Albspirit

Media/News/Publishing

Rifat Ismaili: Rafti i librave të harruar

 

Në një librari të mbushur dëng me libra, ndodhej edhe një raft me libra të harruar. Ata ishin vënë aty prej vitesh dhe askush s’kujtohej më për ta. Klientët venin e vinin nëpër dyqan, por rafti i këtyre librave ishte si të mos ndodhej aty, ngjante i padukshëm. Asnjeri nuk ndalte të shkëpuste prej vendit ndonjë libër, t’i prekte kapakët, ta ledhatonte e t’i shkëpuste përgjumjen.
-Ahhhaaaa, çfarë gjumi të thellë, – tha libri kapaktrashë, me ngjyrë të kaltër, ku shfaqej qielli, një det i pafund dhe një varkë me vela. – Më kujtohet, zotëri, e shkuara ime e lavdishme- iu drejtua librit karshi tij, edhe ky hijerëndë me vizatimin e globit tokësor në kopertinë dhe me diçiturën” Udhëtim në qendër të tokës”, nga Zhyl Verni.
– Lëre mos e nga bisedën, i tha libri tjetër i pezmatuar. Dikur ishim në qendër të vëmendjes. Tani s’na do më njeri. Mbase jemi plakur.
– Nuk ka më njerëz me shpirt aventure, shfryu libri kaltërosh, me emrin Xhonatan Suift. Dikur njerëzit çmendeshin pas aventurave të mia. Tani kam mbetur këtu, mbyllur në këtë dyqan dhe askush s’më prek me dorë.
– Po – tha trishtueshëm Zhyl Verni. Sikur të dilte dikush e të na blinte. Sa bukur do ishte. Do na merrnin me vete brenda në çantë, do na linin të shkujdesur pranë tyre në ndonjë stol në park, a mbase do na hidhnin pa kujdes mbi koshin e biçikletës dhe do ndjeheshim ndryshe. Të gjallëruar, plot jetë.
– Barka ime ka bërë çuditë e çudive, – tha Xhonatan Suifti. – Në kohën time njerëzit ëndërronin për ishuj të paqenë, për milingona gjigande dhe elefantë xhuxhër. Për liliputë e për njerëz me një sy në ballë, për udhëtime e eksplorime. Sa bukur ishte të bridhje nëpër botë me një barkë. Të zbuloje ishuj, njerëz të çuditshëm, pyje të fshehur pas maleve gjigandë, ujëvara belholla si vajzat kapriçoze.
– Kujt i thua, – psherëtiu Zhyl Verni, – pasi mbarova xhiron e botës në tetëdhjetë ditë dhe përshkova lumenj te gjatë e oqeane, shkova gjer në thellësi të tokës dhe atje u ndesha me personazhe që as në ëndërr nuk do të më shkonte mendja. Në qendër të tokës kishte edhe qytete të zhdukur, pellgje uji ku flinte flori me tonelata, shpendë gjigandë, kuçedra e lloj lloj qeniesh nga më të çuditshmet.
Librat e tjerë aty pranë i dëgjonin, fërkonin sytë nga ndonjë lot i papritur dhe përpiqeshin të buzëqeshnin. Midis tyre ndodhej edhe Homeri, qe vinte nga shekuj të largët dhe kishte mijëra vjet që rronte, por me sa duket po i vinte fundi dhe atij. Jo nga pleqëria e thellë, por ngaqë njerëzit kishin filluar ta harronin dhe atë. E kush kujtohej më për Akilin sy patrembur, me zemër luani, që për ta vrarë duhej ta qëlloje me shigjetë në thembër, i vetmi vend i dobët i heroit. Po për Helenën e bukur, që dikur një qytet i tërë hyri në luftë për të? Askush nuk e mban mend as Odiseun dhe truket e tij të luftës, si e vrau me dredhi Ciklopin, si e fitoi luftën kundër trojanëve gjithmonë me dredhi dhe ishte njeri shumë i zgjuar.
– Më duket se koha jonë po shkon, – u ankua Homeri. – Dikur këngët e mia i këndoja nga njëri vend në tjetrin, nga njëra betejë në tjetrën, madje edhe mbretërit dorëzoheshin përpara fjalëve të mia magjike.
– Miku im, – shprehu indinjatën edhe Safoja, poetesha greke e lashtësisë, që shfaqej nga kopertina e një libri me kapakë të ndezur me atë bukurinë e saj si prej nimfe. – Poezitë e mia ngjallnin edhe të vdekurit. Ishin himne dashurie. Tani ka ardhur koha e romaneve rozë!
– Po ç’ thua u hodh një tjetër libër i harruar, paksa i vrazhdë me emrin Xhek London. Dikur një tregimtar i madh dhe një aventurier i paepur. – As për romanet rozë s’ duan t’ia dinë më këta. Kanë mbetur pak lexues, vëllezër e motra. Që kur shpikën atë të flamosurin me një sy si ciklop, internetin, njerëzit mbetën të marrosur pas tij. Tani gjithçka është virtuale, bile edhe dashurinë e bëjnë virtuale.
Librat në raftin e harruar u shtriqën nga përgjumja, shihnin me sytë e mjegulluar të paktët klientë që hynin e dilnin në dyqan, vështronin edhe njerëzit mospërfillës nëpër rrugë dhe kur lodheshin duke ndjekur ikje- ardhjet njerëzore, mbyllnin përsëri sytë të flinin duke u endur pafund nëpër një botë të paqenë, mbetur veç brenda fletëve të tyre, që askush s’kujtohej më ta zbulonte, sepse shpirti i aventurës dhe kuriozitetit dukej sikur të ishte shuar njëherë e përgjithmonë.
Please follow and like us: