Albspirit

Media/News/Publishing

FATOS ARAPI: ULLINJTË

Gjurmë fëmie, gjethe ulliri,
ku po më çoni, ku do më shpini?
Rrugë – pa – rrugë ky fat’ i verbër.
Mjerim e luftëra, therrtore e vjetër.
Unë kam lindur për botë tjetër.
Zëra ullinjsh nën hënë e yje,
jam edhe paqja dhe bekim i tyre.
Lotë t’ullirta pikojnë brenda meje:
mbi dashuritë godet rrufeja.
Rrënjët që thellë kërkojnë ujin,
dhe plasin shkëmbin e çajnë gurin, –
në lotë njeriu i ka ulliri.
Unë kam lindur për kohë tjetër:
kandil lirie në tempull të vjetër.
Ullinjtë e gjelbër tek unë kush i mbolli?
Babai i shkreti dhe dora e Zotit.
Please follow and like us: