Albspirit

Media/News/Publishing

Astrit Lulushi: Fitore dhe humbje

Viti 49 p.e.s., kishte filluar me aleancat e brishta që mbanin në këmbë Romën, ndërsa Republika zhytej në luftë civile. Romakët kishin parë ngritjen meteorike të Pompeut, i cili mori titullin ‘i Madh’, pas shtypjes së rebelimit në Iberi. Pompeu ishte ngritur në përgjegjësi nën diktaturën e Sullës. Fushata e tij në Lindje do të merrte pjesë më të madhe të Azisë së Vogël, duke forcuar kufirin lindor të Romës dhe dyfishuar të ardhurat vjetore të republikës me pasuritë e Lindjes.
Pompeu dhe rivali i tij Marcus Crassus, të dy ranë dakord për një marrëveshje për ndarjen e pushtetit me një parti të tretë për të balancuar triumviratin e brishtë.
Marrëveshja u çimentua nga martesa e vajzës së Cezarit me Pompeun. Vdekja e Crassus në betejën në 53 p.e.s., së bashku me vdekjen e vajzës së Cezarit në lindje, i la dy triumvirët – Cezarin dhe Pompeun – në gjendje kundërshtimi. Pompeu u bë lajm i djeshëm, pavarësisht dominimit të tij në Romë; Cezari u bë njeriu i ri me pushtimin e tij epik të Galisë dhe fushatat në Britani dhe Gjermani. Fraksioni konservator rreth Pompeut kërkoi që Cezari të kthehej për t’u përballur me akuzat për tradhti dhe për t’i hequr titujt. Cezari ishte i mbrojtur nga ndjekja penale për sa kohë ishte në fushatë dhe po të kthehej në qytetin e Romës do ta shihte veten të pafuqishëm kundër mashtrimeve të rivalëve të tij. Ky ngërç u shkatërrua kur Cezari kaloi Rubikonin, lumin që shënon kufirin e Romës. Të pushtuar nga paniku, Pompeu dhe Senati ikën në lindje përtej Adriatikut për në Iliri.
Cezari u përball me veteranët e Pompeut në perëndim; mblodhi një ushtri të madhe me të gjitha legjionet veterane në Greqi, plus premtimet për pagesa dhe taksa nga të gjithë klientët e tij në lindje.
Cezari kaloi ngushticën e Otrantos në dimrin e vitit 48 p.e.s. për të befasuar kundërshtarët e tij duke zbritur në Iliri me shtatë legjione. Shpejtësia ishte tipari dallues i Cezarit. Por ajo mund të ishte edhe zhbërja e tij. Cezari kuptoi se gjendja e tij ishte e tmerrshme, pasi armatimi i ushtrisë së Pompeut ishte i madh, megjithëse ofertat për negociata u refuzuan. Pas disa përpjekjesh, ajdutanti i Cezarit, Mark Antoni depërtoi bllokadën dhe zbarkoi me katër legjione të tjera në Iliri. Cezari dhe Pompei vrapuan për të arritur Antonin dhe megjithëse Pompeu e arriti i pari, ai e zhvendosi ushtrinë e tij në qytetin e Durrësit. Pompeu kishte gjetur një pozicion të fortë të mbrojtjes nga deti. Kishte përleshje të vazhdueshme midis dy palëve, por pa dobi; Cezari kontrollonte tokat përreth, dhe ushtria e Pompeut anën nga deti. Pompeu kishte frikë se do të përballej me sëmundje gjatë dimrit dhe u përpoq ta mashtronte Cezarin me lajmin e një tradhtie nga banorët e qytetit, por plani i tij dështoi.
Më pas, fati favorizoi Pompeun kur dy nga kalorësit galë të Cezarit u diktuan duke vjedhur dhe arritën t’i shmangeshin kapjes duke të kaluar në anën e Pompeut. Ata e informuan për pikën më të dobët afër detit, ku Cezari po ndërtonte një mur të dytë për t’u mbrojtur nga një sulm detar. Pompeu dërgoi gjashtë legjione, duke detyruar Legjionin e Nëntë të Cezarit të tërhiqej, me viktima të shumta. Pompeu vazhdoi të ndërtonte një kamp në jug të murit të Cezarit, duke e pajisur me pesë legjione, ndërsa i gjashti pushtoi kampin që legjionet e Cezarit kishin braktisur midis mureve. Duke parë rrezikun, Cezari u tërhoq. Pompei besonte se tërheqja ishte kurth dhe refuzoi ta ndiqte.
Ushtria e Cezarit ishte sa gjysma e madhësisë së ushtrisë kundërshtare. Në vend që të ishte agresori, Pompeu u tërhoq në lindje, edhe pse ishte nën presionin në rritje nga senatorët për të rivendosur nderin romak dhe për të shtypur Cezarin në një betejë vendimtare. Me mbarimin e opsioneve të tij, Cezari zgjodhi të kthehej dhe të qëndronte për të përcaktuar se kush do të ishte zot i Romës në fushat e Farsalës:
“Sot fitorja ishte e armikut, po të kishte  ndonjë prej tyre që ta fitonte”.
Please follow and like us: