Rifat Ismaili: DITA E PARË E VERËS
Tregim
Në mëngjes Driloni u ngrit nga shtrati i gëzuar. Rrezet e diellit përshkonin me ëndje çarçafin ngjyrë kaltër dhe sikur e ftonin: Eja, të luajmë, vogëlush!
Kishte hyrë vera dhe sot ishte dita e parë e qershorit. Koha ishte e ngrohtë dhe nga jashtë vinin cicërimat e zogjve.
– Mami, sot jam pushim! – i tha Driloni të ëmës dhe shkoi në banjo të lante sytë.
– Po , bir, e di- i tha mami. – Edhe pak ditë të kanë mbetur në shkollë dhe pastaj do jesh me pushime. Më në fund , erdhi vera, lodhja jote do shpërblehet, i vogli mamit.
– Mami, dua të shkoj në plazh.
– Mirë, Drilon.
– Dua dhe top të luaj në rërë.
– Bukuroshi i mamit. Çdo gjë.
-Dua dhe akullore, kostum banjo, kallam peshku për të peshkuar.
– Po ti je i vogël për kallam peshku, more bir.
– Po unë shkoja me babin. Nuk të kujtohet?
– Më kujtohet bir. Po babi nuk jeton më me ne. Tani ai rron në një shtēpi tjetër.
– Po pse jeni grindur ju, mami!
E ëma u zë ngushtë. Ngriti krahët, uli sytë dhe u shfajësua.
– Janë gjëra të mëdhenjsh. Ti ende si kupton.
– Po unë ju dua të dyve. Dua edhe babin…
Ndërkohë që ata bisedonin ra zilja e derës dhe mami shkoi të hapë derën. Shtangu në vend kur pa përballë saj Petritin, babain e Drilonit.
– Po ti?
– E di që Driloni sot është pushim. Erdha ta marr për një shëtitje. Do të doja të vije dhe ti me ne. Të shkojmë nga parku i madh, të shtrihemi në bar e të hamë akullore.
Driloni shqoi siluetën e të atit, rendi drejt tij dhe i’u hodh në krahë.
– Babi, ka ardhur babi im!
Ai e puthi dhe i tha se do dilnin shëtitje. Kësaj here do merrnin dhe mamin. Driloni u gëzua.
Ajo ngurroi pak, por pastaj pranoi. Pas ndarjes me Petritin, gjërat ishin qetësuar me kalimin e kohës dhe ata kishin përsëri një marrëdhënie të mirë e të qetë. Ishin korrektë në lidhje me jetën e djalit dhe bënin ç’ ishte e mundur që ai mos ta vuante ndarjen e tyre. Nganjëherë dy të mëdhenj, për çështje të ndryshme edhe mund të ndahen e të krijojnë jetë paralele, por fëmijët duhet të ndjekin ritmin e qetë të jetës së tyre, të pandikuar nga marrëdheniet e reja që janë krijuar.
Ata dolën së bashku dhe shkuan në këmbë drejt parkut. Në shatërvanin e madh në mes të sheshit , rrethuar me tulla të kuqe, ndodhej një mjellmë dhe disa rosa që po notonin.
– Mami, më jep një biskotë të ushqej rosat- i tha mamit Driloni. Ajo nxorri nga çanta e saj një pako me biskota dhe ia zgjati vogëlushit.
Ai nxorri nje biskotë dhe ia dha të atit. – Babi, merre, t’u japësh dhe ti për të ngrënë.
Baba e bir i shkërmoqën biskotat në copa të vogla dhe nisën ti ushqenin rosat e vogla. Në çast atje u mblodhën edhe një tufë me pëllumba dhe seicili kërkonte të hante nga duart e vogëlushit. Mamaja e buzëqeshur e vështronte dhe kënaqej që i biri dukej i lumtur. Pastaj së bashku shkuan të hanin akullore, me pas u ngjitën në një tren të vogël turistik që i çonte njerëzit në xhiro nga njëra anë e qytetit antik në tjetrën.
Pasi u kënaqën nga gjithë këto gjëra vendosën të ktheheshin në shtëpi. Ora e drekës kishte afruar dhe vogëlushi tani kishte uri. I kërkoi mamit ti bënte një kotoletë të skuqur me patate sapo të mbërrinin.
– Po ti babi, do hash me ne?- e pyeti Driloni.
Ai u zu ngushtë dhe s’dinte si t’i përgjigjej.
– Po kam pak punë, zemra e babit, ndoshta një herë tjetër.
Gruaja e pa në sy, u mendua dhe pastaj i tha: – Rri, mos ia prish djalit. Do t’ju bëj të dyve kotoletē me patate, vezë të skuqura dhe krem karamel për ëmbëlsirë.
Babi buzëqeshi dhe i gëzuar hyri me ta në shtëpi.
- 5. 2023.