Albspirit

Media/News/Publishing

Ramiz Lushaj: Pabesi e padrejtësi ndaj Kosovës

 

Nëse nuk zgjidhet kësaj here “Çështja e Veriut” do të thotë se prapë do të vazhdojnë pabesi e padrejtësi ndaj Kosovës

 

 

Ngjarjet e fundit në Kosovë më kujtuan një thanie të një klasiku të njohur anglez (1884) se “fejesat e gjata në 9 të 10-tat e rasteve janë shkollë parapërgaditëse e pabesisë bashkëshortore në të ardhmen”.

Pikërisht, edhe kohëzgjatjet afatore nga Ndërkombëtarët e Shqiptarët, ma saktë: stërgjatjet e Kosovës me rreth 9 vite nga shpallja Republikë (1990-‘91) deri tek Liria (1999) dhe 9 vite të tjera nga Liria tek Shpallja e Pavarësisë (2008) janë ma të gjatat ndër të gjitha shtetet e tjera në Ish Jugosllavinë Avnjoiste, në Ballkanin Perëndimor, kanë mbjellë, vjelë e përcjellë edhe shumë pabesi ndërkombëtare e shqiptare që po i vuan edhe pas 33 viteve shteti i ri i Kosovës. Sllovenisë e Kroacisë, po edhe Bosnje-Hercegovinës (për të cilën më vonë, pas një lufte mbi trevjeçare, u nënshkrue edhe Marrëveshja e Dejtonit-1995) prej nga shpallja e Pavarësisë së tyre (1991) deri tek antarësimi në OKB (22 maj 1992) iu deshtën nga një vit kohëzgjatje. Maqedonisë (IRJM-Maqedonia e Veriut) nga Pavarësia (1992) deri tek antarësimi në OKB (8 prill 1991) iu deshtën vetëm 1.5 vite kohore. Mali i Zi, në të gjitha proceset e tij: ndarja nga Jugosllavia e Vjetër, bashkimi me Jugosllavinë e mbetur, pavarësimin e tij final, i kreu nga 28 prilli 1992 deri më 3 qershor 2006, ma së shumti, brenda 4 viteve.

Çështja shtrohet edhe kështu: Pse Kosovës dardane edhe pas 33 viteve, në katër dekadat e dy shekujve të fundit, nga shpallja e saj Republikë (2 korrik 1990) dhe deri tek ngjarjet e ditëve të sotme në katër komunat në Veri të saj, nuk iu ka mundësuar që të antarësohet në OKB, të përfundojnë vija kufitare shtetërore me të gjithë fqinjët e saj ballkanik, të ketë shtrirë sovranitetin e vet shtetëror në të gjithë territorin e Kosovës (edhe në Veri të saj), etj.?!

Shteti i sotëm i Kosovës në këto 33 vite e 4 dekada, prej nga shpallja e Republikës (1990- ’91), nga Liria (1999), nga Pavarësia (2008) dhe deri tek njohjet ndërkombëtare e përpjekjet për antarësim në OKB, edhe për shkak të këtyre stërgjatjeve afatore (1990, 1999, 2008 etj) ka keqprovuar gjithato pabesi të ndryshme e të shumta nga disa prej Ndërkombëtarëve e disave nga klasa politike shqiptare; si: keqpranimi kushtetues “ahtisarjan” si “shtet multietnik” si në asnjë shtet tjetër të botës, ndërkohë që shqiptarët përbëjnë mbi 90 për qind të popullsisë së Kosovës; ndarja “allafranceze” e Mitrovicës së pasluftës në Mitrovicën e Veriut dhe atë të Jugut; Asociacioni me Komunat me Shumicë Serbe; Statusi i “Kishave Serbe” (si në Deçan etj.); humbja e mijëra hektarëve toka etnike shqiptare nga ndarja e vijës kufitare me Maqedoninë (IRFJ) dhe Malin e Zi (në Çakorr, etj.), Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë; Marrëveshjet famëkëqija për Trepçën e Ujmanin; izolimi i Lëvizjes së Lirië Shengen të Kosovës në 15 vitet e fundit (si asnjë shtet tjetër i Europës); mosnjohja e Kosovës nga 5 shtete antare të Bashkimit Europian (si: Greqia, Spanja, Qupro, Rumania e Sllovakia); njohjet ndërkombëtare të Kosovës nga 116 shtete ndër 193 shtetet e OKB-së (as dy të tretat e saj), ndërkohë që në 6 vitet e fundit e kanë njohur vetëm 6 shtete Republika Suriname (me 8 korrik 2016), Singapori, Bangladeshi, Medagaskari, Barbados e së fundit, Izraeli (me 1 shkurt 2021), etj., etj.

Në fakt, ndreqja e këtyre pabesive (padrejtësive) katër dekadore të disa prej Ndërkombëtarëve e të disave prej Shqiptarëve të politikës shtetërore, nuk fillon tek rrëzimi politik apo ringritja diplomatike e Kryeministrit aktual qëndrestar e të ditur, Albin Kurti, por fillon pikërisht tek Ura e Mitrovicës, fillon pikërisht tek liqeni i Ujmanit, fillon pikërisht tek Zveçani, Zubin Potoku e Lepasoviqi në Veri të Kosovës dhe, mbasandejna vijon në Prishtinë e në Beograd, në Bruksel e në Uashington, në NATO, BE, OKB. Nëse nuk zgjidhet çështja e Veriut të Kosovës kësaj here nga Ndërkombëtarët e Shqiptarët, atëherit do të thotë se në Kosovë do të vazhdojnë prapë e prapë stërgjatjet kohore të disa pabesive e të shumë padrejtësive ndaj Kosovës edhe në shek. XXI.

Please follow and like us: