Albspirit

Media/News/Publishing

Eqrem Çabej: Dija shqiptare në arenën ndërkombëtare

Me rezultatet e veta dija shqiptare ka hyrë tashmë në arenën ndërkombëtare, ku edhe thotë me peshë fjalën e vet. Dijetarët e huaj, sikundër është vënë re edhe nëpër kongrese ku ne kemi marrë pjesë, detyrohen të mbajnë qëndrim. Bile, disa ndër ta, që lidhur me problemet shkencore tonat, kanë shtruar edhe teza arbitrare, kjo qoftë për padije të çështjeve, qoftë për tendencë, tani detyrohen shpesh të frenohen në këtë rrugë të tyre e t’i matin mendimet edhe fjalët. Kështu p.sh. në çështjen e elementeve të përbashkëta që kanë shqipja dhe rumanishtja, gjuhësia shqiptare mbron në parim burimin shqiptar të një pjese të madhe të tyre. Teza e disa dijetarëve rumunë, që thonë se nuk ka pasur ndonjë epërsi kulture të shqiptarëve ndaj rumunëve, e cila të përligjte (të justifikonte) një burim të tillë, nuk është tezë shkencore, as edhe e kundërta nuk mund të provohet që d.m.th të ketë pasur një epërsi kulture të popullit rumun në krahasim me atë të popullit shqiptar. Elemente gjuhësore shtegtojnë nga një gjuhë nga u nisën, e që si të tilla tërheqin vëmendjen e mjedisit shoqëror fqinj, i cili i merr prandaj dhe i bën të tijat.

Ky përparim është një meritë e studimtarëve shqiptarë. Po baza ku janë ushqyer këta është pasuria që buron prej vendit dhe prej popullit tonë. Gjuhësia, arkeologjia, historia, etnografia shqiptare e kanë marrë dhe po e marrin lëndën prej visareve të truallit të vendit. Studimtarët shqiptarë kanë para së gjithave këtë anë të fortë ndaj dijetarëve të huaj, që njohin dhe sundojnë materialin më mirë. Në punë të metodës në studimet tona ne duhet të nisemi nga faktet, e prej andej të ndërtojmë tezat e të bëjmë përgjithësimet përkatëse, jo anasjelltas. Dhe në kërkimet tona nuk do të nisemi nga jashtë e të hyjmë brenda, po do të nisemi nga rrethanat tona. Nuk do të nisemi nga modelet e huaja e t’ua përshtasim këto rrethanave shqiptare, po do të nisemi nga faktet e brendshme. Me këtë rrugë do të përpiqemi edhe të krijojmë një metodë pune tonën, vetjake, jo të bëjmë adaptim metodash të huaja të marra së jashtmi.

Në punën tonë mendoj se duhet të jemi objektivë, të frymëzohemi nga fryma e objektivitetit, të kërkojmë të vërtetën deri në fund. Veçse do të jemi objektivë, po jo indiferentë, sidomos në shqyrtimin e çështjeve që janë me rëndësi njëkohësisht shkencore dhe nacionale. Do të kemi këtu parasysh rolin dhënës të elementit shqiptar ndaj popujve fqinj dhe kulturave e gjuhëve të tyre. Shqiptarët jo vetëm kanë marrë nga fqinjtë e tyre, po edhe u kanë dhënë atyre; dhe aty jo vetëm në fushat e ndryshme të kulturës materiale, po edhe në disa fusha të kulturës shpirtërore. Ka aty ndikime në gjuhë, në kostumet popullore, në muzikë, sidomos në melodi të këngëve, në valet popullore, e në të tjera.

Nuk do të ndalem më gjatë në këtë problematikë. Do të prek vetëm një pikë që ka lidhje me të. Tek ne është kryer më shumë punë nga sa njihet jashtë vendit tonë. Kjo punë nuk njihet sa duhet. Për të dhënë vetëm një shembull, do të kap punën e bibliografisë së gjuhësisë. Në bibliografinë vjetore që sjell revista “Die Sprache “ që botohet në Vjenë numrat me botime shqiptare e të shqipes janë afërsisht dyfish nga ato të armenishtes, një gjuhë me një popullësi te krahasueshme nga numri, me atë të popullit shqiptar. Në bibliografinë vjetore përkundrazi që boton Unesko raporti është gati i anasjelltë; aty ka afërsisht dy herë më shumë numra në fushën armene në krahasim me botimet shqiptare. Nga vjen kjo, si shpjegohet? Revista austriake në fjalë ka ditur të informohet më mirë për punën tonë në fushën gjuhësore. Në lidhje me bibliografinë e Uneskos më anë tjetër ka një informacion të mangët nga ana jonë. Një gjë e tillë mendoj se ndodh, si në gjuhësi, edhe në degët e tjera të informacionit shkencor. Këtu na del detyra e rëndësishme t’i bëjmë të ditur botës punën që bëhet në vendin tonë. Tani kemi një Akademi, e në kohët e fundit një bibliotekë të Akademisë. Mendoj se duhet të formohen komisione që hetojnë se në cilat qendra shkencore ndërkombëtare duhet të dërgohen botimet tona, si në libra, si në revista. Kështu më një anë njihen rezultatet e punës sonë shkencore, më anë tjetër ndihmohet dhe shkëmbimi i mendimit shkencor në shkallë ndërkombëtare. Kjo nuk duhet të kuptohet si një punë reklamimi, po si një detyrë e përgjegjësisë shkencore, ndaj vendit tonë dhe ndaj botës jashtë. Vetëm se në këtë veprimtari duhet të bëhet një punë e organizuar.

Diskutim në Asamble datë 27.01.1976

Referenca: Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (Dega Tiranë), Fondi 508, Dosja 2, Imazhi 16-18, 1976.

 

Please follow and like us: