Ngjyra dhe titull intrigues në librat e Ilir Balilit
Prof. As. Dr. Bernard Zotaj
Libra me frymëzime të veçanta
Në fillimin e vitit 2023 Ilir Balili ka krijuar, botuar dhe promovuar vëllimin me poezi “Nën dritën e Hënës” dhe “Frymëzime, jo vetëm letrare”, shkrime letrare, historike dhe reportazhe, portrete, skica e shënime udhëtimi të botuara ndër vite në shtypin periodik…. Autori Ilir Balili, vëllimet e tij letrar, që përfshin mbi 20 tituj librash, zë vend të veçantë në historinë e letërsisë shqipe.
Duke i hedhur një vështrim të përgjithshëm, krijimtarisë së tij dalim në përfundimin se ai përfshihet në disa dimensione: poet, prozator, esseist, skica, shkrime historike dhe letrare etj. Kështu e tij i vlerësoj jo vetëm nga ngjyra dhe titulli intrigues, por për lëndën e pasur dhe të shumëllojshme e cila të tërheq. Librat e tij nga fillimi deri në fund të mbërthejnë gjatë leximit të poezive, por dhe të frymëzimeve të formës së veçantë kompozicionale. Kështu tek dy librat e fundit që po analizoj dalloj mjaft qartë dhe lehtësisht dimensione të tilla me vlera si në librin “Nën dritën e Hënës”.
Gjuha e nënës të jep shpresë
Në pjesën e parë të librit “gurrat nuk shtrerojnë” e cila përbëhet nga tridhjetë e tre poezi, mbizotëron tema e shpresës, e sintetizuar kjo dhe në vetë titujt e disa poezive, si: ‘Fati i drerëve”, “E kuqja e stinëve të rremë”, “Mbi çati qiellore”, “Nuk perëndon…!”, “Shpresa e rreme”. Këto janë poezi që përcjellin misionin e autorit për ‘lulet e shpresave humbën, u vyshkën’, ndërkohë që si askush tjetër Ilir Balili shpreh në vargje mbresëlënësë “Nuk perëndon…!”, shprehet se ‘Ti je poet i thellë, por sistemoje ndjenjën dhe mos ju ndaj Asaj’ për Drita Agolli, regjizore në Teatrin Popullor, shprehet se ;Ti vullkan i ndezur, që i shpërndan retë…”.
Po ndalem vetëm në njërën nga cikli i poezive për shpresën për të kuptuar botën shpirtërore dhe fuqinë e vargut të këtij autori: “Do të bëhem lumë”. Ai midis të tjerave shprehet se dua të bëhem lumë, të derdhe mshkretëtirave, jo kot më koti, / Po Amazonë,Misisip a Nil, të shuaj havrën e fushave, rërës së pamatë, / Të mbaj ndezur zjarrin e shpresës , për terezinë e botës së begatë. Në këto vargje ndërthuret një lëndë letrare shumëngjyrëshe, plot shpirtëzime estetike dhe letrare që bulojnë nga brendia e përmbajtjes. Ashtu sikurse dhe në këto vargje të poezisë “Përgjysmë shpirti”:“Dhe shpirtin e kryefjalën , ma përçan / ma vret, ma fyen shpirtin e krej motin ma shëmton…! ku poeti depërton thellë në shpirtin e qëruar për të mos i bërë iso dinakrinë që poshtëron shpirtin…
Ndërkohë, mendimin e thellë filozofik të autorit për të shprehur dashurinë për nënat, dhe veçanërisht për nënat dibrane, konkretisht për nënën e Rifat Myftarit e dallojmë qoftë dhe në vargjet:“Shqeto e poqi kafen bojë kafe,/ Nëna dibrane e Çerenecit, Të zier me prush lisi…/ Pastaj ngau zjarrin me mashë, e m;u kthye:/ -E paç jetën dritë o bir…”.
