Albspirit

Media/News/Publishing

80-vjetori i krijimit të çetës partizane “Zigur Lelo” të Smokthinës

(Nga Smokthina vendi gur,/ u nis çeta me flamur./Në Jonufër afër Vlorës,/kërcet pushka e bomba e dorës,/tundet Vlora e Kanina,/lufton çeta nga Smokthina…”).

Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI

Pushtimi i Shqipërisë ishte një prej tragjedive më të rënda për shqiptarët, që nuk e pranuan kurrë këtë pushtim, por revolta mbarëpopullore ishte në cdo qelizë të truallit shqiptar. Revolta filloi me njësite guerriele, ndërsa më 5 qershor 1940 u themelua ceta e parë partizane që është ajo e Pezës. Kundërshtim i me armë i pushtuesit si në cdo krahinë shqiptare vrullshëm dhe bindshëm ishte edhe në Labëri, nga Gjirokastra, në Tepelenë e Vlorë. Kështu ndodhi edhe në Smokthinë. 5 Qershori i vitit 1943, 80 vjet më parë u krijua çeta partizane “Zigur Lelo”, çetë emërmadhe dhe emërndritur që u bë promotore e fillimit të luftës antifashiste në krahinën e Smokthinës, luftës që i dha dimesionin e kërkuar përballjes me pushtuesit fashistë. Bijtë më të mirë të krahinës, të mbarë fshatrave të Smokthinës e kishin filluar lëvizjen antifashiste që në vitin 1941-1942. Fakt është se kjo përballje çoi në formimin e njësitit gueril, në formimin e Këshillave Antifashiste Nacionalçlirimtare, më 28 Nëntor 1942, në ngritjen e katër çetave territoriale partizane në dhjetor 1942 dhe aktivitete të tjera. Këto çeta territoriale së bashku me çetën territoriale të Velçës formuan batalionin territorial të Shullërit, të cilat me sinjalin partizan të kohës “një bombë e pesë të shtëna pushke”, rrëmbenin armët e grumbulloheshin në pikat e caktuara dhe ishin në gatishmëri për luftë.

Në vitin 1943 lufta e armatosur e popullit shqiptar veçanërisht në gjithë trevën e Labërisë po merrte përpjesëtime mjaft të gjera. Në këto kushte celula e Partisë në Smokthinë, e cila ishte ngritur në shkurt 1943, i kërkoi Komitetit Qarkor të Vlorës që në Smokthinë të krijohej çeta partizane, një formacion që prej kohësh mertitonte të ngrihej dhe për ta bërë luftën atifashiste edhe më të organizuar. Komiteti Qarkor pasi shqyrtoi kërkesën dhe rrethanat e krijuara e miratoi formimin e çetës, e cila u inagurua me aktin formal të themelimit të saj më 5 qershor 1943 pranë shkollës së Matogjinit, në lagjen Matoruk në baçen e Baro Pipaj tek bajamja, vetëm 100 metër larg shkollës 8-vjeçare. Këto të dhëna i bënë praktikisht drejtuesit dhe komandanti e komisari, dhe gjithë partizanët e tjerë. Më tej i shkruan dhe i përkujtuan brez pas brezi çdo 5 Qershor dhe tashmë këto të dhëna që i ka vulosur historia e luftës dhe që transmetohen brez pas brezi. Në ditën e themelimit të çetës i dërguari i Komitetit Qarkor ka qenë Delo Balili, i cili përshëndeti smokthinjotët për krijimin e çetës, foli për situatën politike dhe detyrat që dilnin si dhe objektivat e kësaj lufte deri në clirim të plotë të Shqipërisë, një mission ky që u përmbush me sukses. Komandanti i çetës u zgjodh biri i Ramicës Mevlan Dervishaj, komisar Veis Pipaj, i cili përshëndeti në emër të çetës së sapokrijuar. Në ditën e formimit në çetë u rreshtuan 21 djem nga 16 deri 21 vjeç nga të katër fshatrat e Smokthinës që më parë ishin pjesë e njësiteve guerile dhe çetave territoriale. Në radhët e kësaj cete u rreshtuan edhe Moisi Elezi, Sadik Zotaj (dëshmor), Ismail Velo Deromemaj (dëshmor), Miftar Bocaj (dëshmor), Kamber Sullaj (dëshmor), Gani Gabaj (dëshmor), Lesko Lekaj (dëshmor), Mulo Dervishi (dëshmor), Syrja Sarsaj (dëshmor), Aliko Mehmeti, Perlat Tafilaj, Luto Canaj, Feim Zenelaj, Elmas Hasamataj, Bato Zotaj, Sadedin Sullaj, Sefedin Sullaj, Bilbil Veshaj, Xhemil Liçaj. Të organizuar në celulat komuniste të Smokthinës ishin Sadik Zotaj, Aliko Mehmeti e Mevlan Dervishi, ndërsa Veis Pipa ishte komunist i ardhur nga Vlora. Çeta u pagëzua me emrin “Zigur Lelo” dëshmor i Luftës së Vlorës në 1920, “Hero i popullit” (titull që ju dha më 1970-tën në kuadër të 50 vjetorit të Luftës së Vlorës). Krijimi i këtij formacioni partisan u pagëzua në luftim, sikurse gjithë formacionet e tjera të çetave partizane në Shqipëri. Aksioni i parë i çetës u zhvillua në Jonufër kundër një autokolone fashiste italiane. Prita u organizua dhe u realizua me sukses të plotë, në të cilën u vranë 3 fashistë, u dogjën dy makina dhe një motoçikletë, u morën pushkë e municione. Populli e ka përjetësuar në këngë këtë aksion të shkruar nga rapsodi popullor Perlat Hasan Tafilaj: “Nga Smokthina vendi gur,/ u nis çeta me flamur./Në Jonufër afër Vlorës,/kërcet pushka e bomba e dorës,/tundet Vlora e Kanina,/lufton çeta nga Smokthina”.

Çeta “Zigur Lelo” shkroi lavdi që në luftimin e parë të 15 qershorit 1943 në Jonufër, edhe si pasardhëse e denjë e trimave të Smokthinës, trashëgimtare krenare e luftëtarëve të lirisë të 1920-ës, si dhe të parëve të tyre, trimave të kryengritjeve popullore të viteve 1830, 1847, 1878, 1897, për të mposhtur sundimin osman. Çeta e Smokthinës “Zigur Lelo” gjeti përkrahje mjaft të gjerë në popull. Ajo ka zhvilluar edhe shumë aksione të tjera luftarake, ndërkohë që më 12 korrik 1943 ajo organizoi aksionin midis fshatrave Hysoverdhë dhe Mavrovë kundër një reparti ndëshkues italian, ndërsa më 17 korrik 1943 zhvilloi betejë me një kompani ushtarësh italianë të cilët nga goditjet e pa pritura u tërhoqën të shpartalluar duke lënë në fushën e luftimit shumë të vrarë, robër dhe shumë armatime e municione luftarake. Një aksion sinjifikativ është edhe ai në Mal të Bardhë më 14 gusht 1943, kundër forcave italiane shumë herë më të mëdha në numër dhe armatime, ku në këto luftime çeta tregoi trimëri dhe me përvojën e fituar në luftime u tërhoq pa humbje dhe e organizuar. Çeta “Zigur Lelo” ka marrë pjesë në Luftën e Drashovicës në përbërje të Batalionit “Halim Xhelo” dhe Batalionit Teritorial të Shullërit, ndërkohë që aksioni i fundit i çetës “Zigur Lelo” ishte ai i zhvilluar në Qafën e Kiçokut. Aty ata thyen sulmin e këmbësorisë dhe të mjeteve të blinduara armike, dhe më në fund me një efektiv prej 35 veta u përbashkuan me BrVS, më 28 Nëntor 1943 ditë që nuk mundi të inagurohej brigade sepse ishte e angazhuar në luftime. Përurimi i BrVS u bë më 20.1.1944 në Bramishnjë, ku u rreshtua Brigada, por edhe partizanët e çetës së Smokthinës.

Lavdia partizane e bijëve të Smokthinës është lavdi e gjithë partizaneve shqiptarë sepse shkruan faqe heroizmi në kuadrin e kualicionit antifashist botëror. Çeta partizane “Zigur Lelo” është vlerësuar me “Medaljen e Kujtimit”, si një nga çetat e para partizane që para datës 10.7.1943, që shënon formimin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimitare shqiptare. Smokthima, Labëria, Shqipëria është krenare për partizanët e saj, për bijtë e bijat, që ja zbardhën faqen Shqipërisë në një për luftrave më të përgjakshme të botës, që i dhanë nder dhe lavdi vendit.

Please follow and like us: