ne, në kjoftë se na mund të hyjmë në “Konferencën Islamike”, mbas një kërkese që i ishte ba atij nga ana e tyne ato ditë. Delegati tue u ndodhë para një kërkese të papritun prej Mbretit i kishte kërkue dy javë kohë, sa me shkue deri në Vatikan dhe me sjellë mendimin e tyne për këtë punë. Mbreti asht kenë dakord. Delegati ka shkue tek Papa Piu XI, dhe i ka tregue kërkesën e Mbretit. Papa i asht përgjigjë Mbretit nëpërmjet të Delegatit, me këto fjalë: “Në kjoftë se doni me ruejtë edhe atë pak Shqipni që ka mbetë, ju, nuk duhet të angazhoheni me vendët e Lindjës. Na gjithmonë kemi thanë se Shqipnia asht vend Evropian. Ju, mund të veproni si të doni. Ky asht mendimi i jonë!”. Delegati asht këthye në Shqipni dhe i ka tregue Mbretit përgjegjën e Papës. Zogu asht kenë i squtë dhe nuk ka hy në asnjë lidhje me shtetët e Lindjës. Papa tue pa nevojën e një rishikimi të mardhanjëve me Shqipni, ka thirrë Ministrin e Vatikanit që merrej atje me shtetët ballkanike dhe, e ka ngarkue ate, me detyrën e rishikimit të problemëve në këtë zonë. Ministri ka thirrë një grup klerikësh që do të vinin në Shqipni me pa dhe me veprue si duhët ma mirë, që shqiptarët të shtojnë lidhjet me vendët e Evropës. Në këtë grup jam thirrë edhe unë, prandej më kujtohët e saktë koha. Ishte viti 1925 atëherë kur unë ishe në Chieri të Torinos, në përgatitjën përfundimtare për Jezuit…

Me kenë se ndihej nëvoja me ditë gjuhën shqipe menjëherë kam fillue me mësue gjuhën. Kështu, kur kam ardhë këtu dhe jam takue sëpari me Don Ndre Mjedjën, pat kenë habitë sa mirë e kishe mësue shqipën pa mësues. Ju ba qejfi kur i thashë përmendësh një vjershë të tijën që më pat prue atje bashkë me fjalorët e shqipës At Zef Valentini.

Me të ardhun këtu ai grup klerikësh pat hapë katër kapakësh dyert e shkollës së Jezuitëve edhe për Myslimanë dhe Ortodoksë, madje, bahej edhe mësimi i besimit tyne në orë të posaçme për ta. Kujtoj ndër nxanësit e mirë të besimit Mysliman vëllaznit Pipa dhe Dr. Bekteshin, që më kanë mbetë në mend, por ka pasë edhe të tjerë edhe që kanë tregue qëndresë kundrejt valës komuniste si, Myfit Q. Bushati, që u akuzue për grupin e xhakonit Mark Çuni, dhe nuk foli një fjalë randuese për Faustin dhe Dajanin. Kjo valë shkatrroi gjithshka kishim fillue me ndërtue këtu. Më vjen keq shumë për atë brez intelektualësh që u zhduk e që ishte aq mirë i pergatitun. Këta ndryshime që po bahën ishalla don Zoti e sjellin të mira, por prej të rinjve që janë të pergatitun prej  atyne që ishin deri dje në Pushtet, asht zor me pritë ma shumë, mbasi ndoshta gabohem e ashtu kjoftë por, asht e vështirë me ia ndreqë kambët qenit”.

Në ditën e Krishtit Mbret, më 24 nandor 1993, At Gardini, kremtoi 70 vjetorin e kushtimit në Urdhnin Jezuit, në Kishën Katedrale, ku mori pjesë pothuej gjithë qytetaria bashkë me shumë ish studentë të tij tashma të moshuem. Prezenca e krejt drejtuesve të klerit në Shqipni i jepte ceremonisë pamjen madhështore, që kishte vite që s’e kishim pa. Mbas pak muejsh At Gardini nuk ishte mirë me shëndet. Po i afrohej të 90-tave, me 24 shtator të vitit 1995 kur gjendja e tij u randue, mbas një përcjellje shumë dashamirëse nga populli i Shkodrës, At Gardini u largue nga Shqipnia. Vitët e fundit i kaloi në Parma, në vendlindjen e tij, në një kuvend jezuitësh pranë Kishës S. Rocco. Në letrën e fundit, më 15 qershor 1995, më shkruen: “… Ju kam dashtë me të vërtetë shumë e darka e përcjelljes në oborrin e Seminarit, më asht dukë ma shumë një shenjë mirënjohjëje sësa shprehje e një të vërtete të plotë. Sidokjoftë, mirënjohja e eme do të jetë e përherëshme e zemra e eme do të jetë e drejtueme nga Atdheu i em i dytë: Shqipnia. Ju shpreh ty, padre Vatës, padre Lulit e gjithë të tjerëve dashninë teme, Padre Giacomo Gardin S.J. (d.v.)”. Viti 1997, mbylli jetën që At Giacomo Gardini, i pat kushtue edukimit të rinisë sonë dhe Popullit Shqiptar.

PAK’ E SAKT!…

AT GEGË LUMAJ O.F.M.

Asht kleriku i parë katolik që asht arrëstue nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, kur ishte famullitar në Berishë, më 17 janar 1945, menjëherë mbas Kryengritjës së Kelmendit. Në njëditë me té asht arrëstue edhe At Dioniz Maka O.F.M., që shërbente edhe ky në ato malësi. At Gega ka lé më 15 tetor 1904, në Plan të Dukagjinit të Shkodrës. Përveç, studimëve të nalta teologjike, ka përfundue edhe Akademinë e Artëve të Bukura për pikturë në Siena. Asht cilësue ndër talentët që kanë mbarue atë shkollë. Ka punue pak vepra mbas këthimit në atdhe. Një prej tyne ruhej në Troshan, por nuk dihet fati i saj. Asht shugurue meshtar më 12 korrik 1931. Françeskan i zellshëm dhe shumë punëtor. Nuk kishte ma të voglën kreni për punët e mëdha që kryente në famullinë e tij. Dallohej si trim. Në gjyq asht në bankën e të akuzuemve me At Dionizin dhe At Giacomo Gardin S.J., edhe ky, i arrëstuem në Shkodër ndër ato ditë. At Dionizi më tregonte aty nga viti 1994, se gjyqi po zhvillohej i rrebtë mbasi mendohëj nga Sigurimi me hjedhë “thëmelët” e një “Partisë Demokristjane”, që as nuk i kishin ndigjue zanin se asht formue në Shqipni. Flitëj për vitët 1943-44. At Gega vazhdonte me mohue para gjyqit akuzat false në drejtim të tij. At Gardini, në krahun tjetër nuk pranonte se ka ardhë në Shqipni për qëllime spijunazhi ndërsa, At Dionizi, qëndronte në të tijën, se nuk asht marrë me politikë.

Njëfarë Nuri Llazanit, agjent i Sigurimit komunist, akuzon At Gegën, se, ky i kishte ndjekë me kalë kur ai ishte kenë me një grup partizanësh… At Gega mohon tue kërkue dëshmitarë tjerë që janë kenë me te, mbasi ishte i sigurt se ngjarja nuk asht e vërtetë, por asht trillim i Nuriut. Nuriu, jo vetëm, ngulë kambë se asht ashtu si thotë ai, por edhe kërkon nga trupi gjykues që At Gega, me shokët e tij në bankën e të akuzuemve, të marrin dënimin ma të randë. At Gega, aty për aty çohët në kambë dhe, i thotë: “Po më vjen marre mue sësi nji turk Shkodrët akuzon në rrenë nji klerik katolik, pa kenë kurrgja e vërtetë!”. Fadil Kapisyzi që do të dëshmonte për At Dionizin, e zbutë “dëshminë” e tij, tue pasë frikë se edhe ai po merr një përgjegje si Nuriu, prej At Dionizit. Kjo thanje e At Gegës, më tregonte At Dionizi, u ba shkak që na me marrë dënime të lehta, mbasi fjala e At Gegës mori dheun.

Kur arrestohet prap At Gega, në vitin 1967 me “Revolucionin Kultural”, prap akuzohët për “Partinë Demokristjane”. Ai deklaron në hetuesi dhe në gjyq: “U kam thanë edhe shokëve që kanë mendue se nuk asht keq me pasë në Shqipni një Parti Demokristjane, mbasi mund të lidhemi me vendët e Evropës nëpërmjet të kësaj partie, duhët me pasë shumë kujdes dhe mos me e formue kurrë këtë parti, mbasi barra ka me i ra Klerit Katolik. Ka 20 e sa vjet që vazhdoni me akuzue Klerin, pa kenë kurrkund partia, po ba me pas kenë, shka paskeni dashtë me ba ndër né, ju, kështu, edhe po na qitni fare!?” (Dosja 2291 Arkivi M.M.Tiranë). Arrestohet më 17 janar 1945, lirohët në mars 1962. Arrestohet në vitin 1967 dhe lirohët në vitin 1977. Ka vdekë në vitin 1980, i rrëthuem nga dashnija e pakufi e kushrinjve të tij, ndër malët e egra e shumë të dashtuna të Alpëve, prej të cilave, At Gega trashigoi karakterin e fortë burrnor e trim të tij.

NANA IME

Në arkivin e Komitetit Ekzekutiv të K.P. të Prefekturës së Shkodrës, asht një dokument në dosjen “Pagesat për të vrarët në luftë”, ku, shënohet: “…U thirr Viktoria, e veja e Kol Radovanit, ish oficer i naltë i policisë, i vramë në bombardimin e Tiranës më 13 tetor 1943 dhe u pyet nga ky komision, për plotësimin e dokumentave për pagesë pensioni për tre fëmijë të mitur. Ajo u përgjegj: “Unë nuk kërkoj pension nga ju, mbasi kam frigë se çohët Kola nga vorri dhe më pështynë, që kam kërkue me marrë pensionin e tij nga komunistat”. Kjo shkresë e bame nga muej qershor 1945, ka katër firma të palexueshme, me përjashtim të njenës që asht firma e Gjuro Pejës, ish anëtar i atij komisioni.

AT FRANO KIRI O.F.M.

E kam njohë në vitin 1962 në spitalin ekstrapolmonar të Ujit të Ftohtë në Vlonë. Asht arrëstue në vitin 1946 kur Kuvendi, u këthye në burg dhe asht dënuë me 15 vjet burg, të cilat i ka kalue në Burgun e Burrelit dhe në kampet e punës. Kur ka përfundue dënimin ka vazhdue me kenë i intërrnuem në Gramsh të Elbasanit dhe në Kuq të Vlonës, deri në vitin 1963 që asht lirue nga spitali se ishte i sëmurë me spondelit. Asht shugurue shumë i ri porsa ka mbarue studimët, mbasi pritej se vdes dhe mendohëj nga eprorët të jenë i shuguruem për kënaqësi shpirtnore. Ka vdekë ndër të fundit fretën të kohës së tij. Një burrë me horizont të gjanë, matematicien, profesor i Gjimnazit Fretënve, teolog dhe njeri me humor të hollë, që mbulohej nga një fizionomi shumë tërheqëse, një portret i skalitun nga mjeshtrat e fisëve Ilire, shqiptar i vërtetë në dukje dhe në përbamje shpirtnore. Thonte se i përkas fisit Kiri, por tham se fisi Kiri, i përket At Franos. Trim, i mprehët dhe i vëndosun. Asht konsiderue miku ma i afërt i At Mati Prennushit, prandej, edhe asht masakrue si rrallë njeri në hetuesi. Kërkohej me dëshmue se armët në Kishë, i kemi futë bashkë me fretnit tjerë dhe se, asht kenë në dijeni Provinçiali, mbasi akuzohej se edhe ka kenë krahu i djathtë i At Matisë, gjoja, në formimin e Partisë Demokristjane. “Kishe vendosë me e pa vedin copa copa e kurr’ e në dynja mos me pranue një shpifje asisojit kundër Kishës dhe shokëve të pafajshëm!”, -më thonte, në një bisedë rreth asaj ngjarje në vitin 1962, kur po më fliste për At Matinë, sësi i jepte zemër shokëve kur kalonin në korridor me shkue në pyetje. – I ndigjohej zani i trashë e pak i marrun kur, thonte “coragio Leone!… coragio Frano!”.. .hapej biruca e tij dhe rrahëj e gjakosej për vdekje, se, “edhe po na i jep zemër shokëve mor qen..,”!? Në gjyq kur e akuzojnë për krijimin e Partisë Demokristjane në Shqipni, At Franoja, i kishte kërkue gjyqtarit që po pat mundësi, me e botue në shtyp akuzën. Kur e pyeti gjykatësi: “Pse e kërkon botimin e kësaj që ke bërë për formimin e Partisë Demokristjane?”,- ky, u ishte përgjegjë: -“Kishe me dashtë me e marrë vesht gjithë bota se një prift shqiptar, At Frano Kiri në Shkodër paska formue Partinë Demokristjane Shqiptare 3 vjet para De Gasprit në Itali, pra, simbas jush unë jam ma i madh se De Gaspri, që njef bota!…”. Lonte shah dhe domino me kalue kohën. Njëditë tue lujtë domino u ba ortak me një tiranas që quhej Beqir, ndërsa, unë me Seitin, edhe ky tiranas. Kur po mbyllej loja e parë, xha Patri (kështu njihëj nga të sëmurët At Franoja), i kërkonte një gurë ortakut të vet i cili, nuk i përgjegjët, mbasi dukët, nuk e kishte ose nuk e mori vesht. U zunë mjaft pikë, kështu fituem na. Kur u ulën gurtë me u numërue pikët guri që kërkonte At Franoja ishte në dorë të Beqirit. Ky i sheh gurin dhe i sillet: “Po, ti e ké atë gurë që të kërkova mor idiot, po a nuk e kuptove kur të pyeta, po kaq i trashë jé, a ké lanë shokë si vedin te trashë në Tiranë, a me budallenj asht mbushë Tirana, që asnjë nuk dini me luejtë domino”?!… Asnjë përgjegje nuk jepte i shkreti Beqir. Vazhduem me lujtë deri kah e vona. Kur u ndamë unë me At Franon, mbasi zakonisht më përcillte deri tek dera, e pyeta me shumë kujdes: “At Frano, po a nuk i mbet hatri Beqirit për të gjitha ato të shame që i bane tue lujtë?”, – Ai mu përgjegj: “Punë e madhe, unë nuk e kishe aspak hallin tek loja po shyqyr, që mu dha rasa me sha një polic, se ka njëzet vjet që më shajnë ata mue. Beqiri asht polic në Tiranë dhe me këtë rasë thashë, po e shajë këtë edhe të gjithë shokët e tij që ka në Tiranë. Sande kam me fjetë ma rahat se kurrë se kam shfrye… e kam pasë mulla në zemër me sha një polic…”.

DON PASHKO MUZHANI

Një prift i heshtun. Nuk njihëj shumë në Shkodër mbasi ka kalue jetën ndër burgje dhe jashta Shkodre. Ishte një burrë shumë tërheqës ndër biseda, i matun dhe me humor. Studimët i kishte vazhdue në kolegjin Saverian të Jezuitëve në Shkodër, ndërsa, të naltat në Propaganda Fide në Romë. Ishte shugurue meshtar në vitin 1942. Kishte shërbye në famullinë e Tiranës, në Zhej, në Mamuras etj. Në vitin 1948, ditën që po lirohej nga ushtria më 25 gusht 1948, arrëstohët si “armik i popullit” dhe, se kishte “mbajtë armë”. Për pak kishte shpëtue nga pushkatimi. Nga viti 1966, e gjeta në një vizitë tek Prof. Petro Fundo. Gjatë bisedës, tregoi sësi, kur e kishin arrëstue kishin kontrollue Kishën e Mamurasit, të cilën e kishte lanë dy vjet para, kur kishte shkue ushtar dhe atje kishin gjetë një revolver. Don Pashko nuk dinte asgja për revolverin e gjetun. Hetuesi ngulte kambë se e ka mëshehë ky, madje, “shih ku e ke futur!”… i thonte. I sollën një Ungjillë dhe ia vunë para, mandej, e kishte pyetë: “Është yti?”, – ky ishte përgjegjë: “Ku e dij unë se i kujt asht, unë ka dy vjet që nuk tham meshë!” – Ai ka vazhdue: “Orè, do të gënjesh, pa hapë një çikë!”… Kur e kishte hapë, kishte pa fletët e Ungjillit të preme në formën e revolverit dhe aty mbrendë kishin vue një armë… Më kanë thanë njerëz që e kanë pasë vue në muze ateist këtë Ungjillë…mbasi kështu asht kenë pajisë ai muze. Nga viti 1958 ishte lirue nga burgu por nuk i jepëj e drejta me ushtrue vëprime fetare, mbasi edhe ky nuk pranonte me firmue Statutin e Kishës Katolike Shqiptare të 1951. Ishte prift me shpirt artisti, nuk lente ekspozitë pikture pa vizitue.

 

 

Please follow and like us: