Halil Rama: Xhevat Limani, vargje poetike nëpër kohë pakotësie
Të dielën më 11 qershor, ora 11.00, “Skënderbeu i kohëve modrene” promovon vëllimin poetik “TerrAdritë” në Muzeun historik Kombëtar
Poeti dhe artisti me famë botërore Xhevat Limani, i dekoruar nga ish – Presidenti i Republikës së Shqipërisë Ilir Meta. me Titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”, me motivacionin “Në shenjë vlerësimi për kontributin dhe vlerat e larta artistike në realizimin me profesionalizëm të figurës së heroit tonë Kombëtar, duke u bërë personazhi unik i Skënderbeut, në të gjitha trojet shqiptare dhe anembanë botës” ( Dekret nr.11963, date 10.02.2021), që këtë libër ua përkushton: “Pasardhësve trashëgimtarë, mbesave princesha dhe nipërve princa shpirthyjnorë… Leas hyjneshë, e cila triumfon në çdo sfidë me peshë; Lizës mendare tipike shqiptare… Leonit, talent i rrallë me yll në ballë, Remziut që noton valëve të një gjeniu…”, siç pohon ai vetë, ka shkruar vargje poetike nëpër kohë pakotësie, duke i mbartur me vete rrugëve të botës. Ai ka derdhur në vargje çka përjetuar, diku mes shenjave, tingujve dhe fjalëve, duke qenë gjithnjë vetvetja
Artisti famoz Xhevat Limani, që ka bërë të ndjehen krenar diasporën shqiptare në SHBA, Londër, Berlin, Paris, Bruksel, etj, me interpretimin mjeshtëror të rolit të Heroit tone kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, në sallat e kinemave të qytetave kryesore të botës, përveçse si një nga aktorët më të mirë shqiptarë, ka bërë emër edhe në fushën e letrave. Pasi ka botuar 12 drama (“Varrtarët”, dramë-1994) “Albaniada, tetë drama”-2002; “Anatema”, dramë-2002; “Muri i lotëve”, dramë-2005; “Dodona”, dramë-2012); Poemën dramatike “Skënderbeu”,-2018 dhe “Gjergj Kastriot Skënderbeg”-2019; dy romanet: “Artisti pa atdhe”-2015 dhe “Triumf”, roman jetësor-2021; vëllimin poetik “Pranverë dimërore”-1989; poemën “Ora shqiptare”-2009, si dhe “Antimemorandum”, esse dramatic – 2009, vjen më së fundi për lexuesin me vëllimin poetik “TerrAdritë” që promovohet të dielën më 11 qershor 2023, ora 11.oo në sallën “Unesco”të Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë.
I ndarë në dy pjesë: “Pikëlima” dhe “Rapsodi epike”, ky libër, në 220 faqe përmban 80 poezi, ku pothuajse në të gjitha përligjet titulli sinjifikativ i tij: “TerrAdritë”. Kësisoj, poeti Limani, që e ka në zemër e shpirt shqiptarizmën duket se apelon bashkëkombësit e tij për të dalë nga humnera e territ në dritën e përbotshme, drejt progresit.` “Skënderbeu i kohëve moderne”, e lëshon këtë apel, pothuajse në të gjitha poezitë e kapitullit të dytë “Rapsodi epike”. Këtë shqetësim të poetit e dallojmë fare qartë qoftë edhe në strofën e fundit të vjershës me titull “Shpirti m’u këput”: “Veç toka po rënkon pa përfillur ligje/ Shjpirtrat e këputur në errësirë kërkojnë shtigje/ Vargjet me tërbim përplasen nëpër brigje jete/ Po liria ku humbi vallë”?… Këtu, si edhe tek vjersha vijuese “Në Krujë”, ku: “shpata e Atij burri/ Foli shqipërisht te flamuri/…ulërinte toka/ Qante guri/..Dridhej qielli/ Buzëqeshte dielli…”, gjuha artistike thyen norma… Shumësia përmasore e ligjërimit poetik të Xhevat Limanit është e atij niveli sa ta bëjë lexuesin të shqetësohet për fatet e kombit të vet. Ndërsa tek poezia “Dëshpërimi troket”, duket lehtazi se si emocioni i poetit është përzierje e imazhit me tingullin: “Merrmëni muza anonime/ Dhe ju zana mbi selvitë/ Mos prisni, ju shtojzavalle/ Po hidhmëni tek perënditë../ Mjaftë durova në këtë jetë,/ Sa nuk duron njeri…” , vargje këto ku dallohet qartë struktura e mendimit poetik dhe e vargut në përgjithësi; uni ose karakteri i atij ligjërimi që e bën të veçantë mes ligjërimeve të tjera. Epikja në poezinë e Xh.Limanit vjen në nivelin sipëror edhe në poezitë me titull: “Mjerimi”, “Shqipërisht”, “Shpirtkryengritësi”, “Porosi”, etj. Tingëllim aktual ka vecanërisht poezia “Kaosinë”, ku poeti shpalos me tërë madhështinë e botës së tij të brendshme shpirtin e revolotës, qoftë dhe vetëm në vargjet: “Protesto Dardani,/ Si në kohën për Kushtetutë, /Mallkimi i Ahtisarit / Me verdikt u shpall: Kushtetutë dhe Republikë/ Pse vallë tani keni frikë…”?
Po në këtë linjë është edhe poezia “VIVA LA MUERTA”- “RROFTË VDEKJA” ku: “Murtaja bie në Tiranë/ Fadromat shembin mure të kalbur/ Çjerrakët shtiren në megafon/ Teatri vajton i pandosur përdhé/ Muret ranë gërmadhë/ Policët demonstrojnë pushtet…”, vargje këto ku duket se poeti jeton jetën e pavdekur të kombit të vet. Këtu, përpara së gjithash është poezia. Ajo formon shpirtin e kombit. Në këto poezi, si dhe në dhjetra të tjera të këtij kapitulli është gjithçka që ekziston rreth autorit dhe veprës letrare të tij, e pasqyruar në vite. Gjithshka përmblidhet në një vështrim të arsyetuar, duke e përqendruar në vargje informacionin kulturologjik dhe duke e shndërruar atë në komunikim efikas me lexuesin.
Përsa i perket figurave letrare, në poezinë e këtij poeti janë më evidente hiperbola, personifikimi dhe antiteza. Kësisoj Ai ndërton nëpërmejt vargut imazhe të gjalla për të nxitur fantazinë e lexuesit si mjet për të ndihmuar në kuptimin prej tij të përshkrimit të gjallëfigurativ dhe emocional të jetës. Këto i ndeshim edhe në poezitë e kapitullit të parë “PIKËLIMA”, që në tërësinë e tyre janë poezi lirike. Në 39 poezi të këtij kapitulli poeti Xhevat Limani përqëndrohet te ndjenjat dhe emocionet e veta për perjetime të caktuara. Si përshembull tek “Lule shtatselvi” ku ai i përulet thjesht yllit që kërkon t’i ndriçojë shpirtin: “Të përulem thjesht/ O yll, ndriçomë shpirtin/ Terri po ma zë frymën…/ Thjeshtë, të dua o hëna ime/ Që ndrin skutat e errëta/Brenda shpirtit tim/ Të djegur e vetmuar…”.
Në dhjetra poezi të këtij poeti dallojmë gjendjen e tij shpirtërore, njohim më së miri jo vetëm atë, por edhe shtresën, klasën, popullin të cilit i takon. Më evidente kjo tek poema “Pikla dhe gjethe”, ku poeti e shpalos botën e tij shpirtërore, qoftë edhe nëpërmjet këtyre vargjeve:“Hesht dhe flas me psherëtimë/ Brigjeve të dehur me dashurinë/ Kateve hyjnorë, nëse dua të zbres/ Durim, e dashur, buzëvarret duan vetminë/ Ti më zgjo ëmbël, qetë, çdo mëngjez…”.