Albspirit

Media/News/Publishing

Cikël poetik nga Avdush Canaj

 

 

SI QERSHITË

Në qershorin e qershive

u linda një ditë

si dritë e yllësive

Për atë vargjet e mia

janë të ëmbëla

të ëmbëla si qershitë

si gugurimë e kumrive

Si dritë e yllësive

u linda një ditë

në qershorin e magjive.

 

NË ÇIKALLESH

Në Çikallesh

shiu buzëqesh

buzëqesh shiu.

 

Gocat belhollë

faqet me mollë

me mollë faqet.

 

Këtu çdo ditë

të përqafojnë kumritë

të bukurat.

 

S’dinë ta kthejnë shpinën

ta falin gugurimën

gushëbardhat.

 

Pa dry shtëpitë

lulëzojnë dashuritë

hapin gonxhet me rend.

 

N’Çikallesh të Elbasanit

buzëqesh syri i shiut

te dritarja e tulipanit

ai sy blerak.

 

MË PUTHËN TRI HERË

Ra mugëtira, ra,

xixëllonjat dolën në sheti

si yjet buzë liqeni`!

 

Më kërkojnë mua

me bateri!

Çuçuris,

në kopsht më keni ,

te një manushaqe.

 

Më gjejnë sakaq,

ndalen në faqe.

Tri herë më puthin

si yjtë e mirë

dhe ikin për dore

në mugëtirë.

 

HAPJA PËRRALLËS DERËN

-Mund të ketë ndonjë dyqan

që shet karamele me magji!

-Mund të ketë, me siguri.

-Sapo t’‘i ha gjyshi bëhet i ri!

– Vërtet çudi!

-E ku është athua?

-Afër pyllit të lulnajës,

në përrallën e nënëdajës!

-Tash hapja përrallës derën,

me gjyshin të gëzojmë verën.

 

JU BETOHEM

Vargjet

s`i shkruaj unë

ai zogu brenda meje

m`i dikton

me kitarën e shpirtit

Ju betohem

në ngjyrën e kaltër

të penës sime.

 

 

Please follow and like us: