Albspirit

Media/News/Publishing

Historia e regjistrimit të popullisë shqiptare 105 vjet më parë

 

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

Një libër për regjistrim popullsie

Ditë më parë më ra në dorë libri i Xhavit Han Lashi “Regjistrimi Austro-Hungarez i popullsisë në vitin 1918 në nahijen Ana e Epër”. Një libër i veçantë dhe me të dhëna të bollshme për 17 fshatra të Anës së Epërme, por dhe shenjë nderimi, kujtimi, respekti dhe mirënjohje për mjaft paraardhës të kësaj krahine, një histori me vlera njohëse për brezat. Nëpërmjet këtij libri me histori dhe të dhëna statistikore, mjaft akutuale dhe sot, gjenden të dhëna tepër të sakta për një periudhë kohe lufte, por statistika qe flasin për seriozite dhe përgjegjësi në regjistrimin e popullsisë nga forca ushtarake pushtuese.

Historia e regjistrimeve të popullsisë në trevat shqiptare e ka zanafillën nga mesi i shek XV, me realizimin e të parit regjistrim kadastral nga administrata e Perandorisë osmane i quajtur “Regjistrim i Tokave të Sanxhakut të Shqipërisë në vitin 1431”. Autori sjell në vëmendje se gjatë viteve 1582-1591 janë ribërë regjistrime kadastrale në sanxhakun e Shkodrës, Dukagjinit e Prizrenit. Këto lloj regjistrimesh kanë vazhduar deri në vitin 1879, kur dhe është bërë i pari regjistrim i popullsisë nga administrata osmane. Ky regjistrim përmblidhte: numrin e popullsisë, familjeve, gjininë, besimin fetar dhe gjuhën e folur. Por asnjë regjistrim nuk ka shënuar pjesëtarët e familjeve, me emra, lidhjen mes tyre, datëlindjen e vendlindjen etj.

Në pragun e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, popullsia etnike shqiptare në katër vilajetet shqiptare, në bazë të përllogaritjeve të përafërta arrinte në 1 milion e 600 mijë banorë. Qeveria e Vlorës nuk pati mundësi për kohën e shkurtër dhe luftërat ballkanike që u zhvilluan në atë kohë të organizonte regjistrimin e popullsisë. Trupat austro-hungareze në janar 1916 pushtuan territoret shqiptare dhe bënë riorganizimin administrativ, duke ndarë viset shqiptare në gjashtë qarqe si: Shkodra, Puka, Kruja, Tirana dhe Berati.

Rëndësi ju kushtua ngritjes së forcës të xhandarmërisë

Autori Xhavit Lashi në libër thekson se administrata austro-hungarez në Shqipëri i dha rëndësi të veçante ngritjes së forcës xhandarmërisë. Në të gjithë vendin u ngritën patrulla xhandarmerie për luftimin dhe asgjësimin e grabitësve, vendosjen nën kontroll të zonave të pashkelura, realizimin e çarmatosjes krahinave, etj. Ajo mori informacion mbi familjet (fiset), që ishin në gjak, dhe xhandarmërisë ju kërkua të ishte garant për besën, me qëllim pajtimin. Ajo ishte e pranishme në çdo vdekje, në grabitje apo zjarrvënie, për të mos ndodhur probleme që vinin edhe nga gjakmarrja. Prej xhandarmërisë kërkohej të respektohej besa e dhënë, ndryshe dënimi ishte me vdekje në litar dhe vendimi zbatohej sipas ligjit të kohës së luftës.

Më 22 qershor 1916 autoritetet austro-hungareze komunikuan urdhëresën mbi shërbimin e policisë në Shqipëri. Detyrat kryesore të shërbimeve të policisë ishin, mbikqyija dhe kujdesi për rendin publik, qetësia dhe siguria, hetimi i gjendjes në vend etj. Çdo punonjës policie duhej të mbante një evidencë të saktë, për të gjithë personat civilë që banojnë në territorin e tyre, për të dyshuarit, për internimet. Interes dhe vëmendje të veçantë autoritetet e policisë i kushtonin moralit publik në zonën e krahinën e tyre. Hotelet, hanet, bujtinat dhe kafenetë, ishin në mbikqyrje të rreptë, si dhe kontrolle në lidhje me respektimin e orarit të mbylljes së detyrueshme. Policia ndalonte lypjet në rrugë dhe sidomos për personat përsëritës, kontrollonte rreptësisht prostitutat, shtëpitë publike dhe vende të tjera.