Në këtë libër të këtij autori ka dhe poezi, përmbajtja e të cilave rrok hapësira të gjera dhe përfshin gjithçka që ka të bëjë me jetën. Gjithkush që do të lexonte poezitë me tituj: “Valët e ylberta”, “Kryefjala është Atdheu”, “Dëftoma moj nënë”, “Tri zero”, “Mëngjesmirë Pamuk”, “U keqkuptuan hyjnitë?”, “E përjetshme”, “Shtegetar”, “Kur do”, “Fryma e vetëdijes”, “Gërshetëvargjesh”, etj., do të jetojë me poezinë e Ilir Balilit, si një poezi me përqendrime, me karakteristika, me figura letrare të gjetura, përsa i përket formës dhe kompozicionit të saj. Këtë strukturë kompozicionale e shprehin fare qartë vargjet e pozisë “Kryefjala është Atdheu…”, kushtuar një elegji të poetit Hysni Milloshi për kryeveprën “Atdheu”: “ky poet, bir i shtërngatës,/ Me guximin e Anteut,/ Vetëtin vargjet për NËNËN,/ Prush nga zjarri i Prometeut,/ Se është palcë e Mëmëdheut”.
Në këtë vëllim nuk mungojnë edhe poezi që shprehin krenarinë kombëtare, siç mund të përmendim në kreyn e tretë “Qiejve të Akrokeraune”, në vargjet e poezisë “I malluar përherë për ato vise, ndizem,/ e nisem të shuaj havrën buzë Drimadhes,/ pranë Mesdheut të Dheut tim”.
Gjurmë të dëshmive…
Në prozë Ilir Balilin e gjejmë krejt ndryshe, ku përveç temës së patriotizmit dhe të portreteve, ai shfaqet dhe si një njohë i mirë i historisë.
Prozën e nis me mbresa e meditime rreth librit “Kanuni i Labërisë” të prof. Ismet Elezit, ku thekson se troç se duhet “t’i dëftojmë botës së sotme me fakte se, Jugu, Veriu dhe vise të tjera të Shqipërisë unike, natyrale, kanë rrojtur në shpinë të rruzullimit, në hisen e tyre, të diellit e qiellit dhe kanë ditur të vetëqeverisen herët, shumë herët, shekujve prej lashtësisë”.
Në këto mbresa për Kanunin e Labërisë, autori është vetvetja. Ka në të përjetime dhe analizon se “siç ishte koha, nuk jetonin në anarki e në arbitralitet, por e rregulluar sipas disa normave juridike , tmëshiruara në të drejtën e tyre zakonore”. Autori e shikon figurën e profesorit si një zgjua të vërtetë diturie dhe krej të dobishëm për shoqërinë shqiptare.
Ndërsa në mbresa e meditime për Gjolekën, legjenden e heoizmit shqiptar, autori i bën një përshkrim historik, por dhe luftarak tërë jetës së Gjolekës, i cili në çdo betejë shkëlqeu, por sidomos kur vrau gjenerali osman Rushit Pashën, të quajtur kaftanazin, dhe kënga e përshkruan: “Tafil Buzit të m’i thoi,/ Gjoleka s’e turpëroi,/ Kaftanazin e martoi,/ Nëpër 40 mijë shkoi…”.
Interesante është dhe amaneti i Gjolekës dhënë shoqëruesit besnik të tij Shuaip Qorduka, se “nëqoftëse me ndodh gjë, se në kohë lufte jemi, mos më ler në duar të katilëve të lozin me kokën time. Ma pre kokën e ma shpjer në vendlindje”.
Poeti i shquar i Rilindjes Andon Zako Çajupi, figurën e Gjolekës e përjetësoi në një poezi të gjatë dhe këndohet dhe sot: Grykë e Kuçit,/ Grykë e keqe,/ 1300 dyfeqe,/ I mban Gjolek me vete…”. Autori arrin në përfundimin se “kush guxon e beson me shpirt tek Atdheu, e ka të sigurt bekimin e tij. ndaj nderi dhe mirënjohja, për këta misionar patriot, do të jetojnë shekuj, e përjetshme, sido që të fryjnë erërat në Ballkan.
Midis shënimeve e mbresave të udhëtimeve të autorit tërheq vëmendjen shkrimi i gjatë “Viseve të Dardanisë ku zjarri nuk u shua”, përshkruan në hyrje rrugëtimin e në rrugën e Kombit drejt Kosovës legjendë, për të vijuar me historinë që flet dhe mban shënime, me shërbimet ndaj lirisë, si dhe mbresa nga ankthi i “provimit”,. Është një përshkrim i detajuar, me figura historike dhe me personazhe të njohur të botës historike dhe letrare të Kosovës.
Më tej ndeshim në shkrimin me mbresa e meditime “Përmes luftës për arsim e dituri, mbeti e pacënuar vetëdija kombëtare”, autori thekson përfundimin që ka arritur profesor Kostallari se “ruajtja e pasurimi i gjuhës sonë është betejë e gjatë, që nuk duhet ndërprerë dhe në këtë luftë duhet të marrim pjesë të gjithë ne, me në krye gjuhëtarët, mësuesit dhe veçanërisht shtypi dhe botimet”. Në këtë luftë për arsim dhe kultur në Kuç, autori përmend dhe kryetarin e këshillit më jetëgjatë në Kuç, Bedin Mystari, i cili me pak shkollë, por që adhuronte arsimin, një veteran atdhetar, simbol i vlerave e cilësive më të vyera të Labërisë…
Në mjaft shkrime me objekt “Gjenerali erudit”, “Gjëmimet e kohës legjendare” “Gjurmët e të rënëve mbeten në themel të lirisë”, “Atje, ku kuvenduan nëntë malet”, “Atdheu fillon tek vendlindja”, “Shkodrani që mbeti në kujtesë të dibranëve”, “Biri i thjeshtë nga Shëngjergji”, “Gjurmë rrjedhës së Vardarit” etj., autori me gjuhë të pasur e mjete shprehëse interesante përçon idenë e patriotizmit dhe të vlerave të larta njerëzore të mjaft personazheve të njohur historikë dhe që kanë lënë gjurmë në kulturën e Labërisë dhe kombëtare.
Autori në këto shkrime brenda bagazhit të tij të pasur jetësor e profesional, përshkruan me detaje tipa e karaktere të ndryshëm patriotësh, figura historike dhe përçon mjeshtërisht mesazhin se “Gjenerali pa Atdhe është njësoj si ushtria pa gjeneralë”. Në të gjitha shkrimet autori ka një mirësi brenda shpirtit të tij, ai e ka ndërtuar subjektin, e ka organizuar bukur dhe e ka përdorë fjalën në funksion të idesë, duke e ndërtuar frazën pa asnjë tepëri. Ai ka arritur që nëpërmjet prozës së tij të përcjellë në maksimum mesazhin për lexuesin.
Në librin me 360 faqe “Frymëzime, jo vetëm letrare” autori ka ditur që nëpërmjet mjaft figurave historike shqiptare në shekuj ka trajtuar me kompetencë e profesionalizëm tema që lidhen me dukuri historike. Ai ka përdorur argumentin bindës dhe ka theksuar koncepte të reja filozofike sidomos për patriotizmin ku thekson se shumica e shqiptarëve ndjehen krenar për atdheun, që përfaqëson themelin e identitetit të tyre dhe arrin në përfundimin se nuk mjafton atdhedashuria për t’u konsideruar patriot i vërtetë.
Mendimin filozofik të autorit e gjejmë në përkufizime për atdheun, patriotizmin, lirinë, për vlerat morale dhe personalitetin, për filozofinë e jetës, dashurinë dhe ndjenjat, për familjen, shoqërinë dhe emancipimin e saj. Nga tërësia e lëndës arrijmë në përfundimin se libri “Frymëzime, jo vetëm letrare” bart dhe përçon vlera të përmasave shumëdimensionale. Mendoj se libri ja vlen të lexohet dhe të jetë në bibliotekën e çdo lexuesi.