Kristaq Balli: FRANCOISE GILOT DHE GJON MILI
Ёshtë shuar para pak ditësh në moshën 101 vjeçare piktorja e shquar franceze e vlerësuar me çmimin më të lartë artistik “Komandant i Legjionit të nderit”, Fransuaz Zhiló (Francoise Gilot). Ajo pikturoi në stilin e saj sipas rrymave të artit modern impresionist por edhe kubist të ndikuar nga Pikaso, të cilin ajo e vlerësonte veç të tjerësh. Ishte kjo ndoshta arsyeja që ajo mundi ta njohë personalisht qysh nga fundi i L.II.B., kur ajo ishte ende studente e shpërndarë në disa fusha si pikturë, letërsi, filozofi, dhe drejtësi në disa universitete të Parisit. Por, ndër to vetëm pikturën e kishte prirje të veçantë, ku ndjente veten dhe, kështu, vendosi t’ia kushtojë jetën artit. Ndoshta kjo ishte edhe një nga arsyet që rrethanat e sollën si rastësisht që Zhiló të njihej me Pikason, të shoqërohen bashkë më dendur e së fundi midis tyre të fillonte një romancë e dyanshme shpirtërore.
Në këtë kohë Zhiló ishte akoma studente 22 vjeçare ndërsa Pikaso 40 vjet më i madh. Si dukej ai ishte lodhur e mërzitur nga partnerja e tij romantike Dora Maar, fotografe, piktore e poete, e cila ishte edhe muza e modelja e disa prej veprave të njohura të tij. Pikaso dhe Zhiló nisën jetën e përbashkët, por nuk u martuan zyrtarisht kurrë, megjithëse patën edhe dy fëmijë, një djalë, Claude dhe një vajzë, Paloma. Gjatë këtyre viteve jeta e Zhiló iu kushtua fëmijëve dhe më pak pikturës.
Studiues e biografë të ndryshëm mendojnë se jeta e kariera artistike e Zhiló u davarit dhe u dëmtua gjatë jetës 10 vjeçare me Pikason për shkak të inferioritetit dhe përkushtimit të sinqertë të saj ndaj tij dhe fëmijëve. Nga ana tjetër, shpesh Zhiló kanosej nga gruaja e parë nëpër rrugët e Parisit, si dhe abuzohej fizikisht edhe nga vetë Pikaso. I dukej se ajo kishte humbur në harresë, më shumë e njohur nga raportet me Pikason se sa nga veprimtaria e saj artistike. Pra ishte rrudhosur nën hijen e tij.
Kështu, ardhi në mënyrë të pashmangshme ndarja e tyre edhe pas një flirti tradhtie të Pikasos, me çrast ajo mori fëmijët dhe u largua përfundimisht nga shtëpia e tij. Në vitin 1955 ajo u martua me piktorin francez Luc Simon, me të cilin pati edhe një vajzë, Aurelia Simon. Kjo martesë zgjati deri në vitin 1962.
Në vitin 1964 Zhiló botoi një libër me kujtime “Life with Picasso” (Jeta me Pikason) me një këndvështrim tepër kritik për jetën e tij. Ky libër u shit në milliona kopje, ndonse vetë Pikaso u përpoq ta parandalojë atë.
Martesa e tretë e Zhiló ndodhi në vitin 1970 me shkencëtarin dhe zbuluesin e vaksinës së poliomelitit, Jonas Salk. Të dy qëndruan së bashku 25 vjet, deri në vitin 1995, kur Salk ndërroi jetë.
Gjon Mili, fotografi i shquar shqiptar që punonte për revistën e madhe amerikane LIFE, në vitin 1949, gjatë një turneje të gjatë pune në Francë, ndaloi edhen në Vallauris, ku banonte Pikaso me synim e shpresë për të realizuar një seancë fotografimi për revistën LIFE. Kemi shkruar disa herë për këtë ngjarje të bujshme artistike të Pikasos dhe Gjon Milit që njihet si “Vizatimet e Pikasos me Dritë” dhe që vlerësohet si një zhvillim novator i fotografisë botërore.
Këto rreshta do t’ia kushtojmë partneres së Pikasos, Fransuazë Zhiló e cila gjatë kësaj kohe jetonte me Pikason. Me ftesën e Gjon Milit, gjatë seancave të këtij eksperimentimi, ka marrë pjesë aktivisht si artiste edhe ajo. Zhiló i hyri në zemër Gjon Milit për talentin, mirësinë, thjeshtësinë, mikpritjen, intelektin por edhe paraqitjen fotozhenike të saj. Ai i bëri asaj dy fotoportrete me ngjyra, njërin me teknikën stroboskopike (foto e trefishtë) (fig 1), e zhytur në botën e saj të trazuar shpirtërore dhe tjetrin më lirik e optimist, duke mbajtur para torsit e fytyrës së saj një lule gladiolë si mishërim i bukurisë fizike e dëlirësisë shpirtërore (fig. 2). Disa foto të tjera me ngjyra dhe po aq të bukura Mili i bëri asaj me djalin 3 vjeçar Klod (fig. 3,4), që mbant disa vizatime me portretizoimin e figurën së Klodit, nën hijen e një peme në oborrin e shtëpisë.
Fotografia e fundit dhe më artistikja e saj është vizatimi me dritë në hapësirën e errët të dhomës(fig.5), ashtu siç kishte bërë edhe Pikaso. Madje, jo me një por, paralelisht, me dy llambushka njëheresh, një e bardhë e ftohtë dhe një të verdhë e ngrohtë. Vetë figura e Zhiló është ndriçuar nga prapa me një projektor të vendosur në qoshe dhe statuja e saj e plotë, e mrekullueshme shfaqet bashkë me vizatimin absurd, ndoshta një centaur. Kjo foto shpërfaq dhuntitë e saj për të fantazuar e kompozuar, për të realizuar në një çast me dritë idenë e teknikës së re, për të qenë po aq e pa kontraktuar, e pa shqetësuar, e çlirët, pa asnjë dilemë, pa asnjë dridhje dore, e sigurt profesionalisht, sa edhe Pikaso.
Edhe piktorë e artiste të tjerë si Henri Matisse, Jasha Heifetz, Henry Moore, etj. janë përpjekur të bashkëpunojnë me Gj. Milin për të realizuar vizatime me dritë, por përveç ato të Pikasos, fotoja e Fransuazë Zhiló mbetet nga më ekspresivet.
Kjo foto e Fransuazë Zhiló dhe Gjon Milit përbën një dëshmi se artistët e mëdhenj gjejnë shtigje të parrahura në të cilat ata, me talentin e tyre, hapin perspektiva të reja artistike e humane, nëpër të cilat gjallojnë zhanre, rryma e teknologji të reja arti, që i përjetësojnë ata në panteonin e kujtesës së përjetshme… E tillë do të mbetet edhe piktorja shekullore Fransuazë Zhiló në fotot e Gjon Milit.
▪▪▪▪