Hafize F. Elshani: Të jesh gazetar në Kosovë
Gjatë këtyre viteve të fundit nuk janë sulmuar aq shumë gazetarë sa në këto ditë në Veri të Kosovës. Liria e shtypit vazhdon të jetë e kufizuar, ndërkohë që marrja e informacioneve të pancesuruara bën pjesë në të drejtat e njeriut.
Në raportimet e gazetarëve e kamermanëve nga protestat e ngjarjet në veri të vendit, zonë kjo që konsiderohet si e rrezikshme për raportim, ka pasur dhe ka raste gjatë gjithë kohës që gazetarët janë sulmuar dhe po sulmohen nga protestuesit dhe huliganët serbë.
Por Kosova është në mesin e vendeve ku gazetarëve nuk u lejohet të kenë në posedim mjete mbrojtëse si antiplumb, helmetat apo maskat kundër gazit.
Kjo pasi ligji për armët ka mundësuar që këto pajisje të jenë të lejuara vetëm për forcat e rendit dhe për kompanitë e specializuara të sigurimit fizik ndërsa sipas ligjit gazetarët nuk hyjnë në këto kategori edhe pse është konstatuar se në raste ata janë të ekspozuar ndaj rreziqeve të tilla.
Pra ne gazetarëve nuk na mbron as ligji, as shteti as shefat që qëndrojnë në zyra e sidomos gazetarët femra ku i dërgojnë në Veri.
Flitet pak për këto çështje sidomos brenda për brenda mediave, por ka shumë po shumë gazetar që nuk kanë kontrata pune, kanë pagen e barabartë me ndihmën sociale, nuk kanë sigurime shëndetësore, nuk kanë lirin e të bërit tema-hulumtuese, punojnë me kohë të gjatë deri mbi 10 orë, etj.
Përpos këtyre mungesave, ato nuk vlerësohen e deri tek dhuna në terrene që përballen nuk kanë as sigurinë minimale, pos një mikrofon dhe një kartë identiteti që i figuron si gazetar/reporter shtypi.
Janë disa situata ku nuk ka burrëri apo forcë, pasi gazetari në fund është njeri me mish dhe gjak, pavarësisht se duhet të raportojë. Ne flasim për gazetarët, por kaq sfidues janë edhe operatorët, pasi dhe ata janë pas kamerave. Edhe ata janë aty te gazi lotsjellës, te protestat e dhunshme apo diçka tjetër. Kemi mjaft raste kur është dëmtuar një operator, pra kur flasim për gazetari kemi të bëjmë me një skuadër të tërë.
Nuk është e lehtë të bësh gazetari kur politikanët nuk duan të jenë të hapur me mediat. Patjetër që do të kesh përplasje dhe ankesa përderisa do të bësh opozitën le të themi në vend. Gazetaria nuk është profesion, por mision. Ku në borë apo në shi ne tym e flakë duhet të jesh aty ku ndodh ngjarja.
Në pyetjet që ti drejton teorikisht të vjen një përgjigje, por jo përgjigja që ti doje të merrje. Duhet të çosh sërish një kërkesë tjetër dhe ata të orientojnë sërish të kthehesh tek përgjigjet që të kanë nisur më para.
Pra si në protesta ku kanë eskaluar në Kosovë politike, si në Veri e si kudo tjetër gazetarët, kamermanët, reporterët, hulumtuesit në këtë shtet kanë mbrojtje vetëm guximin e tyre dhe dashninë e madhe për profesion, asgje dhe askënd tjetër deri më sot.
Shumë fonde dhe ndihma financiare merren në emrin e gazetarëve, por nuk bëhet asgjë.
Post Scriptum: Të fala shefave të mediave që po ju vjen zheg ka po e lexoni, ama ka pas dhe do të ketë gjithmonë zëra dhe guxim për të vërtetën, brenda për brenda mediave!