Ilir Levonja: Ringjallja e dënimit për agjitacion e propagandë
Në dhjetorin e vitit 1946 u shpik një ligj për faktin se kush bënte agjitacion a propagandë kundër shtetit, quhej krim penal. Kësisoj dënohej me heqje lirie etj. Ky ishte i famshi ligji për agjitacion e propagandë, përmes të cilit Enver Hoxha dënoi dhe internoi plot 34 mijë njerëz. Sundoi 40 vjet dhe ndërtoi 110 kampe internimi. Po shoh sot tek-tuk që edhe në Shqipërinë e Edi Ramës, u dënua me burg një qytetar me emrin Ivzi Hoxha, vetëm pse ka sharë publikisht kryeministrin. Arsyeja, i prishën shtëpinë me qëllim që të ndërtojnë pallate, për të dëmtuarit e tërmetit të dimrit 2019. Është një lajm që jepet fare pak pasi makineria e regjimit është e fokusuar tek turet e falenderimit që bën Rama dhe lali Eri nëpër Shqipëri. Megjithatë ajo çfarë është më brutalja, është se qytetaria shqiptare e ka më për kollaj të bëj pakt me pushtetin se sa me shoqi-shoqin. Madje u duket krejt normale kur të drejtën e kërcënimit publik ta ketë vetëm Enver Hoxha i ri apo Edi Rama dhe jo ata. “Nuk keni parë gjë akoma”, deklarimi publik kryeministror karshi qytetarëve dhe vendit, nuk përbën aspak kërcënim publik. As vrulli frenetik i fadromave pa zbardhur mirë, kur vijnë e të prishin pronën, edhe pse brenda ka njerëz. Edhe pse çështjet janë akoma në shqyrtim në gjykata etj. As dëmet financiare kolosale me veto nga gjykatat e Europës që Enver Hoxha i ri i ka shkaktuar vendit. Madje për këtë dhe rritjen e pagave vetëm për hirearkinë shoqëria shqiptare e pranon dhe kënaqet që ai të qeveris me 38% të votave. Kënaqet që ai është i fortë dhe vet mbajnë sytë nga djemtë apo vajzat në emigracion. Ivzi Hoxha dënohet për një fjalë gojë. Dhe ta mendosh, i prishën shtëpinë. Jemi të gjithë të vuajtuar për konceptin shtëpi. Kurrë nuk ka pasur ligj më të fort nga ana morale apo e të vetndjerit për konceptin shtëpi, një qytetar botëror se sa qytetari shqiptar. Ky i fundit e koncepton shtëpinë si kokën ndaj dhe thonë me të ik shtëpia të ka ikur koka, është gjaku dhe djersa e jetës. Qytetari i botës as që e ka problem, pasi është i prirur ndryshe dhe për më tepër bën pjesë aty ku e drejta edhe gjendet. Nga ana tjetër funksionon edhe indinjata publike, qofshin të majtë apo të djathtë. Kurse në Shqipërinë e Enver Hoxhës as mos e ço nëpër mend. I majti fërkon duart kur Enveri i prish shtëpinë edhe vëllait të vet, jo më komshiut apo një qytetari nga periferia. Ivzi Hoxha nuk shtiu me armë, por foli. I dha gojës. Mirë bëri. Keni dëgjuar kaq e kaq palaçollëqe e kërcënime në parlament dhe as nuk jeni skuqur, as nuk jeni lënduar. Dhe për më tepër askush nuk është dënuar. Sot në Shqipërinë e Enver Hoxhës dënohet burri përse kërcënoi publikisht kryeministrin. E bëni dallimin midis të shtënës dhe të folurës. Se çfarë lloj ligji është ky që vepron, apo, punë e madhe. Ç’më duhet mua. Rrini pra shikoni dhe bëni sehir se si u burgosin një e nga një, se si u varfërojnë një e nga një, se si u vjedhin. Oj, 1 vit burg pse kërcënoi kryeministrin. Demokraci? Europë? Asesi! Diktaturë, po.