Albspirit

Media/News/Publishing

Odise Kote: KOBLARA

 

Koblara përveç fantazmave nuk dëgjon askënd,

e qara tringëllin në një guaskë të zbrazur,

muret e kishave sigurisht kanë rënë,

bredhat shekullorë ftohen të tregojnë plagët

të cilat duhet t’i fshehin.

 

Nuk gjen dot asnjë jastëk të butë,

gjaku im ankon pritjen, pikë mëshire kërkund,

heshtja ecën nëpër udhët e veta dhe gjunjëzohet,

të na turpërojë me gjunjëzimin e saj,

historia e kurajës ndihet fare e lehtë, e pafjalë,

si fluturimi gurgujve dhe pëllumbave të egër.

 

Do të bjerë shi lajmëron toka e thatë e malit dhe nata,

do të bjerë shi, mban aromë shiu, mizat pickojnë.

Koha këtu nuk vdes kurrë e fati këtu nuk ka fat,

siç nuk ka qumësht një tigër mashkull,

megjithatë kjo bukuri qiellore zmadhohet,

zmadhohet përnatë duke parë ëndrra…

 

Koblara përveç fantazmave nuk dëgjon askënd…

 

Koblara* – fshat malor i braktisur, bosh, me pisha e bredha afër Frashërit, Përmet.

Please follow and like us: