Fritz Radovani: Një monument nën dhé (8)
DON KOLEC PRENNUSHI
“…il futuro Cardinale d’Albania”, AT ZEF VALENTINI S.J.
Don Kolec Prennushi ka lé në Shkodër me 1 janar 1902, prej prindve Pjetër e Nine Prennushi. Pjetri njihëj në Shkodër me emnin Tukja i Kol Ded Prennushit, rrobaqepës i njohun për kostumin kombëtar shqiptar të burrave. Don Koleci kishte edhe dy axha Dedën, tregëtar i vogël dhe At Matinë, Provinçialin e Françeskanëve të Shqipnisë, që u pushkatue prej komunistëve me 11 mars 1948. Edhe axha i babës së Don Kolecit asht kenë prift, Don Mati Prennushi i njohun si atdhetar. Kishte kushrinjë At Karlo Prennushin, françeskan që vdiq shumë i ri dhe Imzot Vinçenc Prennushin, Argjipeshkvi i Durrësit, që vdiq në burgun e Durrësit në vitin 1949, kur Don Koleci ndodhej në hetuesinë e Seksionit të Mbrendshëm të Shkodrës, pra, edhe ky i arrestuem prej komunistëve. Ninja, nana e Don Kolecit, ishte vajza e pestë e Ndoc Daisë i cili, u pat helmatisë nga turqit për vëprimtarinë e tij atdhetare. Banonte në Ballabane dhe rrugica Daijej, mban emnin nga shtëpia e tij e ndodhun aty (sot shtëpia e Tom Shkrelit). Don Koleci asht prifti i fundit i familjes qytetare shkodrane Prennushi, në shekullin XX.
Don Koleci kreu shkollën e mesme në Jezuitët e Shkodrës dhe vazhdoi studimët e nalta teologjike në Linc të Austrisë, bashkë me shokun dhe mikun e gjithë jetës së tij At Pjetër Meshkallën S.J., i cili ju kushtue Shoqnisë Jezu.
Don Koleci u shugurue meshtar në Shkodër me 25 qershor 1925, me një ceremoni të madhe mbasi ishte edhe prania e At Matisë, si edhe e At Vinçencit, të dy françeskan të njohun. U emnue famullitar në Dajç të Bregut të Bunës, ma vonë në Barbullush, ku u pat njohtë me Don Ndre Mjedjen që ishte atëherë famullitar në Kukël. Prej Barbullushit shkoi në Mal të Kola dhe prap me kërkesën e fshatarëve u këthye në Dajç të Bregut të Bunës, ku mbylli jetën e tij në moshën 48 vjeçare, ditën e diele, me 2 korrik 1950, në pragun e 25 vjetorit të meshtarisë.
Don Koleci ishte natyrë e qetë i mbyllun dhe shumë studioz. Madje, kështu, ishte kenë shënue edhe në karakteristikën e sjellun nga profesorët e Universitetit Teologjik të Lincit, gja të cilën e tregonte At Meshkalla që e kishte lexue mbas gati 40 vjetësh në Argjipeshkvinë e Shkodrës, me lejën e Imzot Ernesto Çobës. Don Koleci njihte mirë disa gjuhë të hueja. Përveç, gjuhëve që zakonisht njohin meshtarët, latinisht, italisht dhe greqishtën e vjetër, ai zotnonte gjermanishtën, frengjishtën, spanjishtën, ebraishtën dhe jo mirë anglishtën. Ai nuk kishte vështirësi me mësue gjuhët e hueja mbasi përveç prirjes ai dinte përmendësh Ungjillin. Me anën e tij ai mësoi disa nga gjuhët e sipërpërmenduna. Këto gjuhë i përdori në disa përkthime që bani në gjuhën shqipe, të cilën e njohu mirë dhe la gjurmë edhe si letrar. Ka pasë fillue punën me një Fjalorth ku vërehët edhe ndër shënime anësore përputhja e fjalës shqip me fjalën gjermanisht, frengjisht etj. Përkthimi ma me vlerë i tij asht kenë “Kanuni i Lekë Dukagjinit”, përmbledhja e At Gjeçovit, në gjuhën gjermane. Kjo vepër asht zhdukë në vitin 1949-50. Edhe sot nuk dihët fati i saj ashtu si fati i shumë punimëve të tjera.
Ka ba edhe përkthime të tjera si: “Vizari Shpirtnuer” pjesa e Meshës, librin “Juan Mizeria”, “Si mbaroi dashunia”, “Shna Rroku prej Montpellier“ etj., ku, spikatë mënyra me të cilën Don Koleci e ban librin aq të dashtun për lexuesin shqiptar sa, shumë vetë i kujtonin si vepra origjinale të tij dhe jo përkthime, ndonse në faqën e parë ishte emni i autorit të veprës.
Libri “Dishmori i Golgotës”, përfundoi në Sigurimin e Shtetit kur u arrestue në vitin 1948. Për këte libër do të shkruej në një kapitull të veçantë që do të lexoni ma poshtë.
Me 14 shtator 1931 botoi librin “Rrimë shtremtë e flasim ndrejtë”. Libri që në parathanje ka pikëpamjet filozofike të Don Kolecit, i cili, shkruen: “…Me fitimin e lirisë e të pavarsisë s’onë kombtare asht mbyllë nji kaptinë e mjerueshme e njiherit e lumnueshme në histori shqiptare.
Shqiptari i ka ulë armët e bartuna për sa kavaljete aq me nderë e ndjekë në qetinë e pagjës udhët e naltsimit shpirtnuer. Për ditë ma tepër vjen tue e kuptue gjejën e kohës së tashme; ai e ndien se botën në dit’ t’ona e sundon fjala, idea, përparimi, armë ma të fuqishme se të çeliktat, qi kalojnë ngadhnjyeshëm mbi popuj tue mkamë e tue rroposë frone”…
“E kështu shofim na në ditët t’ona kah shpërthen si duhi revolucioni. Prej kumonarëve, kishave, universitetëve njitet tymi i zi e përhapët mbi qytetet e trondituna prej degame. Votra kulture mivjeçare rrokullisën e bijnë nën majin e liberal-radikalit qi, mbi gërmadhat e parimëve të moçme kremton triumfin e ides së lirisë.
Gjaku i pafaj i atyne qi guxojnë t’ushqejnë tjera ide shkon rrkajë nëpër rruga të qytetit. E në ket gjak ai njynë dorën e vet trueshkyese e shkruen mbi flamur të ri:
L i b e r t é, é g a l i t é, f r a t e r n i t é.
O kulturë fetare, o bolshevizëm”…
“…I ngrati afetar , të fortat budalleqe do të besojë për mos me besue të vërtetat e fesë”. (fq.40).
“Prangat e përjashtme, robnia e jashtme, s’asht kurgja me verigat që lidhin vullnetin”.
Parullën: “Liberté (point) Egalité (point) Fraternité (point)”, Don Kolec Prennushi, e përkthen në gjuhën shqipe: “Liri (aspak) Barazim (aspak) Vllaznim (aspak)”…
Dhe vazhdon në fq.4: “Pse ju do të veni oroe qi Shqipnisë i ra me u zgjue prej letargisë qindvjeçare e me rilë në të njimdhetën orë, kur popujt e prendimit të plakun e të shkrimë prej nji kulture mishit, me nji fatalizëm të verbtë rrajnë gjithnji kah gryka e vorrit. Arrijtë në kulmin e zhvillimit shpirtnuer e teknik janë short me u rrokullisë tëposhtë në thelli.
Vetë me duer të veta i kanë vue kazmën kulturës mijvjeçare me e dërmue deri në teme”.
“…Me kenë socialist don me thanë me kenë njiheri antikrisht; ngadhnjimi i mbramë nuk asht i mundun pa rroposjën e krishtënimit. Kështu thote Losinsky në 1902 e bolshevikët e soçëm (socialista radikal), janë tue i vërtetue me fakte dita me ditë”, (fq.22).
“Me kenë “antinacional” asht nji mkat: me kenë “internacional” d.m.th. me i mbajtë të gjitha kombët baras asht nji padrejtësi”(fq.27)…
Në librin “Zoti asht” lexojmë një dialog aktual me ateistet dhe, pikërisht, këtu, asht vlera e këtyne librave: aktualiteti, edhe pse librat janë shkrue 70 e sa vjet ma parë.
Në librin “Për Krishtin o kundra Krishtit”, i shkruem në vitin 1938, që në parathanje lexojmë: “Kush rreshtohët për Krishtin e kush rreshtohët kundra Krishtit. Rreth vehtjës së Tij asht ndezë lufta ma e madhe e shpirtënve. Lufta qi racionalizmi nisi mbi katedra ra mandej në rruga në rreshta të popullit e u ba komunizëm, bolshevizëm gjithrrënues. Sulmi i tij nuk qëllon vetëm hyjninë e Krishtit e hyjnueshmëninë e Kishës, por edhe kullat mprojtëse të tyne: Doktrinën e revelacionit o të zbulimit; të mshehtësive, të mrekullive, të dokumentëve të krishtënimit”…
“…Por, armët kundra vërsuljeve të anmiqve, sidomos në këte kohë kur mortaja e komunizmit ka prâ atmosferën e përgjithshme i duhët popullit me i pasë për dorësh e kundra të zakonshmëve, e kundra atyne ma të hollave qi kanë hijen e ditunisë, të cillat edhe në mos paçin mërrijtë ndër né, do të vijnë si meturina rrënojash qi hjedh dallka e detit në bregore tona.”…
Parathanja mbyllët me këto fjalë: “Zoti i së vërtetës i bekoftë gjith ata qi rreshtohën për Krishtin, por edhe ata qi janë kundra Krishtit u dënjoftë i Lumi me i bekue, pse na luftojmë gabimët e tyne, por shpirtënt e pavdekshëm të tyne ia porosisim mshirës së pakufi të Shelbuesit hyjnuer”, (24 qershor 1938).
Don Koleci, ka edhe shumë artikuj të një rendsie të veçantë në revistat: “Leka”, “Kumbona e së Diellës”, “Hylli i Dritës”, “Cirka”, “Zani i Shna Ndout”, “Lajmtari i Zemrës së Krishtit”, etj. ku, shpesh përdor edhe pseudonimin Mujs Polemi. Don Kolec Prennushi ka hy në Antologjinë e Shkrimtarëve Shqiptarë (1941), si letrar me prozën “Të vershuemit” (fq.221), dhe si të tillë Prof. Ernest Koliqi, e cilëson rreth vitit 1960, në Radio “Vatikani” me këto fjalë: “…Don Kolec Prennushi pat një jetë të shkurtë, por ajo që ndërpreu krijimtarinë e tij letrare në kulmin e saj, kje mortaja komuniste, që pushtoi Shqipninë…
Me 1944 erdhi ajo kohë ku nuk bahëj ma fjalë për një letërsi të mirëfilltë…” (Citue nga Prof. Gasper Ugashi).
Don Koleci me guxim shkruan për At Fishtën: “Poemi epik << Lahuta e Malcis>> asht nji vade mecum i çdo atdhetari”, ndërsa, për At Anton Harapin shkruan: “…Mendje dialektike qi shkruen kryeartikuj ndër të cilët disa janë kryevepra. Dieja e thellë, arsyetimi i lidhun, analizimi i holl, stili i peshuem dallojnë gjith shkrimët e tija. Mund të jetë i thatë, i ftoftë, por ai asht i drejt e i pafajshëm.” (“Hylli i Drites”, 1936, fq.583. marrë nga Klajd Kapinova “Me Kryq e Pendë” fq.65.).
Kardinal Mikel Koliqi në vitin 1992, më thonte: “Don Koleci ishte nji bashkpuntor i emi, ishim edhe moshatarë. Ai kishte nji gjuhë të pastër dhe të pasun. Edhe sot njifët stili i veçantë i shkrimëve të tija. Shpresohej shumë prej tij si letrar mbasi ka shkrue pak proza por janë të bukra. Vdiq i ri si shumë të tjerë, edhe ate e mori vala komuniste”.
Ai njihej ndër pesë predikatarët ma në za të klerit përkrah Imzot Thaçit, Anton Harapit, Lazër Shantojës dhe Ndre Zadejës.
Forca e mendimit dhe elokuenca e të folunit, e bane të dashtun dhe të paharrueshëm në popullin e vëndlindjes së tij. Imzot Thaçi, me humor thonte: “…Ai duhët me ndejë atje në katund, me ardhë edhe ai në Shkodër, ku, me predikue na të tjerët”.
Don Koleci njihej si konferencier, kryesisht për problemët filozofike dhe teologjike. Deri në vitin 1938 ai shkonte në Vienë dhe predikonte natën e Krishtlindjeve në një Ketedrale të rëndësishme ku, atë natë ishin të mbledhuna vajzat që pergatitëshin për murgesha të reja. Ai u fliste për guximin dhe sakrificën. Aq mirë e fliste gjuhën gjermane, sa kam ndigjue unë, thonte At Meshkalla, tue pyet vienezët: “Në cilën kishë të Vjenës asht ky prift, se do të kishe shkue përditë me e ndigjue tue predikue?” (Dëshmi e At Meshkallës në vitin 1964).
Kur jezuitët e Shkodrës banin ushtrimet e shpirtit, tregonte At Meshkalla, ishte Don Koleci i vetmi prift katolik shqiptar që ftohej për me folë për tema të veçanta në Kuvendin e Jezuitve, mbasi ata jo, vetëm e respektonin por edhe e donin shumë për vetë seriozitetin e tij.
At Zef Valentini S.J. ndër ma të njohunit dhe të ditunit jezuitë që ka kalue vite të tana në Shqipni dhe ka shkrue shumë për shqiptarë e që disa vepra të njohuna i ka botue edhe mbas 1944 në Itali, e vlerësonte Don Kolecin me këto fjalë: “Don Nicola Prennushi, il futuro Cardinale d’Albania”. Kjo thanje dëshmohët edhe sot nga ish-studenti i asaj kohë në Gjimnazin e Jezuitëve, z. Gjovalin Shuk Prendi.
Më tregonte z. Gjovalini njëherë: “Jeziuitët kishin një derë hymje në Kuvend të mbyllun për të gjithë me përjashtim të jezuitëve. Dera ishte pak e ultë dhe e vogël. Kur vinte Don Koleci, ai futëj nga ajo derë tue ulë kryet, mbasi ishte i gjatë dhe i pashëm e na binte në sy menjëherë. Patëm pyet një jezuit: -Pse Don Koleci lejohët me hy nga ajo derë tue mos kenë jezuit?- Ai na u përgjegj: – Don Koleci asht i vetmi prift shqiptar që ka të drejtë me hy kah don ai e, ku të duen në këte Kuvend”.
Edhe z. Nush Tukja kur ishte i burgosun në burgun e Burrelit, tregonte se njëditë rreth vitit 1948, kur pothuej, po zhdukej kleri katolik kishte pyetë me keqardhje At Frano Kirin: “Po ju qesin faret Padër, a ka mbetë kush bre burrë gjallë veç jush që jeni këtu në burg?….”. At Frano Kiri i ishte përgjegjë: “Po, po, ka mbetë ma i riu e ma i dituni, Don Kolec Prennushi. Sa të kemi atë kemi boll!..”. At Frano Kiri kur fliste për té, thonte: “Ishte shpnesa e fundit e jona”!…
Fshatarët e vendeve ku ka shërbye edhe sot e kujtojnë me respekt veprën e tij baritore. Lekë Harapi nga Dajçi, në librin e tij “50 vjet kujtime” shkruen: “…Bisedat e tija ishin një mësim i çmueshëm për mue, pse gjithmonë tregonte dishka tjetër aqsa kisha krijue përshtypjën se ishte si një bibliotekë që ecë me dy kambë.”
Sot, mbas 50 vjetësh që ai ka vdekë besimtaret që e njohtën e kujtojnë për përvujtninë e tij dhe moralin e palëkundun, gja që vërteton atë që At Gjergj Fishta kishte parashikue dhe i kishte shpreh nanës së Don Kolecit, në vitin 1916, kur ajo kundërshtonte vëndimin që ky kishte marrë me u ba prift. At Fishta i tha: “Zoti ta ruejt Kolecin, ai do të bahët nji prift i mbrekullueshëm se ia kishte shndritë Zoti deri edhe ftyrën, kur e kishte thirrë për meshtar”. Mbas fjalëve të At Fishtës, çdo gja u mbyll dhe as nuk u bisedue ma nga nana e tij për atë çeshtje. Ndonjëherë me të qeshun ajo i thonte At Matisë: “Ma mbylle gojën me Padër Gjergjin!… Hallall të kjoftë”.
Ndue Prendushi ishte mësues në Samrishë në vitin 1948.
Ky djalë i ri vendos me u arratisë në Jugosllavi mbasi ishin prishë mardhanjet shtetnore. Tregonte në vitin 1993 sesi kishte ardhë në qelën e Don Kolecit dhe i kishte tregue se due me ikë në Jugosllavi. I kishte kërkue me u rrëfye mbasi frigohej se mund të vritej tue kalue kufinin me not në lumin Buna. Don Koleci i kishte thanë atij: “Unë nuk ta këshilloj me rrezikue jetën por mbasi ty të asht mbushë mendja top, unë po të rrëfej, po të kungoj dhe po të bekoj, të kjofte rruga e mbarë.” Më shoqnoi deri tek dera e Kishës dhe aty u ndalue dhe, më tha: “Tashti, shko dhe kalo pa frikë!”. Në fund të bisedës, shtonte Ndou: “Unë i besoj mbrekullisë së tij, mbasi ai ishte i sigurt se mue nuk më ndodhë gja e keqe, përderisa më tha, kalo pa frikë”. Ai edhe sot tregonte sesi i lutët Don Kolecit kur bie ngusht për ndonjë problem.
Prej thonjëve të komunistëve nuk kishte si me shpëtue as Don Koleci, këte edhe ai e dinte mirë. Kur fshatari besnik i tij Lac Gjushi, nga Dajçi, që e mbylli jetën “kulak” dhe burgjësh vetëm se ishte mik i priftit dhe nuk pranoi me dëshmue në hetuesi kundër tij, i pat propozue Don Kolecit, tue i sigurue me e nxjerrë jashtë Shqipnie bashkë me far’e fis, për me i shpëtue arrestimit, Don Koleci i tha: “Jo, kjo punë nuk bahët prej meje, se jam betue nji ditë mbi Elterë kur jam shugurue meshtar se, po kje nevoja edhe unë do të derdhi gjakun tem si Mesuesi em Jezu Krishti në krye të popullit tem, në tokën teme shqiptare”.
Ai nuk u arratis.
Para tij u arrestuan dy vëllaznit Paulini dhe Mikeli, të cilet u dënuen me mjaft vite burg e internim, ndërsa axha i tij At Matia, mbas dy vjetësh hetuesi pa dalë në gjyq u pushkatue me 11 mars 1948, vetëm se ishte atdhetar dhe Provinçial i Françeskanëve të Shqipnisë. Kjo ishte mortaja bolshevike që përlau edhe familjën Prennushi si shumë familje shkodranë vetëm se, këta klerikë ishin atdhetarë të flakte dhe punonin për një shtet demokratik të përparuem.
Natën e Shën’Kollit, me 5 dhetor 1948, rreth orës 22.00, kur Don Koleci ishte në sofër me nanën dhe motrat e tija, me kafshatë buke në gojë, forcat e Sigurimit komunist me njëfarë vagabondi e rrugaçi Ahmet Suji, që ishte edhe shoferi i Sigurimit, mbasi kishin rrethue qelën kur u diktuan se lehte qeni pa pushim, hyjnë dhe i venë prangat tue e akuzue:
“Ka propaganduar në favor të Italisë fashiste për pushtimin e Shqipërisë. Ka propaganduar kundër Pushtetit Popullor. Ka strehuar kriminelë të arratisur. Duhët dënuar për vëprimtari armiqësore.” (Dosja D.K.Prennushi nr.1072, 1989,1143, 2452, 3359/1, Arkivi i Ministrisë P. Mbrendshme, Tiranë, 1998).
Nuk duhet harrue se ishte koha kur diktatori solli në krye të Ministrisë së Punëve të Mbrendshme kriminelin Mehmet Shehu dhe në qytetin e Shkodrës vazhdonte kasaphanën terroristi i pashoq, furrtari Zoji Themeli, që tashti kur dëgjon se çfarë po bëjnë serbët në Kosovë, “i rrënqethën misht”, po, kur e mësonin serbët atë në Shkodër, se shka me ba me atdhetarët shkodranë e klerin, a rrënqethëj?!
Për 11 muej pra, edhe Don Koleci, do të provonte torturat ma shnjerëzore, lidhjët në vargoj, shenjat e të cilëve i mori me vete ndër vorre, korrentet elektrike që i shkatërruen zemrën dhe njëditë, në fund të tetorit 1949, pra, gati mbas një viti, kur vërejtën se jeta e tij kishte marrë fund poashtu si e kushrinit të tij, Imzot Vinçencit në qelitë e Durrësit, këte e “liruan” me vdekë në shtëpi, për mos me shtue numurin e klerikëve të mbetun në tortura. Kur doli nga hetuesia nuk fliste se kishte humb zanin prej vetmisë, të cilën, e cilësonte si martirizimin ma të madh dhe ma të mnershëm të shpirtit, që ia kalon dhimbjeve të trupit.
Ai doli pikërisht kur shteti po i shpallte luftë klerit katolik për jetë a vdekje, tue mendue se: Don Koleci, Don Dedë Malaj, At Marin Sirdani, Don Ejëll Kovaçi, At Konrrad Gjolaj, Don Zef Gila, Don Mark Shllaku etj. të friguem nga vuejtjet dhe torturat e Sigurimit që u ishin ba mbi trupat e tyne, do të ndikonin në miratimin e Statutit të Kishës Katolike me heshtje dhe pa asnjë kundërshtim. Ndodhi e kundërta.
Këta, jo vetëm nuk e pranuan as si projekt por e kundërshtuan me forcë, deri në vetflijim. Don Deda dhe Don Ejëlli vetëm pse nuk vune firmat e tyne në vitin 1958-59 u pushkatuan, të tjerët që kundërshtuen kaluen jetën në burgje e kampe të shfarosjes.
Ndërsa, Don Koleci vdiq kur po zhvilloheshin ato mbledhje.
Don Koleci mori pjesë vetëm ne dy mbledhjët e para ku ndër tjera ka thanë edhe këto fjalë: “…Këta do të na kërcnojnë se do të mbyllin kishat tona, në kjoftë se na, nuk miratojmë këte projekt- statut kështu si asht këtu. Ky projekt-statut nuk duhët miratue prej nesh se, edhe mbas miratimit të tij këta kanë me i mbyllë kishat prapseprap. Jam i sigurt se do të na thonë se, do t’ju vrasim, por asht ma mirë me ba shka kanë ndër mend sot se ma vonë. Lé të na vrasin ma mirë sot me faqe të bardhë, sësa me firmue këte dhe nesër prap kanë me na mbytë por, na do të vdesim me faqe të zezë. E, na, nuk duhët me harrue se me këta na jemi hupë se hupë. Komunistët kështu kanë ba ku e kanë marrë pushtetin, në Rusi, në Spanjë e kudo. Na nuk jemi të parët që nuk po i njofim se kush janë….Këta janë gjithkund njisoj…!” (At K.Gjolaj në librin “Çinarët”, fq.125).
Kjo dëshmi përputhet edhe me tregimin e Dr. Avokat Emid Tedeschinit, i cili, ka marrë pjesë në të dy mbledhjet e para për problemët juridike. Ndërsa, Prof. Gaspër Ugashi e dinte zhvillimin e ngjarjëve të atyne ditëve nga vetë goja e Don Kolecit.
Pak ditë para vdekjës Don Koleci i kishte thanë gjatë një vizite mjekësore Dr. Karagjozit, kur po bisedonin gjermanisht i shtrimë në shtratin e vdekjës: “…Ma forco mirë zemrën se disa herë kam mbetë pa ndjenja në hetuesi kur me banin elektroshok, se më dukët jam prap për atë rrugë…” Sidukët, shtonte doktori, e kishte kuptue mirë se me të vërtetë donin me e arrëstue, mbasi gjatë kohës që unë e mjekoja interesohëshin njerëz të Sigurimit për shëndetin e tij. Kur vdiq ka pasë prej atyre që me kanë thënë: “Na shpëtoi për pak”. (Dëshmi e Prof. Gaspër Ugashit, e thanun nga vetë mjeku).
Në shënimet autobiografike që At Pjetër Meshkalla S.J., i ka lanë Zef Mirditës (Bukës) në vitët e fundit të jetës së tij aty nga 1987, shënon: “…Dhimbja ma e madhe që kam ndie në zemër kur isha në burgun e Burrelit, asht kenë ajo e vitit 1950, kur mora vesht vdekjën e shokut dhe mikut tem të vetëm të të gjithë jetës, Don Kolec Prennushit”.
At Meshkalla vlerësonte qëndrimin burrnor të Don Kolecit në lidhje me Statutin, mbasi edhe pse ishte kenë në burg aso kohe ishte i mirinformuem dhe shtonte: “Don Koleci ishte i mirë, i dashtun, i qetë e jo si unë. Ai ishte aq i dijtun sa vdekja e parakohëshme nuk e la Shqipninë me marrë vesht se ke ka humbë ajo, Kisha dhe Kleri me vdekjën e tij.
Don Koleci, fatkeqësisht nuk ka lanë shok…”. Sigurisht, kjo tregon mendimin e At Meshkallës, por edhe modestinë e tij.
Ditën e dielë, me 2 korrik 1950, aty nga ora 11.00 para dreke në prani të mjekut me të cilin po bisedonte, Dr. Karagjozit, i ka ra një të fikët, kur e motra Viktoria po i jepte një kafe mjekut. Ka ardhë pak në vedi dhe ka nxjerrë vetëm dy fjalë: “Vidë…Don Erneston!”…Me shpejtësi e ka sjellë atë Prof. Gasper Ugashi, që për fat ndodhej aty. Don Ernesto Çoba ka hy në dhomë dhe mbas pak minutash ka thirrë njerëzit e shtëpisë…Don Koleci ishte në agoni të plotë…Don Ernesto ka tregue, se kur ka hy në dhomë Don Koleci ka folë këto fjalë: “Don Ernesto, më jep të zgjidhun se janë tue më pritë një tubë engjuj, mbasi më asht hapë qielli e më dukët se po shkoj tek Jezu Krishti… nuk muejta me folë deri tashti asnjë fjalë… mi thuej Vidës e motrave të ma kenë kujdes nanën”.
Don Ernesto e ka kungue, ai asht kapërdi me zori, ka buzëqesh dhe ka ra në agoni. Mbas pak kohe, rreth orës 14.00 mjeku ka vërtetue vdekjën e tij. Funerali asht kenë familjar. Kanë marrë pjesë me qindra vetë nga fshatrat e famullisë së tij e përreth deri në Velipojë. Përveç, kumbonëve që fshatarët u kanë ra në njëanë në shenjë zije, nuk asht ba vëprim tjetër nga frika. Në Kishën Kathedrale të Shkodrës kur i asht ba bekimi i trupit të vdekun asht vëndosë në fund të Kishës, tek Elteri i Zojës me shtatë hanxharë dhe ka kenë prezent edhe Imzot Bernardin Shllaku, kur Don Ernesto Çoba, ka ba bekimin. Mjaft klerikë nuk kanë marrë pjesë nga frika. Nga Katedralia asht nxjerrë nën drejtimin e Don Ernestos dhe asht bajtë në dorë prej fshatarëve të fshatrave të famullisë së tij. Asht varrosë në Rrëmaji, në vorrin e Dr. Emid Tedeschinit, i cili e ka kërkue këte deshirë nga vetë nana e Don Kolecit, derisa ti jepët mundësia me ba një vorr për té. Kjo mundesi u plotësue vetëm tashti.Tashti Don Koleci asht i varrosun pranë Don Matisë (vdekë në 1904), ndër vorret e familjës Prennushi.Të gjithë bashkë presin ringjalljën.
Sot, na vetëm, mund të thomi se DON KOLEC PRENNUSHI, ishte një prej perlave të asaj kolanë që Krishti, la pasues në Klerin Katolik Shqipta
Në 90 vjetorin e lindjës, me 1 Janar 1992 (F.R.)
NJË GUR…
Një gur shumë i çmueshëm… Në themelet e Kishës Katolike Shqiptare…
Gur shumë i fortë, i pathyeshëm… Ashtu si karakteri i Tij…
Gur me vlerë të madhe… Një burrë me kulturë të gjanë…
Gur që provohet me zjarr, po nuk thehet…
Ashtu si u provue edhe Ai… në Sigurimin komunist…
Gur shumë i pastër… Pasqyrë e Shpirtit të Tij…
Gur shumë i bukur… Burrë shumë i pashëm…
Ka tone e rrezatime që nuk harrohen… Ashtu si kishte portretin e Tij…
Shpirtnor e fizik për ata që e njohtën…
Ka prej këtyne gurëve edhe me ngjyrë të zezë…
Ashtu, Ai kishte vetëm petkun…
Asht gur që tërheq vëmendjen e të gjithëve…
Ashtu ishte edhe forca e fjalës së Tij…
Gur që përdoret si objekt zbukurimi…
Ashtu si vepronte edhe… fjala e Tij në çdo zemër Shqiptare.
Ka edhe me ngjyra që thirrën të ambla…
Vetëm ashtu, ishte… çdo këshillë e fjalë e Tij…
I qëndrueshëm edhe ndaj kohës…
Ai nuk vjetrohet asnjëherë… para syve të askujt…
Gur, që edhe kur humb, nuk i ndryshon asnjë veti që kishte…
Vdekja për Até ishte vetëm buzëqeshje!
Besoj, se, ju kujtohët?!… Ky gur asht BRILANTI!…
E… ky… BRILANT… asht… DON KOLEC PRENNUSHI.
LIBRI I FUNDIT
“Pa dyshim, priftënt katolikë do të mësojnë si mësojnë por, jo, se i shtërngon parja por e vërteta. E, ata, kanë mësue gjithmonë edhe kur në vend të parëve u epej burgu e konopi”, Don Kolec Prennushi.
Ndoshta nuk kam kenë asnjëherë fëmijë… Kështu më duket mue!
Prej nandorit të zi të vitit 1944 e deri në vitin 1949, kam jetue tek daja, té Don Kolec Prennushi, në Dajç të Bregut të Bunës, ku kam vazhdue edhe shkollën fillore. Gjyshja dhe tezja Rozë kujdesëshin shumë për mue mbasi ishe edhe jetim pa babë. Daja Don Kolec merrëj shumë me edukimin tim jo pse nuk kishte shka me ba, por përpiqej që ajo kohë të mos më kalonte kot. Unë sot e kuptoj se atij dhe vetëm atij, i përket krejt formimi i em shpirtnuer dhe antikomunist. Më pat çue tek një murgeshë Motër Luigja, e cila më mësoi me shkrue bukur. Kur hyna në klasën e parë në gjysmën e vitit, aty nga fillimi vitit 1946, na u ndërpre mësimi disa ditë mbasi pritëj me ardhë një mësuese tjetër, sëpse mësuesja e parë zonjusha Viktore Kuka ishte arrestue. Ne na njoftuen se ajo ishte kundër Pushtetit Popullor. Ka kenë dënue me disa vite burg. Unë e kam takue vetëm mbas 48 vjetësh në 1994, në Shkodër, dhe më ka tregue kujtimet e saja në burgun e Kuvendit të Fretënve. Aty, kishte kalue disa javë në një birucë me At Mati Prennushin. Tashti ajo asht me familjen e sajë në qytetin e Korçës.
Fliste me adhurim për ato pak muej që ka njohtë Don Kolecin, kur ishte mësuese në Dajç. Në hetuesi tregonte se asht pyet shumë për té. Sigurisht, kjo, nuk ka folë gja mbasi koha ka tregue gjithshka.
Don Koleci kohën ma të madhe e kalonte në një dhomë pritje të qelës, mbasi aty kishte edhe bibliotekën e tij. Biblioteka zënte dy faqe muri pa shtue gja, aty mund të ishin mbi 2500 libra. Kishte libra në disa lloje gjuhësh, ma shumë gjermanisht, italisht, frengjisht. Një seri të tanë fjalorë të disa gjuhëve, shumë libra filozofie e teologjie, historie dhe përmbledhje histori arti të paisuna me ilustrime të bukra me ngjyra. Këto të fundit mi epte me i pa, pra kur ishe 6 vjeç ai ka fillue me më edukue me bukurinë e kryeveprave botnore të artit. Koleksionet e revistave “Leka”, “Hylli i Dritës”, etj. i mbante në sakristinë e Kishës.
Kisha ishte mesatare nga madhësia dhe në tavanin e sajë kujtoj një ushtar rob italian, që pat punue me bojna voji një afresk “Të Shelbuemin”, mbasi Ai i përkiste edhe festës së katundit që kremtohej shumë. Ishte edhe një armonio e vogël që në kohë të meshës një murgeshë i binte dhe drejtonte një kor të vogël me vajzat e shkollës.
Aty nga viti 1948, Don Koleci mbante mbi skritore një libër spanjisht, me kopertinë me ngjyrë të mbyllët, me shkronja të bardha shkruhej: “DISHMORI I GOLGOTËS”. Afër atij libri ishte një blok ku Don Koleci shkruente vazhdimisht. Njëditë më tha: “Unë do të lexoj dishka që kam përkthye prej këtij libri, ti më ndigjo me kujdes dhe kur të mërzitesh më thuej, dajë… boll”!… Ai lexoi, dhe në njësoj kohe vështroi kah unë dhe pau se unë nuk ishe mërzitë, atëherë, më tha ai mue: “Tash, boll!..shko me lujtë me shokë…”. Si duket, tash e mendoj me vedi se ai kërkonte me kontrollue me anën teme interesin e lexuesit të nesërm të atij libri. Kujtoj pak gjana. Libri përshkruente në fillim rrugën e Golgotës, bukurinë natyrore, kopështijet e ullinjëve. Ma vonë pat hy në kapitullin ku fillonte ngjarja e vuajtjeve të Krishtit… Me 5 dhjetor 1948 Don Koleci, filloi ai vetë atë për shka po shkruante…Golgotën…
U arrestue.
U kontrollue qela, Kisha, mullart e sanës, grazhdi i lopës, koteci i pulave nga një grup i kryesuem nga oficeri arrogant Shyqyri Shpori…
Mbas tri ditësh prap kontroll, edhe njëherë tue fillue nga leshi i dyshekve, kornizat e figureve e të fotografive e deri tek brandavekët e gjyshës, çdo qoshe e skutë…Dy përsona shfletonin librat, disa të tjerë kishin nxjerrë koleksionet e revistave në oborr para Kishës dhe mbasi nuk kishin gjetë asgja i vunë flakën. Fshatarët as nuk shiheshin aty pari, u kishte hy mnera, veç mbasi ikën ata thonin se jemi zhdukë, se kur asht arrestue edhe Don Koleci, që nuk trazon njeri, komunistët kapin këdo që u shkon mendja, këta dalshin farët… u raftë lija… se na ngrinë gjakun!
Ky ankth nuk ishte punë orësh por i përditshëm… e me muej të tanë. Nuk merrej vesht asnjë fjalë, as pse, as si, veç, ço sofratasa tek dera me ngopë zagart e Sigurimit dhe merr një palë të tjerë të palamë. Shif ato fëtyra xhullinjshë me vërejtje me mujtë me kuptue dishka, por… kurrgja! “… Na!… merri!…” dhe hidheshin plaçkat si të ishin plaçka lebrozësh… ”Ikë!… lëro rrugë”… dhe vazhdonte karvani i pafund i njerëzve pa pikë shprese… se, a do të vijë njëditë me i pa me sy ata njerëz që kalbëshin ndër ato qeli… Ndoshta… kurrë!
Aty nga shtatori 1949 flitej se do të lirohen të burgosun me rastin e 28 e 29 nandorit, gjoja për festa, po kush besonte? Në komunizëm gjithshka asht e papritun. Njerëzit dijnë dhe mund të tregojnë vetëm për të kaluemen por, për të ardhmën vetëm mund të gënjejnë, mbasi për të ardhmën nuk din askush. Në fund të muejt tetor 1949, vjen lajmi nga nana prej Shkodrët se Don Koleci asht lirue nga Sigurimi. Gjyshja thonte: “Pritni, mos i tregoni njeriu, se nuk e besoj pa e pa me sy”!
Daja Don Kolec pak ditë ndej në Shkodër mbasi nuk fliste se nuk kishte za dhe, nuk ecte fare nga dhimbjet e kambëve. Ishte i dërmuem nga hetuesia. Vetëm vinin lajmët se “asht mirë” dhe ka ndejë me ba letër-njoftimin e ri. Mbas një jave lajmëruen se nesër vjen. Katundi u çue në kambë mbasi edhe lirimi pa gjyq ishte shenjë pafajsie. Të nesërmen, ditë e shtunë nga ora tre mbas dreke fshatarët morën çilsat e Kishës dhe filluen me i ra kumbonëve… Filloi festa… Lajmi i ardhjës mori dheun “po vjen Zotnia!”, mbasi kështu, thirrëj prifti nga fshatarët.
Një grup të rinjësh doli tek Lisi në Vorr, aty ku pritët Buna me kalue nga Ana e Malit për në Samrishë. Tek ajo pikë ishin grumbullue shumë vetë tue fillue nga Velipoja, Mali Kolaj, Pentari e me rradhë të gjitha fshatrat e bregut të Bunës kishin dërgue përfaqësuesit e vet ndër kuaj. Lac Gjushi, fshatari ma besnik i jetës së tij nuk kishte dalë vetë, por kishte dërgue vëllain e tij Kolën, bashkë me kalin e vet për me marrë Don Kolecin, në kalin e tij dhe me e sjellë në Dajç. Kur ka mërrijte tek Lisi në Vorr, aty Don Koleci asht nda me fshatarët e Anës së Malit që e kanë shoqnue prej Oblike bashkë me Hoxhën e tyne.
Kumbonët vazhdonin me ra… ndër të gjitha katundet. Nga ora 4.30 mbas dreke daja hyni në oborrin e Kishës që ishte edhe i qelës, i mbushun plot me njerëz. Zbriti nga kali dhe u përqafue me nanën Nine ku, plasi një vajë gëzimi… dhe, mbasi u përshëndet me të gjithë u drejtue nga Kisha, u ul tek dera puthi prakun, bani Kryq dhe hyni mbrendë. Shkoi drejt e tek Elteri i djathtë i Kishës, tek Elteri i Zojës së Papërlyeme, ku, ishte edhe Sakramendi bashkë me një kandil që nuk fikej kurrë. Aty ra në dy gjunjë dhe bashkoi duert, filloi me thanë një uratë të shkurtë në shenj falnderimi. Erdhi në qelë dhe priti urimet e ardhjes. Secili urimet e veta, por të gjithë papërjashtim i puthnin duert e veladonin tue kja prej atij gëzimi aq të madh që kishin ndër zemrat e tyne. Kumbonët kanë prâ vetëm në orën tetë. Gjatë gjithë kohës ndër kambët e tij ishte edhe “Frida”, qeni besnik, që qëndronte edhe ai tue shprehë mallin e vet.
Atë vjeshtë gazmoi edhe toka, dukej se edhe bari nuk thahej prej gëzimi. Të nesërmen Lac Gjushi, herët nga ora 6.00 solli një ka kulari dhuratë për me ba gostën e lirimit nga burgu. Don Koleci tha meshën në ora 10.00. Tha vetëm pak fjalë: “Falnderoj Zotin dhe Zojën e Papërlyme, së cilës i jam lutë me më nxjerrë të papërlym edhe mue prej atij vendi ku të gjithve si jeni, ju uroj “mos e provoshi”, ju falëm nderës për gjithshka keni ba për mue!”. Falnderimi ishte me plot zemër, mbasi asnjë fshatarë gjatë gjithë hetuesisë, nuk ka pranue me i dalë dëshmitar. Dhe, ju lumtë!
Ndër ditët e para vazhdonin vizitat po, kohën e lirë ai e kalonte në bibliotekë. Kërkonte në rrumbujën e krijueme nga kontrollet me mujtë me gjetë dishka. Nuk fliste veç sistemonte librat. Nuk ndihej mirë, pinte ndojë filxhan qumësht por nuk ishte i qetë. Njëditë kishte hapë një bisedë të shkurtë rreth shëndetit dhe i kishte shpjegue së motrës, Rozës, se nuk ndihej mirë me fyt, kishte një shqetësim të vazhdueshëm, madje, edhe natën. Për problemët tjera të shfaquna në hetuesi nuk kishte bisedue gja edhe mbasi Roza e kishte pyetë për disa shenja si gropa në mish mbi nejet e kambëve, ai kishte tretë bisedën pa i dhanë asnjë shpjegim. Nuk fliste as për vuejtjet as për shkaqët e arrestimit, as për trajtimin në hetuesi dhe as për ndonjë mendim të ndonjë bakeqi. Kur Roza e kishte pyetë për ndonjë arësye që ishte arrestue, ai ishte përgjigjë shkurt: “Komunistët me klerin kanë punë, se mos bani gja axha Padër Mati, apo Vinçenci !?”. E kishin pyetë në hetuesi disa herë se pse je tue përkëthye librin “Dishmori i Golgotës”, deri njëditë që e kishin mërzitë dhe i kishte thanë: “Jam kenë tue e përkthye mbasi aty kam gjetë vendin ku më dukej se shoh axhën tem, që e keni vra të pafaj” dhe, mbas asaj ditë nuk ia kishin tregue ma as blokun e përkthyem, as librin origjinal, që i kishin marrë gjatë kontrolleve të bame. Atij nuk i dhimbej puna mbasi atë e bante prap por i dhimbej libri origjinal mbasi atë nuk kishte ku me e marrë ma.
Ai ishte libri i fundit…
Ka kalue gati një gjysëm shekulli padijtë kush pse ishte arrestue.
Dosja nuk asht kurrkund mbasi gjoja nuk asht dënue. Në një fletë sekret të arkivit asht përmbledhë vuejtja e 11 muejve ndër ata pak rreshta, ku shkruhët se, ka propaganduar në favor të… dhe vazhdon, se duhet dënuar për veprimtari armiqësore… Shënohet në fillim se asht nipi i At Matisë… vëllai i Paulinit e Mikelit… por, çështja kryesore mbetë se ai ka “strehuar kriminelë të arratisur”.
Kjo asht akuza ma e rrezikëshme dhe ma e paprituna ku Don Koleci, mundohët me mohue, por ai duhet të jenë ndodhë shumë ngusht para deklarimit të Bep Negrit, i cili në dosjën 1072/1 deklaron: “Jam nisë me ikë prej Shkodrët bashkë me Paulin Prennushin dhe Ndrekë Pukën, aty nga data 26 nandor 1944, kur kemi mërrijtë tek fabrika e çimentos, aty na ka dalë para fshatari Marin Beci prej Dajçit, dhe na ka marrë me vedi e, bashkë me Ndrekën e Paulinin shkuem tek Don Kolec Prennushi. Kemi ndej 4-5 ditë, mandej kemi shkue të shoqnuem me njerëzit e tij në Mal të Kolaj, tek shtëpia e Dul Doshit, edhe atje na ndjeku Ndjekja,…dhe kemi shkue …”(vazhdon Dosja 1072/1 Bep Negri). Fshatari Marin Beci pranon se i ka takue rastësisht dhe se ka njoftë Paulinin, por jo, se e ka çue aty prifti Don Koleci, ai nuk pranon se asht kenë fundi i nandorit por e çon ngjarjen kah vera në të dalun të vjeshtës, d.m.th. nga gushti ose fillimi i shtatorit, kjo përputhet për fat me deklarimin e Paulinit.
Ndërsa i shkreti Ndrekë Puka, në vitin 1945 asht pushkatue, kur përpiqej me gjetë mundësinë e dorëzimit, si duket, asht tradhëtue dhe asht kapë nga forcat e Ndjekjës. Kur pyetet Don Koleci për këtë çështje, edhe ky deklaron se, nuk ka kanë në fund të nandorit por kah vera, saktësisht gjoja nuk e kujtonte kohën.
Në fakt Bepi bashkë me Paulinin e Ndrekën, janë kenë në Dajç, kur kanë hy forcat partizane dhe janë kenë në qelë kur partizanët ndjeknin të arratisunit e kanë shpëtue për mbrekulli. Edhe në Mal të Kolaj janë kenë në shtëpinë e Dul Doshit, që asht kenë aty edhe baba i Don Mark Hasit. Menjëherë sa këta janë largue prej shtëpisë Dul Doshit kanë mërrijtë forcat partizane, kanë kontrollue, thohej se kanë gjetë funda cingarësh në një qoshe të podrumit, janë interesue ke kanë pasë aty, ata nuk kanë tregue dhe flitej se, për terror kanë vra Kirin, axhën e Don Markut, një burrë i vërtetë. Shtëpia e Dul Doshit asht ndër shtëpitë e njoftuna të malësisë për kah ndera, pritja e trimnia.
Pikërisht, atë kohë partizanët kapin një barkë me 200 vetë që donin me ikë në Itali, nëpërmjet lumit Buna. I sjellin në oborrin e Kishës se Dajçit, me pritë sa të vinin forca të tjera partizane. Dy vetë kalojnë mbas mullarëve të sanës dhe bijnë në not, mbasi ishte përmbytë krejt bregu i Bunës. Ata u zhdukën. U kontrollue katundi po nuk u gjetën.
Në vitin 1949 Zalo Ali Selenica, tregon sesi u ka ikë partizanëve dhe asht njeni nga të arratisunit në Dajç. Ka hy në një shtëpi dhe u ka thanë se më ka çue Don Koleci, me e ndihmue për me ikë.
E kanë veshë fshatarë, e kanë hypë në një sule, kanë shkue në fshatin Samrishë ndër miqtë e fshatarit. Ai i ka lanë aty me porosi prej Don Kolecit. Të nesërmen i kanë çue në Mal të Jushit, prap me porosi të Don Kolecit. Mbas disa ditësh fshatarët e Malit Jushit i përcjellin të dy në Breg të Matës dhe prej andej në Milot, tue vazhdue me porosi të Don Kolecit. Në Milot kanë kalue në thellsi derisa kanë dalë në rrethina të Elbasanit ndër miqtë e vet, të cilët i kanë ndihmue me dalë në Greqi.
Në vitin 1949, Zalo, kapët si diversant dhe tregon sesi asht largue nga Shqipnia. Kur përmend emnin e Don Kolecit, hetuesi gadi-gadi harron se asht me diversantin dhe kërkon shpjegime të hollësishme për Don Kolecin, si u njohë me té, shka të tha dhe si të shoqëroi me u arratisë?..Zalo, përgjegjet shkurt: -“Nuk e njoh as për fytyrë Don Kolecin, por kur partizanët na çuan në oborrin e Kishës së Dajçit pyeta njërin, si e ka emrin prifti dhe ai më tregoi se quhët Don Kolec, mbiemrin as ai nuk e dinte. Kur hyra në shtëpinë e një fshatarit në Dajç, ai sa dëgjoi se më ka dërguar Don Koleci, më ndihmoi per të shkuar në Samrishë… dhe kështu, unë, pa e njohur fare Don Kolecin, arrijta me emrin e tij të dalë në Greqi…”.Në vitin 1951 Zalo, mbas dënimit në kampin ku e dergojnë, tregon historinë e arratisjes nëpërmjet emnit të Don Kolecit, njëkohësisht shton edhe interesimin e hetuesit për këtë emën. Aty, ai asht interesue me dijtë se çfarë bahët me këtë prift me emnin e të cilit i shpëtoi jeta, mbasi nga 200 vetë të kapun nga partizanët nuk kishin shpëtue vetëm 18 vetë, të tjerët të gjithë ishin pushkatue e zhdukë. Një përson i kishte tregue se ai njeh vëllain e Don Kolecit, Mikelin, që ishte në atë kamp i dënuem 10 vjet dhe i kishte tregue se ka ndigjue që Don Koleci, ka pak kohë që ka vdekë. Menjëherë kishte takue Mikelin, i kishte shprehë ngushllimet dhe i kishte shpjegue kush asht. Gjatë kohës së burgut tregonte Mikeli, shpesh Zalo e ftonte për kafe në shenjë mirënjohje.
Sigurisht, vetëm, për emnin “Don Kolec”, ai duhej dënue për “veprimtari armiqësore”, si të gjithë priftnit tjerë. Jam takue me At Konrrad Gjolaj, Don Zef Gilën dhe Dr. Avokat Emid Tedeschinin, dhe kam bisedue për lirimin e këtij grupi klerikësh në vitin 1949. Mendimi i tyne asht i njajti: “Jemi lirue gjoja për mungesë faktesh por, sidukët, mendohej nga shteti për nënshkrimin e “Statutit të Kishës Katolike Shqiptare” pa probleme, mbasi këta që po lirohën nuk kanë me mendue me ardhë prap këtu”. Asht e vërtetë që mbas lirimit të Don Kolecit, kanë ardhë dy herë grupe me 3-4 vetë në qelën e Dajçit me takue Don Kolecin. U ndrynin me té nga 6-7 orë, pinin një ose dy kafe dhe iknin pa i tregue se kush janë e pse vijnë. Nga bisedat e pakta që tregonte Don Koleci mendonte, se vijnë nga Tirana. Bisedat silleshin rreth dogmave të Kishës dhe kush mund t’i ndryshojnë ato.
Kishin interesim të madh për zgjedhjen e ipeshkvijve dhe rrugën që mund të ndiqët pa pjesmarrjen e Vatikanit. Deri në vitin 1968 kam pasë një letër të Don Dedë Malaj, që i shkruan Don Kolecit (8 qershor 1950), në lidhje me mendimin që kishte Don Deda, si me veprue në mbledhjen e ardhëshme ku kujtoj, vetëm një rresht, mbasi fatkeqësisht letra asht zhdukë, ai shkruante: “ …Ti ishalla don Zoti e ban ma mirë me shndet edhe po nuk muejte me ardhë mos u ban marak, do të flas unë, si me kenë ti aty!..” (Mbledhja e tretë për Statutin asht zhvillue shumë vonë nga data e caktueme, mbasi pritej me u shtrue terreni).
Avokat Tedeschini tregonte qëndrimin burrnor të Don Kolecit, në dy mbledhjet e para, mbasi mbas vdekjes së tij, as avokati nuk ka shkue ma aty, se kishte vërejtë që grupi ishte për nënshkrimin e Statutit dhe po e fitonte davanë…po, dhe nuk donte me kenë ma prezent në atë çështje.
At Gjergj Vata S.J. më ka tregue në vitin 1996, se asht ndodhë me punë në Tiranë në 1950. Njëditë e ka thirrë në qelën e Tiranës Don Zef Bici. Ky ka shkue dhe ka gjetë aty: Don Zefin, Don Mark Dushin, Don Ndoc Sahatçinë, At Rrok Gurashin dhe At David Picin. I kanë tregue se kanë ba një letër për qeverinë e Tiranës, ku i paraqesin dëshirën për një mbledhje të shpejtë mbasi shumica e klerit tashti, (mbas vdekjës së Don Kolecit), asht për miratimin e Statutit dhe, me kenë se, nuk kishin asnjë jezuit aty kishin mendue me marrë firmën nga Gjergj Vata, i cili, nuk pranon me firmue mbasi në atë kohë nuk ishte i shuguruem meshtar pra, gjeti një mënyrë me iu shmangë firmës.
Kishte shkue menjëherë dhe i kishte tregue mikut të vet Pjetër Topallit, i cili ka dijtë shumë gjana por nuk dij në se i ka shkrue, mbasi kur me ka bisedue për qëndrimin e klerikëve të Tiranës në kohën e Statutit, më ka pasë premtue se do t’i shkruente të gjitha ato që dinte.
Gjaja ma interesante që kam ndigjue për atë kohë prej At Konrrad Gjolaj, asht kenë qëndrimi i Don Jak Gazullit, që kur po diskutonte Don Koleci i ka ndërpre fjalën Don Ndoc Sahatçija, me mendimin se nuk kemi shka zgjatemi, po t’i japim fund diskutimeve e të bajmë si thotë shteti. Don Jaku ka ndërhy dhe i ka pré fjalën në çast tue i thanë:
“Ti Don Ndoc, që nuk jé prift e dij por sot, po besoj, se ti nuk jé as katolik!”. Aty, asht ngritë në kambë Imzot Shllaku dhe ka mbyllë mbledhjen.
- At Frano Kiri, më ka pas tregue se aso kohe, pra në 1950, mbas vdekjes së Don Kolecit, kishte shkue në burgun e Burrelit, Hilmi Seiti, kryetar i Seksionit të Mbrendshëm në Shkodër, bashkë me një oficer të naltë nga Ministria e Mbrendshme dhe kishin thirrë: At Donat Kurtin, At Pjetër Meshkallën e At Franon. I kanë tregue se bisedohet për një Statut të Kishës projektin e së cilës ia kishte sjellë me vedi. Ne, po ua japim ju shikojeni dhe na jepni mendimin tuaj, u kanë thanë ata dy.
- At Donati pa mbarue mirë fjalën ata, u kishte thanë: “Na e kemi Statutin e Kishës se atë Statut e ka lanë Krishti, prandej ketë që doni me ba ju, banje me ata që e keni fillue!” Kanë pyetë At Meshkallën, edhe ai u ishte përgjegjë: “Nuk kam shka i shtoj as shka i mungoj fjalës At Donatit”. Kanë dalë për dere tue sha e kërcënue: “As nuk keni për të dalur ndonjëherë nga ky vend!…”
- Në vitin 1951, Statuti u aprovue nga kleri katolik por jo, si dëshroi shteti komunist.
- Kleri Katolik Shqiptar asnjëherë nuk asht shkëputë nga Vatikani edhe pse nuk ka pasë mundësi asnjëherë me u lidhë direkt me té. Ai ka kenë gjithënjë i vëndosun në njohjen e Papës dhe të Vatikanit.
TË VËRSHUEMIT
Buna asht breg në breg. Bora maleve asht de prej erës së jugut e ka ajë lumin. Me madhni të njij ngallnjyesi, të cilit s’ka forcë qi i ban ball ulët rryma e gjanë pa pushue.
Gjindja janë strukë nëpër shtëpija. Ndonji bari i rrall qi nget kah shtëpija kqyrë pa da at element të mnershëm, qi vjen tue u shtri me kërcnim. Në të tanë katundin zotnon nji qeti vorresh porsi në nji qytet të mundun qi pret tue u dridhë kur të derdhet ushtrija me ba rrufi.
Qielli asht terratisë. Ret e zeza si male vigane njiten prej gryke. Duket se të tanë kupa e qiellit asht tue u dyndë si të njitej deti mbi horizont. Së largu ndihet gjama e ndryme e bumbullimës qi dridhë shtëpijat me themel. Deti, i tollovitun si përbindsh i egërcuem buluron për mnerë.
Mbi horizontin e ximë kah gryka shpërthejnë prej gojve të reve të zeza porsi gjarpij rrufet vetuese e futen vrap në gjinin e zymtë.
Nji fishkullimë e thekshme shiroku kalon nëpër shelqe e plepa porsi piskamë orësh qi ikin prej katundi. Mandej nji hingllim e ulurim i tërbuem nëpër gembat e landvet qi shpërvilen e përkulen si vigaj, qi luftojnë me elementa të shpranguem e mbrapa shtërgata me trollim të frigueshëm. Shiu me shena ka veshë shtëpijat e landët. Tushti i stuhisë e ka pështjellë katundin mbarë. Rêtë janë bashkue me uj poshtë qi ka nisë me lëshue.
“U thye penda e madhe” ndihet nji vigëm e tretun nëpër ushtimë të motit. Uji derdhet nëpër rruga të katundit porsi pushtues krenar mbi plaçkën e vet. Rrugat nji metër e ma nën trollin e shtëpijavet e të kopshtijevet mbushen me uj qi shkon tue u rritë pa da. Ndihet kushtrimi i ndonjij bariu qi ka mbetë me gja në fushë qi e bredh ushtima e valvet me ndërlikim të zymtë. Valët e harlisuna dirgjen si aradhet e rrebta t’ushtrisë ngallnjyese. S’të dallon syni përveç shtëpija të zhytuna n’uj.
Errej nji mbramje e ftoftë. Qelqet e dritores n’odë të zjarmit krisshin prej pikave të shiut qi shkrepshin pa pushue. Era e fortë, hove-hove kthente tymin e tymtarit teposhtë qi na pshtielltë për rreth votre. Zjarmi strukej herë në njenën në anë, herë në tjetrën. Tjegullat kërsitshin në pullaz. Shtëpija mbarë gjimonte prej duhmë s’erës qi frynte me tërbim.
Përjashta ushtonte zhaurima e ujnavet qi bajshin rrjedhat e trumhasuna, e rridhte zymtas krah për krah me gjamën e stuhis.
N’errsinë e heshti të natës gjithkah prej ujnash edhe mjedis shtëpijave të njij katundi e ndien njeriu vetmin e trishtueshme si të gjindej mbi nji gumë mjedis detit e pa fuqin e vet para këtij elementi të tmershëm.
Të nesërmen në mëngjes mendimi i parë qi m’erdh qe nji.
Dola në dritore. Kishte dalë nji ditë prandvere. Natën kishte çue murrla e ra borë bjeshkvet. Malet e kaltërta kah veriu ngrehshin në horizont majat e mbulueme në borë, qi vetojshin në rreze të diellit. Përmbi majën e Rumis endej hija e rêve të bardha qi velizojshin në kupen e qiellit.
Poshtë ujnat e ndyta të Drinit qi kalojshin me shurimën e trishtueshme e shkulmet qi rrihshin me sulmet e veta muret e shtëpijavet hidhshin në kreni porsi trofe plaçkën e bame: cokla, cunga, trupa e bagti të mbytuna. Nëpër dritore burrat i bajshin za shoqishojt tue pyetë si kishin gdhi. Nëpër katund shkojshin e vijshin lundrat tue u bajtë tagji bagtive. Vetë sulja e vogël me nji njeri dy gisht mbi ujë, dukej porsi shigjetë rrymës teposhtë me u dridhë tue e pa.
Dam të pamatun ban të vërshuemit në katund.
MUIS POLEMI
Shënim (FR): Muis Polemi asht pseudonimi i Don Kolec Prennushit. Kjo pjesë letrare asht marrë nga: Antologjia “Rreze Drite” fq. 221-223, botim i vitit 1941.
AT ÇIPRIAN NIKA O.F.M., GUARDIAN I FRANÇESKANËVE TË SHKODRËS
“Vuejtja, o bir, e ban ma fisnike fitorën”, At Ç. Nika.
Ka lé në Shosh të Shkodrës, më 19 korrik 1900. Prindët e tij ishin Mëhill e Prenda Nika, të cilët e lanë jetim qyshë të vogël 5 vjeç. Prifti i Shoshit e solli Dedën e vogël në Kuvendin e Françeskanëve të Shkodrës, ku, përfundoi edhe shkollën e mesme. U dallue si nxanës dhe tue pasë thirrjen shpirtnore për meshtar vëndosi me iu kushtue urdhnit të Sh’ Françeskut. Përfundoi studimet e nalta Teologjike në Austri dhe më 26 korrik 1924, shugurohet meshtar në Romë, tue marrë emnin Çiprian, në Urdhnin e Fretënve të Vogjël, (O.F.M.). Vjen në Shkodër me një pergatitje të mirë kulturore. Ishte ndër ma të ditunit në fushën teologjike dhe filozofike. Emnohet profesor në Gjimnazin e Fretënve. Kishte pasion muzikën. Nën drejtimin e At Martin Gjokës merr pjesë në orkestrën frymore të Françeskanëve që përbahej prej rreth 40 vetësh. Ishte ndër flautistët ma të mirë që cilson mjeshtri At Gjoka. Njihët edhe me vegla tjera frymore të bandës muzikore. Zotnonte mirë disa gjuhë, spikati në gjermanisht, frengjisht dhe greqishtën e vjetër. Ishte bashkëpuntor i revistave “Hylli i Dritës” dhe “Leka”, ku ka shkrue artikuj me vlerë në fushën filozofike. Njihët si Provinçiali ma i ri në moshë sëpse në vitin 1938 drejton Provinçën e Shqipnisë. Një figurë e kompletueme në të gjitha pikëpamjet, françeskan në veshje dhe në dukje të virtytëve të tij, i qeshun, i dashtun, i qetë, i ambël dhe joshës në biseda. Fizionomia e tij pasqyronte modelin shpirtnuer të Fratit t’Asizit. Në kohën e Opozitës kundër Mbretit Zog, asht i pandamë nga fretnit tjerë, merr pjesë me malësorët e krahinës së tij në Shosh. Për fat të keq në vitin 1939, u ndodh në postin e Provinçialit dhe u detyrue me pranue okupacionin fashist. Asht anti-italian dhe nuk afrohet fare me ndjesitë proitaliane të disa klerikëve, si At Bernardin Palaj, At Rrok Gurashi etj.
Pak kujt aso kohe i shkonte mendja tek një okupacion me armë i mundëshëm i Italisë, mbasi ardhja e sajë mendohej se sillte një dëshirë të madhe të shqiptarëve për bashkimin e Kosovës me tokën nanë. Shumë atdhetarë tue fillue nga Mustafa Kruja e deri tek Don Lazër Shantoja, kishin qëndrue me vite të tana në mërgim tue punue për një Shqipni Etnike, gja të cilën e shohin se mund të realizohej nga ardhja e Italisë apo e Gjermanisë së njohtun antisllave. Pavarësisht nga koha e shkurtë por një gja e tillë u realizue. Hapja e 120 shkollave shqipe nga Mustafa Kruja dhe Ernest Koliqi, me mësues shqiptarë në tokat e Shqipnisë jashtë kufijve të sotëm shka përfshinë në Veri dhe Kosovën, na pëlqen ose jo, në fund të fundit duhet pranue se po mos të ishin hapë ato shkolla në vitin 1941, sot asnjë nga shqiptarët e atyne krahinave nuk do të dinte me shkrue e me lexue në gjuhën amtare shqipe.
Në vitin 1943 At Çipriani ishte me u zgjedhë prap Provinçial, por asht At Mati Prennushi, që mendon se At Çipriani nuk duhet sakrifikue tue u vue si Provinçial, mbasi Shqipnia ishte në pragun e okupacionit tjetër, këtë herë nga komunistët që mund t’a pushkatonin të parin. At Matia merr postin e Provinçialit vetë me mendimin se regjimi komunist nuk ka me kenë i gjatë dhe pranon ma parë vetsakrifikimin se humbjen e At Çiprianit, i cili asht mjaft ma i ri edhe në moshë. Nëse, Anglo-Amerikanët do të ndryshonin politikën e tyne me Shqipninë, tue mos e lanë në mëshirën e Jugosllavisë, atëherë pushteti nuk mbetëj vetëm në dorë të komunistëve. Gjithë shpresa ishte se me hymjen e grupeve të tjera në qeveri, komunistët do të spostoheshin dhe do të krijoheshin rrëthana të tjera politike. Koha e ardhëshme mbas luftës mendohej se do të ishte ma favorizuese për të gjitha çështjet kombëtare.
Mundësia e një zbarkimi Anglo- Amerikan në Ballkan ishte e mundëshme dhe e pritëshme nga pjesa ma e madhe e antifashistëve shqiptarë që nuk i donin komunistët. Kjo dëshirë jo e parealizueshme ishte edhe e klerit shqiptar e kryesisht atij françeskan. Madje, koha ka me nxjerrë fakte që At Anton Harapi dhe Regjenca në muejt e fundit kanë punue për një qëllim të tillë, pavarësisht se përpjekja i shkoi kot nga lidhjet e mëshefta të Rusveltit me Stalinin, të njohuna zyrtarisht në Jalta. Askujt nuk i shkonte mendja se koha do të sjellin shkatrrimin e plotë të krejt përpjekjeve të një shekulli të të gjithë shqiptarëve.
Me shkuemjen e At Anton Harapit, si Regjent në Tiranë, At Matia u zgjodh Provinçial e At Çiprian Nika, mbeti Guardian i Françeskanëve të Shkodrës. At Pal Dodaj ishte sekretar i Provinçës, një françeskan me vlerë në shumë fusha. Ishte historian i njohtun dhe si i tillë edhe një ndër politikanët e rrafinuem që ka pasë kleri, prandej asht i kudondodhun.
At Pal Dodaj deklaron: “Në 1924 jam kenë me Opozitën. Në vitin 1922, kam tentue me bashkue Zogun me Luigj Gurakuqin, mbasi tue u bashkue trimnia e Zogut me urtësinë e Gurakuqit, do t’i vinte nji hov Shqipnisë. Zogu e pranoi, Luigji jo! E, mbet”, (Dosja 1248).
Ardhja e Gjermanisë në Shqipni asht quejt kalimtare mbasi tue fillue nga qeverisja dhe krejt organizimi i shtetit ishin në dorën e shqiptarëve. Lufta që ata kanë ba kundër komunistëve dhe italianëve i ka dhanë mundësinë e një simpatie të gjithë atdhetarëve, por ç’e do, ishte koha kur ata i kishte marrë tatpjeta dhe nuk iu la mundësinë e një organizimi të mirë të forcave përparimtare në dobi të vendit, ku tashma mbretnonte kausi dhe rrumbuja. Sejcili veç mendonte me ikë. Forcat gjermane të vëndosuna në Shkodër kanë hy edhe në kuvendin e fretënve vetëm për fjetje. Dy herë At Çipriani e At Matia kërkojnë nga Komanda Gjermane lirimin e kuvendit tue e konsiderue një shkelje, herën e parë u lirue por mbas dy javësh kanë hy prap dhe nuk kanë dalë ma deri me datën 29 nandor 1944, që janë largue përfundimisht nga Shqipnia.
Kjo kohë asht edhe periudha ma fatkeqe për At Çiprianin, mbasi gjermanët kur u larguan kanë lanë disa armë në oborr të cilat, atë ditë, pra, më 29 nandor At Çipriani i nxjerr nga oborri përpara dhe i çon tek stallat e derrave mbrapa në shi e në diell, si të ishte koha. Kur fillon me u ndigjue rreziku i mbajtjes së armëve mbas Lëvizjes së Veriut dhe të Koplikut, më 14-15 janar 1945, At Matia urdhnon që të treten armët jashta kuvendit të Fretënve edhe pse janë të ndryshkuna dhe të prishuna jashtë përdorimi. At Çipriani, tue pasë frikë se hedhja në rrugë do të ngarkojë qytetarët përreth kuvendit me përgjegjësi, mbasi mund të kontrollohen shtëpijat e tyne dhe vështirë se mund të kishte një shtëpi pa dy armë, e shkaktari do të ishte At Çipriani, ky vëndosë groposjen e këtyne armëve në një ambjent larg kuvendit në kantinën e venës, ku hapë tokën e dyshemës së shtrueme me çimento dhe derdhë prap beton sipër tue i çimentue edhe armët, me anën e një ushtari italian i mbetun rob që shërbente në shtëpinë e tij.
At Filip Mazrreku mbante dy revolverë të vëllazënve të tij si kujtim, mbasi të dy ishin vra nga komunistët. Për këtë ai njofton At Çiprianin i cili ia merr të dy dhe i tretë në gropën e zezë, bashkë me një tjetër të At Zef Mesit, që kishte vdekë pikërisht ato ditë kur partizanët kontrollonin krejt qytetin shtëpi për shtëpi. Një armë, tip alltije të gjetun nga At Gjeçovi, bashkë me një armë ma të gjatë edhe kjo me vlera vjetërsije dhurue nga Lef Nosi, e rujtun në muzeun e Fretënve mëshefet nga At Çipriani, nën dyshemen e dhomës së tij me anën e kuzhinjerit Martin Tarri, me qëllim që të mos i grabitet nga komunistët ashtu si pat ndodhë në kontrollin e parë të kuvendit nga Sheuqet Peçi.
Pak ditë para 29 nandorit 1944 dy përsona i sjellin At Pal Dodës një arkë të vogël me disa dokumenta të shkruem turqisht. At Pali, njofton At Çiprianin dhe At Matinë për këta dokumenta të mbylluna në arkë, që ua kishte dërgue Gjoni i Markagjonit para se të arratisej nga Shqipnia. Kur puna e kontrolleve shpeshtohet, At Matia urdhnon që të digjen ata bashkë me disa dokumenta të lanuna nga Papalilo në një zarf, edhe ky i arratisun ndër ato ditë. Bashkë me disa shkrime të At Bernardin Palaj, të At Fishtës e dokumenta të Gjeçovit, janë disa dokumenta muzeale me vlerë historike si dhe disa pare të vjetra të kohës ilire, edhe këto të gjetuna nga gërmimet e Gjeçovit. At Pal Dodaj me dijeni të At Çiprianit, (simbas dëshmisë së bame në hetuesi, Dosja 1248, Arkivi i M.Mbrendshme Tiranë), i hap në disa skuta e qoshe me mendimin se, kanë me u dashtë për shpjegime historike ma vonë. Për vëndet ku ishin futë ishte në dijeni At Donat Kurti, At Frano Kiri dhe fra Zef Pëllumbi, xhakue përveç dy të parëve, mbasi u kishte ndihmue me i vue ndër ato vende. At Pal Dodaj mendon me ua ndrrue vendin, këtë ia thotë edhe At Çiprianit, mbasi: “xhakojt Ndoc Vasili, Zef Pëllumbi dhe Luk Kaçaj janë mërzitë e nuk bajnë ma për këtë punë “, por nuk i premton koha me i heq mbasi me datën 15 nandor 1946, kur Kuvendi këthehët në burg të gjithë janë të arrestuem. Luk Kaçaj nuk përmendet ma mbasi siduket nuk asht implikue në ndonjë ngjarje, gja të cilën e ka tregue edhe jeta e tij, sëpse, kur ishte me tregue vedin para një gjyqi fals kunder tij në Tiranë, ai shprehi mirënjohje ndaj mësuesve të vet françeskanë, gja të cilën e ka ba pak kush. Fretnit e arrestuem kur shohin materialet historike të hapuna mjedis të Kuvendit dhe n’ oborr, asht i pari At Donat Kurti, Drejtor’i Gjimnazit Françeskan, qe u thotë: “… një arkë me libra e dorshkrime i kam mëshef në një odë, e cila asht nalt pa shkallë dhe po të mos të të çojë kush nuk e gjenë dot”. (po aty, Dosja 1248).
Ndonse në grupimet që ban Sigurimi, At Çipriani nuk asht në dosjen e Imzot Frano Gjinit, në filmin jugosllav “Dosja 1302/II-A”, në fakt aty asht edhe At Çiprian Nika, At Pal Dodaj, At Donat Kurti, At Aleks Baqli dhe At Frano Kiri. Qëndrimi burrnor dhe i patundun në hetuesi këta fretën i ban të pavdekshëm.
At Çiprian Nika asht përballë një kafshës së tërbueme që thirret kapiten i I-rë, Nësti Kopali. (edhe materiali i tij hetimor mban datën 22 nandor 1946, pra, një vit mbas arrestimit!?).
Ky frat u masakrue si të gjithë tjerët por nuk duhet lanë pa u shkrue se kur komunistët kishin të dhana për vlerat e ndonjë kleriku, atëherë, nuk kënaqeshin vetëm me pushkatimin e tij, por e torturonin aq sa njerëzit që kishin bashkjetue me te, kur ia sillnin në qeli e pyesnin: “Kush je ti?”, këtë fat të zi pat edhe At Çiprian Nika.
Në proces-verbalin me nr. aktesh: 558, dhe nr. vëndimi 224, Prokuroria Ushtarake e Shkodrës, me akt-akuzën nr. 581, me datën 26 dhetor 1947, sjellë për gjykim në një dhomë të kuvendit: At Çiprian Nikën, nga Shkodra dhe At Pal Dodën nga Janjeva e Jugosllavisë, për fajin se: “… gjatë gjithë jetës së tyre pranë Klerit Katolik kanë zhvilluar aktivitet të rrezikshëm anti-popullor… duke qenë elementa me pozitë dhe udhëheqës të Klerit Katolik në Shqipni… me anën e këtyre lidhjeve të kombinuara me Demokristjanen kanë menduar për një kryengritje të armatosur kundër Pushtetit… Me qëllim që të furnizojnë kriminelat e arratisur për të goditur Pushtetin kanë fshehur në Seminar dhe në Kishë armë të ndryshme lufte, revolvera, pjesë ndrrimi mitralozi dhe shumë arka me municion lufte. Faje këto të parashikuara prej nenëve 2, 3 (pika 1, 2, 4, 7, 8, 14) të ligjes Nr. 372. Këto akte mbasi u rregjistruan në Nr. 558 të Rregj.Them. Për ditë gjyqi u caktua data 26 dhetor 1947, ditë e premte, ora 3 mbas dreke.
Shkodër, 26 dhetor 1947
Sekretari: Sh. Dautaj d.v. Kryetari: M. Bllaci d.v. (firma).
Ditën e premte, datë 26 dhetor 1947, ora 3 mbas dreke u formua trupi gjykues si vijon:
Kryetar: Kap. I-rë Misto Bllaci, Antarë: Toger Bastri Beqiri, dhe N/Toger Anastas Koroveshi. Duke qenë gati Prokurori Ushtarak Kap. Namik Qemali, dhe Sekretari Tish Tukja: U pyet i pandehuri At Çiprian Nika dhe tha: … Jam dërgue nga Provinçiali me krye studimet e larta dhe jo nga kush tjetër… kam pasë shok At Frano Kirin… Austria e mori në dore çështjen e Klerit Katolik që të mos merrej nëpër kambë… interresat e tyne nuk i dij. Me Shefqet Verlacin kam pasë lidhje zyrtare… Nuk e dij a kje ma e mirë koha e regjimit të Zogut a sot… Mue nuk mu ndalue me marrë frymë por mu ndaluen burimet e jetesës, p.sh. tokat e kuvendëve na i mori Pushteti i sotëm dhe shkollat i mbylli. Tokat i mori qeveria dhe nuk dij kujt ia dha… Enciklika e Papës flet për komunizmin në Rusi dhe Meksikë, në Rusi kishte Fé dhe besim dhe nuk mundet me kenë që të gjithë janë komunista ateista. Edhe na Françeskanët jemi komunista. Na kemi jetue me pak ndryshim nga fshatarët atje ku shërbenim… me Enciklikë doli në shesh doktrina komuniste që asht kundër doktrinës së Krishtenë… këtë e kam pa ndër disa revista që keni botue ju si dhe në radio “Shkodra”, që asht vue në tallje Kristjanizmi… Kishat nuk janë prishë akoma, por janë mbyllë shkollat e shoqnitë fetare, ku asht edukue rinija me parimet e fesë dhe jo me politikë… Lufta për zhdukjen e komunizmit mue më pëlqeu, por mund të zhdukej edhe me paqë. Lufta kundër okupatorit na shkatrroj ma shumë ne, u dogjën fshatra e lagje qytetësh dhe u vranë shumë njerëz, kjo nuk më pëlqej mbasi mund të bahej me kombinacione politike. Rrënimet i kjava me lot gjaku…. Padër Antoni u dënue, por nuk dij se pse u tha se punoi kundër popullit… Unë kam kenë profesor dhe nuk dij se asht predikue për fashizmin as prej meje as prej shokve… Nuk kemi punue për ardhjen e fashizmit në Shqipni… Na i kemi marrë ndihmat se nuk kishim me se të jetonim dhe të mbanim shkollat… Në kohën e okupatorit kam shkue në Kosovë me fratel Gjonin tek At Bernard Llupi, me marrë ushqime për xhakoj, ndërsa në Logutenencë shkonte At Rrok Gurashi, ai asht dhelpën e madhe… shumë gjana që i bante ky i nxirte në skenë me anë të At Palajt… Demokristjanën nuk e kam formue unë, mbasi nuk jam marrë me politikë, atë e ndigjova në radio kur u ba gjyqi por as nuk e mora vesht kush e kishte krijue. Kur u ba çlirimi i Shqipnisë nuk e dij… se nuk më erdhi mirë që u ba nga partizanët, kur u çlirue nga okupatorët italian e prita mirë. Nuk më ka pëlqye Partia, më pëlqenin Nacional-Çlirimtarët, Balli dhe Legaliteti… sistemi i qeverimit asht kundër parimëve të mija… Më ka pëlqye që të drejtonin në Pushtet klasat që kanë studjue mbasi fshatarët shumica janë pa shkollë… Në Tiranë ishte Imzot Gjini për me shkue në qeveri, por nuk dij se ka shkue ndër legata të hueja… Padër Mati Prennushi në atë kohë ishte Provinçial, por ky nuk më shpjegoi se shka kanë shtrue kur kanë shkue në Tiranë… Nuk dij gja për Demokristjanën, kur asht ba sulmi prej Postribës nuk kishe dijeni dhe as nuk kam bashkëpunue me njeri… Nuk kam mësheh asnjë armë në kuvend… Në Elterët e shenjtë nuk dij se u gjet gja, tash kujtohem se u gjetën do libra, por nuk dij se u gjetën armë… Nuk kam sabotue zgjedhjet e 2 dhetorit… Për votime kam shkue në Troshan. Në votime nuk dola fare. Këto nuk ishin të lira se nuk doli asnjë parti opozitare. Na kujtuem se nuk kishte arkë boshe, se, po ta kishe dijtë se ka, do të kishe shkue për ta hjedhë votën kundër. Të gjithë bashkë me At Mati Prennushin s’kena dalë fare ndër votime… Nuk kam pasë lidhje me të arratisun… At Antonit i kam çue dy herë ushqime me një grue, se mi kërkoi si shok dhe nuk e njof si trathtar… përhapjen e komunizmit në Shqipni e konsideroj ateiste, prandej jam kenë dhe jam kundër tij. Si konseguencë fatale kam konsiderue mohimin e egzistencës së Zotit. Nga ky kam mendue dhe mendoj se mohohen të gjithë ligjët morale, si ndera, dashtnija, drejtësia etj. dhe si përfundim kam nxjerrë me vehten time, se me përhapjen e komunizmit ateist do të shkatrrohet shoqnia njerzore… Direktivat janë dhanë me anë të librave të teologjisë dhe filozofisë… Qëndrimi i ynë kundrejt komunizmit ateist asht qenë armiqësor… Unë kam dishrue që në luftën e gjermanëve me Bashkimin Sovjetik të fitonin forcat gjermane, dhe nuk dishroja që ushtria e kuqe të përhapej në Perendim, mbasi me përhapjen e komunizmit rus ndihet edhe rreziku serb. Fitoria e Gjermanisë ishte në favor të Shqipnisë… Xhakonin Ndoc Vasili e qita jashtë pse nuk kishte sjellje të mira, nuk e qita pse ishte lidhë me qeveri se nuk kishëm frikë nga ky se merrësh vesht me qeveri, por ky merresh vesht vetëm me të huej, pse edhe shqiptarët kishin gjithfarë ngjyrash që nuk na pëlqenin né. Dëshira e eme dhe e shokëve të mij ka kenë me e shue farën e komunizmit në Shqipni”, (Dosja 1248).
Në dosje asht edhe mbrojtja e avokat Dr. Emid Tedeschinit, që ban mbas dhanjes së pretencës së prokurorit, ndër të paktat raste që kam mujt me pa. Dokumentët e At Pal Dodës, vëndimet e Tiranës dhe fjalën e fundit të At Çiprianit para pushkatimit, nuk kam pasë mundësi me i pa. Avokat Dr. E. Tedeschini shkruen: “I pandehuni Patër Çiprian Nika, mbi pyetjet e Jueja ka shfaqë haptazi se shka ka mendue, shka ka dishrue dhe shka ka veprue.Mendimet e tija, ai i ka shfaqë sinçerisht dhe ky sinçeritet rreth idenave të tija më duket nji provë e fortë me i besue edhe deponimëve të tija, që i referohen veprave. Këtu, zotni Gjyqtar, nga pikëpamja ligjore na intereson vetëm vepra konkrete dhe, jo, idenat abstrakte që ai ka. Këto idena na interesojnë vetëm e vetëm për me zbulue shkakun e veprave. Deponimet e tija para gjyqit janë përgjithësisht konform me proçes-verbalin hetimor kështu, që, për dhanjen e gjykimit mund të mbështetemi vetëm mbi atë proçes dhe mbi ato deponime dhe mbi mënyrën e shfaqjes së tyne para gjyqit…”. (Dosja 1248, po aty).
Fjala e fundit në gjyq ishte: “Lutem, të merrni parasyshë mbrojtjen e avokatit që më ka caktue gjykata”.
Me datën 28 dhetor 1947, Trupi Gjykues dha vendimin:
- At Çiprian Nika nga Shkodra, me vdekje me pushkatim.
- At Pal Dodaj nga Janjeva, Jugosllavi, me privim lirije për jetë.
Sekretari: T. Tukja, Antarë. B. Beqiri, A. Koroveshi, Kryetari Misto Bllaci, d.v. (Firma)
- AT ÇIPRIAN NIKA u pushkatue më 11 mars 1948, në orën 5 të mëngjezit, në Zallin e Kirit, në Shkodër, bashkë me vëllaznit e shokët e gjithë jetës…
AT DONAT KURTI O.F.M.
Ka lé në Shkodër më 3 shtator 1903. Në vitin 1937 nga Universiteti “San’Antonio” i Romës, i jepët titulli “Doktor i Shkencave”. Asht i njohun ndër françeskanët ma të ditun dhe rreshtohët ndër shkenctarët që kanë dalë prej asaj vatre të pashterrëshme të kulturës sonë shqiptare. Thëmelet e vueme prej At Gjeçovit u ngritën nalt nga At Donat Kurti, At Bernardin Palaj, At Benedikt Dema etj., me veprat e mëdha që i lanë trashigim Atdheut, tue i përjetësue ato në “Visaret e Kombit”.
Prof. Dr. Norbert Jokli e cilëson At Donat Kurtin: “Një ndër prozatorët ma të mëdhaj shqiptarë”.
Në vitin 1946, At Donat Kurti asht drejtor i Gjimnazit të Fretënve “Illyricum” të Shkodrës. Asht drejtor i atij Gjimnazi që asht cilësue vatra prej ku përhapeshin shkëndijat e atij atdhetarizmi dhe të asaj kulture shqiptare, mbi të cilat u ndërtue përjetësisht binomi “Fé e Atdhé”.
Prof. Simon Pepa, shkruen: “Dhe tani, në 55 vjetorin e botimit të “Iliadës” shqiptare të gjithë ata që e mblodhën dhe e botuan nuk janë më. Edhe Kuvendi Françeskan ku punuan, është këthyer në gërmadhë”. (Martirizimi i Kishës Katolike Shqiptare. 1944-1990. fq. 30).
Asht pragu i ngjarjeve të zeza që dukej se po vinin. At Donati, shkon në Tiranë aty nga gjysma e tetorit të vitit 1946 për me takue Nako Spiron, dhe me bisedue në lidhje me problemet financiare të shkollës. Ky jo vetëm që nuk takohet me té, por edhe mërrinë me kuptue se jo vetëm shkollës por edhe mësuesve po u vinte fundi. Me të ardhun në Shkodër, At Donati, kryen aktin burrnor tue thye vulën e ftohët të shkollës, për mos me u ra në dorë komunistëve kështu, që, i pret mundësinë me falsifikue dokumenta të atij Gjimnazi. Dhe nuk asht larg 11 nandori 1946, kur merr fund shkolla, kuvendi, muzeu, fretnit dhe Kisha, vendi ku Sigurimi komunist futë armët dhe akuzon Fretnit për këtë akt të ultë që u krye në Kishën Katolike Shqiptare, në të gdhimë të datës 17 nandor 1946, nga vetë Sigurimi. Me datën 12 nandor asht ndër të parët që arrestohet At Donat Kurti, me akuzën e formimit të Partisë Demokristjane, të futjes së armëve në Kishë, edukator i rinisë me frymën fashiste, një ndër bashkëpuntorët e “Hyllit të Dritës”, që ka lavdëruar fashizmin etj. Akuzat e rreshtojnë ndër ata klerikë që nuk pritej prej askujt shpëtimi i kokës së tij. Ai ishte i sëmurë me një ulçëra kronike nga e cila ka vuejt gjithë jetën.
Ndoshta, gjendja shëndetësore e randë në birucat e Sigurimit, u ka krijue përshtypjen xhelatëve se “nuk e ka të gjatë”, prandej po e lamë të vdesin ndër burgjet e mnershme që At Donati ka vuejt dënimin e përjetëshëm, mbas pretencës së prokurorit që kërkoi pushkatimin e tij.
Hetohët nga kriminelët Nesti Kopali, Zoi Shkurti, Qako Prokopi, Hysni Ndoja etj. Qëndron kokfortë, ashtusi kishte edhe natyrën e tij para armiqve, nuk thehët as nga frika, as nga torturat por asht ballhapët dhe trim para të gjithë presionëve. Asht i vetëdijshëm se e pret plumbi.
At Donat Kurti deklaron para Trupit Gjykues, i përbamë nga: Kryetar, Misto Bllaci, antarë, P. Alizoti, A. Koroveshi dhe prokuror, Namik Qemali: “Nuk kam punue për fashizmin asnjëherë… tek Hausdingu kemi shkue me At Mati Prennushin për me kërkue lirimin e kuvendit që na kishte zanë ushtria gjermane… herët tjera At Matia ka shkue vetëm tek gjermanët, mbasi dinte vetë gjermanishten e merrësh vesht direkt… Me zbritjen e partizanëve në Shkodër, kemi mbajtë qëndrim të ftoftë për 4-5 muej mbas vëndosjes së Pushtetit, unë për vehten teme e kam kuptue se ky Pushtet ishte komunist dhe, se, po bahej rrezik për Fenë… Monsinjor Gjini, me t’u emnuem Delegat vitin e kaluem i ka drejtue një memorandum delegatit françeskan, ku kërkohej të respektohën të drejtat e katolikëve nga qeveria, mbasi ato të drejta që i takojnë po shkeleshin çdo ditë… Për armët në Kishë nuk dij gja… Me rastin e 2 dhetorit 1945, unë kam dalë për votime, por votën e kam hjellë në arkën boshe. Natyrisht, këtë e kam ba si kundërshtar i rregjimit komunist… një mikroskop, një aparat fotografik, 20 filma, një makinë shkrimi, një gramafon dhe një arkë me libra e dorëshkrime i kam mëshef në një odë e cila asht nalt pa shkallë, dhe po të mos të të çojë kush, nuk e gjenë dot… Për né, e quej ma të rrezikëshëm qenjen e këtij Pushteti këtu, sesa okupacionin italian e gjerman… Letrën e Padër Gjon Shllakut me pseudonim “Forca Atomike” e kam ruejt për dokument, mbasi ajo tregon qëndrimin e Padër Gjon Shllakut, në burg…
Nuk e ndiej vedin fajtor…”. (Dosja 1303, Arkivi M.M.Tiranë).
Kështu edhe At Donati, me këtë grup ku bante pjesë Don Anton Muzaj, Don Mark Hasi, Viktor Kujxhija, etj. ku, spikatë qëndrimi i Anës Daja dhe Liza Palit para prokurorit katil Aranit Çela njëditë para gjyqit, e vazhdon skenarin e filmit jugosllav “Dosja 1302/2-A”, dhe kjo asht e kuptueshme nga vazhdimi i numrit “Dosja 1303 At Donat Kurti…”.
Ai edhe pse ishte në burg vazhdoi punën shkencore nga e cila e ndau vetëm vdekja. Atje ai njihej me të burgosun të krahinave të ndryshme të Shqipnisë, dhe mblidhte fraza gjuhësore që përdornin ndër ato krahina. I shkruante ndër fletore dhe pergatiste vepren e tij me vlerë “Fjalorin Frazeologjik të Gjuhës Shqipe”. Ky fjalor kishte 45000 (katërdhet e pesëmijë) fraza. Asht kenë i shkruem në dy kopje me dorë, një për Universitetin dhe një do ta merrte me vedi kur të lirohej. Kjo punë nuk ishte ilegale mbasi dihej edhe nga komanda e burgut të Burrelit. Ditën që asht lirue, komandanti i burgut ia ka mbajtë në zyrën e tij edhe kopjen që kishte të veten At Donati, tue i thanë: “Me që janë shumë fletore dhe nuk i lexojmë dot tani, këto do ti merrni pasi të kontrollohën nga ana e jonë. Do të ua dërgojmë në Degën e Punëve të Mbrendshme të Shkodrës, nuk ua humbim, por, është një formalitet që do të bëhet, mbasi kështu kemi urdhër nga lart.” Këto fjalë mi ka tregue vetë At Donati, kur ishte për drekë në shtëpinë tonë më 13 qershor 1964, ditën e Shna Ndout, bashkë me Don Mark Hasin, Prof. Gaspër Ugashin, Prof. Petro Fundon etj. Atë ditë ai erdhi ma vonë se të tjerët. Kur hyni mbrend na kërkoi të falun për vonesën. Mbasi u ul në krye të vendit në sofër tregoi sesi e kishte pritë tek dera e Kuvendit Jup Kastrati, të cilin deri atë ditë nuk e njihte fare, as për fëtyrë… Ndërsa, Dh. Shuteriqi, Shaban Demiraj etj., që kanë pasë në dorë fjalorin e tij nuk dij nëse e kanë takue ndonjëherë, mbasi për vite të tana ata kanë vjelë frutin e punës së tij.
At Donati, ishte njoftue nga një fratel i kuvendit se pritej nga Jupi dhe i kishte nxjerrë fjalë se nuk mund të takohemi se sot jam i zanë, por Jupi kishte vazhdue me qëndrue aty tue zanë rrugën e kalimit. Jupi, aty i dinte mirë skutat mbasi gati ka kenë ba edhe ky “fratel” dikur. At Donati, për mos me na lanë me pritë né në sofër kishte dalë dhe ka gjetë Jupin aty. Jupi me servilizmin e tij karakteristik me kokë të përulun dhe tue fërkue duert me zgërdhimjen e tij hipokrite, i kishte dalë pak përpara At Donatit tue i tregue emnin. Me që At Donati ishte tue dalë e nuk kishte mundësi me e pritë, Jupi i kishte kërkue një takim në një ditë tjetër, kur të kishte kohë të lirë ky. At Donati, me natyrën e tij autoritare si para një nxanësi rrugaç i kishte përgjegjë: “Sot ke ardhë dhe të fola, për mue këtu mos u duk ma mbasi nuk due me të takue. E dij mirë kush jé, ke marrë shka ke marrë nga At Justin Rrota, ajo asht kenë puna e tij. Tek unë nuk merr gja prandej mos u duk ma në këtë Kuvend, se ja ke pa hajrin boll këtij vendi!” dhe kishte kalue pa i dhanë edhe dorën…
Nuk dij nëse Jupi e ka shkrue këtë takim në kujtimet e tija!… Por, unë atë ditë kam pij me gëzim të madh kur ndigjova nga goja e At Donatit, përgjegjën që i kishte dhanë kusarit të Fretënve.
At Donat Kurti bani ma shumë se 17 vjet burg dhe u këthye në vendlindje tue u mbledhë në sofrën e të vobegtëve të Asizit që kishin mbetë në Kuvendin e Arrës së Madhe. Aty nuk shkoi gjatë, mbasi 1967- e shkatrroi edhe “këtë qendër me thëmel”, por këtë herë jo nga rusët, po me porosi nga kinezët.
Populli i Shkodrës nuk e pau asnjëherë që nga viti 1946 tue thanë meshë ose me ndigjue fjalën e tij në ndonjë predikatore, mbasi ai nuk ishte dakord asnjëherë me Statutin e Kishës së vitit 1951. Këtë Statut ai e kishte kundërshtue që në Burrel, por edhe mbasi doli nga burgu ai nuk u pajtue me qëndrimin e klerit “të lirë” në atë kohë. At Donati nuk ishte i vetëm në këtë qëndrim, me té ishte At Meshkalla, At Gjolaj, Don Nikoll Mazrreku, Don Pashko Muzhani etj. Mos aktivizimi legal i tyne ishte fatkeqësi kryesisht për edukimin e rinisë.
Koha bani të vetën.
At Donat Kurti, një ditë u gjet në një barakë me llamarina në Zallin e Kirit, pa kurrgja mbas shpirtit, vetëm me pak libra, mbasi pjesën ma të madhe i kishte të mëshefun si shumë shokë të tij, me një dyshek për vedi e një për motrën, murgeshën e nderueme Motër Emilia….e spitalit të Tiranës, që nuk e la vetëm deri atëditë, më 10 nandor 1983 që u bashkue me shokët e vet, eshtnat e të cilëve i kishte nën brinjë.
At Donat Kurti O.F.M. ruejti me dinjitet deri në vdekje të gjitha cilësitë që i përkisnin Urdhnit të tij tue jetue fukara, tue vuajtë me fukara, tue punue me edukue fukaratë dhe tue vdekë si fukara, i nderuem prej fukarave të mbarë Shqipnisë, të cilëve, në këtë jetë të mjerueme, u la trashigim një thesar shumë të çmueshëm nga mendja e Tij e ndritun:
“VISARËT E KOMBIT”.