Albspirit

Media/News/Publishing

Rubin: Mashtrimet e Kremlinit vijnë në Serbi e Mal të Zi përmes Russia Today, Sputnik dhe konspiracionistëve

Foto ilustruese

Propaganda dhe dezinformatat e Kremlinit arrijnë drejtpërdrejt në Serbi dhe Mal të Zi përmes Russia Today (RT) dhe Sputnik.

Kështu thekson koordinatori i Qendrës për Angazhim Global (GEC), James Rubin duke shtuar se këto medie që financohen nga Kremlini gjithashtu po përdorën për të përçarë Maqedoninë e Veriut.

“Mali i Zi ka pasur një marrëdhënie politike me Serbinë. Serbia është i vetmi vend në Ballkan ku RT dhe Sputnik ende transmetojnë programin e tyre. RT dhe Sputnik gjithashtu kanë versionin e tyre në gjuhën serbe. Nëse jetoni në Mal të Zi pa problem mund të lexoni dezinformatat ruse drejtpërdrejt në serbisht, që vijnë nga Serbia”, thekson Rubin për Zërin e Amerikës.

“Është e nevojshme të sigurohet që RT dhe Sputnik të mos jenë në gjendje të shkaktojnë aq shumë dëme brenda Malit të Zi apo Maqedonisë së Veriut”, shton ai.

Sipas tij, Kina po e shtrembëron pamjen e botës kur është fjala për SHBA-në.

“Manipulimi i informacionit është një problem i madh për SHBA-në dhe në të gjithë botën. Kemi zbuluar se në disa raste Kina do të ofrojë falas shërbimet e saja të burimit të lajmeve për disa media të caktuara, por të themi, nëse dëshironi ta bëni këtë, nuk mund të përdorni asnjë burim tjetër informacioni”, thotë Rubin.

“Kur bëhet fjalë për SHBA-në, theksi vihet te lajmet e këqija, derisa kur bëhet fjalë për Kinën janë lajmet e mira. Është një pamje e shtrembëruar e botës”, pohon koordinatori i GEC-it.

Rubin vë në pah se Rusia dhe Kina po shpenzojnë miliarda dollarë për të kompromentuar informacionin.

“Nuk kemi asnjë problem që Kina apo Rusia të paraqesin këndvështrimin e tyre me të gjitha vendet. Është e rëndësishme të tregohet burimi dhe të jetë transparent. Kina [dhe Rusia] po shpenzon miliarda dollarë për këtë projekt”, vë në pah Rubin.

Gjithashtu, ai ka thënë se duhet të përpiqemi të tregojmë kur dora e fshehur e Rusisë po ndërhynë në hapësirën e informacionit.

“Russia Today (RT) dhe Sputnik ende ekzistojnë në Serbi, ato u përdorën për të përçarë Maqedoninë e Veriut. Tani na takon neve që të punojmë me Qeverinë e Maqedonisë së Veriut për t’u dhënë atyre kapacitetin për të monitoruar integritetin e hapësirës së informacionit, të përpiqemi të tregojmë kur dora e fshehur e Rusisë po ndërhynë në hapësirën e tyre të informacionit, të përpiqemi t’u japim atyre mjetet për të analizuar ‘helmimin’ e hapësirës së tyre të informacionit”, përfundon ai. /Telegrafi/

Please follow and like us: