Albspirit

Media/News/Publishing

Luan Rama: KËNGA E KËNGËVE TË SOLOMONIT, NJË HIMN PËR DASHURINË

Nga KËNGA E KËNGËVE

I shtrenjti im ngriti zërin dhe më tha:
“Çohu, e dashura ime, e bukura ime, eja.

Sepse stina e dimrit kaloi
Dhe shirat mbaruan, ato shkuan.
Lulet po shfaqen në tokën tonë,
Stina po vjen me refrene të gëzuara,
kënga e turtulleshës po dëgjohet në tokat tona.
Fiku po bën frutat e tij të parë
dhe vreshtat që bulëzojnë shpërndajnë parfumin e tyre.
Çohu, e dashura ime,
e bukura ime, eja të shkojmë!

Më e vjetra dhe më e bukura e këngë e dashurisë

Nga Luan RAMA

Dashuria, gjithnjë dashuria, që në mugëtirën e kohëve, pasi ajo duhet të ketë qenë një nga ndjesitë e para, ku pas shekujve të instiktit, të lidhjes dhe bashkimit, dashuria mori formë, u mbrujt, me afsh dhe dëshirë, me ëndrra dhe ngjizma të ngrohta, u zbukurua, hodhi shtat mbi lëndina, vreshta e ullishta, për të shkuar drejt ekstazës dhe përkushtimit. Rrahje zemre, dihatje, pritje, ankth dhe netë të pagjumta… dhe përsëri një ag në pritje, ku siç shkruhet, papritur, ezmerja dhe e bukura Shulamit dëgjonte hapat e të dashurit të saj, atij që dhe do i përkushtohej duke thënë në këngën e famshme Kënga e këngëve të Solomonit:

«… Unë flija, por zemra ime rrinte zgjuar.
Është zëri i të dashurin tim që troket:

«Hapma motër dhe mikja ime,
pëllumbesha ime, e përsosura ime!…»

Kur ke lexuar këtë këngë të këngëve, këtë poemë të poemave, dhe udhëton në pllajat e gjelbërta e ngjyrë okër, nga Libani drejt Judesë dhe tokave të Palestinës e Izraelit, duke ndjekur udhët e qeparizave dhe pjergullave, kodrinave të lulëzuara e plot aroma drejt Jeruzalemit, në atë tokë historike që mban gjurmët e Tempullit të Solomonit, e ndjen akoma më shumë këtë këngë, pasi sheh dekorin e gjallë të një dashurie të përjetshme, vende ku është kënduar nga miliona njerëz dhe në mijra vjet kënga e buzëve, e gjinjve, e prehjes, e pushtimit dhe e përkushtimit, vetë pjellës njerëzore, ku dashuria pihet si verë, ku dashuria është më e ëmbël se vera, dhe aroma e saj më e këndshme se të gjitha aromat dhe parfumet e botës.

Kjo ishte ndjesia ime kur përshkova atë udhë, kjo duhet të jetë mendoj ndjesia e çdo udhëtari që udhëton në ato kodrina e bregore ku është ngjizur kjo këngë e vjetër si bota, këngë e përhershme e kënduar në festa pagane e fetare, pasi dashuria ka vazhduar gjithnjë, dhe në kohë eklipsesh e furtunash, luftrash, holokaustesh, gjëmash e vdekjesh të mëdha. Dashuria ka rrjedhur si ujët e burimeve në ujët e paqtë të Jordanit, si lumenjtë që shkojnë drejt brigjeve të Detit të Vdekur apo Mesdheut.

Pra, kjo këngë është një vazhdë këngësh që rrjedh, një këngë dashurie mes një burri dhe gruaje, pinjollë të Adamit dhe Evës, së botës së krijuar tashmë që nga lindja e njerëzimit dhe që padyshim është libri më poetik i Biblës, që siç thonë studjuesit duhet të jetë krijuar nga një poet anonim i shekullit IV para erës sonë, duke i bashkuar dhe shkrirë këngët në një të vetme, duke krijuar kështu një poemë të madhe, të paharruar.

Kënga e këngëve apo Kantika e kantikave të Solomonit është një libër më vete i Biblës hebraike, Chir ha-chirim, apo i Dhjatës së Vjetër, e cila ishte përfshirë në korpusin e librave të shenjtë para se të përkthehej nga hebraishtja e vjetër, pra kur u përkthye Septante (Testamenti i Vjetër nga gjuha e hebrenjve në greqisht nga shtatëdhjetë e dy priftërinjtë e mbyllur në Aleksandri me porosi të Ptolemeut II).

Në të ishte integruar edhe kjo këngë, e cila ndryshonte nga të gjitha librat e tjerë të Biblës, nga Genesis, Eksodi, Josué e Samuel apo librat e Profetëve e më pas nga Libri i Job-it, Libri i Ester-it, etj, … një korpus me personazhe, ngjarje e kohëra, shpërngulje e luftra, pra histori e një populli por dhe histori e njerëzimit, me rite të lindjes, dasmës, vdekjes, me jetën njerëzore në kompleksitetin e vet. Por edhe pse u pranua në Septante, kjo këngë u ligjërua në kanionet kristiane vetëm në shekullin e parë të erës sonë.

Megjithatë futja e kësaj kënge në korpusin e librave të shenjtë është bërë me debate të mëdha dhe të shumta lidhur me tradicionin hebraik, siç dëshmohet dhe në Mishna hebraike, e të pranuar më pas nga doktrina kristiane.

Rabbi Akiva[1] shikonte te kjo këngë deklaratën simbolike midis Zotit (YAHVE) dhe popullit të tij, të Izraelit. Por një nga të parët që komentoi këtë këngë të Biblës hebraike (Tanakh) ishte kleriku i famshëm Origene[2] në shekullin e III të erës sonë, i cili thoshte se ajo ishte «një epitalame», një këngë dasme e shkruar nga Solomoni në formën e një drame me vargje dhe me dy personazhe, burri dhe gruaja»…

Studjues të tjerë në shekujt më vonë shikonin në të mitin e Erosit me Psyche-në të Apule-s.[3] Kjo këngë këndohej atëherë gjatë Pashkëve hebraike (Pessah). Tradita hebraike e vendos këtë këngë në pesë «meguilloth»-ët apo rrodhanët që lidheshin me festat liturgjike. Emri i Zotit nuk përmendet veçse në një rresht dhe shkarazi, kur thuhet «Flaka e Jahve-së».

Gjuha dhe stili i përdorur në këtë këngë që kemi sot, të kujtojnë se është përdorur gjuha e kohës së persëve e madje dhe helenistike, pra një kohë më e vonët nga ajo e krijimit të saj, pavarësisht se pikasen disa arkaizma që gjenden në të dhe që lenë të nënkuptojnë kohën më të vjetër të krijimit artistik të saj.

Nga dorëshkrimet e gjetura në Detin e Vdekur

Qindra e qindra libra janë shkruar nga doktorët e shkencës teologjike hebraike e kristiane rreth interpretimit të kësaj poeme të veçantë, herë duke e parë si një poemë profane e dashurie, e herë si një poemë mistike, të dashurisë dhe lidhjes së Perëndisë me popullin, Kishën kristiane, etj., siç e gjejmë në komentarët e Gregoire Le Grand apo Apponius e shumë të tjerë.

Ekzaltimi i bukurisë fizike dhe sensualiteti, vështirë të pranoheshin në ato kohë (gjinjtë e tu si bistakë rrushi!!!), dhe ja pse të tjerë studjues e shtyjnë kohën e krijimit të kësaj poeme shumë më herët, në kohën kur jetonte Solomoni dhe kur kishte tradicione pagane, ku nuk flitej ende për libra të shenjtë. Dhe kënga fillon me puthjen, siç shkruhet që në vargun e parë të kësaj kënge, apo me «dodeikha» në hebraisht, ku nënkuptohet dhe puthja, dhe përkëdhelia, edhe shtrati:

««Të më puthë me puthjet e gojës së tij! / Se dashuria tënde është më e shijshme se vera, / aroma e vajrave të tua është më e këndshme; / emri yt është një parfum që shpërndahet, / ja pse vajzat të duan…»

Por të tjerë studjues shohin në këtë krijim të përkyer anën humane të njeriut, lidhjen seksuale, dashurinë fizike, erosin e madh, duke sjellë si shëmbull shpesh herë vargjet e këngës kur Shulamit këndon:

«I dashuri im hedh dorën në të çarën e portës / dhe gjithë trupi m’u drodh për të / dhe unë u ngrita për t’ia hapur të dashurit tim / dhe me duart e mia ai shjoi mirrën time / nga gishtërinjtë e mi, mirra e virgjër / në dorezën e llozit…» Ja dora që zgjatej në seksin e gruas… Vërtet është kështu?

Interpretimi i këtyre këngëve është i hapur prej shekujsh, madje ato vazhdojnë, veçanërisht nga psikoanalistë e post-frojdistë. Të tjerë studjues, thonë se është historia e Shulamit-es, e të dashurit të saj dhe Solomonit që e pengon, ndërsa disa të tjerë, duke folur për sensualitetin dhe personazhet mistike, n’a rikujtojnë Shën Terezën e Avilës, e cila kujtonte një çast të ekstazës seksuale të saj, kur imagjinoi se një ëngjëll i përshkoi zemrën me shigjetë… Dhe padyshim, jo vetëm zemrën, pasi ajo e kishte provuar ndoshta «prishjen hyjnore» apo me hyjninë.

E krijuar në mugëtirat e kohëve, e përpunuar nga bardi apo bardja anonime për të ardhur deri në pragun e erës sonë, kjo këngë perfeksionoi gjuhën e saj metaforike, ku gjinjtë janë «male me aromë», ku vreshta është vet trupi i dashurisë dhe (ah, ky shtrat i gjelbër ) se «dashuria që ti bën, është më e mirë se vera». Ja sensualiteti në majat e krijimit artistik, e vetmja këngë sensuale e pranuar nga Kisha, ku padyshim klerikët hebraikë shohin dashurinë e Jahve-së me tokën e Izraelit…

Eshtë interesante si e shikonte këtë këngë, këtë perlë të popullit hebre studjuesi i njohur i botës hebraike Ernest Renan,[4] duke e konceptuar këtë këngë si një spektakël, dramë në pesë akte dhe me skena të ndryshme brenda akteve, e para, e dyta, e treta e kështu me rradhë gjer në aktin e pestë.

Pas refleksionesh të shumta ai imagjinon se thënien «të më puthë me puthjet e gojës së tij», e thotë një grua e haremit të Solomonit. Imagjinoni një çast : jemi dhjetë apo katër shekuj para Jezusë, ku kori i përgjigjet: «Përkëdheljet e tua janë më të ëmbla se vera…» Pastaj Shulamit-en e sjellin me forcë. Ajo i drejtohet një miku, apo të dashuri, që ne nuk e shohim: «Mermë me vete, të ikim me vrap së bashku… Mbreti më futi në harem»… Dhe ndërkohë gratë e haremit i drejtohen Solomonit: «Të gjitha gëzimet tona janë për ty… (etj, etj.)

Në skenën e dytë, Shulamit është vetëm dhe ëndërron: «Thuamë ti, që zemra ime të dashuron, ku i çon qengjat e tu…» (etj.) Në fund, kjo dramë ka një epilog, ku një nga vëllezërit e Shulamit-es thotë: «Kemi një motër të vogël që ende nuk i janë formuar gjinjtë… Çdo të bëjmë ne me motrën tonë kur asaj t’i formohen gjinjtë? (etj).

Ernest Renan e përfundon studimin dhe interpretimin e tij të gjatë me idenë se kjo poemë nuk është thjeshtë një poemë erotike, as një poemë thjeshtë mistike, por është një poemë morale dhe ku moraliteti i saj qëndron në vargun e shtatë të këngës së tetë ku këndohet: «Asgjë nuk mund t’i rezistojë dashurisë së sinqertë; kur i pasuri kërkon të blejë dashurinë, ai në fakt blen veç përbuzjen»…

E megjithatë të tjerë e kanë kundërshtuar këtë interpretim të Renan, siç ishte dhe shkrimtari e dramaturgu Paul Claudel, i cili në vitin 1947, kur ishte kredhur në studimet e tij për Biblën, ishte tronditur nga ai figuracion i jashtëzakonshëm i kësaj kantike, me «kërthizën si një kupë e rrumbullaktë, ku vera plot aromë nuk mungon», me vargun «buzën si një fjongo e kuqe», me «qafën si një torrë fildishi», apo «gjinjtë si dy drenusha binjake» , etj. Në komentet e tij, ai refuzon të shohë atë që shikonte Renan, pasi për të, femra, gruaja, ishte vetë Kisha kristiane dhe ai «një nga bijtë e mrekulluar të saj»…

Kjo këngë, e përkthyer në qindra gjuhë të botës dhe në variantet nga më të ndryshme, si kënga më e vjetër e dashurisë së burrit për gruan, është një nga faqet më të bukura të shkrimit njerëzor dhe të këngës njerëzore, më e vjetra dhe më e gjithkohshmja, duke frymëzuar njëkohësisht shumë artistë të mesjetës dhe kohëve moderne t’i referohen asaj, të kompozojnë muzikë, ta pikturojnë atë afresk dashurie e përkushtimi, siç bëri Gustave Moreau duke pikturuar fytyrën e Shulamit-es, apo akoma më mirë Marc Chagall, ilustruesi i jashtëzakonshëm i mesazhit biblik, përmes figurave origjinale të tij.

Dhe ne i ndjejmë ende hapat e Shulamit-es që rend për të gjetur të dashurin e saj, edhe pse duhet të kapërcejë pengesa, roje, bregore, gjer në kufijtë më të skajshëm të kësaj bote. Një himn për dashurinë: ja çfarë është kjo këngë e këngëve, ku Solomoni, biri i Davidit, nuk është thjesht krijuesi i tempullit të lashtë por je ti, jam unë, jemi ne të gjithë, krijesa të kësaj bote!

Po, «të këpusësh frutat e kopështit tim / të shëtisësh mes luleve… hani miq, pini, dehuni, o të dashuruar»![5]

Referenca

[1] Një nga prijësit shpirtërorë të Mishna-s (Kodi i Ligjeve, pjesë e Talmud-it, shk. I-II) dhe një nga themeluesit e judaizmit rabinik. Ai ishte dërguar disa herë nga hebrenjtë si ambassador i tyre në Romë.

[2] Teolog i persekutuar, një nga “etërit e Kishës”, autori i Historisë kishtare (185-253).

[3] Në latinisht Lucius Apuleius, (123-170), shkrimtar e filozof, autor i romanit dhe kryeveprês sê njohur Metamorfozat.

[4] Joseph Ernest Renan (1823-1862), shkrimtar, filozof, historian, autor i shumë veprave ndër të cilat Historia e origjinave të kristianizmit, e cila e zemëroi shumë Kishën Katolike. Përktheu dhe shkroi gjithashtu mbi Kantikën e kantikëve.

[5] Përkthimi i Kënga e këngëve e Solomonit, është bërë në bazë të botimit të librit La Bible (Bibla), éd. AELF, Paris, si dhe krahasimeve me përkthime të tjera nga studjuesit më në zë të Biblës, kryesisht nga versionet në frëngjisht të Ernest Renan më 1860 (Le cantique des cantiques, éd. Arlea) si dhe të Louis Segond, Georges Guggenheim, Fréderic Boyer apo André Chouraqui. E krijuar fillimthi në hebraishten e vjetër, e përkthyer në greqisht dhe pastaj në gjuhët e tjera, kjo këngë ka dhënë shkas për shumë interpretime linguistike, antropologjike dhe të traditës hebraike ndër studjuesit e shumtë të botës nga shekujt e parë të mijëvjeçarit tonë deri në ditët tona.

Please follow and like us: