Stolteberg: KFOR do të përforcohet me 700 ushtarë shtesë
Oslo, 30 maj 2023 – Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka treguar se në Kosovë do të dislokohen 700 trupa nga Forca Rezervë Operacionale për Ballkanin Perëndimor për në Kosovë. Ai ka thënë se edhe një batalion shtesë do të vendoset në gatishmëri të lartë.
“Ne do të vazhdojmë të veprojmë sipas mandatit që buron nga OKB-ja. Ne kemi vendosur të dislokojmë 700 trupa shtesë nga Forca Operacionale Rezervë për Ballkanin Perëndimor. Po ashtu kemi vendosur në gatishmëri një batalion shtesë, që të zhvendoset nëse duhet. Këto janë hapa për të garantuar se KFOR-i ka forcën dhe aftësinë për të vepruar sipas mandatit që e ka”, ka thënë Stoltenberg në një konferencë për media në Norvegji.
Stoltenberg u ka bërë sërish thirrje Kosovës dhe Serbisë të marrin hapa konkretë për uljen e tensioneve.
“Dhuna kthen Kosovën prapa, por edhe gjithë rajonin. I vendos në rrezik aspiratat euro-atlantike. Prishtina dhe Beogradi duhet të marrin hapa konkretë për t’i ulur tensionet. Të frenohen nga veprimet e papërgjegjshme e të angazhohen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, që është rruga e vetme”, ka thënë Stoltenberg.