Ermira Godo: Kujtesa kolektive për krimet e diktaturës, jetike për të ardhmen e vendit
Më shumë se 30 vjet pas vendosjes së pluralizmit në Shqipëri, shumë nga historitë e personave dhe familjeve që vuajtën pasojat e diktaturës, me vrasje, burgime dhe internime, janë bërë publike. Megjithatë një autore e dy librave që rrëfejnë jetën dhe veprën e gjyshit të saj, thotë se nuk është bërë aq sa duhet që këto histori të bëhen pjesë e kujtesës institucionale dhe të integrohen në lëndën akademike, në mënyrë që të rinjtë të mësojnë për një brez që po shuhet dalëngadalë. Ermira Godo flet me kolegen Keida Kostreci për historinë e gjyshit të saj, Abdulla Rami, një gjykatës, që vuajti për dekada me radhë në burgje dhe internim.
Zonja Godo thotë se librat, biografia e gjyshit të saj, Abdulla Rami “Përtej harrimit” dhe një përkthim i realizuar prej tij në internim dhe plotësuar prej saj, i librit të Viktor Hygosë “William Shakespeare”, janë një përpjekje për të mbajtur gjallë kujtesën kolektive për atë pjesë të dhimbshme të historisë shqiptare gjatë diktaturës.
“Jo vetëm për të sjellë një homazh në kujtim të tyre, por mbi të gjitha për të shprehur atë mision të madh që ata i vunë vetes, një mision qëndrese dhe një mision që unë e quaj në parathënien e përkthimit të Shekspirit, si akt lirie”, thotë autorja Godo për Zërin e Amerikës.
Ajo thotë se gjyshi i saj simbolizon ata intelektualë shqiptarë, jeta e të cilëve u shkatërrua plotësisht gjatë diktaturës.
Abdulla Rami, lindi në vitin 1908 pranë Delvinës, studioi në Egjipt dhe më pas në Liceun Francez të Korçës ishte në një klasë me diktatorin Enver Hoxha.
“Kam menduar shpesh herë se kjo ka përcaktuar edhe fatin e tij, të jetës së tij dhe gjithë familjes së tij në vitet e mëvonshme”, thotë zonja Godo, duke sqaruar se shumë nga bashkëkohësit e diktatorit, si për shembull Abaz Omari, Enver Zazani dhe të tjerë, patën një fat të ngjashëm me atë të gjyshit të saj.
Abdulla Rami më pas studioi në Montpelie, në të njëjtën kohë kur Hoxha ishte atje dhe u diplomua për jurisprodencë. Pas kthimit në Shqipëri, Rami shërbeu si gjykatës i parë në Gjilan të Kosovës.
“Im gjysh ka shpëtuar me dhjetra-qindra kosovarë të futur padrejtësisht dhe të burgosur nga serbët në atë periudhë”, thotë zonja Godo, duke iu referuar dokumenteve që ka gjetur në arkivat e Gjilanit dhe Kosovës dhe nga procese të ndryshme gjyqësore.
Ai u arrestua në vitin 1944 kur u kthye në Shqipëri, koha kur u vendos diktatura, duke u cilësuar si armik i popullit pse shërbeu në Kosovë, ishte mbështetës politik i Ballit Kombëtar dhe pjesëmarrës ne Konferencën e Mukjes, si mbështetes i bashkimit mbarekombëtar.
Abdulla Rami u dënua fillimisht me burgim të përjetshëm dhe duke vuajtur 20 vjet, duke filluar nga burgu i Tiranës, në burgun e Gjirokastrës së shtatë penxhereve dhe 19 vjet në burgun e Burrelit.
“Pas daljes nga burgu është internuar dhe gjithë familja e tij sigurisht, vajzat dhe nipërit dhe mbesat kanë qenë në internim”, thotë ajo.
Familja e vuajti internimin në Gosë të Kavajës.
Avdulla Rami vdiq në vitin 1973.
Zonja Godo thotë se librat u bënë të mundur nga kërkimet e detajuara në arkiva të ndryshme në Shqipëri, Kosovë dhe Francë, por edhe nga dorëshkrimet e Abdulla Ramit.
“Dorëshkrimet e tij mundën të transmetoheshin prej vajzave të tij dhe ne brezi i tretë, i cili do të thoja jemi vektori i fundit për të përcjellë historinë e tyre, e atij brezi që tashmë dalëngadalë po na lë në amëshim, për të sjellë historinë e tyre dhe për të trashëguar ato vlera.”
Vetë zonja Godo dhe pjesëtarë të familjes së saj nga nëna dhe babai, kanë vuajtur pasojat e komunizmit. Rami është gjyshi i saj nga nëna, ndërsa gjyshi nga babai Zenel Gjomaçi është pushkatuar. Të afërmit e saj kanë vuajtur në burgje të diktaturës, përfshirë Spaçin dhe Burrelin.
Megjithëse si anëtare e familjes ajo e sheh si mision përçimin e jetës së brezave që vuajtën nga diktatura, zonja Godo thotë se detyra e përcjelljes së mesazit të tyre duhet t’i përkasë gjithë shoqërisë, jo vetëm familjarëve.
“Pasi mendoj se ne kemi rënë dakord si shoqëri që ajo periudhë qe mizore për shumë individë, qe vrastare madje për shumë individë, qe e dhunshme për shumë familje, por ishte e dëmshme për një popull të tërë dhe ishte frenuese për zhvillimitn tonë mbarëkombëtar”, thotë ajo.
Zonja Godo vlerëson punën e bërë në këtë drejtim nga shoqata e të përndjekurve, apo instituteve si ai për Studimet dhe Krimet e Komunizmit, por …
“Unë mendoj se roli i institucioneve është shumë i rëndësishëm sepse që të gjithë jemi fort dakord se kujtesa e një institucioni është shumë më e qëndrueshme se sa kujtesa individuale, kujtesa e një shoqërie të tërë, është shumë më e qëndrueshme se sa kujtesa e një individi”.
Dhe që të marrin vendin e duhur në histori, ajo thotë se historia e dhimbshme e atyre që vuajtën në diktaturë duhet të trajtohet nga studiues të fushave të ndryshme.
“Institucionet duhet të krijojë grupe pune, me sociologë, me studiues të ndryshëm, me historianë, me dëshmitarë të asaj periudhe sepse këta dëshmitarë ngadalë ngadalë po largohen nga kjo botë, nuk i kemi më. Kjo histori duhet të pasqyrohet edhe në tekstet e shkollave, që t’u përcillet brezave”, thotë zonja Godo.
Ndërsa vë në dukje ngritjen në Shqipëri të objekteve muzeale që tregojnë se si funksiononte diktatura dhe sigurimi, zonja Godo thotë se si kundërpeshë e tyre, duhet të ketë muze që të tregojnë imazhet dhe jetën e atyre që vuajtën në diktaturë.
“Nëse nuk përballemi me të gjitha detajet dhe vitet, me ato çka kanë ndodhur në historinë tonë, mendoj se nuk do të jemi të gatshëm të vazhdojmë historinë e Shqipërisë, ashtu siç duhet. Dhe mbi të gjitha për të qenë në anën e të gjitha atyre vendeve të kësaj bote që janë përballur shëndetshëm me të kaluarën dhe që vazhdojnë ndërtojnë të ardhmen e tyre”, thotë ajo.