Tre vjet pa (dhe me) zërin e lavdisë shekullore – ikonë e këngës dibrane
Zëri dhe kënga e tij do ta mbajnë gjallë të madhin Qerim Sula
Nga Halil RAMA – Mjeshtëri i Madh
Sa më shumë largohen vitet e ikjes në botën e përtejme, aq më madhështore na vjen në memorie jeta dhe vepra e artistit me përmasa mbarëkombëtare Qerim Sula. Për këtë do të mjaftonte vetëm kënga kushtrimore “Na k’ndojnë pushkët nëpër kulla”, që grupe artistike, ansamble e këngëtarë të njohur, jo vetëm dibranë, por edhe kosovarë, çamë etj, e kanë bërë lajmotivin e koncerteve të tyre. Dhe jo vetëm në koncerte, por edhe në dasma e promovime librash. Është kjo këngë epike, që megjithëse huazohet, askush s’e këndon si Qerim Sula, që e ka veshur atë me pavdekësi.
Nuk është rastësi që mjeshtri i moderimit të veprimtarive kulturore artistike, si dhe i dhjetra e dhjetra dasmave, miku i tij (dhe i yni) i ngushtë, Defrim Methasani, ta ketë pjesë të skenarit, improvizimin e odës dibrane, ku rreth sofrës së mbuluar me flamurin kombëtar fton të ulen burrat për të performuar qarkullimin e kutive të duhanit dhe ngrehjen e hutave, ndërsa në sfond shfaqet gjigandi Qerim Sula me këngën “Na k’ndojnë pushkët nëpër kulla”.
Madje është kjo këngë, si i gjithë repertori i tij që na e la si testament në dy albume, që i ka motivuar studjuesit e foklorit dhe gazetarët e kulturës të gazetarve e televizioneve të ndryshme, për ta pagëzuar Qerimin Sulën si: “zëri i lavdisë shekullore dibrane”, “Mjeshtri i Madh i këngës dibrane” dhe “ikonë e këngës dibrane” .
Qerim Sula lindi, u rrit dhe u burrërua me këngën që përcillte jehonën e luftrave të dibranëve për liri e pavarësi kombëtare. Ndërkohë s’i ndahej punës në profesionin e tij të nderuar të shoferit, fillimisht në ish-kooperativën Bujqësore Zall Dardhë e Ndërmarrjen Elektrike Peshkopi dhe pasi mori patentën e klasit të dytë e të parë, në Parkun Automobilistik të Mallrave Peshkopi deri në vitin 1983. Më pas, deri në vitin 1991, Ai do të ishte pjesë aktive e trupës të estradës profesioniste të Peshkopisë, duke e nderuar atë me interpretimin mjeshtëror të këngës popullore e qytetare dibrane në të gjitha shfaqjet e saj, brenda e jashtë rrethit të Dibrës.
KUSH ISHTE QERIM SULA
Qerim Sula lindi në 12 Prill 1951 në Zall Dardhë të Dibrës, në këtë krahinë që njihet si djep i artit dhe kulturës. Këtu mori formimin bazë, duke kryer shkëlqyer 8-vjeçaren, për ta vazhduar të mesmen në shkollën mekanike të Peshkopisë. Kushëriri i tij nga nëna, Muharrem Gjoka, Mjeshtër i Madh dhe Presidenti i Ansamblit Artististik “Hazis Ndreu” – “Nderi i Kombit”, tregon se që në moshën 12 vjeç, Qerim Sula ka performuar susksesshëm me këngën folklorike dibrane në skenën e Shtëpisë së Kulturës Zall Dardhë për të vijuar ndër vite dhe në skena të tjera, në Peshkopi e rrethe të ndryshme të vendit.
“Në gjurmët e artistëve më në zë të Dardhës, Muharrem Xhediku e Hazis Ndreu, Qerim Sula, si askush tjetër, me talent të rrallë arriti të përvetësoje dhe interpretojë mjeshtërisht folklorin dibran e atë mbarëkombëtar, mbështetur në rrënjët popullore e kombëtare. Madje, përvetësimi dhe intepretimi me ndjenjë i këngës epike dibrane do të ishte faktori bazë i formimit të tij artistik”, – pohon Muharrem Gjoka.
Edhe pse kishte mbaruar shkollën mekanike, Ai ishte i dashuruar dhe i përkushtuar për këngën, ndaj që në moshë të re u aktivizua me grupet amatore të Zall Dardhës, ndërsa në vitin 1967 me ansamblin “Dibra”.
Një vit më pas, më 1968 bën prezantimin e parë në Festivalin e Parë Folklorik të Gjirokastrës me këngën e Hazis Ndreut, “Kënga e Lam Dacit”, ku u vlerësua me çmim të parë për interpretimin e tij.Ka marrë pjesë në të gjitha Festivalet Folklorike deri në vitin 2000.
Kështu Ai do të evidentohej si këngëtar me talent të rrallë, talent që do ta shfaqte, jo vetëm në skenën e Shtëpisë së Kulturës “Haki Stërmilli” dhe të Estradës Profesioniste Peshkopi, por veçanërisht në skenën e Festivalit Foklorik Kombëtar të Gjirokastrës si edhe në finalen e tij përpara udhëheqësve partiakë e shtetëror të kohës në Pallatin e Kongreseve në Tiranë.
Ai është aktivizuar në mjaft trupa e ansamble, si dhe ka qenë pjesëtar i Estradës Profesioniste të Peshkopisë.Ka kënduar në shumë skena të vendit por edhe jashtë shtetit, si në Gjermani, Austri, Turqi, Belgjikë, etj.
Ka punuar me shumë artistë, por mund të veçojmë Liri Rashën, me të cilën ka qenë në Estradën profesioniste të Peshkopisë, me Arif Vladin një artist i kompletuar, Vera Laçi një këngëtare shumë e vlerë, me Sherif Dervishin, me të madhin Haziz Ndreu, i cili ishte profesori i tyre.
Në vitin 1981 ishte në Kosovë me ansamblin “Kuksi i ri”. Në repertorin e tij ka një numër të madh këngësh epike, duke qenë nga këngëtarët më të suksesshëm të trevës së Veriut, i vlerësuar me mjaft çmime e diploma të ndryshme, në aktivitete kombëtare e ndërkombëtare.
Ka realizuar dy albume me këngët më voluminoze dibrane, mjaftë të preferuara nga artdashësit, jo vetëm në Dibër e Tiranë, por kudo në hapësirën mbarëshqiptare në botë.
Qerim Sula ishte dhe një bashkshort e prind shembullor. Nga martesa me Razijen, një vajzë shembullore e familjes emërndritur Kaca nga fshati Tartaj i Zall Dardhës, krijuan një familje solide që nderohej e respektohej jo vetëm në Dardhë e Peshkopi, por edhe në Tiranë, ku jetuan familjarisht dy dekadat e fundit.
PËRBALLJA ME SËMUNDJEN! AI E DONTE DHE E DASHURONTE JETËN…
Artisti i madh dibran Qerim Sula, në vitin 2017 preket nga një sëmundje e rëndë. Në këto kushte, më 4 shkurt 2017, pasi kishte kaluar atak kardiak shtrohet në pavionin e kardiologjisë të Spitalit “Nënë Tereza” në Tiranë. Dhjetë ditë pas shtrimit, do të operohej nga kardiokirurgu Edvin Prifti, por pa sukses.
Po përballonte kështu me stërmundim sëmundjen dhe vetëm pas disa ditë ekzaminimesh (duke nxjerrë edhe ujë), në Senatorimin e Saukut, herën e fundit, këtu mjekët konstatuan se vuante nga mosfunksionimi i rregullt i valvulës së zemrës.
Më 9 mars 2017, shtrohet në spitalin gjerman në Tiranë.Pas disa ditësh pëson vdekje klinike e në këto kushte i nënshtrohet sërish operacionit që zgjati 8 orë. Këtu, duhet përmendur përkujdesja shembullore dhe profesionalizmi i spikatur i kardiokirurgut të talentuar Selman Dumani.
Megjithë përkujdesjen shembullore të bashkëshortes së tij Razies, të djalit Aleksit e vajzës Greta, si dhe të kushërinjve Muharrem e Lazam Gjoka (ky i fundit mjek në profesion) e të miqve të ngushtë Latif Miha e Defrim Methasani, jo në një e dy ditë, një e dy jave, por plot tre vjet, artisti i përmasave mbarëkombëtare Qerim Sula, nuk mundi t’u shpëtojë thonjve të vdekjes.
Në këtë rast, mirënjohja si shprehja më e bukur e karakterit të njeriut, i takon Latif Mihës,i cili me punë, vizion, ndershmëri e përkushtim të rrallë, ndërsa ka arritur të jetë ndër sipërmarrësit më të susksesshëm na rang vendi, ka shfaqur me tërë fuqinë e mendjes, të zemrës e të shpirtit dimensionin e tij të rrallë human e njerëzor. Sikur ta kishte vëlla, dhe jo shok, mik e komshi, Latifi e ndoqi hap pas hapi artistin shumëdimensional Qerim Sula në të gjitha etapat e sëmundjes, duke i qëndruar pranë në ekzaminime e spitale e deri në organizimin e ceremonisë së lamtumirës.
NJË LAMTUMIRË JO E ZAKONTË
Qerim Sula mbylli sytë pas një beteje me një sëmundje të rëndë, sprovë që nuk e kaloi dot, më 31 maj 2020, pikërisht kur sëmundja globale Covid – 19 do të pamundësonte ardhjen nga Amerika të djalit dhe vajzës së tij në ceremoninë e lamtumirës.
Dhe më e rëndë situata, kur edhe bashkëshkortja Razia, vëllai Fasliu e motra e tij Milita ishin prekur dhe po vuanin në gjendje tejet të rënduar nga Covid -19.
“Mëngjes shumë i trishtë ky i 31 majit. Kemi humbur një aset të kulturës dibrane dhe shqiptare, një vlerë të artit dhe ortekun e këngës. Qerim Sula nuk e fitoi dot betejen me jetën, por do të mbetet në jetë të jetëve.Iku pa i mbushur 70 vjeç, duke lënë pas emrin dhe veprën e madhe. U prehsh në paqe Mjeshtër i Madh!”, do të shkruante atë ditë Defrim Methasani në faqen e tij në facebook’. Dhe jo vetëm Defrimi, por edhe personalitete të politikës, artit e kulturës dhe të botës akademike do të shprehnin ngushëllime për këtë humbje të madhe, duke e konsideruar në zi artin dhe kulturën tonë kombëtare. Njëri prej tyre, Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj ka ngushëlluar me këtë rast familjarët, miqtë dhe komunitetin artistik duke thënë se këngët epike të Qerim Sulës kanë lënë gjurmë të pashlyera dhe frymëzim për brezat.“Na paska lënë këngëtari i njohur dibran, “Mjeshtri i Madh” Qerim Sula.Ai përmes këngëve epike, transmetoi vlera atdhetare dhe kombëtare, të cilat mbeten gjurmë të pashlyera dhe frymëzim për brezat.Ngushëllime familjes, miqve dhe komunitetit artistik”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Po. Ishte shuar një zë burrëror qē vinte si një jehonē drithëruese duke shkundur e mbjatur gjallë shpirtin e pamposhtur me piskamën e fortë të maleve të Dibrës për liri.
Por amanetin s’e tret dheu.Ai u kishte shprehur njerëzve të familjes dhe miqve të tij më të ngushtë dëshirën për ta varrosur në vendlindjen e tij, në Zall Dardhë. Ndaj kushërinjtë Muharrem e Lazam Gjoka, Latif Miha e Defrim Methasani dhe nusja e djalit, Vera, do ta përmbushnin besnikërisht këtë amanet, kur edhe në kushtet e izolimit total prej kolerës covid-19, do të udhëtonin me arkivolin e tij nga Tirana për në Zall Dardhë, ku edhe ato kushte do të organizonin një ceremoni mortore dinjitoze të Artistit të madh dibran, këngëtar i këngëve epike në vend, Zëri dhe kontributi i të cilit në muzikë do të mbahen mend ndër breza.
Zëri dhe kënga e Tij do ta mbajnë gjallë të madhin Qerim Sula. Kënga e veshi atë me pavdekësi. Dhe jo vetëm kënga e tij. Aristët më në zë të Dibrës Arif Vladi e Shaban Mziu do t’i thurnin këngë mikut të tyre, artistit që ish – Presidenti Bamir Topi do ta vlerësonte me titullin “Mjështer i Madh”, ndërsa ish-Presidenti Meta, me dekret nr.11715, date 17.09.2020, do ta dekoronte Qerim Sulën me Titullin “KALORËS I URDHRIT TË SKENDERBEUT” me motivacionin: “Për kontributin e shquar në artin e kulturën popullore shqiptare, si dhe talentin mjeshtëror në interpretimine këngëve të përpunuara, atyre folklorike, veçanërisht motiveve të trevës së Dibrës”.
Me këngën e tij Qerim Sula u ka lënë gjurmë folklorike brezave. Ai ka përcjellë dhe përcjell nëpërmjet këngës imazhe trimërore që ndikojnë për edukimin atdhetar të brezave në vijimësi.