Fritz Radovani: Një monument nën dhé (7)
DON ALEKSANDËR SIRDANI DHE DON PJETËR ÇUNI
Don Aleksandër Sirdani ishte nga Gucia, i datlindjës 1887. Një meshtar i zellshëm dhe i respektuem nga populli në vendin ku shërbente. Që në rini u dashunue me folklorin e popullit tonë. Atje mblodhi një thesar shumë të çmueshëm dhe shumë shpejt u konsiderue si një ndër njohësit ma të mirë të etnografisë dhe frazeologjisë popullore. Kultura e gjanë që mori në Insbruk, forcoi edhe ma shumë idealin e tij si atdhetar. Njihte mirë frymën demokratike prandej edhe shkroi shumë artikuj ndër revistat ma në za të kohës. Asht vëllai i At Marin Sirdanit edhe ky dijetar. Don Aleksandri, ishte një ndër bashkëpuntorët ma të ngushtë të Don Nikoll Gazullit dhe At Donat Kurtit. Kishte edhe prirje poetike. Vlenë me u theksue se në shpirtin e tij depërtuen thellë njohjet e ngjarjëve historike të kreshnikëve të Veriut, gja që sollën në letrat e kulturës shqiptare një përsonalitet të kompletuem.
Origjina dhe njohjet e zakonëve të malësisë e lidhen me popullin nëpërmjet atij virtyti që malësorët e kërkonin edhe në portretin e priftit që u predikonte e, që ai virtyt thirrej trimni. Nësa ndër rrugët e Shkodrës, shëtitej mbi një gomar prifti 80 vjeçar Don Ndoc Nikaj, një ndër thëmeluesit e Shoqnisë “Bashkimi” (1899) dhe romancieri i parë i letërsisë shqipe, po në vitin 1946, në Koplik, fanatikët komunistë kërkonin me fye figurën e dijetarit Don Aleksandër Sirdani mbi një gomar tjetër, edhe ky prift i rrëthuem nga gomarët e Enver Hoxhës, që mendonin se po përdhosin meshtarin e përvujtë! Sekretar i Frontit demokratik në Koplik ishte Ago Dino, ndërsa prokuror Ali Paçrami. Mbahen mend si terroristë që i kryesonin: Xhemal Selimi, Pal Mëlyshi, Asllan Lici dhe Faik Nuti. Në muejin korrik të vitit 1948 Don Aleksandri, u arrestue dhe u mbajt në hetuesinë famkeqe të Koplikut, ku e torturoi katili Xhemal Selimi me shokë, të gjithë të njoftun si kriminelë të pashoq.
Don Pjetër Çuni ka lé në Shkodër më 9 gusht 1914. Në moshën 7 vjeç ai ishte në Kolegjin e Jezuitve të Shkodrës, prej ku shkon në Romë me vazhdue studimet e larta teologjike. Përfundoi studimet në Propaganda Fide, në vitin 1940 dhe atje, u shugurue meshtar. Asht shugurue bashkë me 100 xhakojë të tjerë nga disa vende të ndryshme të botës nga vetë Papa Piu XII-të. Mbas shugurimit atje në muejn prill nga qershori vjen në Shqipni dhe ditën e Sh’Palit e Sh’Pjetrit (pra, ditën e emnit të tij) më 29 qershor, thotë meshën e parë në Katedralën e vendlindjes, me prezencën e Imz. Gaspër Thaçit, të Imz. Gjergj Volaj, si dhe të gjithë klerit. Ai ishte nipi i Don Ndre Lufit. Tue cilësue vetëm emnin e dajës së tij, për né që e kemi njohtë Don Ndreun, e kemi të kjartë se kush ishte ky meshtar i rritun dhe i pergatitun nën kujdesin e tij. Don Ndreu asht ndër klerikët ma të pastër me qëndrimin e tij burrnor në hetuesi dhe në burgje. Gjithmonë i papërkulun kundrejt armiqëve të Kishës. Tek Don Pjetri me siguri përveç cilësive të priftit të devoçëm, daja shihte tek nipi edhe virtytin e vet që e ka karakterizue gjithë jetën, trimin e mendshëm dhe të vendosun. Këtë e ka provue jeta dhe burgosja e të dyve.
Emnohet meshtar i Shkrelit dhe në vitin 1941 asht në Rrjoll. Aty, si të gjithë klerikët merrët me studimet e zakonëve të krahinës. Boton artikuj në revistën “Kumbona e së Diellës”, me siglën R.I. (Pjetër Çuni), ku spikatë vullneti dhe saktësia në studimin e folklorit. Ndoshta ky asht edhe shkaku i njohjes me shkencëtarin e asaj fushë Don Aleksandër Sirdanin, me të cilin edhe martirizohet. Porsa fillojnë vëprimet kriminale në zonën e Koplikut, vritët tradhëtisht Don Luigj Pici, më 10 nandor 1946, vetëm për një deklaratë të bame në favor të Etënve Jezuitë Fausti e Dajani, kundër vëndimit të gjyqit për pushkatimin e tyne. Vrasja e kryeme nga Asllan Lici dhe Palë Mëlyshi, atëherë u vesh me motive plaçkitjeje, motive që në të vërtetë edhe qëndronin mbasi plaçkitja dhe hajnia ishin gjithnjë të pranishme në vrasjët dhe arrestimet e komunistëve. Këtë e vërteton vetë fakti i humbjes së pothuej të gjitha studimëve dhe të veprave shkencore, letrare dhe artistike të intelektualëve që janë vra, arrestue ose kontrollue shtëpitë e tyne. Këtë fat pësuen edhe studimet e Sirdanit e të Çunit. Me siguri ata janë mbrenda ndonjë titulli të dhanun ma vonë nga Universiteti i Tiranës, po fakti asht se plaçkitësit mohuan autorët e vërtetë. Brezat e ardhshëm nuk do ta besojnë ndoshta këtë ngjarje, por unë po e shkruej i nxitun nga Konica, që thotë: “Popujt që nuk nderojnë kujtimet e shkuara, janë të dënuar me vdekje”.
SI I MBYTËN DY PRIFTNIT?
Mbas vrasjës Don Luigjit në vendin e tij u emnue Don Pjetri, i cili ato ditë thonte: “Duket se Krishti ka vendosë që unë të jem ndër të fundit!…”. Në muejin korrik të vitit 1948, kur po vinte me një biçikletë për në Shkodër ndalohët në rrugë dhe përcillet në hetuesinë e Koplikut. Aty, siç më tregonte një ish-polic S. N. i Seksionit të Mbrendshëm gjenë Don Aleksandrin dhe At Florian Berishën S.J., që masakrohen bashkë me shumë malësorë. Priftnit torturoheshin ma shumë se të tjerët, thonte ai. Nuk dinte sëpse, por jepej një urdhën: “Hyni në hu, edhe po ngordhën mos u frigoni!” Askush nuk e dinte shkakun dhe as nuk guxonte me e kërkue mbasi nuk i kushtonte asgja Xhemal Selimit me të vra me të.
Gropa e zezë ishte e hapun për cilindo!
Njëditë kishin shkue herët në Seksion Asllan Lici e Palë Mëlyshi. Xhemali po i priste në zyrë. Mbas një bisede të shkurtë të tre bashkë kanë dalë e kanë dhanë urdhën me shkue tek birucat e Don Aleksandrit dhe Don Pjetrit, me i lidhë dhe me i nxjerrë mbas ndërtesës së Seksionit. Për fat ky nuk e kishte pasë atë rrezik me zbatue atë urdhën mbasi ishin caktue katër të tjerë. I kanë lidhë dhe i kanë nxjerrë nga një derë anësore. I kanë ba me ecë pak shpejtë edhe pse ishin mjaft të lodhun nga vuejtja. Xhemali ka hy në zyrë, ndërsa Asllani e Pali, i kanë urdhnue policët me shkue tek stallat e kuajve dhe me marrë dy cfurqe të rinjë dhe të fortë. Urdhni do të zbatohej por me mend nuk mund të gjindej shka duan me ba xhullinjtë. I sollën edhe cfurqit. Ka dalë i pari topall në topall Asllani e mbas tij me kapadaillëk si gjithmonë Pali. Janë drejtue nga priftnit e lidhun tue u thanë: “Ecni, more klysh të Papës, se tash do t’ju rregullojmë qejfin tuej, ju kujtoni se na mashtroni me ato zhgarravinat tueja…! Pse nuk tregoni me cilët kriminela jeni të lidhun dhe u keni çue bukë ndër male”?
Nuk kanë pritë përgjegje por janë drejtue nga një gropë gjirizi të nevojtorës së Seksionit që ishte gjithmonë e hapun. Kanë urdhnue me afrue priftnit tek gropa. Këta që po shihnin nga dritarët po mendonin se po u bahëj presion me tregue… por, papritmas Asllani i ka vue duert në gjoks Don Pjetrit, Pali ka kapë përkrahut Don Aleksandrin, tue ua sha Zotin me fjalët ma të flligta veç, kur u kanë dhanë të shtymen të dyve e kanë ra mbrendë në gropën e zezë.
Kur priftnit kanë marrë me u çue xhelatët i kanë shty me cfurk për me i zhytë mbrenda, tue u thanë: “Hee… flisni… ku e keni Krishtin tuej… flisni… kështu do të jenë fundi i priftënve… A po e shihni kund Krishtin tuej, hee pisa pisash”!
Don Aleksandrit që ishte zhytë ma parë sidukët i ishte marrë fryma dhe nuk po i shihej fëtyra, ndërsa Don Pjetri ka muejtë me nxjerrë kokën edhe njëherë, ashtu i nximë si të ishte i lymë me zift prej pisllëkut, ka mbledhë gjithë forcën që i kishte mbetë dhe ka thirrë:
“RRNOFTË KRISHTI… TEK AI PO SHKOJ”!…
Mbi brrakën e gropës së nevojtorës janë pa vetëm kindat e ndyme të dy veladonëve. Fëtyrat nuk i ka pa ma kush. Xhullinjtë vazhdonin me i shty me cfurk derisa u zhytën mbrendë edhe trupat e pajetë të tyne.
Mbas pak minutash priftnit u mbytën… Ata mendonin se bashkë me trupat e pajetë do të zhdukët edhe vepra e tyne….
Edhe pse porosia ishte se kush do të flasë ashtu do ta pësojë, ngjarja e dy priftënve mori dheun. Dihej martirizimi por, diheshin edhe katilët. Fëtyrat e këtyne kriminelëve kanë mbetë njësoj si atë ditë kur janë fotografue si “çlirimtarë”, më 29 nandor 1944 tue parakalue në Fushën e Çelës së qytetit të Shkodrës.
- Shqipnia asht shumë e vogël për krime kaq të mëdha.
- Ka vende shumë ma të mëdha, që edhe ata kanë vuejt nën thundrën gjakatare komuniste, por krimet atje nuk janë kenë kurrë në përmasat tona.
- Historia thonë se, do të flasë njëditë!
- Po, kur? – Atë nuk e di!…
PJESA III
IMZOT FRANO GJINI
RREGJENT’ I DELEGACIONIT APOSTOLIK NË SHQIPNI
“Unë nuk do ta ndajë kurrë grigjën teme nga Selia Shenjtë”, Imzot Frano Gjini.
Ka lé në Shkodër në vitin 1886 nga prindët Pjetër (Tuke) e Drande Gjini. Ishte nga një familje e vjetër qytetare. Shkollën fillore dhe gjimnazin e ka përfundue ndër Etnit Jezuitë të vendlindjës, ndërsa ato të lartat teologjike i ka krye në Propaganda Fide, në Romë, ku u shugurue edhe meshtar në vitin 1908. Vjen në atdhe dhe emnohët sekretar i Argjipeshkvit të Durrësit, tue krye edhe shërbimet fetare në fshatin e Delbinishtit. Shkon për 18 muej në qytetin e Durrësit dhe rikthehët prap në Delbinisht deri në vitin 1914. Emnohët famullitar i Dërvenit në Fushë-Krujë, për dy vjet dhe më 14 nandor 1919 emnohët prap në Durrës deri në vitin 1924. Prej Durrësit shkon në Kurbin deri në vitin 1928. Prej Kurbinit shkon në Perlat të Kthellës së Mirditës. Në vitin 1930 Shugurohet Ipeshkëv i Durrësit, kohë në të cilën administronte edhe Vlonën. Mbas dy vjetësh, në vitin 1932 asht Abat i Mirditës, me seli në Orosh. Në vitin 1944 asht edhe administrues i Lezhës. Në vitin 1945, në fundin e muejt maj, mbas largimit nga Shqipnia të Delegatit Apostolik Imzot Leone G. B. Nigris, prej qeverisë komuniste të Tiranës, Selia Shenjtë e emnon:
IMZOT FRANO GJININ, REGJENT’I DELEGACIONIT APOSTOLIK NË SHQIPNI.
- Asht i pari shqiptar që emnohet në këtë detyrë të naltë në shtetin Shqiptar, ç’ prej thëmelimit të tij.
Me datën 20 nandor 1945 i vjen zyrtarisht emnimi nga Vatikani. Dokumenti i ardhun nëpërmjet të Ambasadës Italiane i dorëzohet nga At Giovani Fausti S.J., që atëherë ishte me detyrë në Tiranë.
Qeveria komuniste e Tiranës nuk e njeh asnjëherë këtë detyrë dhe as Regjentin e posa emnuem.Që në moshën e re bije në sy përvujtnia dhe matunia e tij gja që e miqëson shumë me Imzot Bumçin, Prennushin, Jul Bonattin, At Meshkallën, At Giadrin, Don Shtjefën Kurtin etj.
Imz. Gjini, vertetë njihej dhe jo vetëm konsultohej me ta, por asht edhe bashkëpunëtor besnik për të gjitha problemet fetare të krahinave që administron. Mbas emnimit si Regjent kërkon nga Vatikani zëvendsimin e tij, mbasi sheh vështirësitë e mëdha që i dalin nga qeveria komuniste. Ishte nandori i 1945, kur e kërkon këtë gja nga Vatikani, por Vatikani nuk miraton kërkesën e Imzot Gjinit.
Në janar të 1946 përsëritë kërkesën gojarisht me anë të At Filipe Kjeja, italian, që niset për Itali, njëkohësisht njofton Vatikanin për reformat komuniste që po zbatoheshin këtu, si: mbyllja e shkollave fetare, shtetizimet e pronave të Kishës, reprazaljet dhe arrestimet, pushkatimet e klerikëve të pafaj, etj. Në muejn shkurt 1946 i poston një letër Nuncit Apostolik të Vatikanit në Francë, (mbasi Shqipnia nuk kishte atëherë lidhje postare me Italinë) ku, kërkonte skjarime për çështje të ndërpreme fetare. Në muejn maj të 1946 flitej nga radio Vatikani se në Shqipni do të vinte një amerikan i deleguem i Vatikanit për me asistue këtu, por kjo nuk ngjau, gja e cila dha me kuptue se komunistëve shqiptarë po u lejohej dorë e lirë me veprue edhe ndaj Fesë, ashtu si ndër të gjitha çështjet tjera.
Imzot Gjini asht ndër të parët që kuptoi kjartë qëndrimin e Amerikës, Anglisë dhe Italisë. Ai porsa u emnue zyrtarisht në detyren ë re si Delegat i Vatikanit, kërkoi të paraqitej tek Enver Hoxha, aso kohe kryetar i qeverisë së Tiranës, por kërkesa e tij nuk u pranue.
Kishe me thanë se Imzot Gjinin nuk e kishte marrë malli me pa surratin e Enver Hoxhës, por si dukët donte me matë pulsin e tij për të ardhmën. Ai kishte qëllim me këtë kërkesë që të bisedonte për mbylljen e shkollave, për lirinë e fjalës dhe të shtypit, si dhe për disa nga masat ekonomike që qeveria kishte ndërmarrë kundrejt Kishës Katolike. Gjithmonë masat ekonomike në sistemin komunist paralajmërojnë masat politike. Kryesisht takimi u kërkue nga Imzot Gjini, se Ai nuk mund të qëndronte indiferent ndaj vëprimeve zyrtare që po kryente qeveria komuniste kundër Klerit, inteligjencës dhe katolikëve në veçansi.
Në këtë takim Imzot Gjini kërkonte edhe praninë e Imzot Vinçenc Prennushit, si Argjipeshkëv i Durrësit dhe i Tiranës, Imzot Gjergj Volaj, At Mati Prennushit, si Provinçial i Françeskanëve të Shqipnisë. Ishte mueji dhetor 1945 kur u ba kërkesa zyrtare për takim, por nuk u realizue se gjoja sa kishin përfundue zgjedhjet e dhetorit. Në mars të 1946-ës, në qelën e Tiranës që administronte Don Shtjefën Kurti, u mblodhën prap të gjithë përsonat e sipërpërmendun ku, përveç tyne ishte At Meshkalla.
Aty u vendos që t’i shkruhet një letër qeverisë dhe t’i dorëzohej nga Don Shtjefni. Letra u përpilue nga At Meshkalla me sugjerimet dhe pëlqimin e të gjithëve që ndodheshin aty, mbasi ata përfaqësonin vullnetin e klerit në përgjithësi.
Një kopje u vendos t’i jepet Misionit Anglez ose Amerikan, me vue në dijeni Vatikanin, mbasi përfundimisht ishin ndërpre lidhjet e korrespondencat nga Shqipnia. Dërgimi i kësaj letre në Vatikan kishte për qëllim që të vihej në dijeni Selia Shenjte se Kleri katolik Shqiptar nuk i ndërpret lidhjet me té, dhe se kjo çështje asht vetëm një kërkesë kambëngulëse e qeverisë komuniste të Tiranës, e kryesueme nga E. Hoxha. Letra nuk u dërgue me dorë mbasi një jezuit italian që shkonte ato ditë atje kishte frikë me e marrë letrën, se mos e kontrollojnë dhe i pezullojnë nisjën për Itali. Ai mori përsipër me i shpjegue Vatikanit gojarisht përmbajtjën e letrës si dhe kërkesën e Imzot Gjinit për zëvendsimin e tij, mbasi ai nuk njihet nga qeveria e Tiranës.
Flitet, se letrat deri vonë i ka pasë të ruejtuna Don Lec Sahatçija që kryente edhe punën e sekretarit të Imzot Gjinit, por e vërteta nuk dihet se ku kanë përfundue ato letra. Asht edhe një mendim tjetër se mund të jenë zhdukë me vdekjen e Don Mark Xhanit në hetuesi, tue mos pasë ma mundësi me u dijtë ku mund të jenë mëshehë prej tij. Letra asht shkrue mbasi e pranon edhe At Meshkalla, por fatin e saj nuk e di as ai.
Takimin me misionet e hueja e mori përsipër Imzot Vinçenc Prennushi, i cili u takue me Z. Hudgson në Misionin Anglez dhe i paraqiti me gojë gjithë përmbajtjën e letrës me prezencën e Don Shtjefën Kurtit, i cili fliste shumë mirë frengjishtën.
Ai u tregue shumë pesimist mbasi sidukët ishte koha kur marrëdhanjët e qeverisë me anglezët ishin në ftohje, të paktën në dukje.
Kam përshtypjen, se, klerikët komunikonin me të huejt vetëm gojarisht mbasi nuk duhet ti kenë besue as atyne me dhanë e me marrë letra, gjithmonë një punë me rrezik.
Në vitin 1946 Imzot Gjini bante edhe ndonjë rrugë nga Mirdita, mbasi nuk kishte mundësi zëvendsimi me ipeshkëv tjetër në atë zonë. Sigurisht, ai atje kishte kalue kohë të gjatë ndër ata male. Koha ishte shumë e vështirë në të gjitha anët.
Malet ishin mbushë me të arratisun që nuk e pushonin përpjekjen për liri nga komunistët nën drejtimin e Mark Gjomarkut. I vëllai i Markut, Lleshi (edhe ky, oficer akademist në mal), që thirrej Lleshi i zi.
Lleshi i ban një kërkesë Imzot Gjinit, tue i krijue mundësinë me u largue nga Shqipnia me anën e një avioni anglez që sillte ndihma për çetat e malëve, mbasi ishte hapë fjala se mund të arrestohej shpejt.
Imzot Frano Gjini, iu përgjegj: “Unë edhe po iku, po kujt t’ia la besimtarët e Sh’Lleshdrit? – Kjo punë nuk bahet kurrë prej meje!”.
Sigurisht, kjo temë nuk u hap ma prej tyne.
Përgjegja e shkurtë, e shpejt dhe e saktë tregon shpirtin e klerikut të vërtetë që asht gati me u flijue por jo, me lanë popullin pa drejtues të Fesë në atë kohë aq të mnerëshme. Kështu vepruen edhe shumë priftën të tjerë që edhe ata nuk u arratisën por pranuen Kalvarin e pafund.
Ai, jo vetëm, qëndroi në atdhe por punoi me përkushtim dhe i vendosun në detyrën e naltë dhe të randë që iu ngarkue. Përgjegjësia e madhe e tij vrehët në vëprimet e matuna dhe të pagabueshme që kryen.
Sa merr detyrën ai asht i vetëdijshëm se asht para një lufte të përgjakshme të shpallun nga komunistët. Kërkesat e Hoxhës, Shehut dhe të Xoxës me klerikët e Shkodrës dhe të Tiranës, që në ditët e para të janarit 1945, për bashkpunim dhe shkëputje nga Vatikani, loja e Sejfulla Maleshovës, gjoja për formimin e një partie demokristjane për zgjedhjet e dhetorit të 1945, nxjerrja jashtë e Delegatit Apostolik Nigris, më 5 maj 1945, mos njohja e Regjentit të ri nga qeveria e Hoxhës, tue mos pranue takimin e kërkuem nga Imzot Gjini, eleminimi i deputetëve të dhjetorit me pikëpamje jokomuniste, formimi i qeverisë me prioritet filosllav jugosllav dhe rus, miqësia e madhe me druzhe Titon, formimet e grupeve e organizatave me njerëz te pafajshëm, pushkatimet e njëmbasnjëshme, etj. etj. e detyrojnë Imzot Gjinin, me ndërmarrë hapin ma të rëndësishëm që i pret mundësinë qeverisë me akuzue klerin katolik, me urdhën të vet: “Mos implikimi i çdo kleriku, kushdo kjoftë me asnjë çështje politike pra, ndalimin e plotë të marrjës me politikë të klerit. Urdhni asht i padiskutueshëm dhe i pakundërshtueshëm.” (Kopja asht në Arkivin e Shtetit Tiranë).
Promemoria e lëshueme për këtë qëllim me datën 25 nandor 1944 nga Imzot Frano Gjini, mbasi Delegati Nigris ndodhej në Itali, asht dokumenti ma i saktë që tregon mendjen e hollë dhe largpamësinë e tij për kohën që po vinte. Këto cilësi të Imzot Gjinit të forcueme me karakterin burrnor e trim, ndoshta, ishin arësyet që Vatikani e zgjodhi atë për Regjent, në atë grup ipeshkvijsh që kishte atëherë Shqipnia, një vend i vogël me njërëz me të vërtetë të mëdhaj.
Qëndrimi i haptë dhe burrnor i Imzot Gjinit tashti nuk i përkiste vetëm Mirditës, por ishte qëndrimi i mbarë Katolikëve Shqiptarë tue fillue nga Shkodra, në Vlonë e Korçë, e ku kishte kjoftë edhe vetëm një besimtar katolik. Ai tashti ishte edhe Burri ma trim në radhët klerit mbasi e dinte mirë se me çfarë komunistësh kishte punë, por, edhe e njihte mirë mënyrën e sjelljes së tyne të pashpirtë e barbare me klerin shqiptar.
Ai ishte i vetëdishëm për rrugën e rrezikshme por edhe të pakëthyeshme në të cilën për fat të mirë, e solli historia. Ai i ruhët dhanjes shkak, por nuk i frigohet kërcënimit. Ai njeh mirë mënyrat komuniste të dredhisë dhe pabesisë prandej, edhe punoi me mendje të freskët dhe të mprehtë për ruajtjen e pastër të Fesë, ndër kushtet ma të vështira të krejt Lindjës, ku komunizmi, nuk ishte thjeshtë një grup njerëzish të paditun e kriminelë.
Ai ishte përballë atyne bishave komuniste të mnershëm, fanatikë dhe vegla të shovenistëve sllavë e aziatikë, që historia do t’i cilësojnë si kafshët ma të egra të komunizmit ndërkombëtar të mbarë globit… një ditë.
Ai dinte dhe njihte mirë fillimisht praktikën që po ndiqej me liritë thëmelore të qytetarëve, tue përfshi të drejtën me jetue dhe me shprehë lirisht mendimet individuale ose të përgjithshme, madje, dhe të drejtat kryesore: jeta dhe paprekshmënia e saj… që po shkeleshin çdo çast tue torturue dhe vra çdo besimtar i thirrun “kundërshtar”, vetëm pse BESONTE NË ZOTIN, pikërisht, ata, që hypën në pushtet tue mashtrue popullin “pa dallim feje, krahine dhe ideje” dhe që, do të mbetën në histori si regjimi ma përdhunues e gjakatar i shekullit.
Imzot Frano Gjini asht pa asnjë mëdyshje një nga klerikët katolikë që deri në çastet e fundit vetëm kryen detyrën. E kam shkrue edhe në librin “Martirizimi i Kishës Katolike Shqiptare”, sesi, kur ndodhej i lidhun ndër degët e ullinjëve të hetuesisë (tek shtëpia e Çiurçisë), gjeti rasën dhe i bani me shenj një të lidhunit tjetër, që po jepte shpirt dhe, ashtu si ishte i varun, lujti kokën në shenj të Kryqit, për me e zgjidhë nga fajet e kësaj jetë atë martir që mbas pak minutash u gjet para gjyqit të mbramë… por, që me siguri ka pa Fëtyrën e Zotit.
Imzot Frano Gjini asht Ai klerik që me pranga ndër duer thërret në bankën e të akuzuemve kur po i jepej vëndimi “me vdekje”: “Jeni të zgjidhun vëllazën, të gjithë shka jeni dënue këtu me vdekje, qëndroni si burrat se asht lavd me vdekë për Fé të Jezu Krishtit!…”, dhe bishat e tërhoqën zvarrë nga ajo dhomë ku bahej gjyqi…
- Asht e vertetë që Imzot Frano Gjinin nuk e pau kush përveç shokëve të tij, që shkuen të lidhun bashkë kambësh e duersh në Zallin e Kirit, më 11 mars 1948, po, dokumentat sot flasin per kete Burrë.
- Dosja nr. 1302/II – A, viti 1948, (Arkivi i Ministrisë së Mbrendshme Tiranë), asht dokumenti ma i saktë që tregon se kush ishte Ky, Imzot Frano Pjetër Gjini?
- Pse u zgjodh Regjent’i Delegacionit Apostolik në Shqipni? ●Çfarë qëndrimit mbajti në torturar e mnershme që provoi për 16 muej mbi trupin e Tij?
- Cili ishte faji i Tij? Kush e akuzoi dhe pse? Cila ishte arësyeja që e pushkatoi terroristi Enver Hoxha?….
- Dhe, do të bindeni se arësyeja e vetme asht kjo:
- IMZOT FRANO PJETËR GJINI, ISHTE ATDHETAR, ISHTE KLERIK KATOLIK ME PIKPAMJE DEMOKRATIKE EVROPJANE PERËNDIMORE, ISHTE KREJTËSISHT I PAFAJSHËM DHE, U PUSHKATUE VETEM SE ISHTE REGJENT’ I DELEGACIONIT APOSTOLIK NË SHQIPNI.
- PRA, AI ASHT AI BURRË QË NUK PRANOI ME U BA AGJENT I KOMUNISTËVE, PO EDHE NUK PRANOI ME U SHKËPUTË KISHA KATOLIKE SHQIPTARE NGA PAPA DHE VATIKANI DHE, ME U LIDHË ME LINDJËN SHOVENISTE SLLAVE E AZIATIKE, KOMUNISTE BOLSHEVIKE.
- AI ASHT TRIM SE ASHT I BINDUN, SE GJAKU I PAPËRLYEM I TIJ, DO TË DERDHET NË THËMELET E FORTA E TË PALËKUNDUNA TË KATOLIÇIZMIT NË TOKËN E BEKUEME SHQIPTARE!
DON DEDË MAÇAJ, (1920 – 1947)
USHTARI BESNIK I ATDHEUT DHE I FESË THA ME DATEN 28 MARS 1947: “JA KU PO E THEM PARA ZOTIT TONË, QË SHPEJT KA ME MË PRITË, DHE PARA GJITHË JUSH, USHTARË TË SHTREJTË, QË PO MË VRASIN VETËM PER SHKAK SE URREJNË FENË KATOLIKE. I THAM KËTO FJALË PA LIGSI DHE PA URREJTJE PER ATA QË DO TË MË PUSHKATOJNË! RRËNOFTË KRISHTI – MBRETI YNË! RRËNOFTË PAPA! RRËNOFTË SHQIPNIA”!
Kjo dishmi asht e një ushtari që u lidh ndër pranga ato ditë bashkë me Martirin.
Dishmia e z. Aleksander Nokaj, u botue vite ma parë nga Prof Gjon Sinishta në Buletinin Katolik Shqiptar, në San Fancisko, ShBA.
Vlera e këtyne pak rreshtave qendron në një dukje të kjartë të vrasjeve që janë ba per një gjysë shekulli në Shqipni, mbas vitit 1944… per një motiv…nga PKSh, vegël e sllavokomunistëve jugosllavë, me anen e turkoshakut Enver Hoxha dhe pasuesit tij poaq anadollak, Ramiz Alia. Si njeni si tjetri besoj, e kanë lexue “me andje” atë ditë, me 28 Mars 1947, radiogramin nga komandanti i repartit ushtarak të Permetit, i cili, njofton edhe “komandantin e pergjithshëm”, terroristin kriminel Enver Hoxha…se “e vramë edhe një Prift Katolik Shqiptar… E hoqёm edhe njё Kryq”!
Don Dedë Maçaj ishte nga Mali i Jushit, prej familjes së Gjeto e Tringë Maçaj. Ka lé me 5 Shkurt 1920, perfundon studimet në Romë, shugurohet Meshtar me 19 Mars 1944 dhe mbas tri vjetësh, kur thirret me krye sherbimin ushtarak, pushkatohet!
Dishmitë e z. Aleksander Nokaj dhe Nikollë Koleci, që ishin prezent në çastin e ekzekutimit tregojnë se plumbat e parë të brigades së pushkatimit, që perbahej nga 8 vetë, nuk e vranё…E nësa Don Deda, po vazhdonte Lutjen e vet ndër gjunjë, ushtarët thirren: “Është i pafaj, faleni!”, po aktivistët e PKSh urdhnuen: “Plumbin ballit, plumbin ballit!”
Një breshni e dytë e skuadres së pushkatimit e bani Don Maçen të këputej mbi një pellg nga gjaku i vet”…flasin dishmitarët e ngjarjes së pergjakëshme…
Lexues i nderuem!
Shumë herë kam marrë në dorë jeten e Don Dedë Maçajt.
Ua them me zemer të hapun: Tue shikue foton e Tij, rrij e mendoj: Si mund të kurdisej me u vra Ky djalë i pafajshem, pse nuk asht Musliman!?
Një brezni e tanë e Shqiptarëve tue u vra, tue u masakrue, tue u pergjakë, sa mos me u njohë as nga shokët e njerëzit e vet, që pak orë përpara kanë pi çajen e mjesit…
Lidhen ndër pranga e vargoj…akuzohen, dhunohen, shpifen, torturohen …humbin …Aq sa edhe Nanat e Tyne, ishin ma tё knaquna me ua vra djelmёt se, me i lanё me jetue ashtu…nder qelitё e podrumet e pista tё sigurimit shtetit…
E pse?… Pse?
Deri kur: Pse?
Çka asht kjo Urrejtje?
Iku një brez, iku i dyti dhe po ikim edhe né…
E Urrejtja vazhdon…me u mbjellё nё trojet Shqiptare!
Ishim fëmijë kur u njohëm me krizmat e armëve partizane, që shkrepeshin në Zallin e Kirit të Shkodres, mbas Rrëmajit, nder Bardhej, tek kallamat…brijë Drinit e brijë Bunës, nga Urrejtja!
E Nana, zgjohej tremshem!…
Ké do të kenë vra sot?!
Kanë pa kufomen e Muzafer Pipës e Kolë Prelës, me Ta edhe Paulin Pali…
Nën shelqe të Samrishit në breg të Bunës, tradhëtarët vrasin pabesisht Lulen e Rinisë Shkodrane Bardhosh Danin me Mark Cacaj e Brahim Dergutin…
E lotët i shkonin rrëkajë…Të shkretat Ato Nana…pershpërisnin me vete!
E, zemra u plaste! Vetem nga Dhimbja!
Vetem nga Dashnia…per Motrat e veta…
Sytë e Nanave tona Shqiptare vazhduen një gjysë shekulli veç tue lotue!…
Shfarosej Rinia Shkodrane e Shqiptare, varrosej zallishtave …e tash kah e vona u lane gjak dhe kufijtë, shetiteshin nder pjaca Djelmënia Shqiptare e thurun në tela me ferra… e Nanat tona thonin të brengosuna me zemer të plasun nga shkrepjet e armëve:
“O Zot! Deri kur kështu,… tue u vra Vllau me Vllanë…
Vetem per Urrejtje”!?
Shqiptarë!
“Urrejtja… u ka lodhë kujtesen!
A e dini se Ndue Pali e Caf Meti janë në Një Vorr!”
Turp për komunistët anadollakë e filoserb të Shqipnisë, por ma turp për Shtetin e sotëm…që nuk nxjerrë në pah këta akte kriminale dhe autorët e tyne, që nuk krahasohën me asnjë vend tjetër të Botës:
Të vrasësh njeriun se asht i besimit Katolik, në Shek. XX ?…
- As kjo veper kriminale nuk quhet Gjenocid?
A ka Shteti Shqiptar ndonjë dokument që në shekullin e XX, Don Nikoll Kaçorri, nenkryetar në qeverinë e Vlonës, Luigj Gurakuqi në qeverinë e Durrësit apo të Nolit në 1924, apo At Anton Harapi e Lef Nosi në Regjencën Shqiptare të vitit 1944, kanë vra të paktën një njeri se ishte musliman? Këte vepër nuk e kanë ba as pushtuesit e huej italianë as gjerman…madje, edhe në kohë lufte. Prandej, krimet e komunistëve në Shqipni nuk krahasohen as me ata të fashizmit as me të nazismit…
- E kam thanë dhe, po, e përsërisë, e do t’a persëris prap se:
“Në Shqipni janë kenë komunistët që e kanë inaugurue terrorin në masë si vegël dhe mjet qeverisës!”
- Në Shqipni asht krye Gjenocid!
Hapni Dosjet se nuk mund të “shlyhen” krimet nga “koha apo harresa” e faktëve dhe zhdukja e dokumentave. Zvarrisja dhe moshapja e dosjeve tregon se pushtetarët e rinjë që po zvarrisin hapjen e dosjeve, jo vetëm, janë pjellë e sistemit komunist por në çdo kohë ata kanë mendue dhe mendojnë ripèrsëritjen e veprave të baballarve të vet…
- “Urrejtja shuen Rininë, Urrejtja shuen Fise, Urrejtja ka shue edhe Kombe!”
- Urrejtja, kjo brengë djallzore e trashigueme…tash sa shekuj,
Vazhdon me vra Shqiptarët…
KLERIKËT E FAMILJES PRENNUSHI PËRBALLË TERRORIT KOMUNIST
- AT M A T I P R E N N U S H I O.F.M., PROVINÇIAL I FRANÇESKANËVE TË SHQIPNISË, (2 TETOR 1881 – 11 MARS 1948)
- IMZOT V I N Ç E N C P R E N N U S H I O.F.M., ARGJIPESHKËV I DIOÇEZIT TË DURRËSIT, (4 SHTATOR 1885 – 19 MARS 1949)
- DON K O L E C P R E N N U S H I, FAMULLITAR I DAJÇIT TË BREGUT BUNËS – SHKODËR, (1 JANAR 1902 – 2 KORRIK 1950)
- “POPULL SHQIPTAR,
EC PËRPARA ME KURAJO DREJT SHTIGJEVE TË SOLIDARITETIT. ASHT NJË RRUGË E VËSHTIRË KJO, POR NË TÉ JANË TË MBJELLUNA FARNAT E SHPRESËS.
LE TË SHOQNOJNË FORCA E MARTIRËVE TË TU, DISHMITARË GJITHMONË NË ROJE TË LIRISË NË VITET E PAFUND TË SHTYPJES SË RREGJIMIT TOTALITAR».
PAPA GJON PALI II, Tiranë, 25 prill 1993
AT MATI PRENNUSHI O.F.M.
“Mbrojeni trimnisht me hekur qytetin e Atdheun tuej, kjoftë edhe tue derdhë gjakun deri në pikën e fundit”, Don Marin Barleci.
Ka lé në Shkodër më 2 tetor 1881, prej prindve Kolë e Drande Prennushi. Asht i pagëzuem me emnin Paulin. Familja Prennushi asht e vjetër në qytetin e Shkodrës. Të parët e tyne kanë ma shumë se 300 vjet që kanë ardhë nga Zhupa, fshat malor por, që, asnjëherë nuk asht shkelë nga turqit deri në ardhjen e kësaj familje në Shkodër, prandej, edhe nuk kanë ndrrue Fé. Tregojnë se vazhdimisht kanë pasë klerikë në za. Ndër të fundit asht kenë Don Mati Prennushi, axha i At Matisë, i cili ka vdekë në vitin 1904 dhe asht varrosë në Rrëmaji, ku sot janë vorret e kësaj familje.
Don Matia ishte i njohtun për aktivitet atdhetar në krahinat e Veriut. At Matia trashigoi emnin e tij, mbasi pikërisht atë vit kur ai vdiq, ky u shugurue meshtar, më datë 4 prill 1904, në Kishën e Françeskanëve të Gjuhadolit. At Matia mësimet e para i mori në Troshan, ku edhe iu kushtue Urdhnit të Shën Françeskut, i njohtun në Shqipni “Urdhni i Fretënve të Vogjël, O.F.M.”. Vazhdoi në Bosnje mbasi pothuej ishte ba traditë paraprëgatitore e fretënve për vazhdimin e studimeve të nalta në Austri. Kjo rrugë asht ndjekë nga pjesa ma e madhe e françeskanëve shqiptarë, mbasi Austria jo vetëm, se ishte forcë e madhe, por edhe ishte e vullnetëshme me ndihmue Shqipninë me kuadër të naltë në të gjitha fushat. Pergatitja e klerikëve atje bahej me dëshirën ma të madhe prej tyne mbasi atë kohë ajo shihte edhe tëposhtën që kishte marrë Përandoria Turke. At Matia studimet e nalta i përfundoi në Grac në vitin 1904.
E theksova këtë fakt mbasi edukata dhe kultura e marrun në këto qendra edukimi në Austri, la përjetësisht gjurmët e veta të pashlyeshme në formimin atdhetar e fetar në të gjithë ata shqiptarë që edhe pse ishin ende nën pushtimin mizor turk, formuen atë brezni që Shqipnia nuk do të mundët me e persëritë kurrëma.
Në moshën 24 vjeçare At Matia, zotnonte mirë gjuhët: latinisht, greqishtën e vjetër, italisht, gjermanisht, serbo-kroatisht dhe frengjisht, gjuhë, të cilat i fliste dhe i shkruante saktësisht.
Françeskani i ri e filloi misionin e tij si profesor në gjimnazin e fretënve dhe mbas një viti shkon në Katund të Kastratit të Koplikut, ku, përfshihej edhe Bajza. Ka edhe sot familje e që kujtojnë me respekt meshtarin e ri ndër votrat e të parëve të tyne.
Shumë shpejt u fiton zemrën besimtarëve të vet. At Dioniz Maka më tregonte më 14 prill 1995: “Kur turqit në agoninë e tatpjetës, mendonin aty nga 1905 me djegë Shkodrën, në shenjë hakmarrjeje për përpjekjet që po baheshin me dalë nga zgjedha e robnisë së tyne, njëditë të dielë mbas meshët At Matia çveshi teshat e meshës e u tha besimtarëve me pritë në oborr pesë minuta. Ai vetë shkoi te qela, doli para Kishës dhe ju drejtue të pranishëmve tue nxjerrë prej xhepit të zhgunit një alltije: – Kush asht burrë dhe e don me zemër Shkodrën o sot o kurrë, me ardhë mbas meje, do t’ju prij unë e do të shkojmë me i ndalue dorën hasmit turk që don me zharitë vëllaznit tonë!
Të gjithë si ishin shkuen ndër shtëpia, ndrruen teshat, u armatosën dhe u rreshtuen mbas tij ndër kuaj për pak kohë. Dhanë kushtrimin përreth ndër male dhe nën drejtimin e At Matisë u nisën në drejtim të Shkodrës. Lajmi erdhi shumë shpejt edhe në Shkodër.
Me të marrun vesht Valia dërgoi ndërmjetësit tek Kisha e Madhe e Shkodrës për me e ndalue këtë veprim, tue premtue se ushtria turke nuk do të bajë asnjë reprazalje kundër shkodranëve. Imzot Guarini i dërgoi një përfaqësues me u dalë para malësorëve që po vinin me At Matinë në krye. Përfaqësuesi i klerit i takoi ata pak pa mërrijtë në Vrakë dhe mbasi ishin marrë garancitë prej Valisë, malësorët u kthyen, Shkodra shpëtoi… At Matia qysh i ri asht dallue në trimni. Kishte një za të trashë dhe pak të marrun… e, si tash e kam ndër veshë zanin e tij kur këndonte Gloria…”
Me shkuemjen e Imzot Lazër Mjedjes në Prizren, aty nga 1908, At Matia shkon në Traboin, Deçiq dhe Greçë.
Tue pa përditë me sy tiparët e malësorit të kulluem atje, ai preku me dorë gjanë ma të çmueshme që e karakterizon shqiptarin dhe që e veçon nga kombët tjera, aty ishte burrnia e besa!
Në çdo votër ndër ata male përcillej ndër breza qëndresa e kreshnikia pa mburrje.
Virtyti ma i shenjti i yni besa, qarkullonte ndër damarët e gjakut të malësorit fisnikinë me formulen Fé e Atdhé, aqsa dukej sikur ky ny i pazgjidhshëm asht lidhë njëherit me kërthizën e tij.
Prova ma e saktë asht vetësakrifica për hatër të mikut, ndërsa, për priftin edhe binte në zjarr e nuk i dhimbsej jeta si me lé së dyti.
Ishin françeskanët të parët që e provuan këtë gja ndër male mbasi me ndôre të këtyne, ata mërrijtën me falë edhe gjaksin.
Ishte besa që në karakterin e atyne burrave ruente të forta dhe të freskëta ndjesitë atdhetare që prisnin çdo çast me u zgjue nga dora e bekueme me gjakun e martirëve, nga dora e atij Kreshniku që shpejt do të thërriste: “Çonju burra, ku jeni, drejt e në Deçiq!…”
E, mbas Tij, fluturuan edhe shqipet e Alpëve tona!
Më 24 mars 1911 janë At Mati Prennushi e At Buon Gjeçaj, që shpalosin nga gjoksi i tyne Flamurin Kombëtar të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, dhe ia dorëzojnë të pathyeshmit Trim të Traboinit, DED GJO’ LULIT, që me ata dy sy zhgabë që i vezullojshin prej gëzimi, e buzëngërthye nën ata mustakë të bardhë si biluri, me kësulë mbi një sy si bora e MAJËS SË BRATILES, i mbërthyem ndër armët e Të Parëve, në atë brez të punuem prej lokes qysh se rrezja e diellit kishte shkrepë ndër ato maje, me ata çakçirë nën të artin xhamadan ku rrahte ORA E SHQIPNISË, aty, po, ishte zëmreku i kombit ku gufonte gjaku i shkuem rrëkajë i Fatosave; aty, po, ishte ajo e forta zemër që me duer prej bronxi, ngjiti në atë shtizë të latueme në shekuj atë cohë KUQ E ZI, të qëndisun nga duert e bijave të Rozafës, po, në atë shkam ku asht daltue amaneti i GJERGJIT, që për pesë shekuj priti: AGIMIN E LIRISË….
Po, po, bash AI BURRË, që sot nuk ka as vorr!
Për këtë ngjarje kaq të randësishme përveç dokumentëve historike të botueme të asaj kohe, fotografive etj. në revistat “Leka”, “Hylli i Dritës”, etj. shkruan edhe Stephen Schwartz, në Albanian Catholic Bulletin, 1994, vol. XV, fq.150, University of San Francisco: “On March 24, 1911 the Albanian double-headed eagle flag was raised for the first time in five centuries since the death of Scanderbeg. The flag was raised on the top of Deçiq mountain, near the toën of Tuzi. It had been wrapped and secretly carried from Shkoder by Franciscan Father Mati Prennushi under his religious habit.”; dhe, e përkthyeme shqip: “Më 24 Mars 1911, pesë shekuj mbas vdekjes së Skënderbeut, për herë të parë u ngrit Flamuri Shqiptar me shqiponjën dykrenare. Flamuri u ngrit në maje të malit Deçiq, afër qytetit të Tuzit. Atë e solli në mënyrë të fshehtë nga Shkodra, Françeskani Padre Mati Prennushi, i cili e kishte palosë nën zhgunin e tij”.
At Matia nuk asht i knaqun vetëm me lirinë e malëve mbasi atje liria pothuej nuk ishte shkelë asnjëherë. Vepra fisnike e Deçiqit vërtetë që ishte një shpërblim i luftës së vazhdueshme të malëve tona, por kënaqësia duhej me u shtri në të gjithë vendin.
Asht kjo arësyeja që në qelën e At Matisë, në Greçë, shkon Imzot Lazër Mjedja dhe organizojnë takimin historik ku përpilohet një dokument i randësishëm: “Memorandumi i Greçës”, më 23 qershor 1911, që i prinë ngjarjës së madhe të Pavarësisë Kombtare në Vlonë, më 28 nandor 1912. Ky memorandum u shkrue në gjuhën frenge nga dora e atdhetarit Luigj Gurakuqi dhe u përpilue nga Imzot Lazër Mjedja, Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi, At Mati Prennushi, At Buon Gjeçaj, dhe asht nenshkrue nga: Sokol Baci i Grudës, Ded Gjon Luli i Traboinit të Hotit, Dedë Nika Bajraktar i Grudës; Dodë Preçi Bajraktar i Kastratit; Tomë Nika i Shkrelit, Col Dedi i Selcës Këlmendit; Lul Rrapuka i Vuklit të Këlmendit; Llesh Gjergji, Bajraktar i Nikçit; Gjeto Marku i Hotit; Mehmet Shpendi, i pari i Djelmënisë së Shalës; Martin Preka i Shkrelit; Prelë Marku, Bajraktari i Shalës, Avdi Kola Bajraktar i Gimaj, Nik Mëhilli i Shllakut, Pup Çuni Prekalor, Binak Lulashi Toplanas; Bash Bajrami Bajraktar i Nikajve dhe Bec Delia.
Ajo që sot bie në sy në këte Dokument kaq të rendsishem asht përdorimi i saktë i terminologjisë juridike të asaj kohe, kur as Shqipni nuk kishte…që, të jep përshtypjen e përpilimit të tij në kohën e sotme moderne prej ndonjë grupi juristësh të një shteti shumë të përparuem.
Kur malazezët shkelin tokat tona, për këto akte atdhetarie që At Matia kishte organizue e kapin dhe e dënojnë me varje në litar. Gjatë zhvillimit të gjyqit një anëtar i trupit gjykues, i thotë: “E sheh litarin që ke në brez, në atë litar do të varim!”… dhe At Matia me buzë në gaz i përgjigjet: -“Ua dij për nderë me më varë në konopin tem mbasi me siguri litari em ka me ma falë jetën”.
Thanja kishte dy kuptime: Së parit, konopi i Françeskanit do të këputej, mbasi nuk do të pranonte që të varet kush në atë litar; së dyti, litari i tij nuk kishte si me bajtë peshën e randë të trupit të madh e të shëndetshëm të At Matisë. Asht e vërtetë që me At Fishtën ishin miq por ishin edhe bashkëpunëtorë. Për hirë të kësaj dashtnije që kishte At Fishta për té, ai ndërhyni tek Krajl Nikolla për me i falë jetën At Matisë.
Krajli jo vetëm i fali jetën por edhe e liroi dhe ja dha me vedi. Erdhën në Shkodër ku për pak kohë punoi si profesor në Gjimnazin Françeskan. Siduket, ata i përpiqte bashkë edhe humori. Fishta e tregonte shpesh thanjën e At Matisë para gjyqit dhe qeshëshin. Kjo vërehet edhe ndër ato pak letra të korrespondencës së tyne që për fat nuk janë zhdukë dhe prej të cilave një muejta me e fotokopjue. Pjesa ma e madhe e tyne asht e vështirë me ra në duert e mija.
Nuk zgjati shumë kohë dhe At Matia u kthye në Bajzë të Kastratit edhe njëherë mjedis miqve të vjetër, që e pritën me dashtninë ma të madhe. Në vitin 1924 asht përkrah Opozitës si gjithë Kleri Katolik, kryesisht ai Françeskan kundër Regjimit të Zogut.
Lëvizjet e 1926 e përfshijnë edhe At Matinë, i cili mbas vrasjes së Luigj Gurakuqit, nuk donte me i ndigjue emnin Zogut dhe as Musa Jukës. Arrëstohet prap në këtë Lëvizje bashkë me shumë klerikë të tjerë. Don Gjon Gazulli u dënue me varje dhe u ekzekutue vëndimi në Shkoder. At Matia u dënue me pushkatim. Këtë herë asht At Palë Dodaj që ndërhyn tek Zogu, i cili për miqësinë që kishte me At Palin, ia fali jetën At Matisë. Edhe ky e liron por me kusht që At Matia me u largue nga ato krahina. Atëherë detyrohet me u largue përfundimisht dhe emnohet në Laç të Kurbinit. Në vitin 1928 shkon në Iballe të Pukës dhe mbas pak vitësh asht famullitar në Gomsiqe. Në vitin 1941 emnohët në Tiranë, megjithëse aty nuk shtrihej veprimtaria e Françeskanëve. Bashkë me Provinçialin e tyne At Anton Harapin, hapin Kishën Françeskane të kryeqytetit, ku At Matia ushtron një aktivitet të gjanë atdhetar.
Aty bashkëpunon me At Meshkallën, Imzot Vinçenc Prennushin, Imzot Bumçin, Don Lazër Shantojën etj. At Matia jo vetëm ishte antifashist por ishte edhe anti-italian. Nuk pajtohej me pushtimin e Shqipnisë nga Italia, gja të cilën, e ka shpreh pa kurrfarë frike. Në Kishën Françeskane të Tiranës më 28 nandor 1942, ai ka vue Flamurin Kombëtar me shqipën e flamurit të Deçiqit, pa stemat e fashizmit. Kryente vizita kortezie ndër autoritetet shtetnore edhe italiane që i kishte të detyrueme po, prej tyne Ai konsiderohej “françeskan me ndjenja të theksueme nacionaliste dhe antifashiste italiane”. Dëshmi e At Dioniz Makës.
Në Tiranë ai u njoht me shumë përsonalitete të kohës si, me Shefqet Vërlacin, Mustafa Krujën, Maliq Bushatin, Iliaz Agushin, Musa Gjylbegun, Rexhep Mitrovicën, Ibrahim Biçakun, Lef Nosin, Cafo Beg Ulqinin etj. Të gjithë dokumentët arkivore të marrëdhanjëve të At Matisë, me këta përsonalitete, flasin vetëm për ATDHETARIZËM. Ai, edhe pse ishte në Tiranë ruen miqësinë me fisin e Ded Gjo’Lulit, me Prekë Calin, Kol Zefin e Grudës, Kol Ndoun – Bajraktar’i Shalës, Lulash Gjeloshin e Shoshit dhe, e veçon Gjelosh Lulin, si trim dhe atdhetar. Në grupin e politikanëve të njoftun ruen respekt të veçantë për Mehdi Frashërin, si politikan, jurist, historian dhe liberal shumë i kulturuem.
Ndër takimet e bame me italianët shihët kjartë interesa që ata kishin për té, dhe ky përfiton tue u marrë të holla për ndërtime qelash e Kishash në zonat e Tiranës. Kjo dokumentohët edhe me shpjegimet e shpënzimeve të bame në materialin e ruejtun në Arkivin e Shtetit në Tiranë. (shif librin “Françeskanët”).
Në vitin 1943 vjen në Shkodër. Mbas emnimit të At Anton Harapit në Regjencë, në vendin e tij si Provinçial i Françeskanëve të Shqipnisë, emnohet At Matia, detyrë e cila i njihët zyrtarisht nga eprorët në muejin qershor të vitit 1944. Detyrën e fillueme në gjysmën e vitit 1943 e vazhdon pa emnim zyrtar, mbasi rruga e ndjekun me At Harapin për aprovimin e emnimit të tij në Regjencë vazhdoi aq kohë. Mënyrën si u veprue do ta shpjegoj tashti nga burimet e vërteta për këtë çashtje:
Zgjedhja e At Mati Prennushit si Provinçial asht mjaft origjinale.
Po filloj me citue At Konrad Gjolaj, i cili ishte i pranishëm në atë mbledhje posa kishte ardhë nga studimet prej Italie. Në librin “Çinarët” (fq. 67) shkruen: “At Çiprian Nika ishte ndër françeskanët ma me vlerë që ka pasë kleri e kjo asht edhe arësyeja që kur u zgjodh Provinçial At Matia, pat ngulë kambë mos me u zgjedhë At Çipriani, se komunistët punën e parë që kanë me ba kanë me pushkatue Provinçialin, prandej, t’a ruejmë At Çiprianin për ma vonë, mbasi asht i ri dhe i vlefshëm shumë për né. Ai e mori vetë detyrën e Provinçialit me bindje të plotë se do të pushkatohet, por At Matisë nuk i bante përshtypje pushkatimi, se edhe dy herë maparë kishte shkue deri te gryka e pushkës, bile edhe deri tek stoli i konopit në Serbi”. Po në këtë mënyrë e shpjegon edhe At Dioniz Maka mënyrën e zgjedhjes së tij Provinçial.
Në fq 65 (po aty), At Konrrad Gjolaj shkruen: “Ardhjen e At Mati Prennushit si Provinçial të Françeskanëve të Shqipnisë, unë e kam konsiderue gjithmonë si një fat i madh i Kishës Katolike dhe i Françeskanëve të Shqipnisë. Ai asht kenë portreti shpirtnuer, fizik e moral i një françeskani të vërtetë. Inteligjent, trim dhe organizator. Janë tri cilësi të vështira me u kombinue, por sidukët Zoti tue dashtë me na ruejtë me faqe të bardhë na shndriti mendjën me zgjedhë At Matinë në kohën ma të rrezikshme dhe delikate, në të cilën asht ndodhë Kisha përballë terrorit sllavo-aziatik komunist”.
Shkuemjen e At Anton Harapit në Regjencë, At Matia e konsideron të rregullt dhe në përputhje të plotë me normat ligjore të Urdhnit, mbasi vetë At Antoni ka kërkue rrugën ligjore.
Mbasi u mblodhën françeskanët: At Mati Prennushi, At Pal Dodaj, At Çiprian Nikaj, At Donat Kurti, At Pashko Bardhi, At Gjon Shllaku dhe At Augustin Ashiku; At Matia deklaron: “… U bisedue në se mund t’i sillej ndonji dobi Atdheut me pjesëmarrjen e tij (Padër Antonit) në Regjencë, e arritëm në përfundimin se mund t’i sillet shumë, prandej, e autorizueme Padër Antonin të marrin pjesë në Regjencë. (A. M. Prennushi Dosja 1302, fq. 56, Arkivi Min. Mbrendshme, Tiranë).
Ma poshtë vazhdon: “Mbas kësaj mbledhjeje i asht kërkue mendimi Papës dhe Vatikani në bazë të Kodit Kishtar, e lé në dorë të Argjipeshkvit. Argjipeshkvi i Shkodrës e pëlqen këtë vëndim dhe Padër Antoni shkoi në Regjencë”. (po aty fq. 57.)
Kur hetuesi e pyet At Matinë, se konsiderohët apo jo At Antoni “kriminel lufte”, përgjegja asht kjo: “Për Padër Anton Harapin nuk ka ndonjë fakt që të më bindin se ky mund të jenë kenë kriminel lufte”. (Dosja 1302 fq. 6). Letra e At Antonit që i ka dhanë Osman Kazazit njëditë para pushkatimit, ende nuk po botohet. E quej me vlerë po të ishte mundësia e një studimi të plotë për At Anton Harapin, me nxjerrë në dritë një letër të Lef Nosit që ruhet në Arkivin e Shtetit, me të cilën Lef Nosi kërkon me çdo kusht kenjen e At Antonit në përbamjen e Regjencës. Po aty asht e ruejtun një letër tjetër që At Matia u dërgon të gjithë françeskanëve me rastin e vrasjes At Lekë Lulit në mënyrë mizore dhe trathtisht, vetëm me i plaçkitë të hollat që kishte me vedi. Në këtë letër jep urdhën të premë që asnjë frat të mos merrët me politikë dhe të mos ju besojnë asnjenës parti, mbasi jo vetëm mund të pësojnë fatin e At Lekë Lulit, por edhe do të njolloset me akuzat ma të këqia nga ajo parti që do t’i marrë edhe jetën. Porosia asht e padiskutueshme. Ka një shënim me të cilin akuzojnë At Matinë, se kjo letër asht shkrue vetëm kundër Lëvizjes N.Çl. dhe formacionëve partizane. Qëllimi i vërtetë me sa duket asht frika e përzimjes klerikëve në turbullinat e kohës.
Në të vërtetë koha e turbullt dhe e pasigurt e vitit 1944 sjell të paprituna të njëmbasnjëshme. Shumë nana shkodrane zanë derën e kuvendit për me ju shpëtue kokat e djelmëve të kapun nga gjermanët, si komunistë ose të dyshimtë; shumë të tjerë afrohën me vërejtë se çfarë qëndrimi po mbante kleri kundrejt partizanëve; shumë të tjerë vijnë me lypë ndihmë për jetesë si Pjerin Kçira me shokë; shumë të tjerë kërkojnë me rrahë në të dy krahët dhe me e pasë mirë me të gjitha palët e, që këta të fundit janë kenë ma të shumtit. Praktikisht në Kuvendin e Fretënve gjetën strehë edhe shumë prej atyne që ma vonë do të dëshmojnë për “veprimtarinë antikombëtare” të françeskanëve, vetëm e vetëm me sigurue një vend pune të rahatshëm, me marrë një gradë shkencore të pameritueme etj. etj., që shtjellohën ma kjartë në ngjarjet e ndodhuna mbas vitit 1944.
Proçeset e bame ndër gjyqet e hapuna të Shkodrës janë dëshmi e mirë dhe mbahën mend nga qytetarët, por proçesët e “mbylluna”, që sot edhe ato janë të hapuna e publike, për fat të keq, dëshmojnë se shumë vetë kanë mendue se komunizmi asht i “përjetëshëm” dhe asnjëherë, nuk kanë mendue se do të dalë në shesh e vërteta e vëprimeve të tyne.
- Nuk ishte detyrë e thjeshtë me kenë Provinçial në një kohë ma keq se në kohë të paganëve, për Françeskanët e Shqipnisë ishte koha ma e vështirë e shekullit. Mos harroni se, gjithshka ishte në dorën e jugosllavëve, e kush ma parë se fretnit do të kishin punë me ta?
- At Mati Prennushi ruejti dinjitetin e vet dhe të shokëve pa madhështi. Ai u ndodh i vorfën mjedis të vorfënve të Asizit, dijti me lidhë gjithmonë veprën me logjikën, tue arësytue gjithshka e këshillonte atë vëllau i kuvendit.
- Ai ishte i sjellshëm, i premë në vëndime, i njerëzishëm, bujar dhe i pakundërshtueshëm, mbasi me fjalë e vepra nuk dijti me iu randue as anmikut. At Matia, ishte elokuent, të bante për vedi, se ishte gjithmonë dashamirës. Këshilla e vërejtja e tij mirëpritej si prej ATIT.
- Punoi pa iu ndigjue zani për Fé e Atdhé si të gjithë françeskanët, mbasi në zemër i vlonte LIRIA.
- Ai vdiq i respektuem edhe nga anmiqtë, se njihëj për Burrë trim.
IMZOT V I N Ç E N C P R E N N U S H I
“… E ngarkuan me bajtë trungje prej rrugës poshtë e te kodrina ku gjindëj burgu. Si Krishti n’Udhën e Kalvarit u përpoq tri herë me radhë, por u rrëzue të trija herët pa shprehë ankim”, Prof. Arshi Pipa.
Ka lé në Shkodër me 4 shtator 1885, nga prindët Gjon e Drande Prennushi dhe asht pagëzue me emnin Kolë. Mësimet e para i mori në vendlindje, ndërsa, në seminarin e Troshanit iu kushtue Urdhnit françeskan. Mësimet e nalta i përfundoi në Tirol të Austrisë.
Asht shugurue meshtar me datën 25 mars 1908 dhe si françeskan merr emnin At Vinçenc Prennushi O.F.M.
Asht i formuem jo vetëm nga ana fetare, atdhetare dhe kulturore, por radhitët ndër letrarët ma në za të Rilindjës sonë. Shkruen në revistën “Hylli i Dritës”,”Lajmtari i Zemrës së Krishtit”, “Zani i Shna Ndout” dhe ka vlera të posaçme për artikujt e shkruem në gazetën “Ora e Maleve”, mbasi, aty, Ai shfaqë edhe pikëpamjet e veta atdhetare, politike dhe demokratike. Ban pjesë në veprimet e vazhdueshme të klerit për pavarësinë dhe si i tillë, me rastin e ngritjës së Flamurit në Kalanë “Rozafat” në Shkodër, me 14 mars 1914 mban fjalimin kryesor ku spikat oratoria e At Vinçencit.
Në librin “Ndër lamijet e demokracisë së vërtetë”, At Vinçenci, jep mendime të sakta për një shtet të andrruem demokratik të tipit Perëndimor, mendime që mbetën të gjalla edhe për kohën e sotme.
Fusha e përkthimëve asht ndër ma të dashtunat për té, mbasi “Fabiola” dhe “Quo vadis?” janë kenë si oficet e klerikëve ndër familjet shkodrane. Libri “Gjeth e lule” mbetët ndër veprat e letrarit të nivelëve të nalta mbasi ashtu ishte edhe pena e tij.
At Vinçenci asht kenë Provinçial i Françeskanëve në vitin 1928. Koha e shërbimit si drejtor’i Kolegjit Françeskan dhe si Provinçial ka provue mendimin se ai dinte me drejtue, prandej në vitin 1936 At Vinçenci shugurohet Ipeshkëv i Sapës (Dioçezi i Zadrimës). Në vitin 1940 Ai emnohet Argjipeshkëv i Dioçezit të Durrësit.
Kur asht Metropolitan i Durrësit asht edhe koha kur kryeqyteti i Shqipnisë Tirana, përfshihej në Dioçezin e tij (ashtu si sot), pra, vetvetiu qendra kryesore e Shqipnisë kalonte nën drejtimin e Imzot Prennushit.
Asht e vërtetë se aso kohe ai ka përkrah tij edhe Imzot Luigj Bumçin, një ndër përsonalitetët ma të njohtuna të Klerit Katolik edhe si politikan i shquem, që ka lanë emnin e vet të paharruem në çastët ma delikate të fateve të Shqipnisë. Atë kohë në Tiranë nuk duhet harrue se ishte edhe Don Lazër Shantoja, At Pjetër Meshkalla dhe Don Shtjefën Kurti, përsonalitete që kanë lanë në kujtesën e qytetarëve të Tiranës një “epokë”, ku spikatën me punën e tyne këta kolosë të atdhetarizmës.
Fatkeqësisht gjendja e keqe shëndetësore e Imz. Bumçit, ndoshta, randoi punën e Imzot Prennushit, por fatmirësisht Imzot Prennushi, jo vetëm, kreu me ndër detyrën e klerikut të divoçëm, por edhe nuk i la kurgja mangut Imzot Bumçit edhe në fushën politike pikërisht, në fazën ma delikate të historisë përballë pushtimit fashist italian, atij gjerman dhe së fundit, atij sllavo -komunist jugosllav e rus, të vitit 1944.
Asht e vërtetë se Jakomoni i dha një dekoratë Vinçenc Prennushit, po kurrë nuk asht shkrue çfarë ka thanë Jakomoni për françeskanët e Shqipnisë dhe për shkollat e tyne; kurrë nuk asht botue teksti i plotë i kujtimeve të Kontit Çiano, ku shprehët kjartë e sakt pritja që i ka ba Italisë Kleri Katolik dhe Katolikët e Shqipnisë. Pra, këtij Kleri dhe këtyne françeskanëve i përkiste edhe Imzot Vinçenc Prennushi, i cili deklaron: “Kam marrë një medalje nderi për shka, nuk e dij – Lekë jo. Dekoratës nuk i dij as emnin”. (Dosja 1245 Arkivi i M.M.Tiranë). Kujtimet e Kontit Çiano as nuk kanë me u botue ndonjëherë, mbasi fatkeqësisht aty asht shkrue edhe se kush e priti mirë okupacionin fashist. Për telegramin e dërguem mbas okupacionit fashist shprehët kjartë bashkfirmuesi Imzot Frano Gjini (atëherë Abat i Mirditës), në letrën origjinale të Tij:
“…4. se nuk ia kam dhanë kurr aderimin tem okupacionit italian me përjashtim të nji telegrami dërgue mbas 22 ditësh nga okupacioni italian, bashkë me Kolegët të tjerë t’Episkopatit, i cili telegram nuk ka tjetër kuptim veç nji formalitet konvenience, të detyruem nga fataliteti historik të ngjarjeve të kohës të pregatituna prej tjerve; po si kanë veprue të gjithë përfaqsuesit e entëve civile, ushtarake e fetare të vendit tonë.” (Dosja 1302 Arkivi M.M.Tiranë).
Ndërsa, Imzot Prennushi, deklaron: “Se shka përmban telegrami nuk me kujtohët, ai asht ba nga Metropoliti i Shkodrës.” (Dosja 1245, Arkivi M.M.Tiranë).
Si Imzot Prennushi, si Imzot Gjini, deklarojnë se, “na kemi firmue para një fakti të kryem dhe, jo, para okupacionit të Shqipnisë nga Italia”.
“Nuk i kam ba fashizmit asnjë shërbim”, shënon Imzot Prennushi, dhe i qëndron kësaj fjalë deri në fund. Sigurisht, kjo qëndresë bazohej tek e vërteta, mbasi vëprimet e tija diheshin.
Në vitin 1945 Enver Hoxha, i kërkon një takim Imzot Prennushit dhe ky e pranon. Në atë takim asht kenë prezent edhe Imz. Gaspër Thaçi. Rezultatin e atij takimi e kujtoj edhe unë…
Kur erdhi Enver Hoxha në Shkodër në vitin 1949 dhe mbajti një fjalim disa orësh në balkonin e pallatit të Prefekturës, ku, edhe i rrahu shpatullat “birit të denjë të kllasës puntore të Shkodrës”, “shokut të dashur” Tuk Jakova, kujtoj si tashti, se kur foli për takimin e tij me Ipeshkvijtë, imitoi tue ferkue duert Imzot Prennushin, dhe shprehu si zakonisht “konsideratën” e tij për Klerin Katolik si agjenturë e Vatikanit, mbasi aty i kishte ngecë sharra Enver Hoxhës, tek shkëputja nga Papa…
Me datën 19 maj 1947 Imzot Prennushi arrestohet dhe si të tjerët fillon Kalvarin. Qëndrimi i tij në hetuesi tregon karakterin burrnor që shihët edhe ndër ata pak dokumenta që ruhën. Imzot Prennushi asht i parapergatitun për rrugën që ka përpara. Ja, si shprehët për té At Gjolaj: “…Letra që Imzot Frano Gjini u ka dërgue Misjonëve të hueja i asht dorzue Imzot Prennushit, me ia dhanë atyne. Prezent ka kenë edhe Don Anton Muzaj e Don Shtjefën Kurti. Letra asht përpilue nga At Meshkalla.
Arësyeja që e shkruen këte letër asht kenë mospritja e drejtuesve të Klerit nga ana e Enver Hoxhës. Mbasi Imzot Vinçenc Prennushi e kishte dorzue këte letër erdhi në Shkodër, dhe na tha atyne pak vetëve që ishim në oborrin e Kuvendit të Gjuhadolit:
-Bijt’e mijë, ishe tek përfaqsuesi i UNRRES, dhe i shpjegova shka asht tue u ba në Shqipni me Klerin dhe popullin Katolik. I tregova represionet dhe burgjet e mbushuna me né. I tregova se pasiguria shtohet përditë e ma shumë. Ai u përgjegj: -Ecelenza, i dijmë të gjitha shka ke thanë e shka ké me thanë, bile, dijmë edhe ma shumë se ju, prandej duhët të dini se kemi ba shka asht e mundun por nuk kemi shka bajmë ma.
Ju jeni të përfunduem se për 40 vjet, komunizmi nuk do të hiqet prej Shqipnijet!
Unë ika.
Na që ndigjuem, i thamë: -Ti jé pesimist!
Imzot Prennushi, ashtu i ambël dhe i butë si ishte Ai, na tha: -Jo, nuk jam pesimist por keni me pa e ndoshta ma parë tek unë se shka do t’iu gjejnë ju.
Ndoshta, asht premtue prej Zotit me e provue unë shumë shpejt”. Prej asaj ditë nuk e pashë ma. Ai me të vërtetë u martirizue”.
Kur, Imzot Prennushi pyetët për shkuemjen e tij në Misionin amerikan, ai përgjegjet: “Në Misionin amerikan kam shkue për kryeshndosh për Rusveltin… Në Tiranë në një mbledhje të Klerit kemi diskutue për mbylljen e shkollave, të seminarëve dhe shoqnive fetare si dhe ndalesat e qeverisë për fenë. (Në janar 1946) Kemi paraqitë në qeveri një memorandum me të cilin kërkonim të drejtat tona fetare. Nga një kopjo ia kam çue edhe misionëve amerikane e franceze në Tiranë.” (Dosja 1245).
Imzot Prennushi shpjegon për një takim me gjeneralin Hudgson, kur vizitoi Zyrën Famullitare, në Tiranë: “Hudgson ka ardhë me dy oficera. Unë nuk dij frengjisht po dinte Don Shtjefën Kurti. Kemi bisedue mbi çeshtje të përgjithshme por me hollësi nuk më kujtohët se çfarë. Mbas disa ditësh i kam këthye vizitën unë me Don Shtjefnin, në Pallatin e Misionit anglez ku më kujtohët se më ka pyet për flamurët që mbante populli në rrugët e qytetit dhe më tha: -Ma mirë do të ishte kenë që të gjithë këto flamuj t’i bënin rrobe me veshë fukaratë!
Nuk u shpreh mirë për qeverinë, por u tregue i ftoftë.”(po në atë dosje).
Për vuejtjet dhe torturat e bame mbi Imzot Prennushin tregon Prof. Arshi Pipa, ndërsa, kush ishte Imzot Vinçenci, tregojnë këto rreshta të deponuem në hetuesi prej tij me datën 4 shtator 1947:
“… Unë (Vinçenc Prennushi) i thojshe popullit kur kishe kontakte me té dhe sidoemos me pjesën Katolike, se qeveria e sotme udhëhiqet nga komunistat të cilët né na luftojnë deri në zhdukje”.
- Me datën 18 dhetor 1947, Gjykata Ushtarake e Durrësit e përberë nga: Kryetari, major Gjon Banushi, anëtarë, major Zhule Çiriako, kapiten Halim Ramohito dhe prokuror, kapiten Petrit Hakani, hapin gjyqin kundër të pandehurve:
- Monsinjor Vinçenc Gjon Prennushi, datlindja 1885, Kryepeshkop i Durrësit, i biri i Gjonit dhe i Drandës, lindë në Shkodër.
- Don Anton Lekë Zogaj, datlindja 1905, prift katolik, i biri i Lekës dhe i Marijes, lindë në Kthellë të Mirditës.
- Don Pal Martin Gjini, datlindja 1910, prift katolik në Jubë, i biri i Martinit e Terezës, lindë në Shkodër, arrestue me 19 maj 1947.
Vendimi i gjykatës u dha me datën 20 dhetor 1947 si vijon:
- Don Anton Zogaj, vjeç 42, me vdekje, me pushkatim.
- Monsinjor Vinçenc Prennushi, vjeç 63, me 20 vjet burg.
- Don Pal Gjini, vjeç 37, me 10 vjet burg, heqje lirie.
Vendimi i Gjykatës së Durrësit përcillet për shqyrtim në Gjykatën e Naltë të Tiranës, bashkë me një relacion të prokurorit të Durrësit, i quejtun Sotir Qiriaqi (data, 1 dhetor 1947), në të cilin kam shkëputë një frazë, lexoni me kujdes:
“…Don Anton Zogaj pranon menjëherë sa thotë katoliku Gjon Vlashi se ka zhvilluar aktivitet të gjerë kundërshtar, sidoemos në pjesën katolike….Mbrend në Kishë ka bërë mbledhje me katolikun Gjon Vlashi e Palush Koka…”. (përforcimi i shkronjave në tekst asht i emi, autori).
Gjykata e Naltë Ushtarake Tiranë e përberë nga: Kryetar, major Niko Ceta, anëtarë, kapiten Nexhat Hyseni, kapiten II Mustafa Iljazi dhe sekretar aspirant Thoma Rino, me datën 23 shkurt 1948, mbasi shqyrtoi çeshtjen e të pandehurve….”refuzon kërkesen e tyre”…
***
Arësyeja e refuzimit nuk ka nëvojë për koment, mbasi do të lexoni prap ma poshtë:
“… Don Anton Zogaj dhe dy shokët e tij të akuzuar mohuan, njëkohësisht edhe pohimët e tyre në proçes-verbalët e hetuesisë në Sigurim, shoqëruar megjithse fjalë për fjalë janë të njëllojta dhe pa asnjë ndryshim me deponimet e të pandehurve… Don Anton Zogaj thotë se, unë kam ba një proçes-verbal dhe nuk e pranoj krejtësisht…por më kanë detyruar… Janë kundërshtarë koshient të Pushtetit Popullor. Vinçenc Prennushi deklaron se lufta ime ishte kundër komunistave e Partisë Komuniste që të mos egzistonte, kur të formohej Pushteti që mendonim me zbarkimin e amerikanëve”. (Dosja 1245, po aty).
- Prof. Arshi Pipa, në “In memoriam”, për Imzot Prennushin tregon: “Kur gjyqi ushtarak që u zhvillue në nji dhomë të burgut e dënoi me 20 vjet burgim të randë, fjala e tij e mbrojtjes qe: “Nuk i kam dashtë kujt të keqën. Jam mundue me ba mirë”.
- Dosja mbyllet me Proçes-verbalin nr.103/1, datë 10 mars 1948, i mbajtun me datën 9 mars 1948, nr. 51/3 në Seksionin e Sigurimit Durrës:
- “Don Anton Zogaj deklaroi dëshirën e fundit para ekzekutimit: Nuk kam ba aq faj sa Qeverija të më dënojë, por kjo asht vullnesa e saj dhe i bindëm, dhe shtoi – ju lutëm që trupin tem t’ma çoni në Kishë, dhe teshat që kam në burg të mi marri kushrina. Mbasi bani Kryq u ekzekutua dhe u konstatua nga doktori se kishte vdekë”.
Prokurori Publik i qytetit të Durrësit
(Muharrem Rugia) d.v.
- Data 9 mars 1948 në Durrës, më kujton datën tjetër në Shkodër, 11 mars 1948, ditën e pushkatimit të Prelatve të Klerit Katolik. Pra, vërehet deshira dhe pangopsia e komunistëve me gjak klerikësh ndër ato ditë në të gjithë Shqipninë. Po cili nga këta tre klerikë u shpëtoi thonjve të Sigurimit të Shtetit?
- Don Anton Zogaj u pushkatue me datën 9 mars 1948.
- Imzot Vinçenc Prennushi vdiq në burgun e Durrësit me 19 mars 1949.
- Don Pal Gjini “lirohet” i sëmurë nga burgu i Shkodrës, në vitin 1951 dhe vdes në shtëpi.
Kishe me thanë, se, Dosja 1245 asht mbyllë formalisht me pushkatimin e Don Anton Zogaj, por me siguri ajo ka vazhdue me kenë e hapun deri me vdekjën e Don Pal Gjinit.
Kur vdiq edhe MARTIRI i fundit, vetëm atëherë, ndoshta, nuk asht mendue ma për ata njerëz të pafajshëm nga katilët e Sigurimit komunist shqiptar, tham ndoshta, mbasi komunistët kanë pasë punë nganjëherë, e madje ma shpesh, ma shumë me të vdekun se me të gjallë.
- Kur pashë shprehjën e Imzot Vinçenc Prennushit: “Lufta ime ishte kundër komunistave dhe Partisë Komuniste që të mos egzistonte…”, mu kujtue Imzot Ernesto Çoba, i cili thotë edhe ai mbas 20 vjetësh: “Jam kenë gjithmonë kundër komunizmit, as nuk kam dashtë me ia ndigjue zanin, kam punue me shpirt me e zhdukë dhe do të vazhdoj me kenë kundër deri në vdekje…”(Dosja Monsinjor Ernesto Çoba me grupin). Edhe Imzot Çoba dha shpirt ndër birucat e Sigurimit të Tiranës.
- Tue lexue kujtimet e Imzot Vinçenc Prennushit, në revistën “Zani i Shna Ndout”, kallnuer 1930, me titull “Nji e stigmatizueme e ditve tona”, u ndalova një çast në takimin që Imzot Prennushi kishte pasë me TERESA NEUMANN, në Bavari të Gjermanisë, e cila i kishte thanë:
- “Do të keshë nji aksident rrugor, do të bahësh Ipeshkëv dhe Mbas 13 vjetësh të Ipeshkvisë do të vdesësh MARTIR I FESË”.
Dhe, me të vërtetë në atë prag pranvere, nësa lulja e Sh’Jozefit shpërthente gonxhët e saja në degët e çveshuna prej acarit të komunizmit, një za ndigjohej në atë errësinë… në të mekun: “PAK DRITË! – MEHR LICHT”!…
- Jo, jo! Imzot!
- Shumë dritë i dha Shpirti i Yt Fesë, Atdheut dhe kulturës sonë me 19 Mars 1949.
Mars 1999.