Albspirit

Media/News/Publishing

Ndue Ukaj: Dy ideologji shkombëtarizuese për shqiptarët

Kur jemi te patriotizmi – si vyrty me dashtë tënden pa e urrejtë tjetrin – mjerisht historia është ajo që na përgënjeshtron.

Kombin tonë e kanë shkallmuar dy ideologji shkombëtarizuese: osmanizmi e komunizmi, prandaj as sot nuk kemi shkollë kombëtare politike e besa as vetëdije shtetërore e kombëtare.

Prandaj, ne kemi fare pak lëvizje në shenjë e me cilësi të mirëfillta patriotike: të fundit u shkëputëm prej dergjes osmane dhe të fundit dolëm prej murtajës komuniste: prej dyjave dolëm të sakatosur dhe pasi u shkatërruam, u vramë, u dhunuam; të varfër, të pramabetur e në mjerim të pafund.

Dhe këto dy trashëgimi kund nuk gjëjnë shprehje në Europë më shumë se në mjediset tona.

Dhe kjo është vërtet tragjedi.

Dhe përbrenda këtyre trashëgimive gjen shprehje e gufon gulçi antiperëndimor.

Këto dy trashëgimi të këqija vërtet janë digat ma të forta që kanë ndalë e ndalin hovin e përparimit kombëtar, vetëdijësimit e unitetit; te dyjat janë ideologji që i kanë largu shqiptarët prej vetvetes, prej perëndimit dhe iu kanë lanë mërzi e mjerim pafund.

Në historinë politike shqiptar, ishte Rugova ai që u shkëput prej këtyre dy trashëgimive dhe në saje të punës së tij kulturore e politike, bota e përparuar e përqafoi kauzën tonë dhe bashkë me ta kemi realizuar edhe ato synime që për shumë shqiptarë trutharë para tridhjetëvjetëve dukeshin të paimagjinueshme e të pamundshme.

Shqiptarët sa herë janë shkëput prej perëndimit, kanë përfunduar në ferr dhe këtë të vërtetë e provon historia jonë dhe këtë të vërtetë e pohojnë intelektualët e patriotët më të shquar shqiptarë.

Prandaj, shigjetat e sotme kundër perëndimit nuk janë patriotizëm, janë shigjeta të helmatisura kundër shqiptarizmës, sepse antiperëndimorizmi është antishqiptarizëm i pastër.

Please follow and like us: