Cikël poetik nga Jaho Margjeka
BUKURIA
Lindur e rritur midis bukurisë
Po çudi prej saj një ditë pata frikë.
Dhe ika diku larg.
S’di nëse bëra mirë apo keq
Po s’di se si ndodhi, u hutova krejt.
Dhe erdhi një çast një ditë
E në zemër më rëndoi pendimi.
Dhe u nisa me shpresë e guxim të ri
Po të bukurën time as kurrkund se gjeta.
Dhe që atëherë bëra një betim
Në kërkim të bukurisë gjithnjë në kërkim.
Dhe ec e ec rrethuar nga dashuria
Zemërduruar, hutuar nga bukuria.
AGU I DITËS SË RE
Zhurmat rrotull e shpojnë terrin
E vijnë e hyjnë në dhomën time
Unë i dëboj e ato s’binden
Ulen në karrige ballë tryezës sime
E hiç nuk bëzajnë. Ngadalë
Marrin trajtën e fytyrës sime
Çudi, krejt me mua ngjajnë.
Sa çel e mbyllë sytë
M‘i mbledhin letrat mbi tavolinë
E eja të dalim më thonë.
Jashtë ka ndodhur mrekullia e jetës.
Ka përqafuar tokën agu i ditës së re.
KËNGË GJELBËRIMI
Tani tek unë, ti rri sa të duash
Livadhin tënd do ta ruaj përherë të pakositur.
Aty bari do të rritet gjelbërosh.
Do të çelin trëndafila, luleshqerra, luleshtrydhe
Luleshtrydhet në të kuqe do ta mbytin
krejt gjelbërimin.
E unë rojtari më i mirë i botës do të jem.
Veç gjurmët e tua do të shihen në mëngjes
Kur ti të vish lehtë lehtë si kaprolle.
Kurrkush tjetër aty s’do të jetë.
Veç një ketër do të hutohet pak.
Trëndafilat, luleshqerrat, luleshtrydhet.
Brenda natës do të shumohen dyfish.
Tani ti tek unë rri sa të duash.
Kur të merzitesh, ik.
E BUKURA E DHEUT
Motrat e tua le të hedhin valle
Dashurorët le t’i ndjekin pas të trullosur
Te bukurat e dheut e kanë bërë dheun më të bukur.
Po ti të bukurat e dheut leri në harenë e vet.
Të betohem në këngën time
Njëmijë herë më e bukur do të jeshë.
Të bukurat e dheut, dheun e kanë bërë më të bukur
Por edhe e kanë shkretuar.
Troja nuk është vetëm legjendë
Helena njëra prej të bukurave të dheut ish.
Leri pra të bukurat e dheut në harenë e vet.
Dhe behu më e bukur.
VRASËSI I KORBAVE
Kur imazhi im s’do të jetë më,
Shprush në hirin e kujtimeve
Mos harro. Dritaren lere hapur.
Në dëgjofsh një krrau krrau, mos u tremb
Korbi i Edgar Poes s’ka punë me ty.
Atë e vrava unë.
Atë e gjithë korbat si ai i kam vrarë unë.
Trokitjeve në derë pergjigjiu si të duash.
Por dije, gjithkush mund të jete, veç unë jo.
Unë kurrë s’kam për të ardhur.
Do ta kaloj kohën me vrasjen e korbave
Derisa edhe një të mos mbetet i gjallë.
Po ti mos harro. Dritaren lere hapur.
DON ZOTI
Në një gjethe lisi
do ta shkruaj kumtin tim.
Don Zoti e atë lis
s’e pret një sopatë çatalle.
Don Zoti e atë gjethe
s’e shkel një këmbë hardalle.
Don Zoti i Madh
e n’a bën çare…!
LUTJE SHPIRTIT
Në breg të lumit një shelg
i vetmuar. Në breg të lumit
një ëndërr e harruar. Zotit
i luten t’ua çoj’shpirtin
në amëshim. Shelgu a ëndërra,
Cili jam unë, më thuaj
të lutem – shpirti im…!
ORË FIKSE
Në nëntë pa një çerek
do të pres si donzhuan.
Në nëntë pa dhjetë
do të jem aty.
Në nëntë pa pesë
aty… diku rrotull.
Në nëntë, fiks…
Blej në daç një tufë lule,
Aty pranë…
kalon një qivur…!
PAK KOHË
Për të parë mëngjesin si zdrit‘ agu
Si fekton drita në të gjelbërten e gjetheve
Pëlcitjen e gëzueshme të limfës kur bulon sythi.
Harenë e harabelit për ditën e re
Barin kur zgjohet e zërat e tokës kur përqafohen
E si një këngë të gjelbër nis e këndon pylli.
Pak kohë.
SHTËPIA NË NDËRTIM
Ia hodha shtëpisë
çatinë me tjegulla,
me tjegulla të kuqe
të forta si guri,
Në gjelbërim rozë
e mbyta oborrin,
midis trëndafilave
mbiu një agavie,
me veten u fjalosa
për hiçkurrgjë…
Të gjitha dritaret
s’vështrojnë dot nga dielli.
PEIZAZH NËN UJË
Kjo qenka bota e nënujshme:
mbretëria e bishtëdredhësave
me kokën majtas e bishtin djathtas
me bishtin djathtas e kokën majtas…
Kjo qenka mrekullia e nënujshme:
me burimin në det e derdhjen majë mali,
Me peizazhe të urbanizuara,
me trafik të dendur peshqish,
bishtdredhësa, notarë të kalamendur
drejt burimit të shterrun…!
ËNGJËLLI IM
Të gjitha të bukura i kishe
engjëlli im,
melodinë të bukur
zërin të bukur
kuvendimin të bukur
ecjen të bukur
krehjen të bukur
si mëndafsh qeshjen,
Ishe muzikë e bukur
engjëlli im,
tani që je krye-engjëll
diçka të mungon…!
DITËT E FUNDIT
Kam vërejtur ditët e fundit:
Pas vrimës së çelësit
tabloja shihet kokëposhtë
pra, edhe këmbëpërpjetë,
Tavani është dysheme
e kjo e fundit dritare.
E së fundi kam vërejtur
ditët e fundit një njollë
të madhe në planetin M…
Horoskopi po thotë: është
Marria, a fati yt i vjedhun…!
SI STRUCI
Ta fshehim kokën, si struci,
Të kalojë furtuna, të mbarojë beteja.
Ta futim kokën në rërë, si struci,
Prapanicat nuk i ha as dreqi…
Ta fshehim kokën, si struci
E më pas,të ngrihemi në këmbë,
Si struci!
NGJITJE-ZBRITJE SHKALLËSH
Po duhet ta kemi mirë me shkallët;
të ecim lehtësisht
Pa i prekur në kallo
Me këpucë gome,
Ah, shkallët…
Ngjitje-zbritje; ngjitjen
s’e durojnë dy e nga dy, tri e nga tri
Duan përkëdhelje shkallët.