Albspirit

Media/News/Publishing

Nikollë Camaj, një emër që i ban nder kohës, një personalitet që e nderon kombin e vet

 

-Nikollë Camaj, kandidat për deputet i “Forumit Shqiptar” në Zgjedhjet Parlamnetare të 11 Qershorit 2023, mirëpritet të jetë deputet i Kuvendit Republikan të Malit të Zi-

 

Nga Ramiz LUSHAJ

 

1.

Nikollë Camaj është një malësor tipik për nga lartësia e shtatit e hapit, genit e fjalës; burrë tradicional hotjan e alpin për nga atdhetaria, virtytet e qytetaria; veprimtar me bashkëkohorësi elitare për nga kultura e formimi vetjak, familjar, vllaznor; politikan panshqiptar dhe euroatlantik i klasit të parë; një emër që i ban nder Kohës, një personalitet që e nderon Kombin e vet, prej ditëvotimit elektoral 11 qershor 2023, mirëpritet të jetë deputet i “Forumit Shqiptar” në Kuvendin e Malit të Zi.

Nikollë Camaj edhe dy herë të tjera, jo veç sivjet po edhe ma herët, e kishte emrin dhe votat shqiptare për me kanë deputet në Kuvendin e Malit të Zi, sipas marrëveshjeve paraprake “xhentilmene” në partitë e koalicionet partiake shqiptare, nëse ndonjëri të mos kthehej në “xhind për keq”, në “një djall politik”, e t’ia mohonte të drejtën e rrotacionit politik deputetor, t’ia rrëmbente të drejtën e mandatit, po kësaj here, si asnjëherë tjetër, “Forumi Shqiptar”-Nik Gjeloshaj, e ka logo e devizë “Besa për Zhvillim Europia”, çka domethanë se Camaj – i dyti i Listës së 60 kandidatëve të Forumit për deputetë, e ka edhe Besën e këtij Forumi e kryesuesit të tij, për një ulëse dinjitare në Kuvendin shumetnish të Malit të Zi, si një nga shqiptarët e shquar në Malin e Zi për shek. XXI.

2.

Nikollë Camaj është rritë me Politikën Shqiptare në Malin e Zi, e ka rritë Politika Shqiptare në Malin e Zi, e ka rritë Politikën Shqiptare në Malin e Zi. Ne e njohim portretin e tij bashkëkohor si një ndër Shqiptarët e Mirë të Traditës së Genit të vet e të Kombit Tonë, po dhe si një Politikan Elitar i Kohës në Malin e Zi tuj rrezatue me dituritë e veprimtaritë e veta edhe në Rajonin Ballkanik Shqiptar e në Mërgata Shqiptare nga Mbretëria e Bashkuar deri në Amerikë.

Nikollë Camaj është aktiv në skenën politike shqiptare, në Malin e Zi, në mbi tri dekada, në ma shumë se një çerek shekulli, në gjysmë kohë-vite të tij, në ma shumë se 10 mijë ditë jete, në këta dy shekujt e fundit.

Nikollë Camaj ishte sekretari i parë i subjektit të parë politik shqiptar, i Lidhjes Demokratike në Malin e Zi, formue me 9 të shtatorit 1990, si “dallandyshja e parë” e pluralizmit partiak në MZ, themelue nja 6 muaj pas formimit të LDK-së në Kosovë dhe nja 3 muaj para PD-së në Shqipëri, ishte një nga partitë e para postkomuniste në Ballkan e Europën Juglindore. Kjo parti, asokohe, u përshendet nga Shqiptarët e Politika Shqiptare në Shqipëri e në Ish Jugosllavi dhe gjithandej nga Ndërkombëtarët euroatlantik, pati jehonë të mirë në masmediat botërore.

Nikollë Camaj ishte kryetari i parë i kuvendit të Tuzit. Nikollë Camaj, kryehere, ishte Kryesues i “Forumit Shqiptar”, i cili u themelue më 28 të dhjetorit 2018, ma së parit, nga dy partitë shqiptare: Alternativa Shqiptare (ASH) dhe Lidhja e Demokratike Shqiptare (LDSH), ndërsa me 29 dhjetor 2019 iu bashkue edhe Unioni Demokratik i Shqiptarëve (UDSH), të cilët kanë qënë në bashkari në disa nga Zgjedhjet Parlamentare të viteve të fundit, deri tek kjo e tanishmja elektoriadë: 11 qershor 2023. Gjithnjë e kanë pasë nga një deputet (ulëse) në Kuvendin shumetnik të Malit të Zi, çka do të ndodhin njejtësisht e mrekullisht edhe kësaj rradhe, me fitoren e kandidatit për deputet Nikollë Camaj i Tuzit e Shqiptarisë.

3.

Nikollë Camaj është shumëdimensional në jetën e veprimtarinë e tij të gjithashme: përveçse politikan, është i mirënjohur edhe si profesor letërsie; një mësimdhanës përmbi dy dekada në gjimnazin e Tuzit, duke pritë e përcjellë shumë gjenerata gjimnazistësh.

Nikollë Camaj është edhe studiues i mirë i letërsisë, i historisë së Vendlindjes e Kombit, i politikës shqiptare e rajonale, etj. duke kumtuar deri edhe në Akademinë e Shkencave të Republikës së Shqipërisë me 13 maj 2022 etj.

Nikollë Camaj është edhe përkthyes i mirë dhe i njohur, veçmas nga gjuha boshnjake në gjuhën shqipe, siç ishte edhe botimi ma mbramë: “Gjerdani nga Shanllëurfa” i pinjollit nga Tuzi, Ruzhida Axhoviq, që jeton e veprimtaron në Sarajevë, i cilësuar si një nga gazetarët më të mirë të Rajonit Ballkanik.

Nikollë Camaj është dhe publicist, njiherit edhe në detyrën misionare, vullnetare e përplot përkushtime pune e sakrifikime, si Drejtor i “Gazeta e Alpeve” për Malin e Zi- media PanShqiptare e NdërBallkanike (Shqipëri-Kosovë-Mali i Zi-Lugina e Preshevës e Sanxhak- Maqedoni e Veriut), duke qënë pjesmarrës elitar, duke kumtuar apo përshendetur në veprimtari të tilla PanShqiptare-NdërBallkanike-EuroAtlantike, si në “Takimet e Plavë-Gucisë” (2019, 2021), në “Takimi i Shkodres” (23 tetor 2021, në bashkëpunim me bashkinë e Shkodres), në “Takimi i Madh i Prishtinës” (13 maj 2022, në bashkëpunim me komunë e Prishtinës”, si dhe në “Kuvendi i Madh i Ulqinit” (29 prill 2023).

Nikollë Camaj për veprimtarinë e tij të shumashme e të vazhduesshme është nderuar edhe me çmime të ndryshme, si Çmimi i Madh “Dardania” (2021), “Ambasador i Paqes”, Çmimi i Lartë “Ndoc Nikaj” (2019) etj. Nikollë Camaj asnjëherë nuk iu largua linjes kombëtare, të trashëguar nga paraardhësit e vet.

Nikollë Camaj, së bashku me subjektin që e kryeson, LDSH- është njëra prej shtyllave të “Forumit Shqiptar”, brendit që dëshmoi se si Shqiptarët mund të jenë të suksesshëm kur bashkohen, si në Zgjedhjet e dy-herëve në komunën e Tuzit dhe të disa-hershme në Kuvendin Republikan të Malit të Zi.

Edhe kësaj here, është koha që Shqiptarët e Tuzit e Podgoricës, të Ulqinit e Gucisë, të Plavës e Rozhajës në Malin e Zi, që Shqiptarët e këtyre trevave etnike shqiptare komunare që jetojnë e veprimtarojnë në Amerikë, në Europë, në Ballkan, të votojnë masivisht me votën e tyre kombëtare shqiptare për “Forumin Shqiptar”, për deputetin e ardhshëm Nikollë Camaj, për Listën Zgjedhore Parlamentare të këtij Forumi me tri parti shqiptare aleancore të suksesshme.

Please follow and like us: