Albspirit

Media/News/Publishing

Ibrahim Vasjari: Vorbulla jete

 

Seç më del një shtjellë befas më zë pritë,

Më përthith një vorbull kohësh, më robit.

 

Rend magjepsur mes vegimesh dritë-hije,

Mbledh në thinja pluhur udhësh fëmijërie.

 

Më përndjek një buzë lumi, e shoh shpesh,

Me ca djem që lozin zallit gurapesh.

 

Bëj t’u qasem i përmallur, po më kot,

M’i përpin një erë e egër, brisk e ftohtë.

 

Hesht së largu, mekur lumi, brigjengrirë,

Mjegullojnë eshtra trojesh në rrëpirë.

 

Jap e marr që këtij makthi t’i përvidhem,

Po më ligu pleqëria, zë e dridhem.

 

Te një pus me rrasë guri mes avllisë,

Del një nënë që lan e shpëlan shaminë e zisë.

 

Rreh ta zbardhë, po qiejt nxijnë përmbi kokë,

Shtrydhin zi nga pendë korbash flokë-flokë.

 

Kovë e dhimbjes zbret e ngjitet helm e vrer,

Pusit rreth i nxihen gurët, gjiri shter.

 

Te ky pus ku qan çikriku me oi,

Është Ajo që lan përjetë atë shami.

 

Valë-valë një këngë labe më përmall,

Zëra varresh bëjnë iso me të gjallë.

 

Ecën Vjosa zvarrë e turbull, brinjëvrarë,

Mbart ca trupa të pajetë e të pavarr.

 

Shoh dikë sikur përpiqet përmbi dallgë,

Sikur vuan të heqë plumbat nëpër plagë.

 

Sikur heq… po plumbat ngucen, janë thellë.

Ndezin netët flakë pushkësh nëpër terr.

 

Eh, ky makth që më përndjek e më zë pritë!

Ç’më përthith kjo vorbull kohësh, më robit!

 

Ta përzë, po jam mëdysh e s’më bën zemra,

Plagë e derte pleqërie, makth e ëndrra.

Please follow and like us: