Albspirit

Media/News/Publishing

Behar Metohu: HIJA E SHPIRTIT

Tregim

 

Ai që kishte punuar për të, mbi të dhe brenda saj… Ai kishte prekur gjithë minierat kryesore të qymyr-gurit, hekurit, bakrit e kromit duke e njohur mirë prej vitesh tokën dhe pasuritë e saj. Ai mbretëroi mbi të, një jetë të tërë dhe i shërbeu asaj si një inxhinier, kryeinxhinjer, duke e dashur thellë, shkoi pranë saj i përkorë…

Sapo zbrita nga makina së bashku me motrën duke shkuar për në vendin ku prehej burri i saj, përballë kisha një brez të gjerë të gjelbërt, të kurorës me gjethe, e cila rrethonte të gjithë parcelën. Qielli i kaltërt dhe ky brez jeshil rrethues ishin takuar në sytë e mi, ku papritmas ndesha “siluetën” e tij, që qëndronte pas brezit të gjelbërt. Ajo ishte e ngjashëm me atë, pasi ai ishte i vëllai.

Ai shikonte me sytë poshtë mbi atë pjesë të tokës, të atij burri që dyzet ditë më parë u largua duke marrë me vete dhimbjet dhe plagët e rënda, që i solli sëmundja famëkeqe. Prilli i ftohtë, i kësaj pranvere të çuditshme, e shkëputi nga bota e mijëra e miliarda njerzve të këtij rruzulli mbi të, e që rrotullohet prej mijëra e mijëra vjetesh rreth orbitës diellore duke mbartur pafundësi historish njerzore në gjirin e vet, brenda saj. Një pjesë e dheut të shkrifët kishte strehuar trupin e tij të dërmuar.

Sytë më mbetën midis qiellit të kaltërt dhe “hijes”, që befas mu shfaq si ai që para dyzet ditësh ishte në frymarrjet e fundit, impulset e zemrës dhe mendjes së lodhur. Por, hija nën diellin pranë nuk ishte gjë tjetër, veçse e gjithë fryma që tashmë pas këtij momenti u çlirua dhe ajo pjesë toke  për ta përjetuar, në amëshimin që e merritonte, duke u përulur denjësisht, për të e përqafoi madhërisht. Sepse, ai kishte qenë i lidhur me të dhe pranë e në thellësitë e saj. Ai kishte studjuar gjithë damarët dhe trupin gjigand, që mbante pasuritë e çmuara. Ajo kishte biseduar ndër vite me të. Ai dialogonte në mendje me çdo shtresë dhe lloj pasurie. Ai ja njihte tekat dhe prapësite e saj, kur ishte i vendosur për të depërtuar thellë, shumë thellë në të. Dhe, ajo e dinte, e njihte shumë mirë atë dhe veprën e tij. E njihte prej shumë vitesh, në shumë zona. Luginat, shkrepat dhe brigjet rrëzë malesh, por edhe ato midis tyre, ai i kishte prekur, i kishte parë me syrin e ekspertit e inxhinierit, kryinxhinierit dhe drejtorit të minierave. Ekspeditat e punimet e shumta ndër vite e kishin lidhur shumë me të, prandaj ai sikur merrte frymë dhe lëshonte hijen e tij në vitet kalendarike, për të duke sakrifikuar, duke e dashur atë marrëzisht. Toka, që kishte ndjerë punën e tij, e  kishte falur dhe e kishte dashur nëpër vite. Prania e tij, që prekte luginat e malet, fushat dhe brigjet e lumenjve ishte bërë pjesë e saj dhe ai kishte mbijetuar në këtë simbiozë me natyrën e vendit të tij.

Njerëzit e ardhur, gruaja fëmijët, motrat dhe vëllezërit e rrethuan betonin e ngritur me balloren, ku qëndronte foto e tij. Lulet rrethuan kudo atë perimeter një bojë njeriu dhe fotografia e sapongjitur në mermerin e lëmuar,  u rrethua dhe u mbulua nga këto lule shumëngjyrshe. Dikush foli, më pas, një tjetër tha fjalët që vazhdonin të pasonin mendimin e parafolësit. Kokat ishin të ulura dhe lotët rreshqisnin. Ata ishin më ta afërmit, të cilët atë ditë kishin udhëtuar edhe nga larg nga qytete të tjere, për t’i shkuar pranë.

Një erë e lehte fryu duke kujtuar orën diellore dhe misticizmi i saj, sikur lidhej me shpirtrat njerzore. Një jehonë si nga thellësia e nëntokës, ku minierat mbartnin historitë e brohorimave të minatorëve, shoqërohej përreth në formën e një grupi ushëtimash zërash dhe vërtitej përreth tyre. Dielli lëshonte ndriçimin e tij mbi njerzit, që kishin rrethuar atë tokë të mbushur me lule shumëngjyrshe duke krijuar hijet, të cilat  kapërtheheshin pikërisht në një pikë me “hijen” e tij. Ata qëndruan gjatë pranë. Rregulluan lulet,pastruan barin. Lotët rrëshqitën e ranë mbi petale, gishtat fërkuan fotografinë e tij. Buzët prekën mermerin, që po shkëlqente nga ndriçimi verbues i diellit. Ai qëndronte aty dhe sikur fliste. “Hija” e tij ishte e pranishme. Heshtja e gjatë, e gjatë, tepër e gjatë, midis tyre të afruar pranë tij, sikur përpiqej të  shkurtonte kohën e shkëputjes nga ajo, për të harruar ndarjen e tij nga njerzit në frymën e saj e fundit. Fytyrat e tendosura dhe sytë e lodhur, që tregonin vetëm dhimbjen, vështronin lulet, fotografinë dhe siluetat që projektoheshin mbi atë truall. Ato përziheshin me njeri tjetrin dhe bisedonin. Më pas ata i dhanë  dorën njeri-tjetrit dhe ndërsa shkonin drejt makinave, “hija” e tij pranë brezores së gjelbërt, sikur i prekte shpinat e tyre. Ata merrnin me vete nga ajo kujtimet, secili në mënyrën dhe kohën e vet, secili në dhimbjen që kishte me përmasën e rëndesës së largimit,që iku së bashku me atë.

Ktheva kokën nga brezorja rrethuese  dhe vura re lulet shumëngjyrshe, që dridheshin nga era e lehtë. Vura re diellin, që ishte ulur edhe pak, ndësa rrezet e tij më verbuan sytë. “Hija” ishte diku pas, nën oshëtimën e zhurmave të qytetit, por pranë tokës së ngrohtë, të cilën e kishte njohur dhe dashur mjaft tërë jetën e tij.

Tiranë, më 5 qershor 2023.

 

Please follow and like us: