Rusia, NATO dhe prapaskenat e një konflikti të dhunshëm, çfarë po synojnë shërbimet sekrete ruse me veriun e Kosovës
Nga Shaban Murati
Një alarm i habitshëm disproporcional u ngrit në Moskë nga vendimi i NATO-s në 30 maj për të dërguar një kontingjent shtesë prej 700 ushtarësh në përbërje të forcave të KFOR-it në Kosovë. Vendimi erdhi pas sulmeve të dhunshme të bandave të organizuara paramilitare serbe në Veriun e Kosovës kundër forcave të KFOR-it, si rezultat i të cilave u plagosën mbi 30 ushtarë të forcave paqeruajtëse ndërkombëtare.
Vendimi i NATO-s, që është brenda mandatit të saj juridik ndërkombëtar të firmosur edhe nga Rusia, ishte i papritur për Kremlinin, që po priste shndrrimin e trazirave të reja serbe në Kosovë në një konflikt të armatosur.
Në 1 qershor 2023 në faqen zyrtare të MPJ të Rusisë janë publikuar deklaratat e ambasadorit rus në Beograd, Aleksandër Bocan-Harçenko, i cili e sulmon vendimin e NATO-s për të dërguar një kontigjent shtesë forcash në Kosovë si “joadeguat dhe jo normal për ngjarjet dhe kjo forcon praninë e forcave atlantike në Kosovë”.
Ambasadori rus shkoi edhe me tej duke akuzuar forcat paqëruajtëse të KFOR-it si “shtesë e shkallëzimit të tensionit”.
Reagimi zyrtar rus ishte jashtë çdo logjike diplomatike. Rusia ngren alarmin për një kontigjent shtesë prej 700 vetash në forcat e KFOR-it në një kohë që në Kosovë janë të pranishëm mbi katër mijë forca ushtarake paqeruajtëse të KFOR-it. Nuk e shpjegoi as ambasadori rus dhe as ministria e jashtëme ruse se çfarë kishte për t’u shqetësuar për 700 ushtarët shtesë të misionit paqeruajtës të KFOR-it në Kosovë.
Alarmin e saj të hiperbolizuar diplomatik dhe ushtarak Moska e shtriu në krejt propagandën e saj ndërkombëtare me qëllim që të krijonte një tymnajë të re mbi të ashtuquajturin rrezik, që përfaqësoka NATO në Ballkan.
Në 3 qershor gazeta proqeveritare ruse “Izvestia” shkruante: “NATO po ndjek qëllimet e saj për destabilizimin e Ballkanit. Qëllimi i fundit është shkëputja e plotë e Serbisë nga Rusia, nga ortodoksizmi dhe nga faktori sllav, kalimi në anën e Perëndimit dhe njohja e Kosovës”.
Në 30 maj drejtori i Institutit rus të Zhvillimit Aktual Shtetëror, Dmitri Sollonikov, me kompetencën e shkencëtarit zyrtar analizonte dërgimin e kontigjentit shtesë të NATO-s në Kosovë dhe e çonte fantazinë në një shkallë sipërore: “NATO përgatit grusht shteti në Serbi. Batalioni shtesë i NATO-s në Kosovë mund të çojë në grusht shteti në Serbi”.
Në 5 qershor koordinatori i “Këshillit Rus të Politikës së Jashtëme”, M. Lazoviç, duke pompuar alarmin zyrtar për kontigjentin shtesë të NATO-s në Kosovë, deklaronte se “Perëndimi po ngre shkallën e tensionit duke u përpjekur të detyrojë Beogradin për skenarët e forcës në zgjidhjen e problemit kosovar”.
Sipas imagjinatës deformuese të diplomacisë ruse, një kontigjent shtesë prej 700 ushtarësh në forcat ekzistuese të KFOR-t prej 4 mijë vetash në Kosovë, qenka një komplot për një grusht shteti në Beograd. Ky nuk është vetëm një alarm fals ushtarak, diplomatik dhe propagandistik rus për të krijuar në audiencën ruse, serbe apo bjelloruse imazhin e Rusisë si mbrojtëse e Serbisë nga grushti i shtetit, që do bëka në Beograd kontigjenti prej 700 ushtarësh shtesë të NATO-s.
Përtej një naiviteti diplomatik dhe propagandistik, alarmi i ri rus për forcat shtesë të NATO-s në Kosovë dëshmon shqetësimin e madh të Kremlinit se zhvillimet e fundit në Veriun e Kosovës dhe në Ballkanin Perëndimor nuk po ecin në drejtimin e planifikuar nga Rusia. Kremlini shpresoi që nëpërmjet provokacioneve të qëllimëshme të presidentit serb Vuçiç në Veriun e Kosovës me intrigën e tij bizantine “ngriva-shkriva” të tensioneve në Veri, do të arrihej qëllimi strategjik rus i shkaktimit të një konflikti të armatosur midis Serbisë dhe NATO-s në Kosovë.
Në funksion të këtij plani rus bandat paramilitare të policisë serbe dhe të shërbimit sekret serb në Veriun e Kosovës ndërmorën sulme të dhunëshme masive kundër forcave të KFOR-it. Sipas planifikimeve ruse këto sulme të dhunëshme serbe do të shërbenin si pretekst i ndërhyrjes ushtarake të Serbisë në Kosovë, sepse jo rastësisht presidenti serb Vuçiç kishte dislokuar paraprakisht forca të mëdha ushtarake në kufirin me Kosovën. Për rrjedhojë, kjo do të çonte në një konflikt të armatosur me forcat e KFOR-it dhe me NATO-n.
Qëllimi strategjik i Rusisë është që t’i hapë NATO-s një vatër lokale lufte me konflikt të armatosur midis Kosovës dhe Serbisë. Kjo i duhet Moskës në këtë periudhë krize ushtarake dhe vështirësish të panumërta, që po kalon për shkak të agresionit të gjatë rus në Ukrainë, dhe për të dobësuar NATO-n në prapavijat e saj ballkanike, që NATO të mos jetë në gjendje të vazhdojë të ndihmojë ushtarakisht Ukrainën për mbrojtjen nga pushtimi rus.
Jo rastësisht një javë para këtij tensionimi të ri një nga krerët e shërbimeve sekrete ruse, Nikollaj Patrushev, zhvilloi bisedime të fshehta me shefin e agjencisë serbe të spiunazhit, Aleksandër Vulin. Rusia priste konfliktin e armatosur dhe ambasadori rus në Beograd e deklaroi hapur në 1 qershor: “njësitë ushtarake serbe pranë vijës kufitare mes Serbisë dhe Kosovës u vunë në gjendje gatishmërie të plotë luftarake, sepse natyrisht nuk duhet përjashtuar skenari i forcës”.
Gazeta proqeveritare ruse “Vzgljad” në 5 qershor e shprehte pa doreza strategjinë agresive ruse dhe i këshillonte Beogradit të ndjekë shembullin rus të pushtimit të Donbasit, që sipas saj është “mobilizimi i përgjithshëm në Serbi dhe marshimi i ushtrisë serbe në Kosovë”.
NATO e kuptoi strategjinë me qitje të largët të Rusisë për luftë lokale në Veriun e Kosovës dhe menjëherë, qysh të nesërmen e sulmeve të dhunshme serbe dhe plagosjes së forcave të KFOR-it, shpalli dërgimin e kontigjentit shtesë prej 700 ushtarësh dhe vuri në gatishmëri luftarake një batalion tjetër rezervë për çdo eventualitet të keqësimit të situatës së sigurisë dhe të konfliktit në terren.
Me vendimin e tanishëm për dërgimin e një kontigjenti shtesë të forcave të KFOR-it, NATO prishi planin strategjik rus të provokimit të një konflikti të ri të armatosur lokal në Kosovë. Vendimi atlantik është një mesazh i ri i qartë force në adresë të Rusisë për t’i treguar që NATO nuk do të lejojë asnjë lloj konflikti të armatosur në Ballkan.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, e afishoi pa ekuivok në deklaratën e tij në 1 qershor se dërgimi i forcave shtesë të NATO-s është “për të siguruar që ne kemi forcat për të cilat kemi nevojë në çdo kohë”. Mesazhi atlantik u bën të qartë planifikuesve rusë të strategjisë së tensionit në Ballkan se NATO është e përgatitur të zmbrapsë dhe të likujdojë çdo kërcënim dhe rrezik konflikti të armatosur, që vjen nga Rusia në rajonin e Ballkanit.
Vendimi i NATO-s për kontigjentin shtesë në forcat e saj në Kosovë përbën një mesazh force edhe për presidentin putinist të Serbisë Vuçiç se NATO nuk do të lejojë që bandat dhe njësitë speciale të policisë serbe të provokojnë konflikt të armatosur në Kosovë.
Është një mesazh direkt për presidentin serb Vuçiç, i cili duke qenë i implikuar si menaxher i tensioneve në Veri të Kosovës, nuk i dënoi fare sulmet e dhunëshme të bandave serbe pas plagosjes së dhjetra ushtarëve të KFOR-it.
Histeria e re antiNATO e diplomacisë dhe e propagandës zyrtare ruse u fry aq shumë, sa që mori edhe forma komike. Fushata e sulmeve ruse ndaj vendimit të NATO-s për kotigjentin shtesë të forcave të KFOR-it u shoqërua me një fushatë të re të befasishme ruse kundër Turqisë, pse ajo dërgoi tani në Kosovë një batalion të 500 forcave komandos si pjesë e këtij kontingjenti shtesë.
Dislokimi tani pas tensioneve në Veri i batalionit të forcave speciale turke nuk ka domethënie të re ushtarake, sepse forcat turke janë që prej fillimit të misionit të KFOR-it pjesë e forcave paqeruajtëse ndërkombëtare. Vetëm një logjikë e çarkoduar mund të shkruajë se forcat turke shtesë të KFOR-it tregojnë se “Turqia po hyn në konfliktin ballkanik”, siç alarmonte media ruse “fortpost-sevastopol.ru” në 4 qershor.
Politologu rus Dmitri Rodionov thellohej edhe me shumë në 5 qershor në median “life.ru” me pyetjen e madhe: “Pse Erdogani u dakordua të luftojë kundër sllavëve në Ballkan”?” Dhe përgjigjej po vetë: “Përgjigja e shpejtë e Ankarasë ndaj propozimit të NATO-s për të shkuar në Kosovë sulmon sërish interesat e Rusisë”.
Ofensiva alogjike diplomatike dhe propagandistike ruse shpreh qartë se i gjithë mllefi i tanishëm zyrtar i Moskës ndaj dislokimit të forcës shtesë të NATO-s në Kosovë vjen prej dështimit të planit strategjik rus për ndezjen e një lufte lokale në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor.
NATO e prishi këtë plan dhe Rusia bashkë me Serbinë e mësuan se NATO nuk do të lejojë bandat, spiunët dhe mercenarët serbë që të provokojnë konflikt të armatosur lokal. Nuk do të ndihmojnë dot të arrihet ky synim rus as mercenarët rusë të kompanisë kriminale të shërbimit sekret ushtarak rus “Wagner”, të cilët sipas burimeve diplomatike janë përzier me bandat dhe njësitet speciale civile të policisë serbe në Veri.
Nuk duhet harruar se një nga pikat kryesore të marrëveshjes, që bëri presidenti serb Vuçiç me kompaninë “Wagner” kur i lejoi asaj hapjen në Beograd në dhjetor të vitit të kaluar të një qendre rekrutimi mercenarësh për Ukrainë, ishte që në shkëmbim kompania “Wagner” do të dërgonte mercenarë në Veriun e Kosovës.
Kjo shënonte një implikim direkt të shërbimit sekret ushtarak rus në trazirat në Veri të Kosovës.
Dërgimi i forcës ushtarake shtesë të NATO-s në Kosovë është gjithashtu shprehje e një angazhimi më të fortë të NATO-s në përkrahje të rrugës politike të normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, për zbatimin e plotë të marrëveshjeve të Brukselit të 27 shkurtit dhe të Ohrit të 18 marsit, sepse vetëm normalizimi mbi bazën e formulës Bajden të njohjes reciproke të të dy shteteve e zhduk përfundimisht rrezikun e një konflikti të armatosur.
Kjo strategji paqeje dhe stabilizimi e NATO-s në Ballkan i djeg shumë Rusisë, ndaj ajo u tremb dhe ngriti një stuhi artificiale për kontigjentin shtesë të NATO-s në Kosovë.
Ndaj dhe zëdhënësja e MPJ të Rusisë, Maria Zaharova, në 6 qershor nëpërmjet agjencisë shtetërore ruse të lajmeve “Ria Novosti” i bënte thirrje presidentit Vuçiç të mos zbatojë marrëveshjet europiane të shkurt-marsit për dialogun Serbi-Kosovë, sepse “janë ekskluzivisht verbale dhe nuk imponojnë detyrime legale”.
Lëvizja e tanishme e NATO-s në Kosovë duhet lexuar si lëvizje e SHBA, sepse kuptohet që pa miratimin e Uashingtonit nuk mund të bëhet një hap i tillë nga aleanca atlantike. Kjo ngjall besim te zhvillimet e pritme dhe te strategjia afatgjatë e SHBA në Ballkan./gazeta dita