Shumë detyra kryente policia lokale, si njohjen e gjendjeve të rrugëve, të mirëmbajtjes së urave, të gjendjes së burimeve, të përrenjve, të gjendjes së ndërtesave dhe siguria e tyre ndaj zjarrit. Me rreptësi kontrollonte gjendjen e pastërtisë në lokale, shmangejen e qenve dhe të maceve pa pronarë, groposjen e kafsheve të ngordhura, si dhe ndalimin e torturave ndaj kafshëve. Autoritetet austro-hungareze nxorën urdhëresa të posaçme për udhëtime, për qarkullimin kufitar dhe pasaportat.

Tre regjistrimet e popullsisë

Më tej në libër, autori analizon se me vendosjen në territoret shqiptare, qeveria austro-hungareze nis procesin e regjistrimit të popullsisë. Regjistrim i nevojitej për qëllime ushtarake dhe për përforcimin e administratës civile. Kjo u realizua me kujdes, nëpërmjet komandave të saj, gjatë një periudhe dy vjeçare. Në fillim u hartuan formularët përkatës dhe u ngarkuan njerëz të instruktuar e kompetentë për këtë detyrë. Autoritetet austro-hungareze gjatë periudhës së pushtimit në Shqipëri, tentuan tri herë që të kryenin regjistrimin e popullsisë. Hera e parë nisi mars 1916. Zyra e Prapavijës Ushtarake pranë Korpusit të komandës XIX me qendër në Shkodër, u ngarkua të bërë numrin e shtëpive dhe të bagëtive. Në maj 1916 u fillua me procesin e regjistrimit provizor të popullsisë, të gjësë së gjallë. Numërimi bëhej në fshatra e qytete nga komisionet që përbëheshin nga një oficer, nënoficer dhe sekretar, si dhe plotësoheshin në çdo krahinë nga kryeplaku dhe një klerik i vendit. Komisionet shkonin për regjistrim, pasi më parë popullsia ishte vënë në dijeni, për regjistrim dhe për ditën e fillimit. Komisioni shkonte shtëpi më shtëpi, ku mbushin formularët dhe bindeshin për saktësinë e të dhënave, që u jepen atyre nga kryetari i familjes. Në tetor 1916, komisari civil austro-hungarez August Rittervon Krai, njoftonte Ministrinë e Punëve të Jashtme në Vjene, se kish përfunduar regjistrimi i parashikuar i popullsisë në disa rrethe të Shqipërisë. Nga analiza e këtyre të dhënave, eksperti i njohur austro-hungarez në fushën topografike të regjistrimit të statistikës, Franc Seiner arriti në përfundimin, se lënda statistikore e mbledhur gjatë vitit 1916 ishte e pasaktë. Problemet kryesore ishin se të dhënat e mbledhur në terren nuk ishin verifikuar dhe kontrolluar në mënyrën e duhur, statistikat e paraqitura nuk kishin pasqyrim të emrave të vendeve, si dhe për shkak të vështirësive të shkrimit të gjuhës shqipe nga ana e nëpunësve, emrat e njerëzve dhe të vendeve ishin shënuar me gabime.

Hera e dytë nisi në pranvere të vitit 1917. Në krye të regjistrimit u ngarkua Franc Seiner, që kryente detyrën e referentit të Zyrës së Statistikës së Shqipërisë. Gjatë regjistrimit të popullsisë u konsiderua e vlefshme, kombësia e banorëve të regjistruar. U tregua kujdes për problemet: për regjistrimin e popullsisë vllehe dhe jevge në territorin e Shqipërisë, përcaktimi i vendbanimeve, rregullimi i kufijve të fshatrave, mënyra si shkruheshin e regjistroheshin emrat e fshatrave. Formulari i regjistrimit kishte 24 kolona për plotësim.

Hera e tretë e procesit të regjistrimit të popullsisë filloi më 10 janar 1918. Një urdhër i Korpus Komandës XIX theksonte se më 1 mars 1918 të fillonte procesi i regjistrimit të popullsisë në territorin e kontrolluar prej saj. Përsëri në krye të kësaj detyre u ngarkua Franc Seiner, si drejtues i Zyrës Statistikës Vendit. Në çdo vend u emërua nga një “komisioner regjistrimi”. Shumica e komisionerëve u trajnuan personalisht nga Franc Seiner. Për realizimin e një numrimi të saktë të popullsisë, u tregua kujdes që të regjistroheshin në mënyrë rigoroze, jo vetëm banorët që ndodheshin në vendbanime, por dhe ata që ishin larguar përkohësisht prej tyre.

Të dhëna dhe sqarime rreth tabelave

Libri “Regjistrimi austro-hungarez i popullsisë në vitin 1918 në nahijen Ana e Epër” që i paraqitet lexuesit përmban regjistrimin e popullsisë të kryer nga forcat ushtarake austro-hungareze në zonat e okupuara. Në këtë regjistrim, për arësye të numrit të shumtë të faqeve, janë përshirë 17 fshatra të zonës Bushtricës, Grykë Çajës, Viles, Kalisit dhe Kalasë së Dodës.

Autori qartëson se në fletën e parë të regjistrimit për çdo fshat shënohet “Numrim i popullit – Listë Nr. 1” dhe emri i fshatit, komunës e rrethit. Në krye të faqes shënohet numri i xhamive, mullijve. Në faqen anësore shënohen, emri i mëhallës, numri i shtëpive e objekteve, numri i familjeve dhe në vazhdim emri e mbiemri i kryetarit të familjes. Në një ndarje tjetër shënohet i pari i familjes, lidhja e pjesëtarëve të familjes me të si: gruaja, nana, fëmijtë, nipat, mbesat, hallat, motrat, vllezërit. Në shtyllat e tjera janë përcaktuar vend për gjininë, moshën, vendlindjen, emri i komunës e rrethit, besimi fetar, kombësia, gjendja martesore, ku në disa fshatra gjenden me shumicë burra të martuar me dy gra, arsimi, etj. Në fund të faqes në një ndarje të veçantë, për secilin shkruhet profesioni që kryen brenda e jashtë vendit.

Në fund të fletëve të regjistrimit popullsisë për çdo fshat firmosin; përfaqësuesi austro-hungarez, kryetari e sekretari i mydyrietit dhe kryeplaku. Mbyll regjistrimin e popullsisë, tabela përmbledhëse me të dhënat për çdo fshat. Regjistrimi austro-hungarez i popullsisë shqiptare i vitit 1918, i kryer në kohë lufte është modeli i parë i regjistrimit popullsisë në vendin tonë. Libri për këto fshatra është i pajisur me mjaft foto, tabela, faksimile të kohës së regjistrimit, si dhe ju bën një shërbim mjaft të vlefshëm familjeve për të njohur një shekull më parë të parët e familjeve të tyre.

Njohje me Xhavit Lashi

Ka lindur në fshatin Matranxh, Kukës në vitin 1947. Shkollën 7 vjeçare e përfundoi në vendlindje dhe shkollën e mesme Pedagogjike në Peshkopi në vitin 1966 duke marrë diplomën shkëlqyeshëm. Ka kryer Universitetin e Tiranës në Fakultetin Histori-Gjeografi-Filozofi. Në vendlindje ka punuar si mësues dhe drejtor shkolle në Kalis e Përbreg. Në vitet 1972-1976 zgjidhet sekretar i Parë i Komitetit Rinisë dhe në periudhën 1977-1983 ka kryer detyren e Sekretarit Komitetit Partisë të rrethit Kukës dhe të nënkryetarit të Këshillit Frontit Demokratik të Kukësit. Për disa vite ka qenë zgjedhur anëtar i Komitetit Partisë Korpusit Pukë, për rrethet Kukës, Tropojë e Pukë. Për 14 vjet ka patur mandatin e anëtarit të Këshillit Popullor të rrethit Kukës. Në vazhdim ka qenë drejtor i NRSH Kukës dhe specialist në Njësinë Bashkiake nr. 2, Tiranë. Është zgjedhur nënkryetar i Shoqatës Kulturore Atdhetare “Luma”.

Ka mbajtur tema e referate në konferenca e sesione shkencore dhe dhjetera artikuj studimor e problemor në organet e shtypit. Prej vitesh është angazhuar në Bibliotekën Kombetare dhe ato shkencore, historike dhe në Arkivin e Shtetit. Ka botuar librat “Qarku i Kukësit në rrjedhën historike”, “Shkolla Pedagogjike e Peshkopisë”, “Bushtrica nëpërmjet historisë e traditave”, “Fiset e Bushtricës 2, Gjegje, Matranxh, Palush” dhe “Rinia kuksiane, aksionet dhe heronjtë e saj”. Është redaktor dhe korrektor i disa librave botuar në vitet e fundit. Mban disa Medalje dhe Urdhra Pune. Është anëtar i Akademisë Shqiptaro-Amerikane të Shkencave dhe Arteve në New York. Mban titullin “Ambasador i Dhomës Britanike në Shqipëri”.

Please follow and like us: